REPLIKË E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KUVEND
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë një replike në Kuvend, reagoi ashpër ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani, duke deklaruar se “i vetmi nder që ai më ka bërë është vetingu 30-vjeçar”. Berisha theksoi se pas këtij procesi, doli se për 54 vite bashkë me bashkëshorten kishte vetëm 100 mijë euro dhe një apartament 47 metra më të madh se në diktaturë.
Berisha akuzoi Dumanin se e ka përfshirë në hetime për “dy fatura shëndetësore dhe një javë pushime të paguara nga vajza”, si dhe se “ka shpallur si korrupsion pagesat që vajza dhe dhëndri i tij kanë bërë për tre familje me fëmijë autikë, që trajtohen në qendrën e themeluar nga bashkëshortja e tij”.
Berisha e quajti këtë një akt që as prokuroritë naziste apo staliniste s’do ta bënin, duke akuzuar Dumanin se ka publikuar emrat e tre fëmijëve me autizëm, në shkelje të çdo ligji dhe morali.
Në fjalën e tij, lideri opozita, Sali Berisha solli edhe krahasime ndërkombëtare, duke theksuar se “Shqipëria është përkeqësuar dyfish për ndërhyrjet e qeverisë në drejtësi, nga vendi i 64 në vitin 2015 në vendin e 110 sot”.
REPLIKA E PLOTË
Njeriu që fle në këmbë, nuk harxhoj kohë me të.
Por për qytetarët duhet të qartësoj se në vitin 2015, ndërhyrja e qeverisë në vendimet civile, Shqipëria renditej në vendin e 64, sot është përkeqësuar dyfish, renditet në vendin e 110 më keq.
Për ndërhyrjen e qeverisë në vendimet penale, pra për telefonatat e Edi Ramës tek Altin Troplini, në vitin 2015 ishte në vendin e 62, sot është në vendin e 106, është përkeqësuar pra me 100 përqind.
Dhe përpiqeni të mburreni me përmbysjen e një standardi.
Tani, për sa i përket atyre që the, ç’është e vërteta, nuk mund të mohoj se një nder ma ka bërë ai mua, të jem i sinqertë me ju.
Nderi që më bëri mua ishte vetingu 30-vjeçar dhe unë vij këtu sot i vetmi shqiptar me një veting të plotë nga armiqtë e mi.
Çfarë tregoi ky veting?
Ky veting tregoi se 54 vite bashkë me bashkëshorten time, disponoja 100 mijë euro dhe një apartament 47 metër më të madh se atë që kisha në diktaturë.
Përfundoi akuzë për korrupsion për një javë vakancë që vajza ime ka paguar për mua dhe i ka deklaruar. Dy fatura shëndetësore për mua dhe nënën e vet që i ka deklaruar.
Përfundoi, dhe këtë do e them, u garantoj se as prokuroritë naziste dhe as staliniste nuk do e bënin, përfundoi korrupsion pagesa që dhëndri dhe vajza ime kanë bërë për 3 familje në nevojë që trajtojnë fëmijët e tyre në qendrën e autizmit që gruaja ime e kryeson prej 20 vitesh pa asnjë qindarkë përfitimi.
Jo vetëm kaq, por publikuan emrat, ja ai, ai që foli këtu, publikoi emrat e tre fëmijëve me autizëm këtu, duke shkelur çdo ligj dhe çdo moral.
Por ju jeni të gatshëm që të bëni nga një bust në miniaturë dhe ta mbani se është shpëtimtari juaj gjersa ne t’u japim vendin që meritoni.

