Berisha i përgjigjet Ardit Bidos: Transformove fjalët e mia brenda 2 minutash, e turpshme! Rama është argat i Vuçiçit sepse sapo erdhi në pushtet, shpalosi projektin e Millosheviçit për ndarjen e Kosovës

REPLIKË E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KUVEND

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha zhvilloi dy replika të forta në Kuvend, duke akuzuar deputetin e PS, Ardit Bido dhe kryeministrin Edi Rama. Berisha e cilësoi Bidon “falsifikator”, pasi ky i fundit transformoi brenda dy minutash fjalët e tij për çështjen e gjenocidit, duke i atribuar diçka që nuk e kishte thënë kurrë. Berisha e quajti këtë veprim “të turpshëm dhe pa precedent në historinë e parlamentit”.

Më pas, Berisha akuzoi Ramën se është “argat i Vuçiçit”, duke thënë se sapo erdhi në pushtet, nisi takime të fshehta me të dhe “shpalosi projektin e Millosheviçit për ndarjen e Kosovës”. Kryetari i PD, Sali Berisha shtoi se Rama ka vendosur sanksione ndaj Kosovës, ka marrë nga Beogradi statutin e komunave për të fajësuar Albin Kurtin dhe ka tentuar, në bashkëpunim me Baton Haxhiun, të rrëzojë qeverinë legjitime të Prishtinës.

FJALA E PLOTË

Kam dy replika zoti Peleshi sepse deputeti që vjen gjoja nga studimi, pati atë që nuk mund ta bëjë kurrë një njeri, të trillojë, të shpifë dhe të atribuojë atë që nuk e thashë kurrë.
E turpshme për ty Ardit Bido.
Turp të kesh, turp të të vijë, falsifikator.
Këtu para jush unë thashë, se edhe sikur shqiptarët të kishin kryer kryer gjenocid kundër serbëve, kundër maqedonasve, sikur të kishin kryer, unë do e dënoja.
Gjenocidin, vrasjen për çështje etnike, është krimi më i dënueshëm, më i shëmtuar.
Nuk thashë kurrë se ka ndodhur.
Duhet të kesh fytyrën tënde që të transformosh brenda dy minutave një deklaratë.
Nuk të them gjë më shumë se kaq.
Por të dish një gjë, nuk ka ndodhur në historinë 32-vjeçare të këtij parlamenti një akt i tillë.
Kanë ndodhur shumë akte, por të transformosh brenda minute deklaratën e tjetrit në të kundërt, e bën vetëm ti.
Ti qofsh.

Së pari, pse unë e konsideroj Edi Ramën argat të Vuçiçit.
Pse e konsideroj?
Sepse sapo erdhi në pushtet, Edi Rama filloi takimet e fshehta me Vuçiçin dhe shpalosi një projekt të Millosheviçit të viteve ’90, ndarja dhe ndryshimi i kufijve të Kosovës.
Këtu doli Taulant Bego Yaris dhe foli për çështje që nuk janë në rend dite. Këtu është për iPARD dhe ai foli për gjëra të tjera dhe më përmendi emrin.
Dhe unë po i përgjigjem. Kjo është gjëja më normale.
Së dyti, Edi Rama është i pari në historinë e Shqipërisë pas viteve ’90 që vendosi sanksione kundër Kosovës dhe qeverisë së saj në një akt të shëmtuar.
Së treti, Edi Rama mori nga Beogradi statutin e komunave të Kosovës vetëm për të fajësuar Albin Kurtin.
Së katërti, u përpoq me Batonët e tij që të rrëzonte qeverinë legjitime të Kosovës.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale