Berisha numëron mega-aferat e Edi Ramës: Kërkoj dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit!

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Gjatë konferencës me gazetarët ditën e sotme, kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për përfshirje në afera të mëdha korruptive, pengim të drejtësisë dhe kontroll të institucioneve shtetërore. Berisha tha se Rama është i implikuar në skandale që lidhen me pasuri të padeklaruara, tendera të dyshuar, projekte të mëdha infrastrukturore dhe abuzim me fondet publike.

Lideri demokrat, Sali Berisha përmendi raportin e OSBE-së të vitit 2014, duke shprehur se aty përmendej një akuzë për depozitime financiare të Ramës në banka offshore. Berisha gjithashtu ngriti akuza për ndërtimin e banesës private në Surrel dhe një pallati në Tiranë, duke theksuar mungesë transparence financiare dhe lidhje me kompani që kanë përfituar tendera nga shteti.

Berisha tha se për djegësin e Tiranës janë shpenzuar rreth 130 milionë euro, ndërsa projekti nuk ka realizim konkret. Ai e cilësoi këtë si një nga aferat më të mëdha korruptive. Po ashtu, ai përmendi edhe projektet në Durrës dhe Porto Romano, duke shtuar se ato përfshijnë shuma miliardëshe dhe lidhje me persona të dyshuar të përfshirë në aktivitete të paligjshme apo kompani të huaja, përfshirë edhe kompani ruse.

Në fjalën e tij, Berisha akuzoi edhe AKSHI-n për tendera sekretë dhe keqpërdorim të të dhënave personale të qytetarëve, duke e lidhur këtë me interesa politike dhe kontroll mbi administratën. Ai tha se zyrtarë të lartë dhe persona të lidhur me qeverinë janë të mbrojtur nga heqja e imunitetit dhe nga procedimet ligjore për shkak të mbështetjes politike.

Në sesionin e pyetje-përgjigjeve, Kryetari i PD, komentoi edhe raportet me Bashkimin Evropian, duke thënë se BE ka kërkuar që drejtësia të mos pengohet dhe se çdo ndërhyrje për të ndryshuar ligjet në mënyrë që të kufizohen arrestimet pa vendim gjykate do të përbënte shkelje të Kushtetutës. Sipas tij, kjo situatë mund të dëmtojë procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Në përfundim, Berisha theksoi se Rama nuk do të largohet nga pushteti përmes institucioneve apo presionit ndërkombëtar, por vetëm përmes presionit dhe revoltës së qytetarëve.

FJALA E PLOTË

Përsëri jam këtu për të kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës nga detyra e kryeministrit, i cili rezulton jo vetëm i implikuar në mega-aferat më të mëdha korruptive në historinë e Shqipërisë dhe të Europës, por rezulton edhe pengesa më kryesore e funksionimit të drejtësisë, çka përbën një krim të rëndë në vetvete.

Emri i Edi Ramës lidhet me akuzën direkte të raportit të OSBE në vitin 2014, në të cilin njoftohej se Edi Rama mori detyrën e kryeministrit duke pasur të depozituara në bankat offshore 200 milionë euro.

Ndaj kësaj akuze konkrete, Edi Rama nuk ngriti asnjë padie, civile apo penale, për të mos thënë që e kapërdiu në heshtje të plotë.

Edi Rama u bë kryeministër me sarajet e Surrelit mbi shpinë, saraje me gjatësi themelesh 57 metra, dy herë më të gjata se vila e ish-diktatorit Hoxha, të ndërtuara me materiale të superkushtueshme. Me një oborr-park fillimisht 5400, aktualisht 8300 metër katrorë me ullinj shekullorë të shkulur në ullishtet e vendit dhe të implantuara në kopshtin e narkosulltanit të Surrelit.

Erdhi në pushtet me pallatin në pajë, të ndërtuar nga kompania e vëllait të komandantit të Gardës, Gramoz Sako. Pallat i ndërtuar në sheshin e pallateve, me leje të kundërligjshme, totalisht të kundërligjshme, por mbi të gjitha nga 5 kate mbi tokë dhe 2 nëntokë, për pallatin në pajë nuk ekziston nga familja Rama as edhe një faturë bankare, financiare, tatimore, doganore, ndërtimore apo e çfarëdo llojit. Që të gjitha, përfshi regjistrimin e pronës, janë në emër të kompanisë.

Zonja Rama deklaroi se pallati është ndërtuar me para gjaku, duke implikuar thellë vëllain e vet, njeri korrekt në vlerësimin tim në emigracion. Por midis korrupsionit të burrit dhe të vëllait, ia ngjeshi vëllait. Pallati, tha, është i ndërtuar me para gjaku. Se ç’janë paratë e gjakut, e kanë të qartë shqiptarët.

Nuk është e vërtetë, pallati është vepër e korrupsionit të bashkëshortit të saj, Edi Rama, i cili e ka shpërblyer me dhjetëra tendera kompaninë që ka ndërtuar pallatin në pajë dhe kompaninë që ka ndërtuar sarajet e Surrelit.

Edi Rama kryeministër nuk ndali vrapin por vazhdoi i tërbuar duke plaçkitur pasuritë dhe fondet publike të shqiptarëve.

Monumenti më i zi ishte afera e djegësve. Djegësi i Tiranës me firmën e tij, 130 milionë euro dhe nuk ekziston një tullë.

Djegësat e tjerë që janë llamarinë dhe nuk ekzistojnë më.

Erion Veliaj, në vend që të burgosej për 130 milionë euro të zhdukura bashkë me Edi Ramën, është burgosur për disa milionë që ka transferuar në konton bankare të gruas së tij me një gardërobë po aq të kushtueshme, po aq të larmishme sa Lajla Asadi. Kaq ishte gardëroba e Lajlasë kur ia numëruan në Moskë që e transferoi me një avion të posaçëm. Kështu ishte edhe gardëroba e Ajolës.

Edi Rama, me firmën e tij, ka vendosur të ndërtojë në Durrës, Dubain e vet të 1001 netëve, aferë që shkon të paktën 4 miliardë euro, që do ta ndërtojë me paratë e Franc Çopjes, Amant Josifit, Olsi Ramës dhe trafikantëve të tjerë.

Edi Rama është i implikuar kokë e këmbë në ndërtimin e portit të ri në Porto Romano nga kompani ruse. Shikoni se çfarë, nga njëra anë shkonte në selinë e NATO-s dhe u kërkonte që të mbështesnin projektin, nga ana tjetër kontrakton rusë për ndërtimin e parkut dhe mund të informoj qytetarët se një hetim serioz do bëhet nga parlamenti për këtë çështje.

Në dosjen Balluku, nga 6500 mesazhe, 3800 janë të Edi Ramës.

Në një aspekt, Balluku është thjesht një shërbëtore e tij. Mirë t’i bëhet.

Por, dosja më e tmerrshme, më e pashembullt, është AKSHI.

Është AKSHI me të cilin, Edi Rama plaçkiti nëpërmjet baxhanakut me qindra tendera sekrete në kundërshtim me ligjin, qindra e qindra milionë euro.

Jo vetëm kaq, por aty me Ergys Agasin, Mirlindën e AKSHI-t, plaçkitën të dhënat personale të të gjithë shqiptarëve.

Vunë në kontroll cilindo shqiptar dhe të huaj që dëshironin.

Urdhëruan marrje peng, u morën peng, u emëruan dhe u shkarkuan ministra, që të gjitha në përputhje me interesat kriminale Rama-Agasi.

Pra, Edi Rama duhet të japë urgjentisht dorëheqjen.

Revolta dhe zemërimi i qytetarëve ndaj Edi Ramës po arrin nivelet e revoltës dhe zemërimit të qytetarëve shqiptarë ndaj kultit të Enver Hoxhës.

Çka do të thotë se do bëhet e papërmbajtshme, çka do të thotë se në mënyrë të pashmangshme do ketë fatin e kultit të tij.

Prandaj jep menjëherë dorëheqjen.

Përpjekjet e Edi Ramës për të përdorur së pari Lubinë si parzmore, për të mbrojtur Lubinë për të mos i hequr imunitetin, për të mos e shkarkuar, nuk janë gjë tjetër vetëm përpjekje për të mbrojtur veten e tij.

Akoma më skandaloze janë përpjekjet e tij për të ndryshuar ligjet, për të shkelmuar Kushtetutën, për të cilësuar si persona të pa pezullueshëm edhe ata të cilët në seri i pezullon vetë Kushtetuta.

Vetë Kushtetuta ka parashikuar pezullimin e tyre nga Kushtetuta, dhe kur Kushtetuta parashikon pezullimin nga detyra të gjykatësit të Gjykatës së Lartë, të gjykatësit të Gjykatës së Lartë, të kryetarit të KLSH, të Avokatit të Popullit, parashikon procedurën e shkarkimit të presidentit të Republikës, Edi Rama është i pashpresë, i dështuar.

Asnjë ligj të tillë shqiptarët nuk do e pranojnë.

Tani, nëpërmjet zëdhënësit të tij, Baton Stanishiq, informon publikon se ka ndërmend të amendojë kodin, në të cilin të shkelmojë me dy këmbë Kushtetutën dhe nenet e saj që garantojnë barazinë para ligjit të qytetarëve shqiptarë.

Tani, ai thotë, njëlloj si në veprat e Oruellit, se të gjithë jemi të barabartë në fermën e derrave, por disa derra janë më më të barabartë se të tjerët.

Kështu ka përgatitur projektligjin për të mos lejuar arrestimin e zyrtarëve publikë pa një vendim të formës së prerë të gjykatës.

Dhe të gjithë të tjerët po.

Mjafton ky moment për të nxjerrë në pah shpirtin e tij të zi, të trazuar, përroin e tij psikik, që nuk njeh asnjë kufi, asnjë limit.

Harron që për këtë qëllim janë prerë koka mbretërish shekuj më parë.

Harron se para ligjit ka shekuj që qytetarët konsiderohen të barabartë.

Për të gjitha këto, Edi Rama duhet të largohet menjëherë nga pushteti.

Dënoj me forcën më të madhe qëndrimin dhe urdhrin e tij ndaj vasalëve të tij, që të mos votojnë kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit të Lubi Ballukut.

Të dashur qytetarë dhe qytetare, ky është rasti i tretë në të cilin Edi Rama është vetë direkt i implikuar.

Ai nuk hoqi imunitetin e Saimir Tahirit sepse ndante me të trofeun e drogës dhe trafiqeve.

Ai nuk hoqi imunitetin e ndrikull Xhaçkës, e kuptoni jo vetë, sepse është aksioner në vjedhjen tokë publike të 10 mijë metër katrorë. A mund të imagjinoni ju, kryetari i Bashkisë së Himarës, burgoset sepse ka firmosur dokumente të falsifikuara nga Xhaçkat, por lidhjet e tyre të ngushta me Edi Ramën dhe interesat kriminale i bëjnë këta imunë.

Dhe ai tani nuk heq imunitetin e Lubi Ballukut sepse e di se fill mbrapa shkon ai.

E di se ai është kryehajduti dhe kreu i organizatës kriminale.

Për të gjitha këto ka vetëm një zgjidhje, dorëheqjen e tij të menjëhershme.

Por, siç është bërë tashmë e qartë, Edi Rama nuk jep dorëheqjen, Edi Ramën nuk e heq dot drejtësia, Edi Ramën nuk e heq dot komuniteti ndërkombëtar, por atë do ta heqin shqiptarët, do ta shembin atë njëlloj si kultin satanik të Enver Hoxhës.

PYETJE-PËRGJIGJE

Marsi Korreshi, Syri Tv: Z. Berisha, ju keni denoncuar paralajmërimet që vijnë nga Brukseli, edhe me ndërprerje të procesit të negociatave për shkak të mbrojtjes që Edi Rama po i bën Belinda Ballukut. Nëse deri në fund socialistët do të votojnë kundër në seancën plenare për heqjen e imunitetit të Ballukut, çfarë sinjalesh keni nga Brukseli, në një kohë që po përgatitet edhe për ndryshime ligjore për mbrojtjen nga pezullimi?

Sali Berisha: Sinjalet janë shumë të qarta, BE, Komisioni Europian, Parlamenti Europian, vendet më kryesore të BE, kanë folur qartë para shqiptarëve. Asnjë pengesë drejtësisë, shkarkohet Lubi Balluku, t’i hiqet imuniteti.

Në mëngjesin e punës që ka pasur me ambasadorët kryesorë të BE në Bruksel, në një mençuri, nuk kanë preferuar ta lënë të flasë gjatë se kur e merr fjalën ai, nuk ka llafazan më të mërzitshëm, nuk mund ta imagjinoni ju, ai nuk ndërpritet.

Ai ka vesin që të flasë pa mbarim, të grijë sallatë pa mbarim dhe këtë tani ia kanë marrë vesh të gjithë dhe e kanë pritur me këmbë të para. Nuk je këtu për të na dhënë shpjegime, të kemi thirrur për të shpjeguar një, dy, tre, përndryshe do kesh një raport shumë të keq.

Raporti i keq, siç u rrodh, është zhbërja e procesit gjersa Edi Rama të jetë në pushtet.

Po ky nuk ka interesa të tjera, ky është i gatshëm t’ia mbyllë Shqipërisë dyert e BE.

Ky është i dalë boje.

Kudo që shkon, ky shkon si një langaraq i pashoq.

Imagjinoni ju, kur presidenti Donald Trump bombardoi bunkerët në një operacion perfekt nuklear të Teheranit, ju kujtohet se çfarë tha, Europa është paqja, nuk merr mend nga SHBA. Është kultura e paqes, amerikanët vijnë, hedhin ca bomba dhe ikin.

Shkoi në Bord, dhe aty mbajti një fjalë neveri si askush tjetër.

Pra, është i damkosur si langaraqi i komunitetit ndërkombëtar.

Marsi Korreshi, Syri Tv: Z. Berisha, meqë jemi tek kjo çështje. Të enjten Edi Rama ka njoftuar mbledhjen e grupit parlamentar në Pallatin e Brigadave për të vendosur lidhur me qëndrimin zyrtar për imunitetin e Ballukut. Keni një koment për këtë dhe a e mendoni se mund të ketë deputetë në radhët e socialistëve që mund t’i dalin kundër partisë?

Sali Berisha: Ju e dini që unë i kam quajtur mandate krimi mandatet e tyre. Dhe nuk e kam bërë pa baza, nuk e kam bërë pa argumente, pa fakte.

Por unë di një gjë, që nuk është grupi me Kushtetutë ai që përcakton qëndrimin ndaj kërkesës së prokurorisë për imunitetet. Nuk është grupi, është Këshilli i Mandateve që e voton dhe e përcakton.

Por ata si skllevër nuk guxuan të votojnë dhe u shprehën aty në kundërshtim me Kushtetutën se vendimin do ta marrin pasi të diskutojnë në grup.

Nuk ka ndodhur kurrë.

Kështu që ata janë marioneta të Edi Ramës, sepse të gjithë janë të lidhur në krime dhe e dinë që aty do ndjekin Belindën.

Anisa Kadesha, TVSH: Z. Berisha, përse deputetët e PD nuk flasin shumë në publik për Edi Ramën, por fokusohen vetëm tek çështja Balluku duke krijuar perceptimin publik se protestat mbahen për Ballukun dhe jo për kërkesën themelore që ju e thoni vazhdimisht, atë të largimit të kryeministrit Edi Rama?

Sali Berisha: Demokratët nuk po flasin për Ballukun, po flasin vetëm për Edi Ramën.

Mesazhi i demokratëve dhe protesta është i qartë, Edi Rama dhe vetëm Edi Rama.

Rasti i Ballukut është problemi i raportit me drejtësinë, e cila po bllokohet, po u bllokua ky raport, bllokohet Kushtetuta.

Pra, në thelb AKSHI dhe Rama janë faqja më e zezë në historinë e vendit.

Ndaj dhe ne kemi këtë përcaktim, por ne sigurisht nuk pranojnë kurrën e kurrës, se ky është asgjësim i shtetit ligjor, kjo është tejkalimi i ligjeve dhe i Kushtetutës nga qeveria.

Është grusht shteti.

Është jashtë çdo lloji… por demokratët dhe qytetarët e kanë të qartë se kreu i organizatës kriminale është një dhe është Edi Rama.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale