Berisha: Nëse Rama thirret në seancë, do të shkoj për ballafaqim, ta shohin të gjithë shqiptarët!

PRONONCIM PËR MEDIA KRYETARI I PD, SALI BERISHA PARA SPAK

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë prononcimit për media para SPAK ditën e sotme, artikuloi akuza të ashpra ndaj qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë.

Në fjalën e tij, lideri demokrat, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama për ndikim në sistemin e drejtësisë, duke theksuar se vendimmarrjet e organeve të reja janë të diktuara politikisht. Berisha akuzoi me tone të ashpra Altin Dumanin, për të cilin tha se ka vepruar në mbrojtje të personave të caktuar.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se Irena me shumë mbiemra është shpallur e pafajshme, pavarësisht se ka falsifikuar dokumente dhe ka probleme ligjore në Greqi. Berisha tha se kjo përbën një shembull flagrant të standardeve të dyfishta, duke theksuar se në raste të tjera, zyrtarë të ndryshëm janë ndëshkuar për shkelje të ngjashme.

Ai akuzoi gjithashtu institucionet e drejtësisë për shmangie të përgjegjësisë dhe konflikt interesi, duke theksuar se çështje të caktuara janë trajtuar nga struktura që nuk garantojnë paanshmëri. Në këtë kuadër, Berisha përmendi edhe rolin e institucioneve të tjera si KLP dhe ILD, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e trajtimit të dosjeve.

Në vijim, lideri demokrat u ndal te çështja “Partizani”, për të cilën tha se Rama duhet të jetë subjekt hetimi. Sipas Berishës, Rama ka marrë vendime për ndryshimin e destinacionit të pronave dhe për dhënien e lejeve të ndërtimit në kundërshtim me ligjin dhe interesin publik. Ai shtoi se këto veprime janë të dokumentuara dhe duhet të hetohen nga drejtësia.

I pyetur nga gazetarët nëse gjykata do të pranojë kërkesën për të thirrur Ramën si dëshmitar, Berisha u shpreh se vendimi i takon trupës gjykuese, por nënvizoi se kryeministri duhet të përballet me drejtësinë. Ai deklaroi se është i gatshëm të marrë pjesë në çdo seancë ku do të thirret, duke kërkuar një përballje të drejtpërdrejtë publike.

“Po të më thërrasë gjykata, do të shkoj me kënaqësi”, tha Berisha, duke shtuar se transparenca është thelbësore për zbardhjen e së vërtetës.

Në përfundim, Kryetari i PD, Sali Berisha paralajmëroi se do të vijojë me denoncime të tjera, duke i cilësuar ato si pjesë e një “serie” që do të ekspozojë problematika të mëtejshme brenda sistemit të drejtësisë.

PRONONCIMI I PLOTË

Altin Maneku Troplini!

Altin Troplini merr edhe një mbiemër të ri, të denjë për të dhe ky mbiemër është manaku.

Mercenarit të Edi Ramës, armikut të egër të pluralizmit dhe votës së lirë të shqiptarëve.

Drejtësia vonon, por nuk harron!

Tani, aty gjeta Ergys Agasin bashkë me Irena Dumanin, Irena Maneku Gjoka Dumani, etj.

Gysi festonte se asnjë mandat ndërkombëtar nuk është lëshuar për arrestimin e tij.

Gysi, gjoja, është në kërkim.

Ai në fakt rrugën më të shpeshtë që bën, e bën për në Surrel.

Po ta quajmë Surrelin një repblikë tjetër, atëherë mund të themi, por ai është një vizitor i shpeshtë i Surrelit.

Sot thashë se Dumani merr edhe mbiemrin Maneku sepse në një akt më të turpshëm, në një akt flagrant të mbrojtjes së krimit, Edi Rama dhe Altin Dumani nxorën të pafajshme Irenën me 5 mbiemra.

Çdo qytetari i kërkoj vëmendjen e tij sepse ky është një rast unik në historinë e drejtësisë.

Se si një kriminele, se si një delinkuente hap dosje me urdhër të Ramës tek Altin Troplini me qëllimin e vetëm për t’u nxjerrë e pafajshme.

Irena Maneka Gjoka Dumani sipas dokumenteve që kam paraqitur këtu, është përzënë, zbuar dy herë nga Greqia sepse ka falsifikuar dokumente dhe jo vetëm dokumente, por ka falsifikuar edhe kombësinë e saj.

Ka shkuar me dokumente dhe vizë të falsifikuar, çka dënohet si akt, por ka shkuar edhe me kombësi të falsifikuar pasi është paraqitur si minoritare, në një kohë që ajo është myzeqare.

Përveç kësaj Irena Maneku Gjoka Dumani ka mashtruar sepse ka autorizuar avokatin që të ndjekë çështje gjyqësore, në ndjekje të çështjes gjyqësore, gjykata administrative e Janinës e ka dënuar me një vit burg për falsifikimin.

Tani shikoni se çfarë horrash pa moral, pa nder, pa dinjitet, pa ligj janë këta.

KLP e merr në shqyrtim dosjen dhe pasi prokurori i përgjithshëm deklaron se është e dënuar në Greqi, Irena Gjoka Maneku, KLP e Irenës apo Irenat e KLP nuk e marrin në shqyrtim vendimin e prokurorisë por deklarojnë se këtë duhet ta shqyrtojë ILD-ja, sikur kjo nuk ishte gjykatëse.

Prisni, shkojmë më tutje.

Altin Troplini, me urdhër të Edi Ramës sepse kjo që ta dini është fort shoqe që drekon dhe darkon me Lindën e Surrelit. Në fakt ka një restorant atje që muret e tij flasin shumë.

Pra, darkon dhe drekon me Lindën e Surrelit.

Pra, me porosi të Edi Ramës, Altin Troplini i hap çështje pa emër kësaj, sepse po t’i hapte çështje penale me emër siç ishte njeriu i përzënë nga Greqia, njeriu i dënuar në Greqi, atëherë ajo duhet të largohej nga detyra automatikisht me hapjen e çështjes penale.

Por çështja penale u hap pa emër për t’u mbyllur me emër.

Një mbyllje të tillë të turpshme mund të bëjë vetëm Altin Troplini dhe askush tjetër.

Mbyllja e turpshme ishte se Irena me 5 mbiemra nuk e ka ditur, pavarësisht se ka autorizuar avokatin, por nuk e ka ditur se është dënuar nga gjykata.

Dhe me këtë rast ajo del e pafajshme, paçka se në të gjitha rastet e tjera të padijes, i padituri është dënuar pa asnjë hezitim.

Kanë qenë gjykatës të lartë dhe kushtetues, janë dënuar dhe nuk u është pranuar deklarata e tyre se nuk e dinin.

Edhe këshilltarë të këshillave bashkiakë janë dënuar dhe nuk është pranuar se nuk e kanë ditur dënimin në një vend tjetër.

Nuk ka një akt më të shëmtuar.

Kjo është fytyra e tyre.

Përveç kësaj, Irena me 5 mbiemra nuk ka falsifikuar vetëm në Greqi, nuk është dënuar vetëm në Greqi, por ajo ka falsifikuar të paktën pesë herë, për çka dënohet penalisht, të gjithë formularët që ajo ka plotësuar për vetingun, ILDKP-në, për emërimet e saj në gjykatën speciale.

Pra janë 5 formularë në të cilët ajo ka mashtruar shtetin shqiptar.

Por Altin Maneku e ka injoruar totalisht të gjithë këtë, në një kohë kur çdo person tjetër i cili është gjetur se ka falsifikuar formularin është dënuar dhe penalisht dhe është nxjerrë nga detyra.

Kjo nuk ndodh me Irenën me 5 mbiemra sepse është e mbrojtur nga familja më mafioze e Shqipërisë, që është familja Rama.

Përveç këtyre, Irena Gjoka Maneku Dumani ka fshehur pasurinë e saj.

Çdo zyrtar i gjetur në fshehje pasurie është ndëshkuar sipas ligjit.

Irena ka fshehur apartamente dhe garazhe, por këtu e thirri Altin Dumani, i tha si i ke fshehur ti këto?

Po ti, i tha, si i ke fshehur këto 4 shtëpitë?

E kuptoni se si e kanë neutralizuar njëri-tjetrin?

Ju u duket si habi, por kjo ka ndodhur se këtu ndodhin çudira.

Kështu që Irena me apartament të fshehur, me garazh të fshehur, në vend që të shkojë aty ku e ka vendin, në burg, i thotë Dumanit, shih pak veten tënde.

Dhe këtu do i sjellim edhe ato të Dumanit, do i bëjmë të gjitha, sepse ka mashtrime të turpshme dhe ai dhe së shpejti do merrni vesh.

Por thashë ta përfundojmë me klienten e tij, pastaj t’i kthehemi Troplinit.

Kjo është siç e shihni të dashur qytetarë, pyeteni veten cili qytetar shqiptar i cili ka kryer pesë shkelje të rënda ligjore, krime, nuk përballet me dënimin?

Duhet të jesh gjykatës special ose prokuror special që të mos ekzistojë ligji.

Këta janë llumi i shtetit shqiptar, janë turpi i zyrtarëve shqiptarë, këta nuk kanë ligj, moral, dinjitet përveçse krim, krim dhe vetëm krim.

Merreni edhe këtë libër, urdhëroni.

Libri paraqet 35 falsifikime të kuzhinës Dumani-Kraja-Milonai.

35 falsifikime të dokumentuara nga kuzhina Kraja-Dumani-Milonai.

PYETJE-PËRGJIGJE ME GAZETARËT

Anila Hoxha, TCH: Z. Berisha, javën e kaluar SPAK nuk u shpreh kundër thirrjes si dëshmitar të Edi Ramës në dosjen Partizani, por ia la në dorë gjykatës. Çfarë parashikoni ju, do e pranojë gjykata këtë kërkesë?

Sali Berisha: Tani meqë jemi tek gjykata, më fal edhe për një moment dhe do kaloj tek pyetja juaj.

Çfarë ndodh tjetër? Irena me 5 mbiemra, ku do gjykohet, thoni ju me dosje të mbyllur? Në kundërshtim me të gjithë praktikën e këtij shteti, por me një vendim të Sadushit, që në fakt në disa aspekte ia kalon Irenës, do të gjykohet në gjykatën e vet.

Keni parë apo nuk keni parë ju?

Kur një gjykatës i Tiranës ka një çështje për të cilën gjykohet, në praktikën e drejtësisë shqiptare, një gjykatës nga një qytet tjetër vjen dhe merr dosjen për gjykim.

Kurse për Sadush Gjokën, Irena duhet të gjykohet në gjykatën speciale.

Ky është një turp.

Pra, nëse Altin Troplini e përputhi dosjen Maneku në përputhje me ligjin apo jo, këtë do ta gjykojë gjykata speciale, do të gjykojë pra konflikti i pastër i interesit.

Tani vazhdojmë me atë. Sa për dijeni, Edi Rama është kërkuar nga të akuzuarit e dosjes që në fillim të vijë jo dëshmitar, por në ndjekje penale.

Pse? Sepse Edi Rama, një pjesë të mirë të territorit të klubit Partizani, e kishte shndërruar në një zonë urbane ndërtimi pa asnjë kërkesë të pronarëve, pa asnjë kërkesë të askujt, përveçse probabilist të peshkaqenit Olsi Rama, i cili kishte vendosur të bëhej miliarder në tokën e tjetrit.

Dhe Edi Rama e ka zonuar atë në një kohë kur ajo as nuk u ishte kthyer pronarëve dhe as nuk kishin bërë asnjë kërkesë.

