FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA GJATË PREZANTIMIT TË PROGRAMIT TË PD PËR ARSIMIN DHE SHKENCËN 2025-2029
EKSTRAKT
Në fjalimin e tij gjatë prezantimit të programit të PD për arsimin dhe shkencën për periudhën 2025-2029, Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha kritikoi me tone të ashpra qeverinë Rama për përkeqësimin e sistemit arsimor në Shqipëri. Berisha theksoi se gjatë tetë viteve të fundit, Shqipëria ka regjistruar një rënie të madhe në cilësinë e arsimit, përfshirë një humbje të rëndësishme në testin ndërkombëtar PISA. Sipas Berishës, kjo rënie është më e thella në botë dhe ka pasuar një periudhë përmirësimi gjatë qeverisjes së PD, kur kishte ngritje të cilësisë së arsimit. Kryedemokrati, Sali Berisha kërkoi një transformim të thellë dhe të menjëhershëm të sistemit arsimor në Shqipëri për të përgatitur qytetarët për sfidat e të ardhmes.
Berisha theksoi se shumë teknologji, si kompjuterët dhe interneti në shkolla, janë zhdukur ose vjedhur. Sipas Berishës, shkolla e drejtorëve është shndërruar në një “shkollë partie”, ku drejtorët janë kualifikuar sipas lidhjeve politike, dhe portali “Një mësues për Shqipërinë” është bërë një mjet militantizmi. Berisha gjithashtu akuzon qeverinë për keqpërdorimin e fondeve për ndërtimin e shkollave dhe për krijimin e një sistemi arsimor që ka dëmtuar cilësinë e arsimit në vend.
Kryetari i PD, Sali Berisha theksoi angazhimin e PD për dyfishimin e rrogave të mësuesve dhe të buxhetit për arsimin. Ai vuri theksin mbi tarifat e larta të universiteteve në Shqipëri, duke i krahasuar ato me tarifat e universiteteve britanike dhe holandeze, që sipas tij janë më të larta në Evropë kur krahasohen me rrogat e shqiptarëve. Berisha tha se për të transformuar arsimin, është thelbësore përdorimi i teknologjisë digjitale dhe aplikimi i avancuar i inteligjencës artificiale dhe të dhënave të mëdha. Lideri opozitar garantoi se, pavarësisht sfidave, PD do të investojë në transformimin digjital të sistemit arsimor për të ngritur nivelin e tij në një model rajonal.
Kryetari i PD, Sali Berisha premtoi ndryshime në sistemin e arsimit, duke hequr mesataren si kriter për pranimin në universitete dhe duke përgjysmuar tarifat e studentëve. Berisha tha se do të dyfishohen rrogat e mësuesve dhe do të përmirësohen kushtet për kërkimin shkencor. Berisha kritikoi qeverisjen e Ramës për cenimin e lirisë akademike dhe centralizimin e pushtetit, duke e kthyer arsimin në një sistem që nuk stimilon kërkimin dhe zhvillimin shkencor.
Kryedemokrati, Sali Berisha premtoi se PD do të respektojë lirinë akademike dhe do të angazhohet për rritjen e financimit për shkencën, duke e çuar atë në 0.8% të prodhimit kombëtar. Ai theksoi se do të kalojnë mbi mesataren e rajonit dhe do të punojnë për t’u afruar me mesataren e BE-së. Berisha kritikon përpjekjet e Edi Ramës për të reformuar universitetet, duke i cilësuar si tentativë për të centralizuar dhe kontrolluar arsimin. Berisha theksoi se, për të pasur një sistem akademik të shëndetshëm, duhet të respektohet liria akademike dhe të mundësohen kushte më të mira për kërkimin shkencor.

FJALA E PLOTË
Së pari, ju përshëndes përzemërsisht të gjithëve ju, mësuesit, mësuesve, pedagogëve, profesorëve, studentëve të pranishëm në këtë takim në të cilin shpaloset para jush vizioni dhe programi i PD për arsimin me qëllimin që ky projekt, ky vizion të shqyrtohet nga ju, të vlerësohet nga ju dhe të plotësohet në të gjithë spektrin e tij me sugjerimet dhe mendimet, në mënyrë që vërtetë ky program të jetë një program, një transformim të thellë të sistemit arsimor.
Sistemi arsimor në Shqipëri, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës është pothuaj në agoni. Ky sistem, i cili, fatmirësisht ka tashmë testet botërore që vlerësojnë sistemet e arsimit, pësoi në 8 vitet e Rilindjes rënien, rrokullisjen më të madhe në botë, dhe u kthye prapa 25-30 vite në testin PISA. Test, i pranuar universalisht si test më serioz, më i besueshëm për cilësinë e arsimit.
Arsimi në Shqipëri pësoi një rrokullisje në të gjitha nivelet e tij. Sigurisht që, asgjë më të vështirë për t’u arritur dhe më të rëndësishme se cilësia e arsimit nuk ka dhe Shqipëria duhet të bënte një punë të jashtëzakonshme për të garantuar një arsim cilësor për qytetarët e vet.
Por me të gjitha vështirësitë, me të gjithë trashëgimitë që kishim, mundësitë ishin reale për përmirësime të shpejta, cilësore për të ndjekur në të gjithë drejtimet, kohën dhe zhvillimet.
Nuk dua të ndalem në situatën e arsimit gjatë qeverisjes së PD, por disa momente janë të një rëndësie thelbësore.
U arrit që në testin e PISA të kemi ngjitje vertikale. Dhe ajo ngjitje mbajti gjersa dominuan vitet e kësaj që çdo gjë mund ta quash, por vetëm rilindje jo.
Sapo vitet e periudhës së qeverisjes së PD u ezauruan, në 8 vitet e tyre u shënua një rekord i zi botëror, rekord i turpshëm, rekord si në asnjë vend tjetër, as në luftë, as në paqe i rënies me 69 pikë në cilësinë e matematikës, që është shtyllë kryesore, e rënies katastrofale në vendin e dytë më të fundit në botë në mendimin kreativ.
Imagjinoje pra, se sa larg misionit të vet është arsimi ynë sot, në qofte se ai ka për mision kryesor aftësimin e shqiptarëve për t’u përballur me të ardhmen e tyre, për të ndërtuar të ardhmen e tyre, për të ndërtuar realitetin e tyre.
Këto janë tregues, thashë që vijnë nga organizata kombëtare, por që janë të rëndësishëm. Por treguesit këtu brenda janë edhe më katastrofalë.
Sot, ne jemi në kohën ku nuk mund të flitet më për epoka, se teknologjia mund të thuhet tani që, koha e saj është e rrufeshme. Dy vitet e fundit kanë sjellë në skenë zhvillime të atilla të transformimit teknologjik që mendja nuk i imagjinonte dot.
Tri javët e fundit janë karakterizuar nga zhvillime mahnitëse. Inteligjenca Artificiale e dy viteve të fundit, e cila për hir të së vërtetës ishte një mahni e madhe, tri javë e fundit me ‘deep seek’ ka transformuar krejtësisht këtë shtyllë kryesore të transformimit teknologjik.
Deep Seek, sipas autorit e realizoi gjithësejt me 6.6 milionë, dhe presidenti Donald Trump e përshëndeti, pavarësisht nga konkurrenca, pavarësisht nga akti, të cilin e lëshuan ditën e inaugurimit të tij, por ai, i angazhuar shumë në zhvillimin e këtij dimensioni të jashtëzakonshëm, me një fjalim të veçantë e përshëndeti atë si një zhvillim që i shërben njerëzimit, konkurrencë në këtë fushë.
Pse u ndala këtu?
U ndala këtu, sepse pavarësisht shkallës së ku ka rënë arsimi ynë sot, pavarësisht involucionit të tij të turpshëm, pse them involucion?
Në vitin 2013, sistemi arsimor shqiptar kishte internet në çdo shkollë dhe në total 25.300 kompjuterë. Ato u zhdukën. 90% e tyre u zhdukën nga shkollat. U vodh shkolla. Imagjinoni ju, se sa goditje e tmerrshme ishte, edhe morale, por edhe materiale. U vodhën laboratorët, u vodh shkolla. Dhe tani që, kanë filluar t’i blejnë, i marrin bazuar në një vjedhje të tmerrshme. 10-fishi i çmimit të kompjuterit.
Kompania e afërt me Edi Ramën, ngjitur me të, e familjes së tij, me fatura tatimore importon kompjuterë me 10-fishin e çmimit që ka në treg.
Në Tiranë, vazhdojnë turnet e dyta, sepse 5D-ja e famshme rrënon shkolla të pacënuara fare nga tërmeti, siç ishte Sami Frashëri, për të plaçkitur fonde kolosale, paçka se nxënësit pastaj mbeteshin me dy turne. Dhe Edi Rama recitonte Erion Veliajn sot, apo dje me një kohë kur turnet e dyta vazhdojnë, në një kohë kur rrënojnë shkolla të padëmtuara nga tërmeti. Ndërtimin e tyre e shndërruan në biznes për veten.
Krijuan shkollën e drejtorëve, shkollë partie. Qëllimi i saj ishte, të kualifikonte drejtorë shkollash sipas një modeli. Po ku shkon këtu modeli i Izraelit? Në narkoshtet shkon vetëm modeli i narkosit. Degraduan trupat arsimore. Portali, një mësues për Shqipërinë, një militant për partinë.
Kjo është e vërteta, ndaj dhe arsimi u rrokullis.
Arsimi është procesi më i vështirë, më serioz për t’u ndërtuar.
Ku e filluam ne? Nuk mund të them se e filluam, ama në vitin 2005 kishte gjithësej 3.2% të shqiptarëve me diplomë të lartë, në një kohë kur kishte vende me 32%, në një kohë kur BE ishte me 23% mesataren e vet.
Ne hapëm dyert, ata ftuan politikën e dyerve të hapura. Politikë kjo, e adaptuar nga vendet e lira prej shumë e shumë dekadash. Diktaturat e kishin frikë shkollën e lartë, dhe e përdornin si privilegj. Vendet e lira, e shihnin si një mundësi, si një oportunitet për të gjithë ata që dëshironin të shkolloheshin.
I vunë kufizime, vunë mesataren si një satër, duke përjashtuar absolutisht 95% të të gjithë fëmijëve të zonave verilindore-juglindore të vendit, sepse shkollat e mesme të tyre ishin larg shkollave të mesme të Tiranës dhe të qyteteve, në shumë aspekte, nuk u pyet fare.
U caktuan tarifat më të larta në Europë për universitetet, më të lartat. Sot, tarifën më të lartë e kanë universitetet britanike dhe holandeze, pas tyre. Po në qofte se, proporcionojmë rrogat e qytetarëve të Britanisë së Madhe dhe të Mbretërisë së Holandës me rrogat e shqiptarëve, ju garantoj se tarifat e studentëve në Shqipëri dalin më të larta se të tyre. Dhe pa proporcionalitet, janë më të larta se të çdo vendi tjetër në Europë.
Ky ishte një vrapim drejt injorancës, drejt së shkuarës, drejt korrupsionit. Ishte një arritje e madhe, e jashtëzakonshme pranimi mbi procedura totalisht transparente. Përmbysën çdo gjë, por ne nuk duhet të rrimë.
Tani, të rreshtojmë librin e zi të arsimit që do shkruhet për ta. Por, ne duhet të paraqesim programin konkret real, me të cilin do të transformojmë arsimin shqiptar. Në kohën e transformimit digjital, levë e Arkimedit për transformimin e arsimit tonë do të jetë transformimi digjital, aplikimi i të gjitha teknologjive më të reja. Vetëm në këtë mënyrë, vetëm duke e vendosur këtë sistem në orbitën e transformimit teknologjik, ne do e transformojmë atë me shpejtësi. Dhe kjo, përbën një inkurajim të madh për ne.
Se, kur e sheh ku kemi rënë, me të drejtë i thua vetes: si do dalim ne? Si do ngjitemi ne? Si do kapim ne kohën?
Asnjë rrugë tjetër dhe mundësi nuk ka, përveç transformimit digjital të sistemit tonë arsimor. Aplikimit, vendosjes së tij në shtyllat e teknologjisë së sotme më bashkëkohore.
Reve, të dhënave të mëdha, inteligjenca artificiale, internetit. Ndaj dhe ne, jemi shumë të inkurajuar nga këto zhvillime. Shqipërinë, absolutisht do ta shndërrojmë në një model të vërtetë rajonal dhe më gjerë për sistemin e saj arsimor.
Sigurisht, kjo kërkon investime. Por ne, jemi të vendosur të dyfishojmë buxhetin për arsimin. Ne, jemi të vendosur të dyfishojmë rrogat e arsimtarëve. Ne jemi të vendosur, pavarësisht nga çmimi, të aplikojmë dhe të zbatojmë teknologjitë më të fundit. Transformimi i arsimit tonë, do të bazohet në transformimin digjital të këtij sistemi. Një qendrim tjetër ndaj studentëve. Pranimet në universitete do jenë tjera, nuk është më mesatarja ajo që udhëheq, jo, do të hiqet.
Sigurisht që, pranimet do të jenë transparente. Tarifat do të përgjysmohen, minimumi. Unë e kuptoj dhe mirëkuptoj botën akademike, e cila për mungesë buxheti shikon te tarifat e studentëve një burim shumë të rëndësishëm të të ardhurave. Por garantoj se, buxheti do të dyfishohet për arsimin, ndërkohë tarifat, nuk mund të paguajë studenti në Shqipëri tarifë dy-tri herë më të lartë se studenti në Austri, apo se studenti në Gjermani, apo se studenti në Francë. Këto janë gjëra absurde, në një kohë kur prindërit te atyre studentëve kanë të ardhurat 5-6 herë më të mëdha se prindërit e këtyre këtu.
Merr fund kjo!

Thashë edhe njëherë, minimumi do të përgjysmohen, por edhe mund të zbresin në 1/3 sipas rastit.
Rrogat e mësuesve do të dyfishohen. Rroga minimale e pedagogut do shkojë në 2000 euro. Numri i studentëve për pedagogë do përgjysmohet. Nuk ishim afër standardit të OECD-së në vitin 2005, dyfishuam numrin e asistentëve dhe pedagogëve, shkuam në 11.600, nga 6000 që ishin, tani kanë zbritur përsëri në 6000, kanë ikur. Iu bëjnë superngarkesa, nuk i japin asnjë hapësirë për kërkime shkencore.
Liria akademike ka pësuar goditje të mëdha shumë. A mund të imagjinoni ju, nuk ka një vend të dytë në botë, ka diktatorë ideologjikë gjakësorë, siç është i Koresë së Veriut, por prap nuk është kryetari i Këshillit Shkencor i Koresë së Veriut, nuk është. Edi Rama shpalli veten kryetar i Këshillit Shkencor. Bota akademike në këtë këshill përfaqësohet nga tri vetë: Lubi Loti, përfaqësohet nga tri vetë, nga tri personalitete dhe ajo. A mund të imagjinohet? E meriton ajo, sepse ajo është një plaçkitëse që pas Edi Ramës, historia e Shqipërisë nuk ka patur një të dytë. Ua them unë me fakte e dokumenta.
Pra, ajo përfaqësohet në këshill shkencor të kombit kombëtar me tre persona, universitetet me tre persona. Në krye të këshillit, do të më falin se unë kam shumë respekt për mësuesit, një mësues vizatimi, është shumë më keq sesa një mësues vizatimi. Mësues vizatimi janë të nderuar. Mësues zhgarravinash.
Po, absolutisht! Ia kanë thënë dhe në kritikë te artet, jo më unë. Pra, ky njeri kryeson Këshillin Shkencor.
Ky njeri, ka marrë me borde universiteteve çdo kompetencë. Kjo është e vërteta!
Por, në qoftë se ti ia merr lirinë akademike universiteteve ti i than ato, ti i përthanë ato, ti i shndërron ato në një automat që japin leksione, dalin nga leksioni, japin mësim. Kërkimi shkencor, inekzistent pothuajse. 1/57 e mesatares të vendeve të OSBE-së. Kjo është e vërteta!
Me dhjetëra e dhjetëra studiues të rinj mbrojnë tezat duke paguar dhe asnjë qindarkë shpërblim.
Në mjekësi, me qindra stazhierë që derdhin ditë e natë te shtrati i të sëmurit, nuk paguhen. Paguajnë ata. Është një, të themi, një degradim. Dhe ju garantoj një gjë, që është shumë shumë e hidhur.
Në raport me diktaturën më të egër staliniste të Europës, sot liria akademike është shumë më e cunguar. Sot, kërkimi shkencor është absolutisht dy-tre herë më i centralizuar se sa ishte në atë kohë.
Dilje, çojë te zv.dekani projektin shkencor, ai ta miratonte, ti vazhdoje punën. Tani, projektin duhet ta shohë kryetari i Këshillit Shkencor Kombëtar, Edi Rama.
Si ka mundësi?
Përveç kësaj, nuk kanë asnjëlloj hapësire senatet, është formale ekzistenca e tyre. Rektorët i kërcenojnë.
Pyes unë një pedagog tonin. E pyes për udhëheqjen e universitetit të Bujqësisë, se atje tani do t’i shuajë të gjitha specialitetet.
Ka gjetur një universitet në Austri që adapton një lloj programi për specialistët, paçka se universitetet e tjera bujqësore të Austrisë janë krejt tjetër, dhe thotë: këtë do aplikojnë. Po, mirë, çfarë bëjnë ata?
Ata, thotë, janë të gjithë në SPAK. Po, pse janë në SPAK? Iu ka fut SPAK-un atyre, nuk flasin dot. Ekzakt kjo që po iu them. Mund të duket e habitshme, po kjo është e vërteta.
Dhe tani do reformojë kryetari Kombëtar Këshillit Shkencor, Edi Rama, do reformojë Universitetin e Bujqësisë.
Pra, PD angazhohet, zotohet se, liria akademike, se respektimi i saj do të jetë zotim solemn. Nuk mund të ketë jetë akademike një vend, dhe universitete pa lirinë akademike.
Fondet për shkencën do të jenë 0.8%. Do dalim mbi mesataren e rajonit, me qëllim që të ecim pastaj drejt mesatares së BE-së.
Po në këtë situatë ku jemi katandis, jemi katandis në nivelet që shumë rralë të gjesh në botë kaq të ulëta.
Unë nuk po zgjatem, por ju ftoj që këtë program, ju ftoj të kontribuni në pasurimin e këtij programi, dhe ju garantoj se, transformimi i arsimit është një nga objektivat tona më madhore.
Faleminderit shumë!