Berisha publikon të dhënat tronditëse nga ‘laptopi i Lubisë’: Ja të dhënat se ku punojnë terroristët elektorale të Ballukut. Përdorën punësimet në administratë përkundrejt votave

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një konferencë për mediat ka denoncuar farsën zgjedhore të 11 majit 2025, të cilin e cilësoi si një tjetër hap drejt konsolidimit të një ‘narkoregjimi’ në Shqipëri. ‘Zgjedhjet e 11 majit ishin një farsë që sanksionoi më tej kapjen kriminale të shtetit nga kartelat e drogës dhe strukturat e krimit të organizuar,’ deklaroi Berisha.

Duke akuzuar qeverinë për një përfshirje masive në manipulimin e votës, lideri i opozitës theksoi se administrata publike u përdor si instrument presioni ndaj qytetarëve. Sipas tij, të dhënat e zbuluara nga e ashtuquajtura pajisje ‘laptopi i Lubisë’, përmbajnë prova tronditëse për përfshirjen direkte të zyrtarëve të lartë, përfshirë ministren Belinda Balluku. ‘Kam në dorë të dhëna tronditëse që dëshmojnë se Balluku ka përdorur administratën si polici elektorale, duke emëruar dhe kërcënuar në funksion të votës,’ nënvizoi kryedemokrati Sali Berisha.

Gjatë fjalës së tij me gazetarët, Berisha denoncoi veçanërisht strukturat e ‘policisë politike’ në qytetin e Fierit, të cilat, sipas tij, kanë ushtruar presion sistematik mbi qytetarët përmes premtimeve për punësim në institucione publike. ‘Nga sanitaret e shkollave, tek punonjësit e çerdheve, qindra qytetarë janë detyruar të japin votën në këmbim të një vendi pune. Ky është kriminalizim elektoral në përmasa të padëgjuara,’ shtoi ai.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se të dhënat e publikuara së shpejti do përfshijnë mijëra dokumente dhe korrespondenca të brendshme që vërtetojnë manipulimin sistematik të procesit zgjedhor dhe përfshirjen e grupeve të organizuara në këtë proces. Në deklaratën e tij, Berisha kritikoi ashpër mediat shqiptare për heshtjen dhe mungesën e raportimit për këto ngjarje, ndërsa vlerësoi median ndërkombëtare për qëndrimin e saj.  ‘Mediat shqiptare kanë heshtur turpshëm, ndërsa media ndërkombëtare ka ekspozuar lidhjet e qeverisë me kartelat e drogës dhe ndikimin e tyre në zgjedhje,’ theksoi ai.

Lideri i PD-së paralajmëroi se partia do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për shkeljet në procesin zgjedhor, veçanërisht lidhur me votën e diasporës, ndërsa nuk përjashtoi ndjekjen e çështjes në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. ‘Kushtetuesja është e kapur, por nuk do ndalemi. Do ndjekim çdo instancë për të mbrojtur të drejtën e votës dhe integritetin e zgjedhjeve shqiptare,’ u shpreh ai.

Në fund të konferencës për mediat, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha akuzoi Edi Ramën për përpjekje për të ndikuar edhe mbi raportet ndërkombëtare të vëzhguesve zgjedhorë. ‘Rama po ushtron presion për të manipuluar raportin e Këshillit të Europës, por rekomandimet e tyre janë të qarta: zgjedhjet ishin të manipuluara dhe të papranueshme,’ përfundoi konferencën e tij, lideri i demokratëve, Sali Berisha.

FJALA E PLOTE:

Farsa elektorale 11 maj 2025 është farsa elektorale më e shëmtuar në historinë e vendit.

Është një hap vendimtar drejt konsolidimit të narkoregjimit apo narkodiktaturës në Shqipëri.

Pra, është hap vendimtar drejt zhvlerësimit të plotë të votës së qytetarëve shqiptarë dhe instalimit, konsolidimit në mënyrë përfundimtare të narkoshtetit, shtetit që bazohet në vullnetin e padrinos, në vullnetin e kreut të organizatës kriminale.

Shteti në të cilin nuk ekziston Kushtetuta, ligji dhe marrëveshjet ndërkombëtare.

Shteti në të cilin drejtësia me eksponentë të tupit Dumani, Gjoka, shndërrohet në një armë të verbër nga këta mercenarë që nuk njohin ligj as moral, në një armë të verbër të narkodiktatorit.

Dhe jo vetëm drejtësia.

Imagjinoni ju, Irena Gjoka duhej të ishte në burg, ajo mban vendin e gjykatëses sot.

Altin Troplini duhej të ishte në burg për fshehje të pasurisë, për tre apartamente me gjoja rrogën e tij dhe kollovar në vilën e vjehrrit. Me qira thotë, jam aty, në vilën e vjehrrit. Imagjinoni çfarë qiraje paguan ai.

Pra, i transformuar.

Por nuk janë vetëm këta.

Në narkoshtet një deformim të paimagjinueshëm ka pasuar Policia e Shtetit, Shërbimi Informativ Kombëtar. Kanë pësuar institucionet e tjera, të ashtuquajtura institucione të pavarura janë të gjitha thjesht instrumente të narkoshtetit.

Narkoshteti, i cili sot përdoret gjerësisht në botë për Shqipërinë, rikujtoj këtu se janë me dhjetëra e dhjetëra artikuj, studime, të botuara në mediat më serioze të botës, BBC, Financial Times, Guardian, Independent, Spiegel, ZDF, Arte, RAI3, mediat franceze, Washington Post, Washington Examiner e dhjetëra media të tjera, është herezi në mediat shqiptare.

Gazetarët dhe analistët në vend që të ndalen te pasojat shkatërrimtare të narkoshtetit mbi qenien kombëtare, merren me tematika që i dikton direkt zyra e Edi Ramës.

Mediat kombëtare janë klonime të RTSH. E njohur botërisht kjo.

Pra, në qoftë se shqiptarëve u mohohet e vërteta.

Në qoftë se shqiptarëve nuk u tregohet se ministrat e tij emërohen nga kartelet e drogës.

Se gjykatësit, se Fetahu, ajo gjykatësja e Elbasanit, është motër siameze me Mellonain e Skapit.

Se prokurori që djeg dokumentet që faktojnë se Taulant Balla porosit vrasje, merret me porosi vrasjesh, është më vrasës se sa vrasësi.

Pra, një situatë e tillë…

Dhe pastaj mbetet që analizat të vijnë vetëm nga jashtë.

U bëj thirrje medieve, të lexojnë për narkoshtetin. Vendi i tyre është vend klasik i narkoshtetit.

Cilido që sheh sot, e ka të qartë se cila është fuqia e karteleve në emërimin e zyrtarëve qeveritarë.

Ju e keni parasysh, këto ditë paraqita para jush miliona metër katrorë ndërtime të dhëna me firmën e Edi Ramës dhe Adelajda Rrokës për kartelet e drogës.

Adelajda është drejtoresha e përgjithshme e zyrës kombëtare të urbanistikës, motra e dy Rrokove, lejtnantë kryesorë të Suel Çelës.

Adelajda në njëfarë mënyrë është Ergys Agasi me pantallona.

Por Adelajda nuk është pa lidhje me familjen Rama.

U bëj thirrje medieve me guxim të ndriçojnë këto të vërteta tragjike për shqiptarët.

Po, iu bëj thirrje medieve të pyesin veten si ka mundësi të bien eksportet nga një vit në një tjetër me 30 përqind në një vend me ekonomik tregu dhe pas kovidit?

Si mund të ndodhë? Shumë thjeshtë. Narkoeuro. Zhvlerësimi i monedhës evropiane nga narkoeurot në Shqipëri, shkatërroi dhe falimentoi me qindra dhe mijëra ndërmarrje eksporti.

U bëj thirrje medieve të ndalen pse bie nga viti në vit prodhimi industrial. Si ka mundësi?

Por mos harroni se eksportet dhe prodhimi industrial janë dy gjeneratorët kryesorë të punësimit.

Ato bien prej narkoeuros.

Ato bien sepse ndërtimi është shndërruar në shtyllë kryesore ku trafikantët me në krye kreun e organizatës kriminale kanë gjetur parajsën.

Bëra këtë hyrjen, e lidhur fund e krye me zgjedhjet, sepse narkozyrtarët, zyrtarët e narkoshtetit, mijëra e mijëra prej tyre, janë shndërruar në polici politike të votës së shqiptarëve.

Ne disponojmë regjistrat e dhjetëra mijëra mercenarëve që marrin rrogat nga taksapaguesit e qytetarëve dhe bëjnë policin elektoral. Bëjnë patronazhistin. Kryejnë krimin e shëmtuar.

Ata janë masivisht zyrtarë të administratës, janë zyrtarë të institucioneve të ashtuquajtura të pavarura, janë në polici, gjykata, prokurori, janë në ndërmarrjet publike.

Laptopi i Lubisë në Fier është sjellë si shembull këtu.

Çfarë paraqet?

Këtu janë të dhënat ku punojnë terroristët elektoralë që i përdori Lubi Balluku për zgjedhjet.

Vazhdo, urdhëroni. Pozicioni ku punojnë. Shef shërbimi, laborante, infermiere, arkëtar provizor, specialist i lartë…

Vazhdojmë…

Drejtor kabineti, kryespecialist, përgjegjës sektori. Përgjegjës operativ.

Shikoni se si edhe sanitarë mund të gjeni këtu, se si Lubi Balluku në mënyrë kriminale e shndërroi të gjithë administratën shtetërore në Fier në polici politike.

Aa tani, këta terroristë politikë, kjo polici politike përdorin premtimet, miklime.

Për dy vjet pension, kërkon sanitare.

Shikoni si lozin me hallet e njerëzve. Urdhëroni votën tani.

Kërkon të ndryshojë punën se është i pakënaqur.

Kërkon pastruese shkolle nëse është mundësia.

Tjetra. E kanë hequr nga puna në bashki.

I është premtuar zgjedhjet e kaluara nga kryetari dhe nuk i është zgjidhur problemi i punësimit.

Kërkon punë në çfarëdolloj pune që ka në bashki. Por në bashki.

Ka bërë kurs për grafik dizajn.

Këta fushatën e kanë fushatë punësimesh.

Është anëtar përfaqësues i një fisi me 21 votues.

I është premtuar më parë punësim në kopsht dhe çerdhe dhe kjo sjellje ka sjellë distancimin. Kërkon në gjelbërim. Ja ku zbresin këta.

Kërkon në kopshtin numër 2.

Punësim i Brunildës pasi e kanë gënjyer shumë për punësim.

Kërkon sanitare në bashki.

Shitës ambulant ka punuar, kërkon të punësohet në çfarëdo lloj pune.

Kërkon të punësohet sanitare.

Kërkon të punësohet roje në bashki.

Mund t’u sillja këtu me qindra, mijëra.

Janë të gjitha këto përmbajtje e laptopit kriminal të Lubi Ballukut. Thonë se janë marrë aty, se Fierin vetëm ajo e kishte.

Kam shumë, por nuk doja të konsumoja kohën e qytetarëve dhe kohën tuaj.

Por lista e tyre është e pafundme.

Albpetroli i tëri.

Është një tjetër. Ajo ku burgu nga i pari tek i fundit PS.

Nga i pari tek i fundit punonjës i burgut.

Siç e shihni kemi të bëjmë me një kriminalizim elektoral jashtë çdo lloj përmase. Një aspekt tjetër i shëmtuar i narkoshtetit.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:

Isa Myzyraj, OraNews: Për ta sqaruar, kjo nuk është lista e patronazhistëve që ka dalë në vitin 2021. Kjo që paraqitët sot janë dokumente të tjera …

Sali Berisha: Këto janë të gjithë të freskët të 11 majit, të zgjedhjeve të 11 majit dhe janë mijëra të tjerë. Por po të rrija dhe tua paraqisja shkonim shumë gjatë.

Të gjithë janë me telefona, me persona korrespondues.

Isa Myzyraj, OraNews: Nga kanë ardhur këto dokumente në dorën tuaj …

Sali Berisha: Hakerat, hakerat janë, hakerat.

Ermal Rizaj, SYRI TV: Keni bërë ju, apo deputetët e zgjedhur, apo PD në Fier, ndonjë lloj verifikimi që këto premtime që janë bërë nga PS, janë mbajtur apo i kanë gënjyer qytetarët vetëm për ti marrë votën në 11 maj.

Sali Berisha: Problemi është këtu, kur tjetrit i premtohet, ai pastaj jep votën. E mashtrojnë apo se mashtrojnë ai … Për ne shumë keq, por fakti është se këta duke regjistruar nevojën dhe premtimin, ashtu i marrin votën atij. I premton punësimin atij, kërkon kaq, duhet të punësojë.

Çfarë bënë këta me grantin? 44 mln euro granti këtë vit. Shpallën aplikimet. Aplikuan 76 mijë fermerë dhe këta filluan shqyrtimin e aplikimeve, që do shqyrtonin 76 mijë dhe arritën deri tek 19 mijë, dhe atyre të tjerëve u thanë i keni në shqyrtim.

Pra i mbajtën var në mënyrë që të marrin votën.

Kjo tregon se policia terroriste politike, përdor miklimin, përdor dhe kërcënimin.

Se këtyre u thuhet, këto nuk i kemi ne. U thuhet se, ti ke motrën në filan pozicion, në filan qendër pune. Dhe ajo po nuk dhe votën ikën nga ajo detyrë. Këta shkojnë gjer aty, në mënyrë absolute sa, përdorin dhe kompanitë private për të kërcënuar votuesit.

Ermal Rizaj, SYRI TV: Kur thoni se këto materiale janë marrë nga laptopi i Ballukut, bëhet fjalë për atë laptop që ju e keni denoncuar edhe më herët, që ka këto materiale të tilla që ju po i denonconi.

Sali Berisha: Ai laptop është. Për këto duhet të jetë laptopi i Lubisë. Por të dhëna të tjera kanë dhe laptopë të tjerë. Qytetarët besojnë dhe qytetarët na çojnë ne të shumta. Kanë një besim tek denoncimi.

Olta Blaceri Vizion+: Këto materiale që ju po paraqisni sot, para ditës së zgjedhjeve Gazment Bardhi i çoi në SPAK, këtë dosje me materialet. Por SPAK e mbylli çështjen …

Sali Berisha: Altin Troplini pas Edi Ramës, është armik kryesor i votës së lirë të shqiptarëve. Dhe këtë ai e ka faktuar në mënyrën më kriminale.

Ai ka marrë gjatë kësaj periudhe, me dhjetëra e dhjetëra padi, por ai mbyll dhe nuk hap asgjë. Është një mercenar i narkoshtetit. Njeri i zhveshur nga çdo lloj parimi.

Sot para se të vij këtu, marr në telefon Belind Këlliçin. Belind ku je? Në Prokurorinë e Tiranës. Po pse je aty? Jam aty tha se, këtu kanë sjellë çështjen ‘Braçe’.

A ju kujtohet ju se cila është çështja ‘Braçe’? Zyra ilegale e PS-së, zona tek rruga e Kosovarëve, ku regjistroheshin dhe paguheshin dhe kryenin veprime ilegale, e pa arreduar me të gjitha simbolet. Pra ishte zyrë ilegale.

Shikoni çfarë bëjnë tani këta. Për të larë duart me të, shkon në prokurorinë e Tiranës, në një kohë kur është krim elektoral, në një kohë kur Braçe është deputet.

Në qoftëse ka një armik të egër pas Edi Ramës, vota e lirë ka Altin Troplinin. Unë këtë e kam denoncuar dy vite më parë, që kur ai mbylli dosjen 184, 339.

Olta Blaceri Vizion+: Ju keni bërë disa denoncime për votën e diasporës. A do e çojë PD votën e diasporës në Gjykatën Kushtetuese.

Sali Berisha: Pa diskutim do e çojmë, por vetëkuptohet, gjykata është totalisht e kontrolluar. Gjykata Kushtetuese. Tani ne po e çuam atje, e çojmë për Strasburg.

Por të kesh besim tek gjykata që ç’të thuash, ka vendosur standarde të vërteta antikushtetuese në dy aspekte.

Aspekti i parë, ajo ka dhënë vendime që turpërojnë çdo njeri të lirë sepse të pranojë gjykata vendimet ekstraligjore të gjykatave…

E qartë, heqja e të drejtës për komunikim, është hequr ligji që lejonte këtë vendim dhe është hequr me kërkesë të Strasburgut dhe Gjykata Kushtetuese e përligj këtë kërkesë në mënyrën më të turpshme, më ekstraligjore.

Por Gjykata Kushtetuese gjithashtu është një shkallë, etapë për të kaluar çështjet në Strasburg.

Natyrisht kjo gjykatë ka problemin e madh se vendimet e saj kur nuk i pëlqejnë Edi Ramës, hidhen në kosh.

Dhe gjykata mjaftohet me disa deklarata superficiale, në vend që të bllokojë punën dhe të thotë se ose vendimi zbatohet ose ne nuk funksionojmë.

Por janë të kapur, e dini vetë ju, të mos hyjë në ato histori unë se nuk kanë fund, dhe sipas urdhrave të Edi Ramës, bëjnë tani… problemin kryesor e kanë të interpretojnë emërimin që presidenti i republikës e ka bërë për 8 vite.

Që me këtë akt, ajo gjykatë ndërmerr një hap vetëshkatërrues.

Prandaj edhe ne për hir të hierarkisë gjyqësore dhe gjykatës ndërkombëtare, të cilës do i drejtohemi për aspekte kushtetuese sepse jemi të angazhuar në mbrojtjen e votës, do kalojmë çdo fazë.

Anisa Kadesha, RTSH: A i druheni një ndryshimi të raportit përfundimtar të raportit të OSBE-ODIHR nga presioni që po i bëhet faktorit ndërkombëtar nga përfaqësues të qeverisë që ju i keni denoncuar këtu.

Sali Berisha: E dënoj me forcën më të madhe të gjithë presionin dhe unë informoj komunitetin ndërkombëtar se Edi Rama po bën përpjekje të jashtëzakonshme.

Por besimi im i madh, i palëkundur është tek institucionet ndërkombëtare, të cilat siç konstatoj unë do të qëndrojnë në mbrojtje të të vërtetave të hidhura të farsës elektorale 11 maj 2025.

Përdori të gjithë ato mekanizma për të ndryshuar raportin e Këshillit të Europës, por mori goditjen më fatale me rekomandimin ku thuhet ‘rekomandojmë që në Shqipëri të ndahet partia nga shteti’. Kaq.

Në qoftë se ky rekomandim bëhet, atëherë për të gjithë ata që kanë ABC-në, alfën e kulturës ligjore elektorale, vetëkuptohet se zgjedhjet kanë qenë farsë.

Prandaj ne kemi besim sepse të vërtetat tona janë të jashtëzakonshme.

Shikoni, ata kanë folur për patronët, kanë shkruar se ato janë në kundërshtim me parimet ndërkombëtare të zgjedhjeve, por ne do u çojmë të gjithë veprimtarinë kriminale të Ballukut me patronë, të gjithë miklimet që u bën qytetarëve për të blerë votën.

Pra, në një mënyrë ose në një tjetër, ne kemi arritur para jush dhe shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar të paraqesim manipulimet më monstruoze të zgjedhjeve që mund të jenë bërë ndonjëherë.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale