FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë konferencës me gazetarët të mbajtur ditën e sotme, e cilësoi kryeministrin Rama si lojtarin kyç në superskandalin ndërkombëtar me dimension kinez, amerikan dhe rus. Berisha deklaroi se, raporti i Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë në SHBA paraqet Ramën të përfshirë drejtpërdrejt në aferat e agjentit McGonigal, i cili përcolli informacion të ndjeshëm tek shërbimet sekrete kineze dhe përfaqësuesit e kompanisë CEFC, Patrick Ho dhe Yang Xemin.
Lideri Opozitar, Sali Berisha theksoi se lidhjet e Ramës me McGonigal dhe Dorian Duçkën, këshilltar i tij dhe agjent i CEFC, janë të qarta dhe dëshmojnë për korrupsion të drejtpërdrejtë. Berisha theksoi se më 9 shtator 2017 McGonigal darkoi në Tiranë me Ramën dhe Duçkën, ku u diskutua ndikimi i shërbimeve ruse dhe kërkesat për kompensimin e licencave të kompanive. Vetëm dy ditë më pas, Hunter Biden u takua në Irlandë me përfaqësuesit e CEFC, ku u dorëzuan të dhënat e mbledhura nga McGonigal për shërbimet kineze.
Përpos kësaj, Berisha deklaroi se Edi Rama ka qenë i përfshirë në dosjen kineze që në vitin 2015, duke udhëtuar me një avion special të shërbimeve të zbulimit kinez nga Tirana në Hong Kong për të ekspozuar “shkarravinat” e tij, të financuara nga CEFC. Ai kritikoi hapur këto vepra artistike dhe e përshkruan udhëtimin si pjesë të rrjetit të korrupsionit ndërkombëtar.
Kryetari i PD, Sali Berisha u bëri thirrje institucioneve amerikane, përfshirë FBI-në, Departamentin e Drejtësisë, Kongresin dhe Senatin, të ndihmojnë në hetimin e këtij superskandali, ndërsa akuzoi Altin Troplinin për bllokimin e dosjes shqiptare që mbante prova të rëndësishme për aktivitetet e Ramës dhe lidhjet e tij me korrupsionin e CEFC dhe McGonigal.
Kryedemokrati paralajmëroi gjithashtu se Rama po ndërton një shtet policor duke përdorur teknologjinë më të avancuar të regjistrimit të komunikimeve, duke përfshirë bllokimin e TikTok-ut dhe përdorimin e Smart City në shkolla për të mbikëqyrur çdo hap dhe veprim të nxënësve. Berisha theksoi se kjo shkel totalisht privatësinë e qytetarëve dhe është një nivel kontrolli që nuk e ka arritur as Sigurimi i Shtetit. Lideri demokrat akuzoi qeverinë për shtrirjen e mbikëqyrjes totale në hapësirat publike dhe private, duke e konsideruar këtë një përshkallëzim të hapur të shtetit policor.
Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, ligji amerikan mund të veprojë pa pengesë ndaj Ramës, ashtu si veproi për Patrick Ho dhe dosjen e Bilalit, ku lidhjet e Ramës me individë të përfshirë në korrupsion janë të qarta. Ai deklaroi se Rama është po aq fajtor sa McGonigal për marrjen e ryshfeteve dhe përfshirjen në rrjetin e korrupsionit të CEFC, duke përfshirë edhe lidhjet me Tomën.
Përveç skandalit ndërkombëtar, Berisha denoncoi edhe farsën elektorale të 11 majit, duke e quajtur procesin zgjedhor një shkelje masive të standardeve ligjore dhe ndërkombëtare. Lideri demokrat, Sali Berisha akuzoi Celibashin dhe të tjerët se lexojnë vetëm deklaratat e zyrës së Edi Ramës, pa pavarësi, duke mbuluar krimet dhe manipulimet e kryeministrit.
FJALA E PLOTË
Mediat ndërkombëtare komentojnë gjerësisht faktin se, kreu i organizatës kriminale shqiptare apo kryeministri i narkoshtetit shqiptar, gjendet në vorbullën e superskandalit që përfshin shërbimet më të mëdha inteligjente të planetit, FBI-në, shërbimin rus dhe atë kinez.
Raporti i Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë paraqet Edi Ramën si lojtar kryesor në lojën agjenturore më të fuqishme të kohës.
Duhet ta pranojmë se dimensioni kinez i kësaj loje tejkalon të gjitha dimensionet e tjera.
Fakte shkatërrimtare për Edi Ramën edhe në dimensionin kinez të kësaj loje.
Kur them dimensioni kinez, them se zbulimet kineze, nëpërmjet atij që e quanin ‘Një Sy’, që ishte agjenti i tyre McGonigal, arritën të marrin të dhënat më sensitive të ndjekjes së drejtuesve kryesore të kompanisë, konglomeratit energjetik të Kinës, Patrick Ho dhe Jang Xemin. I pari kryetar i fondacionit të kësaj korporate, i dyti kryetar i korporatës.
Por, në këtë mes ndodhet edhe Edi Rama.
Pra, çfarë ndodh?
Me datën 9 shtator të vitit 2017, agjenti Një Sy (Eye One), siç quhet në gjuhën e kodit McGonigal, darkon në Tiranë me Edi Ramën, në prani të personit B, Dorian Duçkës, këshilltarit më të afërt të tij, i cili mbante pasaportë diplomatike si zyrtar i lartë i qeverisë Rama.
Pas kësaj darke, nga e cila siç u mor vesh, McGonigal dërgoi mesazhin se jam me kryeministrin e Shqipërisë dhe ky po më informon për reformën në drejtësi dhe këtu do kemi shumë punë, por në këtë darkë, siç është zbardhur në dokumente të tjera të gjykatës së Uashingtonit në SHBA, McGonigal pohon se i kërkon Edi Ramës t’i heqë licencën një kompanie ruse dhe t’ia japë një kompanie tjetër ruse.
Pra, këtu u diskutua qartësisht për shërbimet ruse. Oleg Deripaska dhe Shestakov përfaqësoheshin tek Edi Rama nga McGonigal.
Po ku del tani dimensioni kinez?
Shumë interesant.
Dy ditë pas këtij takimi në Tiranë, Hunter Biden, i zhytur totalisht në këtë aferë, takohet me përfaqësuesin e Patrick Ho, presidentit të fondacionit të korporatës kineze dhe përfaqësuesin Jang Xemin, presidentit të korporatës- ku thoni ju, në Irlandë, në një hotel.
Dhe këtu diskutohet për të dhënat që agjenti McGonigal i kishte dhënë për t’ia përcjellë shërbimeve kineze direkt, agjentit kinez të quajtur Dorian Duçka, këshilltar i Edi Ramës.
Ajo që është, por që kjo është problem që merren SHBA, është fakti se kjo korporate paguante shuma të mëdha te Hunter Biden dhe i paguante një rrogë mujore 50 mijë dollarë agjentit të vet, Dorian Duçka.
E vërteta, thotë Inspektori i Përgjithshëm, është se FBI kishte futur në rreth për të arrestuar si Patrick Ho e Jang Zemin, ashtu edhe Dorian Duçkën.
Por ku del përveçse me Dorian Duçkën, Edi Rama në dosjen kineze?
Në dosjen kineze Edi Rama është më i hershëm.
Në vitin 2015, një aeroplan special, i veçantë, i agjencisë së zbulimit të Kinës, për aq sa vlerësohet tani CEFC, vjen në Rinas dhe merr Edi Ramën në një fluturim 13-15 orë Tiranë-Hong Kong.
Dhe, po kjo kompani, presidenti dhe kryetari i fondacionit që do dënoheshin më vonë në SHBA sepse kishin korruptuar në Afrikë politikanë, për ata që thonë se ligji amerikan nuk vepron, ligji amerikan vepron kudo që është korrupsioni.
Pra, për korruptimin e liderëve afrikanë, u arrestuan të dy në një operacion të përsosur të organizuar nga FBI, duke bajpasuar si McGonigalin, ashtu edhe burimet e tyre të tjera, dhe Dorian Duçkën.
Edi Rama, pikërisht me avion special të këtyre, të kryetarit Jang Xemin dhe Patrick Ho, ndërmerr fluturimin Tiranë-Hong Kong.
Dhe jo vetëm kaq, por kompania me interesa të thella nafte në Shqipëri, i prenoton, i paguan shpenzimet e ekspozitës së shkarravinave, të cilat, me pikturat gjoja të Edi Ramës, në sallën më prestigjioze të Hong Kongut, ku metri katror në mure për ekspozim, kushton qimet e kokës dhe aty varen shkarravinat e Edi Ramës, të cilat për nivelin artistik, siç kanë vlerësuar dy kritikë të njohur të artit të Bienales së Venecias, janë të një cilësie të shkarravinave të një adoleshenti të droguar.
Ky është vlerësimi artistik i një mediokri që nuk ka ekspozuar kurrë në jetën e tij, përveçse kur u bë kryeministër.
Për të vjedhur, nuk ka njeri në botë që të ketë dorë në vjedhjen e veprave të artit, ikonave siç ka ky. Shitës ikonash të vjedhura.
Po vetë, asnjë krijim. Ky është dimensioni.
Tani, Rama prapë kthehet në zyrën e tij në vitin 2017.
Se çfarë koncesionesh i dha kompanisë kineze, kjo kërkon hetim ndërkombëtar.
Unë jam këtu sot për t’i bërë thirrje FBI-së, Ministrisë së Drejtësisë të SHBA, Kongresit dhe Senatit të ndihmojnë shqiptarët në hetimin e këtij superskandali, pasi Altin Troplini, ky mercenar i Edi Ramës, mban prej tre vitesh në sirtar dosjen e dorëzuar nga opozita.
Një dosje të sensivitetit të më të lartë.
Një dosje, e cila mjafton të marrësh dosjen shqiptare të gjykatës së Uashingtonit dhe Edi Rama del po aq fajtor sa vetë McGonigal për ryshfetin që ka marrë dhe që ky i ka dhënë atij.
Por i ka shumë të errëta lidhjet e tij me Dorian Duçkën dhe jo vetëm Dorian Duçkën.
Thirrja ime është të hetohet.
PD disponon fakte dhe të dhëna absolutisht me interes të padiskutueshëm në këtë proces hetimi dhe mund të japë një kontribut të çmuar.
Por, njeriu që po bllokon hetimin është Altin Troplini.
Është një dhe vetëm një, Altin Troplini, i cili ka hapur gjoja çështjen, por çështjen e ka hapur pa thirrur kurrë Edi Ramën, pra pa emër, siç ka hapur çështje për Irena Gjokën.
Pra, në të dy rastet për të mbrojtur.
Së dyti, unë do të paralajmëroj shqiptarët se tek Edi Rama janë zgjuar dhe ulërijnë demonët e etërve të tij xhelatë.
Ai po punon ditë e natë për ndërtimin e shtetit më policesk të planetit.
Dhe ai nuk po e fsheh këtë më, po tregohen të verbër dhe konformistë njerëzit ndaj tij, kurse ai publikisht ai kur vendosi bllokimin e TikTokut, vendosi të gjithë teknologjinë e regjistrimit të përgjithshëm të çdo lloj komunikimi në Shqipëri, teknologji të cilën nuk e ka vendosur asnjë vend tjetër, sepse ajo është teknologjia më policeske, me të cilën kontrollohet totalisht privacia e çdo qytetari, shqiptar apo të huaj.
Ky operacion është kryer nëpërmjet AKEP-it dhe famozes Vlora Hyseni.
Ky operacion është një akt policesk i shëmtuar, por tani dora-dorës me Uluziun dhe eksponentin mafioz të Sigurimit të Shtetit, Arben Rakipi, një nga përfaqësuesit më të shëmtuar të mafies së Sigurimit të Shtetit shqiptar, po kompleton kodin në mënyrë që ta përdorë informacionin për të ndëshkuar qytetarët dhe gazetarët.
Dhe së fundmi, siç e dëgjuat vetë, ky manjak, që thashë edhe njëherë, që i vlojnë në shpirt demonët e etërve të tij xhelatë për kundërshtarët politikë, deklaroi me mburrje se me kamera do kontrollojë çdo kopje në shkolla.
Me kamera do kontrollojë çdo hyrje dhe dalje.
Pra, me të ashtuquajturin Smart City do vendosë kontrollin më total në çdo hapësirë publike dhe private ndaj qytetarëve.
Dhe këtë e tregoi me mburrje të madhe.
Po, po, tha, do e shohim.
Imagjinoni tani të dashur nxënëse dhe nxënës se si ky do të spiunojë ju, në vendin që ka teknologjinë më ët lartë në botë, kjo kurrë nuk ndodh.
Nxënësja, nxënësi, ulet në bankë dhe shkruan këtë detyrë, këtë hartim e bëj në përgjegjësinë time dhe vetëm vetë. Dhe ky zotim mjafton, nuk i vendoset as kamera, asgjë tjetër.
Dhe kjo është mënyra se si edukohet sinqeriteti tek të rinjtë. Virtyti tek fëmijët dhe të rinjtë.
Kurse ky thotë do u fus kamerat, të shoh nëse do kopjoni apo jo.
Dhe u garantoj se do i shtrijë kamerat në çdo hapësirë të shkollave.
Ky është një akt i paimagjinueshëm.
Pra, do shohim çdo gjë. Ky është Smart City i tij.
Smart City në një vend demokratik ka synim t’u japë qytetarëve informacionin e duhur në të gjitha shërbimet, trafikun, etj, por nuk ka synim kurrë t’i përgjojë, t’i spiunojë ata në këtë mënyrë, siç thotë ky bastard i atij që firmosi varjen në litar të kundërshtarit politik.
Unë mendoj se çdo shqiptar duhet të kuptojë se vëzhgimi i tij, mbikëqyrja e tij policeske përbën fundin e çdo privacie për të.
Në një shkallë të tillë nuk e ka bërë kurrë Sigurimi i Shtetit, sado numrin e agjentëve, sado regjistrues që vendoste, por nuk ka vendosur kurrë regjistrues në klasa të nxënësve.
Nuk ka shndërruar mësuesin në polic apo drejtorin e shkollës në polic.
Pra, kemi të bëjmë me një përshkallëzim të hapur të vendosjes së shtetit policor.
PYETJE-PËRGJIGJE
Anisa Kadesha, Tvsh: Z.Berisha, ju thatë se ligji amerikan vepron kudo ku ka korrupsion. A keni pritshmëri se ky ligj mund të veprojë edhe në Shqipëri për autoritetet e përfshira në çeshtjen McGonigal?
Berisha: 100 përqind, mund të veprojë pa asnjë pengesë!
Dhe në qoftë se nuk vepron, do të thotë se është zbatim i njëanshëm.
Në qoftë se, Patrick Ho arrestohet dhe dënohet se ka korruptuar ministra në Ugandë apo vend tjetër, po si nuk mund të dënohet Edi Rama që korrupton njeriun kryesor me mision për të mbrojtur qytetarët amerikanë nga korrupsioni dhe vjen vetë e korruptohet nga Edi Rama.
Edi Rama është po aq fajtor sa McGonigal, për të mos thënë, korrupsionin e tij nga kompania CEFC.
Pra, është përgjegjës para ligjit.
A e dini ju? U them unë. Edhe dosjen e Bilalit e ka të hapur.
Po, takojeni Bilalin, këtu e keni, në Tiranë.
Shkoni dhe pyeteni.
Bilali u dënua për shkak të Ramës.
Ai e bëri dënimin, Rama mbahet rezervë.
Pra, pa diskutim që dënohet.
Edhe Toma.
Në rastin e Bilalit, kush i çoi paratë? Tom Doshi i çoi paratë. Se c’kanë gjetur një njeri që thotë se i kam dhënë unë paratë, po janë gënjeshtra. Por paratë janë të Tomës.
Prandaj, Rama me Tomën janë lidhje tërhiq e mos këput.
Marsi Korreshi, Syri Tv: Z.Berisha, zgjedhjet e 11 majit që ju i cilësoni si farsë zgjedhore, sot kreu i KQZ, z.Ilirjan Celibashi, i cilësoi si zgjedhje që i shkojnë për shtat një vendi që kandidon për t’u anëtarësuar në BE, ndërsa votën e diasporës e cilësoi si një model dhe një histori suksesi. Si i cilësoni këto deklarata?
Berisha: Natyrisht këta janë, të gjithë flasin çfarë thotë zyra e Edi Ramës. Këta i marrin të gatshme nga zyra e Ramës dhe i lexojnë. Si Ilirjani, ashtu dhe Bajrami, edhe të gjithë me radhë. Këtu ka vetëm një zyrë shtypi dhe ajo zyrë shtypi është vetëm e Edi Ramës.
Nuk ka deklaratë me qesharake.
Zgjedhjet ishin një farsë e vërtetë elektorale dhe ne kemi faktuar me qindra mijëra fakte se, në këto zgjedhje u shkelmuan standardet më elementare të zgjedhjeve të drejta, standardet ndërkombëtare dhe ligjet e vendit.
Faleminderit!