FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË MBLEDHJEN ME KRYESINË E PD
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë mbledhjes së kryesisë ditën e sotme deklaroi se, Shqipëria ndodhet nën një diktaturë autokratike të Edi Ramës, me një përqendrim pothuajse total të pushtetit në dorën e partisë-shtet. Ai theksoi se nga 220 mijë punonjës të shtetit, vetëm 2 mijë nuk janë të emëruar nga qeveria socialiste. Berisha tha se Partia Demokratike nuk ka bërë sa duhet për të qartësuar anëtarësinë dhe mbështetësit e saj mbi këtë realitet politik. Lideri Opozitar e konsideroi vendimtare denoncimin e farsës elektorale të 11 majit dhe të regjimit autokratik në arenën ndërkombëtare.
Kreu i PD, Sali Berisha, deklaroi se Shqipëria jeton në një diktaturë autokratike pasi, ku sipas studimeve të pavarura, 90% e audiencës dhe hapësirës mediatike kontrollohet nga qeveria. Berisha theksoi se pa media të lira qytetarët mashtrohen, ndërsa skandalet e qeverisë mbulohen me çështje dytësore. Berisha shtoi se nga 10 televizione kombëtare, vetëm një është në krah të opozitës, ndërsa televizioneve që thonë të vërtetën “u vihen çelësat”, duke kujtuar mbylljen e televizionit News24.
Gjatë mbledhjes me kryesinë e PD, Berisha, deklaroi se përveç kontrollit të votës dhe medias, diktatura e Edi Ramës mbështetet mbi fuqinë e drogës. Ai akuzoi se miliarda euro të krimit, si rasti i Franç Çopes me 6 miliardë euro, po përdoren për të kapur shtetin, duke theksuar se Çopja është gati t’i falë Ramës 5 miliardë euro nëse investon 1 miliard.
Kryetari i PD, Sali Berisha, deklaroi se opozita u përball me një regjim që “nuk pranon kurrë votën e lirë”. Ai falënderoi vëzhguesit ndërkombëtarë për raportin paraprak, ku u theksua se zgjedhjet e 11 majit nuk ishin të drejta dhe u zhvilluan në kushte të pabarabarta. Berisha tha se raporti evidentoi përdorimin e burimeve shtetërore, miliarda eurove, tokave të kanabisit, blerjen e votës dhe përfshirjen e grupeve kriminale. Ai theksoi gjithashtu se vëzhguesit zbuluan një situatë dramatike të mediave, të kontrolluara nga qeveria dhe pronarët e blerë, ndërsa gazetarët ushtrojnë vetëcensurë. Sipas Berishës, Rama dhe ministri i Jashtëm kanë kërcënuar vëzhguesit, por pa sukses. Berisha shtoi se raporti ka hapur rrugën që institucione ndërkombëtare të nisin misione faktmbledhëse në Shqipëri muajt e ardhshëm.
Lideri Opozitar, Sali Berisha, deklaroi se opozita ka bërë një punë të rëndësishme për të dokumentuar farsën zgjedhore të 11 majit, duke mbledhur mbi 1 mijë faqe me prova dhe një përmbledhje ekzekutive mbi shkeljet. Ai theksoi se kjo dokumentacion u paraqit në organizata ndërkombëtare dhe u mbështet nga rezoluta të shumta në Europë e më gjerë. Berisha vlerësoi qëndrimin e Departamentit të Shtetit, i cili refuzoi të uronte Edi Ramën pas zgjedhjeve, me argumentin se ato nuk ishin të lira. Sali Berisha, tha se zgjedhjet e 11 majit ishin një farsë elektorale e dokumentuar me qindra video dhe mijëra prova, që tregojnë manipulimin masiv të votës nga qeveria përmes policisë, administratës dhe komisionerëve. Ai përmendi raste groteske si zhdukja e 350 kutive votimi, ndërrimi i kutive dhe rezultatet e dyshimta nga diaspora me mbi 90% vota për socialistët. Berisha e quajti ditën e votimit “një ditë krimi të vërtetë” dhe theksoi se njohja e këtyre zgjedhjeve do ta bënte Partinë Demokratike bashkëautore të një krimi politik.
Kryetari i PD, Sali Berisha, u shpreh se opozita duhet të marrë pjesë në parlament, pasi nuk duhet lënë asnjë hapësirë bosh përballë regjimit. Ai theksoi se beteja kundër “narkodiktaturës” kërkon energji të reja, ribrandim dhe forma të reja angazhimi. Në përmbyllje të fjalës së tij, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, shtoi se opozita do të vijojë betejën e saj për votën e lirë dhe fjalën e lirë, duke përdorur çdo hapësirë në Parlament për të luftuar diktaturën.

FJALA E PLOTË
Të nderuar anëtarë të kryesisë së PD!
Mblidhemi sot për një vendim jashtëzakonisht të rëndësishëm, qëndrimin e forcës tonë politike ndaj farsës elektorale të 11 majit 2025.
PD si forca kryesore opozitare u angazhua në një përpjekje intensive serioze ndërkombëtare për paraqitjen e gjendjes së rëndë, për denoncimin e diktaturës autokratike të Edi Ramës në të gjitha organizatat ndërkombëtare ku ne jemi të federuar apo të anëtarësuar.
E theksoj këtë moment si një moment të një rëndësie kapitale, sepse për fat të keq, e them këtu, për shkaqe më shumë njohje, nuk është gjerësisht e realizuar se Shqipëria përjeton një diktaturë autokratike.
Kjo sigurisht më shqetëson në opinionin publik, por më tepër më shqetëson në anëtarësinë dhe mbështetësit tanë.
Kjo nuk vjen nga mosdashja e tyre, kjo ka disa faktorë, por një nga këta faktorë është puna e dobët e jona për të qartësuar anëtarësinë dhe mbështetësit tanë në këto koncepte fondamentale politike.
Diktaturat totalitare, ata që e përjetuan, ata thonë se kjo e sotmja nuk është e tillë. Dhe kanë të drejtë sepse diktaturat totalitare e përjashtojnë pluralizmin, diktatura autoritare nuk e përjashton pluralizmin, por e shtyp pluralizmin.
Kjo e dyta e shtyp pluralizmin dhe është mizore në përqendrimin e të gjithë pushteteve në një dorë.
Të nderuar zonja dhe zotërinj dhe të dashur qytetarë që nga ndiqni, nga 220 mijë rrogëtarë të këtij shteti, nga presidenti i republikës tek punonjësi më i thjeshtë, vetëm 2 mijë prej tyre nuk janë emëruar apo zgjedhur nga partia shtet. 218 mijë në një përqendrim pra pothuaj total, i përkasin partisë shtet, partisë së krimit.
Nuk ka përqendrim më të lartë pushteti në një diktature autokratike se sa ky.
Jetojmë në një diktaturë autokratike sepse, siç kanë faktuar studime të pavarura nga ne, 90 përqind e audiencës dhe hapësirës mediatike kontrollohet nga qeveria dhe mediat e qeverisë.
Cilido që lexon Hannah Arendt apo autorë të tjerë, gjen se në mungesë të medieve të lira, mund të ndodhë çdo gjë.
Dhe se diktaturat, totalitare apo jototalitare, për t’u instaluar nuk duan gjë tjetër përveçse kontrollin e medieve.
Kontrolli i medieve është kontrolli i informacionit.
Pa media të lira nuk ka informacion.
Qytetarët mashtrohen dhe vetëm mashtrohen.
Askush nuk mund të gjykojë duke u nisur nga mjedisi rreth tij.
Por kur studimi tregon se audiencën e dominojnë ato media që në doktrinën e mashtrimit paraqesin disfatat për suksese, bëjnë gjithçka të përqendrohen në çështje tretësore, katërsore, për të shmangur skandalet, listën e zezë të rekordeve të qeverisë.
Në qoftë se ta zëmë një ish-opozitar ka 10 vite që nuk ka folur një fjalë, kanë me borxh ta bëjnë yll mediatik, mjafton për faktin që ka qenë dikur në opozitë. Të gjitha këto në shërbim të mashtrimit publik. Të gjitha këto në shërbim të diktaturës autoritare.
Edhe njëherë kurrë të mos harrojmë, Hannah Arendt thotë, pa media të lira, mund të ndodhë çdo gjë.
Mund të ndodhë çdo gjë sepse nuk ka opinione të drejta, opinione të sakta.
Dhe siç është faktuar, nga 10 televizione kombëtare, vetëm njëri rezultonte haptas në krahun e opozitës.
Siç është faktuar, çdo njëri që guxon për t’u thënë publikut të vërtetat. Shiko, të mos i ngatërrojmë disa gjëra. Narkodiktatorin e Tiranës e shqetëson më shumë se çdo gjë tjetër e vërteta.
Ai është i gatshëm të pranojë çdo lloj damke po të mos u thuhen të vërtetat qytetarëve.
Dhe atyre televizioneve që thonë të vërtetat, u vënë çelësat, siç bëri në mënyrën më kriminale ndaj News24 dhe mori përsipër autorësinë kur deklaroi se kompjuterët e gazetarëve u morën se aty do ndërtohen dronë.
Pra, por diktatura autoritare shqiptare, përveç kontrollit të vullnetit të qytetarëve shqiptarë në votim, kontrollit të hapësirës informative të qytetarëve, ka një forcë tjetër të padukshme, shkatërrimtare, të jashtëzakonshme.
Dhe kjo forcë janë 6 miliardë euro në dorën e një Çopja, Çopja apo Troplini, Troplini.
Miliardat e eurove në duart e kriminelëve anonimë apo të njohur, të gjitha kundër demokreacisë, ligjit, shtetit ligjor në Shqipëri.
Të gjitha me një padrino, një kryetar, që është Edi Rama.
Imagjinoni ju një njeri që quhet Franç Çopja, nuk ia kishim dëgjuar emrin kurrë, dhe ky del tani pa djersitur një ditë në punë, përveçse me kartelet, 6 miliardë euro.
Ky miq, është gati të falë Edi Ramës 5 miliardë, mjafton të investojë 1 miliard.
Kjo është!
Në qoftë se, në diktaturën totalitare, ideologjia marksiste leniniste konsiderohej forca kryesore lëvizëse, në diktaturën autoritare të Edi Ramës, droga dhe vetëm droga është forca kryesore lëvizëse.
Është droga, ajo që emëron ministra.
Është droga, ajo që emëron drejtorët e policisë.
Është droga, ajo që emëron prokurorin, deputetin, ajo që vendos në të gjitha nivelet.
38 mijë metër katrorë tokë publike iu falën kartelit Troplini me 5 kulla dhe 12 ndërtime në zonën Niko Dovanës në Durrës për punën që bëri.
Kudo që dëgjoni kulla është droga.
Janë qindra milionët e drogës prapa tyre.
Por, këtë situatë ne ia dolëm ta paraqesim, ta stamposim në disa dokumente ndërkombëtare dhe kjo është një arritje jo për ne, por për çdo shqiptar.
Sepse, nuk është e thjeshtë. Fuqia e drogës është misteri i kësaj diktature.
Forca korruptive e saj është e tmerrshme.
Por, ne u jemi shumë mirënjohës të gjithë atyre që votuan ato rezoluta të rëndësishme, në të cilat u paralajmërua farsa elektorale.
Cilido që e lexon edhe rezolutën e Valencias, të gjithë rezolutat paralajmëruan se në Shqipëri do ketë një farsë elektorale.
Pavarësisht nga kjo, unë mendoj se ne u angazhuam me të gjitha potencialet tona dhe absolutisht jo pa gabime dhe të meta.
Dhe këtë e them haptas dhe në mënyrë të sigurt.
Por u angazhuam me të gjithë potencialin tonë në një betejë me një regjim që nuk pranon kurrë votën e lirë.
Vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët unë i falënderoj për raportin paraprak që bënë, në të cilin ata u thanë shqiptarëve dhe botës se zgjedhjet nuk ishin të drejta.
Se u zhvilluan në kushte shumë të pabarabarta.
Rreshtuan problematikat madhore të këtyre zgjedhjeve.
Rreshtuan përdorimin e të gjitha potencialeve njerëzore, financiare, logjistike, vendimmarrëse të shtetit për të marrë votën.
Rreshtuan angazhimin e karteleve dhe grupeve kriminale për të kontrolluar votën, votëblerjen.
Rreshtuan përdorimin e 1 miliard eurove për të blerë dhe ndikuar mbi votën e qytetarëve.
Përdorimin e 28 mijë hektarëve tokë kanabis për votë.
Dhuratës 100 euro për 760 mijë pensionistë për votë.
Përdorimin e 200 e sa milionë euro gjoba të falura.
Prokurime të pafundme dhe organizimin e 4500 ngjarjeve në kundërshtim me ligjin për të ndikuar mbi votën.
Ata bënë një analizë të një vlerë historike të situatës dramatike të medieve të vendit.
Ata që ata paraqesin në raportin e tyre është shembëlltyra tipike e diktaturave autokratike.
Ata konstatuan se lajmet dhe editorialet, medieve u shkojnë nga zyrat e qeverisë.
Ata konstatuan se pronarët e medieve janë të blerë nga qeveria dhe ushtrojnë diktat mbi gazetarët.
Konstatuan se njëlloj si në diktaturat totalitare, tek shumë gazetarë funksionon vetëcensura.
Në këto rrethana, sigurisht qeveria vetëm një orë pas publikimit të raportit ndërkombëtar, nisi kërcënimet dhe presionet.
Ministri i jashtëm në një akt flagrant paturpësie, shkruan letër kërcënuese për vëzhguesit.
Edi Rama personalisht në zyrën e tij ka thirrur dhe ka kërcënuar vëzhguesit.
Por nuk ia doli.
Përpjekjet tona të drejta, të ndershme në Parlamentin Europian, në KiE, në OSBE, në sintoni të plotë me raportin e ndërkombëtarëve, u vlerësuan dhe sot janë disa institucione që do nisin në muajin që vijnë edhe misione faktmbledhëse në Shqipëri.
Pra, një punë e rëndësishme është bërë.
Shumë më tepër duhet të thellohet.
Por tani, secili nga ne ka në dorë dokumente ndërkombëtare për ato që thotë.
Ishin dje në komisionin e monitorimit të Këshillit të Europës.
Nuk e çelën gojën të deleguarat e Edi Ramës. E përgëzoj Albanën për punën. I nisi të tria, po çfarë të thoshin.
Demokratë e socialistë dënuan qëndrimin ndaj medieve, qëndrimin në tërësi.
Pra në përputhje me këto u angazhuam për të paraqitur, për të dokumentuar, për të mbledhur të gjithë dokumentacionin zyrtar të të gjitha aspekteve të kësaj farse elektorale.
Dhe kjo është paraqitur këtu në mbi 1 mijë e sa faqe sipas kapitujve dhe natyrisht ka edhe një, në proporcion me këtë, ka edhe një përmbledhje ekzekutive.
Në këtë mënyrë, ne faktojmë në një dimension shumë më të gjerë, të gjitha konstatimet e raportit të përbashkët të 4 delegacioneve.
Dhe natyrisht ky ishte detyrim madhor i yni.
Ishte detyrimi më absolut ndaj demokratëve dhe qytetarëve që na besuan.
Por edhe ndaj shqiptarëve që besojnë se vota e lirë duhet të jetë procesi i tyre.
Ishte detyrim edhe ndaj atyre miqve në rajon, në Europë dhe në botë, të cilët votuan në rezolutat e tyre denoncimin e këtyre zgjedhjeve.
Kjo analizë natyrisht në disa fusha është e plotë, në disa fusha nuk bëhet kurrë e plotë, po mund ta bësh të plotë me kartelet e drogës?
Nuk mund ta bësh të plotë se ato i njeh qeveria që i udhëheq dhe i drejton.
Por ne kemi mbledhur veprimtarinë e tyre dhe do i denoncojmë.
Por një gjë u them se ata nuk janë vetëm emra të Xhafzotajt apo të një lagjeje në Elbasan, por janë emra të zinj në Bruksel, Strasburg dhe do jenë emra të zinj në të gjithë Europën dhe botën.
Një zhvillim madhor pozitiv do ta quaja qëndrimin e ri dhe të drejtë, për çka unë falënderoj, të Departamentit të Shtetit dhe qeverisë së SHBA.
Qeveria e SHBA ka vendosur të mos urojë zgjedhje jo të lira.
Të urojë vetëm zgjedhje të lira.
Kjo është direktiva e presidentit Trump.
Ndaj dhe gazetari që pyeti Departamentin e Shtetit, si nuk i çuat një urim Edi Ramës, ata u përgjigjën, zgjedhjet nuk ishin të lira dhe nuk urojmë.
Ky është një zhvillim pozitiv.
Sikundër zhvillimi i dytë pozitiv është se kartelet elektorale, se tani do i quajmë kartele elektorale dhe droge bashkë, ato janë bërë shqetësim edhe për SHBA, edhe për Europën dhe për sigurinë në tërësi.
Në këtë material ka një dokumentim të plotë të veprimtarisë së partisë shtet.
Përdorimit të të gjitha resurseve.
Ka një dokumentim të plotë të shëmtisë të paparë të ditës së votimit.
Në qindra e qindra video, dokumentohet se si kontrollohej në mënyrën më banditeske vota, votimi dhe vullneti i qytetarëve nga policia politike socialiste, administrata, komisionerët, vëzhguesit e me radhë.
Një vend të veçantë zënë analiza e videove të ditës së votimit. Ajo ishte një ditë krimi të vërtetë, ku nuk u la përpjekje pa bërë që të kontrollohet numri më i madh i mundshëm i qytetarëve dhe vota e tyre.
Vota dy tre herë, gjëra të zakonshme.
Vota familjare u tejkalua. Tani i kontrollonin njerëz të panjohur, kjo nuk kishte ndodhur.
Por është e dokumentuar falë punës që kanë bërë drejtuesit, që kanë bërë përfaqësuesit tanë, grupi i punës ka bërë një punë shumë të mirë në këtë drejtim.
Kjo analizë gjeti se janë ndërruar kuti votimi. U zhdukën me datën 14 prill 350 kuti votimi pa asnjë dokument, pa asnjë procesverbal. Një mirënjohje të thellë ndaj atij punonjësi të përgjegjshëm, një njeri i thjeshtë, por me instinktin e njeriut të ndershëm, i ndoqi banditët gjer në strofullën e tyre.
Dhe gjeti se të gjitha shkuan në pallatin e Pilo Kerrit. Famozit Pilo Kerri.
Çfarë na treguan ne ditën e votimit analiza e materialeve zgjedhore?
Kuti që nuk kishin asnjë firmë të komisionerëve, kuti të firmosura vetëm nga komisioneri socialist. Kuti që kishin diskordanca të mëdha. Kuti të ndërruara pra.
Na treguan kuti të ardhura nga diaspora me rezultate 93 përqind për partinë e krimit. Kuti me rezultate 91 përqind për partinë e krimit.
Pra, shkoi gjer në forma të tilla groteske manipulimi.
Përveç këtyre është mbajtur një kontakt online me të gjitha grupet e vëzhguesve. U janë dërguar të gjitha këto gjetje, sepse një nga çështjet që u thoshte me kërcënim narkodiktatori, gjejini ku i keni këto fakte që i keni shkruar këto. U thoshte vëzhguesve ku i keni faktet. Faktet janë aq të zeza sa nuk mund të mbulohen me asgjë.
Unë mendoj se gjithë kjo punë e bërë ishte një detyrim absolut dhe unë vlerësoj shumë të gjithë ata që u angazhuan në këtë. Albanën që e drejtoi atë grup.
Ishte detyrim i yni absolut ndaj demokratëve dhe shqiptarëve si kushti më themelor i qëndrimit të përgjegjshëm nga ana jonë.
E kundërta do të ishte tradhti ndaj tyre. Do ishte tradhti e vërtetë. Do ishte bashkëautorësi në krimin monstruoz, në farsën elektorale. Po kjo nuk mund të ndodhte.
Duke pasur parasysh këto qindra dhe mijëra dokumente që faktojnë në mënyrën më të plotë shkatërrimin apo kthimin e procesit zgjedhor në farsë elektorale nga kreu i organizatës kriminale Edi Rama, unë ftoj kryesinë që të mos njohim këto zgjedhje.
Njohja e këtyre zgjedhjeve do e bënte PD-në bashkëautore në një farsë, më e shëmtuara në 32 vite.
Duke kërkuar këtë nga kryesia, unë di se ka një debat të marrim pjesë apo jo në parlament.
Ua them ju personalisht, unë mendoj se në këtë diktaturë, ne nuk duhet të lëmë asnjë hapësirë bosh nga e cila të mos luftojmë kundër saj.
Dhe në qoftë se ka një gjë themelore që kërkohet nga secili prej nesh, kërkohet qëndrimi si do ndryshojmë ne në raport me narkodiktaturën, organizatën kriminale që ka uzurpuar pushtetin.
Cili do jetë qëndrimi ynë i ri.
Secili mund të shohë veten dhe të thotë se unë kam bërë sa kam mundur.
Jo, as unë nuk kam bërë sa kam mundur, asnjëri nuk kemi bërë sa mundemi.
Tani kërkohet një ribrendim, kërkohet një ndryshim para këtij mali të farsës elektorale, beteja jonë kërkon energji të reja, kërkon forca të reja, kërkon forma të reja.
Ua them unë edhe demokratëve që mendojnë se është më mirë të mos futemi në parlament.
Jo, nuk është më mirë.
Në një diktaturë duhet të falënderosh Zotn që të jep mundësi ta luftosh atë. Në diktaturën tjetër, ata që luftonin shkonin para pushkatimit, në kamp përqendrimi.
Në këtë diktaturë e pëson si Salianji, por përsëri nuk mund ta mohojmë se mundësitë për ta luftuar janë dhe kërkon një angazhim dhe përkushtim shumë më të madh nga secili prej nesh.
Kërkon shfrytëzimin e të gjitha kapaciteteve për t’u kthyer shqiptarëve votën e lirë, e cila me Edi Ramën nuk ndodh kurrë.
Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira.
Vini re mirë, shikoni ku jemi.
Hakmarrja për Drejtësi tani po ndërton një ndërtesë gjigante në Tiranë për studio arkitekturore.
Se nuk kishim hapësira.
Po, kanë ardhur në Tiranë dhe po ndërtojnë tani studiot e mëdha se vetëm këto ekzistojnë.
Të heqim karriget këtu, të hapim hapësirën aty.
Drogë, drogë dhe vetëm drogë.
Ndaj dhe parlamentin do ta hapim prapë me komision hetimor për zgjedhjet.
Po.
Themelore, fjala e lirë, vota e lirë.
Prapë me komisione hetimore.
T’i nxjerrim kriminelët elektoralë para shqiptarëve siç nxorëm kriminelët e djegësave.
Komision për McGonigalin.
E morët vesh ju se çfarë dimensionesh ndërkombëtare planetare merr afera McGonigal ku në epiqendër është edhe Edi Rama me Duçkën e tij.
Ka 3 vjet që zoti Bardhi ka bërë denoncimin.
E mbyll Altin Troplini.
Jo, do t’ua themi shqiptarëve të gjitha se çfarë kanë bërë këta.
Dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë edhe hetimin në SHBA nëse e kërkojnë. Ne kemi prova dhe fakte që janë të dobishme për ta.
Pra, duke kërkuar mirëkuptim për zemërimin e shumë anëtarëve, simpatizantëve, qytetarëve, intelektualëve që kanë me këto që kanë ndohur, ne nuk përligjim procesin zgjedhor, por ne shfrytëzojmë këtë hapësirë në motivin e asaj që falenderojmë Zotin dhe vendosmërinë për të luftuar diktaturën në çdo pozicion që ndodhemi.
Dhe ne në parlament i garantojmë qytetarët se do të jemi të pamposhtur në mbrojtje të interesave të tyre.
Ndaj dhe them se kjo është përgjigja që duhet t’i japim ne.
Dhe një gjë ua them miqve që mendojnë ndryshe, kjo është një betejë shumëplanëshe, edhe në planin ndërkombëtar, miqtë tanë, të cilët nuk mund të themi se nuk na kanë mbështetur, na kanë mbështetur, na kanë mbështetur paradhënie, kanë shkruar për zgjedhjet ato që dolën pa u zhvilluar, na besuan plotësisht.
Pra, koordinimi i kësaj beteje kërkon detyrimisht edhe mbështetjen tek miqtë tanë, miqtë e demokracisë në Shqipëri, miqtë e votës së lirë në Europë dhe botë e kudo që janë.