KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë konferencës për mediat, u ndal tek vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin e gjyqtares Sonila Bejtja, duke e cilësuar atë si ‘shkelmimin më flagrant të ligjit organik të vetë Gjykatës’ dhe ‘aktin më skandaloz në historinë e jurisprudencës shqiptare’. Berisha tha se me këtë vendim është arritur ‘shkalla më ekstreme e keqpërdorimit të Kushtetutës dhe institucioneve të pavarura’, duke akuzuar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese se janë vënë në shërbim të interesave të mazhorancës dhe ‘monstrës sorosiane të drejtësisë’.
Sipas liderit të opozitës, vendimi për largimin e gjyqtares Bejtja është marrë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe me opinionet e Komisionit të Venecias, duke e kthyer Gjykatën në ‘noter të veprimeve antikushtetuese të eksponentëve të mafies në drejtësi, si Sokol Sadushi dhe presidenti antikushtetues Bajram Begaj’. Ai shtoi se ky është një shembull i qartë i mënyrës se si ‘reforma në drejtësi është shndërruar në një instrument politik në duart e pushtetit’.
Kryedemokrati Sali Berisha e cilësoi vendimin si ‘aktin më flagrant të mafies politike dhe juridike të lidhur me qeverinë’, duke akuzuar drejtpërdrejt Sokol Sadushin dhe presidentin Bajram Begaj (të cilin e quajti me ironi ‘Bajram Limioni’) si ‘autorët kryesorë të këtij puçi kushtetues’. Sipas tij, largimi i Bejtjes, e cila ishte emëruar në vitin 2020, përbën ‘shkelje të hapur të Kushtetutës dhe opinionit të Komisionit të Venecias, që garanton mandat të plotë 9-vjeçar për gjyqtarët kushtetues’.
‘Sonila Bejtja ishte një zë i pavarur, një gjyqtare që përfaqësonte integritetin dhe parimin e ligjshmërisë. Por për regjimin e Edi Ramës, mendimi i pavarur është krim,’ tha Berisha, duke shtuar se kjo ishte ‘zero tolerancë ndaj pakicës dhe mendimit ndryshe’.
Gjatë konferencës për mediat, lideri i opozitës Sali Berisha, dënoi me forcën më të madhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ndërprerjen e mandatit të gjyqtares Sonila Bejtja, duke e cilësuar atë si ‘akt të paprecedentë dhe provën më të qartë të kapjes së institucioneve të drejtësisë nga pushteti politik’. Kreu i PD-së u shpreh se vendimi përbën ‘dhunimin më brutal të Kushtetutës, ligjeve të vendit dhe opinionit të Komisionit të Venecias’, duke e quajtur Gjykatën Kushtetuese ‘produktin më monstruoz të reformës sorosiane në drejtësi’.
Sipas tij, ky vendim shënon ‘rënien e plotë të institucioneve kushtetuese dhe fundin e shtetit të së drejtës’, pasi ‘Gjykata ka shkelmuar ligjin e saj organik dhe ka vendosur në kundërshtim me çdo normë kushtetuese e ligjore’. Berisha ka lëshuar akuza ndaj Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, për ‘shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ushtrim të veprimtarive private gjatë ushtrimit të detyrës’.
Në deklaratën e tij, kreu i PD-së, Sali Berisha e quajti vendimin për ndërprerjen e mandatit të gjyqtares Bejtja ‘akt të turpshëm që shkel çdo normë ligjore e kushtetuese’, ndërsa akuzoi Presidentin se ‘ka kryer veprimtari të ndaluar me ligj, duke firmosur në bordero private gjatë kohës që mban postin e kreut të shtetit’. Sipas Berishës, ‘zonja Bejtja ka treguar guxim dhe integritet duke mbrojtur të vërtetën edhe kur ka mbetur në pakicë’, ndërsa ‘Edi Rama dhe Haram Limioni janë përpjekur ta ndëshkojnë pikërisht për këtë qëndrim të pavarur’.
‘Presidenti i Republikës, sipas nenit 89 të Kushtetutës, nuk mund të kryejë asnjë veprimtari tjetër publike apo private. Por Bajram Begaj, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, firmos në bordero private për interesa personale. Ose nuk e ka lexuar Kushtetutën, ose e trajton atë si letër të vdekur,’ deklaroi Berisha.
Duke folur për rrëzimin e rezolutës që dënon gjenocidin serb ndaj shqiptarëve, lideri i opozitës Sali Berisha theksoi se ‘kryeministri Rama vepron po aq kundër interesave të Kosovës sa Aleksandër Vuçiçi’. Ai kritikoi mosvotimin e rezolutës për gjenocidin serb, duke e konsideruar si ‘mungesë ndjeshmërie ndaj viktimave, përfshirë 1400 fëmijë shqiptarë të vrarë’. Berisha u bëri thirrje deputetëve ‘të vizitojnë muzeun e fëmijëve të vrarë në Prishtinë për të kuptuar rëndësinë e sakrificës së tyre dhe për të reflektuar mbi qëndrimet e ngurta të disa përfaqësuesve në Parlament’.
Ai rikujtoi përdorimin e teorisë së ‘tokës së askujt’ nga Rama dhe veprimet e tij të fshehta për ndryshimin e kufijve të Kosovës, duke theksuar se ‘politika e kryeministrit është në dëm të integritetit territorial të vendit’. Berisha nënvizoi rolin e thirrjeve ‘Sali Berisha, Sali Berisha’ gjatë ndeshjes së ekipit kombëtar në Leskovc, duke theksuar se ‘ato u përdorën për të motivuar lojtarët serbë, por në fakt kontribuuan në disfatën e tyre historike’.
Kryetari i PD-së Sali Berisha ironizoi deklaratat e ministrit Balla në Parlament, duke e cilësuar reagimin e serbëve si ‘tregues të dobësisë dhe mungesës së karakterit në fushë’. Berisha shtoi se kjo ngjarje ‘tregon se kur lojtarët nuk kanë mbështetje morale dhe kur kombëtarizmi përdoret politikisht, rezultatet janë të paparashikueshme’. Sipas tij, ‘fitorja e ekipit shqiptar ishte një mesazh simbolik për krenarinë kombëtare dhe për mundësinë e përballjes me presionin e jashtëm’.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha theksoi gjatë fjalës së tij, rëndësinë e miratimit të ‘rezolutës për gjenocidin ciklik të serbëve ndaj shqiptarëve’, duke vënë në dukje se ‘refuzimi i votimit nga mazhoranca është një pengesë e qëllimshme, e ndikuar nga Aleksandër Vuçiçi’. Ai akuzoi kryeministrin Rama për ‘mbrojtje të gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë’ dhe i bëri thirrje deputetëve ‘të vizitojnë muzeun e barbarive mbi fëmijët shqiptarë, për të njohur të kaluarën dhe për të respektuar viktimat e krimeve të kryera në rajon’.

FJALA E PLOTE
Dje është regjistruar shkalla më ekstreme e keqshfrytëzimit, keqadministrimit, keqpërdorimit të Kushtetutës, institucioneve kushtetuese të vendit dhe kjo është bërë me një vendim që do regjistrohet në muret e kohës, vendimi më i turpshëm në jurisprudencën e këtij vendi.
Do regjistrohet si akti më skandaloz i monstrës sorosiane, reformës sorosiane të drejtësisë.
Gjykata Kushtetuese vendosi shkelmimin e ligjit të saj.
Gjykata Kushtetuese vendosi shkelmimin e opinioneve zyrtare të Komisionit të Venecias.
Gjykata Kushtetuese bëhet notere e një serie veprimesh antikushtetuese, antiligjore të eksponentit më kryesor të mafies në drejtësinë shqiptare, me emër Sokol Sadushi dhe presidentit antikushtetues, presidentit më të padenjë në Shqipëri, në Europë dhe më gjerë.
Dje, për të larguar nga Gjykata Kushtetuese armiken Sonila Bejtja, gjykatëse kushtetuese, e emëruar në vitin 2020 me dekret të presidentit Ilir Meta, Gjykata Kushtetuese vendos duke shkelmuar mbi ligjin e vet të shpallë jashtë çdo lloj kompetence ndërprerjen e mandatit të saj.
Përcaktimi i Kushtetutës në nenin 125, pika 6, se përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tre vjet më një të tretën e saj sipas procedurës së caktuar me ligj, është transkriptuar, është mishëruar në ligjin organik të Gjykatës Kushtetuese, neni 86, pika 4, në të cilin sanksionet: Përtëritja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese deri në vitin 2022 do të bëhet sipas skemës së parashikuar më poshtë.
Pra, përtëritja me një të tretën, siç parashikon Kushtetuta, ligjvënësi e ka quajtur të drejtë ta mbajë gjer në vitin 2022.
Cilido që kishte kundërshti për këtë përcaktim të ligjit, që është ligj organik, të Gjykatës Kushtetuese, kishte të drejtën t’i drejtohej parlamentit, i cili mund të amendonte ligjin.
Por këtë nuk e bëri as Sadushi, edhe njëherë, i marrë peng nëpërmjet vetingut, të cilin në kundërshtim me Kushtetutën nuk e bëjnë publike, e mbajnë në sirtar fshehtë KLGJ-ja. Ne sigurisht do e bëjmë publike.
Qoftë vetë Bajram Limioni.
Por edhe Gjykata Kushtetuese kishte të drejtë t’i kërkonte parlamentit jo opinion për kandidaturat, se nuk ka asnjë tagër parlamenti për këtë, siç veproi, por kishte të drejtë t’i kërkonte parlamentit si ligjvënës të përcaktonte qëndrimin ndaj legjislacionit, i cili sa kohë është në fuqi, është në zbatim.
Tani, këtu kemi, përveç kësaj, nuk po citoj një vendim të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2011, të qëndisur nga Sadushi, se ai nuk meriton të citohet nga asgjë në aktet e jurisprudencës, për sa kohë është autori i një puçi të vërtetë brenda institucioneve.
Çfarë thotë Komisioni i Venecias: Duhet të hiqen vitet fikse të fillimit dhe mbarimit të mandateve 9-vjeçare.
Gjyqtarët Kushtetues duhet të gëzojnë një mandat të plotë 9-vjeçar.
Sonila Bejtja ka filluar detyrën në vitin 2020. Jashtë çdo lloj dyshimi, përveç rrethit të kuq si armike e narkoshtetit, ajo nuk mund të prekej mandati gjer në vitin 2028.
Dhe vazhdon Komisioni i Venecias: Gjyqtarët kushtetues duhet të gëzojnë mandat të plotë 9-vjeçar, edhe nëse janë mbledhur me njëfarë vonese. Ose nëse marrin një mandat që është ndërprerë para kohe.
Sonila Bejtja është zgjedhur dhe mori mandatin e Besnik Muçit, i cili u detyrua brenda një muaji apo dy të dorëzojë mandatin. Dhe është zgjedhur për një vend që ishte vakant që nga viti 2016.
Por sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sipas ligjit të Gjykatës Kushtetuese, sipas opinionit të Venecias, sipas vetë Kushtetutës, mandati i saj nuk mund të ndërpritej.
Kushtetuta thotë se mandati fillon kur bëhet betimi.
Por këtu gjykatësit kushtetues nuk kanë Kushtetutë.
Presidenti ka xhepin dhe nuk ka Kushtetutë.
Sadushi ka kodin e mafies dhe nuk ka Kushtetutë.
Kurrë ndonjëherë shteti shqiptar nuk është fyer dhe poshtëruar si dje.
Por ç’punë ka Gjykata Kushtetuese të interpretojë për veten e vet? Dhe pse? Sepse i thotë Bajram Limioni.
E kuptoni ju?
Kjo është zero tolerancë ndaj mendimit ndryshe.
Zero tolerancë ndaj pakicës.
Sepse e vërteta është, duhet ta pranojmë, zonja Bejtja ishte një zë i pavarur, një zë që nderonte parimin themelor të një sistemi.
Ata që mendojnë se këtu po bëhet avokati politike, gabojnë rëndë. Jo, po bëhet avokati për rendin kushtetues dhe kushtetutshmërinë.
Po për sa i përket opozitës, me atë përbërje që ka Gjykata Kushtetuese, me njerëz të marrë peng, nuk ka dyshim se Edi Rama do diktojë çdo gjë.
Ju i patë kërcënimet që bëri? Një ditë më para, njeriu që nuk ka ligj, nuk ka Kushtetutë apo moral, presidenti që në çdo vend të botës, Kushtetuta e ndalon të ushtrojë asnjë detyrë tjetër publike apo private përveç asaj të presidentit, dhe ky ushtron detyrat e xhepit, shkon dhe punon në privat duke shkelur në mënyrë flagrante nenet e Kushtetutës. Jo një, por dy nene, shpirtin e saj.
Ky i turrej me tërbim Gjykatës Kushtetuese me fyerje, brutalitet se ato vendosën të anulojnë dekretin e tij për Erion Veliajn dhe natyrisht, duhet të themi këtu, relatore për këtë çështje ishte Sonila Bejtja.
Ky akt dëshmon rënien e plotë të institucioneve të këtij vendi, rënien e plotë të Kushtetutës, rënien e plotë të ligjeve.
Kur një gjykatë shkelmon ligjin e vet, që nuk mund ta bëjë kurrë, por në qoftë se ata gjykatës vërtet kishin bindje se neni 84, pika 4 i ligjit të tyre, ishte i pavlerë, ata kishin çdo të drejtë t’i kërkonin ligjvënësit abrogimin e këtij ligji, amendimin e këtij ligji, por nuk kishin kurrë të drejtë ta shkelmonin atë.
Dhe këtë e bën në mënyrën më skandaloze institucioni kryesor, por që është një produkt monstruoz i reformës së Xhorxh Sorosit në Shqipëri.
Nuk mund të ketë as fjalë, as epitete për të përshkruar këtë skandal të paimagjinueshëm.
Dakord, ti mendon mor zotëri se mandati i kësaj zonje duhet të jetë 4-vjeçar, por ligji thotë se kjo praktikë ka marrë fund në vitin 2022 dhe ti ke qenë president.
Pse nuk kërkove ndryshimin apo nuk ka nevojë se parlamenti nuk ekziston, se vullneti i qytetarëve nuk ekziston?
Po kështu një intrigrant sa vetë intrigat, një njeri që ka lëshuar kthetrat mbi sistemin e drejtësisë si kurrë ndonjëherë më parë, Sadushi nisi procedura jashtë çdo lloj tagri ligjor dhe kushtetues.
Dhe tani e mbyllën këtë cikël me vendimin e djeshëm.
PD e denoncon dhe e dënon me forcën më të madhe këtë akt të papërgjegjshëm, këtë dëshmi flagrante të dhunimit të Kushtetutës, ligjeve të vendit, por edhe një opinioni të një institucioni të respektuar në Europë dhe në botë për ekspertizën e tij ligjore siç është Komisioni i Venecias.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:
Marsi Korreshi, SYRI TV: Për të mbetur tek dënimi që ju i bëtë ndërprerjes së mandatit të gjyqtares Sonila Bejtja. Përmendët pak më parë se, ajo ishte relatore e çështjes se pezullimit të dekretit presidencial për zgjedhjet e pjesshme në Tiranë. A mendoni se, vendimi për ndërprerjen e mandatit të saj, është një hakmarrje politike për këtë vendim?
Sali Berisha: Tani e vërteta është se zonja Bejtja ka pasur guximin, kurajon, që për të vërtetën të pranojë të mbetet pakicë në mënyrë të përsëritur në atë gjykatë. Pra ajo ka nderuar ligjin, ka dëshmuar integritetin e vet.
Por nuk mund të mos thuhet se mbushja e kupës është pikërisht kjo. Kjo i tërboi Edi Ramën dhe Haram Limionin, i cili ka paturpësinë të rrijë në detyrë, pasi neni 89 i Kushtetutës thotë; Presidenti i Republikës nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike. Nuk mund të jetë anëtar partie dhe nuk mund të kryejë as veprimtari tjetër private.
As të kryejë veprimtari tjetër private.
A mund të imagjinoni ju, kryetari i shtetit tuaj, për babëzinë e tij të papërmbajtur. Ose nuk ka lexuar 1 faqe e gjysëm që Kushtetuta, disa nene i kushton këtij institucioni, ose i konsideron ato letër e vdekur dhe nuk pyet për to.
Nuk ka gjë më të vetëkuptueshme se presidenti nuk mund të kryejë asnjë funksion tjetër. Se presidenti i ka të rënditura në Kushtetutë se çfarë mund të bëjë ato që i thotë Kushtetuta, ose të tjerave që në zbërthim të Kushtetutës i jepen me ligj.
Neni 94 thotë; Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera, përveç atyre që i njihen shprehimisht me kushtetutë ose që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me të.
Por për Bajramin, peng i Limionit dhe aferave të tjera korruptive, është një skllav në duart e Edi Ramës dhe xhepave të tij. Shkon firmos, merr para në bordero private. I bëj thirrje Urdhërit të Mjekut, të ja heq menjëherë diplomën. I bëj thirrje Urdhërit të Mjekut, të ja heq diplomën se turpërim më të madh se ky nuk ka.
Por kjo është vetëm kur je në grupin, klanin, bodrumin, shpellën e Edi Ramës mund të bësh në këtë mënyrë. Të paktën Urdhëri i Mjekut duhet të tregojë integritet dhe ta përjashtojë si të padenjë për këtë akt që ka kryer.
Sigurisht që të gjitha këto do i renditen në dokumente ‘impeachment’, edhe kjo që ka bërë për gjyqtaren Bejtja dhe do jepen për ndjekje penale. Ndjekja penale dhe impeacment janë dy procedura të ndryshme, por unë e ftoj prap të reflektojë, në qoftë se i ka ngelur edhe një kuant i integritetit njerëzor, të largohet menjëherë nga ajo detyrë se e ka turpëruar në mënyrë skandaloze.
Marsi Korreshi, SYRI TV: Për protestën që mbahet sot në orën 17 në Tiranë, ku PS-ja ka bërë thirrje për pjesëmarrje, megjithatë një ditë më parë në Kuvend ajo refuzoi të votojë për rezolutën për dënimin e gjenocidit serb. Cili është qëndrimi juaj dhe pse një standard i dyfishtë i PS-së
Sali Berisha: Refuzimi që i bënë dje votimit të rezolutës për gjenocidin serb ishte akt i pashembullt, në radhë të parë në rrafshin njerëzor sepse e them këtu, për çdo njeri të qytetëruar, midis të gjitha krimeve është gjenocidi, i cili në kualifikimet e tij në rastin konkret ka vrasjen e qytetarëve të pafajshëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike.
Këtyre përfaqësuesve të partisë së krimit në parlament, këtyre zonjave atyre që janë nëna, motra, u them kurrë se nuk arrij kurrë ta kuptoj ku e gjetët ju forcën për të qëndruar të ngurta ndaj sakrificës të jetës së 1400 fëmijëve që u vranë barbarisht vetëm pse ishin fëmijë shqiptarë.
Unë po marr zonjat deputete. Unë i ftoj ato të shkojnë në Prishtinë, aty ka një muze për këta fëmijë. Ta vizitojnë atë muze. Aty do gjejnë mijëra palë këpucë që përfaqësojnë ata fëmijë që nuk i veshin dot kurrë.
Dhe do kujtohen ndoshta si nëna, si motra se ç’do të thotë të tregohesh e ngurtë dhe e pashpirt para një krimi të tillë monstruoz.
Më është kujtuar dje një skenë e një romani të Viktor Hygoit. Në vitin 93, forcat e republikës dhe forcat ruajaliste, përkatësisht në rastin konkret nip dhe xhaxha, luftuan në një kështjellë.
Gjenerali u përkiste ruajalistëve. Nipi udhëhiqte forcat e revolucionit.
Kështjella mori flakë. Por në kështjellë, një grua revolucionare kishte vendosur djepin. Gjenerali e kuptoi se djepi po digjej. Hyri në kështjellë dhe doli me djepin në krah. U dorëzua.
E thotë Hygoi, edhe ky u përkul para atij agimi pafajësie që quhet fëmijë.
Kurse deputetet dje nuk gjetën forcë dhe kurajë të nderonin 1400 fëmijë të vrarë vetëm e vetëm se ishin fëmijë shqiptarë.
Një akt i tillë do shkruhet me germa të zeza në muret e parlamentit si akti më armiqësor i parlamentit ndaj kombit shqiptar.
Unë përshëndes veteranët e UÇK për lëvizjen e tyre.
Në të gjithë dijeninë time, ndjekjen time, nuk kam parë në mënyrë absolute asnjë fakt që të provojë asnjë akuzë për të cilën janë arrestuar dhe mbahen në arrest ish-udhëheqësit e luftës dhe udhëheqësit politikë më vonë të Kosovës. Asnjë!
Kjo është e vërteta.
Dhe unë uroj me zemër që ajo gjykatë të shpallë pafajësinë e tyre dhe kthimin e tyre në vendin e tyre.
Përdorimi për qëllime politike i procesit është një makabritet.
Edi Rama u tërhoq, por unë kam këtu dëshmitë që ai ishte parashikuar të fliste mbi 1 orë.
E kuptoni ju?
Do bëhej patriot njeriu që me aktet e tij është ndaj Kosovës po aq armik sa Aleksandër Vuçiçi.
Po, unë u them ju, 36 marrëveshje ishin firmosur gjer në fund të vitit 2013.
Edi Rama mori përsipër projektet e Beogradit për ndarjen e Kosovës dhe ndryshimin e kufijve me një seri takimesh të fshehta.
Edi Rama është në histori i pari që paditi kryeministrin në detyrë të Kosovës se mbronte interesat e qytetarëve të tij.
Edi Rama, bashkë me Vuçiçin, i cili nuk e fshihte se Serbia do bëhej më e madhe me ato që do merrte në Kosovë, punoi me të gjitha forcat për ndarjen dhe shpërbërjen e pavarësisë së Kosovës.
A u kujtohet ju slogani i tij për Mitrovicën dhe veriun e Kosovës? Toka e askujt. Reminishencë kjo e qarqeve antishqiptare se sa herë donin të ndanin dhe copëtonin trojet shqiptare nxirrnin në tavolinë teorinë e tokës së askujt.
As Millosheviçi nuk e kishte thënë këtë toka e askujt.
Edi Rama është autori i Ballkanit të Hapur, dhe kur doli në Novisad me padronin e tij, vunë përpara hartën ku Kosovën e nxirrnin pjesë të Serbisë. Hartën e viteve ’70.
Kërkonte me çdo kusht që Kosova e veriut t’i shkëputej Kosovës. Madje paralajmëronte se nëse nuk ndodh kjo, do kthehej koha e bronzit, duke aluduar se Vladimir Putini do hidhte predha nukleare.
U bë i pari person që i vuri sanksione Kosovës dhe përfaqësuesve legjitimë të Kosovës. Asnjë sanksion padronit të tij Vuçiç. Asnjë!
Bëri statutin e komunave të veriut, e mori nga Beogradi dhue e publikoi sipas oreksit të Beogradit.
A ka antishqiptar si ky?
Dhe dje urdhëroi mosvotimin e rezolutës.
Janë 13 mijë shqiptarë, nga të cilët 2 mijë janë në front, por të tjerët janë vrarë për shkaqe mirëfilltas etnike.
Por një antishqiptar si ky nuk pranon…
E dëgjuat ju vetë Taon? E vërteta është se në stadiumin e Leskovcit, i mbushur me ultranacionalistë të përzgjedhur nga Vuçiçi, për t’u dhënë zemër lojtarëve të vet, ka shpërthyer me histeri thirrjet Sali Berisha, Sali Berisha.
Vetëm e vetëm që të motivonin lojtarët e ekipit kombëtar.
Dhe çfarë thoshte ai?
Serbët na fyejnë ne duke na thënë Sali Berisha. I shihni ju çfarë vasalësh janë këta?
Tao thotë në parlament se serbët na fyejnë ne duke na thënë Sali Berisha.
E kuptoni se çfarë skllevërish janë këta, qenie të shpërfytyruara.
Në fakt ndeshja u fitua dhe për herë të parë Serbia humbi, mori atë që meritonte në tokën e vet.
Ai slogan në vend që të motivonte ekipin, motivoi kundërshtarët dhe aty morën një disfatë të turpshme.
Le që ishin fare të dobët njëherë, ishte një ekip ndër më të dobëtit. Nuk shihej në fushë.
Anesti Bajramemaj, A2CNN: Në konferencën e kryetarëve nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi ka hedhur një ide, që nëse socialistët do të thonë me zë të lartë se, do të votojnë javës tjetër një rezolutë për gjenocidin në Kosovë, atëherë demokratët do të marrin pjesë në protestën që do të zhvillohet sot. A është ky kushti juaj për të dalë në protestë, i PD-së që nëse socialistët do të votojnë një rezolutë kundër gjenocidit në Kosovë, ju do të dilni në protestë.
Sali Berisha: Absolutisht është gjëja më themelore, gjëja më themelore. Por nuk votojnë ata. Ku e le Vuçiçi këtë me votu. Nuk votojnë kurrsesi.
Këta nuk guxojnë.
Më shkruante dje një mik, që gjenocidi ndaj shqiptarëve nuk janë të reja, janë prore. Ti ke dekretuar gjenocidin grek ndaj çamëve. Po e kam dekretuar.
Tivari akt i tmerrshëm gjenocidi, cilido që lexon.
Luma. Unë ju bëj thirrje të lexoni. Është nga gjenocidet më të para. Dhe çfarë shkruajnë, ata që e panë, të huajt.
‘U kryen krime thotë, të panjohura kurrë më parë në të gjitha luftërat para kësaj lufte’. Ndaj kujt? Ndaj fshatarëve të Pobregut, të Kullës së Lumës, të atyre fshatrave, për faktin se kishin mbrojtur vendin e tyre 1 vite më parë.
Një vit më parë ata thyen, turpëruan një ushtri që vërshonte drejt Shqipërisë vetëm me një qëllim, që Shqipëria të mos shpallte pavarësinë në Nëntor 1912.
Dhe kur unë, ta dini se jeni gazetarë, e kisha ngritur këtë, dhe unë jam që rezoluta të quhet ‘Për gjenocidin ciklik të serbëve ndaj shqiptarëve’ ose të paktën të rrimë tek Kosova. Por gjenocidi serb ndaj shqiptarëve është ciklik.
Këto janë, por ka dhe në vitin 1870. Janë të njohura barbaritë që kanë kryer ndaj nesh. Dhe ky zotëri flet për luftën, por mbron me qëndrimin e tij gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve në Kosovë. Kjo është e gjithë puna.
Unë jam mahnitur, veçanërisht më kanë bërë përshtypje ato zonjat aty, gratë, nënat me fëmijë. Të shkojnë, të shkojnë të vizitojnë muzeumin e barbarive mbi fëmijët në Kosovë.
U garantoj se do kthehen krejt të tjera, dhe u shërben shumë. Se me këtë shpëlarje truri që u ka bërë Edi Rama të ardhmen e kanë shumë problematike.