Berisha: Diella Rama do përdoret që të largohet përgjegjësia nga vjedhjet! Dekretimi i saj, akti më skandaloz në historinë e shtetit

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë konferencës me gazetarët ditën e sotme, akuzoi me tone të ashpra qeverinë Rama, duke e cilësuar si kabinetin më të korrupsionuar, më të pamëshirshëm dhe më të papërgjegjshëm në historinë e Shqipërisë. Berisha adresoi një sërë akuzash ndaj figurave kyçe të qeverisë dhe parlamentit, duke denoncuar lidhje të ngushta me korrupsionin, klanet e Sorosit, dhe kapjen e institucioneve.

Lideri opozitar, Sali Berisha e pagëzoi ministren e re virtuale të kabinetit qeveritar me epitetin Diella Rama, ku theksoi se kjo e fundit është anëtare e familjes Rama dhe vepron si mekanizëm për të shmangur çdo përgjegjësi për vjedhjen e parave publike. Berisha shtoi se tashmë edhe në arenën ndërkombëtare po kuptohet se Diella është krijuar për të mbrojtur Edi Ramën dhe për të zhdukur çdo lloj përgjegjësie.

Kryetari i PD, Sali Berisha, e cilësoi Belinda Ballukun Lubi Balluku si “hajdute me çizme” për vjedhjet në sektorin e energjisë dhe projektet publike si tuneli i Llogarasë, Rruga e Arbrit dhe rruga Qukës–Qafë Pllocë, ku kostot janë katërfishuar dhe mbi të gjitha janë favorizuar kompani të lidhura me familjet e qeverisë.

Berisha denoncoi Blendi Gonxhen si “hajdutin më të stërvitur”, për përfitimet e tij dhe të djalit të tij përmes kompanive private, duke përfshirë pistën e Formula 1 në Elbasan, e cila filloi me 10 milionë euro dhe sipas tij po përfundon me 230 milionë euro. Ai shtoi se Koçiu është “licenca e re për krimin”, ndërsa Lamallari dhe Evis Sala janë pjesë e klanit të Sorosit dhe mbështesin korrupsionin e qeverisë Rama.

Në aspektin e drejtësisë dhe parlamentit, Lideri Opozitar, Sali Berisha kritikoi emërimin e Ulsi Manjës kryetar të Komisionit të Ligjeve, duke e cilësuar një tallje me Kushtetutën dhe një zëdhënës të figurave të kapura në drejtësi si Arben Rakipi. Damian Gjiknuri u përshkrua si shoqërues i McGonigalit pas Edi Ramës dhe si një delinkuent polivalent që shoqëron kriminelë në aktivitete publike. Berisha akuzoi gjithashtu strukturën e re të komisioneve parlamentare, duke njoftuar se PD nuk do ta votojë atë për shkak të ndarjes artificiale të komisioneve dhe rritjes së shpenzimeve për qytetarët.

Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi Niko Peleshin për importimin e 4.3 ton pesticideve helmuese, të ndaluara me ligj, duke helmur të gjithë Ballkanin, dhe Pirro Vengun për lidhje me kartelin Troplini dhe privatizimin e paligjshëm të portit të Durrësit. Ai shtoi se gjatë periudhës së tyre, nuk është kapur asnjë kilogram kokainë, duke treguar bashkëpunimin me organizatat kriminale.

Berisha foli edhe për trajtimin e paligjshëm të Erion Veliajt, duke thënë se Veliaj është goditur dhe privuar nga ushqimi në mungesë transparence, ndërkohë që fajësimi dhe përjashtimi i tij nga informacioni tregon shkelje të të drejtave të njeriut.

Në aspektin institucional dhe mediatik, Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi Ramën për shtrirje të “kodit të mafies” tek deputetët e tij, duke ndaluar çdo deklaratë publike të ministrave pa miratimin e tij. Berisha denoncoi kontrollin mafioz mbi mediat dhe kërcënimin ndaj gazetarit të “Piranjave”, duke e përshkruar si politikë zyrtare kundër mediave që kërkojnë transparencë, ndërsa mediat pro-qeveritare shpërblehen me privilegje, motele, hotele, pallate dhe fusha sporti.

FJALA E PLOTË

Personazhet e ricikluara të këtij pushteti janë një ogur i zi për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Por, para se të ndalem tek personazhet reale, do të ndalem tek Diella Rama, e cila përbën dhe aktin më skandaloz në historinë e një shteti.

Një president republike, për të dëshmuar që nuk ka Kushtetutë dhe as ligj, për të dëshmuar që është një skllav mjeran i akteve të tij të paligjshme, për të dëshmuar se është i nënshtruar totalisht, turpëroi Kushtetutën, turpëroi Kushtetutën duke dekretuar si ministri Diellën virtuale.

Dhe duke e dekretuar atë në një dekret me kryeministrin, në një akt të pashembullt.

Fatmirësisht, pas momentit të parë, mediat ndërkombëtare filluan ta kuptojnë se Diella e Edi Ramës quhet ndryshe vjedhja e Edi Ramës.

Se prapa Diellës nuk ka asnjë qëllim tjetër, veçse largimi i çdo përgjegjësie përmes vjedhjes dhe vjedhja përmes Diellës.

Edi Rama u diskreditua personalisht shumë me AKSHI-n, sepse AKSHI u faktua si një kopsht i familjes së tij.

Edi Rama është autor dhe bashkautor i dosjeve më të rënda korruptive të vendit, djegësave, aferës Al Alabar, tunelit të Llogarasë, aferave energjetike, etj.

Tashmë Edi Rama gjeti zgjedhje, që përgjegjësia të mos ketë autor më.

Dhe për të mos pasur përgjegjësia autor, ai krijoi Diella Ramën.

Nuk ka turp më të marrë sesa presidenti të dekretojë…

Nuk ka fyerje më të madhe për sovranin sesa të ketë përfaqësues diçka që nuk ekziston, e përdorur vetëm për të vjedhur paratë e qytetarëve.

Pra, për ta përmbledhur. Diella është anëtarja më e fundit dhe më e ngushtë e familjes Rama.

Kjo është Diella e dekretuar nga Bajram Begaj.

Në qoftë se marrim përfaqësuesit e tjerë që po dalin në pah gjatë këtyre 4 ditëve, janë përfaqësues të krimit të organizuar dhe korrupsionit në shkallën më të lartë.

Në historinë e Shqipërisë nuk ka pasur kurrë një hajdute- siç thotë populli- me çizme si Lubi Ballukun.

Lubi Balluku është e akuzuar me dokumente për vjedhjen e qindra milionë eurove me tunelin e Llogarasë, ndaj edhe në popull e thërrasin Lubi tuneli, me tigrat e saj të zi në Vlorë.

Por qytetarët shqiptarë të mos harrojnë se vjedhjet më të mëdha të saj janë vjedhjet në fushën e energjisë, ku ajo edhe pas krijimit të bursës për transaksione energjetike, anashkalon në çdo rast bursën për hir të xhepave të saj.

Janë faktuar tashmë, jo një por në mënyrë të përsëritur rastet, kur energjia e prodhuar në Shqipëri iu është shitur kompanive të lidhur me Lubinë me 40 euro dhe këto e kanë shitur në treg me 140 euro, duke ndarë paratë me të.

Ose rasti i tunelit të Llogarasë ku së bashku me Ramën, ajo hodhi poshtë ofertën 130 milionë dhe mori ofertën 200 milionë euro. Dhe sot, tuneli i papërfunduar ka shkuar në 220 milionë euro.

Të shohim sa do vazhdojë.

Lubi Balluku është autore e katërfishimit të çmimit të Rrugës së Arbrit.

