PRONONCIMI PËR MEDIA I KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA PARA SPAK
EKSTRAKT
Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha u paraqit ditën e sotme në SPAK për të zbatuar masën e tij me detyrim paraqitje. Berisha lexoi publikisht mesazhin që la në SPAK, duke akuzuar Altin Dumanin si delinkuentin numër 2 në Shqipëri pas Edi Ramës (“Ramaduros”). Berisha e akuzoi Dumanin për mbrojtjen që i bën karteleve të drogës, krimeve zgjedhore dhe atyre mjedisore, të cilat i cilësoi si krime qeveritare. Mesazhi i Berishës u dorëzua zyrtarisht në SPAK.
Gjatë prononcimit për media para SPAK, Berisha sulmoi ashpër gjykatësen Irena Gjoka (me disa mbiemra), duke e quajtur “llum njerëzor dhe gjyqësor”, të dënuar në Greqi dhe mashtruese. Sipas Berishës, ajo mban ende postin si gjykatëse sepse përfaqëson fytyrën e vërtetë të Altin Dumanit, Ulsi Manjës dhe Edi Ramës.
Berisha deklaroi për gazetarët se nuk ka marrë shkresë zyrtare për dosjen “Partizani” dhe se mungesa e tij në seancë lidhej me një udhëtim jashtë shtetit. Berisha shtoi se vendimet i përcaktojnë avokatët e tij dhe se, pavarësisht njoftimeve në media, nuk ka marrë komunikim zyrtar për shtyrjen e gjyqit.
I pyetur nga gazetarët rreth denoncimeve të masakrës mjedisore në Elbasan, Berisha tha se PD ka bërë dhjetëra, përfshirë denoncime të përsëritura nga Blendi Himçi dhe Tomor Alizoti. Megjithatë, ai e cilësoi SPAK-un si “institucionin e amnistisë së krimeve”, që injoron krimet mjedisore të denoncuara.
Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi Prokurorinë për mashtrim lidhur me çështjen e Bankers Petroleum. Ai thekson se gjatë qeverisjes së PD-së, kompania ka paguar qindra milionë euro, përfshirë rentën 10% mbi shitjet, taksën e karbonit dhe të holluesit. Kontrata ishte trashëguar nga qeveria e mëparshme dhe kishte klauzola mbrojtëse për kompaninë, por PD vendosi tatime të reja pa u ankimuar. Berisha e quajti procesin aktual një sulm mafioz dhe përdorim politik të drejtësisë.
Në përfundim të prononcimit për media, Berisha tha se Erion Veliaj, së bashku me Edi Ramën, janë përgjegjësit kryesorë për aferën e djegësit të Tiranës dhe se, Veliaj meriton të paktën 40 vite burg për këtë krim.

PRONONCIMI I PLOTË
Dedikasa që unë i lashë aty Altin Troplinit është kjo që vijon:
Altin Troplini me mbrojtjen që u bën karteleve të drogës në Shqipëri, krimeve zgjedhore dhe krimeve të rënda mjedisore, këto dy të fundit fund e krye qeveritare, dëshmon se pas Ramaduros është de facto përgjegjësi më kryesor, delinkuenti numër 2 për kriminalitetin në Shqipëri.
Kjo, u la në këtë prokurori.
Tani, siç jeni informuar për 6 ditë me radhë, qytetarët e Elbasanit pësuan agresionin toksik më të madh në historinë e atij qyteti.
Ky krim i rëndë mjedisor, sikundër krimi i rëndë ciklik mjedisor në Vlorë, nuk ekziston për Altin Troplinin, paçka se ligji, krimet mjedisore ia kërkon këtij institucioni sepse i ka shpallur krime të rënda.
Pra, ky mercenar i Edi Ramës, ka vendosur institucionin në funksion fund e krye të partisë së krimit dhe të qeveritarëve të krimit.
Të digjen fusha e plehrave në Vlorë çdo 3 muaj, të marrin vlonjatët gjer dhe dioksinë mund të ketë në ato plehra dhe mund të krijohet nga djegia. Pa diskutuar pastaj efektet e mirëfillta kancerogjene nga djegiet, të gjitha këto nuk ekzistojnë sepse ky është një peng i verbër i Edi Ramës dhe Ulsi Manjës.
Ka amnistuar dhe amniston krimin monstruoz antikushtetues zgjedhor.
Ju e shihni, farsa elektorale e 11 Majit ishte krim universal.
Që të gjitha dosjet, të gjitha shkeljet e mëdha ligjore, amnistohen nga njeriu që njoftoi Troplinët të largohen pas urdhrit që erdhi nga Prokuroria Italiane, sepse është një shërbëtor i tyre.
