FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë konferencës me gazetarët ditën e sotme, reagoi ndaj ngjarjes së fundit makabre dhe gjendjes së sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Berisha gjatë fjalës së tij dënoi fuqimisht ekzekutimin e gjyqtarit Kalaja, duke theksuar se asgjë nuk e justifikon marrjen e jetës së një zyrtari të drejtësisë. Lideri opozitar e cilësoi këtë vrasje si dëshmi të shkallës ekstreme të pasigurisë dhe të “narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë”, ku mungesa e përgjegjësisë shtetërore dhe korrupsioni kanë çuar drejt falimentimit të sistemit gjyqësor. Ai theksoi se qytetarët shqiptarë përballen me pritje deri në 15 vite për një vendim gjyqësor, ndërkohë që më parë vendimet jepeshin brenda disa viteve, duke e quajtur këtë një katastrofë dhe dështim të drejtësisë.
Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi reformën e drejtësisë të ndikuar nga George Soros dhe sorosianët, duke përmendur ambasadorë si Vlahutin dhe Donald Lu si “njerëz ndër më të korruptuarit” që kanë manipuluar opinionin publik dhe procesin ligjor në Shqipëri. Ai tha se reforma e vetingut ka krijuar një vakum ku sot ekzistojnë mbi 230 mijë dosje të pazgjidhura. Ai gjithashtu denoncoi se nga regjistri i kadastrave u shkulën 13 mijë faqe pronash, duke i lënë qytetarët pa mbrojtje ligjore, ndërkohë që gjatë qeverisjes së tij janë rikthyer mbi 1.5 miliardë metra katror tokë dhe mijëra objekte pronarëve legjitimë.
Lideri historik i PD, Sali Berisha tha se vetëgjyqësia nuk është zgjidhje për drejtësinë; ajo mund të shfryjë inate dhe padrejtësi, por nuk ka të ardhme. Berisha theksoi se ai vet lufton për ligjin, për zbatimin e drejtësisë dhe për transparencën e fakteve, duke denoncuar korrupsionin, kriminalitetin dhe dështimet e reformave të fundit në sistemin gjyqësor. Ai shtoi se Shqipëria ka nevojë urgjente për një drejtësi funksionale dhe të pavarur, dhe se çdo person që shkel ligjin duhet të mbajë përgjegjësi.
Lideri opozitar, Sali Berisha akuzoi qeverinë e Edi Ramës dhe zyrtarë si Altin Dumani për përdorimin e drejtësisë si armë politike, duke mbrojtur individë të komprometuar dhe duke sulmuar gjykatësit që zbatojnë ligjin. Berisha theksoi se çdo akuzë që ka bërë ka pasur dokumente dhe prova dhe se nuk ka sulmuar asnjë gjykatës pa bazë faktike. Berisha solli në vëmendje edhe rastin e Irena Gjokës, të cilën akuzoi për fshehje dënimesh dhe shkelje ligjore në formularët e dekriminalizimit dhe vetingut, duke denoncuar mbrojtjen e saj nga qeveria dhe zyrtarë të caktuar.
Gjatë konferencës me gazetarët, Kryetari i PD, Sali Berisha komentoi gjithashtu intervistën e George Papadopoulos në SYRI TV, sipas të cilit Edi Rama është “në rreth të kuq” në SHBA dhe nuk do të shpëtojë, sepse është i lidhur me McGonigal. Berisha tha se këto lidhje përfshijnë licenca nafte, pagesa për ndjekje dhe persekutim të opozitës dhe bashkëpunim me klanet e drogës, duke e cilësuar Shqipërinë “narkoshtetin më të shëmtuar në Europë”. Ai akuzoi gjithashtu mediat pro-qeveritare për censurë, duke fshehur hetimet dhe skandalet e lidhura me Ramën dhe korrupsionin.
FJALA E PLOTË
Duke ruajtur ndjeshmërinë e plotë ndaj reagimeve që më pëlqejnë apo nuk më pëlqejnë në tërësi dhe në veçanti ndaj rastit konkret, dua të përsëris qëndrimin tim të prerë se nuk pajtohem kurrë me marrjen e jetës dhe aq më tepër ekzekutimin në detyrë të zyrtarëve për asnjë lloj arsye, ndaj dhe kam dënuar dhe dënoj me forcën më të madhe ekzekutimin e gjykatësit Kalaja në sallën e gjyqit dhe përsëri shpreh ngushëllimet e mia familjes Kalaja.
Por me këtë rast dua të theksoj se ekzekutimi publik në sallën e gjyqit i gjykatësit Kalaja sikur të ishte në një kafene apo mejhane të qytetit, dëshmon shkallën ekstreme të pasigurisë në Shqipëri, narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë.
Në këtë kuadër, vrasja në sallën e gjyqit e gjykatësit Kalaja ngjitet në nivelin e krimit shtetëror dhe kjo jo se plumbat u shkrehën nga shteti, por se vrasja ndodhi në mungesë të plotë të të gjitha përgjegjësive dhe detyrimeve shtetërore, qoftë edhe atyre më minimale për mbrojtjen e jetës dhe veprimtarisë së zyrtarëve të shtetit brenda institucioneve të tyre.
Kjo ka vetëm një shpjegim, zëvendësimin e shtetit, e ligjit me Maliqin.
Tani, do rikthehem përsëri tek reagimet, duke shtuar përsëri se vrasja e drejtësisë është triumfi i vetëgjyqësisë, në të cilën askush nuk ka të ardhme.
Por me këtë rast theksoj se ekzekutimi i gjykatësit Kalaja në sallën e gjyqit, njëlloj sikur të ishte në shesh apo rrugë të qytetit, dëshmon gjithashtu dështimin e plotë të reformës së sistemit të drejtësisë nga Xhorxh Soros dhe sorosianët e tjerë, të bazuar kjo në korrupsionin më të madh kombëtar dhe ndërkombëtar, reformës që de facto privoi qytetarët shqiptarë nga një proces i drejtë ligjor, di asnjëherë në tërë historinë e tyre, si asnjëherë në historinë e Europës pas luftës.
Me vetingun gjueti shtrigash, të bazuar në korrupsionin gjysmë dhe 1 milion euro pagesa në Shqipëri, sot për shkak të vakuumit që solli ky proces është krijuar një stok prej 230 mijë dosje.
Sot, qytetarët shqiptarë, që para reformës së Xhorxh Sorosit, duhet të prisnin dy gjer në 4 vite për një vendim gjyqësor, sipas të dhënave zyrtare të sotme, duhet të presin 4 deri në 6 herë më shumë apo mbi 15 vite.
Stoku i dosjeve për t’u shqyrtuar kërkon sipas ekspertëve rreth 20 vite.
Rasti i djeshëm është rasti më dramatik i vetëgjyqësisë, por e vërteta është se rastet e vetëgjyqësisë për shkak të këtij sistemi të falimentuar, po shtohen çdo ditë.
Duke theksuar përsëri se asgjë nuk përligj krimin horror, ekzekutimin e gjykatësit në sallën e gjyqit, por askush nuk mund të mohojë se ai krim makabër dëshmon për shkallën e tmerrshme të korrupsionit të gjithanshëm që ka pushtuar vendin, dhe në rastin konkret, sistemin e drejtësisë, siç faktohet kjo nga organizatat prestigjioze ndërkombëtare.
Sot ryshfeti dhe gjoba për qytetarin shqiptar në sistemin e drejtësisë është shumëfishuar krahasuar kjo me çdo kohë para saj.
Qytetarët shqiptarë duhet të paguajnë qimet e kokës vetëm e vetëm për të mundur me afrue shqyrtimin e dosjes së tyre nga gjykata.
Pale pastaj për vendimin.
Sot, dosjet e prokurorëve dhe gjykatësve janë objekt falsifikimesh, manipulimesh, zhdukjesh dokumentesh, krimi flagrant pra, absolutisht njëlloj si në kohën kur ato administroheshin nga hetuesit e sigurimit të shtetit apo gjykatat popullore të diktaturës.
Së fundmi theksoj se asgjë nuk përligj absolutisht asgjë, marrjen e jetës së një njeriut, aq më tepër të një gjykatësi në drejtësi, por përdorimi i drejtësisë si armë politike nga narkoshteti është kriminalizimi dhe dështimi i saj më i madh që Ramaduro i ka bërë këtij sistemi.
Kurrë ndonjëherë drejtësia jonë nuk ka qenë në gjendje dramatike që është sot.
PYETJE-PËRGJIGJE
Marsi Korreshi, Syri Tv: Z.Berisha, duke qenë se vrasja e ditës së djeshme ku një gjyqtar u vra në sallën e gjyqit, cilësohet si më e rënda në sistemin gjyqësor shqiptar. Të paktën nga deklaratat në rangun e qeverisë, që nga kryeministri Rama që thotë se kjo ngjarje duhet të shërbejë për të miratuar kodin e ri penal, ndërkohë nga ana tjetër 2 ministrat përgjegjës tentojnë të shmangin përgjegjësinë për sistemin e sigurisë në gjykata. A kërkon PD ndonjë dorëheqje të ministrive përgjegjëse, të Brendshme dhe asaj të Drejtësisë, apo edhe në rang kryeministri për këtë ngjarje. Kush duhet të mbajë përgjegjësi?
Berisha: Së pari, po të kishte minimumin e përgjegjësisë, ngjarja nuk mund të ndodhte kurrë në sallën e gjykatës së Apelit.
Po pikërisht se nuk ka asnjë lloj përgjegjësie dhe nuk mban askush përgjegjësi, Ramaduro thotë se fajin e ka Kodi Penal.
Ai kod që lejon dënime nga më të mëdhatë.
Ministrat, apo pseudoministrat e tij, në kor, thonë se fajin e ka arma pa leje.
Po njerëz të shpifur si këta nuk mund të ketë, të turpshëm.
Këta turpërojnë qytet, fshat, vend, krahinë, fis dhe çdo gjë.
Këta janë… se e si të vrapojnë…
Kjo është një përpjekje e Edi Ramës për të kaluar Kodin Ramaduro-Rakipi. Kodin e narkodiktaturës.
Shfrytëzon gjakun, jetën e një gjykatësi për të kaluar kodin e narkodiktaturës.
Nuk ka asnjë mungesë në kod. Asnjë mungesë.
Si mund të ketë?
Kush e pengon detektorin? Funksionimin e tij? Kontrollin me detektor?
Kush e pengon që të ketë roje salla e gjyqit? Kush i pengon këto?
I pengon korrupsioni dhe mospërgjegjësia.
Shikoni sa i papërgjegjshëm, ky që katandisi drejtësinë në gjendje katastrofale me Sorosin, në këtë gjendje ku qytetari duhet të presë 15 vite për drejtësi, qytetarët janë privuar nga procesi ligjor i drejtë që ndodh në kohën e duhur.
Ky është kusht në konventa. Gjykimi nuk jepet përnjëherë, do kohën e vet. Por kurrë 15 vite.
Vetë drejtuesit e këtyre institucioneve kanë deklaruar se do 15 vite një dosje në apel për t’u shqyrtuar.
Vetë ata kanë deklaruar, me përgjegjësi, se nuk ekziston procesi gjyqësor më.
Çdo jurist e di që një vendim që jepet pas 15 vitesh nuk ka asnjë vlerë më.
Këto nuk e justifikojnë vetëgjyqësinë, por kjo është një katastrofë, ky është një falimentim i sistemit ekzistues.
Këtë falimentim të sistemit ekzistues, Edi Rama përpiqet ta maskojë me kodin. Jo mor. Ai kod lejon dënimin përjetë. Çfarë kërkon nga një kod tjetër ti?
Me këtë kod janë dënuar me burgim përjetë dhjetëra që i ka liruar Edi Rama mbrapa.
I ka liruar ai i gjati, e dëgjuat të Rumin që thoshte me atë të gjatin jemi marrë vesh.
Kush është ai i gjati? Erion Braçe është ai i gjati?
Më thoni pak se mediat heshtën, nuk dolën me tituj: kryeministri në marrëveshje me Rumin. Jo, jo.
Kjo është hipokrizi, ky është tmerr.
Është të shfrytëzosh vrasjen e një gjykatësi, të vrasësh për së dyti në këtë mënyrë.
Shkoi ai, u fut, ia numëroi sa dha vendimin.
Olta Blaceri, Vizion Plus: Z.Berisha, nesër konferenca e kryetarëve do të kalojë ngritjen e dy komisioneve: komisioni i reformës zgjedhore dhe komisioni i reformës territoriale. PD a do të marrë pjesë në këto dy reforma?
Berisha: Pres informacionin e kryetarit të grupit parlamentar dhe të përfaqësuesve tanë në kryesi, diskutimin në grup për të dhënë mendimin për komisionet që ju pyesni.
Mariglen Kume, Mcn Tv: Z.Berisha, më datë 11 tetor është data e fundit kur partitë politike duhet të regjistrohen në KQZ për zgjedhjet e 9 nëntorit për zgjedhjet e pjesshme në 6 bashki. PD a do të rregjistrohet në zgjedhjet e pjesshme për 6 bashkitë?
Berisha: PD do të zbatojë rigorozisht ligjin dhe kodin elektoral edhe në këto zgjedhje.
Padiskutim, por modalitetet dhe këto janë çështje të ekspertëve të Kodit Zgjedhor, por ne zbatojmë kodin zgjedhor.
Elda Menga, Top Channel: Z.Berisha, për t’iu thyer edhe njëherë ngjarjes makabre. Ju bëni përgjegjës sistemin e ri të drejtësisë, po ashtu edhe partinë në pushtet për situatën e krijuar me gjyqet dhe zvarritjen e proceseve gjyqësore. Por, historia e autorit në fjalë, autorit të krimit, daton jo vetëm kur socialistët ishin në pushtet, por edhe demokratët ishin në pushtet. A ndeni përgjegjësi për mosdhënien e zgjidhjes për problemin e pronave si politikan i asaj kohe, dhe po ashtu që shpeshhereë qytetarët në kohën tuaj janë zvarritur për vite të tëra në gjykata, pa marrë drejtësi, për shkak të padrejtësive që mund të jenë bërë nga zyrtarë të lartë të kohës, apo edhe njerëz që mund të kenë qenë në ndikim të pushtetit tuaj aso kohe?
Berisha: Së pari, duke mos hedhur poshtë atë që thoni ju, nuk kam njohuri, dhe meqenëse nuk kam njohuri, unë nuk pranoj të komentoj dosjen konkrete. Por nëse shton problemin për pronat në tërësi, absolutisht pranoj se ka patur gjatë qeverisjes time, dobësira dhe të meta, por sikundër do të them këtu se gjatë asaj qeverisje, janë firmosur, janë dhënë 54 mijë vendime, kthimi, kompensimi të pronave për pronarët shqiptarë.
Dhe këto unë mund ti them me shifrat konkrete; 1 miliardë e 555 milionë e 700 mijë metër katror tokë i është rikthyer pronarëve legjitim. Mijëra objekte u janë rikthyer. Duke thënë këtë, nuk është se pati zgjidhje përfundimtare, por e lamë proces në vazhdim.
Tani përsa i përket sistemit të drejtësisë, unë nuk pretendoj se ai ishte një sistem i përsosur, por ishte i pakrasueshëm me të sotmin.
Cili do që dëshiron, i këshilloj të marrë raportet e Komisionit Europian të viteve 2008-2009-2010, të cilat flasin për gjithë sektorët. Ato raporte tregojnë se zbatimi i vendimeve të gjykatave, që është një nga treguesit më themelorë të funksionimit të drejtësisë, tregojnë se ishin në nivelin e disa vendeve të BE-së.
Ato raporte nuk flasin kurrë për 15 vite pritje të një qytetari, për një vendim gjyqësor. Jo. Ka patur korrupsion, por janë të dhëna të sakta. Gjithçka u manipulua në funksion të reformës së drejtësisë, me ambasadorë të korruptuar, zyrtarë të korruptuar nga Edi Rama. Së bashku të gjithë, klani i Sorosit. A ju kujtohen ju ato pollet dhe sondazhet, që e nxirrnin drejtësinë në krye të korrupsionit, që nuk ishte kurrë, absolutisht. I kam unë pollet e tjera, sepse donin të bënin, donin të shtinin drejtësinë në dorë të ekzekutivit të Edi Ramës.
Vlahutin, Donald Lu njerëzit ndër më të korruptuarit që kanë shkelur në tokën shqiptare. Të dy, të faktuar kur them këtë. Që bënin presion mbi njerëzit, që organizonin pollet bashkë me fondacionin Soros. Këta janë autorët.
Tani, unë e di që ka prap mbrojtës të këtij sistemi, por ne do qëndrojmë në të vërtetën e qytetarëve. Do qëndrojmë me atë që sot, qytetarët shqiptarë janë të vetmit në Europë që kanë humbur të drejtën e një procesi ligjor të drejtë. Që do të thotë, proces ligjor në kohë të duhur.
Unë kam 12 vite që jam larguar nga pushteti. Në 12 vite po të mos ndodhte kjo katastrofë, çështja e pronave nuk do të ekzistonte më, zgjidhej.
Ju po të doni, mund të shkoni të shihni arkivën. Ka patur një avancim shumë të ndjeshëm në kthimin dhe kompensimin e pronave. U dixhitalizua kadastra e 6 qarqeve më të mëdha. A e dini ju se, vetëm nga regjistri i kadastrave, u vodhën, u shkulën 13 mijë faqe.
Këtu janë denoncuar para jush. 13 mijë faqe, fatmirësisht që ato janë edhe në dixhitale. Por nga regjistri u shkulën.
Për dosjen konkrete unë nuk marr përsipër të komentoj. Një moment më thanë, se kanë dalë e kanë thënë se, kanë folur për Lorenc Lukën. Atëherë unë mund të ju them ju, se absolutisht ndërtesa nuk ka qenë pronë e bashkisë.
Nuk hy në dosje, por sipas ligjit, nëqoftëse qytetari paguan privatizimin, shteti është i detyruar, ose të ja kthejë menjëherë, ose të paguajë qira. Të paguajë qira me vlerë tregu për të gjithë kohën që nuk ja kthen.
Ju lutem se, nuk dua të futem sepse asgjë nuk di për dosjen. Di që gjykatësi nuk mund të vritet kurrsesi. Di që gjykatësi duhet të ketë mbrojtje maksimale në sallën e gjyqit.
Di që ai u vra në sytë e gjithë popullit shqiptar në mënyrë më makabre.
Nuk është se nuk pati njerëz që duartrokitën, por u them se e keni shumë, shumë gabim.
Nuk është vetëgjyqësia zgjidhja e drejtësisë. Vetëgjyqësia vërtetë shfryn ato inate, urrejtje, reagon ndaj padrejtësisë, por janë pa të ardhme.
Elda Menga, Syri Tv: Shpeshherë kemi parë se si ju, si z.Rama ka patur një gjuhë të ashpër ndaj prokurorëve apo gjyqtarëve të caktuar. A ka ardhur koha, bazuar edhe në këtë ngjarje të rëndë që politika të moderojë gjuhën ndaj njerëzve të drejtësisë?
Berisha: Ju lutem, mos krahasoni të pakrahasueshmen.
Çfarë mund t’u them unë ju?
Është e vërtetë, por mos harro se unë jam kryetar i opozitës dhe në qoftë se ti mban në detyrë një gjykatëse delinkuente, dhe e mban atë vetëm për qëllime politike, se ka dosjen e Ilir Metës apo tjetër kujt, ti damkos drejtësinë.
Unë nuk mund të mos u them shqiptarëve të vërtetën.
Dhe në qoftë se unë kam folur për Irena Gjokën, besoj se jeni dëshmitarë se për çdo denoncim kam nxjerrë dokumente.
Nuk kam bërë asnjë denoncim pa dokumente.
Kam deklaruar se e kam shkarkuar për korrupsion dhe e ka mohuar, kam nxjerrë vendimin për korrupsion.
Kam deklaruar se është përzënë nga Greqia për falsifikim dokumentesh, e ka mohuar. Kam nxjerrë dokumentet nga autoritetet greke që ka qenë.
Kam deklaruar se ka qenë e dënuar me burg nga gjykata greke, e ka mohuar. Kam nxjerrë para jush dokumentet e drejtësisë greke që e ka dënuar.
Kam deklaruar se ajo këto nuk i ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit. Kam nxjerrë formularin e dekriminalizimit ku nuk janë të deklaruara dhe kjo përbën krim.
Kam deklaruar se kjo nuk i ka deklaruar në formularin e vetingut. Kam nxjerr formularin që kjo bën krim.
Dhe kjo mbrohet nga Altin Troplini, i cili ka hapur dosje pa emër vetëm e vetëm për ta mbajtur në detyrë.
A nuk është detyrë e imja si deputet, si kryetar i një partie politike që të bëj publike të gjitha?
A e dini që kjo që bën ajo është krim në vazhdim?
Se kur unë solla dokumentin me vulë apostile të dënimit të saj me burg, ajo i tha BIRN se unë nuk kam asnjë dënim.
Ky quhet krim në vazhdim dhe ajo mbahet në detyrë.
Atë e mban Edi Rama me Altin Troplinin, sepse ç’kusur kanë gjykatësit dhe prokurorët e tjerë të mbajnë turpet e saj?
Ose po marr Altin Troplinin, asnjë gjë, asnjë akuzë, absolutisht asnjë nuk i kam bërë dhe nuk i lejoj kurrë t’i bëj pa fakte.
Po, e kam akuzuar për dosjet elektorale, 184 dhe 339, po ky është fakt, është fakt botëror. Fakt ndërkombëtar.
Dhe ky mercenar, ky ushtar i Ymer Lalës, që e merr në pyetje, i bën 19 pyetje dhe nuk e pyet për vrasjen, për të cilën duhej ta pyeste, ky amniston krimin elektoral.
Kam paraqitur para jush dosjet e kolegëve të tij që marrin para nga banda e Elbasanit. Aty i ka.
Çfarë duhet të bëj unë? T’i fsheh këto?
A është detyra ime t’i bëj publike këto?
Dhe ky, jo që nuk ka mbajtur qëndrim, por mendoi se do më kërcënonte po të publikoja dosjen.
Pra, t’i fshihja unë sipas tij.
Ndërkohë kur thirri njërin prej tyre pasi e ngrita unë, ai i tha: shihi pak ato pyetjet që i bën Ymer Lalës ti. Dhe e uli kokën.
Ymer Lala u akuzua për vrasje nga i penduari i drejtësisë dhe ky vetëm për vrasje nuk e pyeti dhe Ymer Lala është i lirë.
Tjetër. Ka 4 banesa. Tre të vetat dhe njërën kollovar tek vjehrri.
Pra, unë nuk akuzoj kurrë njeri pa fakte, por natyrisht nuk mund të pranoj kurrë akte të tilla kriminale.
Dhe të garantoj se këto janë arsyet pse është ai reagim.
Shihni pak se si ka reaguar pas statusit tim e të tjerëve me radhë, që për mua është i papranueshëm reagimi.
Por vetëm një gjë, të mos mendojmë se njerëzit hanë har. Jo. Njerëzit kanë logjikën e tyre.
Ama kanë dhimbje të tmerrshme nga mungesa e procesit ligjor.
Mjafton vetëm kjo për të përmbysur çdo regjim.
Edi Rama i ka sulmuar sepse nuk arrestuan Sali Berishën. Jo, këtu jemi. Kujto fjalën e tij, Spakun që e krijuam ne.
Sepse nuk arrestuan Ilir Metën.
Edi Rama i ka sulmuar sepse ata që i paguajnë miliona për katet shtesë, ua legalizon, kurse prokurores që zbaton vendimin e tij strikt, i bën gjyqin publik dhe i kërkon të largohet.
Apo gjykatësit, se mua më tha një gjykatës i ndershëm, që jep një vendim në përputhje me vendimet ekzistuese, i vërsulet si rrugaç ordiner.
Nuk mund t’i thuash tjetrit ashtu ti, të shfrytëzosh pushtetin për të sharë tjetrin, je më keq se rrugaç. Se kur ke pushtetin, e frenon gjuhën 10 herë.
Po kur i vërsulesh një njeriu që bën ligjin aty, çfarë krahasimi ka aty?
Ata zbatojnë ligjin, ky i sulmon.
Kurse unë luftoj për ligjin.
Unë nuk sulmoj gjykatës pa fakte dhe pa interes publik.
Nuk kam asgjë personale në këtë mes.
Jo. Nuk duhet t’i ngatërrojmë gjërat se nuk i shërben.
Berisha: Tani, një moment tjetër shumë i rëndësishëm është intervista që dha mbrëmë George Papadopoulos, një nga viktimat më kryesore të ekstremit të majtë në SHBA, një ish-këshilltar, mos gaboj, elektoral i presidentit Trump në mandatin e parë.
Një person, që u përpoqën ta korruptojnë dhe ta bëjnë pjesë të vete sorosianët dhe ekstremistët e majtë, por që qëndroi, u përball edhe me burgjet e tyre dhe mbeti i pathyer dhe i pamposhtur si njeri.
Zotëria në intervistën e tij bën të qartë për çdo shqiptar se Edi Rama është në rreth të kuq dhe se nuk shpëton sepse është një me McGonigalin dhe e mbron Altin Troplini.
Sepse nga McGonigali ka hequr licenca nafte dhe ka dhënë licenca nafte.
Sepse ka paguar McGonigalin për të ndjekë dhe persekutuar opozitën shqiptare.
Sepse McGonigali ishte element kryesor në një komplot, në komplotin më të madh në histori, komplotin që bëhej për të përmbysur presidentin e SHBA pasi të zgjidhej.
Edi Rama, dhe ju e dëgjuat, dhe nuk u ndal në dosjen tjetër të Duçkës me kinezët, Edi Rama është këmbë e kokë i lidhur me dosjen e drogës.
Besoj se ju i ndiqni lajmet, aktualisht armiku numër 1 i jashtëm për SHBA janë kartelet e drogës.
Ju e keni parë se si po gjuhen anijet e drogës në ujëra ndërkombëtare, por ka deklaruar se do i gjuajë edhe në ujëra territoriale.
Tani, më thoni ju mua, më gjeni një njeri, një kryeministër në Europë, a dini ju të jetë i lidhur si Edi Rama me klanet e drogës?
Si i thoshte Rumi, jemi marrë vesh me atë gjatin.
Kanë tre ditë mediat e qeverisë që hapen me tituj, obobo do na vijë Rama, se po të vijë Rama për deputet, nuk bëjmë dot vrasje,
Imagjinoni ku shkon, dhe këtë ia quajë për meritë.
Po këtë tjetrën që jemi marrë vesh me atë të gjatin për të vjedhur tokat, këtë nuk e japin mediat e qeverisë, këtë e censurojnë.
Arubën e censurojnë.
Keni dëgjuar të luftojnë për Luftim Hysën dhe Sinaloan? Luftim Hysën në zyrën e Ramës.
Tani erdhi koha. Sado që përpiqen ta mbrojnë. Sado që ka për fat të keq edhe të huaj që kur dëgjojnë fjalën narkoshtet turfullojnë, por u them se ky është narkoshteti më i shëmtuar, i pari dhe i vetëm në Europë që po shkatërron Shqipërinë.
Ja urdhëro, kemi atë të gjatin ne atje…
Kush është ky që tha kemi atë të gjatin, njeriu që i tha bashkëpunëtorit dua nja dhjetë viktima. Çekiçi i pari, Lul Berisha i dyti, i treti Dervishi, ata të tjerët janë të parëndësishëm, por do i vrasim, do i fshijmë.
Çfarë mund të themi për këto gjëra? Është për të ardhur keq që edhe këtë intervistë e censurojnë mediat. Në vend që kenë tituj që Edi Rama është në hetim, nuk mund t’i shpëtojë hetimit. Jo!