Berisha në Elbasan: Rama dhe Soros donin Shqipëri pa opozitë, por ne qëndruam të pamposhtur. T’i përvishemi dhëmb për dhëmb Ramës, revoltë deri në fitore dhe përmbysje të regjimit

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË FOLTOREN E ELBASANIT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, duke folur në Foltoren e Elbasanit e ka e quajtur këtë ditë si ‘një derë të re shprese për Shqipërinë’, duke rikujtuar rolin historik të qytetit në rezistencën kundër diktaturës, ai vlerësoi guximin e elbasanllinjve të dhjetorit 1990, të cilët, sipas tij, ‘as tanket, as autoblindat nuk i mposhtën’, duke e cilësuar këtë si themel të lirisë moderne shqiptare. Berisha nderoi themeluesit e PD-së në qytet dhe e lidhi atë histori me betejën aktuale politike, duke theksuar se Elbasani ‘vuri njerëzit mbi gurin e themelit të PD-së’.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati foli gjerësisht për atë që e quajti agresion të jashtëzakonshëm ndaj opozitës gjatë viteve të fundit. Berisha deklaroi se ‘Shqipëria pa opozitë ishte vendim makabër i Edi Ramës dhe George Soros’, duke shtuar se një operacion i gjerë politik dhe ndërkombëtar ishte angazhuar për të goditur Partinë Demokratike.

Ai solli në vëmendje një episod diplomatik, ku një ambasador i njohur, sipas tij, i kishte thënë ish-ambasadores amerikane Yuri Kim se ‘nuk keni absolutisht asnjë fakt’ për sanksionimin e tij, duke e akuzuar diplomaten se ‘e bëtë këtë për të ndihmuar qeverinë dhe për të goditur opozitën’. Berisha tha se opozita u përball me një përpjekje të mirëorganizuar për ta dobësuar, për ta përçarë dhe për ta zëvendësuar, por sipas tij dështuan, sepse ‘historia jonë mund të përmblidhet me një fjalë: të pamposhtur’.

Lideri i demokratëve Sali Berisha e përqendroi fjalën e tij, zgjedhjet e 11 majit 2025-s, të cilat i cilësoi si farsë të përgatitur nga shteti dhe qeveria. Ai tha se ‘me Edi Ramën zgjedhje nuk ka, asnjëherë’, duke argumentuar se procesi u manipulua në çdo fazë të tij. Sipas tij, qeveria ndërhyri masivisht në zgjedhje përmes ‘mobilizimit të të gjitha burimeve të shtetit’, duke përmendur shifrën 4530 aktivitete shtetërore në periudhë të ndaluar me ligj për fushatë.

Ai akuzoi qeverinë se në mes të fushatës ‘shpërndanë 100 euro për 760 mijë pensionistë’, falën gjoba dhe kamatëvonesat që sipas tij ‘tani rezultojnë 2 miliardë euro’, si dhe licencuan ‘28,000 hektarë drogë’. Nga ana tjetër, Berisha theksoi se opozita u godit gjithashtu me arrestime politike: ‘të paktën 20 drejtues zgjedhorë u arrestuan pa asnjë faj’, ndërsa persona të armatosur me ‘rekorde kriminale çnjerëzore’ u përdorën për të frikësuar anëtarësinë dhe për të ndikuar votën.

Kryetari i PD-së Sali Berisha, theksoi punën e bërë nga strukturat e PD-së për dokumentimin e parregullsive dhe e cilësoi këtë dokumentim si themelor për ta bërë të qartë përpara çdo institucioni publik dhe ndërkombëtar se zgjedhjet ‘nuk ishin zgjedhje, por një krim politik, moral dhe juridik’. Ai përmendi raportin e OSBE/ODIHR-it të 12 nëntorit, të cilin e quajti ‘më të keqin që është shkruar ndonjëherë’, duke thënë se ai raport denoncon qartë bashkimin e paligjshëm të partisë me shtetin. Në të njëjtën linjë, ai citon edhe raportin e Këshillit të Europës, ku sipas Berishës thuhet se ‘duhet të ndahet partia nga shteti’. Ai shtoi se edhe deputetë të Parlamentit Europian kanë shprehur shqetësim për praninë e krimit të organizuar në zgjedhjet shqiptare, duke theksuar: ‘U tha hapur se në Shqipëri krimi i organizuar nuk lejon rotacionin e pushtetit.’

Kryedemokrati Sali Berisha, deklaroi se, Shqipëria ndodhet sot ‘në një nga momentet më kritike të historisë sonë’ dhe se pa votë të lirë ‘ne të ardhme s’kemi’. Ai tha se që në 2013-n ‘installoi i njëjti djall e njëjta makineri’ e shkrirjes së shtetit me partinë, duke e kthyer Shqipërinë në ‘një narkoshtet’. Sipas tij, nëse nuk ndryshohet kursi, farsa zgjedhore vetëm do të thellohet dhe vendi do të rrëshqasë ‘në një batak ku shpresa zbehet dhe besimi zëvendësohet nga dëshpërimi’.

Gjatë fjalës së mbajtur në Foltoren e Elbasanit, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha bëri thirrje për mobilizim të plotë qytetar dhe politik. Ai deklaroi se përgjigjja e vetme përballë një regjimi të tillë është rezistenca e pakompromis: ‘Përpjekja jonë duhet të jetë një dhe vetëm një: t’i përvishemi dhëmb për dhëmb Edi Ramës. Revoltë, revoltë, revoltë deri në fitore.’

Lideri i demokratëve Sali Berisha paralajmëroi gjithashtu një përballje të ashpër kundër ligjit të ri për Gjininë, të cilin e quajti ‘ligj stalinist’, dhe theksoi se momenti i tanishëm kërkon vendime të mëdha: ‘Tani është radha jonë, të përgatitemi për revoltat më të fuqishme gjer në përmbysjen e regjimit.’

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, ju qytetarë dhe qytetarëve të Elbasanit, në Elbasan dhe kudo që janë sonte.

Dhe një ndjesë për vonesën, por atë avantazh që krijoi tuneli që bashkoi Elbasanin me Tiranën, e humbet, e zhduk mungesa e bypass-it që duhet të ishte vepra e parë që duhet të ndërtohej pas tunelit të Elbasanit.

Sonte është një ditë e veçantë në historinë e demokracisë, në historinë e lirisë së shqiptarëve. Revolta e qytetarëve të Elbasanit 35 vjet më parë në qytet, në kombinatin metalurgjik, revoltë në të cilën as tanket, as autoblindat dhe asgjë nuk mposhtën burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat guximtarë, por përkundrazi data 12 gjer në 14 u shndërrua në një arenë të madhe përleshjesh, në të cilat regjimi shpalosi të gjithë dhunën e tij, por Elbasanin dhe elbasanllijtë nuk i mposhti.

Dua të shpreh nderim më të madh për të gjithë ata guximtarë që në fakt me guximin e tyre themeluan këtu në Elbasan Partinë Demokratike të Shqipërisë.

Të dashur miq, vitet e fundit siç jeni vetë në dijeni, ishin vitet më të vështira.

Ishin një kalvar i paparë në historinë e Europës, që forca jonë politike, forcë e lirive dhe dinjitetit njerëzor, forcë e vokacionit e shpirtit perëndimor të kombit tonë, forcë e interesit kombëtar të shqiptarëve, forcë e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe NATO, u përball me një agresion si asnjë forcë tjetër politike, me qëllimin e vetëm Shqipëria pa opozitë. Sepse pasardhësi i xhelatit të intelektualëve shqiptarë, Kristaq Rama, kërkon një Shqipëri si etërit e tij.

Shqipëria pa opozitë apo me një fals opozitë ishte një vendim makabër jo vetëm i Edi Ramës, por dhe i George Soros dhe mafies ndërkombëtare.

Mirëpo ne demokratët jemi njerëz të idealeve.

Në 1990-ën ne u ngritëm për idealet e lirisë.

Në 1990-ën ne u ngritëm për interesin kombëtar.

Ne u ngritëm për integrimin e Shqipërisë në Europë.

U ngritëm pra për besimin tek Zoti, tek familja, dhe këto vlera janë sa hyjnore, aq dhe tokësore.

Është një krim i shëmtuar të sulmosh një forcë politike që u përmbahet parimeve më të larta njerëzore. Por kjo ndodhi.

Çfarë nuk u bë ndaj nesh.

Do të citoj këtu një diplomat të shquar, i cili u ftuar nga Yuri Kim, pas sanksionimit tim, 4 ambasadorët kryesorë dhe ajo kërkon që të solidarizohej me vendimin tonë, të diktuar nga lobimi korruptiv i Edi Ramës dhe George Soros.

Ky diplomat i thotë jo. Nuk solidarizohem. Pse i pyet ajo? Nuk solidarizohem, thotë, së pari, sepse ju nuk na pyetët kur e morët këtë vendim.

Së dyti, se nuk keni absolutisht asnjë fakt. Jo tha, kemi, jo s’keni. Edhe në mënyrë asgjësuese, në prani të 4 të tjerëve i tha, jo s’keni asnjë fakt. Por tha, ju ja ktheu, por më e keqja dhe që s’e pranojmë ne kurrë, se ju e bëtë këtë për të ndihmuar qeverinë dhe godit opozitën.

Dhe ne besojmë që vendi duhet të ketë qeveri dhe opozitë, dhe jo vetëm qeveri.

E vërteta është se kjo platformë u zbatua në mënyrën më të pamëshirshme mbi ju, mbi demokratët që guxuan edhe njëherë të ngriheshin me forcën më të madhe ndaj kësaj padrejtësie që nuk kishte përjetuar ndonjë forcë politike në histori.

Vazhduan të na rrëmbenin emrin, të na rrëmbenin flamurin. Dështuan se qëndruam. Dështuan se nuk u dorëzuam. Na përçanë, u bashkuam.

Janë të vërteta këto.

Pse po ndalem këtu në këtë histori? Po. Ne kemi një histori. Dhe historia jonë po të përmblidhet me një fjalë, është; Të pamposhtur.

Të pamposhtur.

Të pamposhtur.

E faktuam ne këtë. E kemi faktuar ne këtë. Erdhën zgjedhjet.

Miq, për çdo demokrate e demokrat, çdo qytetar dhe qytetare mbështetës të Partisë Demokratike dhe opozitës, kam vetëm një lutje: Sali Berisha në mënyrën më të përsëritur, jo një herë, po dhjetëra e dhjetëra herë, ju ka deklaruar dy gjëra.

Me Edi Ramën zgjedhje nuk ka.

Asnjëherë.

Me Edi Ramën zgjedhje nuk ka.

Sikundër zotimi im solem se, do të mbroj votën tuaj. Se cilat ishin zgjedhjet, ftoj çdo votues, çdo zgjedhës të këtij qyteti të bekuar dhe të këtij rrethi, të pyesë veten kaq: A mund të quhen zgjedhje ato në të cilat shteti mobilizon të gjitha burimet, potencialin e saj në garë elektorale.

A mund të quhen zgjedhje ato kur shteti organizon për të ndikuar tek qytetarët në votën e tyre, në periudhë të ndaluar me ligj, 4530 aktivitete. Të gjitha me paratë e taksapaguesve, përfshi këtu ditën e votimit ‘Giro D’Italia’ me 7 milionë euro. Organizatë private.

A mund të quhen zgjedhje ato në të cilat i biri i Kristaq Ramës që firmosi varjen në litar të poetit disident, arrestoi në vitin zgjedhor si persona nën hetim pa asnjë akuzë, kryetarët e dy partive kryesore opozitare dhe të partisë së tretë e vuri në ndjekje penale, për një çështje që ishte gjykuar e rigjykuar 15 vite më parë.

Pra nëqoftëse ti një opozitë e merr të dekapituar dhe e çon në zgjedhje, a mund të imagjinohet të flitet për zgjedhje.

A mund të quhen zgjedhje ato në të cilat nga paratë tuaja të taksapaguesve për të blerë votat shpërndanë, shpërndanë 100 euro për 760 mijë pensionistë në mes të fushatës.

A mund të quhen zgjedhje ato në të cilat për të rrëmbyer votat, fal të gjitha gjobat dhe kamatat, të cilat tani faktohet se ishin 2 miliardë euro.

Tani faktohet, se atëherë nuk, nuk e dinim dhe thoja 200 milionë. Jo, dalin 2 miliardë. Dhe përfitonin 205,000 biznese, nga të cilat 84,000 aktive.

Dhe kjo bëhej dy ditë para votimit.

A mund të quhen zgjedhje, zgjedhje të cilat Edi Rama, punonjësit që ne paguajmë me taksat tona, i shndërron në polici elektorale, në terroristë elektoralë.

Gjithçka që po them është e sanksionuar në raportet ndërkombëtare. Dhjetëra mijëra punonjës, presione nga më të ndryshmet.

A mund të quhen zgjedhje kur qeveria përdor të gjithë forcën e ekzekutivit, me dhjetëra mijëra punësime të përkohshme, leje ndërtimi, certifikata pronësie, leje legalizimi e etj., e etj., për të marrë votat.

A mund të quhen zgjedhje kur qeveria, kur qeveria, licencon mbjelljen e 28,000 hektarëve drogë. Në një kohë kur, sipas terrenit, një bimë kanabis vlerësohet 1000 euro. A mund të quhen zgjedhje?

Ju them një gjë miq, për një komb, asgjë në botë nuk ka më serioze sesa votimi, sesa zgjedhjet. Nuk ka asnjë proces tjetër të përcaktojë fatin e tij, siç përcaktojnë zgjedhjet, prandaj dhe po ndalem.

A mund të quhen, pra zgjedhje, ndërsimi e karteleve të drogës në Durrës Troplinët, në Elbasan Çelët, në Shkodër Bajrët, me miliardat e tyre.

Po bisedoja para dy muajsh, erdhi një delegacion parlamentar europian. Tetë deputetë të parlamentit europian. Njëri prej tyre, socialist, italian, gazetar i shquar, sepse e njihja.

Dhe natyrisht si i majtë, kjo nuk ishte muzika që i pëlqente shumë. Por në një moment, i them, zotëri; droga i them është fuqi e jashtëzakonshme.

Më pa dhe shtangu. Po më thuaj ti pak, i them, një njeri anonim që unë ja kam mësuar emrin para tre muajsh dhe ti s’ia ke dëgjuar ndonjëherë, me 6 miliardë euro nëpër banka, a mund ta imagjinosh ti fuqinë e verbër të tij?

Ngeli, shtangu. Pra, pse u ndalën këto?

Demokratë e demokratë, Edi Rama kurrë nuk fitoi zgjedhjet. Kurrë! Në mënyrë absolute, i rrëmbeu me dhunë, me forcë, me të gjithë forcën e shtetit, me të gjitha mjetet e ligjshme dhe të paligjshme. A ka gjë të re këtu? Jo, për mua nuk ka.

Unë kisha deklaruar në mënyrë të përsëritur se me këtë nuk bën zgjedhje, s’kemi zgjedhje. Por kisha bërë një zotim tjetër; Do mbroj votën tuaj. E kisha bërë një herë unë këtë, mbrojtjen e votës në 2001-shin. Ju kujtohet ju. Një betejë shumë e vështirë është ajo. E njihja si është.

Edhe në 2021-shin i mori zgjedhjet, ndonëse as nuk arrestoi drejtuesit e opozitës, nuk bëri amnisti me 2 miliardë euro e të tjera, po prapë me aq sa dha, i grabiti zgjedhjet.

Dhe shkruajta të pasnesërmen artikullin; Vota vdiq pa hyrë në kuti.

Dhe i kërkova kryetarit të asaj kohe, tani thashë, të mbrojmë votën. Të mbledhim çdo fakt, dokument, dhe i tregova të gjithë rrugën që do ndiqnim për të mbrojtur votën.

Ai u mor me gjëra të tjera dhe iku ajo.

Tani, po. Ishim zotuar se do mbrojmë votën. Këtë e bëmë. Këtë e bëmë në të gjithë Shqipërinë. E bëmë këtu në Elbasan dhe unë ju jam mirënjohës shumë demokratëve të Elbasanit, drejtuesve, deputetëve, për punën që bënë, për dokumentet që sollën, për dokumentimet që i bënë dhunimit masiv të votës. Dhe kjo ishte shumë e rëndësishme.

Kjo punë, kjo platformë, ky përkushtim bëri që me datën 12 nëntor, raporti i vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it, Këshillit të Europës, Parlamentit Europian, të ishte më i keqi që ishte shkrojtur dhe publikuar ndonjëherë.

Çfarë ndodhi? Që duhet t’i dini këto, se jemi në një prag, moment shumë të rëndësishëm si parti. Edi Rama thërret në zyrë dhe kërcënon si bandit drejtuesin e vëzhguesve. Do mi faktosh ti ato thotë, se përndryshe këto e këto e këto. Burrë fisnik, njeri me integritet të lartë.

Ai sigurisht, mbeti, të themi i tronditur dhe i habitur se si mundet një kryeministër të sillet në këtë mënyrë. Por, natyrisht, e morëm vesh që është sjellë në këtë mënyrë.

Ministri i tij i Jashtëm merr vëzhguesin në telefon thotë, do t’ju përzëmë, do t’ju heqim akreditimin për ato që keni shkrojtur.

O do i faktoni, o këto e këto pasoja.

Të dashur miq, është bërë një betejë nga më të ashprat, nga më të vështirat, gjatë gjithë verës, çdo ditë për të mbrojtur votën.

Çdo ditë janë paraqitur dokumentet më të pakundërshtueshme para shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, që faktonin dhunimin e votës.

Edi Rama përdori dhjetëra e dhjetëra milionë euro, përdori të gjitha lidhjet e tij, të gjitha lobimet e tij të ndryshonte raportin, të mos botohej raporti. Raporti u vonua si kurrë ndonjëherë, një muaj e gjysëm. Ndërhyrje nga më të fuqishmet.

Mogherinëra stër Mogherinera e të tjerë, e të tjerë. Por raporti u publikua. Raporti doli.

Raporti tregoi se zgjedhjet kanë qenë farsë elektorale.

Do t’ju jap vetëm një fjali.

Në Këshillin e Europës, raporti i Këshillit të Europës, deputetët e Këshillit të Europës ishte në Shqipëri, u redaktua, u redaktua, u redaktua, por ai që e redaktoi, e bëri këtë, përsëri njeri me karakter, ai në fund bën një rekomandim: Në Shqipëri duhet të ndahet partia nga shteti.

Domethënë, në Shqipëri s’kishte zgjedhje midis partive, po shteti ishte në një anë dhe pastaj partitë e tjera në anën tjetër.

Pra, në Shqipëri u zhvilluan zgjedhje njëlloj siç zhvilloheshin në diktaturë autoritare, se në totalitar nuk ka parti, ku shteti përdor gjithçka kundra atyre partive që dalin në fushë në një farsë elektorale.

Ose, një citim tjetër, në Parlamentin Europian, në tempullin e demokracisë, një nga deputetët më të shquar të atij parlamenti, do të deklaronte se në Shqipëri, krimi i organizuar nuk lejon rotacionin e pushtetit.

Pse u ndala në këto unë? U ndala këto sepse tani jemi në një nga momentet më kritike të historisë sonë.

Si njerëz politikë, ne duhet të realizojmë se pa votë të lirë ne të ardhme s’kemi. Absolutisht.

Ne jemi njerëz edhe me eksperiencën tonë, edhe me njohuritë tona, me leximet tona, ne e dimë që farsa, jo që nuk zbutet, por shkon duke u thelluar.

Në këtë farsë Edi Rama fitoi 52, në tjetrën do të fitojë 63. Nuk do japë më 100 euro, do japë 200 euro. Ne nuk kemi ç’t’i bëjmë. Kur po hyjmë në zgjedhje, s’kemi ç’t’i bëjmë.

Por ne duhet të betohemi, duhet të zotohemi, të bëjmë atë që bënë 35 vite më parë, djemtë, vajzat, gratë, burrat, guximtarët e Elbasanit, u përleshën dhëmb për dhëmb me diktaturën.

Çfarë na shërben ne, do thoni ju, ky raport?

Ka shërbimin më të madh. Sepse çdo përpjekje e jona është e ligjshme. Sepse çdo zë i ynë është i fuqishëm. Sepse çdo gjë që të bëjmë për votën e lirë, do dëgjohemi në gjithë botën.

Mos harroni një gjë. Dy vite më parë na izoluan në thellësitë më të mëdha.

Nga tetori i vitit 2024 gjer në 5 dhjetor të 2025, në 14 muaj, janë 7 rezoluta botërore të cilat sanksionojnë një për një të gjitha këto që ne themi këtu.

A duhet të them me këtë unë se, ne nuk duhet të analizojmë veten tonë?

Jo, absolutisht. Jo. Përkundrazi, ne duhet të analizojmë, ne duhet të jemi krenarë me ato që arritëm, por duhet të analizojmë gjer në nji problemet që patëm gjatë këtyre zgjedhjeve.

Jo se ne do fitonim zgjedhjet. Në kushte të partisë-shtet, zgjedhjet nuk fitohen. Askush nuk duhet të jetë naiv. Sepse me 2 miliardë euro, rrëzon një mal. Sepse me 100 euro për 60% të zgjedhësve, nuk kapërcehen.

Dhe çdo përpjekje e jona në këtë drejtim do të jetë vetëshkatërruese për ne. Do të jetë vetëshkatërrim. Përpjekja jonë duhet të jetë një dhe vetëm një, T’i përvishemi dhëmb për dhëmb Edi Ramës. Revoltë, revoltë, revoltë deri në fitore.

Tani fushën e kemi të hapur. Tani është radha jonë.

Tani është radha jonë dhe nuk e humbasim kurrë këtë radhë.

Nuk është puna këtu as për pushtetin e këtij apo të atij. Por është puna për ekzistencën e këtij kombi.

Në tërë historinë e tij nuk ka ndodhur kurrë që në 10 vite të ketë humbur 45% të popullatës. Nuk ka ndodhur kurrë që në 10 vite të ecim mbrapa 100 vite.

Sot ne kemi atë tregues lindshmërie që kishim 100 vite më parë.

Nga viti 2018, kemi vdekjet shumë më të larta se lindjet. Dhe në qoftë se ecim në këtë mënyrë, këtë që pësuam për 10 vite, ju garantoj që pas 50 vitesh, ky vend s’do të jetë më i shqiptarëve. Se çfarë do ketë këtu, ne e kemi të vështirë ta marrim me mend, por shqiptarë këtu do mbeten ekzotikë, sporadikë.

Pra, këtu kemi të bëjmë me një betejë për ekzistencën e kombit.

Kemi të bëjmë me një betejë për shpëtimin e familjes.

Miqtë e mi, ligji i ri është ligji jo vetëm i shkonfigurimit të gjinisë njerëzore, por është ligji i ekstremizmit të majtë, i ekstremit të majtë. Prej shekujsh, një nga arritjet më të mëdha të njeriut ka qenë prezumimi i pafajësisë.

Domethënë, gjersa të dënohesh je i pafajshëm. Ky ligj të bën fajshëm sapo të vjen dikush e të thotë, më diskriminove. Dhe duhet ti të dëshmosh që nuk e ke diskriminuar.

Është ligji më stalinist, më ekstremist që mund të jetë. Dhe këtë e votoi Edi Rama.

Është ligji i censurës.

Sepse në qoftë se, prindi i flet fëmijës për gjininë, siç ia ka lindë Zoti.

Në qoftë se prifti predikon për gjininë sipas Biblës.

Në qoftë se hoxha flet për gjininë sipas Kuranit, dënohet.

Dënohet sepse ligji nuk i pranon ato, ligji i dënon ato. Ky ligj që u kalua para një muaji.

Pra është një betejë kjo ekzistenciale për ne.

Ndaj dhe jam këtu sot për t’u bërë thirrje ju, për t’u bërë thirrje qytetarëve të këtij qarku dhe mbarë shqiptarëve, që të përgatitemi për revoltat më të fuqishme që ka njohur vendi.

Midis nesh ka njerëz të lodhur, e kuptojmë. Ka njerëz të mërzitur, e kuptojmë. Ka njerëz të zhgënjyer, kjo është e vërtetë. Ka njerëz të pakënaqur, kjo është e vërtetë. Ka njerëz që kanë kontrata me qeverinë, kjo është e vërtetë. Ka njerëz që kanë favore nga qeveria, kjo është e vërtetë.

Prapë jam shumë optimist, se përsëri kam bindjen më të thellë se, ka mijëra e mijëra idealistë, të cilët idealin e lirisë dhe dinjitetit njerëzor, të familjes dhe të Shqipërisë, të kombit shqiptar, e kanë më epror se çdo gjë tjetër.

Ndaj dhe ne do të nisim një betejë, në të cilën nuk ndalemi më gjerë në fitoren, gjerë në përmbysjen e këtij regjimi dhe fitoren e merituar të Partisë Demokratike.

Faleminderit.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale