FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Në Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, përkujtoi figurën e nobelistes shqiptare si frymëzim të virtyteve më të larta njerëzore dhe një shembull që i dha nder jo vetëm kombit shqiptar, por gjithë njerëzimit. “Të shenjtërohet për së gjalli. Të bëhet një hyjni aq sa është nëna për çdo individ”, tha ai, duke e cilësuar virtytin e saj si udhërrëfyes për shqiptarët dhe qytetërimin botëror.
Gjatë konferencës me gazetarët, lideri Opozitar, Sali Berisha akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Rama, lidhur me aferën McGonigal, duke e cilësuar pjesë të një organizate kriminale të tmerrshme. Berisha akuzoi mediat kryesore se po censurojnë raportin e Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë së SHBA për ish-agjentin e FBI-së Charles McGonigal dhe lidhjet e tij me Ramën.
Kryetari i PD, Sali Berisha tha se raporti zbulon takimet e Ramës me McGonigal në Tiranë dhe Nju Jork, pagesat kundër Opozitës, ndërhyrjet në licencat e naftës dhe hetimet private në Vjenë për llogari të Ramës dhe Tom Doshit. Berisha theksoi se këto veprime përbëjnë krim të rëndë sipas ligjeve shqiptare, amerikane dhe ndërkombëtare.
Berisha akuzoi Altin Dumanin se ka mbajtur në sirtar padinë e dorëzuar nga opozita për aferën McGonigal, duke e quajtur atë “mburojë e Ramës”. Lideri i Opozitës, përmendi edhe Dorian Duçkën si promotor kryesor të lidhjeve me kompaninë kineze CEFC, ndërsa kujtoi se Rama ka udhëtuar me avionë personalë të kompanisë CEFC në Hong Kong dhe Kinë.
Kryetari i PD, Sali Berisha shtoi se McGonigal ka pasur lidhje të ngushta me Duçkën, që ishin “si burrë dhe grua”, dhe se të gjitha të dhënat e hetimeve shkonin tek drejtuesit e CEFC dhe presidenti i fondacionit të saj, Patrick Ho.
Në konferencën e mbajtur me gazetarët ditën e sotme, Kryetari i PD, Sali Berisha theksoi se edhe “Targeti 3”, një shtetas i huaj, ka lidhje me Ramën dhe dyshohet për përfshirje në tregtinë e armëve. Berisha solli në vëmendje një rast të publikuar nga mediat franceze, ku një valixhe diplomatike me 20 milionë euro u sekuestrua në aeroportin e Parisit, e dërguar drejt Shqipërisë.
Kryedemokrati, Sali Berisha tha se, McGonigal ka pasur interes të drejtpërdrejtë edhe në reformën në drejtësi dhe vetingun në Shqipëri, duke paguar individë për të kaluar procesin. Berisha përmendi gjithashtu Sergei Shestakov, agjent i shërbimeve sekrete ruse, si një ndër personat me të cilët McGonigal lidhej për të pasur akses në qeverinë shqiptare.
Kryetari i PD, Sali Berisha ftoi FBI-në dhe Departamentin e Drejtësisë të SHBA të vazhdojnë hetimet ndaj kësaj organizate kriminale. Ai siguroi se Partia Demokratike është e gatshme të kontribuojë me dëshmitarë, prova dhe fakte konkrete, për të zbardhur veprimtarinë kriminale të Ramës dhe enturazhit të tij.
Në fushën zgjedhore, lideri demokrat, Sali Berisha theksoi se dokumentimi i shkeljeve të rënda dhe farsës elektorale është detyrimi më absolut i PD-së. Ai deklaroi se 99.9% e vendimeve të dhëna nga 20 marsi e deri sot janë kundër opozitës dhe çdo mospërmbushje e këtij detyrimi do të ishte bashkëpunim në krimin elektoral të Ramës.
Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi se hetimi për Edi Ramën në SHBA vazhdon pavarësisht përpjekjeve të Altin Dumanit për ta fshehur. Berisha theksoi se redaktimet e dokumentit nuk fshehin të dhënat për Ramën dhe se PD është e vendosur të zbardhë të vërtetat para shqiptarëve.

FJALA E PLOTË
Sot është dita e shenjtërimit të Nënë Terezës, Shën Terezës, nobelistes shqiptare, e cila me virtytet më të larta shpirtërore, ia doli të pushtojë mendjet dhe zemrat e mbarë shqiptarëve.
Të shenjtërohet për së gjalli.
Të bëhet një hyjni, aq sa është nëna për çdo individ.
Shën Tereza, apo Shën Nënë Tereza i dha nder emrit shqiptar, por i dha nder çdo njeriu të qytetëruar mbi tokë me sakrificën dhe veprimtarinë e saj.
Ajo sot është frymëzim për virtytet më të larta të njeriut.
Natyrisht, sot unë jam këtu për një ngjarje të censuruar në mënyrë të tmerrshme nga mediat kryesore të vendit, ndërkohë që ajo ushton dhe rezonon në të gjithë mediat e botës.
Dje, inspektori i përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë publikoi raportin për veprimtarinë kriminale të dosjes shqiptare të famëziut McGonigal dhe Edi Rama.
Raporti i inspektorit të Përgjithshëm kishte dy tipare shumë të rëndësishme që duhen mbajtur parasysh.
Së pari, zbulonte me terma konkrete aktivitetin e McGonigal si një agjent i paregjistruar kinez me Dorian Duçkën. Se për rus, dihej ai.
Së dyti, zbulonte një dimension të papërmendur për dy shtetas izraelitë dhe një izraelito-afrikan, senegalez apo se nga ishte, të cilët sot janë enturazhi i Edi Ramës, me shumë-shumë gjasa.
Së pari, inspektori i përgjithshëm fakton se McGonigal është takuar në Shqipëri dy herë dhe në Nju Jork një herë me Edi Ramën, për të cilin miqësia me McGonigal ishte publikisht një krenari.
Ka kryer një veprimtari të përbashkët kriminale me Edi Ramën, së pari në pagesat që ka marrë në luftën kundër opozitës shqiptare.
Së dyti, në ndërhyrjet për ndryshimin e licencave të naftës kundrejt shumave të tmerrshme marramendëse.
Së treti, në angazhimin e institucioneve amerikane për hetime private për llogari të Edi Ramës dhe Tom Doshit në Vjenë.
Pra, një veprimtari për të gjithë ata të cilët duan të paraqesin se kreu shqiptar i organizatës kriminale Ramaduro-Mcgonigal nuk ka shkelur ligjet amerikane, u them se vetëm sa diskreditoni veten.
Të korruptosh një punonjës, një zyrtar të lartë të SHBA, që ka për detyrë të mbrojë qytetarët amerikanë nga korrupsioni, kryen një krim të rëndë në ligjin amerikan, ligjin shqiptar dhe ligjin e çdo vendi.
Të heqësh licencën një kompanie dhe t’ia japësh një kompanie tjetër me kërkesë të McGonigal, duke marrë Shqipëria një gjobë dhjetëra milionë dollarë nga kompania e përparshme, ke krye një krim të shëmtuar në ligjin shqiptar dhe ligjin amerikan.
Pra, të përdorësh FBI-së kundër Opozitës për hetime ndaj opozitës, ndërkohë që ai nuk është misioni i saj, por për qëllime private, ke kryer një krim të rëndë antikushtetues.
Ke përdorur forcën e institucionit hetues më të fuqishëm në botë kundër pluralizmit politik në Shqipëri.
Pra, McGonigal nuk është aspak më shumë fajtor se sa Ramaduro i Tiranës, i cili mbrohet me fanatizëm nga Altin Troplini.
Dosjen e McGonigal opozita e ka dorëzuar me kohë në Skrapin e partisë.
Por në pafytyrësi dhe në bashkëfajësinë e tyre, Altin Troplini e ka mbajtur atë në sirtar.
Në një kohë kur mjafton të kërkosh zyrtarisht dosjen e gjykatës së SHBA dhe gjithçka e ke të provuar dhe faktuar mbi aktivitetin kriminal të Edi Ramës.
Por ai, si skllav, si mercenar i pakarakter, i inkriminuar gjer në palcë, njëlloj siç fsheh mandatin e arrestit për Pojën e Troplinëve, fsheh padinë e opozitës për krimet e shëmtuara të Edi Ramës.
Cilido që lexon këtë dosje del se Dorian Duçka ishte aq intim me McGonigalin, sikur të ishin burrë dhe grua. Por nuk kemi të bëjmë me rastin e gruas së Bilalit, por ishte një agjent i shpërfytyruar që çonte të gjitha bisedat te kompania që e paguante 50 mijë këshilltarin privat të shkëlqyer të Edi Ramës.
Lexojeni, agjenti i paregjistruar kinez McGonigal i dërgonte të gjitha të dhënat e hetimeve Patrick Ho, që ishte presidenti i fondacionit të CEFC, dhe presidentit të CEFC Kina, që ishte konglomerati energjetik kinez.
Ky ishte ndërlidhësi, ky është ndërlidhësi kryesor i Edi Ramës me këtë agjent të paregjistruar kinez dhe agjent rus.
Mos harroni udhëtimet e Edi Ramës me avion personal në Hong Kong me Dorian Duçkën.
Udhëtimet e Edi Ramës me avion personal të kompanisë CEFC në Kinë.
Këto nuk mund të hetohen nga Altin Troplini.
Këto nuk mund të hetohet sepse ky është një peng i neveritshëm i kreut të organizatës kriminale shqiptare, Edi Rama dhe bashkëkreut të organizatës Ramaduro, McGonigal.
Në sfond del edhe agjenti i sa shërbimeve, Agron Neza, njeriu që rrahte gjoksin poshtë e përpjetë rrugëve të Tiranës se ne i bëmë dosjen Sali Berishës.
Një llum njerëzor, në funksion të kushedi sa shërbimeve dhe që në fund do merrte porosi edhe nga FBI, por që funksiononte si ndërlidhës besnik i Edi Ramës, si kanali sekret i tij.
Të gjitha këto i mbulon Altin Troplini, sikur Skapi të ishte një agjenci personale e tij.
Në sfond, për të plotësuar kuadrin e një organizate të fuqishme kriminale dalin edhe dy, Targeti 3, një shtetas senegalez dhe me radhë.
Nuk dua të abuzoj, por është e vërtetë që elementë shumë të dyshimtë kanë qarkulluar tani për tregtinë e armëve në Shqipëri, dhe janë, apo nuk janë, këtë nuk mund ta them.
Është ai që mori aksionet e Shotës apo nuk është, këtë nuk mund ta them.
Por ne, do bëjmë gjithçka me autoritetet izraelite për të mësuar të vërtetat e këtyre mafiozëve.
Njëri prej tyre është një shtetas amerikan që nuk shkel në SHBA sepse është delinkuent. Është i akuzuar.
Por ka gjëra se kush është Targeti 3 apo ai tjetri, do gjenden. Por dihet se tregtinë e armëve, Edi Rama ia dha një personi të lidhur, sipas disa burimeve, kokë e xhep me të.
Nuk mund të them se ai… duhet parë nëse përfaqëson Targetin 3 apo jo.
Bëhet fjalë për një hebre, izraelito-afrikan, tjetër ky. Ajo çka mund t’u them unë ju, në aeroportin e Parisit është konfiskuar valixhja diplomatike me 20 milionë euro, e nisur drejt Shqipërisë, me adresë Shqipërinë.
Dhe këtë e kanë publikuar mediat franceze.
Pra, duke vlerësuar, duke përshëndetur raportin e inspektorit të përgjithshëm, ftoj FBI-në, Ministrinë e Drejtësisë, të vazhdojë hetimin ndaj kësaj organizate të tmerrshme kriminale.
PD është e gatshme të japë kontributin e saj me dëshmitarë, me prova dhe fakte në mënyrë që veprimtaria e tyre kriminale në Shqipëri të marrë dënimin e gjithanshëm.
Njohjen e gjithanshme dhe dënimin e gjithanshëm.
PYETJE-PËRGJIGJE
Isa Myzyraj, Ora News: Z.Berisha, a ka të dhëna PD për përfshirjen e qeverisë shqiptare në raste konkrete, kineze përshembull, që mund të kenë ndërlidhje me Kinën, siç është rasti kur ky investigim ka hedhur dyshime të forta që Charles McGonigal ka përdorur Dorian Duçkën për të kompromentuar një investigim kinez. Pra, fijet e Kinës vijnë deri në Shqipëri, apo janë ndalur thjesht në SHBA-të?
Berisha: Dorian Duçka që ishte dhe promotor kryesor dhe ai thotë këshilltar për Europën i konglomeratit energjetik, qoftë për fondacionin, qoftë për korporatën, për sipërmarrjen, pa asnjë diskutim ka bërë përpjekjet më të mëdha që kjo kompani të ketë tentakulat e veta edhe në Shqipëri.
Juve ju kujtohet, Olsi Rama solli një kompani kineze për Spitallën. U ulën dhe firmosën. Olsi Rama pa asnjë funksion publik, sillte kompaninë kineze. Natyrisht atë e sillte Dorian Duçka.
Por meqë më pyete për këtë, një aktivitet tjetër i vërtetuar që del për herë të parë, është interesi i famëziut McGonigal për reformën në drejtësi.
Kur ne kemi akuzuar Altin Troplinin dhe ndonjë tjetër si ai, për takimet me McGonigalin ai i ka mohuar totalisht ato. Por tani, unë nuk kam foto të takimit, por çfarë dihet? Dihet gjerësisht në rrethet e gjyqtarëve se, njerëzit paguanin për të kaluar vetingun. Kjo dihet, por këtë nuk e heton dot Altin Troplini, vegël, lëvozhgë e Edi Ramës.
McGonigal bënte një jetë të shthurur në Tiranë, dihet, është shumë e njohur. Por këtë nuk e heton dot Altin Troplini.
Do kemi punë i thotë! Kujt i thotë do kemi punë? Sergei Shestakov është faktuar nga autoritetet amerikane si agjent i shërbimeve sekrete ruse. Shestakov është personi të cilit McGonigali i mori të bijën si, interne në praktikë dhe amerikanët nga hetimet nxorrën se Shestakov është një agjent dhe i thotë, do kemi një akses shumë të mirë në qeverinë shqiptare i thotë Shestakovit.
Pra, problemi është këtu. Se të gjitha këto ndodhin dhe një njeri mashtron, një njeri shkelmon mbi dosjen dhe mbron këtë krim dhe ky quhet Altin Troplini.
Dhe kur Opozita kërkoi të krijojë komisionin për McGonigal opozita refuzoi në mënyrë kategorike. Opozita është përballë një situate e cila e fton atë për çdo përpjekje në zbardhjen e këtyre krimeve të shëmtuara monstruoze të Edi Ramës dhe mjedisit të tij.
Unë e di se, ata të cilët janë marrë me vetingun do ta kenë shumë të vështirë të pranojnë ndërhyrjen e McGonigalit, por e vërteta është se, janë eksponentë të shumë në drejtësinë shqiptare që e provojnë atë, e faktojnë atë.
Hetimi i McGonigal është një kusht i të gjitha kushteve. Asgjë nuk mund ta mbrojë Edi Ramën më nga bashkëautorësia në krimet e McGonigal.
Isa Myzyraj, Ora News: Ditën e djeshme Kolegji Zgjedhor ka certifikuar rezultatin përfundimtat të zgjedhjeve të 11 majit, duke i shuar shpresat, nëse mund të themi, PD për ta ndjekur çështjen në mënyrë ligjore brenda vendit. Është dhe një mundësi tjetër, e paeksploruar në 35 vite demokraci, siç është çuarja e procesit në Gjykatë Kushtetuese. Do ta dërgoni procesin e 11 majit në Gjykatë Kushtetuese?
Berisha: Isa, nuk ka njeri në Shqipëri që nuk e di se sistemi i drejtësisë në Shqipëri ndodhet në kontroll të plotë të Ramaduros.
Por kjo nuk do thotë që ne të mos ndjekim procedurën.
Nga qindra vendime dhe ne do e japim shifrën, 99.9 përqind të tyre, që nga 20 marsi gjer sot, janë dhënë kundër opozitës dhe pro narkopartisë së shtetit.
Ne nuk kemi iluzione, por ne, thashë, betejën do e bëjmë në të gjitha frontet.
Natyrisht e them këtu, dokumentimi, vërtetimi i të gjitha shkeljeve të rënda ligjore të procesit zgjedhor, i të gjitha mekanizmave të shndërrimit të tij në një farsë, është detyrimi më absolut i PD-së para demokratëve shqiptarëve, para zgjedhësve shqiptarë.
E kundërta do të ishte një bashkëpunim në krim monstruoz elektoral, do të ishte një akt i pafalshëm që do bënte këtë forcë politike bashkëfajtore në farsën elektorale të vendit.
Marsi Korreshi, Syri Tv: Z.Berisha, ju keni paralajmëruar më herët nga kjo foltore se, do të kërkoni si akti i parë i Opozitës në aksionin opozitar ngritjen e një Komisioni Hetimor për të hetuar veprimtarinë kriminale të Edi Ramës me McGonigal. Por, si do ta bëjë Opozita në kushtet kur ju e thatë dhe vet pak më parë që, mazhoranca e ka refuzuar njëherë një kërkesë të tillë, si do ta ngrejë Opozita këtë komision?
Berisha: Pa diskutim që Komisioni i parë hetimor parlamentar që do të ngrihet është Komisioni për farsën elektorale.
Së dyti, komisioni për McGonigal në dritën, tani të jem i sinqertë, siç e shifni ju, raporti i Inspektorit të Përgjithshëm, ka shumë gjëra që nuk kanë qenë në media, dhe ne të dhënat i kemi patur. Janë të gjithë aktivitet i targetit 3, i agjentit 1, i agjentit 2, i agjentit mbikëqyrës, i shtetasit senegalez.
Të gjitha këto, ne nuk kemi patur informacione. Por të gjitha këto janë risi të reja, që faktojnë qartësisht se kemi të bëjmë me një organizatë kriminale dhe Altin Troplini do të mbajë të gjithë përgjegjësitë para shqiptarëve për mbylljen e kësaj dosje të tmerrshme kriminale.
Këto që ka inspektori i përgjithshëm, 100% janë në dosjen hetimore dhe në dosjen gjyqësore.
Por siç e patë ju, përveç këtyre, sepse Inspektori i Përgjithshëm thotë se, McGonigal në intervistën e tij para prokurorit, para përfaqësuesve të inspektorit, pra para grupeve ka pohuar këto.
Pra këto janë në dosje, por Altin Troplini prandaj nuk hap dosjet, prandaj nuk ka kërkuar dosjen e gjykatës se kjo është punë e Uluziut. Të dalë dhe tu thotë shqiptarë me ç’datë ka kërkuar nga Uluziu dosjen, kur ja ka kërkuar ambasadës Amerikane dosjen. A e kërkoi dosjen tani që ishte.
Po Amerikanët nuk e mbajnë dosje. Ja urdhëro, ja ku është dosja, publike. Inspektori i Përgjithshëm i ministrisë bëri publike, ky është dokument. Dokument zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë së SHBA-së. Hetim i pavarur.
Hetim i pavarur administrativ që fakton të gjithë krimin e shëmtuar.
Por, natyrisht ai është një peng, Troplini është një peng, Altin Troplini.
Ndaj dhe ne mbi bazën e të dhënave të reja, ne jemi të vendosur të zbardhim të vërtetat para shqiptarëve.
Ju e patë, dosja ka dhjetëra rreshta të fshirë. Është në praktikën e institucioneve amerikane që materialet i publikojnë të redaktuara ata. Këto i quajnë redaktim.
Çfarë është aty? Thotë aty, kjo e kjo për këtë personazhin ‘B’, dhe mbrapa viza, se aty është Edi Rama. Aty është emri i Edi Ramës. Vetëkuptohet shkon vetëvetiu të Edi Rama. Fshihen rreshtat ku është Edi Rama. Fshihen rreshtat.
Por e thotë inspektori; redaktimi bëhet kur për arsye të ndryshme privatësie apo të tjera nuk duhet të publikohen, ose kur hetimi vazhdon, kur procesi i hetimit vazhdon.
Ç’ka do të thotë se hetimi për Edi Ramën vazhdon, pavarësisht don apo s’don Altin Troplini.
Pavarësisht do apo nuk do, nuk e shpëton dot Altin Troplini, Edi Ramën nga hetimi.
Faleminderit!