Unë u deklaroj shqiptarëve se një km rrugë në Rrugën e Arbrit me gjerësi 11 metra, ka kushtuar më shtrenjtë se një km rrugë në Rrugën e Kombit me gjerësi 27 metra dhe me një tunel dy herë më të gjatë se sa tuneli i Murrizit.

Lubi Balluku është përgjegjëse për vjedhjen e madhe në rrugën Qukës- Qafë Pllocë, rrugë e cila njëlloj si Rruga e Arbrit, zgjati në ndërtim 16 vite.

Të dy rrugët përfunduan me 4-5 fishim të çmimit.

Nuk njeh kufij ajo për të vjedhur.

Një aktakuzë e rëndë për të është rruga Korçë-Ersekë, e cila u ndërtua në 18 kilometrat e para me shumën 800 mijë euro për km, kurse segmenti tjetër prej 17 km, u ndërtua me 15 milionë euro kilometrin.

Kjo kleptokrate e papërgjegjshme ka përgjegjësi përafërsisht sa Erion Veliaj në vjedhjen e tmerrshme me djegësin e Tiranës.

Pse? Sepse në përputhje me kontratën, drejtorinë e mbikëqyrjes së punimeve të djegësit e kishte ministria që drejtohej nga Lubi Balluku.

Dhe Lubi Balluku nuk bëri qoftë dhe një supervizim të vetëm. Qoftë dhe një raport të vetëm.

Një bashkëpunëtor i tyre në krim, që quhet Altin Troplini, lëshoi urdhër-arresti për zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, i cili nuk firmosi dokumentin themelor të djegësve.

I cili kundërshtoi pesë herë me shkrim kërkesën e Erion Veliajt për djegësin e Tiranës.

Mercenar Dumani, për djegësin e Tiranës, nxjerr jashtë hetimeve dhe fajësisë Edi Ramën, Erion Veliajn- që kishte falsifikuar dhe mashtruar në shkresat e tij- Lubi Ballukun që kishte detyrë mbikëqyrjen e punimeve, por duke e ditur se paratë i vidhte Edi Rama, ajo heshtte si fija e barit.

Të gjitha këto mbulohen nga një mercenar, nga një prokuror pa ligj dhe moral, i cili bëri çdo kompromis për të zgjatur mandatin e tij për shkak të krimeve që ka kryer.

Niko Peleshi është produkt shumë interesant i Rragamit, Spiro Bardhit, i transferuar pas dorëzimit të Korçës tek karteli i Suel Çelës, i transferuar tek Suel Çela.

Aferat e Niko Peleshit për termocentralin në Maliq janë të gjitha të hapura.

Peleshi është ministri i Bujqësisë që është akuzuar se ka krijuar fermat e tij, por unë nuk them për këtë se nuk kam dokumente.

Por Peleshi solli këtu 4.3 tonelata pesticide të shkallës më helmuese, merkurialë dhe fosforganik, me të cilët helmohej i gjithë Ballkani.

Importi i të cilave ishte i ndaluar me ligjin evropian dhe shqiptar.

Niko Peleshi ka mbrojtjen e plotë të Edi Ramës dhe mercenar Dumanit.

Dhe tani, ai vendoset si figura e dytë e shtetit.

Natyrisht kur ka një figurë të parë që firmos Diellën në emër të Kushtetutës dhe ligjit, në fakt aty vendosej edhe konia e Lubisë në atë vend, nuk do kishte ndonjë dallim të madh.

Pirro Vengu, nuk dua ta prish gojën se këtij i del emri i vërtetë me germat që ka. Një anëtar i kartelit Troplini.

Gjatë periudhës së tij si drejtor, porti i Durrësit u shndërrua totalisht në pronësi dhe administrim të kartelit ndër më të fuqishmit në botë të drogës, kartelit Troplini.

Çdo emërim, çdo lëvizje, çdo gjë në Durrës bëhej vetëm nëpërmjet kartelit. Një kg kokainë nuk është kapur gjatë gjithë periudhës që ka qenë ky drejtor.

Pirro Vengu është famozi që firmosi që porti i Durrësit të asgjësohet, t’i kalojë materialisht Al Alabarit, duke kryer kështu një krim të përmasave më të mëdha, të pallogaritshëm.

Vazhdoi veprën e Peleshit, i cili i dha bazat e ushtrisë oligarkëve të Ramës dhe Ramës.

Jo vetëm nuk revokoi vendimet antiligjore, por përkundrazi bëri gjithçka për zbatimin e tyre dhe sot bazat kryesore të ushtrisë në brigjet shqiptare janë rrëmbyer në kundërshtim me ligjet nga Edi Rama dhe enturazhi i tij.

Të flasësh për Blendi Gonxhen, njeriun që mbyti Tiranën, njeriun që shtoi barrën fiskale mbi automjetet në Shqipëri të paktën 6 herë, njeriun që me kompaninë e tij Albarent dhe kompaninë e djalit të tij, kanë vjedhur me dhjetëra e dhjetëra milionë euro.

Njeriun, që duke u faturuar taksa e tarifa shërbimesh qytetarësh, vazhdon bashkë me Edi Ramën vjedhjen e madhe të pistës së Formula 1 në Elbasan, që u nis me gjoja 10 milionë euro dhe thuhet se po përfundon me 230 milionë euro.

Gonxhe është hajduti më i stërvitur i të gjithë zyrtarëve shqiptarë dhe ky u mbajt me çdo kusht.

Pse po ndalem këtu?

Ndalem këtu sepse kriteri më kryesor i emërimeve të Edi Ramës ka qenë një dhe vetëm një: vjedhja, korrupsioni, korrupsioni dhe Xhorxh Sorosi. Klubi i Sorosit.

Njëlloj si Rama, ai Lamallari është një urith i klanit të Xhorxh Sorosit në Shqipëri.

Jo vetëm Lamallari, por edhe mjekja Evis Sala, e emëruar në konflikt flagrant interesi të Edi Ramës me familjen Sala.

Anri Sala është një fenomen, një gjeni në fushën e vet, por për rrethana krejtësisht enigmatike, detyrohet të bëhet patron i shkarravinave të Edi Ramës.

I shkarravinave pa asnjë vlerë. Vendos reputacionin e tij të padiskutueshëm ndërkombëtar në shërbim të një narkodiktatori.

Kjo Koçiu është licencë e re për krimin.

Po, për krimin dhe trafiqet e drogës, e cila premton një mburojë për to.

Pirdeni është Diella prej së vërteti. A ia vlen të komentohet? Jo.

Se çfarë kishte ajo, ia mori Diella virtuale.

Pra, disa nga komentet për eksponentët, por të tjerë që nuk u përmendën, mos mendoni se janë më pak mëkatarë ose potencial për mëkatarë.

Ndaj dhe ky është kabineti më i pamëshirë që shqiptarët kanë pasur në tërë historinë e tyre.

PYETJE-PËRGJIGJE

Anesti Bajramemaj, A2 CNN: z.Berisha, mazhoranca ka kërkuar ndryshimin e strukturës së komisioneve parlamentare dhe ditëne sotme ka propozuar emrat për ato komisione që ato do të drejtojnë, ku ju tashmë ju keni 4 komisione për të patur drejtimin. I keni gati emrat, por edhe për dy komisionet e posaçme, atë të reformës zgjedhore dhe atëtë reformës territoriale?

Berisha: Të caktosh në krye të Komisionit të Ligjeve, Ulzi Manjën, është një tallje me ligjin, një shkelmim me ligjin dhe Kushtetutën.

Ulzi Manja nuk është gjë tjetër veç se, në rrafshin profesional një zëdhënës i njërit prej figurave më mafioze në drejtësinë shqiptare që e ka emrin, Arben Rakipi.

Ju duhet të dini se Arben Rakipi është një mafioz, që përdor të gjithë autoritetin e Shkollës së Magjistraturës për të prerë gjoba, duke mbajtur studio avokatie, tek studentët që përfundojnë shkollën.

Prurja e policisë sekrete shqiptare, Arben Rakipi kontrollon kokë e këmbë Ulzi Manjën edhe Altin Troplinin.

Pra, të vendosësh në krye të ligjeve një delinkuent i cili është i regjistruar në regjistrime telefonike, kur i thotë çunit të Londrës, i thotë ai, i more ato 500 mijë euro apo jo. Ato i mora thotë, por më duhet edhe një çantë ‘Luis Vuiton’.

Për kë e do çantën, i thotë çuni i Londrës, nuk po e vazhdoj pastaj se nuk futem në privacira.

Pra Ulzi Manja që e vesh Altin Hajri, thotë merrja pak masat se u tregua burrë i mirë shumë dhe për të mos i dalë emri i thotë Ols, ai Olsi është burrë i mirë, kur del pastaj që ishte Ulziu.

Ky caktohet në krye të ligjeve.

Xhafaj, subjekt i ligjit antimafia. Gjithë perandoria e pasurisë Xhafa është mbi paratë e drogës së Geron Xhafës dhe ligji antimafia në Shqipëri nuk funksionon.

Damiani. Hajdut me çizme si atë, me një seri dokumentesh ai është fajtor. Ai marrëveshje nga më korruptivet me kompaninë për energjinë në Elbasan. Ai është shoqëruesi i parë i McGonigalit pas Edi Ramës.

Gjiknuri e shoqëroi McGonigalin në Tropojë, ku kreu socialist i bashkisë Rexh Byberi, i dha titullin ‘Qytetar Nderi’ një personi kriminel dhe të korruptuar.

Gjiknuri e çoi tek Safet Gjici në dreka dhe darka dhe e shoqëronte kudo në ahengje nëpër Tiranë. Pra Gjiknuri është një delinkuent polivalent, që duhet të ishte atje ku e kanë vendin shkelësit e rëndë të ligjit.

Tani del kryetar komisioni.

Igli Hasani, imagjinoni ju se ç’vlerë ka. Aq vlerë ka, sa shkon e zëvendësohet nga Elisa Spiropali, që dhe Don Kishotin e bën personazh të letërsisë shqiptare. Elisa 5 milionëshe, që shpall Servantesin shkrimtar të rilindjes shqiptare dhe Don Kishotin personazh të të ndjerit Qamil Buxheli, të themi.

Pra, më thuaj ti mua, çfarë janë këta kryetarë komisionesh?

Ne, natyrisht po i shohim kandidaturat tona dhe ne do përcaktojmë kandidaturat tona. Dënojmë me forcën më të madhe faktin se, komisioni i Integrimit që duhej të ishte i opozitës për shkak të mbështetjes që opozita i jep procesit të integrimit dhe për ta paraqitur si një proces konsensual, u hoq si komision vetëm e vetëm që të mos ishte zëri i opozitës.

Këto kisha unë!

Anesti Bajramemaj, A2 CNN: Do e pranoni strukturën e re parlamentare, me ndryshimet e komisioneve?

Berisha: Absolutisht, nuk do votojmë strukturën e re të komisioneve parlamentare.

Këtë ndryshim të strukturës parlamentare, ne nuk e votojmë.

Jo, sepse është bërë një gjë e turpshme.

Ndahet një komision në tre komisione për t’ia dhënë opozitës.

Dhe, rriten shpenzimet për qytetarët, etj, etj me radhë.

Anest Bajramemaj, A2 CNN: Keni vendosur se cilin deputet do t’i jepni aleatëve tuaj për të krijuar grupe parlamentare?

Berisha: Kryetari i grupit parlamentar po diskuton dhe unë personalisht e quaj shumë të rëndësishme që aleatët tanë të kenë grupet parlamentare.

I shërben betejës sonë në parlament.

Anesti Bajramemaj, A2 CNN: Një pyetje për atë që denoncuat që në fillim, të dekretimit të Diellës si ministre virtuale. A do ta çoni këtë çështje në Gjykatë Kushtetuese për të rrëzuar vendimin e z.Begaj?

Berisha: Nuk ekziston akoma një vendim nga ana jonë, por ajo që mund të them është se Diella Rama është anëtare e familjes Rama dhe se Diella do të thotë zhdukja e çdo lloj përgjegjësie për vjedhjen e parave publike.

Tani nuk ke më as Lubinë, as atë Mirlindën, as edhe këtë të shëndetësisë apo të tjerë, tani vjedh Rama, fajin e ka Diella.

Ose akuzoni Ramën, kështu thotë Diella, thotë.

Kuptohet kjo punë, por fatmirësisht edhe në arenën ndërkombëtare filloi shumë shpejt të realizohet se ky ishte një mekanizëm i krijuar për të zhdukur çdo përgjegjësi në vjedhjen e parave të qytetarëve shqiptarë.

Marsi Korreshi, Syri Tv: Z.Berisha, përpos emrave që po diskutoni për drejtuesit e komisioneve parlamentare që do t’i ketë në drejtim opozita, a keni diskutuar për emrin e mundshëm që do të përfaqësojë PD në zgjedhjet Bashkinë e Tiranës, që do të jetë përballë Manastirliut?

Berisha: Nuk kemi filluar akoma diskutimet. Do fillojmë diskutimet, do të shohim…

A do të ketë opozita një kusht për të hyrë në këto zgjedhje?

Berisha: Gjithçka është në shqyrtim, nuk ka asnjë lloj vendimi. Së pari u faktua se kush e burgosi Erion Veliajn, dhe për ç’qëllime e burgosi. Nuk kemi keqardhje se, Erion Veliaj e meriton 100 herë. Ato akuza dhe një mal tjetër shumë më i madh duhej të rëndonin mbi të.

Por nga tjetër, shkelmimi i të gjitha normave elementare të të drejtave të njeriut. E keni marrë vesh, se atje nuk mund ta takojë njeri atë. Nuk e takon njeri.

E keni marrë vesh, thuhet se e kanë goditur, për të mos thënë tentativa të tjera, me ushqim e pa ushqim, gjëra, se kur nuk ka asnjë lloj transparence, dhe tani bënte të paditurin ky.

Ky që i organizon të gjitha, thoshte bëjnë këtë dhe këtë.

Pra, kjo është.

Marsi Korreshi, Syri Tv: Z.Berisha, kam një pyetje për kërcënimin e hapur që i është bërë gazetarit të Piranjave, dhe mosreagimin, të paktën deri tani të Policisë së Shtetit. Çfarë tregon heshtja e strukturave të policisë ndaj një ngjarje të tillë dhe për sigurinë e gazetarëve në Shqipëri?

Berisha: Kodi i Omerta është kodi i këtij regjimi. Dhe siç e shihni ju, ai akt shumë, shumë i rëndë, ai kërcënim me rrëmbim që i bëhej gazetarit jo që nuk pati reagim nga autoritetet të menjëhershëm për të, por dhe mediat e mëdha të qeverisë nuk e pasqyruan, tregon shkallën e thellë të kontrollit mafioz të mediave në Shqipëri.

Ai ishte një akt jashtëzakonisht i rëndë. Një kërcënim.

Të fus në bagazh do të thotë se, unë të vras dhe me bagazh të hedh diku.

Kaq e kishte mendjen kushëriri i parë i Lubi Ballukut, ai Mirel Reçi.

Sigurisht, por të jeni të sigurt që kjo është një politikë zyrtare. Qëllimi armiqësor ndaj mediave është politikë zyrtare, ndaj mediave që kërkojnë transparencë se të tjerave jo.

Të tjerat shpërblehen me llokma, motele, hotele, pallate e fusha sporti e me radhë.

Kjo është e vërteta.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale