FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË MBLEDHJEN E KËSHILLIT KOMBËTAR
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD deklaroi se zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 nuk ishin zgjedhje të lira, por një farsë e organizuar nga qeveria e Edi Ramës përmes përdorimit të shtetit, krimit të organizuar dhe korrupsionit masiv.
Në hyrje të fjalës së tij, Berisha sqaroi arsyet e vonesës së mbledhjes së Këshillit Kombëtar pas zgjedhjeve, duke theksuar se prioritet absolut i opozitës ka qenë mbrojtja dhe dokumentimi i votës së qytetarëve shqiptarë. Lideri Demokrat theksoi se Partia Demokratike kishte marrë përsipër një angazhim moral dhe politik për të provuar çdo shkelje dhe për ta paraqitur atë si brenda vendit ashtu edhe para komunitetit ndërkombëtar.
Kryedemokrati, Sali Berisha vlerësoi fushatën elektorale të PD-së si më të mirën në historinë e saj, duke theksuar se ajo u ndërtua mbi një program të detajuar dhe me mbështetje të gjerë ndërkombëtare nga organizatat e qendrës së djathtë, përfshirë IDU, CDI dhe Partinë Popullore Europiane. Berisha nënvizoi se PPE kishte paralajmëruar farsën elektorale që para zhvillimit të zgjedhjeve.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha renditi një sërë akuzash për shkelje të rënda zgjedhore, duke përmendur përdorimin e fondeve publike për blerje vote, shpërndarjen e 100 eurove për një pjesë të madhe të zgjedhësve, faljen e miliarda eurove gjoba dhe kamata pak ditë para zgjedhjeve, si dhe licencimin e mbjelljes masive të kanabisit gjatë fushatës elektorale. Sipas Berishës, këto veprime e shndërruan procesin zgjedhor në një garë mes opozitës dhe vetë shtetit, duke e bërë të pamundur një konkurrencë të ndershme.
Berisha akuzoi qeverinë për përdorimin e administratës shtetërore, mjeteve publike dhe forcës ekzekutive për qëllime elektorale, si dhe për bashkëpunim me grupe kriminale në disa qytete të vendit, të cilat janë përdorur për të intimiduar qytetarët dhe për të blerë vota. Berisha deklaroi se Edi Rama nuk i ka fituar kurrë zgjedhjet në mënyrë të ndershme dhe se rezultati i 11 majit nuk pasqyron vullnetin real të qytetarëve.
Në këtë kontekst, lideri demokrat, Sali Berisha theksoi se raporti i OSBE/ODIHR dhe rezolutat e institucioneve ndërkombëtare konfirmojnë shkeljet e rënda dhe bashkimin e partisë me shtetin. Ai nënvizoi se rekomandimi kryesor për Shqipërinë është ndarja e partisë nga shteti, duke argumentuar se zgjedhjet nuk mund të quhen të lira kur qeveria kontrollon çdo aspekt të procesit.
Duke folur për situatën politike dhe institucionale, Berisha e përshkroi qeverisjen aktuale si një regjim me elementë diktatorialë që shtyp pluralizmin politik, kontrollon institucionet dhe përdor drejtësinë për të goditur opozitën. Ai akuzoi kryeministrin Rama për tentativa për të kapur sistemin e drejtësisë dhe për të penguar hetimet ndaj zyrtarëve të lartë të përfshirë në afera korruptive.
Në një pjesë të rëndësishme të fjalimit rreth akuzave për korrupsion të lartë dhe krim të organizuar, Berisha përmendi çështjen e tunelit të Llogarasë, kontratat publike, AKSHI-n dhe raste rrëmbimesh apo intimidimesh ndaj individëve të lidhur me këto dosje. Ai deklaroi se këto ngjarje tregojnë nivelin ekstrem të kapjes së shtetit nga një organizatë kriminale.
Në përfundim të fjalës,Kryetari i PD, Sali Berisha bëri thirrje për një fazë të re të aksionit opozitar, duke e cilësuar situatën si emergjente dhe vendimtare për të ardhmen e vendit. Ai u kërkoi strukturave të PD-së, demokratëve dhe qytetarëve të angazhohen në protesta të vazhdueshme, greva dhe forma të tjera rezistence civile, brenda dhe jashtë Shqipërisë, deri në largimin e qeverisë.
“Agjenda jonë është protestë, protestë dhe vetëm protestë,” deklaroi Berisha, duke theksuar se vetëm një mobilizim i qëndrueshëm qytetar mund të rrëzojë regjimin aktual dhe të rikthejë zgjedhjet e lira, Kushtetutën dhe shtetin e së drejtës.

FJALA E PLOTË
Mirëmbrëma dhe një përshëndetje shumë të përzemërt ju, anëtareve dhe anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD, të gjithë demokrateve dhe demokratëve, mbështetësve tanë kudo që janë.
Do ta filloj këtë fjalë së pari me një sqarim të domosdoshëm për vonesën e mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD pas zgjedhjeve të 11 majit.
Duhet të garantoj çdo demokrate e demokrat, çdo anëtare dhe anëtar të Këshillit Kombëtar se kjo vonesë ka pasur vetëm një shkak, dhe ky shkak ka qenë mbrojtja e votës së qytetarëve shqiptarë.
Unë, dhe të gjithë ne, jemi njerëz të fjalës.
Ne mbahemi për fjalën tonë.
Dy kanë qenë, të themi, kryefjalët tona.
E para, me Edi Ramën nuk ka zgjedhje.
E kam thënë me dhjetëra e dhjetëra herë dhe e them përsëri, por e dyta, ne u thamë shqiptarëve se do mbrojmë votën.
Dhe se mbrojtja e votës ishte prova më e madhe e seriozitetit tonë, e përkushtimti tonë, e vendosmërisë, integritetit dhe ndershmërisë tonë.
Duke thënë këtë, theksoj se fushata elektorale e vitit 2025 ka qenë fushata me programin më të shkëlqyer elektoral në tërë historinë e PD.
Ka qenë fushata me arkitektin më të aftë të fushatave elektorale, arkitektin e fitores së presidentit Donald Trump.
Ka qenë fushata, në të cilën ne garantuam mbështetje të plotë dhe totale nga organizatat më të mëdha ndërkombëtare të partive të qendrës së djathtë, CDI, IDU dhe vetëm 10 ditë para zgjedhjeve, Partia Popullore Europiane denoncoi pa u zhvilluar farsën elektorale që kishte përgatitur Edi Rama.
Në këtë kontekst, mund të them se farsa e vitit 2025, tejkalonte në përmasa të pakrahasueshme të gjitha farsat e tjera elektorale.
Ata të cilët duan të fajësojnë opozitën për farsën bëjnë një gabim të madh në substancë, në thelb, dhe me dashje ose pa dashje justifikojnë farsën.
Sepse për çdo qytetar, për çdo individ, për çdo politikan, që ka të qartë procesin zgjedhor, ai e di se në qoftë se gara zhvillohet midis shtetit elektoral dhe partive politike, ajo nuk është garë, por është farsë.
Për ata të cilët, përsëri në mungesë të kulturës elektorale apo për arsye të tjera, mendojnë ndryshe, u them prapë se në rast se qeveria organizon në kundërshtim me ligjin, duke shpenzuar për çdo aktivitet, organizon 4533 aktivitete, përfshi ditën e votimit 7 milionë për Giro D’Italia, ajo nuk zhvillon zgjedhje, por zhvillon farsë dhe shkel me këtë parimet themelore të dokumenteve ndërkombëtare për zgjedhjet e drejta.
Në rast se qeveria, në një proces zgjedhor, u dhuron 65 perqind të zgjedhësve 100 euro për votë, ajo nuk është zgjedhje, por është farsë.
Në rast se qeveria fal dy ditë para zgjedhjeve 2 miliardë euro gjoba dhe kamata, ato që unë i quaja 200 milionë, provohet të jenë 2 miliardë, dhe që u interesojnë 200 mijë familjeve dhe bizneseve, nga të cilat 84 mijë aktive, ajo nuk është zgjedhje, por është farsë.
Në rast se qeveria licencon në mes të fushatës elektorale mbjelljen e 28 mijë hektarëve kanabis nga 200 që e autorizon ligji, ajo nuk është zgjedhje, por është farsë.
Në rast se qeveria mobilizon si agjentë elektoralë rrogëtarët e paguar me paratë e taksapaguesve, administratën shtetërore, përdor të gjithë logjistikën e saj, mjetet e saj, fuqinë ekzekutive të saj, ato nuk janë zgjedhje, por janë farsë.
Dhe në rast se ndonjë njeri mendon se Edi Rama fitoi zgjedhjet, mashtron veten dhe është i mashtruar.
Në rast se përdor bandat më të rrezikshme të Europës, si Troplinët e Durrësit, Suel Çelën e Elbasanit, Bajrët e Shkodrës, Xhabaftët e Vorës, Hakmarrjen për Drejtësi të Lushnjes dhe Vlorës, dhe u jep atyre listën për 28 deputetë, ato nuk janë zgjedhje, por janë farsë.
Dhe çdo njeri që pretendon se vërtet Edi Rama u votua në ato zgjedhje, mashtron veten dhe me dashje apo pa dashje mbështet Edi Ramën.
Edi Rama nuk i fitoi kurrë zgjedhjet, PD do ishte në pushtet sot në qoftë se nuk do përdoreshin 2 miliardë euro dy ditë para zgjedhjeve, 76 milionë euro në mes të fushatës elektorale, bandat në të katër anët për të terrorizuar qytetarët dhe blerë votat, etj, etj.
Në këto rrethana, ne natyrisht nuk mund të ndalojmë qeverinë, as të vendosë dhuratën 100 euro, as të vendosë mbjelljen e 30 mijë hektarëve kanabis, as të mobilizojë mercenarët e saj në fushatë elektorale, as të shpërndajë 100 euro për votë për 760 mijë pensionistë.
Ne nuk mund të ndalojmë qeverinë të organizojë aktivitete të paligjshme gjatë fushatës elektorale.
Ne nuk mund të ndalojmë qeverinë të japë me qindra dhe mijëra leje ndërtimi, certifikata pronësie, leje legalizimi.
Jo, ne jemi opozitë.
Për të gjitha këto, të papara asnjëherë më parë në këto përmasa, unë u kisha deklaruar ju se me Edi Ramën zgjedhje nuk ka.
Edi Rama e faktoi këtë kur në vitin 2021, ai shpërndau 130 milionë euro për zonat e dëmtuara nga tërmeti. Mjaftonin ato për të shndërruar zgjedhjet në farsë.
130 milionë euro mjaftojnë në një vend të varfër.
Por përveç të gjitha këtyre, si i biri i të atit që është, arrestoi në vit elektoral njëlloj si Zajedi i Tunizisë liderët e partive kryesore opozitare.
Pra, kjo ishte farsa dhe këtë ne nuk e parandalonim dot.
Dhe nuk e parandalojmë dot.
Ka vetëm një rrugë, largimin e tij nga pushteti në qoftë se duam të zhvillojmë zgjedhjet.
Por kjo kërkon t’i njohim gjërat siç janë.
Në qoftë se ne nuk parandalonim dot farsën, ne duhet ta vërtetonim farsën.
Ne kishim detyrim para çdo zgjedhësi shqiptar të vërtetonim gjithçka ai bëri për të dhunuar votën e tyre.
Dhe ta vërtetonim jo vetëm para shqiptarëve, por edhe para komunitetit ndërkombëtar.
Në një përpjekje më serioze, më të fuqishmen për mundësitë tona, ne realizuam plotësisht këtë objektiv.
Raporti i OSBE/ODIHR konfirmon të gjitha këto që unë shtrova para jush.
Jo vetëm kaq, por Edi Rama bëri gjithçka, nga kërcënimet banditeske të diplomatëve, tek lobimet korruptive të mëdha për ta ndryshuar atë raport.
Ne bëmë gjithçka që ai raport të plotësohej me çdo dokument dhe ajo që mos ndodhte.
E vërteta është që vota u mbrojt.
U mbrojt vota në këto zgjedhje, njëlloj siç e mbrojtëm në vitin 2001.
Dhe për çdo demokrat, për çdo qytetar shqiptar, ne bëmë detyrën tonë, ne e mbrojtëm votën.
Do thoni ju, po ç’lidhje ka mbledhja e Këshillit Kombëtar?
Po, ua shpjegoj unë.
Edi Rama kërkonte me qiri ku të gjente një shkak, një pretekst tjetër brenda nesh për rezultatin e zgjedhjeve që t’ua servirte atyre vëzhguesve që ai i kishte kërcënuar si banditë.
Që nuk është e vërtetë, po ja këto kanë këto, kanë këto, dhe do i transformonte me makinerinë e tij gjigante të mashtrimit.
Ne nuk binim kurrë në atë kurth.
Ne e kishim përparësi absolute mbrojtjen e votës.
Nuk ishte proces i lehtë.
Por ne e realizuam.
U kujtoj këtu cilitdo që përton të lexojë raportin 40 e ca faqe të OSBE/ODIHR, i them të lexojë vetëm një rresht nga rekomandimet e raportit të deputetëve të Këshillit të Europës, ku thuhet Shqipërisë i rekomandohet të ndajë partinë nga shteti.
Domethënë, këtu zgjedhjet u zhvilluan midis nesh dhe shtetit.
Se PS ishte një me shtetin.
Faktikisht nuk kishte zgjedhje.
Por, siç e kishim njoftuar, Kryesia është mbledhur periodikisht.
Ka qenë një kohë e vendimeve të pakta, sepse përqendrimi ynë total ka qenë në mbrojtjen e votës.
Tani, pa diskutim që këtë forum, këtë organ dhe të gjitha organet e partisë nuk mund t’i pengojë asgjë pa bërë debatin më serioz, më të përgjegjshëm, më të mirë, analizën më të shkëlqyer që është bërë ndonjëherë, dhe kjo me qëllim më kryesor për një PD që rrëzon këtë regjim.
Si kushti i të gjitha kushteve për të pasur zgjedhje të lira.
Pra, ne vijmë sot në provën tonë më të madhe para vetes tonë, para fëmijëve tanë, para shqiptarëve, para kombit, para vendit.
Jo të paktë janë ata që nuk e kanë realizuar se kjo është një diktaturë, e cila e shtyp pluralizmin.
Këtë tashmë e thonë 7 rezoluta ndërkombëtare.
Jo të paktë janë ata që nuk e kanë realizuar se kjo është një diktaturë që përdor institucionet për të shtypur pluralizmin.
Këtë e konfirmojnë 7 rezolutat ndërkombëtare.
Por, në të gjithë këtë situatë, PD qëndroi.
Qëndroi dhe do qëndrojë fuqishëm.
Kjo mbledhje, që të jemi të sinqertë me ju, duhej të ecte në këtë drejtim, detyrohemi për shkak të situatës emergjente të krijuar, një agjendë të parashikuar për sot, ta shtyjmë për një mbledhje tjetër të afërt dhe të përqendrohemi të tërë në përgatitjen e përgjigjes që duhet t’i japim ne kësaj kalbësire që kundërmon në të gjithë botën.
Kësaj organizate kriminale, që nuk ka Kushtetutë, ligj as moral dhe e cila është e aftë të bëjë çdo gjë.
Edi Rama është i aftë të bëjë çdo gjë për të qëndruar në pushtet.
Tani është radha jonë.
Është ora jonë.
Ora e demokratëve gjer në largimin e tij.
Nuk ka asnjë alternativë tjetër.
Shikoni si doli. Njeriu që e nisi qeverinë duke dalë nga ekrani në ekran me hekura në duar, u tregonte qytetarëve hekurat se nuk kishin paguar një faturë dritash apo uji.
Njeriu që çirrej nga ekrani në ekran të arrestohet Sali Berisha, Ilir Meta, etj, tani i kapur në flagrancë, përdor të gjithë pushtetin e tij të krimit për t’u mbrojtur.
Edi Rama është i aftë për grusht shteti.
Ai ka të gjitha pushtetet, por është i aftë që edhe këtë përpjekje që po bën drejtësia, t’ia asgjësoje.
Në qoftë se e dëgjuat, çfarë tha: nuk do e kalojmë këtë si rastet e tjera, por do bëjmë një analizë të thelluar, e them këtë si udhëheqësi i reformës në drejtësi.
Edhe ne do i themi, guxo.
Në mënyrë absolute do bëjmë gjithçka që vend mbi tokë të mos të të lëmë që ti të marrësh atë pushtet minimal të drejtësisë.
Nuk mundet që ne të pranojmë një bandit, një hajdut, një njeri, i cili iu ka bërë shqiptarëve më të zeza se asnjë pushtues tjetër.
Se asnjë pushtues tjetër i egër.
Dhe tani, kur kërkohet të japë hesape, se ato, duhet të jemi të sinqertë, aty në rastin e tunelit të Llogarasë, Lubia që nuk ka pasur kombi një të dytë si ajo përveç Edi Ramës, aty ajo është një shërbëtore e tij.
Ajo ka firmosur ato që i ka thënë ai.
Ndaj dhe ky është kaq i angazhuar për mbrojtjen.
U them unë ju, kur i thanë asaj, u ofrua, do u ndihmoj, do ndërhyj pak në Gjykatë Kushtetuese, jo, tha, ta zgjidhë ai vetë.
E ka kapur për fyti ai atë.
Kështu që, tani ajo masa ishte lehtësim. Por ata e gjykuan në atë mënyrë.
Ishte traumatike, po në vitin 2011, kur Ilir Meta, për një regjistrim të manipuluar 29 herë nga Edi Rama dhe Filip Çakulli në zyrë, as priti kërkesën e prokurorisë, as 21 janarin, më 14 janar më erdhi në zyrë, më tha unë do jap dorëheqjen, unë nuk shkoj në prokurori si zëvendëskryeministër, por do shkoj si qytetar i thjeshtë.
Ky ishte standardi.
Kush mund të mendonte të mbronte një njeri në një rast të tillë.
Kurse këtij i ka dalë fatura 97 milionë euro e tunelit të Llogarasë dhe nuk e lëshon, sepse ajo e merr me vete.
Ajo i ka thënë unë të marr me vete ty.
Dhe e merr me vete.
Koha do e provojë se ajo e merr me vete atë.
Sot nxora vetëm një mesazh, jo për Llogaranë, por për këto lotet. Aty thoshte e ka urdhëruar Rama, ia ka dhënë Rama atij.
Prandaj shkonte Unaza, lotet që kemi ndërtuar ne janë me 4 milionë euro dhe janë 8 km, lotet e tyre janë me 17 milionë euro.
Pra, jemi këtu, jemi në emergjencë, jemi në provën e guximit tonë.
Nuk ikën ai, po nuk u ngritëm ne, harrojeni.
Ai do fillojë, unë udhëheqësi i reformës, do vahzdojmë reformën.
Jo, tani do flasim ne.
Tani do flasim.
Por kësaj here, beteja jonë është me sakrifica.
Beteja jonë është me përballje.
Nuk mund të tërhiqemi ne.
Jo, kjo është prova jonë e madhe.
Përsëri, besimi i shqiptarëve është tek ne, se në qoftë se nuk do na shihte për të qenë, nuk do na votonte fare, do na shuante.
Por a kemi bërë ne përpjekjen finale për rrëzimin e tij?
Jo, nuk e kemi bërë.
Ne kemi bërë shumë protesta.
Mirë kemi bërë, kemi treguar, të themi, muskuj.
Kemi bërë lëvizje, por nuk ishin ato që mund të rrëzonin Edi Ramën.
Jo, Edi Ramën e rrëzon ajo lëvizje që ngjit aty dhe nuk shqitet më.
Ajo lëvizje.
Dhe ne do e bëjmë atë lëvizje.
Ne do ta kemi shumë të qartë.
Edi Ramën e rrëzon ajo lëvizje që diversifikohet me greva, me protesta, me demonstrata, me greva urie, me të gjitha format.
Tani jemi në të drejtën e Zotit.
Tani kemi ligjin ndërkombëtar që thotë se zgjedhjet i ka dhunuar.
Kemi ligjin kombëtar që thotë se zgjedhjet i bëri farsë.
Kemi përpjekjet e tij të çmendura për të kontrolluar gjithçka në këtë vend.
Dhe së fundmi, peng i Lubi Ballukut.
Është peng.
E dëgjuat ju dje një dosje tjetër që doli?
A e dini se çfarë është ajo?
Ajo është dosja më e pashembullt në historinë e një shteti.
A mund të imagjinoni ju, një agjenci kombëtare që varet direkt nga Këshilli i Ministrave? AKSHI është agjenci e Këshillit të Ministrave, ku në një hark kohor 6-mujor të merren peng një biznesmen dhe një ish-zyrtar.
Të merret peng ish-ortaku i baxhanakut, i kunatit të Linda Ramës, të Linda Ramës, dhe asnjë prej nesh të mos dijë asnjë fjalë se është marrë peng.
Të mos ketë asnjë njoftim. Asnjë njohuri.
Marrë peng në bashkëpunim me policinë, dërguan në bodrumet e kriminelit Suel Çela, torturuar gjer për vdekje, urdhëruar që brenda orësh të tërheqë të gjithë ankesat për tenderat e Spakut, dhe lëshuar në një pyll, gjysmë i gjallë dhe gjysmë i vdekur, dhe përfundon në Gjermani ku rrëfen të gjithë të vërtetën e AKSHI-t, krenarisë së Edi Ramës.
Fatmirësisht, prokuroria gjermane i sjell të dhënat, se ajo ishte ngjarje nga më tronditëset.
Prisni, tre muaj pas këtij, po këtë nuk e mori vesh, kaq sekret… po pse kaq sekret?
Se në krye të policisë është një kriminel më i keq se çdo kriminel tjetër në Shqipëri dhe ky e ka emrin Ilirjan Proda.
Edi Rama për të ka hequr dy ministra, ta dini këtë dhe ta dinë shqiptarët.
I ka hequr se u ka thënë, ju nuk keni asnjë punë për policinë, ata pra kishin çelësat e kashtës. Haptas, se kemi Prodën aty. Një kriminel.
Një javë më parë, ta dinë shqiptarët, një Igli Haxhiaj, një oficer i antiterrorit, ka dëshmuar se të gjitha që kam bërë, i kam bërë me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të policisë.
Dalim pak tek pengu tjetër i kopshtit privat të Edi Ramës.
Pengu tjetër, Daniel Shima, ish-zëvendësdrejtor i përgjithshëm i AKSHI-t, sipërmarrjes familjare të Edi Ramës.
Danielin, shkon kjo Mirlinda në Skap, e pyesin nja shtatë-tetë orë, ka mundësi të ketë dekonspiruar ndonjë, nuk kam të dhëna, por sa del nga Skapi, drejt e në zyrë firmos shkarkimin e Danielit.
Danieli del në punë të vet, një ditë prej ditësh e rrëmbejnë në mes të bulevardit, me të njëjtën skemë, me skemën që u rrëmbye Gerondi.
E rrëmbejnë dhe e marrin, atë e shpëtoi Zoti se bëri një mesazh, që më rrëmbyen njerëz me uniformë, megjithatë e marrin dhe e çojnë në bodrumet e Suelit, Sueli e bën për vdekje, kthehet dhe shkon në shtëpi dhe gjer sot nuk ka një njeri të ketë folur me të një fjalë, as polic, as prokuror, askush.
Pse? Sepse krimi shtë kryer nga familja.
Sepse Ergys Agasi është organizatori.
Ergys Agasi, siç organizoi rrëmbimin e Gerondit, organizoi rrëmbimin e këtij tjetrit.
Çfarë do bëjmë ne?
Do presim të rrëmbejë një nga një njerëzit ky?
Jo, absolutisht.
Tani është fundi.
Miqtë e mi, të gjitha këto na faktojnë se në çfarë situate jemi, sa e rrezikshme është, duhet ta pranojmë, është e rrezikshme situata, por për të gjithë ata idealistë, ata guximtarë, që duan të kontribuojnë për veten, fëmijët, të ardhmen e tyre, ka vetëm një rrugë, përballja gjer në fitore me këtë kalbësirë, të aftë të kryejë çdo krim.
Të aftë të marrë çdo vendim.
Të aftë të bëjë gjithçka për të mbijetuar.
Ndaj dhe të nderuar anëtare dhe anëtarë të Këshillit Kombëtar.
Në qoftë se ndonjëherë ka qenë ora e thirrjes për ne, kjo është ora e thirrjes për çdo idealist, për çdo atdhetar, për çdo shqiptar.
U tejkalua çdo lloj vije, çdo lloj standardi.
Ish-koordinatori për banda i Edi Ramës, merr peng për t’i hapur rrugën kunatit të familjes.
Nuk shkohet më tutje, do qëndrojmë tek këto.
Se ju kudo që shkoni, këta nuk bëjnë gjë tjetër veçse vjedhin pasuritë e qytetarëve.
Ndaj dhe thirrja ime është të spostohemi në një orbitë të re.
Po, kërkohet të operojmë në një orbitë të re.
Dhe kjo është orbita e përballjes me këtë regjim.
Është thirrje për çdo njërin prej nesh për guxim, për kreativitet, për të gjitha format e rezistencës dhe lëvizjes, dhe u garantoj se në mënyrën më të pashmangshme, fitorja është e PD, fitorja është e opozitës, fitorja është e shqiptarëve.
Asgjë nuk do na ndalë ne pa rikthyer Kushtetutën, ligjin, të drejtat e shqiptarëve për votën e lirë dhe ndëshkuar këtë organizatë kriminale, të papërmbajtur në vjedhjen e shqiptarëve.
Ju e morët vesh, na thoni tani këtu, prokuroria dërgon në parlament kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Lubisë.
Prisni. Prokuroria ka dërguar me qindra dokumente, ligji dhe vetë prokurori, ato ua adreson si kryetarit dhe çdo deputeti të parlamentit.
Edi Rama urdhëron Niko Peleshin dhe ai i ndryn në kasafortë, fillimisht i mashtron, u thotë përfaqësuesve tanë se e ka kërkuar prokurori. Sigurisht se ato janë sekret, por nuk mund të jenë kurrë për anëtarët e Këshillit të Mandateve.
Po pse janë sekret?
Se aty del Rama.
Se aty del Rama me të gjithë porositë e tij.
Se ata kaluan nga tuneli i Llogarasë, tek lotet.
Tek lotet është Rama me mesazhet.
Plus që janë filmime të tjera, fjalë të tjera.
Ju e shihni se ata janë një grup llumi, që vetëm zyrtarë nuk mund të quhen ata.
Dhe tani kërkojnë t’i fshehin.
Na thoni ju, çfarë duhet të bëjmë ne?
Si mund t’u mbahet deputetëve dokumentet, vetëm e vetëm se Edi Rama është i zhytur gjer në veshë.
Kështu që jemi pra… shikoni çfarë akti provokativ. Rrezikohet të mos na japin dokumentet.
Duan t’i mbajnë duke fshehur vjedhjet.
Duan t’i mbajnë duke fshehur krimin.
Atëherë është populli, janë qytetarët që duhet të flasin.
Ose të shtrijmë qafën, po jo kurrë nuk e bëjmë atë.
Ndaj, të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar, këto ditë që kanë mbetur, jeni të lutur, u kërkoj të angazhoheni në takime intensive me qytetarët.
Është koha e guximtarëve, mos e harroni këtë.
Dhe çdonjëri që thotë se si t’ia bëjmë se ky nuk po më vjen, i them në radhë të parë hajde ti vetë, jep shembull personal, ai që nuk vjen, lëre mënjanë, shko gjej tjetrin që vjen.
Është koha e guximtarëve.
Mos harroni se kjo qeveria nuk u reziston kurrë 3 mijë apo 5 mijë burrave dhe grave, djemve që vendosin të zënë sheshin para kryeministrit dhe të mos e lëshojnë atë gjer sa të ikë ky.
Ata që i rrëzuan, i kanë rrëzuar autokratët, por i kanë rrëzuar me protesta të qëndrueshme.
Tani, kemi bërë çdo gjë, nuk ka qenë e lehtë, ka qenë shumë e vështirë. Imagjinoni ju lobingjet e Mogherinave kundër nesh, imagjinoni ju se çfarë efekti kanë patur.
Por një mirënjohje të pakufishme ndaj partive simotra, të cilat e kuptuan se qëndrimi ndaj PD ishte i pabazuar dhe nga tetori i vitit 2024, gjer më 5 dhjetor, kanë miratuar 7 rezoluta në mbështetjen tonë.
Natyrisht janë mbështetje e fuqishme, por ato janë letër në qoftë se ne nuk ngrihemi.
Agjenda jonë duhet të jetë protestë, protestë dhe vetëm protestë.
Në të gjitha format.
Kudo. Brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Degët tona, kudo që janë, do të angazhohen në protesta të fuqishme kundër këtij regjimi, pranë organizatave ndërkombëtare.
Protesta të fuqishme kundër kleptokracisë dhe narkoshtetit shqiptar.
Edi Rama i ka kohërat e numëruara.
Forcë në botë që ta shpëtojë nga PD dhe opozita shqiptare nuk ka.

