Berisha nga Lushnja: Miqtë tanë kudo që janë, presin me padurim votën e lirë të shqiptarëve dhe fitoren e Opozitës! Do 5-fishojmë subvencionet dhe do mbrojmë çdo sezon prodhimet tuaja

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E KANDIDATËVE NË LUSHNJË

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, në prezantimin e kandidatëve në qytetin e Lushnjës, paraqiti programin e ‘Partisë Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore’, si alternativën më të mirë për të ardhmen e qytetarëve shqiptarë.

Me ardhjen e PD në pushtet, Berisha premtoi rritjen e subvencioneve për fermerët e Lushnjës dhe të gjithë Shqipërisë, si dhe mbështetje për bizneset e vogla dhe të mesme, duke u garantuar se taksat do të ulen dhe rrogat do të rriten. Ai tha  se do të ndërmarrë hapa për të mbrojtur prodhimet bujqësore dhe për të siguruar mundësi të reja pune për qytetarët. Për më tepër, Kryetari i PD premtoi se çdo qytetar që ka nevojë për shërbime shëndetësore do të marrë kujdesin e duhur dhe ilaçet do të jenë të mbuluara plotësisht.

Një tjetër premtim i rëndësishëm është lufta e vendosur kundër krimit dhe korrupsionit. Berisha deklaroi se nuk do të ketë asnjë tolerancë për bandat, qeveritarët e inkriminuar dhe ata që i shkelin ligjet. Lideri Opozitar siguroi qytetarët se do të përdorë të gjithë forcën e ligjit për t’i vënë ata para drejtësisë. Kjo është një pjesë kyçe e programit PD-ASHM, për të ndaluar shpërdorimin e burimeve të shtetit dhe për të krijuar një sistem më të drejtë dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët, tha ndër të tjera Berisha.

Në fjalimin e tij, Kryetari i PD, Sali Berisha, akuzoi me tone të ashpra qeverinë aktuale për menaxhimin e dobët të buxhetit dhe shpërdorimin e parave të qytetarëve. Ai bëri thirrje për një sistem të ri fiskal që do të ndihmojë bizneset dhe do të sigurojë zhvillim ekonomik. Sipas Berishës, investimet në infrastrukturë dhe shërbime publike do të jenë prioritet.

Në përfundim të fjalës së tij, lideri demokrat, Sali Berisha theksoi se do të kthehet në politikë jo për interesat personale, por për të luftuar për një Shqipëri të dinjitetshme dhe për të realizuar ëndrrën e shqiptarëve për një vend më të drejtë dhe prosperues. Berisha e cilësoi Lushnjën dhe Shqipërinë si vendet që mund të jenë më të forta, më të pasura dhe më të lumtura nëse iu jepet mundësia për të zhvilluar potencialin e tyre.

FJALA E PLOTË

Të dashur qytetare dhe qytetarë, banore dhe banorë të qytetit dhe rrethit të Lushnjës, nderimin tim më të madh për ju, përuljen më të thellë para jush, burra dhe gra, të rinj dhe të reja, njerëz punëtorë, njerëz të mirë, njerëz të cilët jeni të gatshëm për sakrifica sa pari për një jetë më të mirë për secilin prej jush, për një Lushnjë më të mirë, për një Shqipëri më të mirë, për një Lushnjë Madhështore, për një Shqipëri Madhështore.

I dashur zoti Gazment Bardhi, udhëheqës politik i qarkut. Të dashur kandidate dhe kandidatë për deputetë, kam nder të veçantë që vij sot këtu për t’u paraqitur ju, burra dhe gra, individë të shquar, njerëz të suksesit, njerëz me dinjitet, që përfaqësoni vlerat më të arrira të familjeve, të komunitetit, të qytetit dhe fshatrave të këtij rrethi.

Do përfaqësoni në parlament me dinjitet interesat e tyre më jetike dhe më të mira.

Krahasimi juaj me deputetët e Lubisë, deputetët e Shytëve, janë të krahasosh natën me ditën.

Demokrate e demokratë, qytetare e qytetarë, askush nuk mendonte kurrë para 4 vitesh se forca politike, të cilës ju i dhatë besimin për të mbrojtur idealet tuaja, për të mbrojtur parimet, do të vinte sot në prag të fitores më e fortë se kurrë, më e fuqishme se kurrë.

Pas përpjekjeve që u bënë për ta fshirë atë si forcë politikë, ju e ngritët PD-në, e ngritët opozitën si Feniksi nga hiri dhe ja ku jemi sot, më të kthjellët, më të qartë, më të guximshëm se kurrë në ekzistencën tonë.

Miqtë e mi, këto 2 ditë që kaluan, kanë qenë për herë të parë në histori ditët e Europës për Shqipërinë, ditët evropiane për shqiptarët, në Strasburg dhe Bruksel, në rendin e ditës ishin qytetarët shqitparë, ishin të drejtat tuaja, ishte dinjiteti juaj, ishte vota juaj, ishte e ardhmja juaj.

Mirënjohje të pakufishme miqve tanë në Europë, që bënë kauzë të tyre, kauzën elirisë së shqiptarëve, kauzën e votës së lirë të lushnjarëve dhe mbarë shqiptarëve.

Këto 2 ditë, dielli shkëlqeu më shumë se kurrë mbi vlerat, parimet dhe idalet që ju mbrojtët.

Unë isha në Strasburg dhe nga mëngjesi gjer natën vonë paraqita Shqipërinë, situatën e saj, por paraqita edhe vendosmërinë e opozitës, projektin e saj për një Shqipëri madhështore.

Miq, a e dini ju se ndonjëherë, njeriu turpërohet edhe për atë që nuk duhet të turpërohet kurrë.

U turpërova kur mora vesh se kreut të narkoshtetit shqiptar ia kishin anuluar darkën zyrtare në Këshillin e Europës sepse ishte sjellë si brigand, jo si kryeministër.

Ishte sjellë në mënyrën më të padenjë dhe këtë ua ka fshehur shqiptarëve.

Sot në Parlamentin Europian ishte dëgjesa për Shqipërinë, dëgjesa e dytë në historinë e këtij vendi.

E para u zhvillua në vitin 2001, kur me mekanizmin e famshëm të Dushkut i morën opozitës 11 mandate. Ngelën në klasë, mbetën, u rrëzuan.

E dyta u zhvillua tani pikërisht, 3 ditë para fillimit të fushatës elektorale sepse Europa e ndjeu se padrinoja e Shqipërisë nuk ka nxjerrë mësime.

Pra, ju e shihni, miqtë tanë kudo që janë, presin me padurim votën e lirë të shqiptarëve dhe fitoren e opozitës.

Të dashur miq, PD dhe Aleanca për Shqipërinë Madhështore vjen tek ju me programin më të mirë, me programin të cilin kurrë ndonjëherë nuk e kanë paraqitur më parë para shqiptarëve.

Me programin që shqiptarët nuk e kanë njohur kurrë, programin e Shqipërisë Madhështore.

Dua t’u garantoj se ky program fillon nga zemra, dhembshuria e njeriut.

Sepse ne në një mënyrë ose në një tjetër, jemi një vend sot, ku qindra e mijëra qytetarë derdhin lot të ftohta nga mjerimi.

Jemi një vend në të cilin dhjetëra në mos qindra mijëra familje nuk ushqejnë dot si duhet fëmijët e tyre sepse paratë e tyre vidhen nga qeveritarët.

Sot ne jemi një vend ku me qindra e mijëra të sëmurë nuk marrin dot ilaçet.

Sot jemi një vend ku nuk janë të pakta familjet që shtrojnë sofrën por nuk kanë ushqimin për fëmijët e tyre dhe detyrohen t’u thonë, paç fatin, merr rrugët, gjej fatin. Dhe fëmijët vetëm largohen nga Shqipëria.

Sot jemi i vetmi vend nga i cili u larguan mbi 45 përqind e shqiptarëve nga Shqipëria, ndaj dhe ne do fillojmë aty ku është dhimbja.

Ne kemi vendosur që 3 muajt, çdo shqiptar që merr nën 200 euro, do marrë 200 euro. Çdo shqiptar nuk do firmosë nën 200 euro në borderotë e këtij vendi.

200 euro nuk janë shumë, por në standardin ndërkombëtar, 200 euro janë jashtë varfërisë ekstreme. Janë 6.3 euro në ditë dhe ai që merr kaq, nuk është në varfëri ekstreme.

Por mjerimit, numërimit të kafshatës i japim fund.

Jo vetëm me këto, përkundrazi të gjithë këtyre do u japim kartën e konsumatorit. Karta e konsumatorit do të thotë që ata ushqimet do i blejnë 20 përqind më lirë se sa të tjerët me rroga të mesme dhe të larta.

Të gjithë këtyre do u rimbursohen 100 përqind ilaçet.

Pensionistët do kenë të drejtë të bëjnë analiza të plota falas 2 herë në vit.

Lista e barnave do të jetë identike, 1 për 1 me Italinë. Nuk matemi ne me Italinë, por në ilaçe do matemi. I sëmuri në Shqipëri do mjekohet po me ato ilaçe që mjekohet italiani në Itali.

Pra, do vendosim disa standarde të tjera sepse është krijuar një hendek i tmerrshëm midis atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë.

Rroga të ulëta në Shqipëri nuk do të ketë në asnjë rrethanë nën 500 euro.

Garantoj sipërmarrësit se do t’u kompensohet me ulje taksash rritja e rrogave në 500 euro të punonjësve.

Ekziston një e drejtë, e cila duhet të respektohet.

Rroga mesatare do jetë 1200 euro.

Mësuesit do arrijnë në rrogën 1500 euro gjersa ata të paguhen më shumë se çdo mësues tjetër në Ballkan.

Energjia, bizneseve do t’u shitet me 6 lekë nga 18 që u shitet sot. Familjarëve do u shitet me 7 lekë.

Tarifa e ujit do përgjysmohet.

Pra, me këto masa ne besojmë se e lehtësojmë në një shkallë ët caktuar jetën e qytetarëve tanë që janë në nevojë.

Kjo sigurisht nuk është Shqipëria Madhështore, por e ka thënë Gandi se madhështia e një kombi matet me qëndrimin që ata kanë ndaj atyre që janë në nevojë.

Dhe ne do kemi një ndryshim rrënjësor në qëndrimin ndaj tyre.

Nuk ka të varfër nga dembelizmi. Të varfrit i ka bërë politika të varfër dhe ne këtë politikë do e ndryshojmë.

Miqtë e mi, nuk ka rreth, nuk ka qytet, nuk ka qark që mund të bëhet më madhështor se qarku i Fierit, se rrethi i Lushnjës.

Gjithçka në këtë rreteh natyra e ka bërë madhështore.

Lushnja ka potenciale të jashtëzakonshme bujqësore.

Lushnja ka fermerë të mrekullueshëm, njerëz të zotë të punës, të djersës.

Lushnja ka brigjet turistike ndër më të bukurat.

Ka çdo potencial.

Pra, Made in Lushnja, Made in Albania, krenari kombëtare, krenari lushnjare.

Miqtë e mi, askush nuk mund të prodhojë më shumë se fermeri lushnjar në qoftë se ti i largon atij të këqijat që i ka brë regjimi.

Në qoftë se ti i garanton atij kushtet që djersa e tij të japë prodhimet, suksesin që meriton. Dhe ne këtë do bëjmë.

Së pari, do ta barazojmë me fermerët e tjerë të rajonit. Do subvencionojmë pesë herë më shumë.

Do rrisim fondin e subvencionimeve 5 herë për çdo fidan, për bimët e arave, për njësi prodhimi, për çdo krerë bagëti.

Po, atëherë të maten fermerët e tjerë me fermerin e Lushnjës dhe të shohin kush prodhon më shumë dhe më lirë.

I Lushnjës do jetë i pari.

Sot, ky regjim për t’i hapur dyert shkatërrimit të prodhimit bujqësor, ka vendosur TVSH-në asimetrike te grumbulluesit dhe përpunuesit e prodhimeve.

Unë iu jap fjalën ju se tre muajt e parë do vendoset taksa simetrike, e cila bën që përpunuesi t’i kthejë fermerit, të marrë ai TVSH-në 20 përqind për prodhimet që shet.

Ballkani i Hapur, kjo marrëveshje që shkatërroi me mijëra ferma, që solli vërshimin e prodhimeve të subvencionuara 8 herë më shumë se prodhimet në Shqipëri për shkak të vëllazërisë Rama-Vuçiç, do hidhet në kosh të plehrave javën e parë të qeverisjes së PD.

Linjë krediti të butë, në të cilën qeveria do paguajë 80 përqind të interesit, do u ofrohet fermerëve të Lushnjës dhe mbarë Shqipërisë.

Nuk ka tokë më pjellore se toka shqiptare askund. Ky vend nuk ka asnjë pëllëmbë tokë pa frut.

Lushnjës po i kripëzohen tokat se nuk ka investime në asgjë.

Vaditja, kullimi dhe mbrojtja e tokës do jenë tre përparësi madhore të qeverisë së ardhshme.

Kudo në botë që ndodh mbiprodhimi, ndodh që fatkqësitë dëmtojnë. Edhe tani më informuan se janë dëmtua prodhimet.

Qeveria do ketë fondin e kompensimit me çmimin bazë të të gjithë dëmtimeve që vijnë nga faktorë natyrorë ose stoku i mbiprodhimit dhe mosshitja e tyre.

Ndonëse u them këtu, e deklaroj këtu botërisht se do mbrojmë në çdo sezon prodhimet tuaja.

Çdo vend e bën këtë, përveç Shqipërisë sot.

Po, do t’i mbrojmë ato. Çdo vend i mbron. Përveç Edi Ramës që i shkatërroi prodhimet. 2 mijë ton patate iu kalbën një fermeri në Pogradec për shkak të Ballkanit të Hapur. Mijëra ferma falimentuan.

Kjo merr fund!

Miqtë e mi, ‘Made in Albania’ do jetë krenaria jonë kombëtare.

Memeja e gjallë, se kështu po e quajmë ne atë, ai që më quan mua buf, po ai nuk e kupton se më ka dhënë një epërsi të jashtëzakonshme dhe unë u garantoj se do përdor të gjithë eksperiencën dhe mençurinë time për ta përzënë me datën 11 maj së bashku me ju.

Lëre mos e pyet!

Kopjon dhe imiton si majmuni, sot deklaronte se do prodhojmë makina ushtarake Made in Albania.

Jo mo jo, do e fillojmë me qumështin, me misrin, me frutat, me zarzavatet, me biznesin e vogël,me biznesin e madh.

Do prodhojmë edhe makina, do prodhojmë çdo gjë.

Shqipëria do jetë prodhuese, prodhuese dhe vetëm prodhuese.

Biznesit të vogël, tavanin nga 140 mijë euro do e ngremë në 180 mijë euro për TVSH-në dhe tatim-fitimin. Zero nën 180 mijë euro do kenë TVSH apo tatim-fitim.

Biznesi i vogël do paguajë asnjëherë më shumë se 1 të dhjetën e xhiros, taksë që i vë bashkia e Shytëve këtu, apo bashkia e Erionëve në Tiranë, apo e atij tjetrit në Fier.

Jo, jo, 1 përqind, nuk do i vënë dot më shumë.

Do të diktohet sipërfaqja publike.

Isha në treg, një keqardhje të madhe, njerëz që sakrifikonin shumë, në këmbë gjithë ditën, në kushte të vështira, dhe paguanin nga 120 mijë lekë që e kishin pasur sipërfaqen publike, e paguanin tani 1500 lekë, rritur 15 fish. Merr fund batërdia mbi bizneset e vogla.

Biznesi i madh dhe bizneset e tjera do kenë taksën 10 përqind.

TVSH do ulet në 15 përqind.

Do hiqen një seri masash shtrënguese, inspektoriatet do marrin karakter krejt tjetër.

Pra, Made in Albania do jetë hapi i madh drejt Shqipërisë Madhështore.

Miq, por Shqipëria Madhështore e ka kusht të të gjitha kushteve pastrimin e shtëpisë tonë.

Në qoftë se nuk ndahemi me krimin dhe hajnat, me hajdutët që pinë gjakun tuaj si shushunja ditë për ditë, ne të ardhme nuk kemi.

Ndaj u jap fjalën se me forcën e ligjit do vendoset përpara drejtësisë çdo lidhje krimi, çdo kriminel, çdo qeveritar i inkriminuar.

Këtu banda ka rrëmbyer tregun e ndërtuar me paratë tuaja, taksat tuaja. Ndan paratë me kryetarin e bashkisë dhe fshatarëve u merr sa frëngu punën.

11 maji është zgjidhja. Pa le, kishte kandiduar edhe deputetin për ta sjellë në parlament.

Fatin e Çyrbjes do të ketë Zaka. Se edhe Çyrbjen, Avdylajt e sollën, po ja ku është atje. Edhe Zaka atje do të shkojë.

Nuk keni të drejtë të kandidoni ju në parlament, ju e keni vendin aty ku e keni për veprat që keni kryer.

Ndaj u jap fjalën e nderit lushnjarëve dhe shqiptarëve, se një nga një, bandat dhe banditët, kudo që janë, edhe në shpellat më të thella po u futën, do vendosen para ligjit.

Shqipëria Madhështore është Shqipëria e ligjit, e të drejtave të qytetarëve, e dinjitetit të tyre.

Nuk ka bandit, nuk ka ministër, nuk ka njeri që mund t’i shkelë ato.

Miq, këto ditë që kanë ngelur, u ftoj të ulemi me çdo fermer, me çdo qytetar, me çdo biznesmen, të bashkohemi në këtë betejë duke i garantuar se nuk do ketë të humbur përveç atyre që kanë kryer krime duke vjedhur paratë tuaja.

Të tjerët do dalin të fituar, pavarësisht nga bindjet e tyre politike.

Do u thonë, ku do i gjeni paratë që i premtoni në këtë mënyrë?

Po, fare thjesht. Këto para janë të gjitha në buxhet, por nuk do ndërtohen më djegësa, nuk do vidhen më 130 milionë euro për djegësin e Tiranës për djegësin që nuk ekziston.

130 milionë euro janë 812 mijë pensione.

Nuk do mund të mendojë kurrë një ministër që të shpenzojë 10 mijë euro për të larë sediljen e makinës së vet.

Nuk kisha dëgjuar kurrë në jetën time, as kush lexuar. Pyeta një milioner, më tha shoferi po të ketë nevojë, kur bëhet me baltë, e çon në lavazh.

Kurse Lubia që vjen këtu për të kërkuar votat ka bërë tenderin 10 mijë për të pastruar makinën e saj çdo ditë.

Këta janë edhe hajdutë xhepash, i ndan paratë me pronarin e lavazhit.

Një gjë do u them, në një nga masat e qeverisë së mëparshme, zëvendësministrave ua hoqa veturat. Sa u fitua? 40 milionë euro.

Po sigurisht se qeveria nuk ka para të veta, janë të gjitha tuajat.

Po a mund të vendosen 8 miliardë euro, duhet të jesh i çmednur, të mos kesh zemër, të mos kesh shpirt, që vë këtu 8 miliardë dhe thua pensionistëve do u jap 16 milionë.

Po si mund ta bësh këtë?

16 milionë për 700 mijë shquptarë, të cilët marrin sot sa merr një qen shtëpie nga qeveria në Gjermani.

Në vitin 2013, nuk merrnin shumë, por merrnin më shumë se malazezi, maqedonasi, serbi apo shqiptari në Kosovë dhe Maqedoni.

Sot pensionisti malazez merr 450 euro, në vitin 2013 merrte 138 euro.

Po si arritën? Arritën sepse kishte kryeministër të përgjegjshëm që e kuptonte se në buxhet, një pjesë të mirë të parave duhet t’ua kthejë qytetarëve.

Kurse këtu lukse për qeveritarët.

21 milionë me avion ky se nuk mund të udhëtojë me linja tregtare.

Shishe vere 33 mijë euro se nuk u garantoj se nuk ka kryeministër në botë që hap shishen e verës, nuk them për mbretër apo princër, por kryeministri i një vendi nuk ia lejon vetes kurrë.

Sigurisht, këtyre nuk u dalin paratë.

Por ama një gjë, u kanë marrë taksa në këto 12 vite 67 miliardë euro. Nga këto 67 miliardë euro, kanë paguar gjithsej 16 miliardë rroga. Të tjerat ku shkuan? Çfarë u bënë?

90 përqind e tyre u vodhën dhe u shpërdoruan.

Merr fund kjo.

U garantoj se rrugë do ndërtohen shumë më tepër, vepra publike do ndërtohen shumë më tepër, shqiptarët do punësohen gjithnjë e më shumë, rrogat do rriten çdo vit gjersa të dalim në krye.

Por nuk do ndërtojmë kurrë rrugë, nuk do ndërtojmë kurrë shkolla me çmime 8-10 herë më të larta se në BE.

Këta janë të papërmbajtur.

Këta nuk dinë të ndalen kurrë.

Ndaj t’i ndalim me 11 maj.

T’i ndalim të shpëtojmë Shqipërinë.

T’i ndalim se po shkretohemi çdo ditë e më shumë.

Të krijojmë mundësinë për këtë program, programin më të mirë që kanë pasur shqiptarët.

Edhe dy fjalë do u them për Sali Berishën.

Miqtë e mi, unë vij këtu para jush dhe u siguroj se në këtë udhëtim timin, në këtë rikthim timin kam pasur zero ambicie personale, kam pasur dhe kam zero ambicie për luks dhe para. Jo. Në këtë moshë, në këtë vjeshtën time, interesat e mia janë krejt tjera.

Por u ktheva sepse e pashë që kërkonin një Shqipëri pa opozitë.

Po Shqipëria pa opozitë ishte pastaj si ai lisi që vetëm thahet dhe pret shtrëngatën e parë për t’u rrëzuar.

E pashë e kërkon një opozitë të kontrolluar nga Edi Rama, siç e shihni ju tani që e bën si lolo atë Bravën, e merr pas vetes.

E pashë që kërkonin të bënin të tjerët listat e deputetëve tuaj.

Këtu pastaj ishte tjetër kjo.

Dhe kjo ishte arsyeja pse unë ndërmora këtë udhëtim. Asnjë shkak tjetër.

Natyrisht nuk ka motiv më të madh sot se të luftosh për një Shqipëri Madhështore.

Nuk ka motiv më të madh sot se të bësh gjithçka t’u kthesh shqiptarëve paratë e tyre në rroga, pensione dhe shërbime.

Nuk ka motiv më të madh sot se t’u tregosh zero tolerancë me ligjin kriminelëve, të cilët terrorizojnë qytetarët, vjedhin dhe plaçkisin ata.

Se t’u tregosh vendin qeveritarëve më kriminelë se kriminelët ordinerë, që bashkëpunojnë me bandat dhe plaçkisin qytetarët.

Nuk ka mision më të madh se ta kthejmë Lushnjën, ta kthejmë Shqipërinë në vendin e ëndrrave të lushnjarëve, në vendin e ëndrrave të shqiptarëve.

Të rikthejmë djemtë dhe vajzat tona, të vijnë këtu me një sistem fiskal 5 vite pa taksa.

Të bëjmë çdo gjë për suksesin e fermave të tyre, për suksesin e bizneseve të tyre.

Ëndrra shqiptare është ëndrra më fisnike për çdo qytetar, për çdo shqiptar, për kombin në tërësi.

Rroftë Lushnja, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale