FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, në konferencën e sotme me gazetarët deklaroi se zhvillimet e fundit ndërkombëtare kanë ekspozuar “narkoshtetin shqiptar”, duke theksuar se organizata të fuqishme kriminale kanë depërtuar në institucionet shtetërore. Berisha u ndal veçanërisht te sanksionet e shpallura ndaj familjes Hysa, të cilën e cilësoi si të lidhur me kartelin meksikan të Sinaloas dhe me figura të larta të qeverisë shqiptare.
Berisha përsëriti akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, duke i lidhur këto sanksione dhe publikimet e mediave të huaja me atë që ai e konsideron si bashkëpunim të qeverisë me rrjete kriminale. Kryetari I PD, Sali Berisha tha se, këto zhvillime duhet të alarmojnë partnerët ndërkombëtarë dhe të shtojnë presionin ndaj qeverisë shqiptare.
Lideri demokrat, Sali Berisha akuzoi me tone të ashpra qeverinë aktuale për mënyrën si ka trajtuar aktivitetet e lojërave të fatit, duke theksuar se ndërsa në Meksikë janë mbyllur disa kazino të lidhura me këto grupe, në Shqipëri nuk është marrë asnjë masë. Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama për mbrojtje politike ndaj biznesmenëve të sanksionuar dhe për favorizime me leje ndërtimi, licenca dhe status investitori strategjik.
Berisha tha se ekonomia shqiptare është e ndikuar rëndë nga paratë e krimit të organizuar, çka ka çuar në zhvlerësimin e valutave të huaja, rënie të eksporteve, goditje të industrisë fason dhe mbingarkesë artificiale në sektorin e ndërtimit.
Duke iu referuar një interviste të prokurorit italian Nicola Gratteri, Berisha tha se Shqipëria po funksionon si “narkoshtet”, ku grupet kriminale gjejnë hapësirë të pastrojnë fondet e tyre.
Berisha shtoi se publikimet ndërkombëtare dhe sanksionet e fundit, provojnë lidhjet e qeverisë me elementë kriminalë dhe konsolidojnë akuzat e opozitës për kapjen e shtetit.
Në konferencën e sotme për media, Kryetari i PD, Sali Berisha, i pyetur nga gazetarët nëse këto zhvillime e lëkundin pozitën e kryeministrit, Berisha deklaroi se “narkodiktaturat kanë mbështetje dhe propagandë”, por opozita do të vijojë akuzat dhe përballjen politike. Ai përmendi edhe çështjen e udhëtimit në Aruba, të cilin e cilësoi si “takim me bosë të trafikut të drogës”.
Sa i përket mosparaqitjes në SPAK për çështjen e 21 Janarit, Berisha mohoi se ka marrë ndonjë njoftim zyrtar dhe i quajti “gënjeshtra” deklarimet e SPAK-ut se fletëthirrja është dërguar disa herë në adresat e tij. Ai tha se do t’i përgjigjet çdo thirrjeje zyrtare, por akuzoi SPAK-un se po përdoret politikisht për të mbuluar “skandalet e qeverisë”.
Në lidhje me hetimet që prekin disa ministra dhe ish-zyrtarë të PS, lideri demokrat, Sali Berisha deklaroi se “SPAK përndjek opozitën, por përdoret edhe kundër njerëzve të qeverisë kur kjo i intereson Ramës”. Ai tha se prokuroria po godet figura të PS-së vetëm në funksion të luftës së brendshme për pushtet dhe jo si proces real antikorrupsioni.
Kryetari i PD, Sali Berisha u pyet edhe për akuzat e bëra një ditë më parë ndaj ministrit të Kulturës, Blendi Gonxhe. Ai tha se është i gatshëm të përballet në gjykatë, ndërsa akuzoi Gonxhen se ka pasur lidhje me banda kriminale, akuzë që ministri e ka mohuar duke paralajmëruar padi.
Në përfundim të konferencës për media, Berisha njoftoi se Partia Demokratike mund të depozitojë një kallëzim penal në SPAK lidhur me çështjen e Luftar Hysës dhe lidhjet e tij të pretenduara me eksponentë shtetërorë.
FJALA E PLOTË
Zhvillime dramatike nxorën në pah me të gjithë shëmtinë e tij narkoshtetin shqiptar, lidhjet organike të atij që mediat ndërkombëtare e quajnë Noriega i Shqipërisë apo Ramaduro i Europës.
Dje u shpallën organizatë terroriste, me sanksione të thella, vëllezërit Hysa, miq dhe favoritë të Noriegës apo Ramaduros.
Mediat botërore sot në të katër anët e planetit informojnë këtë vëllazëri, këta janë 4-5 vëllezër, si parelarësit kryesorë të Sinaloas të Meksikës.
Sinaloa e Meksikës është ndoshta karteli më i fuqishëm i drogës në botë.
Dhe jo vetëm i drogës, por i shumë aktiviteteve të tjera kriminale.
Perandoria e miqve të Edi Ramës, njoftojnë mediat botërore, perandoria ekonomike e tyre, shtrihet në shumë e shumë vende.
Në Kanada, në zonat e indianëve të Kanadasë që kanë një lloj autonomie me Pallatin Magjik.
Me dhjetëra e dhjetëra restorante, hotele dhe klube.
Por ato, nga Kebeku dhe zonat e indianëve të Kanadasë, gjer në Palermo të Italisë numërojnë në Vlorë, në Tiranë, në Shqipëri, me qindra biznese, por në tërësi kazino, lojëra fati, me të cilat me një marrëveshje lajnë miliardat e Sinaloas së Meksikës.
Famoz vetëm restoranti Mirela që mban emrin e bashkëshortes, ka transferuar në Shqipëri dhjetëra e dhjetëra milionë euro nga zonat e indianëve të Kanadasë.
Tani, këtu kemi disa sekuenca, pra janë mediat e huaja, është Reuters, agjencia kryesore e lajmeve në botë që njofton sanksionet kundër familjes të perandorisë së kazinove meksikane dhe që lan fondet e kartelit dhe që është i lidhur direkt me Edi Ramën.
Vazhdojmë…
Meksika i mbyll 13 kazino. Shqipëria asnjë.
Asnjë kazino nuk i mbyll.
Tjetër. Qeveria e Meksikës dhe Thesari godasin grupin kriminal të sektorit të bixhozit, lojërave të fatit. Lajm tjetër është. Lajm botëror.
Tjetër.
Përsëri media të tjera.
Vazhdojnë. Ky është bërë lajm botëror.
Tani mundësisht deklaratat e Ramës.
Avokati i tyre…
A ka avokati më të madhe?
Ja, flet si avokat.
Flet vetë, tregon vetë se si i dha lincencën e hotelit, i dha lejen e hotelit me 5 yje, e shpalli investitor strategjik 10 vjet pa taksa, i dha licencën e kazinosë klanit të Sinaloas, vëllezërve Hysa në një ndër pozicionet më të fuqishme në kartelin më të fuqishëm të drogës në botë që është Sinaloa.
Pra, kartelet e drogës, i kanë dyert e hapura anekënd në Shqipëri.
Por, për qytetarët shqiptarë dhe për të gjithë ata të cilët duke refuzuar mbështesin narkoshtetin shqiptar, duke e mohuar ekzistencën, mbështesin narkoshtetin shqiptar, po lexoj përkufizimin se narkoshtet është termi politik dhe ekonomik që përdoret për vendet, në të cilat të gjitha institucionet legjitime janë infiltruar nga fuqia dhe pasuria e tregtisë ilegale të drogës, dhe përfaqësuesit e kësaj tregtie.
A ka penetrim më të thellë në shtetin shqiptar se sa përfaqësuesit të Sinaloas në zyrën e kreut të ekzekutivit?
A nuk është kjo shkalla më ekstreme e penetrimit të tyre?
A nuk është avokatia që i bën kryeministri në intervistat e tij, Ramasduro, përfaqësuesve të organizatës narko-terroriste Sinaloa, duke i quajtur një familje të ndershme, etj, etj?
Duke mohuar çdo implikim të tyre, duke bërë avokatin e tyre.
Pra, nuk po hyj të ndalem në institucione të tjera, ku kreun e grupit parlamentar të PS e udhëheq përfaqësuesi i Sinaloas së Elbasanit. I kartelit të Elbasanit.
Ku ministrat i ka emëruar karteli i Troplinëve i Durrësit.
Ku 28 deputetë në parlament kanë ardhur direkt të mbështetur nga kartelet.
Ku gjykatës dhe prokurorë kanë me qindra kilometra biseda dhe mesazhe me eksponentë të krimit të organizuar.
Ku vetë Proda pranohet nga të gjitha se është emëruar drejtor i përgjithshëm i policisë nga Suel Çela.
