BASHKËBISEDIMI I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME QYTETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar përgjysmimin urgjent të taksave mbi naftën, duke e cilësuar nivelin aktual si ‘absurd’ dhe një barrë të rëndë për qytetarët shqiptarë. Në një bashkëbisedim online me qytetarët, Berisha deklaroi se çmimi i naftës në Shqipëri ka arritur në nivele shumë të larta dhe se kjo lidhet drejtpërdrejt me taksimin e lartë nga qeveria.
‘Qeveria shqiptare ka vendosur taksën më të lartë në botë mbi naftën, rreth 60% të çmimit të saj. Kjo është një taksë çnjerëzore që e paguajnë qytetarët shqiptarë’, u shpreh ai.
Sipas liderit të opozitës shqiptare Sali Berisha zgjidhja e vetme është ulja e menjëhershme e taksave: ‘Taksa prej 1.1 euro për litër duhet të përgjysmohet në 0.55 euro. Vetëm kështu mund të lehtësohen qytetarët dhe të afrohemi me nivelet e vendeve të BE-së’. Ai theksoi se rritja e çmimit të naftës ndikon jo vetëm tek ata që kanë automjete, por tek gjithë qytetarët, për shkak të efektit zinxhir në çmimet e produkteve bazë. ‘Nafta ndikon direkt tek çmimi i bukës, ushqimeve dhe transportit. Ata që kanë më pak janë më të goditurit’, tha ai.
Në fjalën e tij, kreu i PD-së Sali Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë e drejtuar nga Edi Rama për korrupsion dhe keqmenaxhim ekonomik, duke pretenduar se ekonomia shqiptare po shkon drejt përkeqësimit. ‘Prodhimi bujqësor dhe industrial janë në krizë, ndërsa një pjesë e madhe e investimeve lidhen me para informale’, u shpreh Berisha. Ai
Kryedemokrati Sali Berisha u ndal edhe tek procesi i integrimit europian, duke deklaruar se Shqipëria rrezikon të mbetet në vendnumëro. ‘Pa votimin unanim të raportit për shtetin ligjor, Shqipëria nuk mbyll asnjë kapitull. Procesi i integrimit është bllokuar’, tha ai, duke shtuar se numri i vendeve skeptike në BE është rritur.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në protesta kundër qeverisë: ‘Ftoj qytetarët shqiptarë të bashkohen në revoltën tonë. Heshtja është ndihmë për këtë regjim, ndërsa protesta është rruga drejt ndryshimit dhe integrimit europian’. Ai theksoi se opozita do të vijojë protestat paqësore, duke i konsideruar ato si mjetin kryesor për arritjen e ndryshimit politik në vend.

FJALA E PLOTE:
Së pari, një përshëndetje të përzemërt për të gjithë ju qytetare dhe qytetarë, miq të rrjeteve të mia sociale që ndiqni këtë bisedë me ju.
Java që lamë pas u karakterizua nga një goditje e re për buxhetet tuaja familjare, për xhepat tuaj.
Çmimi i naftës arriti në 224 lekë, një çmim ndër më të lartit në botë.
Nuk ka dyshim se lëvizja e çmimit të naftës diktohet nga kriza energjetike e krijuar për shkak të luftës në Lindjen e Mesme dhe goditjes së vendeve të Gjirit nga Irani.
Por një rritje të tillë çmimi nuk e ka asnjë vend tjetër në botë.
Shqiptarët duhet ta dinë se qeveria shqiptare ka vendosur taksën më të lartë në botë mbi naftën.
Asnjë vend tjetër nuk takson kaq rëndë naftën në shkallën 60 përqind të çmimit të saj.
Shqipëria është rekord në Europë dhe në botë në taksimin e naftës, çka detyron kompanitë të mbajnë çmime stratosferike.
Por së dyti dua të theksoj se në qoftë se e bëjmë me proporcion rrogash apo të ardhurash ditore, Shqipëria rezulton, shqiptarët rezultojnë se duhet të paguajnë për naftën që blejnë 6-8 herë më shumë se qytetarët e vendeve të tjera në raport me të ardhurat e tyre.
Pra, nafta është një ndëshkim i vërtetë dhe kjo është një taksë çnjerëzore, absurde, të cilën e paguajnë çdo qindarkë qytetarët shqiptarë.
Edi Rama taton naftën 1.1 euro për litër sa asnjë vend tjetër në botë, 60 përqind të çmimit.
Masat që ka shpallur janë qesharake. Nuk kanë dhe nuk mund të kenë asnjë ndikim.
Masa të vërteta janë ato që i shpalli Australia dhe po i shpallin vende të tjera.
Përgjysmim i taksave të naftës.
Me fjalë të tjera, në qoftë se Shqipëria merr 1.1 euro për litër të naftës, qeveria këto taksa duhet t’i ulë në një shumë të përbashkët 0.55 euro për litër naftë.
Dhe me këtë nuk bën gjë tjetër veçse barazon taksën me shumicën e vendeve anëtare të BE.
Në pamje të parë, taksa e naftës rëndon në xhepat e atyre që kanë vetura, dhe sigurisht rëndon në xhepat e tyre më shumë, por e vërteta është se ata që kanë më pak rëndohen më shumë.
Dhe ata që kanë më pak janë ata që nuk kanë vetura sepse nafta ndikon direkt në transportin e të gjitha llojeve.
Nafta ndikon direkt tek çmimi i bukës, tek çmimi i ushqimeve, tek prodhimet bujqësore, pra ka ndikime të shumëllojta dhe dhimbje më shumë krijon tek ata që nuk kanë makina.
Kështu që është emergjente përgjysmimi i taksave.
Me specialistët më të mirë të fushës jemi marrë në mënyrë intensive për të parë çdo variant të mundshëm dhe absolutisht nuk ka asnjë mundësi tjetër për të ndihmuar qytetarët përveç përgjysmimit të nivelit absurd të taksës 1.1 euro që nuk ekziston askund në botë.
Natyrisht duhet të luftohet me çdo kusht kontrabanda qeveritare sepse janë 350 mijë ton më së paku që vijnë me anije të padoganuara, dhe të padoganuara mund të kalojnë vetëm kontrabanda e ministrave dhe Edi Ramës.
Zgjidhja që do të japë Edi Rama është një zgjidhje mashtrim sepse ai kërkon të krijojë një ndërmarrje të re të tij, siç krijoi AKSHI-n, siç krijoi Air Albania në mënyrë që vetë të jetë përfituesi kryesor.
Ndërmarrja shtetërore saldon këto nivele çmimesh dhe një ditë të bukur falimenton dhe gjobit qytetarët pas vjedhjes së qindra milionëve, edhe me qindra milionë të tjera për falimentimin e saj.
Ndaj dhe ftoj qytetarët shqiptarë të bashkohen në revoltën e PD kundër këtij regjimi sepse vështirësitë ekonomike sa më gjatë ta mbajmë, aq më të mëdha do jenë për ta.
***
Së dyti, dita 1 prill është dita e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, e arritjes më të madhe historike në fushën e sigurisë pas shpalljes së pavarësisë së vendit.
Por këtë ditë ne morëm edhe një lajm të hidhur, që e fshehur qeveria.
Këtë ditë në Bruksel, në debatin që do zhvillohej për IBAR-in me Shqipërinë, nuk ishin më tre apo katër vende që kundërshtonin miratimin e vlerësimit të standardeve dhe shtetit ligjor në Shqipëri, por ato u bënë 9 vende që e kundërshtuan me shumë argumente dhe shumë çështje votimin e këtij raporti.
Edi Rama dhe propaganda e tij e fshehu këtu, përkundrazi nxjerr zëdhënësit e tij të mashtrojnë shqiptarët.
Por unë përsëri u them se pa votimin unanim të këtij raporti, Shqipëria nuk mbyll asnjë kapitull, çka do të thotë procesi i integrimit për momentin është vendnumëro.
Por u garantoj se nëse vazhdohet ky qëndrim, kjo mbrojtje e Lubi Ballukut, në rast se vazhdohet ky qëndrim ndaj dosjes së AKSHI-t, ku Linda e vërtetë është ajo e Surrelit, kurse Mirlinda është prestanome e saj, Shqipëria jo vetëm që do të rrijë në vendnumëro, por do të kthehet mbrapa me ndëshkime të rënda.
Kjo është e vërteta.
Edhe ky është një motiv shumë i fortë për shqiptarët që të mbrojnë projektin e tyre, projektin e jetës së tyre, projektin e integrimit të vendit në BE.

BASHKËBISEDIMI ONLINE ME QYTETARËT:
Enia Xheroveni: Sot ka dalë lajmi që 9 vende të BE-së kanë votuar për ngrirjen e negociatave për integrimin e Shqipërisë. Ju keni dijeni për këtë dhe a ka ndikuar çështja Balluku në ngrirjen e negociatave.
Sali Berisha: Kam dijeni për këtë sepse me datën 1 prill, kur pritej të diskutohej për raportin e vlerësimit të standardeve të shtetit ligjor në Shqipëri dhe luftës kundër korrupsionit, numri i vendeve që u shpreh kundër votimit të tij, i mbidyfishua, nga 4 u bënë 9. Dhe ne ju kishim paralajmëruar për këtë.
Nuk mund të kapërdihet, ju garantoj se herën tjetër do të jenë 13. Pse do të jenë 13? Sapo të marrin vesh të vërtetën Balluku. E vërteta e dosjes Balluku dhe AKSHI, janë bërë dokumente të pakundërshtueshme të korrupsionit në Shqipëri dhe të bllokimit të luftës ndaj korrupsionit nga Edi Rama.
Por probleme të tjera të mëdha përveç këtyre janë të panumërta dhe ajo që po ndodh, po të më pyesni mua, njëlloj siç hapet pika e vajit, po kthjellohen, po përhapen dhe opinionet e sakta për qeverinë e Tiranës.
Edi Rama këto ditë, duke mashtruar shqiptarët dhe duke mos u treguar të vërtetën, thotë nëpër takimet me socialistët se janë ata të paudhët që po përpiqen të pengojnë këtë proces.
Edhe njëherë dua të them para shqiptarëve: qëndrimi ynë është shumë transparent, ne jemi për procesin e integrimit, por deklarojmë se Shqipëria nuk plotëson absolutisht asnjë kriter përveç kriterit gjeostrategjik.
Siç e shihni ju, koha po vërteton këtë që kemi thënë. Ne e kemi thënë këtë me kohë, ne kemi paraqitur para komunitetit ndërkombëtar dokumente dhe fakte të pakundërshtueshme se, Shqipëria nuk plotëson asnjë kriter. Ato janë të sanksionuara në 7 rezoluta ndërkombëtare të partive të qendrës së djathtë dhe të djathta.
Tani këto po realizohen të gjitha një e nga një. Me Edi Ramën ju siguroj, siç e tha dhe vetë Komisioni Europian, integrimi nuk është çështje lider. Pra me Edi Ramën integrim nuk ka.
Edi Rama është një armik i egër i integrimit dhe mbrojtës i interesit të tij. Ne mbrojmë interesat e shqiptarëve duke denoncuar korrupsionin e Edi Ramës, korrupsionin e familjarëve, mbrojtjen që ai i bën korrupsionit dhe bllokimit e sistemit të drejtësisë dhe shtetit ligjor.
Por tani kjo po realizohet në mbarë Europën.
Zoti Berisha, jam një punonjëse e kadastrës. Me urdhër të Edi Ramës po transferohen me qindra apartamente të zyrtarëve të korruptuar në emra njerëzish anonime, pasi kanë ardhur porosi nga partnerët për sekuestrime. Pra po sabotohen partnerët siç ndodhi me operacionet antidrogë. A do kërkoni komision hetimor?
Sali Berisha: Ne do kërkojmë komisione hetimore, dhe një komision të tillë për AKSHI-n ne e kemi dorëzuar, sigurisht që do dorëzojmë edhe për kadastrën dhe për të gjithë problematikat e mëdha.
Por e vërteta është, siç e dini ju, që ky siç përdori 83 mandatet si thika krimi për të bllokuar shtetin ligjor, i përdor ata për të bllokuar komisionet hetimore.
Ndaj për ju, për mbarë qytetarët, rruga e vetme mbetet revolta e fuqishme, kryengritja paqësore e mbarë shqiptarëve.
Prengë Ndreca: Zoti Berisha, jam Prenga nga Mirdita. Me ndarjen e re territoriale, Rama kërkon që ashtu si etërit e tij të vazhdojë të mbajë të ndarë këtë treve për shkak se PD-së i shtohet një deputet më shumë dhe se atë krahinë e majta nuk e fiton kurrë më nëse është e bashkuar. A do kërkojë PD një Mirditë në kufijtë e saj natyralë?
Sali Berisha: PD beson se Mirdita në të gjithë shtrirjen e saj duhet të jetë një entitet i qeverisjes vendore.
Dhe e ka deklaruar këtë.
Por Edi Rama do të përdorë mandatet e krimit kundër këtij objektivi të PD.
Ai mbetet për t’u zbatuar në rastin e parë nga qeveria e ardhshme e PD.
Dalip Gashi: Mediat në Kosovë po ngrejnë alarmin se, grupe të lidhura me Ramën, po investojnë në ndërtim në Kosovë. Pra ka dyshime se, po ndërtohet një skemë pastrimi parash si në Tiranë. Si do e dëmtonte kjo Kosovën në raport me integrimin dhe mbi të gjitha me Serbinë, që me argumentin që Kosova po bëhet narkoshtet që na rrezikon dhe mund të ndërmarrë akte.
Sali Berisha: Në mënyrë të përsëritur ne kemi deklaruar se, narkoshteti i Edi Ramës përbën rrezik të madh për sigurinë e rajonit dhe të Europës. Siç e shihni ju, me shpejtësi marramendëse në mediat e botës, ka shpërthyer dhe po rritet denoncimi i mafias shqiptare, si mafia ndërkombëtare më e rrezikshme e planetit.
Sepse ajo është eksportuesi kryesor i kanabisit në Europë dhe është transportuesi kryesor i kokainës nga Amerika Latine në Europë. Ajo vazhdon të kërkojë tregje të tjera.
Në këtë kontekst është jashtëzakonisht e rëndësishme që Kosova të ndërmarrë çdo masë për të prerë tentakulat mafioze të Tiranës në territorin e saj, për të mbajtur, respektuar ligjin dhe shtetin ligjor.
Unë kam besim se autoritetet e Kosovës do të dinë ti përgjigjen, këtij, ta quajmë agresioni mafioz droge, të Shqipërisë ndaj Kosovës.
Qëndrestari Historik: Doktor, emri i Taulant Ballës nga nuk del. Kur do kërkoni komision hetimor për këtë trafikant sepse SPAK-u nuk po lëviz?
Sali Berisha: Taulant Balla është sot në parlament, pas Edi Ramës, njeriu me dokumente zyrtare, i provuar si njeri që ka porositur vrasje. Këto dokumente janë asgjësuar me vendim të një prokurori dhe një gjykatëseje në Elbasan. Procesverbali i këtij vendimi ekziston dhe është publikuar.
Taulant Balla ka bërë marrëveshje me kartelin e Suel Çelës për të arrestuar bandat rivale në mënyrë që ato t’i sigurojnë qindra mijëra vota dhe kjo marrëveshje është zbatuar.
Bandat rivale u arrestuan dhe karteli i Suel Çelës i siguroi qindra mijëra vota.
Taulant Balla është personi që u dërgua nga Suel Çela për të liruar nga burgu dy terroristë që kishin vendosur tritol në shalën e biçikletës së Lulzim Kullës për të hedhur atë në erë. Tritoli ra nga shala dhe shpërtheu në rrugë.
Që të dy u liruan pas udhëtimit të Ballës me Vath Stakën, prokuror që tani është në KLP.
Balla ka dhënë porosi për të vendosur revolen në rrethimin e oborrit një të familje që ky i konsideronte josocialistë në mënyrë që ata të arrestoheshin.
Balla është autor i krimit të Toyota Yaris ku u akuzua se priste 5 milionë euro, por në fakt ai është i regjistruar kur ishte ministër dhe bëri gjithçka për të liruar jo paratë, por edhe makinat që i përkisnin kartelit Çela.
Pra, në qoftë se ka një zyrtar me dosje krimi më të rënda se sa Taulant Bala, ai është vetëm Edi Rama dhe askush tjetër.
Natyrisht këto i kemi bërë publike, por ai ka imunitet siç ka Lubi Balluku, siç ka Edi Rama.
Lidhjet e tij me krimin janë njëlloj imuniteti.
Ne do paraqesim sigurisht komision hetimor, por 83 mandatet e krimit përdoren kundër tij.
Armando Turtulli: A mendoni se vendi po shkon drejt një krize ekonomike të thellë që mund të provojë ndryshim politik, njësoj si në fundin e regjimit komunist. A ekziston rreziku që
ndryshimi të vijë, jo nga politika, por nga kolapsi ekonomik dhe pakënaqësia sociale.
Sali Berisha: E vërteta është që vendi përjeton krizën më të rëndë në historinë e saj, po të marrim parasysh largimin masiv të shqiptarëve nga Shqipëria. Kurse ekonomia sot kontribuon, ose është minorancë në atë që quhet rritje ekonomike e vendit.
Prodhimi bujqësor është në krizë. Prodhimi industrial është në krizë.
Por dhe në rast se marrim investimet e huaja të cilat Edi Rama i deklaron 1 miliardë e 600 milionë, në fakt në analizën që mund tu bëhet, kokoshi katandiset në thelë. Pse kjo. Sepse mbi 50% e këtyre janë investime të kompanive të huaja që i bëjnë në Shqipëri, pra janë para të shqiptarëve dhe jo para që vjen nga jashtë.
Por nga këto 50% të tjera që mbeten, 32% janë para droge që investohen në ndërtime, që blihen dhe që mbajnë në Shqipëri çmime stratosferike duke bërë të pamundur strehimin e qytetarëve.
Vetëm 18% nga 1 miliardë e 600 milionë janë investime në prodhim, pra një minorancë, as 1/5-ta jo. Kështu që në çdo aspekt ekonomia shqiptare shkon drejt rënies.
Kjo rritje ekonomike mbahet vetëm nga taksat që paguajnë rrogëtarët, taksat që paguajnë sipërmarrjet.

Petrit Matia: A keni informacion për deklaratën e ambasadës së SHBA për një sulm të mundshëm nga Irani dhe a rrezikohet Shqipëria nga qëndrimet e Ramës?
Sali Berisha: Lidhur me deklaratën e ambasadës së SHBA, nuk duhet pasur dyshim se ajo deklaratë nuk bazohet në informacione të caktuara, të cilat bëjnë të domosdoshëm njoftimin e dhënë nga ambasada në mënyrë transparente më së pari për mbrojtjen e qytetarëve amerikanë në Shqipëri, interesave, ndërmarrjeve të tyre në Shqipëri, por kjo edhe qytetarëve shqiptarë.
Irani është një shtet që sponsorizon terrorizmin dhe në rastin e Shqipërisë përdor si pretekstin praninë e muxhahedinëve në Manzë. Prani e cila nuk duhet të jetë pretekst pasi ata nuk janë organizatë ushtarake, por një grupacion i ardhur në Shqipëri për qëllime humanitare.
Natyrisht duhet thënë janë kundërshtarë të regjimit të Ajatollahëve, se përndryshe do ishin në Teheran.
Mendoj se njoftimi është bërë mbi bazë informacioni.
Mendoj se nuk ka vend për panik, duhet ta them këtë, por për kujdes po.
A mundet Irani në mënyrë aventuriere të nisë një dron apo raketë kundër Shqipërisë?
Edhe mund ta bëjë, por hapësirë ajrore e Shqipërisë është tërësisht nën mbrojtjen e NATO-s.
Dhe siç e keni dëgjuar, dy raketa të Iranit të hedhur drejt Turqisë, janë pritur nga raketat kundërajrore të NATO-s dhe janë asgjësuar.
Kështu që personalisht nuk parashikoj rrezikun e një sulmi ajror, por nuk përjashtoj aspak mundësinë e grupeve terroriste, pasi siç janë shprehur iranianët, ata kanë shpërndarë celula të fjetura në mbarë botën dhe mund t’i zgjojnë ato.
Kështu që ky njoftim nuk mund të jetë pa baza dhe ndaj këtij njoftimi duhet pasur parasysh një lloj vëmendje më e veçantë në grumbullimi, në magazinat e mëdha dhe kudo.
PS duket se, po përgatitet për zgjedhjet lokale duke nisur punën në terren. Po opozita ku është, a nuk do ishte mirë që kandidatët për bashki të jenë përzgjedhur 1 vit përpara, që të kenë kohë të njihen nga publiku dhe të kenë mundësi që të punojnë me elektoratin. Herët e kaluara kur kandidatët janë zgjedhur 2 muaj para, nuk kanë prodhuar rezultate të mira për opozitën në tërësi.
Sali Berisha: Opozita ka filluar punën dhe së shpejti përfundon procesin e analizës dhe zgjedhjeve brenda partisë. Ndërkohë që po mendohet, po punohet edhe për zgjedhjet lokale.
Pra nuk do jenë dy muaj përpara, ju siguroj do të jenë shumë më herët se zgjedhjet e fundit dhe ne do të bëjmë gjithçka për kandidaturat më të mira.
Kevin Veliu: Zoti Berisha, protestat e opozitës kanë qenë të vazhdueshme, por pa arritur ndryshim konkret. Çfarë po mungon që këto protestra të prodhojnë rezultat real politik?
Sali Berisha: Protestat kanë qenë të shpeshta, jam dakord me ju.
Lidhur me rezultatin, besoj se duhet të analizojmë me gjakftohtësi dhe objektivitet.
Mendoni pak ku ishim në dhjetor dhe ku jemi sot.
Në rrafshin ndërkombëtar, protestat tona mbrojtën dinjitetin e kombit shqiptar.
Ju e keni dëgjuar se si zyrtarë të paguar, lobistë antishqiptarë në mbrojtje të Edi Ramës, kanë guxuar dhe janë shprehur se korrupsioni është pjesë e kulturës së shqiptarëve, pra vjedhja është pjesë e kulturës së shqiptarëve.
Dhe këto deklarata ata i kanë bërë vetëm për të mbrojtur Edi Ramën.
Por, me protestat tona, ne i faktuam botës se shqiptarët nuk janë komb që kanë kulturë korrupsionin.
Shqiptarët nuk pranojnë korrupsionin.
Dhe u them një gjë, se ato protestat kanë pasur jehonën më të madhe.
Ato protesta kanë vendosur në epiqendër të opinionit publik botëror si figurat më të zeza pas ajatollahëve të Iranit, Edi Ramën dhe Lubi Ballukun.
Në rast se ne nuk do protestonim, unë mund t’u them se do ishte një gjëmë e madhe e për shqiptarët sepse vërtet do besohej shpifja që Edi Rama dhe propaganda e tij mashtruese bën se ne jemi komb që e kemi kulturë vjedhjen dhe korrupsionin.
Kjo e para.
E dyta, ngritja e zërit tonë bëri që prozhektorët të vendosen mbi Shqipërinë dhe të shihet realiteti shqiptar jo ashtu siç ua paraqisnin lobistët e korruptuar nga Edi Rarma, por të shihet siç është në të vërtetë.
Ju jeni dëshmitarë se çfarë përpjekjesh ndërkombëtare u bënë për zbatimin e shtetit ligjor, pra për heqjen e imunitetit të Lubi Ballukut, për t’u trajtuar njëlloj para ligjit dhe zëri i opozitës ka pasur peshën e vet.
Pra jo se unë dua të mbroj, por duhet të jemi të vërtetë, nuk mund të themi se protestat tona nuk kanë pasur efekt.
Nuk kanë pasur efektin maksimal që ne do donim, përmbysjen, por ato kanë pasur një efekt shumë të madh, damkosjen e regjimit të korruptuar.
Ne jemi të përcaktuar për rrugë paqësore, si rruga për ne më e sigurt, si rruga e vetme për largimin e Edi Ramës dhe rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve.
Ne si PD nuk pranojmë kurrë të vijmë në pushtet me dhunë.
Është ligj kjo.
Ne jemi themeluar mbi vlerat e lirisë, votën e lirë, të drejtat e njeriut.
Ndaj dhe ne do të vazhdojmë protestat paqësore gjer në largimin e Edi Ramës.
Është e mundimshme, kërkon durim, kërkon persistim, por ne i kemi të gjitha këto.
Adelina Dragjoshi: Përshëndetje doktor. Duke qenë se vij nga Kukësi, doja të ju pyesja, a mendoni se kjo zonë është lënë pas dore që pas vitit 2013 dhe sipas jush a meriton Kukësi më shumë vëmendje dhe përfshirje në zhvillim në vend që të ndihet i anashkaluar.
Sali Berisha: Kukësi, por i gjithë veriu në këto 13 vite është diskriminuar më shumë se kurrë në historinë e tij. Edhe Enver Hoxha i cili e konsideronte zonë jo të tij, veriun. I cili gjer nga fundi i viteve ’60 aplikonte një diskriminim absolut të nxënësve nga veriu në shkollat e larta.
Por një shkallë të tillë diskriminimi ekonomik nuk ja ka bërë, që ja bën Edi Rama.
Pra, Edi Rama e urren veriun sa Enver Hoxha dhe e konsideron zonë armike, por Edi Rama e ndëshkon në rrafshin ekonomik më shumë se ai.
Po të marrësh investimet që janë bërë nga kjo qeveri nga Fushë Kruja në Vermosh dhe Valbonë, përjashto disa projekte që ishin në vazhdim tonat, ato nuk janë të barabarta as me tenderat që ka fituar nga fondet publike, motra e Tërmet Peçit.
Kjo është e vërteta. Ndaj sigurisht PD qëndron e vendosur në investimet në të gjithë vendin, në përparësi të atyre që u ndëshkuan për qëllime politike.
Kukësi ka potenciale turistike më të jashtëzakonshme të vendit.
Kurse Edi Rama paketat e maleve i jep në Maminas, i jep në fshatrat që janë gjithsej 30-60 metra mbi nivelin e detit.
Ndërsa rrafshnaltat e maleve të Kukësit, injorohen sikur nuk janë. Kukësi ka potenciale të tjera shumë të mëdha të cilat ne do të bëjmë gjithçka që ti kthejmë në të mira për qytetarët shqiptarë.

Uesli Arben Shurdho: Doktor Berisha, përshëndetje dhe respekte. Ju organizuat para pak ditëve një takim me ekspertë për ndarjen territoriale. Por a mund të informoni më konkretisht për bashkitë e vogla po të mesme, si për shembull bashkinë Devoll, se ne si qytetarë duam që bashkinë ta kemi sa më afër?
Sali Berisha: Reforma territoriale që bëri Edi Rama është një reformë, e cila plotëson tërësisht kriteret dhe kushtet e platformës së Çubrilloviçit për largimin e shqiptarëve nga trojet e tyre.
Vaso Çubrilloviç në elaboratet e tij shkruante se për t’i larguar shqiptarët nga trojet e tyre, nuk duhet t’u ndërtojmë infrastrukturë, nuk duhet t’u ofrojmë shërbime, duhet t’ua mërzisim jetën.
Të gjitha këto ishin kriteret që Edi Rama vendosi në reformën që bëri në vitin 2014. Largoi masivisht shërbimet nga qytetarët.
Mashtroi, deklaroi se kjo po bëhet për të lehtësuar barrën e zyrtarëve mbi shpatullat e qytetarëve.
Në të vërtetë numri i patronazhistëve që paguhet me rroga në njësitë e pazgjedhura nga qytetarët, është sot dyfish.
Sot, si kurrë më parë, ka bashki, të cilat paguajnë punonjës 8 herë më shumë se në vitin 2013.
Ndërkohë investimet në Shqipërinë rurale janë më qesharaket dhe më të paqenat se kurrë më parë.
Kështu që në platformën tonë pa diskutim që ne kërkojmë rikthimin e të gjitha bashkive dhe komunave të cilat kanë një numër të përfillshëm qytetarësh.
Dhe Devolli, dhe jo vetëm, kanë plotësisht të drejtë të kërkojnë.
Ngjyra Shotgecaj: Shoh një plogështi të madhe strukturave të PD, do ti japësh një shkundje sepse e kanë marrë shumë lehtë.
Sali Berisha: Ata të cilët qëndrojnë apatik dhe në plogështi, harrojnë misionin e tyre.
Ky mision është misioni më i rëndësishëm i jetës së demokratëve, është misioni në frymëzues ndaj dhe ju bëj thirrje e ju garantoj se do të bëjë gjithçka që të shkundim nga apatia çdo demokrate e demokrat, e të frymëzojmë me gjallërinë dhe aktivitetin tonë çdo shqiptare dhe shqiptar.
Ada Cena: Përshëndetje Doktor, keni një koment për vetëshpalljen e kandidaturë së Erion Braçës apo është një lëvizje e Ramës pasi ka parë se Manastirliu nuk kishte asnjë shpresë të fitonte? Po PD me kë kandidat do të shkojë në zgjedhje në Tiranë?
Sali Berisha: Lidhur me deklaratën e Braçës, Braçe mbahet si përfaqësuesi i një partie që është zhdukur pa nam e nishan.
Në fakt nuk është zhdukur, por ka marrë trajtën e saj të re. Se kjo parti është themeluar në krim. Se kjo parti kaloi në pluralizëm në krim dhe tani në duart e Edi Ramës kjo është një parti e mirëfilltë krimi.
Ndaj dhe më mirë të mos komentoj për problemet e tyre.
PD pa diskutim që do u ofrojë qytetarëve, dhe kur të hapë diskutimet në mënyrë transparente kandidaturën më të shkëlqyer.
Do bëjë gjithçka për një front më të gjerë me të gjithë opozitën dhe t’i rikthejë kryeqytetin qytetarëve.
Ta nxjerrë nga kthetrat e mafies më të tmerrshme që Tirana ka njohur në jetën e saj gjer sot.
Cila do të jetë strategjia e protestës së ardhshme kombëtare të 17 prillit?
Sali Berisha: Kryengritja paqësore më e fuqishme. Strategjia e saj do të informohet, por natyrisht kundërshtarin do ta kapim në befasi.
E ka dhe këtë kërkesë kryengritja paqësore, prandaj dhe unë në mbyllje të kësaj bisede shfrytëzoj rastin tu bëj thirrje qytetarëve shqiptar, ti bëj thirrje çdo shqiptari në revoltën, në kryengritjen paqësore të PD, në mbrojtje të vendosur të interesave të tij, të familjes së tij dhe vendit të tij.
Nuk ka asgjë më të dëmshme se sa të heshtësh para kësaj gjendje dramatike, se sa të mbyllësh sytë para provave të mëdha dhe të pakundërshtueshme. Të heshtësh para faktit se, Edi Rama të vjedh dhe bllokon luftën ndaj korrupsionit, thotë se vjedhja e tij dhe ministrave të tij, nuk do mund të ndëshkohet.
Nuk ka gjë më të rëndë, i dashur qytetar dhe qytetare, për ty, familjen dhe vendin tënd se sa bllokimi i procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
Meqë jam këtu dua të them dy fjalë.
Ky është një proces i vështirë, një proces komples, i cili kalon në procedura, kërkesa e kritere standarde të cilat në thelb janë absolutisht interesi i qytetarit shqiptar.
Janë fund e krye interesi i qytetarit shqiptar.
Një gjë duhet të dini. Nëse ka një gjë në epiqendër, BE-ja në epiqendër ka interesat e qytetarëve të vendeve anëtare dhe nëqoftëse ata vendosin kritere për vende që nuk janë anëtare, i vendosin ato jo për ti ndëshkuar qytetarët, por në interesin më të mirë të atyre qytetarëve.
Imagjinoni ju, si mund të shkojmë ne, vend, drejt BE-së kur ne nuk heqim imunitetin e hajdutëve. Nuk ka ndodhur kurrë. Kur ne bllokojmë drejtësinë, gjë që nuk ka ndodhur kurrë edhe kur nuk kishim negociata. Nuk kishim negociata të hapura ne, por sa herë kërkoi prokurori ne hoqëm imunitetin. Është jashtë çdo lloj koncepti për një vend demokratik.
Kurse Edi Rama nuk hoqi imunitetin e Saimir Tahirit, gjersa pastaj u detyrua ai të japë.
Edi Rama mban Olta Xhaçkën. A mund ta imagjinoni ju qytetarë. Goro, kryetar i bashkisë Himarë është dënuar me burgj sepse i ka dhënë Olta Xhaçkës, burrit të saj, i ka dhënë 10 mijë metër katror tokë publike, të cilën Olta me të shoqin e kanë paraqitur si tokë private me dokumente të falsifikuara. Dhe ai është në burg.
Kushtetuta thotë se, deputeti i cili përfiton qoftë dhe 1 qindarkë nga fondet e shtetit, apo pasuria publike e vendit, humbet automatikisht mandatin. Ka dy vendime të Gjykatës Kushtetuese, dhe Olta Xhaçka për shkak të lidhjeve që ka me klanin mafioz Rama, qëndron në parlament me gjithë mendimin e Komisionit të Venecias kundër saj.
Vijmë te Lubi Balluku. Me 8 dosjet e saj ajo ka vjedhur, shpërdoruar 1.2 miliardë euro. I takojnë sipas prokurorit 36 vite burg. Edi Rama e bllokon.
Tani çfarë duhet të bëjnë ata? Ti mbyllin sytë.
E vërteta është se, pas luftës në Ukrainë ata njërin sy e mbyllën të themi të vërtetën. Por të dy nuk i mbyllin dot ata, jo sepse kanë interesat e vendeve të tyre.
Po AKSHI? Dosja e AKSHI-t është në të gjitha ministritë e Drejtësisë të vendeve anëtare të BE-së.
Del aty të gjithë ndërhyrjet që Linda e Surrelit ka bërë në tendera për baxhanakun e vet.
Pengmarrjet. Janë marrë peng njerëz për tenderat e Armand Frangut, të Edi Ramës. Pra këto janë të pakapërcyeshme dhe qëndrimi që po mbahet, ju garantoj është interesi më i mirë i shqiptarëve.
Është njëkohësisht një kushtrim për shqiptarët që të mos pajtohemi, të dalim nga heshtja.
Heshtja është ndihmë për këtë regjim, protesta është përfaqësimi dinjitoz i yti. Protesta është vendimi yt për të ecur drejt BE-së, për të ecur drejt mirëqenies, drejt prosperitetit, ndaj dhe është jetike një bashkim sa i gjerë i shqiptarëve kundër këtij regjimi dhe për të ardhmen e tyre europiane.
Faleminderit!


