KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT-PENSIONI I RAMËS
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë konferencës së mbajtur për mediat, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se në momentet më të vështira, kur Shqipëria digjej, ai i ka caktuar vetes një pensioni rekord.
Kryedemokrati Sali Berisha tha se Rama i ka vendosur vetes një pension prej 4 milionë lekësh në muaj, shuma më e lartë në historinë e vendit. ‘Pra, 4 milionë lekë në muaj do të thotë 48 milionë lekë në vit. Pensioni mesatar vjetor sipas INSTAT-it është vetëm 1.6 milionë lekë’, theksoi Berisha. Ai shtoi se pensioni i kryeministrit është mbi 30 herë më i lartë se mesatarja kombëtare dhe madje më i lartë se ai i presidentit, i cili ka 3.5 milionë lekë.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha e quajti këtë veprim ‘një akt i papranueshëm dhe i pakonceptueshëm, i ngjashëm vetëm me veprimet e diktatorëve të rrallë’. Sipas tij, ky ishte një prej preokupimeve kryesore të kryeministrit gjatë verës: pensioni i vet.
FJALA E PLOTE:
Lajmi i verës, përveç këtij mashtrimi të shëmtuar publik, është fakti se Edi Rama caktoi vetes pensionin më të lartë të të gjitha kohërave në historinë e këtij vendi.
Në një kohë kur vendi digjej flakë në të katër anët, ai kujtohej sipas medieve, të përcaktojë për kryeministrin pensionin prej 4 milionë lekë.
Pra, 4 milionë lekë, do të thotë 48 milionë lekë në vit pension Edi Rama për vete.
E garantoj se kurrë nuk do e gëzojë sepse pensioni mesatar vjetor sipas INSTAT-it në Shqipëri është gjithsej 1.6 milionë lekë.
Edi Rama caktoi për veten e tij një pension 30 e sa herë më të madh se mesataren e pensionit në vendin e tij.
Nuk ka, përveç diktatorëve të rrallë sot, që mund të ndërmarrin një veprim të tillë.
Madje edhe presidentit ia caktoi më të ulët atij. 3.5 milionë lekë.
Ky ishte preokupimi veror i narkodiktatorit. Pensioni i tij.