Meqenëse jemi në definicionin e narkoshtetit, të më thotë kush… më thanë një ditë gazetarët këtu, më përmendën Avokatin e Popullit, në qoftë se kreu i institucionit nuk ka lidhje, jo dorën, po as dorën në zjarr nuk mund ta vësh për atë institucion ti. Nuk ka vend që ata të mos kenë përfaqësuesit e tyre.
Kushti pra i penetrimit të përfaqësuesve apo të parave të karteleve në administratë.
Po kushti i dytë më dramatik është ai i ekonomisë.
Ekonomia shqiptare sot është ekonomi që dominohet me sektor kryesor sektorin ku investon droga.
Kjo ekonomi, apo në Shqipëri, për shkak të narkoeurove dhe narkodollarëve, pra dollarëve dhe eurove të klaneve kriminale të drogës, që futen në Shqipëri nga toka, deti dhe ajri në sasira të pallogaritshme, është zhvlerësuar në mënyrë substanciale euro dhe dollari në kursin e përgjithshëm. Është zhvlerësuar me 30-35 përqind.
Ky zhvlerësim i ka dhënë një goditje fatale sektorit të eksporteve të vendit, i cili pëson rënie dyshifrore nga viti në viti, çka do të thotë mbyllje e mijëra ndërmarrjeve të eksporteve dhe shpunësim masiv i shqiptarëve.
U kujtoj se për të justifikuar këtë dramë të madhe të mijëra qytetarëve shqiptarë, Edi Rama e quante industrinë fason si një industri të botës së tretë që nuk ka pse ekziston në Shqipëri.
Narkoeuro dhe narkodollarët kanë shkaktuar rënien në recesion të prodhimit industrial për shkak të goditjes së madhe të eksporteve, rënien e madhe të prodhimit bujqësore.
Ekonomia shqiptare ka sot dy shtylla kryesore. Ndërtimin më kryesor, i cili është rezultat i investimit të miliardave fonde të drogës nga kartelet e drogës.
Shqipëria, si narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë, sipas Eurostat, ka treguesin e ndërtimit 3 herë më të lartë se në Europë, jashtë të gjitha nevojave për ndërtime në këtë vend, që ka humbur 700-800 mijë banorë, në mos 1 milion gjatë 10 viteve të fundit në emigracion.
Pra, goditje të madhe ka marrë turizmi për shkak të zhvlerësimit të euros dhe dollarit dhe për shkak të largimit masiv të shqiptarëve nga Shqipëria.
Ata të mohojnë ekzistencën e narkoshtetit, që po i trajton shqiptarët më keq se çdo pushtim në historinë e tyre, që po varfëron shqiptarët më shumë se çdo regjim tjetër, që ka shndërruar Shqipërinë në eksportues kryesor të krimit të organizuar, drogës dhe trafiqeve kriminale, ata de facto mbështesin narkoshtetin në Shqipëri.
Në të gjithë parametrat, absolutisht në çdo parametër, Shqipëria plotëson çdo tregues për narkoshtetin përveç mbrojtjes që i bëjnë zyrtarë të korruptuar propagandës bajate të qeverisë, e cila synon të vazhdojë t’i garantojë narkoshtetit barbarinë mbi shqiptarët.
Tani, për ta mbyllur, unë kam zgjedhur këtu intervistën e djeshme të një prej prokurorëve më guximtarë të Italisë, të Napolit, Nicola Grattierit, i cili thotë se Shqipëria është një narkoshtet i mirëfilltë.
Dhe jo vetëm kaq, por thotë se Shqipëria është i vetmi vend ku organizatat kriminale shqiptare lajnë paratë në vendin e tyre sepse janë një me qeverinë dhe institucionet.
Nuk guxon Ndragheta t’i lajë paratë në Itali sepse antimafia e gozhdon.
Por në Shqipëri, kanë parajsën e tyre.
Besoj se me këto publikimet e sotme, nuk mundet të kundërshtojë njeri burimet, lidhjet e Edi Ramës me grupet narko-terroriste të planetit dhe burimet e narkoshtetit në Shqipëri.
PYETJE-PËRGJIGJE
Marsi Korreshi, Syri Tv: Z.Berisha, tashmë që emri i Edi Ramës në vetëm pak kohët e fundit ka dalë si i lidhur fillimisht me McGonigal, më pas me takimin në Aruba, të akuzuar prej jush, dhe tashmë emri i tij del edhe nga përfshirja me Luftar Hysën, të shpërthyer tashmë edhe në mediat ndëkombëtare. A mendoni se do ta lëkundë kjo pozitën e Edi Ramës në Shqipëri, qoftë edhe në ardenën ndërkombëtare, çfarë do të bëjë opozita në funksion të kësaj?
Berisha: Narkodiktatorët kanë miq, paguajnë shumë për propagandën e tyre, por kanë dhe miq.
Nëqoftëse lexoni për Noriegën, ju do të lexoni gjëra të çuditshme.
Franca i kishte dhënë atij, dekoratat më të larta të vendit të vet. Po Franca, do ta merrte atë pasi mbaroi dënimet në burgjet e SHBA-së, për të mbyllur jetën e tij në burgjet e Francës, si i dënuar.
Pse e tregova këtë shembull? E tregova se, ne nuk duhet të tërhiqemi, dekurajohemi as nga mbrojtjet që i bëjnë, as nga mohimi që i bëhet narkoshtetit, i cili bëhet për qëllime absolutisht shumë, shumë të pandershme. Korruptive.
Narkoshtetit në Shqipëri është vepër e Edi Ramës. Por në mënyrën më të padiskutueshme ai i ndihmua fuqishmit nga ata që e mbështetën haptas. Dhe unë kam folur këtu para jush, ambasadorë dhe të tjerë, dhe nga ata që edhe sot e mohojnë, madje ndërmarrin sulme ndaj opozitës pse ajo flet për narkoshtetin.
Por koha dhe e vëteta mund të vonojnë, por absolutisht kurrë nuk mund të mohohen dhe nuk harrohen.
Ju e thatë vetë. E tillë është Aruba. Aruba, të niset çarteri nga Tirana për të bërë takim, me siguri kanë qenë dhe vëllezërit Hysa, se këta janë famozë. Apo Gjika, tani është në burg, Dritan Rexhepi, edhe ai me dy mbiemra, se këta i ndërrojnë mbiemrat sipas qejfit. Këtë me mbiemra e kanë kështu, kur merr Taulanti 5 mbiemra, imagjinoni këta të tjerët.
Pra, këta takimin me qeverinë, është rast unik i hapur, të nisësh avionin për 11 mijë kilometra nga Tirana në Aruba, për të takuar një grup bosësh të karteleve të transportit të drogës, ti i shndërron ata në një sektor kryesor të jetës së vendit. Ndaj dhe ne nuk heshtim.
Ne mbrojmë këtë sepse ne shohim që droga është fuqia më shkatërrimtare e këtij kombi sot. Dhe për këtë arsye ne përballemi çdo ditë dhe do të përballemi, pavarësisht nga avoketërit e narkoshtetit shqiptar.
Isa Myzyraj, Ora News: Z.Berisha, ditën e sotme ju nuk jeni paraqitur në SPAK për t’u pyetur me ngjarjen e 21 janarit. Më shumë se kushdo tjëtër, Sali Berisha i di pasojat e moszbatimit të urdhrit të SPAK, siç ndodhi para dy vitesh, ku ju nuk zbatuat urdhrin dhe doli një tjetër urdhër për t’u izluar në shtëpi. Z.Berisha, i druheni faktit që brenda pak ditësh oborri i PD mund të mbushet me policë për t’ju shoqëruar me forcë për t’u marrë në pyetje për 21 janarin?
Berisha: Tani, Isa, për ju dhe çdo gazetar tjetër që unë në tërësi i respektoj, do t’u sugjeroja që të mos lejoni veten kurrë të keqpërdoreni nga njerëz të papërgjegjshëm, të inkriminuar, mashtrues, të cilët e kanë shndërruar atë institucion në një seksion të PS.
Unë, nuk e kam rastin për ty konkretisht, për ju, jo, por kam konstatuar një keqpërdorim dhe e them këtu publikisht mizor të gazetarëve nga këta individë, të lidhur kokë e këmbë me krimin, që më rikujton keqpërdorimin që bënin seksionet e Sigurimeve të Shtetit dikur ndaj personave të caktuar.
Pse i them këto?
E kam deklaruar, e kam faktuar se unë i përgjigjem çdo thirrje të gjykatës, të prokurorisë speciale, të prokurorisë jospeciale, të kujtdo qoftë, nuk ka asnjë lloj lëkundje nga unë në këtë qëndrim dhe nuk mund të ketë kurrë.
Së dyti, ata që e fusin veten për të krijuar, e bëjnë veten bashkëpunëtorë në një propagandë banale, të turpshme, as nuk kanë fytyrë, as nuk kanë moral, as nuk kanë ligj.
Sepse posta kur niset, ligji është, dorëzohet.
Atij që i dorëzohet, i merret firma. E mora, thotë.
Dhe unë, kudo, qoftë në seli, qoftë aty ku banoj, kam njerëz të përgjegjshëm, të cilët kurrë nuk mund të ndodhë të firmosin për një dokument që adresohet tek unë dhe të mos ma japin.
Por kjo i intereson Altin Troplinit, i cili e shndërron atë institucion, i jep standardet e tij morale.
Sa është sot data? Sot është data 14.
Nga data 3 që pretendohet, deri me datën 14, ai dokument mund të vinte 5 herë në zyrën time, në shtëpinë time apo në parlament.
Dhe nuk ka ardhur askund.
E vetmja gjë që u bë kjo, sepse duhej që lakejtë dhe puthadorë të qeverisë të krijonin lajme, madje edhe në studio të debatonin në lidhje me ftesën dhe do shkojë apo jo, në mënyrë që të mbulonin superskandalin e Lubi Ballukut dhe Edi Ramës.
Ta nxirrnin atë nga studio dhe të fusnin këtë.
Pra ishte kjo…
Tani vijmë tek çështja. Asnjë njeri, në qoftë se shkon pak tek data 21 janar, ora 7 e darkës, njeriu i parë që ka kërkuar një hetim të plotë të asaj përpjekje të dhunshme për të përmbysur një qeveri të ligjshme, legjitime, është Sali Berisha.
Asaj përpjekje që u bazua fund e krye në një mashtrim dhe falsifikim të tmerrshëm publik.
Asaj përpjekje për të cilën Edi Rama mendoi se do i lëshoja zyrën, se përndryshe do kalohej mbi të vdekur.
Lexoji pak, kthehu pak, i ke atë ditë.
Pastaj tjetri, edhe 13 mijë të bëhen, nuk prish punë.
Apo tjetri, tejkalohet Kushtetuta, nuk ka më Kushtetutë.
Pra, unë isha thellësisht më i interesuar për hetimin, ndoshta më shumë se kushdo tjetër.
Jo për veten time, se ata që patën qëllime të tilla, dështuan, por kjo duhet të zbardhej në interesin më të mirë të shtetit shqiptar.
Tani, pjesa e dytë. Unë publikisht kërkova prokuror ndërkombëtar dhe një prokuror ndërkombëtar erdhi.
Pjesa e tretë, të supozojmë për një moment se unë nuk doja hetimin. Nga viti 2013 kanë kaluar 12 vite dhe ai hetim nuk u bë sepse ai hetim nxjerr përgjegjës kryesor për protestën më të dhunshme në historinë e vendit, direkt Edi Ramën.
Nxjerr falsifikimin dhe mashtrimin publik që bëri me videon me Filip Çakullin.
Nxjerr projektin e tij që ose ik, ose mund të kalohet edhe mbi kufoma.
Po prandaj nuk bëhej hetimi, sepse besoj se 13 vite, PD dhe unë nuk kemi pasur asnjë lloj autoriteti.
Ndaj dhe Ina Rama nuk thërriste Sali Berishën, ndonëse i kisha thënë ato që meritonte plotësisht.
Nuk ishte çështje e imja ajo, ajo ishte çështje e shtetit shqiptar.
Aty u përpoqën të përmbysin një qeveri të zgjedhur në mënyrë të ligjshme, të bazuar në një mashtrim dhe falsifikim të tmershëm publik, dhe që megjithatë Ilir Meta një javë para dha dorëheqjen.
Erdhi në zyrë, më tha se unë nuk shkoj tek prokurori si zëvendëskryeministër, unë do shkoj si qytetar i thjeshtë.
Ndaj dhe ata që përpiqen tani ta bëjnë këtë për të mbuluar superskandalet, të garantoj që do marrin dështimin, turpin që e përdorin.
Dhe këtë në qoftë se e ke vënë re, në çdo rast sa herë u dalin probleme, nxjerrin këtë kartë.
Po kush e pengoi atë? Absolutisht askush, vetë ata se u del Edi Rama, Tom Doshi, Skënder Gjinushi, Spartak Ngjela, dalin këta.
E di sa dokumente ka apo jo? Është një mori e pafundme.
Ishte demonstrata më e dhunshme.
Është marrë vetë qeveria e SHBA dhe BE dhe kanë kërkuar hetimin e plotë nga polici tek organizatori kryesor.
Po të hetohej organizatori, Edi Ramës duhet t’i faturohej atë që meritonte.
Kurse Sali Berisha qëndroi në zyrën e tij, ditë pune, respektoi flamurin dhe detyrën që kishte.
Pra, këto janë për këtë çështje.
Këto dhe vetëm këto.
Nuk më kanë thirrur, sa herë të thërrasin për çdo gjë, jo për këtë, unë shkoj, nuk kam asnjë lloj…
Isa Myzyraj, Ora News: Fletëthirrja ka shkuar në 3 lokacione, ku ju duhet t ëkeni vendin e punës dhe shtëpinë. Pse Sali berisha lejon gjithë këtë kakofoni edhe në media, pasi fletëthirrjen, besoj e keni parë edhe në media, e kemi dhe ne gazetarët një kopje të saj. Pse lejoni ju që të bëhet gjithë kjo zhurmë mediatike dhe nuk u paraqitët sot në SPAK?
Berisha: Pse duhet të marrësh ti të mirëfilltë mashtrimin që bën Skapi?
Ku e ka parlamenti? Pse nuk e ka sjellë?
Atëherë nëse kanë thënë këtë, janë mashtrues ordinerë.
Unë nuk kam pranuar?
Kujt ia kanë ofruar?
Se unë nuk e kisha dëgjuar këtë.
Po në qoftë se këta thonë se ia dërguam dhe nuk e pranoi, këta janë mashtrues ordinerë.
Janë të pafytyrë.
Unë kam, fatmirësisht tek pallati njerëz që marrin postën me firmë.
Të nxjerrin firmën.
Unë kam njerëz në seli.
A e kanë nisur në tre vende?
Atëherë pse del se vetëm në parlamentin e Taulantit e paskan marrë?
Shiko çfarë veglash të shpifura, të turpshme.
Unë respektoj ligjin. Unë nuk merrem me trillime, nuk merrem me manipulime, nuk merrem me propagandë banale, unë respektoj ligjin.
Unë respektoj ligjin.
Ata të cilët hyjnë në lojëra politike, ata janë njerz të pafytyrë që nuk kanë moral, që nuk kanë ligj, të cilët shkelmojnë mbi institucionin kushtetues të Skapit të partisë, tregojnë se janë vegla të verbra.
Atë pyetje nuk mund ta bësh ti.
Pse ti nga mediat… jo, unë nuk mund të marr njoftim.
Institucionet e një shteti nuk funksionojnë me mediat. Se mediat çdo ditë mund të japin një lajm, po ti nuk ke asnjë obligim.
Obligim ti ke kur ty të dorëzojë siç përcakton ligji.
Ligji përcakton njoftimin.
Kurse ajo që thua ti, parlamenti, ajo tregon një lojë të turpshme të tyre.
Pra, selia nuk e ka marrë, pallati nuk e ka marrë, ka njerëz aty, të thotë postieri cili ia refuzoi.
E ka marrë Taulanti me 5 mbiemra, çka fakton lojën e turpshme të Altin Troplinit, i cili në turpe të tilla që asnjë ordiner nuk ia lejon vetes. Kaq banale!
Osman Stafa, News 24: Z.Berisha, në momentet që ne flasim SPAK ka nën hetim Belinda Ballukun, ka në qeli Erion Veliajn, ka në qeli Ilir Beqajn, ka ish dy deputetë të PS në qeli, ka një ish-ministër, dhe një zv.kryeministër tjetër në kërkim ndërkombëtar. Ju keni deklaruar se, edhe pse Belinda Balluku dhe Erion Veliaj janë në procese hetimore, prap këto janë dëshira të Ramës, i ka lëshuar ai. Po nëse një moment, një ditë, vet Edi Rama do të jetë subjekt i SPAK, çfarë argumenti do të përdorni ju përpara qytetarëve se vet Edi Rama kërkon të shkojë nën hetim?
Berisha: Së pari, ata që njohin diktaturat, ose që i studiojnë ato, të shkuarat apo të sotmet do të gjejnë se, institucioni i akuzës persekuton si kundërshtarët politikë, persekuton edhe kriminelët dhe zyrtarët e korruptuar. Madje të them një gjë, ka vende të cilat e bëjnë me shumë vendosmëri.
Të garantoj se në diktaturën komuniste, korrupsioni ishte pakrahasimisht më i ulët se ky që është sot. Dhe për një dhi apo një dele, burgosej tjetri disa vite. Nuk është se falej korrupsioni në diktaturë. Por diktatori e përdorte prokurorinë kundër kundërshtarëve politikë.
Tani, a ka ndërmend të them unë, me këtë që po them, se opozita është e paprekshme? Absolutisht jo. Opozita është e prekshme plotësisht, është nën ligj, por kur ti arreston dhe persekuton në vitin elektoral si persona nën hetim, arreston si persona nën hetim, ja ku e ke Ilir Metën, liderët e tre partive kryesore opozitare, njërin prej tyre e vë në ndjekje penale, atëherë besoj se, është e qartë si drita e diellit se ky është një sulm ndaj pluralizmit politik.
Dhe kjo nuk mund të mohohet. E bëre në vitin elektoral. I mbajte në vitin elektoral në arrest, njërin në burg, njëri në shtëpi, pa akuzë. Me thuaj ti mua, çfarë dokumentesh mund të lëshoja unë 12 vite pasi kam ikur nga pushteti, apo Ilir Meta. Çfarë dokumentesh disponoja unë. E para kjo.
E dyta, Altin Troplini, i cili është jo i vetëm në këtë shkallë, është njeriu që futi nocionin e amnistisë së krimit elektoral. Dhe për ty dhe çdo njeri që vota ka një peshë të caktuar, dosjet 184 dhe 339, janë dosjet më flagrante të krimeve më flagrante elektorale, të cilat janë ngritur mbi bazën e procedurës më të saktë ligjore.
Janë regjistrime të bëra me vendim gjykate dhe këto i amnistoi Altin Troplini.
Tani më thuaj ti mua dhe cilido, një prokurori që sulmon pluralizmin, shtyp pluralizmin, amniston. E di çfarë është kjo e dosjeve? Është licencë për Edi Ramën për të krijuar ato që krijoi më vonë.
Vijmë tani tek rastet. Së pari, duhet të bëhet pak e qartë dhe njerëzit nuk duhet të besojnë një mashtrues siç është Dumani. Se nga viti 2008-2010, dy ministra u janë hequr imunitetet dhe janë vendosur nën akuzë. Një zv/kryeministër ka dhënë dorëheqjen nga çdo funksion dhe ka shkuar në ndjekje nga prokuroria.
Këto që po i paraqesin si risi, janë vetëm mashtrime.
Më gjeni kush janë dy ministra në detyrë sot, cili? Asnjë. Përveç Lubisë tani së fundmi. Kështu që kjo veprimtari pra, për të ndëshkuar korrupsionin ka ekzistuar. Madje kjo e SPAK është tre herë më e vogël, 3 herë me shifra, me raporte të DASH, të cilat dëshmojnë se, në vitet 2007-2008, u dënuan nga gjykatat për dosjet e korrupsionit të dërguar nga Task-Forca 630 punonjës. 199 punonjës u dënuan në vitet 2022-2023.
Vijmë tek Erion Veliaj. Besoj se e dëgjuat dje Edi Ramën. Nuk shtrohet këtu, që biri të vrasë babain, nuk kam unë pasaardhës. A e kap, nuk ja thashë unë atij ta thotë, e tha vetë, i doli vetë.
A bëri Erion Veliaj përpjekje të hapura për tu paraqitur më shumë se i dyti në PS? Absolutisht po dhe nuk mund ta mohojë njeri, dhe e vërteta është që ai krijoi në parlament, krijoi në parti një mbështetje të fortë. Kështu që për Erion Veliajn ne protestuam 46 javë.
Erion Veliaj e akuzuan jo për çështjen e ‘5D’, jo për djegësin e Tiranës, u akuzua thjeshtë për grabitje parash nëpërmjet OJF-ve për familjen e tij.
Erion Veliaj e kishte dosjen plotë, por Erion Veliaj i dha përgjigje Rama dje. Nuk kam unë të dytë, nuk kam pasardhës unë. Iku e tregoi veten.
Dy, tek Belinda. Besoj se çdo njeri që ka ndjekur ato që mediat kanë publikuar dhe ato nuk janë gjë, seç janë ato që janë në dosjet e Belindës. Se të kesh ti dosjen e Belindës, ajo është më e jashtëzakonshmja. Nuk ka shkrimtar që mund të shkruante një dosje të tillë.
Aty është një dosje e papërsëritshme. Palloshi i gjatë është lule në dosjen e saj.
Po nuk janë gjë ato, po pse e mori e motra dosjen. Pse e mori Pamela jashtë të gjitha kritereve. Dosja ka aspekte që tejkalojnë imagjinatën.
Në atë rast, ç’është e vërteta prokurori Prençi, duhet të pranojmë se, është përballur me të vërteta të cilat ishin asgjësuese për të në rast se do i mohonte dhe ai nuk mori përsipër ti mohojë.
Ai mori përsipër, pavarësisht se u paralajmërua me kokë, ki kujdes kokën i tha Troplini, etj., ai mori përsipër ti qëndrojë ligjit.
Nuk kam asnjë të dhënë, se unë nuk jam njeri që besoj shumë në konspiracione. As se Lubisë ja bëri Rama. Ajo Ramës di që i tha, të marr me vete dhe e merr me vete. Këtë mos keni iluzione.
Pra ky është qëndrimi.
Unë e kuptoj që ju që nuk keni jetuar diktaturën e parë, keni të drejtë që i shihni kështu, por nëse prokuroria përdoret për të shtypur pluralizmin, për të amnistuar dhunimin e votës, ajo është prokurori politike, është politike, është politike.
Osman Stafa, News 24: Sa i takon çështjes së parë që trajtuar ditën e sotme për Luftar Hysën dhe lidhjet e tij me kryeministrin Edi Rama, të cilat ju i cekët, do të bëjë PD kallëzim penal në SPAK për sa kohë kjo çështje, sa kohë ka folur dhe DASH?
Berisha: Unë mendoj se ne kemi bërë, duhet të ketë padi.
Por do ta shohim në qoftë se nuk ka padi, unë besoj se ka padi.
Po aty, ata tonat i kanë dosje armiqsh, vetëm kur nuk kanë ku shkojnë.
Isa Myzyraj, Ora News: Z.Berisha, ka një reagim zyrtar nga SPAK ku thonë se, herën e parë rojet e banesës suaj nuk ishin autorizuar për të tërhequr zarfin. Herën e dytë, shërbimet e deputetëve në Kuvend, pra stafi juaj ka refuzuar për ta marrë fletëthirrjen dhe ajo është dërguar në adresën e emailit, por edhe herën e dytë në banesë është refuzuar marrja e zarfit në 12.11.2025.
Berisha: Është një gënjeshtër absolute.
Ato roje janë njerëz të përgjegjshëm.
Këta janë njerëz të pafytyrë.
Janë njerëz të përgjegjshëm të cilët më kanë dorëzuar mua çdo lloj dokumenti që ka ardhur aty.
Dhe, kur organet gjyqësore kanë pasur, e kanë konsideruar të domosdoshme, i kanë dërguar me motoçikletë, me punonjës të policisë, gjykatës, etj, etj dhe nuk ka ndodhur kurrë kjo që thonë ata.
Shiko, bëju bllok atij numrit të tyre sepse e kanë agjenci mashtrimi.
Prandaj ju lutem shumë, bëjini bllok dhe report atij numrit, thuaju edhe kolegëve tuaj të bëjnë të njëjtën gjë sepse dezinformojnë.
Isa Myzyraj, Ora News: Emailin e keni hapur çdo ditë? Ta kanë nisur në email…
Berisha: Emailin e hap çdo ditë. Nuk kanë dërguar asnjë.
Unë email nuk përdor dhe nuk kam email në parlament. Nuk përdor email në parlament.
Në qoftë se e kanë hapur dhe është, ato kanë rregulla komunikimi.
Nuk është emaili ajo që komunikon.
Posta ka rregulla, dorëzon njoftimin, firmos ai që merr njoftimin.
Duket se kanë nisur pas këtyre bisedave, kanë hapur ndonjë llogari emaili kastile për këtë punë.
Normalisht deputetët duhet të kenë llogari emaili, por unë nuk e kam përdorur kurrë.
Anesti Bajramemaj, A2 CNN: Z.Berisha, ditën e djeshme keni hedhur akuza ndaj ministrit të Kulturës, Blendi Gonxhe, sipas jush, i vrari në atentatin e Rinasit ishte truproja i tij. Z.Gonxhe ditën e sotme ka pohuar se të gjitha deklaratat tuaja janë mashtrime dhe thotë se do t’ju padisë në gjykatë. A jeni gati të përballeni me z.Gonxhe?
Berisha: Absolutisht!
Që Gonxhe punoi me bandat dhe një ndër banditët ka qenë edhe ky, kjo është e provuar.
Unë do t’i nxjerr atij me dhjetëra dëshmitarë.
Sigurisht kjo nuk bëhet me dokumente.
Po këta e dinë.
Gonxhe bashkë me këtë dhe bandën e Vorës, në këtë fushatë në Tiranë ka qenë njeriu më i lidhur me bandat.
Hoxha kishte këtë Sheqerin dhe nuk ka reaguar të paktën.
Kurse Gonxhe është totalisht produkt i bandave.
Ju falënderoj!

