FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË FOLTOREN PARA KRYEMINISTRISË
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur në ‘Foltoren‘ para kryeministrisë ka sulmuar sërish Edi Ramën dhe shumicën e tij parlamentare. Ai deklaroi se, parlamenti është zero dhe se Edi Rama refuzon çdo pyetje dhe interpelancë. ‘Në Tiranë është instaluar një parlament. Ftoj qytetarët, ata 600 mijë shqiptarë, që edhe në kushte terrori, votuan për deputetët e opozitës, t’i shtrojnë pyetjen vetes, cili është roli i këtyre deputetëve në parlament.
Ky rol është zero. Është zero. Është zero.
Në parlament, sovrani ka votuar që këta të kërkojnë llogari qeverisë për qëndrimet e saj. 7 muaj ka që kryehajduti i kombit refuzon në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me ligjet e vendit, çdo pyetje dhe interpelancë në parlament’, tha Berisha.
Kryedemokrati Sali Berisha ka theksuar sërish se opozita është e vendosur në kryengritjen e saj paqësore, sepse kjo e çon në fitore. Duke folur para qytetarëve të mbledhur para kryeministrisë në foltoren e përjavshme, Berisha u ka dhënë përgjigje dhe të gjithë atyre që akuzojnë për dhunë opozitën. ‘Por përcaktimi ynë për kryengritje paqësore buron jo nga mëshira ndaj tyre, se ata nuk meritojnë asnjë mëshirë, se ata meritojnë ndëshkimet më të mëdha, por buron nga bindja se kryengritja paqësore na çon ne në fitore. Na sjell ne në fitore’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij.
Lideri i opozitës shqiptare, Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve të ndershëm se janë shpresa e vetme për ta çliruar Shqipërisë dhe për të larguar Edi Ramën. ‘Ju jeni shpresa e vetme, ‘dhëmbët’ e Skapit të partisë mbetën në vithet e Lubi Ballukut’, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij në protestën e përjavshme përpara Kryeministrisë.
Duke folur para qytetarëve në ‘Foltoren’ tek kryeministria, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh se, shqiptarët dhe njerëzit e lirë në mbarë botën, mezi presin protestat e opozitës. ‘Protestat tona nga dhjetori gjer sot, kohë në të cilën Europa dhe bota e pa se si në Shqipëri zëvendëskryeministrja ka vjedhur miliona dhe miliarda me kryeministrin dhe ai e mbron, ai nuk i heq imunitetin, ai është i gatshëm të ndryshojë ligjet, nuk ka ndodhur kurrë kjo në ndonjë vend tjetër’, u shpreh kryedemokrati Sali Berisha gjatë fjalës së tij në ‘Foltoren’ para kryeministrisë.

FJALA E PLOTE:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohje të pakufishme ndaj jush që mblidheni çdo të hënë si qëndrestarë, si zëri i ndërgjegjes së një kombi, që nuk pajtohet më të keqen, nuk pajtohet me poshtërimin, nuk pajtohet me padrejtësinë.
Një përshëndetje të përzemërt dua t’u bëj sërish atyre dhjetëra mijëra qytetarëve që u mblodhën dje në protestën tonë, në kryengritjen tonë paqësore në një datë historike për kombin dhe shqiptarët, ditën e përmbysjes me votën e lirë të diktaturës komuniste.
Miq, ne dje zgjodhëm jo fjalimet, por zgjodhëm zërin, zemërimin, ndjenjat e qytetarëve për të nderuar një ditë të madhe.
Ne zgjodhëm revoltën qytetare për të dëshmuar se PD, e cila 34 vite më parë solli në këtë vend sistemin demokratik, nuk pajtohet kurrë me diktaturën e drogës, krimit, dhunimit të shtetit dhe të qytetarëve shqiptarë.
Pra, revolta jonë e djeshme apo kryengritja jonë paqësore, më shumë se çdo gjë tjetër ishte një zotim qytetar se ashtu siç përmbysëm 34 vite më parë të keqen e madhe, diktaturën komuniste, ashtu do të përmbysim dhe jemi në këmbë për të përmbysur diktaturën e drogës, krimit dhe vjedhjes së shqiptarëve.
Të dashur miq çdo shqiptar është i ftuar të mendojë apo t’i japë të paktën disa minuta në ditë mendimit për vendin e tij, kohë për vendin e tij, për gjendjen e Shqipërisë, për shoqërinë shqiptare, për të ardhmen e saj.
Kjo është një kërkesë më e ligjshmja, është një detyrim më minimal që ne kemi ndaj këtij vendi.
Dhe kam bindjen më të thellë se cilido që ndalet të meditojë për krizën e thellë që ka gllabëruar sot Shqipërinë, udhëkryqin e rrezikshëm në të cilin ndodhemi, do t’i japë përgjigje se revolta dhe protesta janë rruga e vetme për të përmbysur këtë regji.
Pas 11 majit, farsës më të shëmtuar elektorale në historinë e pluralizmit, kanë kaluar 7 muaj.
Në Tiranë është instaluar një parlament. Ftoj qytetarët, ata 600 mijë shqiptarë, që edhe në kushte terrori, votuan për deputetët e opozitës, t’i shtrojnë pyetjen vetes, cili është roli i këtyre deputetëve në parlament.
Ky rol është zero. Është zero. Është zero.
Në parlament, sovrani ka votuar që këta të kërkojnë llogari qeverisë për qëndrimet e saj.
7 muaj ka që kryehajduti i kombit refuzon në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me ligjet e vendit, çdo pyetje dhe interpelancë në parlament.
Roli i parlamentit është zero, sepse me ligje dhe Kushtetutë, deputetët janë të detyruar të ngrenë komisione hetimore parlamentare për të paraqitur qytetarëve gabimet, fajet, vjedhjet e qeveritarëve.
Për herë të parë në histori, asnjë komision hetimor parlamentar nuk lejohet në parlament.
Parlamenti është vendi ku deputetët paraqesin ligje, amendamente në emër të interesit të qytetarëve.
Asnjë amendament, asnjë ligj i paraqitur nga opozita nuk paraqitet në parlament.
Parlamenti përfaqëson pushtetin që buron nga vota e qytetarëve.
Por, ky parlament përfaqëson vetëm kusarët dhe është përjashtuar opozita në çdo përfaqësim të tij.




Do t’u tregoj një zhvillim të fundit.
Niko Peleshi do shkonte në Gjermani për të takuar natyrisht kryetarin e Bundestagut dhe në këtë udhëtim, normalisht që do të kishte deputetë nga PD, nga partitë e tjera, siç është përbërja e parlamentit.
Mjaftoi fakti që unë në grupin parlamentar t’u kërkoja deputetëve që do t’ia rreshtonin në prani të homologut të tij të Bundestagut të gjithë mënyrën se si e drejton parlamentin, ai iku pa asnjë deputet të PD.
Miq, thashë edhe njëherë, ne jemi në një udhëkryq shumë të rrezikshëm, por jemi me shpresë.
Dhe unë u them ju se shpresa më e madhe është sot se ne jemi opozitë e vendosur të qëndrojmë.
Sepse për ne, rruga e vetme është qëndresa kundër regjimit dhe protesta dhe çdo ditë e më shumë shqiptarët po e kuptojnë këtë.
Ka qenë shtatori i vitit 2021 dhe isha nisur për një foltore në Lushnje. Sa dola tek kthesa, shoh policinë prapa e mbrapa, bllokon rrugët, bllokon njerëzit dhe bëri gjithçka që unë të mos arrija dot në kohë.
Pra, policia kishte marrë në patronazh nga unë ish-kryetarin, Lulzim Basha.
E kuptoni se çfarë opozite duan këta?
Këta janë horra që nuk kanë as moral, as nder.
Nuk kanë princip.
Ndaj këtyre vetëm qëndresa dhëmb për dhëmb, dhëmb për dhëmb, dhëmb për dhëmb.
Miqtë e mi, ne jemi përcaktuar dhe mbetemi të përcaktuar për kryengritje paqësore.
Regjimi meriton çdo formë kryengritje, ua them unë ju se një regjim që del nga farsa elektorale, nuk ka legjitimitet.
Se një regjim, i cili vjedh dhe krijon ligje për të mbrojtur vjedhjet e tij, nuk ka legjitimitet, ikën me çdo kusht dhe çdo mjet.
Por përcaktimi ynë për kryengritje paqësore buron jo nga mëshira ndaj tyre, se ata nuk meritojnë asnjë mëshirë, se ata meritojnë ndëshkimet më të mëdha, por buron nga bindja se kryengritja paqësore na çon ne në fitore.
Na sjell ne në fitore.
Jemi këtu, duhet t’u flasim haptas shqiptarëve.
A nuk u zbraz kjo kryeministri në vitin 1998? Kryeministri ia mbathi në Shkup.
Por ne nuk vijmë kurrë.
Aty dy ditë më vonë erdhi një kryeministër tjetër, më i keq se i pari.
Pse? Sepse ne nuk marrim pushtet me dhunë.
Ne besojmë tek vlerat demokratike, ne jemi demokratë, ne besojmë tek vullneti i popullit dhe këtu buron përcaktimi ynë i kryengritjes paqësore.
Por kjo kryengritje, sigurisht nuk është një ndeshje futbolli, por në mënyrë absolute nuk ka forcë në botë që e ndal pa shkuar në fitore.
Qytetarëve shqiptarë, të cilët, nuk po ndalem të them gabimisht apo me të drejtë besuan tek Skapi i partisë, dhe siç thonë pollet që unë nuk i besoj kurrë, 70 përqind, 60 përqind besonin tek ky institucion.
Ata kanë mirëkuptimin tim sepse ata besonin për të shpëtuar nga vjedhja dhe korrupsioni.
Ata besonin se ky institucion me mbështetje të stërfuqishme ndërkombëtare do t’ia dilte të mbronte interesat e tyre.
Tani unë shtroj pyetjen, shqiptare e shqiptarë, sot kur dhëmbët e këtij institucioni mbetën në vithet e Lubi Ballukut, çfarë do të thoni?
Çfarë shprese keni ju më?
A është ky fundi juaj dhe i shpresës tuaj?
Jo, kurrë.
Shpresa jeni ju vetë, të bashkoheni me ne, të largojmë Edi Ramën, të rikthejmë ligjin, të rikthejmë drejtësinë, të rikthejmë Kushtetutën.
Me Edi Ramën nuk ka të ardhme në Shqipëri.
Ja pra ju, që besonit, ju që për shkak të besimit që keni pasur, edhe mund të më keni qortuar sa e sa herë kur më dëgjonit ta quaja Skapi i partisë, ju e shihni fatin që pësoi sapo guxoi të ndjekë penalisht Edi Ramën, se në fakt Lubia ishte Edi Rama.
Sapo guxoi të marrë në dorë dosjen e Linda Ramë, Armand Frangut, Ergys Agasit.
Cili është fati i Skapit, më të mbështeturit në historinë e këtij vendi nuk ka ekzistuar një institucion me mbështetjen e tij, dhe u garantoj se mbështetja ka qenë e sinqertë, nuk ka pasur asnjë qëllim tjetër përveçse interesat e qytetarëve shqiptarë që të mbrohen nga vjedhja e qeveritarëve, nga krimi i organizuar e me radhë.
Pra, a nuk është ky një moment që t’i thërrisni ndërgjegjes qytetarëve se vetëm ju jeni shpresa, se fati është në duart tuaja, se fati i Shqipërisë është në duart tuaja dhe jo të një kryekrimineli, kreut të organizatës kriminale Edi Rama, i cili me gjithë reagimin e shqiptarëve, por edhe reagimin e të gjithë partnerëve tanë, me një të rënë të lapsit i bie kryq, e zeron drejtësinë dhe do paraqesë ligje për mbrojtjen e vet.
Na thoni atëherë bashkëqytetarë të dashur, çfarë duhet të bëjmë?
Ka vetëm një rrugë, të protestojmë, të protestojmë, të protestojmë gjer në fitore.
Edi Rama dje ka përdorur dhunë, absolutisht të gjitha do i kthehen atij.
Resto pa i kthyer atij nuk do mbetet.
Por ne në këtë rrugë nuk ka forcë në botë që të na ndalë.
Ne do rikthejmë Shqipërinë siç e rikthyem në vitin 1992 në rrugën e demokracisë, në rrugën e të ardhmes, në rrugën e integrimit në BE.
Ne do marrim fatin e Shqipërisë në duart tona.
Ne do refuzojmë çdo mashtrim të këtij regjimi dhe do ngrihemi më fuqishëm çdo ditë e më shumë.
Protestat tona nga dhjetori gjer sot, kohë në të cilën Europa dhe bota e pa se si në Shqipëri zëvendëskryeministrja ka vjedhur miliona dhe miliarda me kryeministrin dhe ai e mbron, ai nuk i heq imunitetin, ai është i gatshëm të ndryshojë ligjet, nuk ka ndodhur kurrë kjo në ndonjë vend tjetër.
Por panë edhe një popull në rrugë.
Panë dhe një zemërim dhe një revoltë.
Panë një Shqipëri që nuk pajtohet me korrupsionin, që nuk pajtohet me vjedhjen e qytetarëve, që nuk pajtohet me qeveritarë të tillë.
Ky është fakti pse protestat tona përbëjnë lajm botëror secila prej tyre.
Çdo protestë mezi pritet nga njerëzit e lirë në mbarë botën.
Mezi pritet nga shqiptarët.
Ndaj dhe ne mbetemi të vendosur, protesta, protesta, kryengritje, kryengritje dhe vetëm kryengritje paqësore.
Kështu që të vazhdojmë të pamposhtur, të palodhur, të vendosur gjer në fitoren tonë.
Edi Rama të ardhme nuk ka.
Rrugën e Shqipërisë për në BE nuk mund ta mbyllë kurrë.
Ëndrrën evropiane të shqiptarëve nuk mund ta shuajë kurrë.
Fatin e shqiptarëve nuk mund ta shkelmojë kurrë.
Ndaj dhe të gjithë në këmbë, le të vazhdojmë këtë betejë gjer në fitoren tonë të plotë.
Rrofshi ju, rroftë opozita shqiptare, rroftë Shqipëria.


