FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA JASHTË PARLAMENTIT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh jashtë sallës së parlamentit se pseudo-mazhoranca ka mohuar të drejtën kushtetuese të opozitës për ngritjen e Komisioneve Hetimore Parlamentare. Ai u shpreh se kjo ka ndodhur pavarësisht vendimeve të Gjykatës Kushtetuese që e konsiderojnë të pakushtëzuar këtë të drejtë.
Berisha theksoi kërkesën e opozitës për dy komisione, përfshirë hetimin e skandalit të ish-shefit të kundërzbulimit të FBI-së, McGonigal, ku sipas tij përfshihet direkt edhe kryeministri Edi Rama për çështje korrupsioni dhe veprimtari të dyshimta. Kryetari i PD-së akuzoi qeverinë se po pengon hetimin e zgjedhjeve të 11 majit, që sipas opozitës janë zhvlerësuar nga shkeljet masive të ligjit dhe standardeve ndërkombëtare.
‘Në kushtet e një parlamenti që bllokon tërësisht hapësirën e opozitës, qytetarët do të jenë ata që do thonë fjalën e tyre’, deklaroi Berisha, duke nënvizuar se opozita do të vazhdojë të mobilizohet për të mbrojtur të drejtat kushtetuese.
PRONONCIMI I KRYETARI TË PD-së, JASHTË SALLËS SË PARLAMENTIT
Pseudo mazhoranca në mënyrën më antikushtetuese i mohoi opozitës të drejtën më themelore, kushtetuese që ka në parlament Komisionin Hetimor parlamentar.
E kreu këtë akt edhe pas një beteje të gjatë, disa mujore që u zhvillua në legjislaturën e parë dhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që kjo është një e drejtë që nuk mund të preket, një e drejtë e pakicës e patjetërsueshme.
Sot ne kërkuam, kishim paraqitur me argumente të plota kërkesën për dy komisione. Për skandalin ‘McGonigal’ i cili implikon direkt Edi Ramën me një skandal të madh me ish-shefin e kundëzbulimit të FBI-së, i cili për veprimtaritë e tij vuan 6 vjet e gjysëm burg në SHBA, por në dosjen me Shqipërinë emri i Edi Ramës, lakohet dhe figuron në 13 raste, ku Edi Rama citohet se i ka dhënë McGonigalit nëpërmjet oficerit të policisë sekrete 220 mijë dollarë dhe është korruptuar McHGonigali.
Ku Edi Rama citohet se ka diskutuar për reformën e drejtësisë me McGonigalin dhe se ai informonte të tjerët se, këtu tashi kemi punë.
Ku Edi Rama citohet se ka hequr licenca e një kompanie për të ja dhënë një kompanie tjetër, në të cilën ish-oficeri i sigurimit kishte interesa të veçanta.
Ku Edi Rama citohet se këshilltari i tij, Dorian Duçka ishte një agjent i paregjistruar kinez, i cili jepte të dhëna nga FB që i merrte nga McGonigal, transmetonte të dhënat tek autoritetet e zbulimit të Kinës.
Ku Edi Rama citohet se e ka kontraktuar për hetimin në rastin e Tom Doshit dhe vrasjen e imagjinuar, për të akuzuar Ilir Metën, një hetim që është zhvilluar në Vjenë.
Dosja fakton se, Edi Rama i dha paratë McGonigalit që të merrej me opozitën, natyrisht për veprime kundër opozitës.
Pra janë të gjitha këto dhe se McGonigal ka qenë njeriu më kryesor dhe ndër më të parët që është me hetimin e presidentit Donald Trump në dosjen ‘Steal’.
Për të gjitha këto, çdo vend do të krijonte një Komision Hetimor pasi janë aspekte të shumta të zhvilluara në vend.
Veprimtaria e McGonigalit jo vetëm në Tiranë, por dhe në rrethe të tjera, në Dumre, angazhimi i tij në reformën në drejtësi, angazhimi i tij me bizneset.
Janë kompani ruse përfshi këtu edhe hidrocentralin e Shushicës dhe një seri biznesesh të tjera.
Natyrisht Edi Rama mendon se, kjo do ta dëmtonte atë dhe ndaj shtyp të drejtën e opozitës për Komision Hetimor.
Ky vendim i tij, ose ky qëndrim i tij antikushtetues, antiopozitë, kulmon me mohimin e të drejtës për të hetuar zgjedhjet.
Zgjedhjet e 11 Majit, janë zgjedhjet më të damkosura në Europë dhe më të damkosura ndofta edhe në botë sot, nga ato që janë vëzhguar.
Në këto zgjedhje është faktuar nga vëzhguesit ndërkombëtar se, ligji shqiptar është dhunuar jo 1 herë, por me qindra e mijëra herë, janë dhunuar parimet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira.
Ndërkohë ne si opozitë kemi me mijëra fakte, ne disponojmë me mijëra fakte, që dëshironim se me këtë Komision Hetimor të ua paraqisnim atyre një e nga një. Edhe këtë e hedhin poshtë, çka tregon se, hapësira për opozitën në parlament është fiktive, virtuale.
Edhe ne do të mblidhemi, do të mbledhim forumet tona, do të marrim vendim për të ju përgjigjur këtij dhunimi absolutisht të papranueshëm të të drejtave më elementare Kushtetuese të një opozite parlamentare.
Pyetje: Kushtetuesja foli për Komisionet Hetimore…
Sali Berisha: I hodhi poshtë të gjitha këto.
Pyetje: Çfarë ka mbetur më, ku mund të ankohet më?
Sali Berisha: Me qytetarët, jam dakord, ke shumë të drejtë. Kushtetuta ka urdhëruar ngritjen e menjëhershme të komisioneve kur ato paraqiten. Gjykata Kushtetuese ka qenë e saktë, nuk njeh asnjë lloj kufizimi, kjo është.
Pikërisht për këtë, dërgimi i saj në Kushtetuese është ezauruar. Por qytetarët janë gjithmonë, nuk ezaurohen kurrë.
Pyetje: Do kemi ato skena që kemi parë vitin e kaluar.
Sali Berisha: Se çfarë do kemi, ne jemi një opozitë sot, me gjithë përpjekjet tona që të normalizohet jeta e parlamentit, por sot ne jemi një opozitë e privuar në mënyrën më banditeske, më të papranueshme nga e drejta themelore kushtetuese e një opozite në parlament; Komisioni Hetimor Parlamentar.
Nëse ne nuk kemi të drejtë të mbikëqyrimin, ky është kulmi. Sepse që kur ka filluar parlamenti, deputetët tanë thërrasin ministrat, ata nuk vijnë dhe në kundërshtim me Kushtetutën dërgojë zv/ministrat.
Edi Rama thirret në interpelancë, nuk vjen dhe i refuzon interpelancat.
Ne kërkojmë debat për raportim e OSBE-ODIHR-it dhe këtu refuzohet debati.
Pra në kushtet e një parlamenti që bllokon tërësisht hapësirën e opozitës, unë besoj se qytetarët do të jenë ata që do thonë fjalën e tyre.
Faleminderit!
 
															
