PRONONCIM PËR MEDIA KRYETARI I PD, SALI BERISHA NË PËRFUNDIM TË CEREMONISË PËRKUJTIMORE TË 2 PRILLIT NË SHKODËR
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një prononcimi për media në përfundim të ceremonisë përkujtimore të 2 Prillit në Shkodër, e cilësoi këtë datë si një moment kyç në historinë e vendit, duke nderuar të rinjtë e vrarë si engjëj të demokracisë dhe duke theksuar se sakrifica e tyre çoi në rrëzimin e diktaturës.
Berisha deklaroi se sot sfida kryesore mbetet rikthimi i votës së lirë, duke akuzuar Ramën si armik të votës dhe pasurive të shqiptarëve. Lideri demokrat paralajmëroi vazhdimin e protestave, duke i cilësuar si një kryengritje paqësore që do të vijojë deri në arritjen e qëllimeve.
I pyetur për strategjinë, Berisha tha se protestat kanë ruajtur dinjitetin qytetar dhe do të vazhdojnë me qëndrueshmëri. Ai akuzoi qeverinë për kufizim të opozitës në parlament dhe për pengim të integrimit europian.
Në lidhje me sigurinë, Berisha komentoi paralajmërimet e ambasadës amerikane, duke kërkuar angazhim më të madh nga NATO për mbrojtjen ajrore të Shqipërisë, ndërsa theksoi se rendi i brendshëm duhet garantuar nga institucionet vendase.
Sa i përket zhvillimeve politike, Kryetari i PD, Sali Berisha tha se përplasjet Brenda PD janë raste individuale, duke theksuar se partia po forcohet. Gjithashtu, hodhi poshtë pretendimet për forcimin e socialistëve në Shkodër, duke u shprehur i bindur për dobësinë e tyre në zgjedhjet e ardhshme.
PRONONCIMI I PLOTË
Sot është një ditë e shënuar për Shkodrën dhe mbarë Shqipërinë.
35 vite më parë, engjëjt e demokracisë, siç u quajtën në atë kohë të rinjtë shqiptarë në misionin e tyre, u flijuan në këtë shesh nga një barbari e vërtetë e regjimit në një protestë paqësore, më civilen, më të qytetëruarën që mund të bëhej.
Edhe njëherë theksoj se martirizimi i tyre u bë dritë dhe unë garantoj shqiptarët se ajo sakrificë ishte përcaktuese për zgjedhjet e mëpasme me të cilat ne përmbysëm diktaturën.
Por sot, nderimi i tyre më i mirë është të përmbushim misionin e rikthimit të votës së lirë të shqiptarëve.
Sot kemi një armik të egër, të shumëfishtë të shqiptarëve, një armik të votës së lirë, një armik të qenies së tyre kombëtare, një armik të pasurive të tyre.
Sot çdo shqiptar ka një motiv shumë të fuqishëm të ngrihet për përmbysjen e tij.
PD është e vendosur të vazhdojë këtë betejë gjer në përmbysjen e misionit të saj.
Gazetarët: Edhe sa protesta të tjera duhet të presin shqiptarët për ta rrëzuar? Më 17 prill ju keni lajmëruar protestën tjetër, por duket se Rama nuk bën hapa pas përtej asaj që keni deklaruar ju në këto protesta?
Sali Berisha: Kryengritja paqësore nuk është një ndeshje futbolli që mbaron brenda një afati, të gjithë do donim të ishte e tillë, por që në momentin që thuhet kryengritje paqësore, vetëkuptohet që ajo është një lëvizje e qëndrueshme dhe vazhdon gjer në realizimin e qëllimeve.
Gazetarët: A duhet ndërruar strategjia z. Berisha?
Sali Berisha: Prit se duhet të bëj transparencë para jush. Ju mund të thoni se çfarë bënë këto protesta? Këto protesta mbrojtën në një moment kritik nderin dhe dinjitetin e çdo shqiptari. Mjafton të rikujtoj këtu se ka shqiptarofobë të paguar nga Edi Rama, të cilët thonë se është në genin e shqiptarëve korrupsioni dhe e thonë këtë pasi Lubi Balluku u mbrojt nga Edi Rama dhe nuk ngrihet populli.
Populli është ngritur dhe populli do ngrihet dhe populli nuk pajtohet në mënyrë absolute me qeveritarët hajdutë.
Për shqiptarët, njëlloj si për çdo komb tjetër, qeveritari që vjedh duhet hedhë në rrugë.
Për shqiptarët, njëlloj si për çdo komb tjetër, e drejta e votës duhet të jetë e paprekshme.
Ndaj dhe ne mbrojtëm dinjitetin kombëtar me protestat tona dhe kanë pasur jehonën më të jashtëzakonshme.
Dhe kanë pasur impaktin më pozitiv.
Tani, natyrisht të gjithë do donim që ato të realizonin menjëherë atë që dëshirojmë, por ajo kërkon durim, kërkon qëndresë, kërkon vazhdimësi dhe ne jemi të përcaktuar për këto. Ne nuk ndalemi pa përmbushur misionin tonë.
Gazetarët: Po strategjia?
Sali Berisha: Ku është opozita sot? Sot opozita në kushtet e shtypjes së pluralizmit nuk ka asnjë hapësirë në parlament. Edi Rama iu mohon deputetëve të opozitës çdo të drejtë kushtetuese. Sot ai ishte thirrur në interpelancë për letrën e përbashkët që kishte shkruar me Vuçiçin, një dokument antikombëtar nga më të turpshmit. Sepse ne vërtet kemi një turp kombëtar si kryeministër siç është Edi Rama, por ne si komb absolutisht nuk kemi asnjë lidhje me Rusinë, nuk jemi quajtur kurrë zonë influence e Rusisë, nuk jemi rreshtuar kurrë me rusët, i kemi pasur gjithmonë kundërshtarë dhe armiq të qenies tonë, dhe ky na barazon me Rusinë e vogël, që quhet Serbia.
Në rrafshin politik e bën këtë si argat i Vuçiçit.
Tani u thoshte studentëve se shikoni se ato fuqitë e mëdha, shtetet e mëdha, prisni se herën tjetër do u thotë fuqitë imperialiste si etërit e tyre.
Fuqitë e mëdha, ua them unë, absolutisht gjer para dosjes Balluku, e mbajtën njërin sy të mbyllur. Pas luftës në Ukrainë u vendos të përshpejtohej procesi i integrimit për vendet që kanë mbetur pa integruar.
Por edhe këtë, Edi Rama ua përplasi derën në fytyrë me dosjen e tij.
Sepse nxori Ballukun përpara me ato dhe i mbylli dyert.
I mbylli dyert sepse dosja Balluku është dosja e tij.
Është e faktuar se 60% e të gjitha të dhënave të asaj dosje, citojnë Edi Ramën.
Është e faktuar se në dosjen e AKSHI-t, Mirlinda e varfra, e gjora me katër vila, që sipas Ramës na banonte në shtëpi me qira, nuk është asgjë krahasuar me Lindën e Surrelit, me sulltaneshën e Surrelit, e cila bënte ligjin tek AKSHI dhe e ka emrin qindra herë të cituar aty.
Gazetarët: Z. Berisha, Rama sot tha se jemi më afër se kurrë BE-së, kemi mbështetjen e shteteve, por në një moment dyert mund të mbyllen dhe shkak nuk duhet të jemi ne?
Sali Berisha: Bravo, e paske kapur. Po, në pjesën e parë tha ashtu jemi, pastaj tha e kanë fuqitë e mëdha, shtetet. Edhe herën tjetër, mbaje mend këtu, do thotë ata imperialistët, gjithmonë e kanë pasur problemin me Shqipërinë.
Gazetarët: Si i shihni thirrjet e ambasadës amerikane zoti Berisha? A është e rrezikuar Shqipëria?
Sali Berisha: Thirrja që lëshon ambasada amerikane një muaj pas luftës në Gji, absolutisht nuk është pa substrat. Nuk është pa substrat, nuk mund të jetë ajo.
A është Shqipëria në një armiqësi me Iranin, kjo nuk diskutohet, nuk fshihet.
Tani cili është qëndrimi ynë? Unë i bëj thirrje Aleancës së Atlantikut të Veriut, ashtu siç po mbron Turqinë, të na garantojë mbrojtjen kundërajrore nga aktet e tyre.
Kurse për aktet e brendshme, duhet që forcat e rendit të garantojnë rendin dhe qetësinë.
Këtu është gjëja më e domosdoshme.
Por të krahasosh ato me protestat e opozitës, je i sëmurë, ke psikologjinë e Ajatollahëve.
Dhe unë u them turp të kenë që nxjerrin një vlerësim të atillë.
Nuk lëshohet një paralajmërim pa një bazë. Kjo është e sigurt.
A ka Shqipëria mbrojtje nga NATO? Po, çdo vend i NATO-s, hapësira ajrore e Shqipërisë është hapësirë e NATO-s dhe të sigurt jemi se NATO do na mbrojë.
Kjo nuk do thotë se NATO do na mbrojë në tokë, këtu duhet të jenë shqiptarët vetë që të kenë vëmendje.
Por komunikata e lëshuar nga zyra e Fugës në arrati, ju e dini se Fuga është në arrati, pra nga zyra e Fugës se këto janë si puna e atyre paralajmërimeve që lëshon për protestat e opozitës, janë krahasime mjerane.
Ata e kanë lëshuar për qytetarët amerikanë dhe kompanitë amerikane që operojnë, por nuk asnjë të keqe, secili të ketë parasysh të vazhdojmë jetën normale dhe t’i bëjmë thirrje NATO-s të përforcojë mbrojtjen e hapësirës ajrore të Shqipërisë.
Gazetarët: A duhet të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare?
Sali Berisha: Po ku është ai? Po pse Harami të mblidhet? Haram Begaj. Ç’ka të bëjë me sigurinë ai? Po le mos bëj shaka.
Gazetarët: Z. Berisha, meqenëse e përmendët z. Beci, ua kanë faturuar jo pak se e keni pasur për 10 vite si bashkëpunëtor tuajin në drejtimin e Fondit Shqiptar, madje në fushatë zoti Rama e ka përmendur jo pak herë si demokrat, siç po e shohim kohët e fundit edhe shumë të tjerë po i merr në gjirin e tij?
Sali Berisha: Tani, po më pyete për demokratët, unë të përgjigjem, po më pyete për ata që jepen me qira, unë nuk kam punë me ata. Ata qofshin.
Gazetarët: E ke dhënë me qira?
Sali Berisha: Ata japin veten me qira dhe dalin e bërtasin. Unë nuk them që nuk ka qenë, por problemi është se ai është kapur me presh në dorë duke vjedhur dhe rri e drejton bashkinë.
Po pse? Se Rama ka vjedhur 10 herë e 100 herë më shumë. Këta janë hajdutë zinxhirë që po e shndërrojnë vjedhjen në legjitimitet edhe kur dalin dokumentet e çdo gjë.
Gazetarët: Socialistët e Shkodrës kanë vendosur objektiv për zgjedhjet e ardhshme fitimin e 5 bashkive?
Sali Berisha: Çfarë flet more? Socialistët do i shohin me dylbi.
Gazetarët: A po u dëmtojnë përplasjet e brendshme në këtë betejë kundër Edi Ramës? Dje kemi parë që demokratët e disa bashkie kanë protestuar në selinë blu dhe me sa duket më shumë po rrëzoheni brenda vetes.
Sali Berisha: Absolutisht, të asnjë bashkie. Dhe të them një gjë unë ty, vetëm sa na forcojnë. Ne jemi në një fushatë të hapur anëtarësimesh dhe do mbetemi…
Gazetarët: Por edhe përjashtimesh?
Sali Berisha: Prit se do vij aty. Por me pseudo, me njerëz që jepen me qira, me ata demokratët nuk kanë punë. Tani, të them unë ty, tjetra e respektuar, shkon dhe bëhet krahu i djathtë i deputetit Tom Doshi, ajo e Elbasanit. Shihjani statusin. Dhe pastaj thotë se është demokrate. Por Toma të paktën është më i ndershëm, nuk thotë jam demokrat. Jam socialist dhe mori fund, pavarësisht se çfarë është ai. Është mafioz absolutisht po mos e diskutoni punën e tij.
Pra, këta nuk kanë gjë me demokracinë, këta përkundrazi në një kohë kur sheh këtu me qindra njerëz që sakrifikojnë… më thotë një ditë një student se pavarësisht se m’i kërcënojnë prindërit e mi, unë flas dhe dal kundër qeverisë, po ndonjë shok i imi nuk e bën këtë se ka hallin e prindërve.
Pra, demokratët nuk mund të jepen me qira, nuk mund t’i shërbejnë partisë së krimit.
Dhe absolutisht është tradhti çdo tolerancë e bashkëpunimit të fshehtë apo të hapur me pushtetin e krimit.