Meqë është thënë se është Berisha ai që ka firmosur zonimin, një histori turpi, kjo është e vërteta.

Dhe është thirrur të pyetet Edi Rama.

Mbrapa Edi Rama dha lejet e ndërtimit tek klubi Partizani.

Më vonë, ky e merr vesh se një nga pronarët që ka marrë tokë aty dhe ishte bashkëndërtues, ishte Jamarbër Malltezi.

Dhe tani, pavarësisht se ishte dhënë leja, ky e mbante lejen e ndërtimit, nuk e zbardh.

Gjykata e urdhëron ta zbardhë lejen e ndërtimit. Ky nuk zbaton vendimin e gjykatës dhe pas vendimit të gjykatës, pronarët fillojnë zhvillimin e zonës.

Edi Rama dërgon inspektoratin e tij dhe e bllokon punimin për shumë kohë.

Gjykata e dënon Edi Ramën me 320 mijë euro dhe ky i paguan nga xhepi i bashkisë për dëmin që u kishte krijuar.

Pra, Edi Rama është për t’u ndjekur penalisht për këto.

Ndërkohë Altin Troplini me Krajën dhe Milonain refuzuan ta thërrasin në proces.

Tani kjo kërkesë në mënyrë të ligjshme u paraqit para trupit gjykues. Para trupit gjykues ata mbajtën një lloj heshtje, pse e mbajtën, e dinë ata.

Por ata nuk kanë pranuar ta marrin në pyetje Edi Ramën atëherë kur është kërkuar ta pyesin pse ndryshove destinacionin e zonës së klubit Partizani në një kohë kur nuk ta kishte kërkuar njeri. Çfarë interesash kishe ti apo vëllai yt?

Nuk e pyetën.

Pse, pasi i dhe lejen e ndërtimit, e anulove kur more vesh se ishte Jamarbër Malltezi?

Tjetër, pse nuk zbatove vendimin e gjykatës por gjobite bashkinë me 300 mijë euro.

Të gjitha këto janë në dosje të dokumentuara, të provuara, të faktuara.

Tani do vendosë gjykata do e thërrasin apo jo Edi Ramën, i cili është autori absolutisht i ndryshimit të destinacionit në të gjitha rastet dhe të çdo centimetri katror të atij trualli.

Anila Hoxha, TCH: Nëse gjykata pranon që Rama të thirret si dëshmitar, do jeni ju në atë seancë?

Sali Berisha: Po më thirri gjykata, do të shkoj me kënaqësi.

E merrni vesh se si do ta bëj Edi Ramën unë. Të jetë me kamera, ta shohin të gjithë shqiptarët.

Të dalim, të ballafaqohemi.

Por ai nuk vjen, ai këta i shumëzon me zero, i ka si ushtarë.

Po e thirrën, unë e vlerësoj atë dhe do të shkoj patjetër.

Nuk më kanë thirrur se po të më thërrasin, do të shkoj unë, nuk e kam asnjë problem.

Këto ishin për sot.

Seriali tjetër është seriali Dumani.

Anila Hoxha, TCH: Po na i paraqet si publicitet?

Sali Berisha: Po, është rregull që gjërat anonçohen. Unë bëj transparencë. Seriali Dumani është edhe ai një serial i veçantë.

Pyetje: Nëse do kemi një serial Dumani, a e konsideroni të përfunduar serialin Gjoka?

Sali Berisha: Seriali Gjoka u mbyll, sepse serialin Gjoka do të çojnë ta gjykojë gjykata e vet. Nuk shkon kurrë që e njëjta gjykatë të gjykojë personin, por ky është urdhri i Sadush Gjokës dhe këta nuk kanë çfarë bëjnë.

E ka dhënë këtë udhëzim ai, e ka lëshuar kur ia kanë kërkuar. A e dini si e përdor ai gjykatën? Si kuzhinë të veten.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale