Berisha: Kursimet e shqiptarëve janë të kërcënuara nga narkoeurot dhe nga narkoshteti! Shqipëria po shndërrohet në lavatriçen më të madhe në Europë të parave të krimit

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KUVEND

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, në fjalën e tij në Kuvend, akuzoi qeverinë Rama se po e shndërron Shqipërinë në “narkoshtetin financiar” dhe në “lavatriçen më të madhe të Europës për paratë e krimit”. Berisha paralajmëroi se kursimet e shqiptarëve janë “më të kërcënuara se kurrë” nga narkoeurot dhe pastrimi i parave, që po shkatërron ekonominë e vendit.

Berisha deklaroi se euroja në tregun shqiptar po zhvlerësohet për shkak të fluksit të parave të drogës që hyjnë në vend “me avionë, kontejnerë dhe nëndetëse”, ndërsa sektorë si ndërtimi dhe tregtia janë të mbushur me para të pista. Ai tha se 80 për qind e fondeve në ndërtim vijnë nga trafiku i drogës dhe korrupsioni, ndërsa 56 mijë apartamente qëndrojnë bosh si produkt i një ekonomie të deformuar nga pastrimi i parave.

Lideri demokrat i bëri thirrje qeverisë të miratojë ligjin për blockchain, si mjet për transparencë dhe ndarje të kursimeve të qytetarëve nga ato të zyrtarëve të korruptuar, duke ironizuar: “Të ketë dy regjistra, kursimet e Diellës dhe ato të mëkatarëve.”

Kryetari i PD, Sali Berisha përmendi gjithashtu lidhjet e qeverisë me fermat e bitcoin-it dhe kriptovalutave, duke akuzuar Edi Ramën dhe familjarët e tij për përfshirje në pastrim parash. Ai theksoi se shpallja e karteleve të drogës së Amerikës Latine si organizata terroriste i përfshin edhe degët shqiptare në këtë klasifikim.

Në fund të fjalës së tij, Berisha komentoi edhe zhvillimet në Kosovë, duke theksuar se PD ka besim të plotë se udhëheqja politike e Kosovës do të marrë pafajësinë, ndërsa akuzoi Edi Ramën për “duar të zeza në skenarët e errët” që synojnë të dëmtojnë udhëheqësit e luftës çlirimtare.

Lideri opozitar, Sali Berisha tha se, rreshtimi i Ramës me Aleksandër Vuçiçin përbën tradhtinë më të madhe ndaj kombit shqiptar që nga koha e Enver Hoxhës.

FJALA E PLOTË

Të dashur qytetarë që ndiqni këtë seancë.
Në rend dite një çështje shumë e rëndësishme për ju, familjet tuaja, buxhetin tuaj.
Një çështje që lidhet direkt me kursimet tuaja, me depozitat tuaja dhe dua të them sot se ato janë në çdo qindarkë më të kërcënuara se kurrë.
Janë më të kërcënuara se kurrë sepse sistemi financiar i këtij vendi, me politikën që ndjek Ramaduro dhe lejtnantët e tij, është shndërruar në narkoshtetin financiar.
Sot, dy kërcënues madhor, shkatërrimtarë, janë në financat familjare dhe të shtetit shqiptar.
Njëri nga këta kërcënues janë paratë e drogës, të klaneve, para të cilat siç faktojnë të dhënat e fundit, arrijnë edhe 6 miliardë te një grup i vogël fare.
Para, të cilat futen në Shqipëri me avionë të posaçëm, me Toyota Yaris, me nëndetëse, me kontejnerë, me arka dhe me të gjitha mënyrat.
Po këto para, të dashur qytetarë, do thoni ju, çfarë lidhje kanë me kursimet tona?
Këto para vrasin kursimet tuaja, sepse vetëm me një të rënë të lapsit, këto para zhvlerësuan kursimet tuaja me 30 përqind.
Këto para, të dashur qytetarë, të këtyre bosëve të drogës dhe krimit ndërkombëtar, po shkatërrojnë prodhimin në vend.
Lexoni statistikat e INSTAT.
Çfarë thotë INSTAT?
Për tre vite rresht prodhimi industrial bie në pikiatë.
Për tre vite rresht prodhimi bujqësor bie në pikiatë.
Dhe rënie katastrofale kanë eksportet e një vendi të vogël me potencial shumë të madh eksporti.
Që të gjitha sepse euro në Shqipëri shtypet nga narkoeurot.
Sepse euro zhvlerësohet.
Sepse biznesmeni i ndershëm, që tregon me euro, me zhvlerësimin 35 përqind të saj, jo fitim, por vetëm falimentim ka.
Dhe ju, po të hidhni një sy sot, të merrni shifrat, po ju shihni xhepat tuaj, kontot tuaj… po të shihni shifrat sot, cilat janë shtyllat e ekonomisë shqiptare sot?
Shtyllat e ekonomisë shqiptare sot janë ndërtimi, i cili 80 përqind të fondeve i ka nga Toyota Yaris, i ka nga autobusët, mikrobusët, avionët, nëndetëset që bëjnë transportin e tyre.
Vetëm 20 përqind janë nga bankat.
Çfarë ndodh me këtë të dashur qytetarë?
Shihni kullat e korrupsionit, të mashtrimit, të drogës, me çmime stratosferike. Mollë e ndaluar për çdo shqiptar të ndershëm që jeton me djersën e tij, nuk blen dot një metër katror nuk i afrohet.
56 mijë apartamente bosh. Kjo është ekonomia e narkoshtetit.
Shihni çmimet e tjera. 17 përqind çmimet më të larta se mesatarja evropiane.
Ju, ato para që merren me pika djerse, me mund që u vijnë nga jashtë, ju ua shkatërroni. Ju ua zhvlerësoni në depozita.
Po tjetër?
Ju e ndërpretë seancën e kaluar vetëm se unë fola për Arubën, fola për pritjen që i ka bërë Luftim Hysit Edi Rama në selinë e kryeministrit. Ato janë marrëveshje që Shqipërinë ta shndërrojnë në mega lavatriçen më të madhe në Europë të parave të krimit.
Dhe sot nuk kërkoj asgjë, as nga qytetarët, as nga deputetët, vetëm të lexoni dhe do gjeni raportin e fundit se degët evropiane të karteleve të drogës të Amerikës Latine, dominohen më shumë se kushdo tjetër nga shqiptarët.
Shqiptarët janë transportuesit më të mëdhenj të ngarkesave më të mëdhga të drogës nga Amerika Latine drejt Europës. Të papara më parë. 17 ton solli në Roterdam klani Çopja. 11 ton solli në Antverpë.
Nuk i kishte parë Europa ndonjëherë këto ngarkesa.
Përcaktojnë çmimin dhe presin Taon në takime të fshehta.
Dhe Tao u drejton ju.
E kuptoni ju se ku është gjithë kjo dramë?
Po kjo dramë është këtu mo zotëri…
Këtu kemi qenë, ju kujtohet, kur përfaqësuesi, drejtuesi i entit energjetik shqiptar deklaroi se gllabëruesit monstruozë të energjisë janë fermat e kanabisit dhe fermat e bitcoin-it.
Po kush e kontrollon bitcoin-in? Po Edi Rama me të vëllanë, po kjo dihet botërisht.
A i keni parë fotografitë e tij me bosin e bitcoin-it.
A ju kujtohet kur Amant Josifi- e ka nënë zyrtare shumë të lartë tek ju- u akuzua se ka grabitur 1 miliard euro qytetarët europianë?
Dhe Troplini juaj, Dumani, tha nuk kemi punë me të. Nuk kanë punë se është Olsi mbrapa.

Diella, më thoni ju mua, se unë e kuptoj se shumë nga ju do donit të kishit fytyrën e Diellës, por për fat të mirë është fytya e Anila Bishës, por Diella, të gjitha tenderat po ia jep qeverisë.
Shikoni prokurimet.
Diella është bërë marka e vjedhjes së qeveritarëve.
Doni ju transparencë, urdhëroni të votojmë ligjet për blockchain.
Por keni frikë nga regjistrimi ju, atë nuk e doni kurrë.
Ka një mekanizëm përë të bërë trransparencë për çdo qindarkë dhe kjo është blockchain. Jo një chatbot që zihen deputetët se kush do vendosë fytyrën e tij aty.
Çfarë është kjo? Një maskë për të fshehur para-larjen që bëni.
Pra, doni të vendosni transparencën. Urdhëroni të miratojmë ligjin për blockchain. Aty po, aty je i detyruar të regjistrosh çdo gjë.
Ata që e kanë bërë i kanë dhënë goditje shumë të fortë korrupsionit.
Por ju jeni të interesuar për korrupsionin.
Po çdo ditë lajmet e kronikat janë vetëm me vjedhjet.
Dhe të lutem zotëri, drejtues i asaj agjencie. Kursimet e zyrtarëve dhe qeveritarëve të ndahen nga ato të qytetarëve.
Të ketë dy regjistra. Kursimet e Diellës nga kursimet e mëkatarëve. Të paktën kjo mund t’u japë një siguri qytetarëve.
Bitcoin, çfarë bëjnë?
E kthejnë këtu në euro, kanë konvertuesit profesionistë, dhe një pjesë tjetër e depozitojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Financat shqiptare kanë për shtyllë pra dy shtylla të tmerrshme krimi.
Dhe ju e morët vesh se shpallja e karteleve të drogës në Amerikën e Jugut si organizata terroriste, i njëson të tilla degët shqiptare.
Po, po, degët shqiptare në Europë.
Kjo është e vërteta.

Tani, vetëm dy fjalë do them lidhur me shpifjet e ulëta, amorale që bëri njeriu që di vetëm të shpifë.
Kjo sallë ka memorie. Kjo parti është organizatore e rezolutës për njohjen e republikës së Kosovës në atë kohë kur ju dridheshit, në vitin 1991.
Qeveria e saj u dha strehë dhe të gjitha mundësitë Adem Jasharit dhe komandantëve të tjerë të stërviten dhe të aftësohen.
Qeveria e saj ia doli të kalojë në vitin 1994, rezolutën e miratuar nga 137 vende.
Qytetarëve të Kosovës u njihej në OKB e drejta e vetëvendosjes, rezolutë që ishte bazë e dokumentit të parë të Rambujesë.
Kjo parti mbështeti fuqishëm si presidentin Rugova, ashtu edhe UÇK-në dhe ajo i konsideron ata luftëtarë të lirisë.
Kjo parti ishte promotore kryesore e njohjeve ndërkombëtare dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Tiranë.
Por, rreshtimi juaj me Aleksandër Vuçiçin, shndërrimi i kreut tuaj në argat të Vuçiçit ishte tradhtia më e madh që iu bë shqiptarëve dhe Shqipërisë pas asaj të Enver Hoxhës.
Kështu që ajo që bëni ju është një karnaval me të cilën dëmtoni palcërisht statusin e udhëheqësve të luftës çlirimtare të Kosovës, e cila për ne ka qenë dhe është faqja më e ndritur e luftërave të shqiptarëve që nga luftërat e Skënderbeut gjer sot.
PD ka besim të plotë se udhëheqja politike e Kosovës do marrë pafajësinë.
Se akuzat e rënda të bëra ndaj tyre nuk u faktuan asnjë prej tyre gjer sot.
Por në skenarët e errët, Edi Rama ka duart e veta të zeza.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale