Berisha: Prokurori që guxoi të thërrasë Lubi Ballukun është kërcënuar nga vrasës, nga Altin Troplini dhe nga Edi Rama

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË MBLEDHJEN ME GRUPIN PARLAMENTAR TË PD  

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, në mbledhjen me grupin parlamentar të PD, deklaroi se prokurori që firmosi thirrjen për marrjen e pandehur të zëvendëskryeministres Belinda Balluku është kërcënuar nga vrasës dhe vetë kryeministri Edi Rama.

Berisha tha se, ky akt tregon se “ngrehina e narkoshtetit kundërmon më shumë se kurrë” dhe se “prokurorët që prekin pushtetin përballen me kërcënime të drejtpërdrejta dhe presione politike”. Berisha akuzoi Ramën se përdor propagandën dhe institucionet për të mbrojtur veprimtarinë e tij kriminale dhe për të goditur opozitën.

Kryetari i PD, Sali Berisha komentoi seancën publike të Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke e cilësuar një nga rastet më skandaloze të shkeljes së ligjit.

Ai theksoi se vetë Veliaj në seancë ka bërë një krahasim absurd, duke thënë se “u rrëmbye si kryetari i bashkisë në Kolumbi nga grupi gueril FARC”.

Kreu i PD theksoi se edhe pse opozita mbështet hetimin dhe dënimin e Veliajt, “në një vend demokratik procedura është themelore, është garancia e të drejtave të njeriut dhe e shtetit ligjor.”

Berisha përgëzoi këshilltarët e PD në Këshillin Bashkiak të Tiranës që kërkuan që Veliaj të dëgjohej në sallë, duke theksuar se “edhe kur përballë ke një armik politik, drejtësia duhet të respektojë procedurat.”

Kryetari i PD, Sali Berisha denoncoi ashpër “narkoregjimin e Edi Ramës”, duke e akuzuar për korrupsion të thellë, shtypje politike dhe farsë elektorale. Berisha theksoi se regjimi aktual nuk ka më asnjë dallim nga diktatura komuniste, përveç formës së shfaqjes.

Lideri opozitar, Sali Berisha u ndal fillimisht tek ndarja e madhe mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt, duke thënë se ajo nisi pas vizitës së Veliajt në SHBA dhe fotos me Kamala Harris. Berisha tha se. Rama nuk arriti të bënte të njëjtën gjë dhe që prej asaj kohe marrëdhëniet mes tyre janë përkeqësuar. Ai shtoi se Rama ka hequr dorë nga mbrojtja e Veliajt dhe se kjo tregon se brenda mazhorancës ka një përçarje të thellë.

Kryetari i PD e akuzoi Ramën se po mbron bizneset dhe njerëzit e familjes së tij, duke përmendur rastin e Redi Mollës, i cili sipas Berishës, është djali i vajzës së tezes së Linda Ramës dhe pronar i një hoteli 20-katësh me vlerë 70 milionë euro, që në fakt është në pronësi të familjes Rama. Berisha tha se për këtë arsye, Molla është liruar nga burgu, ndërsa të tjerë ndëshkohen politikisht.

Në vijim të fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar, kryetari i PD, Sali Berisha foli për refuzimin e qeverisë për t’u audituar, duke e cilësuar këtë si provë të qartë të vjedhjeve masive që, sipas tij, kryhen nga Rama dhe njerëzit e tij të afërt. Berisha tha se “nëse ka një mënyrë për të provuar se po vjedh, është refuzimi për t’u kontrolluar”, duke shtuar se Edi Rama ka bllokuar çdo formë auditi shtetëror për të fshehur abuzimet financiare.

Në lidhje me farsën elektorale të 11 majit, Berisha iu referua raportit përfundimtar të vëzhguesve ndërkombëtarë që, dëshmon manipulimin e procesit. Berisha theksoi se PD ka mbledhur mbi 2 mijë dokumente që provojnë vjedhjen e votave dhe shkeljen e standardeve demokratike. Lideri demokrat u shpreh se Rama po pengon çdo përpjekje të opozitës për të bërë transparencë për zgjedhjet, duke refuzuar debatet parlamentare dhe ngritjen e komisioneve hetimore.

Kryetari i PD, Sali Berisha theksoi se opozita nuk do të përdorë kurrë dhunë për mbrojtjen e votës, por do të vijojë të ndjekë rrugën institucionale dhe ligjore për të mbrojtur vullnetin e qytetarëve. Ai shtoi se mbi 600 mijë votues opozitarë iu mohua e drejta për të zgjedhur lirshëm dhe se PD është e vendosur të paraqesë të gjitha provat para publikut.

Në një moment të fjalës së tij, Berisha iu drejtua edhe socialistëve, duke u thënë se “nuk është gjë Lubia se çfarë do të jetë Linda për ju”, duke ironizuar përçarjet dhe varësinë e pushtetit nga rrethi i ngushtë i familjes Rama. Berisha shtoi se opozita nuk mund të jetë pjesë e një sistemi që ka shkelur çdo normë kushtetuese dhe ka kthyer parlamentin në dekor të një bande.

Kryetari i PD, Sali Berisha u ndal edhe te raportet brenda mazhorancës, duke përmendur se mënyra si Rama po e trajton Veliajn është tregues i frikës dhe luftës për pushtet brenda kampit socialist. Ai paralajmëroi se “atë që i bëri Veliajt, Belindës do ia bëjë edhe më keq”, duke iu referuar përplasjeve të brendshme në kampin kundërshtar.

Në përfundim të fjalës së tij, Berisha theksoi se është koha që PD të nisë një proces të ri politik, që të rikthejë zërin dhe vullnetin e qytetarëve në qendër të jetës publike. Ai tha se vetëm zëri, energjia dhe entuziazmi i qytetarëve mund të jenë përgjigjja ndaj një regjimi që, sipas tij, ka kapur çdo pushtet dhe ka zhdukur liritë themelore.

FJALA E PLOTË

Kjo mbledhje e grupit parlamentar thirret në një moment kritik për vendin, në një moment kritik për opozitën dhe opozitarizmin.

Ju jeni dëshmitarë se ngrehina e narkoshtetit, e qelbur nga koka, kundërmon sot më shumë se kurrë në Shqipëri dhe në botë.

Zëvendësja më besnike e Edi Ramës në 25 vitet e fundit, Lubi Balluku, merret e pandehur për një të mijëtën e vjedhjeve dhe shpërdorimeve të saj.

Një të mijëtën!

Dhe marrja e saj e pandehur ishte një akt kaluari i vërtetë, do të themi atë që është, për atë prokuror që guxoi të firmosë thirrjen e saj.

Ai prokuror që guxoi të firmosë thirrjen e një personi që bashkë me Edi Ramën kanë zhdukur miliarda në tendera në këtë vend, ai u përball me kërcënime vrasësish, me kërcënime indirekt të bosit të tij, Troplinit në krye të Skapit, por edhe me kërcënime direkt të kryeministrit nëpërmjet telefonit të faqezi Manjës, Ulsi Manjës.

Shikoni se ku jemi.

Cili je ti, i thotë Ramaduro prokurorit, që guxon të prekësh pasaportën e zëvendëskryeministres së Shqipërisë?

Kjo është e vërteta.

Dhe kur merr ca mesazhe Ramaduro, e qep gojën sepse ishte vetë personazh që duhej t’i hiqej pasaporta.

Por, pavarësisht nga kjo situatë, ai zgjedh të mbrojë me kusht veprimtarinë e tij kriminale.

Përdor të gjitha mjetet e propagandës kundër opozitës, dhe jo vetëm propagandës, dhe mbrojtjen e krimeve të tij.

Nuk e di nëse e ndoqët seancën publike të Gjykatës Kushtetuese.

Unë u them ju se një nga protestat më të shkëlqyera dhe më të rëndësishme që ka bërë PD, dega e Tiranës, por edhe të tjerë nga ardhur nga Shqipëria, është protesta për arrestimin e Erion Veliajt.

Po!

Një kryetar bashkie që ka firmosur mbi një incenerator 130 milionë euro dhe nuk i gjendet as nami dhe as nishani.

Nuk është hetuar për të se është Edi Rama mbi firmën e tij.

Kjo është e vërteta, që ta dini.

Është Edi Rama.

Ndaj dhe ai, që ka pasur këtë dosje që ne e kemi sulmuar me qindra herë, që ti je i tillë dhe ti je i atillë, nuk e hetove, nuk e more, ai, të jemi realistë, për të marrë o do të merrte të dy, ose do ishte i padrejtë dhe i pandershëm.

Të dy nuk i merrte dot.

Për Belindën dhe i bien bandat në të katër anët.

Por, por një gjë i tha publikut sot Erion Veliaj. Çfarë i tha?

Kaq vite më parë, në X qytet të Kolumbisë, FARC-u rrëmbeu kryetarin e bashkisë.

Ai bëri paralelizëm që FARC-u më rrëmbeu edhe mua në Bashkinë e Tiranës.

Por, po të kemi parasysh procedurat ligjore të një vendi demokratik, ne nuk mund të themi se ato nuk u shkelën tërësisht njëlloj si ato të FARC-ut.

Të themi të vërtetat.

Ne e kemi mbështetur dhe e mbështesim arrestimin e tij, dënimin, etj, por prapë duhet të jemi të drejtë.

Vazhdojmë prapë, pse kjo ngjashmëri me FARC-un. Gjykatëses i thotë se fakti që jam këtu dhe më thirrët është shembull i ligjit, më njohët një të drejtë ligjore, por në Këshillin Bashkiak bënë 9 vendime brenda ditës. U bënë 9 vendime brenda ditës, imagjinoni, se si të lani duart me mua, dhe u lumtë këshilltarëve tanë, që ndonëse kishin një armik përballë, por në çdo rast të drejtat e njeriut janë më thelbësoret. Kërkuan me insistim që ai të dëgjohet në sallën e këshillit.

Kërkuan me kërkesë të veçantë që ai të sillej, të dëgjohej.

Jo, tha, nuk munda.

Pse i solla këto dy shembuj?

Jo, aspak se ai është as i penduar, as i pafajshëm. Jo, jo.

Por prapë në një vend demokratik, procedura është themelore.

Është përcaktuese për të drejtat e njeriut, për shtetin ligjor, për të gjitha.

Pra, i solla më shumë këtu për të pasur të qartë çdo shqiptar se çfarë regjimi është i instaluar këtu.

U them këtu, se ne që kemi memorien e kohës së shkuar, nuk kanë asnjë dallim, përveç kësaj seance publike, nuk kanë asnjë dallim veprimet e tjera nga qëndrimi që mbante Enver Hoxha ndaj armiqve të tij,

Identik!

Por ama nuk kanë asnjë dallim edhe armiqtë, se edhe ata ishin mëkatarë, nuk ishin kurrë të pafajshëm, por kishin kryer krime kundër shqiptarëve.

Por edhe këta janë mëkatarë.

Edhe këta kanë vjedhur, vjedhur dhe vetëm vjedhur.

Por krijimi i ngjashmërisë është dëshmi flagrante e narkoshtetit, e narkodiktaturës.

U ndala këtu për të theksuar se ky dimension represiv i shkallës së paimagjinueshme ndaj atyre që Rama i konsideron të rrezikshëm ose ndaj atyre që nuk vazhdon dot t’i mbrojë, kurse këtë e ka hequr vetë, Veliajn, ju jeni dëshmitarë, dihet kjo.

Ky shkoi në SHBA dhe bëri foto me Kamala Harris. Po, publiku duhet ta dijë këtë.

Rama shkoi dhe nuk bëri dot fotografi.

Kjo është e vërteta.

Shkoi dhe nuk bëri dot fotografi. Pse e tek, këtë nuk e di. Por aty filloi shizma e madhe.

Për të vjedhur, asnjë nga vjedhjet që ka bërë me Ramën, nuk iu faturua Erion Veliajt.

Erion Veliaj i di Ramës të gjithë vjedhjen që bën Edi Rama në urbanistikë.

Hoteli 20 katësh, gjer tani 70 milionë euro, i Redi Mollës, është hoteli i familjes Rama.

Redi Molla është djali i vajzës së tezes të Linda Ramës.

Prandaj Redi Molla del nga burgu. E nxjerrin.

Këtë nuk e lanë të shkonte në mbledhjen e këshillit ku e shkarkojnë.

Kurse Redi Mollën me hotel 20-katësh e nxjerrin, e çojnë në shtëpi, sepse është djali i teta Ollgës.

Po, që në fakt aksionet janë të përbashkëta. E thanë që në fillim që janë të Olsit, nuk janë të Olsit, qenkan direkt të atyre.

Por, historitë e tyre nuk kanë fund.

Tani rikthehemi ne tek problemi ynë.

Cili është qëndrimi i tyre ndaj opozitës?

U shpreh në mënyrën më të qartë se kurrë këto javë të parlamentit që kulmuan me ditën e djeshme.

Gjatë këtyre javëve të parlamentit, çfarë u provua?

U provua se për t’i mohuar fjalën opozitës, ata ishin të gatshëm të sakrifikojnë parlamentin.

Ishin të gatshëm de facto të asgjësonin parlamentin dhe parlamentarizmin.

Nuk kishte ndodhur kurrë kjo.

Ishte hera e parë.

Se si mundesh të pranosh kryeministër të miratosh programin 4-vjeçar dhe programin për 28 minuta, tregon se je një pasardhës besnik i Enver Hoxhës, një bastard i Kim Jong Unit apo Gedafit se kush në botë nuk e bën këtë akt të tillë. Jo, Enver Hoxha nuk e bënte një akt të tillë.

E patë, dy ditë ka zhvilluar parlamenti që kur është hapur.

Dhe ato dy ditë u shpëtuan nga duart, se doli Taulant Balla e tha, o këto, ose do i votojmë.

Por kulmi i tyre arriti dje.

Ne paraqitëm të drejtën në përputhje me Kushtetutën, kërkuam të ushtrojmë të drejtën e komisioneve hetimore, mision kryesor i opozitës, kontrolli. Kaq ka opozita.

Kontrollin po, e ka, e ka mision kryesor.

Ajo opozitë që nuk bën kontroll, ajo nuk është opozitë. Ajo është pseudo-opozitë. Është letër kot.

Në qoftë se nuk kontroll dot sistemin, çfarë bën aty?

Filloi me refuzimin e ministrave për t’u paraqitur para jush në komisione, me refuzimin e interpelancave të Ramës, me refuzimin e komisioneve dhe kulmoi me refuzimin e dy komisioneve hetimore parlamentare të një rëndësie themelore për shoqërinë shqiptare.

Jo vetëm për opozitën.

McGonigali është i një rëndësie të jashtëzakonshme.

Emri i Edi Ramës, sipas medieve amerikanë më serioze, të bazuar në dosjen e gjykatës së Uashingtonit, në atë dosje citohet 13 herë.

Edi Rama, publikisht ka deklaruar krenarinë e tij për miqësinë me McGonigalin.

Tani duhet të jemi të hapur dhe të vërtetë.

Edi Rama e korruptoi njeriun kryesor që kishte mision kryesor të mbronte kombin amerikan nga korrupsioni. E thotë gjykatësi në vendimin e tij, nuk e them unë.

Edi Rama e pagoi atë për aksionin direkt kundër opozitës.

Edi Rama e futi atë në hetime të pista, të turpshme, të padenja. Me Tom Doshin dhe Durim Bamin, i çoi në Vjenë që t’i hetonte. Se e ka porositur Durimin, Ilir Meta ta vriste Tomën apo të mos e vriste.

E kuptoni? Presidenti i Republikës tani të hetohej për një trillim të mirëfilltë dhe merrej, paguhej kryezbuluesi i SHBA për hetimin në Vjenë, vend neutral.

Ka akt më të turpshëm?

Dorian Duçka dhe Agron Neza, bashkë me McGonigalin takonin prore këtu biznesmenë që kanë pasur kurajën të dalin publikisht dhe t’i denonconin dhe u kërkonin 1-2 milionë për t’u hequr sanksionet. 5 milionë e me radhë.

Kjo është veprimtari e fuqishme kriminale e Edi Ramës, McGonigalit, Dorian Duçkës, Agron Nezës, por e vërteta, edhe e kompanisë që solli mbrapa dhe e kontraktoi Edi Rama për t’u marrë me opozitën.

Siç vërtetohet nga dokumentet.

A ka opozitë në botë që nuk do kërkonte hetimin e këtij problemin?

Nuk besoj që një opozitë i thotë vetes opozitë dhe nuk merr përsipër hetimin.

Dosja shqiptare nuk ka dalë e tëra në gjykatën amerikane dhe ne mund të kontribuonin më shumë me hetimin tonë parlamentar.

Sigurisht që kjo do damkoste më shumë Ramën dhe do zemëronte miqtë e Ramës në Europë dhe SHBA.

Por ne nuk e bëjmë as për të zemëruar, ne e bëjmë që t’i japim Edi Ramës dhe McGonigalit atë që meritojnë për qëndrimin në Shqipëri dhe të kontribuojmë në hetimin e tij, apo në njohjen e plotë të veprimtarisë së tij kriminale në Shqipëri.

Refuzuan, nuk lejuan.

Kjo është hera e dytë, nuk e lejuan edhe njëherë tjetër.

Edi Rama kundërshton auditin, që në qoftë se ka një mënyrë për të provuar se je duke vjedhur, është të mos pranosh të auditohesh.

Në qoftë se ka një gjë, një fakt që provon se je hajdut, thua ik se nuk do më kontrollosh.

Si nuk do të të kontrolloj?

Ka refuzuar auditin e shtetit.

Ai nuk mund të auditohet sepse për të duhet të vjedhë sa të mundet, sa të dojë.

Kjo është e vërteta.

Vijmë tek komisioni tjetër.

Zgjedhjet e 11 majit, jo nga ne, por nga vëzhguesit ndërkombëtarë, u damkosën në mënyrën më përfundimtare, më të fuqishme si farsë elektorale.

Doli raporti përfundimtar, asnjë socialist nuk ka guxuar të shprehet, të thotë gjysmë fjale për të. Jo.

U kërkuan vëzhguesve me kërcënim, ku i keni faktet ju të provoni këto që shkruat në raportin paraprak, i kanë tani faktet të nxira me faqe të tëra.

Kush është viktimë e kësaj?

Është opozita. Janë mbi 500-600 mijë qytetarë opozitarë, të cilëve iu shkelmua vullneti i tyre.

Dhe tani njësoj si me auditin, kam vjedhur, por nuk do më kontrollosh.

Tani nuk i thotë një njeriu, por u thotë 600 mijë shqiptarëve që ua vodha votat, por nuk do më kontrolloni.

Pra, u kërkua debat për raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë, u refuzua.

U kërkua komision hetimor, po ua them qytetarëve, se duhet ta dinë qytetarët një gjë se ne jemi zotuar me qindra herë para tyre se do mbrojmë votën.

Por mënyra jonë e mbrojtjes së votës nuk është me automatikë, as guerile.

Mënyra jonë e mbrojtjes së votës është kjo që bëmë.

Ne u përpoqëm të ndjekim çdo votë, sa mundëm, si u respektua, si u hodh, si ndodhi.

Dhe ne kemi, duhet ta dinë qytetarët, unë gjithë verën atë kam bërë para tyre, por ato që ne kemi paraqitur nuk janë as një e dhjeta e tyre, dhe ne kemi tani mbi 2 mijë dokumente dhe duam t’ua paraqesim shqiptarëve.

Ky thotë qepeni se jam unë këtu, nuk u lejoj.

Pra, edhe na vjedh votën, edhe nuk na lejon të bëjmë transparencën, të bëjmë detyrën tonë.

Dhe njëherë, votën ne nuk e mbrojmë me armë. Jo. E kam theksuar dhe e theksoj gjithnjë.

Por ne këtë herë e bëmë mbrojtjen e votës. Kush do, le të lexojë raportin.

Ata që kanë punuar për këtë detyrë, ata kanë qindra e qindra komunikime me vëzhguesit. Qindra komunikime të vazhdueshme.

Dhe të gjitha këto së bashku patën rezultante një raport të drejtë, të ndershëm në mbrojtje të votës së shqiptarëve.

Tani ai thotë jo, ajo është një letër e vdekur, mbylleni, nuk u kejoj të paraqisni fakte para shqiptarëve se si ai vodhi votat.

Hajdutin e keni kapur, por nuk u lejoj fare të merreni me të.

Njësoj si me auditin, u thotë nuk do më kontrolloni mua, guxo po deshe.

Na thotë edhe ne, po ne përfaqësojmë 600 mijë.

Kështu që në mënyrë absolute kurrë nuk mund të pajtohemi.

Ndaj dhe kjo mbledhje është shumë e rëndësishme.

Natyrisht do mblidhen edhe forumet e tjera të PD. PD ka kryesinë, ka këshillin kombëtar.

Por që ne, të na e heqë si me auditin, një nga një të gjithë drejtat kushtetuese, ai është një, po ne nuk jemi një, ne jemi 600 mijë.

Të na heqë të drejtën e interpelancës.

Të na heqë të drejtën e debatit.

Të na heqë të drejtën e komisionit hetimor.

Po pse shkojmë ne aty?

Shkojmë për të thënë se jemi deputetë?

Po çfarë vlere kemi ne kur ne nuk arrijmë, nuk kemi mundësi të përmbushim detyrimet më themelore ndaj zgjedhësve tanë.

Duhet të shtrojmë pyetjen se çfarë vlere kemi ne.

Ne stoli e një bande që ka instaluar një narkoshtet këtu nuk bëhemi.

Nuk mund të bëhemi kurrë.

Për të parë egërsinë e tij, shihni se ç’bën me Erion Veliajn.

Belindës do ia bëjë edhe më zi.

Unë e kam parë që janë gëzuar socialistët me të.

Por u them socialistëve se nuk është gjë Lubia se ç’do jetë Linda për ju.

Po ato janë punët e tyre, nuk na interesojnë fare ne.

Sepse këtu kodi i të drejtave themelore të njeriut nuk ekziston më.

Ndaj dhe një diskutim, ne nisim një proces, i cili duhet të shënojë fjalën e qytetarëve, zërin e tyre të fuqishëm kundër këtij regjimi.

Vetëm zëri, energjia, entuziazmi i tyre është përgjigja e vetme ndaj këtij narkoregjimi.

Ua them këtu ju, ka jo pak njerëz që mërziten se Berisha thotë për narkoregjim, për narkoshtet, kur eksperti më i shquar i antimafies në Itali thotë se Shqipëria është më keq se narkoshtet.

Dhe ai, burrë trim, thotë më keq, se atje nuk bën dot hetim, se t’i nxjerrin të gjitha.

Ndërsa aksionerët e regjimit zemërohen pse unë flas për narkoshtet.

Në një kohë kur janë po mediet perëndimore që dëshmojnë se tashmë degët shqiptare të karteleve të Amerikës latine janë përcaktuese të çmimit të kokainës në Europë. Ai që përcakton çmimet, ai ka aksionet më të mëdha. Ai është më kryesori.

Pra, është moment historik, t’i dalim zot qytetarëve shqiptarë, vullnetit të tyre të dhunuar.

Pasi ka vjedhur votat dhe mandatet, tani thotë sus, nuk u lë të flisni. Njëlloj si auditit që i thotë nuk do më kontrolloni se unë do vjedh sa të dua.

Edhe ne na thotë, do vjedh prapë thotë, prandaj nuk do më kontrolloni.

Por absolutisht kurrë jo më!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale