Berisha prezanton publikimin e PD ‘Farsa e madhe e majmur e zgjedhjeve në Shqipëri’ me mbi 1500 faqe dhe mbi 2 mijë prova

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN PËR MEDIA

EKSTRAKT

Gjatë konferencës për media ditën e sotme, pas protestës masive të Partisë Demokratike në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, me pjesëmarrjen e n/kryetarit të PD-së, Oerd Bylykbashi, dhe deputetëve Albana Vokshi, Ivi Kaso dhe Gent Strazimiri, kryetari i PD-së, Sali Berisha, falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen e tyre, duke e cilësuar këtë si një angazhim për “shpëtimin e demokracisë, familjes shqiptare dhe Shqipërisë”. Ai e përshkroi protestën si një kontratë simbolike me demokracinë dhe theksoi se beteja e opozitës është “ja të vdesim, ja të rrojmë për liri”.

Lideri demokrat, Sali Berisha akuzoi qeverinë e Edi Ramës si një “narkoqeveri” dhe e përshkroi atë si një “kapobandë” që përdor politikanë dhe drejtues shtetërorë për të mbrojtur interesat e veta, duke përmendur mosheqjen e imunitetit të Lubia Ballukut dhe manipulimin e ligjeve për të shmangur përgjegjësinë penale. Ai denoncoi gjithashtu arrestimin e disa të rinjve pjesëmarrës në protestë, duke kërkuar lirimin e tyre.

Gjatë konferencës për media, PD publikoi një dokument 1500 faqesh të titulluar “Farsa e madhe e majmur e zgjedhjeve në Shqipëri”, që përmban mbi 2,000 prova, dokumente, video dhe analiza të shkeljeve elektorale. Libri do të shpërndahet globalisht, përfshirë online dhe në Amazon, dhe paraqitet si një “enciklopedi e farsës elektorale” që tejkalon raportet tradicionale të OSBE/ODIHR. Berisha theksoi se mbrojtja e votës është kushti themelor i mbrojtjes së demokracisë dhe se PD kërkon zgjedhje të lira dhe qeveri teknike, jo ndarje pushtetesh si në vitin 2001.

Gjatë sesionit të pyetje-përgjigjeve, Berisha u shpreh se Ervin Salianji e ka kaluar “linjat e kuqe” dhe është vetpërjashtuar, dhe se raporti i OSBE-së nuk mund të dokumentojë çdo shkelje siç bën libri i PD-së. Kryetari i PD paralajmëroi se beteja e opozitës nuk mund të shuhet, pasi shuarja e saj do të ishte shuarja e sovranitetit kombëtar të brendshëm, dhe shtoi se çdo përballje me qeverinë është për jetë ose vdekje për demokracinë shqiptare. Berisha gjithashtu nënvizoi se SPAK, i quajtur nga ai amnisti elektorale, ka lidhje me PS-në dhe nuk ka hetuar plotësisht shkeljet elektorale, por librin mund ta dorëzojnë në SPAK si pjesë të dokumentimit.

Në përfundim, Berisha i bëri thirrje qytetarëve dhe opozitarëve të jenë të gatshëm për përshkallëzimin e betejës deri në realizimin e misionit: largimin e qeverisë aktuale, krijimin e një qeverie teknike dhe organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

FJALA E PLOTË

Mirëdita!

Së pari, dëshiroj të shpreh mirënjohjen më të thellë, nderimin më të madh për të gjithë ata qytetarë dhe qytetare, të rinj, të moshuar të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë që mbushën dje bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në protestën më të fuqishmte paqësore që mbahet mend ndonjëherë.

Që inauguruan dje me praninë e tyre misionin e ri të opozitës shqiptare, shpëtimin e demokracisë, shpëtimin e familjes shqiptare, shpëtimin e Shqipërisë.

Secili pjesëmarrës firmosi dje kontratën me demokracinë, me familjen dhe me Shqipërinë për t’u dalë zot gjer në fitoren e plotë dhe përfundimtare mbi këtë regjim.

Duhet t’i falënderoj për përmbajtjen e zemërimit dhe urrejtjes së tyre të pakufishme që kanë ndaj kësaj narkoqeverie.

Unë e kuptoj që ai ishte një mundim i veçantë, por kjo është një betejë në vazhdim.

Ky ishte një inaugurim me një rëndësi të jashtëzakonshme dhe mesazhin më të fuqishëm për Edi Ramën, narkoqeverinë e tij, ky mesazh përmblidhe me një fjalë të vetme: largohuni!

Largohuni!

Nuk mund të ketë fjalë që mund të shprehë ata që ndjej për ata qytetarë që erdhën, për atë disiplinë që treguan, për atë përkushtim që treguan.

Por nga ana tjetër, jashtë të gjitha përpjekjeve të makinës toksike propagandistike të Edi Ramës, vuvuzelave të tij se populli nuk ngrihet, se populli nuk ka besim tek opozita, se kështu dhe ashtu, madje sa nuk thonin se populli e do Eid Ramën, kishte edhe ndonjë që e thoshte këtë, ata faktuan se cilat janë ndjenjat e popullit për Edi Ramën, urrejtja e pakufishme, zemërimi i pakufishëm.

Me këto dy terma mund të përmblidhen ndjenjat e qytetarëve.

Siç kemi deklaruar edhe më parë, kjo betejë është një betejë për liri ose vdekje, për jetë ose vdekje, nën moton, ja të vdesim, ja të rrojmë për liri.

Çdo qytetar i ndershëm i këtij vendi, çdo opozitar i këtij vendi, çdo socialist i ndershëm i këtij vendi, duhet ta ketë të qartë, dhe e ka të qartë se me zhvillimet dhe zbulimet e fundit, faktimin, se unë për shembull Ergys Agasin jo vetëm në këtë sallë, por edhe në aulat më prestigjioze të Europës, në Këshillin e Europës, në Parlamentin Europian, në PPE, në rezolutat tona, e kemi damkosuar si koordinatorin e Edi Ramës për veprat më të zeza.

Dhe tani po faktohen.

Pra, çdo shqiptar duhet ta ketë të qartë se kemi të bëjmë me një përballje për jetë ose vdekje të demokracisë shqiptare.

Edi Rama nuk do t’i heqë imunitetin Lubi Ballukut sepse është vetë prapa të gjitha akteve që ka kryer Lubia.

Edi Rama po blen kohë.

Pse po blen kohë?

Për vepra të zeza.

Është i gatshëm dhe i aftë të ndryshojë çdo ligj dhe rregullore, në mënyrë që të nxjerrë gjithçka jashtë përgjegjësisë ligjore dhe kjo do shënonte vdekjen e opozitës dhe opozitarizmit.

Kjo do shënonte asgjësimin politik të saj.

Ndaj dhe kjo betejë është ja të vdesim, ja të rrojmë për liri.

Dhe i garantoj shqiptarët se sa herë që opozita i është përmbajtur këtij himni solemn që ka frymëzuar shqiptarët në të gjitha kohërat, ajo ka fituar.

Ky ishte himni i viteve ’90.

Por ky ishte edhe i vitit 1998.

Me këtë himn u ngritëm ne se donin të na shfarosnin, dhe fituam.

Dhe kësaj here ne do fitojmë.

Por duhet që çdo opozitar t’i përsërisë vetes me dhjetëra herë këtë moto.

Nuk ka moto më të rëndësishme se kjo.

Opozita nuk mund të shuhet.

Shuarja e opozitës është shuarja e sovranitetit kombëtar të brendshëm.

Është fundi.

Nuk mundet kurrë një bandë kriminale, e implikuar në aktet më të rënda, në pengmarrje, në zhdukje, në çfarë aktesh, të kontrolle të pamëshira të çdo të dhëne të qytetarëve shqiptare, në kontrolle të pamëshira të transaksioneve, nuk mundet kurrë ajo të asgjësojë sovranitetin e brendshëm të një kombi, të asgjësojë opozitën.

Ndaj dhe beteja jonë vazhdon deri në fitore dhe ne do e fitojmë këtë betejë.

Edi Rama mendon të përdorë mandatet si bajoneta krimi për të mbrojtur veten e tij.

Gabohet shumë rëndë.

Gjithçka është në dorë të qytetarëve tani.

Mbrëmë, ai u shkarkua nga detyra de facto. Para të gjithë botës është një kapobandë nuk është asgjë më shumë.

Një avokat mjeran që fshihet pas Lubi Ballukut, pas Ergys Agasit etj me radhë.

Duke falënderuar edhe njëherë me mirënjohjen më të madhe të gjithë ata të rinj, të reja, burra, gra, të moshuar, pensionistë që lanë çdo gjë dhe mbushën sheshin, i ftoj të jenë të gatshëm të përshkallëzojmë luftën, betejën tonë gjer në përmbushjen e misionit.

Misioni ynë është largimi i kësaj qeverisje, qeveri teknike, zgjedhje të lira. Opozita në pushtet në mënyrë të pashmangshme.

Jam këtu për të denoncuar me forcën më të madhe provokacionet dhe terrorin policor ndaj disa të rinjve, të cilat nuk kanë kryer absolutisht as edhe aktin më të vogël të dhunës.

Janë ndaluar 10, nga të cilët 4 janë arrestuar.

Erlis Sina, Artan Hysenaj, Albi Kryezoi, Xhejson Prendi.

Dy prej tyre janë kosovarë, turistë të ardhur dhe janë arrestuar nga policia sapo kanë marrë vesh se janë kosovarë për të mundur me akuzuar edhe qytetarët e Kosovës për pjesëmarrje në protesta.

E vërteta është që këta të dy kanë ardhur si turistë.

Kanë qenë këtu pas protestës.

Kanë bërë foto.

Njëri më tha, që jam djali i një luftëtari të UÇK, dhe unë e përqafova, bëra një foto me të.

Tani këtë e kanë arrestuar.

Kërkoj lirimin e menjëhershëm të tyre dhe paralajmëroj policinë të mos prekë me dorë protestuesit se ata po luftojnë kundër hajdutëve të kombit, kriminelëve në detyrë.

Të mendohen mirë, të qëndrojmë më mirë me ligjin se me kriminelin, të lirojnë menjëherë personat e arrestuar.

Sot, ne jemi këtu para jush, për të paraqitur para shqiptarëve publikimin e PD-së, të cilin kësaj here kemi preferuar ta quajmë ‘Farsa e madhe e majmur e zgjedhjeve në Shqipëri’.

Ky dokument i pashembullt në historinë e një farse elektorale në Europë dhe në botë, i hartuar me mbi 1500 faqe, dhe mbi 2 mijë e sa prova, dokumente, video, fotografi, të gjitha.

Një punë e jashtëzakonshme në radhë e strukturave të PD, të cilat kanë mbrojtur votën duke identifikuar çdo shkelje ligjore, çdo dhunim të votës, çdo ndërhyrje të krimit dhe me radhë.

Një punë e jashtëzakonshme nga ekipi që keni këtu para, që ka ndjekur, ka shqyrtuar, ka analizuar të gjitha këto dokumente dhe që janë dërguar online në qendrat ndërkombëtare të raporteve për zgjedhjet në Shqipëri, sapo paraqiteshin këtu.

Një punë të jashtëzakonshme në mënyrë të veçantë nga zonja Albana Vokshi, e cila në fakt del sot me këtë libër 1500 faqesh, e kaluar në çdo paragraf, në çdo rresht, në çdo dokument në duart e saj.

Kjo përpjekje përmbushi detyrimin dhe objektivin.

Edi Rama në mënyrë të pacipë kërcënoi vëzhguesit, na faktoni pak ku janë ato që keni shkruar.

Vëzhguesit e përgjegjshëm dhe të guximshëm nuk u tërhoqën.

Por ne u përpoqëm të japim modestisht kontributin tonë duke u dërguar atyre mijëra dokumente autentike, video, fotografi, procesverbale, në mënyrë që raporti i tyre të ishte raporti që damkosi në zgjedhjet përfundimtare.

Natyrisht ata kishin edhe të vetat, pa diskutim, të shumta, shumë të rëndësishme, por edhe ky raport, këto 1500 faqe që janë dërguar sapo shqyrtoheshin, kanë pasur vlerën e vet.

Raportin e keni online.

Cilido nga mediat e ka online.

PYETJE-PËRGJIGJE

Andon Kello, Abc News: Nëse ju pretendoni se PD është shumë transparente, sidomos në vendimmarrjet kolegjiale, mund të na shpjegoni se çfarë funksioni ka sot Ervin Salianji?

Berisha: Akoma mendja tek Salianji. Po ne këtu jemi për enciklopedinë e krimit që nuk është paraqitur kurrë. Po çfarë lidhje ka Salianji me këtë. Po Salianji ishte i burgosur politik kur u zhvilluan zgjedhjet. Çfarë do të thotë kjo?

Sot është një njeri që ka kaluar linjat e kuqe. E kam thënë kur i ka kaluar linjat e kuqe. Kemi ca linja të kuqe.

Anesti Bajramemaj, A2 CNN: Pra, është përjashtuar nga partia z.Salianji?

Berisha: Jo, nuk ka një vendim, ka vetpërjashtuar veten. Sa herë të pyesni, këtë përgjigje do merrni. Po i kalove linjat e kuqe, i kalon.

Anesti Bajramemaj, A2 CNN: Ky libër është më i rëndësishëm se raporti i OSBE/ODIHR apo është zgjatim i OSBE/ODIHR?

Berisha: Ky libër është detyrimi ynë para çdo shqiptari për të mbrojtur votëne tij. Ky libër dëshmon përkushtimin e demokratëve, komisionerëve, drejtuesve të degëve, drejtuesve të grupseksioneve, për të mbrojtur votën, për të mbrojtur sipas ligjit votën e qytetarëve shqiptarë. Dëshmon përkushtimin dhe angazhimin tonë. Ne u kemi thënë shqiptarëve do mbrojmë votën. Natyrisht, në këtë mijëra e mijëra fakte, parazgjedhore dhe gjatë fushatës, ditën e zjgedhjeve dhe paszgjedhore. Ne kemi bërë gjithçka që këto t’i bëhen të njohura grupeve ndërkombëtare të vëzhgimit.

Kjo është.

Raporti i OSBE-së, ky është 1500 faqe, raporti i OSBE-së nuk mund të jetë kurrë i tillë, por ajo që mund të them ky libër vërteton dhe tejkalon, normal se ata nuk mund të merren me një botim të tillë, me fakte çdo fjalë të atij raporti. Sigurisht, është një enciklopedi, raporti është raport. Nuk mund të jetë një enciklopedi raporti. Kurse ky nuk është raport. Ky është enciklopedia e farsës elektorale, por edhe e ekrimit shtetëror në tërësi. Do të qarkullojë në të gjithë botën, në Amazon, online, do të dërgohet në çdo adresë. Sepse mbrojtja e votës është kushti më themelor i mbrojtjes së demokracisë.

Anisa Kadesha, TVSH: Zoti Berisha, ju e keni krahasuar mbrojtjen e votës së zgjedhjeve të 14 majit të njëjtë me atë të vitit 2001. Ndërsa në atë kohë opozitës iu dha si koncesion politik propozimet për reformën zgjedhore dhe zgjedhjen e presidentit konsensual. Cilat janë pritshmëritë që ka opozita sot?

Berisha: Ne vlerësojmë shumë raportin që bëri OSBE-ODIHR. Ne kërkojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk kërkojmë ndarje pushtetesh. Jo, nuk kërkojmë ndarje pushteti ne. Domethënë, në 2001-shin ne realizuam mbrojtjen e votës dhe jo vetëm kaq, por një proces i cili çoi në një ndarje pushteti. Ne nuk kërkojmë ndarje pushteti sot. Në dallim nga 2001-shi, sot pas 24 vitesh, Partia Demokratike nuk kërkon ndarje pushteti. Kërkon zgjedhje të lira, kërkon qeveri teknike dhe këtu qëndrojmë ne. Nuk ka njeri që mund të mbrojë këto zgjedhje. Ju e patë ç’ndodhi. U bë një deklaratë që u përgënjeshtrua të nesërmen, të pasnesërmen, dy herë.

Pra, kjo, Anisa, është, ne jemi mirënjohës pafundësisht, por nuk e vlerësojmë se Partia Demokratike duhet të hyjë në pazare për të ndarë pushtetin. Tani Partia Demokratike është në një situatë që, me këtë qeveri, ose largon këtë qeveri nga pushteti dhe hap rrugën për qeveri teknike e zgjedhje të lira, ose këtu opozita është fiktive dhe tërësisht fiktive. Pra është, është një taktikë e re kjo e Partisë Demokratike.

Marsi Korreshi, Syri Tv: Zoti Berisha, po në SPAK, do e çoni këtë libër me 1500 faqe? Faleminderit.

Berisha: E kemi diskutuar dhe mund ta çojmë. Unë do t’ju them ju se problemi më themelor i Partisë Demokratike dhe i Sali Berishës mes SPAK-ut, ku unë e kam quajtur SKAP, pikërisht për amnistinë elektorale. Unë jam, ne jemi opozitë. Në qoftë se SKAP-i nuk do bënte amnisti elektorale, këto s’do mund të ndodhnin më kurrë. Por SKAP-i është pjesë e Partisë Socialiste në axhendën elektorale. Jo të gjithë, sigurisht jo të gjithë. Jo absolutisht, dhe një herë. Se është fatkeqësi kur, por fatkeqësia ishte e tyre kur ata përfaqësoheshin nga një person si Altin Troplini. Ishte një fatkeqësi e madhe. Urdhëroni? A ju kujtohet, deklaroi para një muaji, dy muajsh se nuk kanë provë pothuajse fare. Të gjitha, çfarë kemi këtu, të gjithë, mbi 100, mbi 100 padi janë ngritur në SPAK për të gjitha, për të gjitha këto. Dhe s’kanë lëvizur asnjë. Por t’jua dërgojmë, ne mund t’jua dërgojmë. Po, por amnistia e krimit elektoral është amnisti për bandat. Sa herë e kam denoncuar këtu para jush Ergys Agasin unë? Takimet e tij tek një lokal Sofra e Kuajve apo si quhej ajo… Kodra e Kuajve tek Shkëmbi i Kavajës, ku takohej Gysi Agasi, Elvis Doçi, Suel Çela. Rregullisht. Dhe bashkërendonin krimet elektorale të dy. Dhe kur unë i denoncova, e ndërruan lokalin dhe shkonin takoheshin tek shtëpia e Gjushit. Pra, nuk i dinte SPAK-u këto 100%. Por Gysi Agasi, sapo erdhi në detyrë, i ka regjistruar vetë ata, me SHIK-un. Task-forcën e krijuar nga SPAK-u për të ndjekur zgjedhjet që u serviri, Gysi Agasi me SHIK-un e vuri në survejim, në regjistrim të plotë, telefonat dhe të gjitha. Dhe e dinë ata shumë mirë. Ata e dinë. Po heshtin sepse e dinë që Gysi Agasi ishte njeriu i Edi Ramës. Kishte shkruajtur një gazetar me shumë të drejtë sot, ose dikush kush ishte thënë, zëvendëskryeministri në hije. Pra, të gjitha këto janë denoncuar. Është denoncuar prej kohësh që ai kontrollon Shërbimin Informativ Kombëtar. Jo një herë, disa herë dhe me fakte. Kurse për policinë e për Ministrinë e Brendshme s’e kishte gjë fare ai. Imagjinoni, kishte projekte për të marrë peng ministra. E kuptoni ç’ishte ai shtet? Ai ishte qeveria e Edi Ramës.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale