Berisha: Mandati i Ballukut po kërcënon integrimin! Edi Rama po fsheh mesazhin ultimativ që mori në Bruksel

PRONONCIMI PËR MEDIA I KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA JASHTË KUVENDIT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë një prononcimi për media ditën e sotme jashtë Kuvendit deklaroi se mandati i Belinda Ballukut kërcënon seriozisht procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po fsheh një mesazh ultimativ të marrë në Bruksel nga autoritetet më të larta të BE-së.

Sipas Berishës, Bashkimi Europian i ka bërë të qartë qeverisë shqiptare se nuk do të tolerohet përdorimi i imunitetit parlamentar për mbrojtjen e korrupsionit apo bllokimi i kërkesave të prokurorisë për heqjen e imunitetit. Ai tha se ky paralajmërim i është komunikuar Ramës në takime të drejtpërdrejta me përfaqësues të lartë të BE-së, duke e cilësuar situatën si kritike për të ardhmen europiane të Shqipërisë.

I pyetur për vendet që kanë ushtruar presion, lideri democrat, Sali Berisha theksoi se Gjermania ka luajtur një rol kyç, duke iu referuar vizitave të fundit të zyrtarëve të lartë gjermanë në Shqipëri. Sipas tij, mesazhi ka qenë i qartë: bllokimi i drejtësisë nuk do të tolerohet më.

Në deklaratën e tij, Berisha ngriti akuza të rënda për korrupsion, duke përmendur AKSHI-n dhe figura të afërta me kryeministrin Rama, si dhe duke folur për ekzistencën e provave audio dhe video që dokumentojnë krime monstruoze dhe përvetësim të qindra milionë eurove nga fondet publike.

Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë se po përpiqet të krijojë një mburojë ligjore për anëtarët e saj, duke theksuar se Partia Demokratike nuk do të mbështesë asnjë nismë që synon mbrojtjen e zyrtarëve të dyshuar për korrupsion. Ai shtoi se presioni ndaj Ramës vjen jo vetëm nga BE, por edhe nga SHBA, duke përmendur deklaratat e fundit të përfaqësuesve të ambasadës amerikane në Tiranë.

Në lidhje me protestat, Berisha mohoi pretendimet se ato kanë qenë pa lider, duke deklaruar se drejtimi është bërë nga kryesia dhe deputetët e PD-së. Kryedemokrati paralajmëroi se 20 shkurti do të shënojë kryengritjen më të madhe që nga 20 shkurti i vitit 1991.

Berisha komentoi edhe vonesën e publikimit të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese në Fletoren Zyrtare, duke akuzuar drejtuesen e Gjykatës për bllokim të qëllimshëm të vendimit, me qëllim shkatërrimin e provave.

PRONONCIMI I PLOTË

Siç e shihni, këta të vetëquajtur parlamentarë, nuk kanë asnjë interes tjetër përveç interesave të tyre vetjake, përveç interesave të pasurimit të paligjshëm të tyre, të avokatisë të krimeve të tyre.

Sot, parlamenti nuk mund të trajtonte asnjë çështje tjetër përveç mandatit të Lubi Ballukut, mandat i cili po kërcënon sot procesin më jetik të qytetarëve shqiptarë.

Po kërcënon në mënyrë thelbësore, në mënyrë decizive integrimin tonë në BE.

Edi Rama si bashkëhajdut u fsheh shqiptarëve mesazhin ultimativ që mori në Bruksel për sa i përket mandatit të Lubi Ballukut.

Mesazhin e mori nga BE, autoritetet më të larta të këtij bashkimi, të cilat i bënë të qartë se referuar deklaratës së Presidentit të Bashkimit Europian, zotit Antonio Costa, u diskutua edhe për gjendjen kritike të Shqipërisë.

Ky është një moment kritik për fatin e të ardhmes tonë evropiane.

Edi Ramës në mëngjes pas këtij takimi, iu bë e qartë në takimin me përfaqësuesit më kryesore të BE, se nuk do të tolerohet në mënyrë absolute përdorimi i imunitetit për mbrojtjen e korrupsionit dhe bllokimi i kërkesave të prokurorisë për heqjen e imunitetit.

Pyetje: Cilat janë këto vende që kanë bërë presion?

Sali Berisha: Ato që udhëheqin dhe që përcaktojnë…

Pyetje: Për të qenë më specifikë…

Sali Berisha: Kanë qenë disa vende, unë nuk po i nxjerr meqenëse nuk bëhem dot zëdhënës i tyre.

Pyetje: A është Gjermania një ndër to?

Sali Berisha: Padyshim që Gjermania është vend kryesor dhe Gjermania, mendoj unë, me dy vizitat e fundit që janë bërë, të ministrit të jashtëm, që ishte vizitë rajonale, dhe të ministrit për çështjet evropiane, direkt në Shqipëri, ka bërë të qartë se nuk do të tolerojë më tej bllokimin e drejtësisë.

Pasi ju duhet ta dini se në çdo kancelari, ato që ne dimë për AKSHI-n, ato që ne dimë për Lindën e Surrelit dhe Mirlindën e AKSHI-t, për baxhanakun e Ramës, Armand Frangun, ato janë vetëm maja e Surrelit, çfarë dinë të tjerët falë deponimeve, dëshmive jashtëzakonisht tronditëse të Gerond Meçes.

Dhe jo vetëm Gerond Meçes, sepse del që ka edhe dëshmitarë të tjerë të penduar që kanë bërë autopsinë.

Por duhet t’u them këtu, autopsinë më të plotë të AKSHI-t e ka bërë videoteka dhe fonoteka e Ergys Agasit.

Ajo është një rezervuar krimesh monstruoze.

Aty janë të regjistruar ministra, Edi Rama vetë, gjyqtarë, prokurorë, zyrtarë të tjerë të lartë, të cilët janë delinkuentë.

Janë lule ato që dëgjoni për të tjerët në vendet e tjera, çfarë gjendet në videotekën dhe fonotekën se ky ka qenë një maniak, sa vije këmbën brenda zyrës së tij, të regjistronte zërin dhe të filmonte çdo gjë.

Pyetje: Nga e dini ju zoti Berisha?

Sali Berisha: Këto dihen. Unë mund të di edhe më shumë, por nuk dua ta devijoj diskursin, sepse diskursi duhet të mbetet tek qindra milionë euro që janë vjedhur nga Armand Frangu në emër të Edi Rarmës dhe Linda Ramës.

Nuk duhet të devijoj diskursin sepse skandalet e mëdha që kanë dalë aty. Aty janë kryer vrasje me porosi, janë kryer krime monstruoze, që të gjithë në funksion të pasurimit dhe fitimit të zgjedhjeve nga Edi Rama.

Pra, kemi të bëjmë me një përpjekje djallëzore për të shkelmuar interesat e qytetarëve shqiptarë në procesin e integrimit evropian, për t’i sakrifikuar për këto interesa dhe mbrojtur Edi Ramën, Lubi Ballukun dhe ndërprerë procesin e integrimit.

Por shqiptarët nuk do e pranojnë.

20 shkurti është dita e kryengritjes më të madhe në historinë e Shqipërisë, pas 20 shkurtit të vitit 1991.

Pyetje: Z. Berisha, kam një pyetje për sa i përket protestës. Në dy protestat e fundit, pasi keni përfunduar fjalën në podium, ju jeni larguar dhe keni shkuar drejt zyrës, ndërkohë që protestuesit i keni lënë pa liderin e tyre dhe është cilësuar si një protestë pa lider kur keni shkuar tek parlamenti.

Sali Berisha: Jo, jo, ato kanë pasur udhëheqës dhe udhëheqës shumë të fortë. E gjithë kryesia ka qenë në krye, deputetët kanë qenë në krye, ata kanë qenë të udhëhequr dhe jashtëzakonisht të sigurtë.

Pyetje: Z.Berisha, ju e dini rëndësinë tuaj në krye të protestës?

Sali Berisha: Në fakt, ju e keni parë se sa fuqishëm kanë protestuar ata. Kështu që, Sali Berisha çdo minutë ka qenë me ta dhe në ndjekje të tyre.

Pyetje: Por tek parlamenti nuk keni qenë…

Sali Berisha: Unë po them këtë që them.

Pyetje: Kam edhe një pyetje tjetër. Ju thatë se z.Rama po bën përpjekje për të mbrojtur si veten, ashtu edhe zonjën Balluku. Ka një udhëzim që juristët socialistë bashkë me ekspertë ndërkombëtarë po përpiqen për të mbrojtur anëtarët e qeverisë që të mos pezullohen nga drejtësia. A do i bashkohet PD kësaj nisme?

Sali Berisha: PD nuk do pranojë asnjë përpjekje për të krijuar mburojë ligjore për hajdutët, për organizatën kriminale të kryesuar nga Edi Rama, qeverinë shqiptare që vjedh ditë e natë qytetarët shqiptarë.

Por kuptoj se ky ultimatum, ky paralajmërim, ky karton i zi i është treguar Edi Ramës dhe nga mbarë komuniteti ndërkombëtar. Domethënë nga BE dhe nga SHBA. Me ftesën që i bënë Edi Ramës dhe ato që i thanë, me deklaratën që bëri këtu e ngarkuara me punë e ambasadës së SHBA, duke kushtëzuar bashkëpunimin me Shqipërinë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, me heqjen dorë nga çdo pengesë ndaj sistemit të drejtësisë.

Një gjë, u them qytetarëve, nuk ka ky asnjë lloj interesi përveç mbrojtjes së krimeve të tyre.

Ky është i gatshëm të shkelmojë çdo interes të qytetarëve shqiptarë, çdo interes kombëtar, çdo interes shoqëror, gjithçka tjetër për të mbrojtur krimet monstruoze. Ky vetëm në AKSHI ka përvetësuar mbi 600 milionë euro. Mbi 600 milionë janë të zhdukura.

Dhe tani kërkon të krijojë një kompani, sigurisht nën sqetullën e tij me privatin baxhanakun, në mënyrë që të vazhdojë prapë t’u thithë gjakun shqiptarëve duke përvetësuar qindra miliona të tjera.

Shikoni rrugët ju. Çfarë është për ju rruga Qukës-Qafë Pllocë, a nuk është kjo rrugë simbol i shembjeve në të gjitha segmentet si asnjë rrugë tjetër?

Kush e ka ndërtuar këtë rrugë?

Këtë rrugë e ka ndërtuar ndërtuesi që i ka bërë Edi Ramës dhuratë pallatin në pajë. Ndërtuesi, kompania e të cilit ndërtoi pallatin në pajë në sheshin e pallateve, që nuk mund të ndërtohej, dhe ka paguar gjithçka për pallatin ai vetë, edhe regjistrimin e ka bërë në emër të vet.

Ky, si ta quajmë tani, ky që bën dhuratë pallatin në pajë, merr rrugën dhe rruga i shembet në çdo segment. Dhe ka një segment që rrugën e ndërton me 9 milionë euro për kilometër pa ura dhe tunele. Dhe rruga nga 73 milionë i shkon çmimi në 330, të tjerë thonë në 400 milionë euro.

Ato ndahen me Ramën dhe Lubinë.

Ujërat e zeza të organizatës kriminale po shpërthejnë në të katër anët.

Përveç shqiptarëve, asgjë tjetër nuk mund të shpëtojë Shqipërinë.

Pyetje: Z. Berisha, një koment se pse nuk është botuar akoma në Fletoren Zyrtare vendimi i Gjykatës Kushtetuese?

Sali Berisha: Sepse, në qoftë se vendimi i parë që i interesonte Edi Ramës u publikua brenda dy orësh, vendimi tjetër mbahet në sirtar, nuk zbardhet nga famozja që kryeson gjykatën, e cila është një militante e verbër e PS, nuk zbardh vendimin në mënyrë që Lubia të ketë kohë për të shkatërruar dokumente bashkë me Ramën. Ju i keni parë kamionët.

Kamionët çdo natë me thasë, me baule, dalin nga kryeministria për të zhdukur gjurmë krimesh. Të gjitha janë zhdukje krimesh.

Sigurisht e vonon kryetarja e gjykatës, një militante e verbër e PS, por edhe ajo do përfundojë ku e kanë vendin ata që nuk zbatojnë ligjin dhe Kushtetutën.

Pyetje: Z. Berisha, a u teprua sot me fjalorin e përdorur në Kuvend, dhe a jeni penduar tani pas dy orësh?

Sali Berisha: Unë nuk kisha dëgjuar ndonjëherë gra të përdorin fjalë të pista, siç përdorën deputetët socialiste.

Ato përdoren fjalë të turpshme. Po mbrojte hajduten, mund të bësh çdo gjë.

Ato gjoja u revoltuan nga një fjalë që po ta shohësh është absolutisht gjysmë letrare.

Për ata që e dinë shqipen mirë, ajo fjalë është gjysmë letrare.

Unë e përdora në kuptimin e asaj që të mos prish gojën time.

Pyetje: Kur do përfundojë kilometri i fundit z.Berisha?

Sali Berisha: Kilometri i fundit përfundon me përmbysjen e këtij narkoregjimi. Shqiptarët e kanë në dorë dhe janë shumë të vendosur.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale