FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TAKIMIN “BURSA RAMA E NAFTËS – 10 ABUZIME, 1 ZGJIDHJE” ME EKSPERTËT E DEPARTAMENTEVE
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, deklaroi se çmimi i naftës në Shqipëri është më i larti në Europë dhe në botë kur matet me fuqinë blerëse të qytetarëve. Në një takim të mbajtur ditën e sotme me ekspertë për çështjen e karburanteve, ai theksoi se kostoja e naftës rëndon ndjeshëm mbi ekonominë dhe buxhetin familjar, duke ndikuar drejtpërdrejt në çmimet e transportit, bujqësisë dhe produkteve ushqimore.
Berisha theksoi se qytetarët shqiptarë paguajnë deri në 7 herë më shumë nga të ardhurat e tyre ditore për karburant krahasuar me vende si Gjermania apo Zvicra. Berisha argumentoi se rreth 60% e çmimit të një litri nafte përbëhet nga taksat, duke e cilësuar këtë si një ngarkesë fiskale të paprecedentë.
Ai akuzoi qeverinë Rama për politika të gabuara dhe abuzime, duke përfshirë edhe kontrabandën e karburanteve. Berisha theksoi se kjo situatë i kushton ekonomisë shqiptare miliarda euro dhe përkeqëson konkurrueshmërinë e sektorëve kryesorë, si bujqësia dhe industria, të cilat ai i cilësoi në recesion.
Në fjalën e tij, lideri demokrat kundërshtoi edhe nismën e qeverisë për të ndërhyrë në tregun e naftës përmes një ndërmarrjeje shtetërore, duke e krahasuar me rastin e Air Albania, që ka rezultuar me humbje të mëdha financiare. Ai paralajmëroi se një ndërhyrje e tillë do të përkeqësonte situatën dhe do të rriste rrezikun e abuzimeve.
Kryetari i PD, Sali Berisha bëri thirrje për uljen e menjëhershme të taksave mbi karburantet, duke propozuar përgjysmimin e tyre si hap të parë, si dhe për një hetim ndaj Autoritetit të Konkurrencës, të cilin e akuzoi për dështim në mbikëqyrjen e tregut. Berisha njoftoi se Partia Demokratike do të paraqesë amendamente në Kuvend për të adresuar situatën.

FJALA E PLOTË
Ju falënderoj ju të gjithëve për praninë tuaj në këtë takim për një nga çështjet më themelore, më thelbësore të ekonomisë sonë, që lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me të gjithë sektorët e kësaj ekonomie dhe me jetën e përditshme të çdo qytetari shqiptar më shumë se çdo faktor tjetër.
Nuk ka asgjë tjetër të lidhur me çmimet e prodhimeve në bujqësi, me çmimet e transportit, me çmimet e përpunimit të prodhimeve se sa nafta.
Nuk ka asnjë faktor tjetër që t’u marrë qytetarëve shqiptarë që kanë vetura 7.2 përqind të të ardhurave të tyre ditore.
Në një kohë kur çmimi i naftës apo litra e naftës në Gjermani iu kushton gjermanëve 1.2 përqind të të ardhurave ditore të tyre.
U kushton zviceranëve rreth 1 përqind të të ardhurave ditore.
Shqiptarëve u kushton 7 herë më shumë.
Ky është realiteti.
Në qoftë se marrim çmimin e naftës me atë që quhet fuqi blerëse, çmimi i naftës në Shqipëri është absolut më i larti në Europë dhe në botë.
Pra, krahasuar me fuqinë blerëse të xhepave të tyre, çmimi i naftës për qytetarët shqiptarë është më i lartë se në çdo vend të Europës dhe në çdo vend të botës.
Pra, nafta është një ndëshkim për qytetarët dhe ekonominë e vendit.
Nuk ka asnjë vend tjetër të ketë një ngarkesë të çmendur fiskale mbi litrin e naftës siç e ka Shqipëria.
60 përqind e çmimit të naftës përbëhet nga ajo që qeveria u merr qytetarëve për çdo litër.
Askush nuk e bën këtë përveç kësaj qeverie.
Askush nuk e bën këtë dhe nuk mund të imagjinojë të bëjë një gjë të tillë.
Në vitin 2013, taksa e qarkullimit ishte 7 lekë të vjetra për litër.
E rriti në 28 lekë, e rriti me katër herë.
Në një akt cinik të pashembullt, edhe akcizën e ka bërë të indeksueshme.
Nuk ua bën pensionistëve indeksimin e pensioneve, jo, i mashtron. Indekson akcizën e naftës dhe e rrit atë në përputhje me inflacionin.
Dhe kjo i jep një rritje të ndjeshme çdo vit, dhe marrë së bashku, rëndon me 40 lekë të vjetra në çmimin e saj.
Ky është i shkonfiguruar nga çdo koncept qeveritari dhe zyrtari.
Nuk ka asnjë koncept. I fshirë.
Dhe mbi këtë bazë, del e u thotë qytetarëve çdo lloj mashtrimi që i vjen në kokë.
Shet injorancë nga mëngjesi gjer në darkë para kamerave.
Shet mashtrime të turpshme t’i dëgjojë një njeri.
Dhe gjithçka bën për të mbuluar këtë ndëshkim që u bën shqiptarëve me çmimin e naftës.
Ndëshkim që shkon në miliarda euro.
Shkon në 2.6 miliardë euro.
Shkon në pamundësi masive të fermerëve për të paguar mjetet e punës.
Shkon në çmime të larta transporti.
Në rritje të çmimit të ushqimeve.
Dhe shkon në një cinizëm, në një sharlatanizëm ekstrem.
Tani do ta gjurmojmë naftën ne, thotë, se ajo nafta të rikujton ndonjëherë paranojakët e dikurshme.
Thoshte Enver Hoxha, ma thotë ajo mendja ime se në atë katror atje ka naftë.
Edhe ky thotë, ma thotë kjo mendja ime se nafta transit na zhduket.
Nuk zhduket nafta transit, por zhduken 350 mijë ton naftë kontrabandë. Dhe kontrabandën nuk mund ta bëjë njeri tjetër përveç qeverisë.
Nafta e tëra vjen me anije.
Dhe është vërtetuar se anijet e Libisë vijnë për qeverinë.
Është gjetur.
Po ato vijnë, kapen dhe mbyllen se janë anijet e qeverisë.
Nafta, në qoftë se ti e taton 60 përqind të çmimit litrin, ti faktikisht bë një plaçkitje masive të shqiptarëve.
Pra, dy janë faktorët kryesorë të këtij çmimi ndëshkues të litrit të naftës në Shqipëri.
Ngarkesa fiskale më e lartë në botë.
Nuk ka asnjë vend tjetër që të ketë ngarkesë fiskale më të lartë se Shqipëria.
Jo.
Dhe e dyta, nuk ka një vend tjetër që të ketë një kontrabandë më të madhe se Shqipëria.
Por kontrabanda, thashë edhe njëherë, është e tëra kontrabandë qeveritare.
Se gjemitë kontrabandë i sjell vetëm qeveria.
1.1 euro dora e shtetit merr për litër nafte nga qytetari.
0.7 u merr në Maqedoni, u merr në Kosovë, dhe çmimet aty janë minimumi 40 përqind më të lira.
Më e lirë.
Zgjidhja është po kaq katastrofë.
Ky njeri që përdori për kaq vite Agjencinë e Shoqërisë së
Informacionit si kopshtin e tij privat dhe pasi shpërtheu skandali, tani do krijojë puset private të kopshtit të tij me naftë.
Tani do të fusë duart e zeza të tij në importin e naftës.
Do gjejë një Ergys Agas tjetër ta ngarkojë dhe të krijojë ndërmarrjen shtetërore.
Miq, qytetarët duhet ta dinë se u krijua ndërmarrja shtetërore Air Albania, u stampos edhe flamuri i bukur shqiptar. U gjetën edhe emra, Ismail, Sami e Naim.
Vetëm e vetëm si të fshihej vjedhja e së paku 100 milionë eurove nga Air Albania.
Ajo falimentoi me një borxh 100 milionë euro.
Dhe tani thotë do të futem në treg, do gjejë ndonjë Ardi Veli apo Ergys Agas, të cilët i ka të besuarit e vjedhjeve, dhe si do ia bësh ti me ngarkesën 60 përqind në treg?
Na thuaj se këto janë gjëra shumë të thjeshta.
Ku mbetet, çfarë mbetet këtu?
Pra, do futet në treg për të mbajtur të njëjtin çmim, por për të vjedhur sa më shumë, për të marrë një llokmë të madhe për veten e tij dhe njerëzit që do të emërojë.
Shteti shqiptar ka ligje, ka ligjin antitrust, ka ligjin e mbrojtjes së konsumatorit.
Në qoftë se në çmimin aktual të naftës, përveç ngarkesës fiskale prej 60 përqind të çmimit, ka edhe faktorë të tjerë spekulativë që e mbajnë atë në atë nivel, atëherë ti ke institucionet.
Aktivizo institucionet të identifikojnë dhe ligjet ekzistuese janë shumë të forta.
Gjobat janë ndëshkime madhore në qoftë se gjenden në kushte të marrëveshjeve të fshehta.
Po. Është e domosdoshme të shqyrtohet qëndrimi i autoritetit të konkurrencës ndaj oligopolit.
Dhe autoriteti i konkurrencës është autoriteti më i korruptuar ose ndër më të korruptuarit në Shqipëri dhe në Europë.
Atëherë qeveria krahas ndërhyrjes, krahas përgjysmimit ose afër përgjysmimit të ngarkesës fiskale mbi litrin e naftës, duhet të ndërmarrë një analizë të hollësishme të tregut dhe të të gjithë faktorët.
Por ky çfarë po bën? Ky po futet në treg për ta salduar edhe më shumë këtë situatë, për ta bërë edhe më të pashpresë.
Pasojat janë shumë të rënda.
Për herë të parë, ekonomia shqiptare është minorancë në kontributin e rritjes ekonomike.
Nuk i detyrohet e gjitha naftës, por nafta ka rolin e saj të pazëvendësueshëm.
Bujqësia shqiptare është në recesion.
Industria në Shqipëri është në recesion.
Kurse, Edi Rama mendon se këto do i kapërcejë me mashtrime.
Ka dy javë që merret me naftën dhe mashtron, flet përçart, u thotë qytetarëve të kundërtat e asaj që janë, në një kohë kur ne për makinën paguajmë pothuajse sa Kosova veças, kurse ai mashtron pa i skuqur që ne ato i marrim tek nafta.
Nuk është e vërtetë.
Situatë e vështirë.
Konflikti në Lindjen e Mesme solli njëlloj si Covid-i, krizën. Sa do vazhdojë? Askush nuk mund ta përcaktojë, por Lindja e Mesme është rajoni me ndikim madhor në energjinë e botës, kjo është e sigurt, çka do të thotë se rritja e çmimit të energjisë do mbetet edhe për një kohë të pacaktuar.
Ndaj dhe ndërhyrja është një emergjencë.
Dhe nuk e zgjidh, imagjinoni edhe akcizën e ka të lidhur me inflacionin. E indekson me inflacionin.
Pra, PD qëndron e vendosur në hapin e parë përgjysmimin e ngarkesës fiskale.
Ne duhet të zbresim tek ngarkesa fiskale, të cilat garantojnë çmime të përafërta, por më të ulëta se sa në vendet e tjera përreth që nuk kanë një litër naftë dhe që nuk paguajnë transportin nga Durrësi në Prishtinë apo nga Durrësi në Tetovë.
Nafta pra qëndron si ndëshkim me taksat e saj mbi pensionistët në tërësi, mbi të gjithë qytetarët me rritjen e çmimeve të konsumit.
Është një problem madhor kështu që ne në parlament do dorëzojmë amendamente dhe ligje, sikundër do kërkojmë një hetim për autoritetin e konkurrencës, i cili është i zhytur në naftë.


