KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë konferencës me mediat të mbajtur ditën e sotme ka hedhur akuza të rënda ndaj qeverisë së Edi Ramës, duke e cilësuar situatën aktuale si ‘dëshminë më flagrante të narkoshtetit shqiptar’. Në qendër të fjalës së tij ishte ngjarja e ndodhur në aeroportin e Rinasit, ku u ekzekutuan me armë zjarri dy persona të njohur për lidhjet e tyre me botën e krimit, Gilmando Dani dhe Muç Shaljani (i njohur si Sheqeri).
Kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se, ky akt ‘ekzekutimi publik në vendin më të sigurt të shtetit, aeroportin e Rinasit, është vepër e padiskutueshme e eksponentëve të krimit, të lidhur si mishi me thoin me qeveritarët shqiptarë’. Ai u shpreh se, kjo ngjarje është simbol i shkatërrimit të rendit dhe sigurisë publike, duke theksuar se krimi ka depërtuar në çdo strukturë të shtetit, deri në institucionet e sigurisë dhe inteligjencës policore.
Në vijim, lideri i demokratëve Sali Berisha akuzoi mediat se po zbatojnë një censurë sistematike ndaj lajmeve që ekspozojnë lidhjet midis qeveritarëve dhe botës së krimit. ‘Mediat po e mohojnë, po e censurojnë faktin që Muç Shaljani ka qenë mbështetës dhe financues kryesor në fushatë elektorale i ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha. Ai dhe banda e tij kanë blerë vota dhe kanë financuar fushatën e këtij ministri’, deklaroi Berisha, duke shtuar se ‘Shaljani është futur në radhët e policisë nga vetë ministri Hoxha pas ‘misionit të suksesshëm’ në vjedhjen e votave.’
Duke komentuar atentatin mafioz të ndodhur në Rinas, kreu i PD-së, Sali Berisha u shpreh se ‘Gilmando Dani ka qenë badigard dhe financues i ministrit kriminel Blendi Gonxhe. Ishte një ndër eksponentët kryesorë të akuzuar për një seri vrasjesh dhe akte të tjera të rënda, pjesë e bandës famëkeqe të Shullazit.’ Duke lidhur vrasjen e Danit me konfliktet midis bandave që, sipas tij, mbështeten nga pushtetarë të ndryshëm, Berisha tha se aeroporti i Rinasit ishte nën kontroll të plotë të një bande rivale, gjë që e bëri të mundur ‘ekzekutimin me gjakftohtësi, ditën për drekë, para kamerave dhe dhjetëra policëve që kalonin aty, pranë sallonit të VIP-ave dhe komisariatit të policisë.’ Në këtë kontekst, ai e quajti qeverinë aktuale ‘narkoshteti i Ramaduros, Noriegës së Europës’, duke e krahasuar me regjimet autoritare të Amerikës Latine që kanë bashkëjetuar me kartelët e drogës dhe korrupsionin shtetëror.
Gjatë konferencës me gazetarët, kryetari i PD-së Sali Berisha akuzoi më tej zv/kryeministren Belinda Balluku, të cilën e përshkroi si ‘Lubi Balluku, e armatosur gjer në dhëmbë me dosje dhe regjistrime të paligjshme të bëra nga Oltion Bistri me urdhër të Edi Ramës’, që sipas tij përdoren për të shantazhuar dhe mbajtur nën kontroll ministrat e tjerë socialistë. ‘Lubia nuk i kërcënon me plumb pas veshit, por me dosje publike që mund t’u presin karrierën politike. Ajo u ka imponuar kodin mafioz të heshtjes, omertën e partisë së krimit.’
Në pjesën e dytë të konferencës, kreu i PD-së Sali Berisha ndalet te afera e inceneratorëve, duke e cilësuar atë ‘skandalin më të madh financiar të historisë së shtetit shqiptar’. Ai akuzoi qeverinë për mbrojtjen e kompanisë Integrated Energy SPV, që sipas tij është ‘kompania e Edi Ramës dhe e bashkëpunëtorëve të tij’, pavarësisht se hetimet zyrtare janë përqendruar vetëm te ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj. ‘Kjo kompani, pas shpenzimit të 400 milionë eurove dhe dështimit total të projekteve të djegësave në Tiranë, Elbasan e Fier, vazhdon të marrë fonde publike dhe leje ndërtimi. Sepse është e paprekshme, është vetë kompania e Ramës.’
Lideri i demokratëve Sali Berisha solli në vëmendje edhe një dokument për këtë çështje. ‘Me datën 2 prill 2024, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen për zgjerimin e kapaciteteve të depozitimit të mbetjeve në Tiranë për këtë kompani, por leja u dha zyrtarisht vetëm 8 muaj më vonë. Ndërkohë, kompania vazhdonte punimet, e paguar nga buxheti i shtetit.’
I pyetur nga gazetarët për çështjen e 21 janarit, duke e quajtur atë një histori të përdorur politikisht për propagandë dhe duke akuzuar sërish kryeministrin Rama si ‘organizatorin e vërtetë të protestës më të dhunshme në historinë e vendit. Edi Rama ishte shoferi që i solli mish për top njerëzit, siç e ka pranuar shkrimtari Ben Blushi.’
Sipas Berishës, sistemi i drejtësisë është sot ‘i përfshirë këmbë e kokë nga krimi, i udhëhequr nga krimi’, ndërsa prokurorë të caktuar si Altin Troplini dhe Dritan Prençi janë, sipas tij, përgjegjës për mos’hetimin e aferave të mëdha që përfshijnë drejtuesit më të lartë të qeverisë.
‘Kjo është dëshmi tjetër flagrante e narkoshtetit të Ramaduros. Kjo është dëshmi tjetër e lidhjeve të bandave dhe krimit me nivelet më të larta të qeverisë. Dhe kjo është dëshmi tjetër e turpshme e censurës ku mediat heshtin për lidhjen si mishi me thoin të krimit me pushtetin.’, u shpreh kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë konferencës me gazetarët.

FJALA E PLOTE:
Ekzekutimi publik në vendin më të sigurt të shtetit, aeroportin e Rinasit, është vepër e padiskutueshme e eksponentëve të krimit, të lidhur si mishi me thoin me qeveritarët shqiptarë.
Breshëritë e kallashnikovit dhe pistoletës që u shkrehën mbi trupin e Danit dhe Shaljanit vetëm pak minuta para apo pas se të kalonte një delegacion, i cili shoqërohej me eskortë policie, dëshmon e pasigurisë ekstreme që ekziston në këtë vend në çdo skaj, në çdo qoshe.
Por unë i rikthehem kësaj çështje për një faktor tjetër që mediat po e mohojnë, po e censurojnë.
Muç Shaljani apo Sheqeri ka qenë mbështetës dhe financues kryesor në fushatë elektorale i ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha.
Dhe kjo është e faktuar dhe dokumentuar.
Muç Shaljani është angazhuar me të gjithë bandën dhe paratë e tij të krimit në blerje votash për ministrin Hoxha dhe në mbështetje të tij.
Shaljani është anëtar aktiv i të njëjtës bandë me Danin.
Me njërin nga vëllezërit e tij ai ka pasuri të mëdha, të vendosura që të gjitha nga droga, gjobat dhe ryshfetet.
Shaljani u fut në radhët e policisë nga Hoxha pas misionit të suksesshëm në vjedhjen e votave.
Hoxha nuk ka folur për ushtarin e tij, që e futi në radhët e policisë, vetëm e vetëm që të mund të përdorte uniformën e policisë për trafiqe.
Gilmando Dani ka qenë badigard dhe financues i ministrit kriminel Blendi Gonxhe.
Se në qoftë se ti bashkëpunon me kriminelët, ti kryen një krim, sikundër edhe Hoxha.
Ai ka përdorur të gjithën bandën e tij, se në fakt Dani ishte eksponenti më kryesor i akuzuar për një seri vrasjesh dhe aktesh të tjera, i bandës famëkeqe të Shullazit.
Pra, siç e shihni, dy viktimat që u ekzekutuan në vendin më të sigurt, ishin lejtnantë të dy ministrave të kabinetit të shkuar.
Ndiqeni me interes, pas zgjedhjeve Shaljani shpërblehet me spaletat e oficerit të policisë në një nga vendet më delikate të shërbimeve të inteligjencës policore, të keqpërdorura tashmë në mënyrë të dokumentuara nga bandat dhe krimi në të gjitha aspektet.
Por nuk ka dyshim se ata që ekzekutuan Gilmando Danin, që shkrehën me dhjetëra breshëri kundër tij, ishin njerëz të qeverisë, më të fuqishëm se viktimat e tyre.
Ju e patë, ata tre vrasës mund t’i cilësosh fare mirë anëtare të forcave speciale për nga shkalla e përgatitjes së tyre, të Policisë së Shtetit, të ushtrisë.
Natyrisht mund të jenë dhe vrasës me pagesë, por në emër të bandave më të fuqishme rivale, të cilave iu vu në dispozicion aeroporti për të kryer hakmarrjen e verbër.
Nuk dua të hyj këtu se janë të njohura hakmarrjet mafioze të këtyre bandave me njëra-tjetrën. Nuk është problemi im ai.
Por çështja është që banda që ekzekutoi Gilmando Danin dhe plagosi rëndë Mustafa Sheqerin, kontrollonte aeroportin e Rinasit në çdo skaj në rrafshin e sigurisë së tij.
Ndaj dhe e kreu me aq gjakftohtësi, me aq siguri ditën për drekë, para kamerave dhe dhjetëra policëve që kalonin aty.
Para komisariatit të policisë.
Para sallonit të VIP-ave.
Pra, banda nuk zgjodhi një rrugë diku larg. Nuk zgjodhi një rrugicë të ndërtonte pritën sepse ajo kishte nën kontroll të plotë aeroportin.
Kjo është dëshmi tjetër flagrante e narkoshtetit të Ramaduros apo Noriegës së Europës.
Kjo është dëshmi tjetër e lidhjeve të bandave dhe krimit me nivelet më të larta të qeverisë.
Kjo është një dëshmi tjetër e turpshme e censurës ku mediat, ndonëse kanë të gjitha të dhënat, nuk flasin për lidhjen si mishi me thoin të Muç Shaljanit me Ervin Hoxhën dhe të Gilmando Danit me Blendi Gonxhen.
Kjo është një histori e turpshme, nuk i nderon kjo censurë.
Së dyti, vazhdon terrori i pandërprerë i Lubi Ballukut ndaj eksponentëve të tjerë të partisë së krimit.
E armatosur gjer në dhëmbë me dosjet e krijuara nga regjistrimet e paligjshme, që Oltion Bistri ka kryer me porosi të asaj dhe Edi Ramës, të ambasadave, të institucioneve, të drejtuesve dhe ministrave të qeverisë socialiste, Lubia tani iu ka imponuar atyre omertën, kodin mafioz të heshtjes.
Ajo nuk i ka kërcënuar ata dhe nuk i kërcënon me plumbin pas veshit apo në lule të ballit, por me dosjen publike para të gjithë shqiptarëve me të cilën ajo është e aftë të presë çdo karrierë të tyre.
Ndaj dhe ata, siç e keni vënë re ju, mbajnë një heshtje totale.
Janë pra këto rrethana, të cilat bëjnë që Lubia jo të mos mendojë për dorëheqje, por të kërcënojë me ndërprerje karriere secilin prej atyre që do guxojë të punojë kundër saj, zotohet t’iu rezervojë fatin e Lali Vjedhësit.
Kjo është gjendja sot në partinë e krimit.
Së fundi, ka pasur gjithnjë debate se kush qëndron prapa ose në pronësi të sipërmarrjes Integrated Energy SPV.
Kemi paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se Zoto dhe Mërtiri janë thjesht shpifat e përdorur për të mbuluar pronarët e vërtetë të kësaj sipërmarrje.
A mund të imagjinoni ju, pas shpenzimit në total të 400 milionë euro dhe dështimit të plotë dhe absolut të Integrated Energy SPV, pas mungesës totale të djegësin për Tiranën, pas mosfunksionimit të plotë të llamarinave të instaluara në Elbasan dhe Fier nga Integrated Energy SPV, kjo ndërmarrje është e paprekshme.
Për Altin Troplinin ndërmarrja është e paprekshme.
Dhe kjo ndërmarrje është e paprekshme, kurrë për shkak të Zotos dhe Mërtirit, sepse ata janë thjesht prestanome, ndërmarrja është Edi Rama me të tjerët.
Kam sjellë këtu një fakt, me datën 2.4.2024, Këshilli Kombëtar i Territorit miraton vendimin për lejen e ndërtimit për të zgjeruar kapacitetet e depozitimit të mbetjeve të ngurta me vendndodhje në Bashkinë e Tiranës, me subjekt zhvillues kompaninë Integrated Energy SPV.
Pra, ky vendim mban datën 2.4.2024.
Por, leja e zgjerimit të fushës është dhënë 8 muaj më vonë.
Pra, kompania e Edi Ramës me të tjerë ka vazhduar punën 8 muaj, e paguar nga buxheti i shtetit, për të kryer ato që i janë ngarkuar, pa leje, njëlloj, në një shkallë më të vogël si Tuneli i Llogarasë, dhe siç do ta shihni ju, edhe si Aeroporti i Vlorës për të cilin baca i vogël hodhi dritë në intervistën e tij mjaft mirë.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:
Andon Kello, AbcNews: Ka një fletëthirrje për ju nga SPAK për tu paraqitur nesër në cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme për hetimin në lidhje me 21 Janarin e 2011. A do të paraqiteni nesër në SPAK?
Sali Berisha: Mund të ju pohoj atë që kam thënë; i jam përgjigjur gjithë jetën time, çdo thirrje organeve të drejtësisë dhe do të përgjigjem. Do ti përgjigjem nuk ka koment. Nuk mund të ketë pyetje a do i përgjigjem.
Por ka vetëm një kusht: që unë të marr thirrjen. Dhe ata që përdorin këtë për propagandë, për të mbuluar skandalin Rama-Balluku të tunelit të Llogarasë, apo për të mbuluar skandalin e madh të aeroportit të Vlorës, etj., ata tregojnë se janë shërbëtorë mjeranë të një bande e cila vjedh ditë e natë qytetarët shqiptarë.
Pra, edhe njëherë, se ti je gazetar; vendimi, njoftimi duhet të vijë siç kanë ardhur me dhjetëra njoftim të tjera dhe unë i jam përgjigjur çdo njoftimi që ka ardhur. Kurse përdorimi i kësaj është akt i shëmtuar i Altin Troplinit, një shërbëtor, një mercenar i regjimit të Edi Ramës, që kujton se mund të mbulojë sado pak me zhurma të tilla, krimet e shëmtuara të Ramës dhe Ballukut.
Ndaj dhe njëherë ju them, asnjëherë mos më pyesni mua a do shkosh. Unë do të shkoj në çdo rast që do thirrem, për çdo problem nga organet e drejtësisë. E kam ligj, e kam aplikuar, zbatuar këtë gjithë jetën time.
Nuk mund të ketë hezitim dhe mëdyshje.
Por meqë jemi këtu, çështja e 21 Janarit është hetuar njëherë nga një armike e egër e Sali Berishës dhe PD-së, një njeri për të cilin unë kam shprehur publikisht të gjithë konsideratat.
Çështja e 21 janarit nga viti 2013, që ne kemi humbur pushtetin dhe gjer sot, është penguar të hetohet mendoj unë, të rihetohet se mundet, e nuk jam kundër, është penguar vetëm e vetëm për shkak të Edi Ramës, sepse deklaratat e qeverisë së SHBA-së dhe BE-së janë shumë të qarta dhe kërkojnë hetimin nga polici tek organizatori kryesor.
Çfarë ka ndodhur? Ka ndodhur që prej rreth 13 vitesh kjo çështje përdoret për propagandë. Por shoferi që i përdori mish për top njerëzit, siç e ka thënë, shkrimtari që sot merret me problemet teologjike, Ben Blushi ishte Edi Rama.
Referojuni pak, ai i solli këto dhe i solli në protestën më të dhunshme në historinë e vendit. Protesta më e dhunshme në historinë e vendit, ndaj dhe janë mjeranë ata, shërbëtorë të shpifur që përdorin për të mbuluar sa herë u duhet krimet e tyre, në një kohë kur vrasësi i vërtetë i tyre ishte ai që i solli ata, mish për top, siç ka thënë Blushi, shoferi i autobusit të tyre.
Është çështje e hetuar kur unë kam qenë dhe nuk kam qenë në pushtet, por e hetuar nga armiq të egër të PD-së dhe qeverisë time, të etiketuar nga unë në mënyrën më të qartë seç përfaqëson.
Bllokimin e hetimit, apo nëse nuk është hetuar si duhet, po nuk janë hetuar organizatorët kryesorë të saj. Dhe organizatori kryesor, numër 1 me gjithë dokumentacionin është Edi Rama. Pastaj ka dhe të tjerë, por Edi Rama me akte dhe veprime konkrete.
Andon Kello, AbcNews: Sipas dokumentit të SPAK, fletëthirrja është dërguar në adresën e banimit tuaj në datën 3 në nëntor. A nuk e keni marrë këtë njoftim?
Sali Berisha: Edhe njëherë po lexoni të pavërteta. Banesa ime, në banesën time kanë ardhur me qindra letra, njoftime dhe të tjerë. Që të gjitha i marrin dhe i dorëzojnë. Midis të tjerash edhe nga gjykata, të gjitha njoftimet.
Midis tjerash për dijeni tuaj, ka patur raste që i kanë dërguar edhe me motoçiklete. Prandaj të lutem mos përsërit mashtrime ordinere të njerëzve të cilët janë të angazhuar në propagandë, nuk të takon ty kjo.
Klajdi Bodlli, SYRI TV: Duke u rikthyer tek ngjarja e Rinasit dhe duke marrë shkas nga i plagosuri që është ende në spital. Dje Agjencia e Mbikëqyrjes Policore tha se ka ndaluar dy oficerë policie pasi kanë falsifikuar dokumentet në rastin e rekrutimit të Muçi Sheqerit në AMP. AMP heton vetëm pjesën e policisë, por në gjithë këtë linjë kanë dështuar të gjitha institucionet ligjzbatuese dhe në dokumentet që ai ka paraqitur në AMP, si njeri totalisht i pastër dhe pa asnjë problem. Çfarë komenti keni?
Sali Berisha: Janë institucione të përfshirë këmbë e kokë nga krimi. Të udhëhequra nga krimi.
Ja ku arrin fuqia e bandës.
Fuqia e bandës jo vetëm vesh Sheqerin me uniformën e policisë, por i jep vendin e shoferit të shefit të shërbimit inteligjent të policisë, de facto një nga vendet më nevralgjike.
Po pse?
Sepse vetë drejtori i tij është i lidhur me bandat, se ndryshe nuk ka se si.
Nuk e dinte ai?
Ai po të merrte videot, po të pyeste Saimir Tahirin për këtë, ai e gjente Sheqerin aty me të gjithë veprimtarinë e tij.
Pra, pastaj kjo është një mënyrë e turpshme e drejtorit për të larë duart se e mori për lidhjet që kishte me krimin, dhe natyrisht për të mbrojtur Ervin Hoxhën, ish-ministër që zgjedhjet i fitoi me banda dhe kriminelë.
Kjo është!
Klajdi Bodlli, SYRI TV: Duke u rikthyer tek dokumenti që keni publikuar në lidhje me inceneratorin e Tiranës. Leja e firmosur nga kryeministri Edi Rama është e 2024. Ndërkohë më herët kompania ka punuar pa leje ndërtimi dhe është denoncuar në dhjetor 2023 nga ish- deputetja Monika Kryemadhi në landfillin e Tiranës. Kjo çështje po hetohet nga i njëjti prokurori i cili ka 5 vite, i njëjti që po heton edhe zv/kryeministren Balluku.
A keni një koment në lidhje me 5 vite hetim, ndërkohë që leja është dhënë pas denoncimit.
Sali Berisha: Çështja e inceneratorit të Tiranës është një çështje të cilën e bllokoi plotësisht Altin Troplini. Dhe ju si gazetarë u takon të thoni qytetarëve të vërtetën.
Pse?
Sepse për inceneratorin e Tiranës, nga zyrtarët e lartë, i vetmi i akuzuar është ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i cili për hir të së vërtetës, me shkrim e ka refuzuar 5 herë inceneratorin e Tiranës.
Dhe kur kishte dosjen Altin Troplini, e gjeti të drejtë të lëshojë urdhër-arresti për njeriun që për këtë çështje meritonte lavdërim.
Mund të kishte dhjetëra afera të tjera, por lëshoi urdhër-arresti ndaj tij, dhe nuk mori asnjëherë në pyetje Erion Veliajn dhe as Edi Ramën.
Tani, çfarë ka ndodhur mbrapa?
Prokurori tjetër, Dritan Prençi, mos gaboj, edhe ky u mor me dosjen e inceneratorit dhe rastin konkret midis të tjerash për Erion Veliajn, në mos gaboj.
Pse ky nuk shkoi më tutje?
Sepse shefi i tij e kishte në dorë, nuk kreu asnjë veprim, as ndaj Erionit, as ndaj Edi Ramës, përkundrazi urdhëroi arrestin ndaj Arben Ahmetajt, bazuar në disa dokumente, të cila një gazetar shpifës i faktuar me dokumente, u tha, sipas Arben Ahmetajt që i kishte marrë nga Linda Rama.
Arben Ahmetaj publikisht tregoi edhe restorantin ku ky shpifës profesionist kishte marrë faturat e biletat të udhëtimit dhe të hotelit.
Atëherë, për ëktë dhe pllakat që u gjetën të paguara nga Zoto apo Mërtiri në banjën e ish-bashkëshortes së Arben Ahmetajt, ishin provat për të arrestuar për korrupsion ish-zëvendëskryeminsitrin.
Kurse vendimi i qeverisë për t’i dhënë 8 pikë, tetë muaj përpara se sa të shpallej fituesi një kompanie që nuk ishte e regjistruar në Shqipëri, dhe për të cilën kryeministri Edi Rama ishte informuar nga ministrja Ermonela Felaj, për të cilën Edi Rama ishte informuar nga ministri Ylli Manjani se kjo çështje nuk është tagër i Këshillit të Ministrave, ia dha me datën 7 dhjetor kompanisë që u regjistrua të nesërmen pasi Edi Rama e shpalli fituese.
A mundet kush përveç Altin Troplinit të mos përcaktojë përgjegjësi ligjore në këtë rast?
Asnjë njeri.
Dhe mbi këtë bazë, prokurori Prençi i tha copë Troplinit se nuk mund të trajtoja në rastin e Veliajt inceneratorin sepse ishte Edi Rama. Dhe ti nuk e trajtove.
Pra, kemi të bëjmë me një lloj situate, natyrisht ekstraligjore, mafioze.
Por është Altin Troplini, njeriu përgjegjës direkt për moshetimin e Edi Ramës.
Në qoftë se, se ata kanë një hierarki aty, ju e dëgjuat që edhe atë të Ballukut, ai u thoshte çdo dy javë prit, prit, dhe ai vendosi pa pritur dhe ky u detyrua të akomodohet.
Kjo është e vërteta.
Në qoftë se ka një njeri përgjegjës direkt për moshetimin e inceneratorit të Tiranës, është ai që akuzoi Arben Ahmetaj që e refuzoi 5 herë dhe nuk thirri njëherë të pyesë kryeministrin e vendit, Erion Veliajn apo Belinda Ballukun.
Ja urdhëro, është e sekuestruar kompania, vazhdojnë t’i japin leje ndërtimi, fonde, të fitojë tendera, etj me radhë.
Pse? Sepse është e Edi Ramës.

