FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR TE ‘RRUGA E SHPRESËS’
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha në protestën maratonë te ‘Rruga e Shpresës’ në ditën e 322-të shprehu mirënjohje për mbështetësit e opozitës dhe oratorët që kanë kontribuar në ringritjen e saj dhe në përçimin e të vërtetave të ndaluara nga regjimi.
Berisha e cilësoi qeverinë e Edi Ramës si një regjim kriminal dhe narkodiktaturë, duke ngritur akuza për grabitje zgjedhjesh, lidhje me krimin, arrestime dhe persekutime politike, përqendrim të pushteteve në një dorë dhe lidhje me trafikun e drogës. Gjithashtu, Berisha theksoi se zëri i opozitës është dëgjuar fuqishëm dhe ka pasur një ndikim të madh pavarësisht përpjekjeve për ta izoluar atë.
Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD, Sali Berisha njoftoi rreth miratimit të një rezolute të fuqishme në mbështetje të opozitës shqiptare, e cila është miratuar me unanimitet nga Internacionalja e Qendrës Demokrate, një organizatë që përfshin 108 parti politike nga e gjithë bota. Lideri demokrat theksoi se kjo është rezoluta më e fuqishme që është miratuar kundër regjimit të Edi Ramës, duke e krahasuar këtë moment me periudhën e Enver Hoxhës. Berisha vlerësoi mbështetjen e madhe të këtij forumi botëror për opozitën shqiptare dhe për dënimin e regjimit të “narkodiktaturës” të Ramës. Ai shpreh besimin se beteja kundër këtij regjimi do të jetë fitimtare.
Kryetari i PD, Sali Berisha lexoi para qytetarëve në tubimin te ‘Rruga e Shpresës’ një rezolutë të miratuar nga Internacionalja e Qendrës Demokrate (CDI), ku mbështet opozitën shqiptare dhe denoncon regjimin e Edi Ramës. Rezoluta thekson se nën qeverisjen socialiste, Shqipëria është transformuar në një shtet të përqendruar, ku të gjithë pushteti është në duar të një individi, dhe zgjedhjet janë vetëm një fasadë. Ajo vë në dukje se liderët e opozitës, anëtarët e parlamentit dhe të qeverive lokale përballen me persekutim, burgosje politike dhe kërcënime, duke krahasuar situatën me atë në vendet si Bjellorusia dhe Tunizia.
Rezoluta akuzon qeverinë për lidhje të ngushta me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës, duke theksuar se Shqipëria është narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë. Ajo flet për përpjekjet e koordinuara të organizatave kriminale dhe zyrtarëve të qeverisë për të manipuluar zgjedhjet, duke përdorur krimin për të blerë vota dhe frikësuar zgjedhësit. Për më tepër, ajo thekson se mazhoranca socialiste nuk ka ndërmarrë masa për të adresuar problemet e blerjes së votave dhe manipulimit të zgjedhjeve.
Në prag të zgjedhjeve të 2025-ës, CDI vëren se situata politike ka përkeqësuar ndjeshëm dhe kërkon një sistem drejtësie të paanshëm dhe të pavarur në Shqipëri. Ajo thekson se vetëm 5 muaj para zgjedhjeve, liderët e opozitës janë përballur me persekutime dhe kërcënime direkte për jetën e tyre, duke përmendur Shqipërinë si një nga vendet e pakta me të burgosur politik.
Kryedemokrati, Sali Berisha, në këtë deklaratë, lexoi edhe një tjetër pjesë të rezolutës së Internacionales së Qendrës Demokrate, që dënon arrestimet dhe burgosjet e motivuara politikisht të liderëve të opozitës në Shqipëri. CDI kërkon lirimin e menjëhershëm të liderëve të opozitës, duke theksuar se të drejtat e njeriut dhe Kushtetuta janë shkelur në rastin e tyre.
Berisha përmendi disa liderë të opozitës, duke përfshirë vetë atë, Ilir Metën, Fatmir Mediun, Ervin Salianjin dhe Fredi Bejlerin, duke i akuzuar ata për arrestime dhe persekutime politike. Ai theksoi se arrestimi i tij është në kundërshtim me Kushtetutën dhe të drejtat e njeriut, duke u bazuar në akuza të rreme dhe të pavërteta. Po ashtu, Berisha rikujtoi edhe situatën e Metës dhe Mediut, të cilët janë përballur me procedura ligjore të padrejta.
Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij mbi rezolutën e Internacionales së Qendrës Demokrate, theksoi se regjimi i Edi Ramës ka marrë ndëshkimin më të rëndë në historinë e Shqipërisë që nga diktatura e Enver Hoxhës. Ai ritheksoi rëndësinë e luftës kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës si një përgjegjësi jetike për Shqipërinë, e cila është një vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për në BE. Rezoluta kërkon masa urgjente për të ndaluar lidhjet mes krimit dhe procesit zgjedhor.
Në përmbyllje të fjalës së tij, lideri demokrat, Sali Berisha përgëzoi opozitën për qëndrimin e saj të fortë dhe për mbështetje ndërkombëtare të fituar, duke theksuar se kjo është një fitore e madhe për të gjithë ata që luftojnë kundër regjimit të Edi Ramës. Berisha iu drejtua atyre që miratuan rezolutën, duke shprehur falënderime për mbështetje dhe shprehur besimin në fitoren e opozitës në zgjedhjet e ardhshme.
FJALA E PLOTË
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta. Mirënjohjen më të pakufijshme për të gjithë ju misionare dhe misionarë të kauzës së drejtë të çdo qytetari shqiptar.
Një mirënjohje të pakufijshme për oratorët e kësaj tribune të fjalës së lirë, që me guxim, me mençuri me ndershmëri dhe integritet përcollën tek shqiptarët të vërtetat e ndaluara nga regjimi dhe censura e tij.
Një mirënjohje të pakufijshme ndaj çdo qytetari dhe qytetareje, demokrati dhe demokrateje që në sakrifica dhe në presione të mëdha ringriti këto tre vite opozitën e vërtetë shqiptare në këmbë dhe ia doli me qendrimet e saj që zëri i kësaj opozite të kumbojë, të ushtojë më fuqishëm se kurrë në mbarë botën.
Miqtë e mi, në këtë platformë të fjalës së lirë, në këtë rrugë Shprese, në çdo protesstë dhe kudo, opozitarët denoncuan me guxim regjimin kriminal të narkodiktatorit, Edi rama.
Denoncuan grabitjen e zgjedhjeve, lidhjet me krimin. Denoncuan arresetimet dhe persekutimet politike, rrëmbimet e të gjitha pushteteve në një dorë. Denoncuan lidhjet e Edi Ramës dhe klaneve të tij me drogën dhe krimin, shndërrimin e narkogjykatësve dhe narkoprokurorëve në vegla të verbëra të narkoshtetit.
Të shumtë ishin ata që nëpër studio ju shpallnin ju si njerëz të izoluar, si njerëz që nuk flet kush me ju. Por gabuan, gabuan rëndë.
Miqtë e mi, sot paradite Internacionalja e Qendrës Demokrate, organizata që grupon sëbashku 108 parti politike nga të gjitha kontinentet, organizatë planetare, ka folur në një seancë më fuqishëm se kurrë ndonjëherë ndokush për secilin prej jush, për Opozitën shqiptare, për narkodiktaturën e Edi Ramës, për narkodrejtësinë e tij.
Pra, sot është miratuar rezoluta më e fuqishme kundër regjimit në Shqipëri. Që nga koha e Enver Hoxhës, sot është miratuar me unanimitet të plotë, pa asnjë kundërshtim nga përfaqësues të këtij forumi botëror, planetar rezoluta në mbështetje të Opozitës shqiptare, të çdo opozitari të këtij vendi, të demokracisë.
Ndaj dhe, të dashur miq, në emër tuaj të shpreh mirënjohjen më të pakufijshme ndaj ëprfaqësuesve të ëktij forumi botëror të partive politike në këtë forum botëror për këtë mbështetje të madhe që i dhanë Opozitës shqiptare, për këtë dënim ekzemplar që i rezervuan narkodiktaturës së Edi Ramës.
I garantoj në emër tuajin se, beteja jonë kundër narkoregjimit do të jetë betejë fitimtare.
Kam shumë kënaqësi t’ua lexoj këtu, para jush dhe për mbarë shqiptarët tekstin e rezolutës që u votua sot në Internacionalen e Qendrës Demokrate, paraqitur nga PD dhe votuar në unanimitet nga 108 forca politike, ndër më të mëdha të botës, të të gjitha vendeve.
CDI qendron fuqishëm për respektin e shtetit ligjor dhe integritetin e institucioneve si shtylla të shoqërive demokratike. Nën qeverisjen 12-vjeçare socialiste në Shqipëri, sot i gjithë pushteti është i përqendruar në duart e një njeriu të vetëm dhe zgjedhjet periodike janë thjesht një fasadë.
Njëlloj si në gjendjen në Bjellorusi dhe në Tunizi, liderët, anëtarët e Parlamentit dhe të qeverive lokale të opozitës përballen me persekutim dhe burgosje politike dhe kërcënime, akte direkte kundër jetës së tyre.
Vendi është narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë. Trafiku i drogës dhe krimi i organizuar të lidhura me nivelet më të larta të pushtetit, thellësisht të ndërthurur me kartelet e drogës të Amerikës Latine që kanë infiltruar në shumë vende të Europës, po përdorin ekonominë shqiptare dhe peisazhin politik për larje të parave, duke ekspozuar shkrirjen e shtetit me sipërmarrjen kriminale.
Zbulimet e fundit të autoriteteve belge ekspozojnë në mënyrë alarmuese lidhjet direkte midis rrjeteve të krimit të organizuar me lidershipin e Partisë Socialiste dhe zyrtaret e zbatimit të ligjit.
Regjistrime dhe dokumente të rrjedhura ilustrojnë përpjekjet e koordinuara midis organizatave kriminale dhe zyrtarëve të qeverisë për të emëruar njerëzit e vetë si anëtarë parlamenti, ministra të rendit publik, gjykatës prokurorë, zyrtarë të lartë policie, zyrtarë të lartë dhe për të manipuluar zgjedhjet në favor të Partisë Socialiste. Ky bashkëpunim ka krijuar një mjedis në të cilin rrjetet kriminale përdoren për të blerë votat, frikësuar zgjedhësit dhe dhunuar sistematikisht zgjedhjet. Ndonëse në pushtet që nga viti 2013, mazhoranca socialiste nuk ka adresuar rekomandimet kryesore të OSBE/ ODHIR në të cilat kërkohen masa urgjente kundra blerjes së votes, frikësimit të zgjedhësve dhe përdorimit të burimeve shtetërore. Kryeministri, Edi Rama, në mënyrë të njëanshme ka amenduar Kushtetutën dhe ka ndaluar të drejtën e partive opozitare për të krijuar koalicione. Me afrimin e zgjedhjeve të 2025, situata politike është përkeqësuar shumë në dallim të madh me rrethanat e vitit 2013, kur socialistët fituan zgjedhjet dhe rotacioni i pushtetit ishte i mundshëm.
CDI thekson nevojën për një sistem drejtësie të paanshëm dhe të pavarur në Shqipëri. Në këtë kuadër ka shqetësime të ligjshme se institucionet kryesore që supozohen të funksionojnë në mënyrë të paanashme, si garantues të demokracisë dhe shtetit ligjor, janë kthyer në pjesë dërrmuese në instrumenta të fuqishme të mazhorancës socialiste për të shtypur kundërshtarët e saj politikë.
Rastet e fundit të arrestimeve persekutimeve dhe burgosjeve politikisht të motivuara të liderëve, deputetëve qeveritarëve vendorë të opozitës pak muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, provojne se Edi Rama kërkon me çdo mjet një mandat të katërt.
Vetëm pesë muaj para zgjedhjeve të ardhshme, të gjithë liderët e opozites në bllok janë në persekutim, burgosje politike dhe kërcënime dhe akte direkte kundër jetës së tyre.
Shqipëria është midis pak vendeve me të burgosur politikë.
1- Prof. Dr. Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike dhe lider i opozitës, është prej 9 muajve në arrest politik shtëpie, si person nën hetim pas një kallëzimi të rremë, të bërë nga kryetari i grupit parlamentar të PS dhe urdhrave të përsëritur të Edi Ramës.
Arrestimi i tij në shtëpi është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Këto kohë, ai përballet me akuza politikisht të motivuara për korrupsion pasiv bazuar në mashtrime, falsifikime të dokumenteve zyrtare pa asnjë fakt, apo vepër penale.
Nuk ekziston asnjë shkelje ligji, asnjë dëm publik dhe asnjë firmë e Sali Berishës, asnjë dëshmi kundër tij.
2- Ilir Meta, ish-president, ish-kryetar Parlamenti, ish-kryeministër dhe aktualisht lider i Partisë së Lirisë, partisë së dytë më të madhe opozitare, është në burg si person nën hetim. Ai u ndalua në rrugë, u arrestua brutalisht dhe u zvarrit dhe u godit në kokë publikisht nga policë të maskuar, sipas një skenari të urdhëruar nga zedin Rama
3- Zoti Fatmir Mediu, president i Partisë Republikane, ish-ministër mbrojtje është në ndjekje penale, ndonëse Gjykata e Lartë ka hedhur poshtë në vitin 2009 akuzat për shpërdorim detyrë në rastin e z. Mediu. Sipas legjislacionit shqiptar, afati 10 vjeçar i parashkrimit në rastin e Mediut ka perfunduar në vitin 2009. Por prokurori hapi çështjen në kundërshtim me ligjin
Z. Ervin Salianji, deputet dhe nënkryetar i Grupit Parlamentar të PD është dënuar me 1 vit burg bazuar në dëshmitar të rremë dhe i akuzuar për dëshmi të rremë të cilën ai kurrë nuk e ka bërë.
Z. Fredi Beleri, deputet në parlamentin Europian, i zgjedhur kryetar bashkie në Himarë, arrestuar dhe burgosur politikisht.
Drejtësia nuk mund të perdoret si armë politike për të shtruar rrugën drejt manipulimit të zgjedhjeve remineshencë e taktikave të regjimeve autoritare.
Paralajmërimi i vitit 2015 i Komisionit të Venecias se reforma zgjedhore rezikon të korruptohet nga partia në pushtet dhe të krijojë kaos brenda sistemit, është materializuar nën udhëheqjen e Ramës. CDI nënvizon se injorimi i vullnetit të popullit, shprehur qartesisht në zgjedhjet e fundit parlamentare çon në rënie e besimit, tashmë të dobësuar në proceset demokratike dhe mund të shkaktojë instabilitet afatgjatë.
CDI dënon arrestimet, burgosjet e motivuara politikisht të liderëve të opozitës, të deputetëve dhe qeveritarëve vendorë të saj në Shqipëri dhe kerkon lirimin e tyre të menjëhershëm. CDI mbështet pa ekuivok përpjekjet e opozitës shqiptare për antarësimin e Shqipërisë në BE, si dhe luftën e saj për të garantuar zgjdhje parlamentare të lira dhe të ndershme, duke njohur rolin e tyre jetik për rivendosjen e qeverisjes demokratike dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut.
Ne ritheksojmë rëndësinë e luftës kundër krimit të organizuar, si një përgjegjësi jetike të një vendi anëtari të NATO-s dhe kandidat të BE, duke theksuar nevojën urgjente për të shkëputur harkun vicioz midis krimit dhe votës. CDI qendron për një drejtësi të pavarur që është e bazuar në respektin e Kushtetutës dhe ligjeve, dhe nuk përdoret si armë politike kundër kundërshtarëve.
Drejtesia duhet t’ju shërbejë njerëzve dhe t’ju japë mundësi shqiptarëve të gëzojnë plotësisht të drejtat dhe liritë e tyre.
Eshte ne interesin e Shqiperise te lejoj vendosjen e nje qeverie kujdestare bazuar ne modelin e Maqedonise se Veriut. Nje qeveri kujdestare qe mbikeqyre procesin zgjedhore dhe garanton integritetitin e tij ishte nje eksperience e sukseseshme ne Maqedonine e Veriut.
CDI do të ndjekë nga afër zhvillimet në Shqipëri dhe do qendrojë në mbështetje të partive anëtare të saj në zgjedhjet e ardhshme dhe mbështetjen e së ardhmes europiane të Shqipërisë.
Edhe njëherë, mirënjohje të pakufijshme ndaj atyre që miratuan me konsensus këtë rezolutë. Mirënjohje të pakufijshme ju, gra dhe burra të pamposhtur që qendruat si luantë të vërtetë kundër këtij regjimi që sot ka marrë ndëshkimin më të rëndë në historinë e Shqipërisë pas diktaturës së Enver Hoxhës.
Nderim të madh opozitës, që sot ka garantuar mbështetjen më të madhe në tërë ekzistencën e saj.
Është radha jonë, është radha jonë, është radha jonë!
Fitore, fitore, fitore!