Berisha: Dhimitër Anagnosti ishte një kolos i gjenisë krijuese artistike që u angazhua për përmbysjen e diktaturës! Do mbahet mend gjithmonë në memorien e kombit

PRONONCIMI PËR MEDIA I KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË HOMAZHET E REGJISORIT, DHIMITËR ANAGNOSTI

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të mjeshtrit të kinemasë shqiptare, Dhimitër Anagnosti, duke e cilësuar atë “një kolos të gjenisë krijuese artistike dhe një personalitet të rrallë”.

Berisha theksoi se Anagnosti, përveçse një regjisor, skenarist dhe shkrimtar i shquar, luajti një rol të rëndësishëm në mbështetje të përmbysjes së diktaturës dhe forcave demokratike në vitet ’90, ku shërbeu si deputet dhe ministër i Kulturës.

“Do të mbahet mend gjithmonë në memorien e kombit,” u shpreh Berisha, duke përcjellë ngushëllimet e tij për bashkëshorten Roza Anagnosti, familjen dhe artdashësit.

PRONONCIMI I PLOTË

Sot është një ditë e rëndë, ditë zie për artin, filmin, kulturën e shqiptarëve, pasi përcjellin për në banesën e fundit një kolos të vërtetë të gjenisë krijuese artistike të kombit shqiptar. Dhimitër Anagnosti ishte dhe është njëri prej krijuesve, regjisorëve, skenaristëve, shkrimtar më të shquar të vendit.
Lë një trashëgimi në të cilën ai do të jetojë për jetë të jetëve.
Anagnosti ishte i pamëshirë në kërkim të përsosmërisë artistike në veprën e tij.
Ai, që në vitet ’90 me emrin, reputacionin e tij, i angazhua në mbështetje të përmbysjes së diktaturës dhe forcave demokratike.
Në dy legjislatura ishte deputet i PD dhe ministër Kulture, një personalitet i rrallë, i cili do mbahet mend gjithmonë në memorien e kombit.
Ndaj, dhe njëherë unë shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera Rozës, artistes së mrekullueshme, familjes së tij, miqve, shokëve dhe të gjithë atyre që ndjejnë dhimbje për largimin e tij nga jeta.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale