FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN: ‘TË BËSH NDRYSHIMIN, NGA INFLUENCUES NË VENDIMMARRËS‘
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë konferencës së organizuar nga PD dhe fondacioni suedez, ‘Jarl Hjalmarson, deklaroi se gjendja e grave dhe vajzave në Shqipëri është dramatike, ashtu siç është edhe gjendja e gjithë shoqërisë shqiptare, por sipas tij, ato janë ato që po paguajnë çmimin më të rëndë.
Berisha theksoi se Shqipëria është i vetmi vend në Europë ku sundon një “narkodiktaturë autoritare e bazuar mbi drogën dhe krimin”, çka ka sjellë shkatërrim ekonomik, largim masiv të të rinjve, shpopullim të fshatrave dhe rritje të dhunës ndaj grave. Ai nënvizoi se dhuna ndaj grave është sot në nivelet më të larta, ndërsa numri i vrasjeve të tyre është më i larti në rajon.
Në fjalën e tij, lideri opozitar, Sali Berisha solli në kujtesë arritjet e qeverisjes së PD, ku diferenca gjinore në paga u ul nga 36% në 17.8%, duke bërë që gratë shqiptare të ishin më të mirëpaguara në rajon. “Sot, ato janë më të keqpaguarat në Ballkan”, tha ai.
Kryedemokrati, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama si “më mizogjenin në Europë”, duke shtuar se gratë në kabinetin qeveritar nuk përfaqësojnë realisht interesat e grave shqiptare, por shërbejnë si “fasadë” e pushtetit. “Ato nuk shqiptojnë kurrë fjalët vajzë shqiptare, nënë shqiptare, grua shqiptare. Sikur janë të gjitha robot”, u shpreh Berisha.
Kryetari i PD, Sali Berisha denoncoi gjithashtu korrupsionin në shëndetësi, duke theksuar se pajisje moderne që blihen me paratë e taksapaguesve lihen të papërdorura, ilaçet skadojnë, ndërsa pacientet me sëmundje të rënda nuk trajtohen siç duhet. Sipas tij, kjo ka çuar në nivelin më të lartë të vdekshmërisë në Europë gjatë pandemisë.
Në vijim, Berisha kritikoi fenomenin e pastrimit të parave përmes ndërtimit, duke theksuar se çmimet e apartamenteve janë bërë “të papërballueshme” për vajzat dhe të rinjtë shqiptarë, të cilët e kanë më të lehtë të blejnë një banesë jashtë vendit se sa në Shqipëri.
“Çdo diktaturë ka një fund dhe fundi i kësaj diktature do të vijë nga gratë dhe vajzat shqiptare”, përfundoi Berisha, duke u bërë thirrje atyre që të jenë forca kryesore e ndryshimit në vend.
FJALA E PLOTË
Mirëdita, dhe një përshëndetje të përzemërt për të gjitha ju këtu, zonja, zonjushe të nderuara. Një përshëndetje të veçantë për Albanën për organizimin e kësaj konference dhe punën e saj të palodhur. Një mirënjohje të veçantë kam për fondacion Jarl Hjalmarson, presidenten e tij, Eva Gustavsson, mikeshë e çmuar e PD. Mirënjohje të veçantë kam për znj. Margareta Cederfelt, për znj.Wickland, për znj. Li Borgs, të pranishme në këtë konferencë për mbështetjen shumë të rëndësishme që i japin Lidhjes Demokratike të Gruas, përpjekjeve tona në kushtet shumë të vështira që veprojnë sot.
Është shumë themelore tema e konferencës dhe trajtimi i rolit të gruas në shoqërinë shqiptare.
Në shoqërinë tonë, por edhe në çdo shoqëri, edhe në ato më të avancuarat operon prej shekujsh dhe mijëvjeçarë muri i patriarkisë. Dhe ne, nuk do të harrojmë kurrë se çështja e rolit të gruas, çështja e barazisë gjinore, është para së gjithash një cështje e të drejtave të njeriut. Kjo pabarazi e kristalizuar në shekuj, dhe që ka forma nga më të shëmtuarat të shfaqjes së saj, fatkeqësisht është armiku kryesor sot i të drejtave të njeriut, i vajzave dhe grave, në Shqipëri, Europë dhe në botë.
Gjendja sot e grave dhe vajzave, në Shqipëri, është dramatike, siç është dramatike gjendja e shoqërisë shqiptare, por ato që paguajnë çmimin më të shtrenjtë në këtë mes janë gratë dhe vajzat, pasi Shqipëri është vendi i parë dhe i vetëm në të cilin sundon një narkoregjim, një diktaturë autoritare e bazuar në drogë, e bazuar në krimin dhe lidhjet e pushtetit me krimin.
Në qeverisjen tonë, ne u përpoqëm dhe shënuam hapa të rëndësishëm në betejën tonë kundër pabarazisë, në betejën tonë kundër murit të patriarkisë.
E kam theksuar dhe e theksoj, ne arritëm që, nga një diferencë prej 36% në paga që ekzistonin midis burrave dhe grave, ta ngushtojmë këtë diferencë në 17.8%.
Arritëm që, vajzat dhe gratë shqiptare, pabarazinë financiare dhe ekonomike, e cila është një pabarazi jashtëzakonisht e dhimbshme, ne arritëm që këtë pabarazi, jo vetëm ta ngushtojmë, por vajzat dhe gratë shqiptare nuk ishin më më të keqpaguarat në rajon, por ishin më të mirëpaguara në të gjitha vendet e rajonit.
Kjo arritje u rrokullis me shpejtësi.
Sot, ato janë punonjëse, punëtore, ekspertet më të keqpaguara në gadishullin e Ballkanit. Por, jeta e gruas shqiptare në narkodiktaturën autoritare të bazuar mbi drogën është me shumë drama, është jashtëzakonisht e dhimbshme. Çfarë ndodh me instalimin e narkoshtetit?
Paraja e drogës, është një para toksike, e cila shkatërron me mijëra e mijëra vende pune, falimenton me qindra ndërmarrje eksporti dhe le si alternativë të vetme për të rinjtë shqiptarë, largimin nga Shqipëria.
Nuk gjen kund në Europë me vatra bosh, sepse fëmijët janë larguar. Nënat kryefamiljare, sepse burrat janë larguar në emigracion. Nuk ka një vend tjetër të dytë, ku dhuna ndaj grave të ketë këtë agresivitet që ka në Shqipëri dhe që kjo, duhet ta pranojmë. Në qoftë se, trashëgimia jonë, nuk është se na bën dhe shumë nder raportet gjinore, por përsa i përket vrasjes, ajo ka qenë eksepsioni i të gjitha ekscepsioneve në traditën tonë.
Kurse sot, ne numërojnë numrin më të lartë të vrasjeve të grave, sepse nuk ka një mbrojtje. Sot dhuna nxitet.
Shqipëria, duhet ta kenë të qartë, se kanë kryeministrin më mizogen në Europë. Kryeministër që agreson, zyrtaret, ministret, edhe gazeret, edhe para kamerave, nuk përmbahet. Agreson fizikisht.
A mund të imagjinoni ju, se si reflektohet ky qëndrim i egër i njeriut që humbet kontrollin kur ndodhet para një gazetareje që i bën një pyetje që nuk i pëlqen, apo një ministre që nuk është dakord me mendimin e tij.
Një njeriu që po t’ia shohësh kabinetin e ka plot me gra dhe vajza, por e kam thënë dhe e them: më rikujton Gadafin, i cili nuk mbate badigardë, por mbante badigarde.
A e dëgjoni ndonjëherë ju, a i dëgjoni ndonjëherë shqiptarët, këto zonja të nderuara, të shqipërojnë njëherë në parlament fjalën familje, të shqipërojnë në parlament vajzë shqiptare, grua shqiptare, nënë shqiptare. Asnjëherë!
Sikur janë të gjitha robot.
Nuk ekzistojnë. Shtetërohen në mënyrë të paimagjinueshme. Në vend se të jenë promotorë, avokate të fuqishme të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të grave , rolin e tyre të vërtetë, ato shndërrohen në automatin që i thurin lavde dhe hymne. Kujt? Njeriut më mizogen, kryeministrit më mizogen të Europës.
Është kjo e vërteta!
Ministre Shëndetësie, për rrjedhojë duhet të jetë një përparësi absolute nga vet ndjesitë e saj, ndjenjat e saj, shëndeti i fëmijëve dhe grave. Janë qëndrimet e saj, e Manastirliut dhe pasardhëses, janë absolutisht në konventa ndëkobëtare, qëndrimet e saj ndaj grave të sëmura me forma malinje sëmundjesh, ngjiten në nivele krime kundër njerëzimit.
Taksapaguesit paguajnë aparatura moderne. Ato rrinë të papërdorura, ose të prishura vite të tëra dhe nuk mjekohen dot të sëmurat, nuk marrin dot kimioterapi dhe metoda të tjera mjekimi. Çfarë tregojnë kontrollet?
Me mijëra e mijëra ilaçe të blera, të skaduara.
Një injorim i plotë, një rrënim i një sistemi i cili, nuk është i lehtë të konsolidohet, por është plotësisht e mundshme, dhe këtë e rrënon korrupsioni. Sepse, ministrja paguante 3-4 herë më shpejt të gjitha materialet që blinte në epideminë e Covidit, në pandeminë e Covidit.
Ndaj dhe ne përfunduam në 3-4 kombet me vdekshmërinë më të lartë në Europë dhe në botë.
Pra, nuk do të thotë fasada, është njëra anë. Po fasada është jashtëzakonisht e dëmshme. PD beson shumë në forcën, ekspertizën, guximin dhe rolin e grave.
Edhe sot, në opozitë, ju keni një rol thelbësor, themelor, me qëndresën tuaj, me përkushtimin tuaj, me punën tuaj.
Thashë, ne jemi në kushtet e një narkoshteti, dhe për mikeshat tona që janë këtu, sot falë lumenjve të eurove që futen në Shqipëri, euro është zhvlerësuar në masën 30-35%.
Eksportet kanë rënie dyshifrore. Prodhimi industrial është në recension, prodhimi bujqësor është në recension. Por te gjitha këto nënkuptojnë shkatërrimin e mijëra mijëra vendeve pune.
Ka një sektor që këtu është në kulm dhe është 3 herë më i lartë se në mesataren e Europës. Është ndërtimi. Seppse baronët e drogës, kartelet e drogës të Shqipërisë dhe të tjera, lajnë paratë e tyre në ndërtime në Shqipëri. Por, çfarë është sot një apartament për vajzat dhe të rinjtë shqiptarë?
Është molla më e ndaluar!
Mund ta blejnë atë më lehtë me punën dhe djersën e tyre kudo tjetër, përveçse në Shqipëri, për shkak të çmimeve stratosferike që kanë dhe rrogave të papërfillshme që marrin. Roli i gruas është themelor në shoqëri, por është themelor dhe në familje.
Shqipëria është nga të paktat vende, në të cilin qeveria sjell në parlament ligjin për të krijuar fermat e grave për të lindur fëmijë të askujt.
E gjithë kjo situatë është e vështirë, duhet ta pranojmë, por është gjithashtu edhe motivuese.
Ne, duhet të luftojmë të shumëfishojmë përpjekjet tona, dhe ju të tilla jeni. Ju jeni gra, vajza të pamposhtura dhe mbani gjallë përpjekjen e PD dhe shoqërisë shqiptare për një ndryshim në këtë vend. Çdo diktaturë e ka një fund, nuk duhet ta harrojmë këtë gjë, dhe ky fund do t’i vijë nga gratë dhe vajzat shqiptare.
Edhe njëherë, ju falënderoj shumë për të gjithë kontributin dhe ju uroj suksese. Shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje të gjitha vajzave, nënave, motrave. Këtë muaj dhe në vazhdim, të kenë kenë kujdesin më maksimal ndaj një sëmundje, e cila gjëja më e madhe është të parandalohet, të kapet në fazat më të para dhe të mjekohet.
Pra, të bëhemi mjekë të vetes sonë.