Edhe dy fjalë për gjykatësen llum njerëzor dhe llum i drejtësisë, turp njerëzor dhe turp i drejtësisë, gjykatësen me 5 mbiemra, Gjoka-Maneku-Stërmaneku.
18 muaj më parë është denoncuar si një mashtruese ordinere.
Si një njeri që ishte shkarkuar me firmë të Sali Berishës dhe u thoshte avoketërve ma provoni se jam shkarkuar.
Dhe kur avoketërit i nxorën vendimin, thoshte nuk jam Gjoka, por jam Maneku.
Ky llum njerëzor dhe llum gjyqësor vazhdon punën si gjykatëse duke qenë në krye të piramidës së turpit të punonjësve të sistemit gjyqësor.
Thuhet se para një javë, në qoftë se është e vërtetë, qenka hapur çështje gjyqësore për të.
Tani, më thoni ju mua, një njeri që ka kryer krime të shumta, dhe pas kryerjes së këtyre krimeve, e dënuar në Greqi për vepra penale dhe civile, u deklaroi para dy muajve gazetarëve në Shqipëri që nuk kam qenë kurrë e dënuar.
Ky njeri kishte firmosur prokura për avoketerët për ta mbrojtur për çështjet për të cilat ishte dënuar në Greqi.
Ky person, i cili ka mashtruar publikisht në formularët që plotëson se nuk kam qenë e dënuar, vazhdon turpërisht të ulet në sallën e gjyqit sepse është fytyra e vërtetë e Altin Troplinit, fytyra e vërtetë e Ulsi Manjës dhe Edi Ramës.
Këto janë pra ato që unë parashtrova në vizitën time të shkurtër.
PYETJE – PËRGJIGJE
Pyetje: Z.Berisha, në seancën e parë të dtës 30 qershor ju nuk u paraqitët për dosjen Partizani, sepse nuk kishit marrë dijeni, po në seancën e datës 21 korrikut do merrni pjesë?
Berisha: Dy gjëra.
Unë njoftim zyrtar, siç duhet, nuk kisha marrë, por nuk ishte ajo arsyeja.
Arsyeja ishte se, unë isha në një udhëtim, siç mund ta keni marrë vesh.
Por, e vërteta është se, njoftimi zyrtar nuk kishte ardhur.
Unë iu kam dhënë një përgjigje, mos përsërisni pyetjet.
Janë avoketërit e mi ata të cilët përcaktojnë vendimet.
Unë gjer tani njoftim zyrtar nuk kam marrë, por unë nuk mund të them se nuk kam marrë, se ajo është dhënë në media që është shtyrë gjyqi për datën 21.
Por, shkresë nuk kam marrë.
Pyetje: Z.Berisha, në Elbasan dhe në Vlorë, po konsumohet krim shumë i rëndë, sukurse ju e thatë, djegia e lanfilleve. Ndërkohë, në këto zona, të paktën në Elbasan, shoqëria civile ka organizuar protesta dhe ka shkuar atje duke kërkuar nisjen e hetimeve dhe nxjerrjen në drejtësi të personave përgjegjës. Përse opozita shqiptare nuk i është bashkuar kësaj proteste?
Berisha: Opozita shqiptare e ka denoncuar, siç e di ti, nëpërmjet eksponentëve ose drejtuesve më kryesorë të Elbasanit.
Ka denoncuar në mënyrë të përsëritur në konferencë shtypi dhe media, z. Blendi Himçi, deputet i zgjedhur i Elbasanit.
Z. Tomor Alizoti pas kthimit, se ka qenë jashtë, si kryetar politik.
Në qoftë se, dikush organizon një protestë dhe ftohesh, duhet të shkosh.
I paftuar, nuk duhet t’u marrësh protestën të tjerëve. Ka rregulla.
Kur nuk je ftuar, mirë nuk është të shkosh, duhet t’ia lësh meritën atij që e ftoi dhe do ta bëjë vetë.
Pyetje: A kanë bërë eksponentët e PD kallëzim penal në lidhje me këtë cështje, pranë institucioneve përkatëse?
Berisha: Vetë PD ka bërë tek institucion me dhjetëra e dhjetëra denoncime dhe ka denoncuar disa herë djegësin e Elbasanit, por këtu, ky institucion është institucioni i amnistisë së krimeve të rënda mjedisore.
Të vetmen gjë që nuk mund të themi është se, PD nuk ka bërë padira.
PD ka bërë kaq shumë padira!
Pyetje: Z.Berisha, ditët e fundit Prokuroria e Fierit ka firmosur disa urdhërarreste me atë që njihet si skandali Bankersit. A ka Sali Berisha një qëndrim në lidhje me këtë cështje, për sa kohë Bankers ka operuar që nga koha e z.Nano, më pas në kohën tuaj, e tashmë 12 vjet me kryeministrin Rama?
Berisha: Çfarë mund të them unë për këtë?
Kontrata me Bankers Petrolium është e firmosur nga qeveria para qeverisë së PD.
Një kontratë për hidrokarburet, e cila ka një klauzolë, nenin 18 që e mbron kompaninë, nuk lejon që të bëhen lëvizje të saj pa miratimin e kompanisë.
Me gjithë këtë, qeveria e PD ka bërë më të jashtëzakonshmen, dhe më e jashtëzakonshmja ka qenë vendosja e rentës 10 përqind.
Vendosja e rentës 10 përqind është disa herë më shumë se tatim fitimi.
Renta vendoset mbi 10 përqind të shitjeve të përgjithshme dhe në raste të caktuara mund të arrihet në 50 përqind të fitimit.
E para kjo, se nuk kishte rentë.
Megjithatë t’ia njoh si meritë kompanisë që e pranoi si marrëveshje dhe nuk shkoi në arbitrazh sepse kishte një klauzolë.
Sepse renta u vendos në kuadrin e një nisme të OKB për industritë nxjerrëse.
Në atë kohë, Bankers ka qenë kompani joprivate, por publike e listuar në bursë.
A e ka paguar?
Po të garantoj që edhe më shumë, gjer në 200-250 milionë në vit gjatë kohës që kemi qenë ne në pushtet.
Jo vetëm kaq, por ka paguar me detyrim taksën e karbonit që e shtuam, ka paguar, e them këtu, në vlerësimin tim, në mënyrë të padrejtë, ka paguar taksën e holluesit, të cilin e paguante dy herë. Njëherë kur injektohej dhe pastaj kur nxirrej.
Po kryeministri nuk ishte ai që ishte sot dhe nuk i ndërhynte autoritetit tatimor.
Tani të lutëm shunë, emra mos përmend këtu se këtu kanë vlerë shifrat. Ato kanë paguar qindra milionë dhe ata që mohojnë këtë, meritojnë tjetër gjë.
Janë librat e tatimeve dhe nuk veprohet në këtë mënyrë se është banditizëm.
Ajo ka qenë kompani publike kanadeze e listuar në bursë dhe ka pranuar dhe ka paguar rentën.
Dhe renta e saj është e barabartë me 70 përqind të rentës të gjithë industrisë nxjerrëse në Shqipëri.
Ajo ka paguar 1500 familje me rroga fare të mira dhe me sigurime shoqërore.
Ajo ka paguar pagesën koncesionare që shkon në qindra milionë euro naftë për Albetrolin.
Se çfarë ka bërë pas largimit tonë, nuk di unë.
Por ata që duan të barazojnë, ata kanë interesa nga më të pistat në këtë aferë dhe ndaj sillen në këtë mënyrë.
Gjatë periudhës tonë ajo ka paguar qindarkë për qindarkë.
Ka pasur njëherë problem me taksën e karbonit, e kemi detyruar dhe e ka paguar.
Dhe një gjë, është e turpshme që për interesa mafioze të bëhen skupe mediatike.
Ju jeni gazetarë investigative, ju i keni tatimet e hapura, shkoni dhe merrni librat e tatimeve dhe shihni sa kanë paguar në mënyrë që të mos përdoret media si shpatë gjobëvënëse.
Prokuroria ka bërë një deklaratë, unë u them shqiptarëve se për periudhën 2006-2013, prokuroria ka mashtruar në mënyrën më të turpshme sepse kompania ka paguar qindra milionë euro në periudhën që unë flas.
Dhe ka paguar në atë periudhë 60-70 përqind të të gjithë rentës së industrive nxjerrëse në Shqipëri.
Por kur ka prokurorë gjobëvënës si ai, që mashtron publikisht, është tjetër punë.
Për periudhën tjetër, nuk di.
Pas vitit 2013, nuk kam asnjë të dhënë por nuk besoj që mund të arrinte gjer në atë shkallë sa disa ministra rresht të mos lejonin të paguanin asnjë qindarkë. Më duken përralla këto.
Pyetje: Nesër, Erion Veliaj ka një gjyq mjaft të rëndësishëm në Gjykatën ne Lartë, ku kërkon të dalë nga qelia, duke ditur dhe influencën e kryetarit në këtë institucion, a ka PD informacione për ndërhyrje në këtë proces?
Berisha: Nuk merremi.
Erion Veliaj është autori, pas Edi Ramës, kryesor i djegësit të Tiranës.
Ai vetëm për djegësin e Tiranës meriton të paktën 40 vite burg.
Minimumi, bashkë me Edi Ramën.
Mirupafshim!


