Berisha me deputetët e rinj: Raporti juaj më thelbësor është ai me zgjedhësit! Nuk duhet t’i shkëpusni kurrë lidhjet me ta

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË PROGRAMIN E TRAJNIMIT PËR DEPUTETËT E RINJ TË PD

EKSTRAKT

Partia Demokratike, në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer (KAS), organizoi Programin e Trajnimit për Deputetët e Rinj të Partisë Demokratike, me qëllim forcimin e kapaciteteve politike dhe profesionale të përfaqësuesve të rinj në Kuvend.

Gjatë këtij programi, Kryetari i PD-së, Prof. Dr. Sali Berisha, ndau me ta mesazhe dhe këshilla për rolin, përgjegjësitë dhe misionin e tyre politik. Ai i përgëzoi për nisjen e një rrugëtimi që e cilësoi “ndër më fisnikët” në jetën publike, duke theksuar se të qenit deputet është një mundësi unike për të ndikuar drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve përmes ligjeve dhe vendimeve që miratohen në Parlament.

Berisha u ndal veçanërisht te rëndësia e raportit të deputetit me zgjedhësit, të cilin e quajti “më thelbësorin nga të gjitha raportet politike”. Ai theksoi se deputeti nuk duhet të shkëpusë kurrë lidhjet me elektoratin, por të mbetet gjithmonë avokati i interesave të tyre dhe zëri i qytetarëve në Kuvend.

Një tjetër problem që Berisha ngriti ishte mungesa e stafit për deputetët, duke e cilësuar parlamentin aktual si “skeletik” dhe joefikas. Lideri demokrat tha se deputetët janë “me duar në xhepa”, pa mbështetje profesionale për kontaktet me zgjedhësit apo për përgatitjen e punës parlamentare. Berisha tha se, në vend të rritjes së pagave të deputetëve, më e drejtë do të ishte investimi në krijimin e kushteve dhe strukturave ndihmëse për ta, që ata të mund të përmbushin me dinjitet funksionin e tyre.

Në vijim të fjalës së tij përshëndetëse, kryetari i PD, Sali Berisha u bëri thirrje deputetëve që të mos shkelin kurrë parimet themelore të lirive dhe të drejtave të njeriut, duke theksuar se ato janë “thelbi i ndërgjegjes njerëzore” dhe kufijtë që çdo politikan duhet t’i mbrojë pa kompromis. Berisha paralajmëroi se çdo shkelje e këtyre parimeve e kthen pushtetin në rrezik për shoqërinë dhe demokracinë.

Duke folur për situatën politike në vend, lideri historik i PD, Sali Berisha akuzoi mazhorancën për shtypje të pluralizmit politik, duke e cilësuar fillimin e këtij sesioni parlamentar “të frikshëm dhe jashtë çdo konteksti demokratik”. Ai solli në vëmendje faktin se programi qeveritar dhe votimi i ministrave u zhvilluan për vetëm 28 minuta, gjë që, sipas tij, “nuk ndodh as në vende të pushtuara”. Berisha theksoi se zhvillimi dhe konsolidimi i parlamentarizmit janë themeli i një sistemi demokratik dhe u bëri thirrje deputetëve të rinj që të ruajnë integritetin, bindjet dhe ndërgjegjen e tyre në çdo veprim politik.

Në përmbyllje, Kryetari i PD, Sali Berisha i uroi deputetëve sukses dhe i inkurajoi të ndërtojnë një karrierë të ndershme dhe të përkushtuar ndaj qytetarëve dhe demokracisë shqiptare.

FJALA E PLOTË

Ju përgëzoj nga zemra për këtë ftesë t’u jap ju disa nga mendimet e mia në fillimet e misionit tuaj fisnik si përfaqësues të qytetarëve shqiptarë.

Për çdo njeri që ka ambicien më të vogël politike, qenia deputet është realizimi i një ëndrre ndër më të bukurat e jetës së tij.

Shumë funksione mund të merrni gjatë jetës, por si ai i deputetit nuk është asnjë.

Ndaj dhe uroj që ky mision t’u frymëzojë dhe të bëhet një bazë e fuqishme për ndërtimin e një karriere të denjë politike.

Deputeti ka shansin e madh që në tempullin e parlamentit të formohet si një orator i shkëlqyer.

Nuk ka platformë më dinjitoze, më të bukur se ajo e parlamentit për të treguar oratorinë tuaj.

Në universin e veprimtarisë së tij, ligjeve dhe vendimeve që miraton, është pa dyshim dhe universiteti më i shkëlqyer politik i juaji.

Është mundësia e jetës suaj që me ligje dhe vendime, me nisma legjislative, ju të ndikoni në jetën, veprimtarinë e mijëra, mijëra, mijëra qytetarëve. Në jetën e vendit.

Pra, të ushtroni kështu, për mirë sigurisht është fjala, influencën më të madhe.

Por kjo kërkon përkushtimin tuaj.

Kërkon përkushtim të madh ndaj parlamentit, veprimtarisë së tij.

Angazhim të madh në komisione, në sallë dhe kudo.

Natyrisht një raport është më thelbësori.

Është raporti i të gjitha raporteve tuaja. Është raporti me zgjedhësit.

Ata njerëz u kanë besuar ju me çfarë kanë pasur mendimin e tyre se ju do i përfaqësoni ata, se ju do përfaqësoni interesat e tyre.

Është fatkeqësia më e madhe një deputeti është kur ai shkëput lidhjet nga zgjedhësit e tij, interesat e tyre.

Kur ai pushon së qenuri avokat i atyre që e kanë votuar.

Në këtë kuadër, takimet me zgjedhësit janë të pazëvendësueshme. Asgjë nuk duhet të shkëpusë deputetin nga takimi me elektoratin e tij.

Nga mbrojtja e interesave të elektoratit të tij.

Nga përcjellja në parlament të zërit të atyre që kanë për zë, zërin tuaj. U kanë sjellë ju në parlament.

Në këtë kuadër, një organizim, një transformim i madh i punës së parlamentit duhet të bëhet.

Ju jeni deputetë me duar në xhepa. Jeni njerëz pa asnjë staf çka e gjymton punën e parlamentit.

Jeni njerëz pa staf, qoftë për kontaktet e vazhdueshme me zgjedhësit, por jeni njerëz pa staf qoftë për mbështetjen e veprimtarisë tuaj në parlament.

Ky është një parlament skeletik ta quajmë. Kur imagjinoj se jepen 220 mijë rroga në administratë dhe këto, dhe sheh parlamentarët pa asnjë ndihmës, ose të paktën të zënë dy-tre së bashku një zyrë… kjo është si ta përthash parlamentin.

Ndaj dhe gjykoj se është e domosdoshme krijimi i kushteve parlamentarëve për të përmbushur me dinjitet profesionin e tyre.

Ishte e gabuar, ua them unë ju këtu, rritja e rrogave të deputetëve. Jo se kanë ndonjë rrogë, të themi, stratosferike. Por shumë më e drejtë do të ishte shpenzime edhe më të mëdha për stafe të parlamentit.

Për ta bërë parlamentin ai institucion që duhet të jetë.

Së fundmi, unë një sugjerim, një këshillë kam për ju.

Në çdo variant, kurrë nuk duhet të shkelmoni parimet themelore të lirive dhe të drejtave të njeriut.

Parimet themelore të lirive dhe të drejtave të njeriut duhet të jenë thelbi i ndërgjegjes njerëzore sot.

Sepse ndërgjegja njerëzore nuk është e tanishme, ajo është hershme që kur njeriu doli nga primitivizmi.

Kur dëgjoj ndonjëherë njerëz që shprehen ose mburren me armiqësira apo urrejtje ndaj besimit fetar të tjetrit, mua më kujtohet diktatori më mizor i kohërave, që ishte Genghis Khan.

Por ai ishte njeriu që respektonte në mënyrë të hekurt besimet fetare të njerëzve.

Dhe kjo nuk ishte një gjë e vogël në atë kohë.

Pushtimet ndodhnin, por besimet fetare ai i respektonte.

Ose bindjet politike.

Ose të drejtat themelore të njeriut.

Kurrë nuk duhet të pajtohemi ne me këtë.

Që në momentin që bëjmë kompromis me liritë dhe të drejtat themelore, ne bëhemi njerëz të rrezikshëm me pushtetin tonë.

Në çdo hap, në çdo veprim, në çdo votim, në çdo analizë, deputeti, dhe ai që merret me politikë, ato duhet t’i ketë linjat e shenjta, linjat e kuqe që nuk mund të preken, që nuk mund të kalohen.

Kudo parlamentet janë të ndarë në vendet me pluralizëm.

Në vendet moniste nuk ka pluralizëm parlamentar.

Në Shqipëri ka pluralizëm, por shtypet pluralizmi politik.

Mënyra se si procedohet është absolutisht e paimagjinueshme për parlamentin.

Është e vërtetë se opozita mund ta teprojë në qëndrimet e saj.

Por kjo nuk do të thotë kurrë të shkatërrohet parlamenti dhe parlamentarizmi.

Dhe në fund të fundit, opozita nuk ka detyrë tjetër përveçse të qëndrojë opozitë.

Është një fillim i frikshëm i parlamentit këtë vit.

Është nxjerrë jashtë çdo lloj konteksti.

Kurrë nuk mund të ndodhte që programi 4-vjeçar i qeverisë dhe ministrat të votohen për 28 minuta.

Asnjë pushtues, edhe pushtuesit që krijojnë një qeveri, nuk i imponojnë një gjë të tillë një parlamenti.

Ndaj dhe kjo tregon se ne kemi përsëri një rrugë të vështirë dhe të gjatë për të bërë.

Por zhvillimi i parlamentarizmit, konsolidimi i parlamentit është kushti më themelor i një sistemi demokratik.

Për të mbrojtur një sistem demokratik.

Së fundmi, do kthehem prapë tek ajo që thashë më parë.

Kurrë parlamentari, deputeti, politikani nuk duhet të shkelmojë mbi ndërgjegjen e tij.

Atë që ai beson dhe e ka bindje, ai duhet ta mbrojë. Duhet të jetë vetja e tij.

Iu uroj shumë suksese dhe iu uroj një karrierë brilante parlamentare.

U garantoj se në çdo funksion që të merrni, mision të tillë fisnik si atë të deputetit, nuk do gjeni.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale