FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Porf. Dr. Sali Berisha, gjatë konferencës me gazetarët ditën e sotme akuzoi qeverinë socialiste për neglizhencë dhe mungesë ndjeshmërie ndaj pensionistëve dhe shtresave në nevojë.
Berisha e cilësoi skemën e bonusit për pensionistët një mashtrim, duke theksuar se fondi prej 240 milionë eurosh nuk është shpërndarë ende dhe se një pjesë e madhe e pensionistëve përjashtohen ose përfitojnë shumë pak. Ai ngriti shqetësimin për rritjen e çmimeve, sidomos të ushqimeve dhe karburanteve, që po rëndon ndjeshëm jetesën e qytetarëve.
Në fjalën e tij, lideri demokrat kërkoi uljen urgjente të taksave mbi naftën, duke e konsideruar nivelin aktual ndër më të lartët në botë, si dhe kompensim për pensionistët, bizneset e vogla dhe fermerët. Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për korrupsion dhe përkeqësim të standardeve, duke paralajmëruar pasoja për integrimin e vendit.
Në përgjigje të interesit të gazetarëve, ai mbështeti protestat e fermerëve dhe bëri thirrje për mobilizim qytetar më 17 prill në Tiranë, duke e cilësuar si një reagim të domosdoshëm ndaj situatës aktuale.

FJALA E PLOTË
Sot, dua të denoncoj qëndrimin cinik të pashpirt të qeverisë, Edi Ramës ndaj shtresës më vulnerabël, më të dëmtueshme që është shtresa e pensionistëve shqiptarë.
Rritja stratosferike e çmimeve, e ndikuar thellësisht nga kriza energjetike, ka goditur dhe godet çdo ditë e më shumë këtë shtresë të mashtruar, të injoruar në shkallë ekstreme nga qeveria.
Së pari dua të theksoj se skema e bonusit, e përdorur në zgjedhjet e 11 majit, pas zgjedhjeve faktohet një mashtrim i vërtetë.
Kanë kaluar kaq muaj dhe pensionistët nuk kanë marrë një qindarkë nga fondi i depozituar në Bankën e Shtetit prej 240 milionë eurosh para të pashpenzuara gjatë vitit 2025.
Sipas vendimeve të qeverisë dhe premtimeve, ato do u disbursoheshin si bonus pensionistëve.
Asnjë qindarkë nga ky fond gjer sot nuk është disbursuar, çka do të thotë se ai po përdoret nga qeveria për qëllime të tjera dhe po ruhet që t’u jepet në fund të vitit.
Pra, nuk po u mundësohet pensionistëve me çmimet stratosferike që rriten nga java në javë, nga muaji në muaj.
Së dyti, skema e bonusit është mashtrim pasi në këtë skemë mbi 45 përqind e pensionistëve nuk marrin asgjë, ose marrin thërrime, marrin dy kile domate apo tre kile tranguj.
Faktikisht bonusi që përfitohet sipas kësaj skeme përjashton pothuajse tërësisht të gjithë pensionistët me pensione invaliditeti, pensione jo të plota e me radhë.
Kështu që çdo ditë jeta e pensionistëve bëhet më e vështirë.
Në qoftë se kemi parasysh sot çmime që nuk kanë ekzistuar kurrë në tregun e zarzavateve, treg në të cilin një kg domate shitet të paktën 7 herë më shtrenjtë se 7-8 vite më parë, pra kjo bën që kjo shtresë prej 750 mijë qytetarësh të ndjenjë pamundësinë dhe vështirësi të mëdha ditore për ushqimin e vet.
Kjo bën që kjo shtresë të mos mund të blejë ilaçet që i duhen për mjekimin ditor të sëmundjeve, dhe dihet se incidenca e sëmundjeve kronike në këtë shtresë është shumë, shumë e lartë.
Në këtë kuadër, është e domosdoshme së pari dhe njëherë përgjysmimi i ngarkesës fiskale, ose ulja e ngarkesës fiskale për litrin e naftës në nivelin e vendeve përreth, në nivelin që e ka sot Maqedonia dhe Kosova, nivel që është pothuajse 50 përqind më i ulët se sa në Shqipëri.
Çdo manovër tjetër është absolutisht inefikase dhe është totalisht në favor të arkës së qeverisë.
Gjer sot qeveria nuk ka asnjë ulje sepse ka vendosur nivelin 220, por problemi është se nga rritja e çmimit të naftës nga 170 në 220, qeveria akumulon rreth 80 milionë euro në vit.
Asnjë qindarkë e tyre nuk është shpërndarë as për pensionistët, as për qytetarët.
Kështu që krahas përgjysmimit të nivelit të taksimit të litrit të naftës, e domosdoshme kjo, nuk ka një vend në botë, nuk ekziston asnjë vend tjetër në botë që të ketë taksuar litrin e naftës 60 përqind të çmimit me të cilin shitet.
Ky është niveli më i lartë në botë i taksave për litrin e naftës.
Prandaj ulja me urgjencë e kësaj barre fiskale është e domosdoshme për të parandaluar sadopak, për të amortizuar sadopak pasojat shumë të rënda të efekteve të rritjes së çmimit të naftës.
Përveç kësaj, është e domosdoshme që shtresat në nevojë, bizneset e vogla të marrin kompensimin e tyre për rritjen e çmimit të naftës, një kompensim i cili i mbron, u jep mundësive pensionistëve të vazhdojnë jetën e tyre dhe u jep mundësi bizneseve të vogla që të përballojnë rritjen e çmimeve, të mos falimentojnë.
Të gjitha këto me këtë qeveri janë të pashpresa sepse Edi Rama faktoi se për të mbrojtur vjedhjet e tij dhe të Lubi Ballukut, është i aftë të bllokojë përfundimisht drejtësinë, dhe të miratojë ligje dhe praktika me të cilat përligj vjedhjen nga ai, rrethi i tij familjar dhe ministrat e tij.
Edhe njëherë, dënoj me forcën më të madhe këtë qëndrim, i cili de facto, me shpejtësi të rrufeshme, po izolon Shqipërinë.
Janë në katër mbledhje të Këshillit të Ambasadorëve dhe Zyrtarëve të lartë në Bruksel, në të cilat raporti për standardet dhe luftën kundër korrupsionit i Shqipërisë mbetet në klasë për shkak të Lubi Ballukut dhe të AKSHI-t si kopshti privat i Edi Ramës.
Këto janë vetëm masat ndëshkimore fillestare.
Masa të tjera ndëshkimore ndaj Shqipërisë do të vijnë dhe që të gjitha për faktin se Edi Rama dëshmoi se kur është puna për vjedhjet e tij, për korrupsionin e tij dhe të lidhur me të dhe të familjarëve të tij, ai nuk njeh ligj, Kushtetutë, as dhe rregull.
Ndaj dhe me këtë rast u bëj thirrje qytetarëve shqiptarë, me datën 17 prill është dita e tyre, është ora e tyre.
Të mblidhemi në Tiranë në kryengritjen më të fuqishme paqësore për t’i treguar vendin këtij regjimi antishqiptar, këtij regjimi që po vjedh shqiptarët sa asnjë qeveri tjetër në histori.
Marsi Korreshi: Z. Berisha, çmimi i naftës ka afektuar edhe fermerët dhe blegtorët, të cilët po protestojnë sot në Tiranë ku kërkojnë subvencionim të naftës, ndërkohë që qeveria pak ditë më parë hoqi naftën pa akcizë për ta. A e mbështesni protestën e tyre dhe a keni një thirrje për fermerët?
Sali Berisha: Asgjë nuk shënon heqja e akcizës për fermerët. Për fermerët duhet përgjysmim i ngarkesës fiskale dhe heqja e akcizës. Nafta duhet t’u jepet atyre pa asnjë lloj takse dhe kjo nuk po ndodh.
Ndaj dhe fermerët janë të pashpresë. Shpresa e vetme dhe rruga e vetme e fermerëve është protesta me të gjitha mjetet më datën 17 prill në Tiranë dhe më pas bllokimi i rrugëve, i shesheve të vendit në mënyrë që qeveria të marrë ndëshkimin që meriton.


