FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË MBLEDHJEN E KRYESISË
EKSTRAKT
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur në mbledhjen e kryesisë së PD-së për të analizuar situatën politike dhe dekretin antikushtetues të presidentit Bajram Begaj për bashkinë e Tiranës, deklaroi se bojkoti ka pasur gjithmonë një efekt shkatërrimtar për opozitat dhe ekzistencën e tyre. Ai theksoi se përballë një regjimi autoritar, opozita duhet të shfrytëzojë çdo hapësirë beteje për të denoncuar dhe përmbysur pushtetin e bazuar në krim dhe drogë. Sipas Berishës, bojkotet vetëm i shërbejnë kryeministrit Rama, të cilin ai e cilësoi si ‘narkodiktator’, ndërsa theksoi se pjesëmarrja dhe zëri opozitar në çdo arenë politike është një domosdoshmëri për demokracinë.
Lideri i opozitës, Sali Berisha, tha se opozita duhet të motivojë qytetarët shqiptarë për rezistencë dhe për shpëtimin e vendit nga regjimi aktual, duke theksuar se ky ndryshim nuk mund të vijë as nga bojkoti, as nga faktorë të jashtëm. Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se Shqipëria ndodhet nën një ‘narkodiktaturë’ ku pushtetet janë përqendruar në duart e një njeriu, ndërsa ekonomia është zhytur në recesion për shkak të pastrimit të miliardave eurove të drogës përmes kullave dhe ndërtimit. Ai bëri thirrje që opozita të mos lëshojë asnjë pozicion beteje dhe të vazhdojë qëndresën në çdo front përballë regjimit.
Kryedemokrati Sali Berisha, tha në mbledhjen e kryesisë së PD-së se, veprimet e fundit të kryeministrit Edi Rama në arenën ndërkombëtare janë dëshmi e qartë e urrejtjes së tij të fshehur ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një qasje që ai e lidh me trashëgiminë hoxhiste dhe lidhjet e errëta me axhenda antiperëndimore.
Berisha e cilësoi si ‘aktin më të shëmtuar që mund të kryejë një përfaqësues i një vendi aleat’ sulmin e Ramës në samit ndaj një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga SHBA për paqen në Kaukaz, duke e konsideruar këtë si një gjest të pafytyrësisë dhe një përpjekje për të minuar rolin e Amerikës në rajon. Sipas tij, ky është vetëm një nga shembujt e shumtë që tregojnë se Shqipëria po qeveriset nga një regjim autoritar i zhytur në krim, drogë dhe antiamerikanizëm të thellë. Në këtë kontekst, Berisha u bëri thirrje strukturave të PD-së dhe qytetarëve shqiptarë për një mobilizim të gjerë, për të shpëtuar vendin nga kjo qeverisje që, sipas tij, po e çon Shqipërinë drejt greminës.
Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e kryesisë, kreu i PD, Sali Berisha, theksoi se, përfaqësuesit e PD nuk kanë zhvilluar biseda për emra konkretë kandidatësh, por vetëm për modelin që mund të bashkojë më gjerë spektrin opozitar në garën për Tiranën.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha theksoi se PD ka kandidatura të denja dhe të pakrahasueshme me ‘Korben e Korrupsionit’, siç e cilësoi ai kundërshtaren socialiste Ogerta Manastirliu, ndërsa shtoi se qëllimi kryesor i opozitës është ndërtimi i një modeli që garanton unitet dhe mbështetje të gjerë elektorale.
FJALA E PLOTE
Të nderuar anëtare dhe anëtarë të kryesisë së PD, të dashur anëtare dhe anëtare të PD dhe mbështetës tanë kudo që jeni.
Mblidhemi sot në një moment për të diskutuar së bashku dhe vendosur modelin që do përzgjedhim si kryesi e PD për garën elektorale për kryeqytetin.
Që në fillim dua të theksoj se dhunimet flagrante të Kushtetutës nga individë, nga njerëz të inkriminuar, të lidhur në krime, të lidhur në vjedhje dhe përvetësime të mëdha të pronave publike si Edi Rama dhe kukulla e tij në presidencë, seria e dhunimit të Kushtetutës me aktet e tyre me të drejtë e bëjnë të debatueshëm, e bëjnë terrenin antikushtetues dhe në këtë kontekst të debatueshëm pjesëmarrjen tonë në këtë garë elektorale.
Por, për të gjithë ata të cilët e kanë parasysh se ne jetojmë në një diktaturë autoritare, në të cilën Kushtetuta është një letër e vdekur, në të cilën ligji është një letër pa vlerë, të kërkosh Kushtetutë dhe kushtetutshmëri në një regjim autoritar të bazuar në drogën, është si të kërkosh eunitë në shkretëtirë.
Parimet e Kushtetutës sigurisht janë të pavdekshme.
Janë thelbësore për një rend dhe një sistem demokratik, kurse në një narkodiktaturë ato janë faktikisht të parespektuara.
Një opozitë në regjimet autoritare, në diktaturat autoritare, ka si mision përmbysjen e saj duke mos mashtruar veten e saj asnjëherë se ajo përmbyset me votë.
Por, një opozitë, në vlerësimin dhe mendimin tim, duhet të shfrytëzojë çdo hapësirë në betejën, në luftën kundër regjimit autoritar.
Bojkoti, i cili është një vendim që para çdo padrejtësie të vjen i pari në mendje, është provuar me një efekt destruktiv për opozitat, për ekzistencën e tyre.
Po kthehemi nga asambleja parlamentare e Këshillit të Europës dhe një problem madhor është situata në Gjeorgji. Me dhjetëra e dhjetëra opozitarë të burgosur nga kukulla e Kremlinit në Tbilisi që nuk përfill, njësoj si kreu i organizatës kriminale në Tiranë, asnjë parim.
Por miqtë e mi, ajo opozitë edhe në atë tempull ku duhej të kishte një zë, nuk kishte një zë sepse kishin braktisur parlamentin, kishin bojkotuar. Dhe natyrisht aty dëgjohej zëri i kryetares së kësaj partie, por problemi është se nuk kishte asnjë përfaqësues të saj në asamblenë parlamentare.
Përveç kësaj, pasojave të tjera të shumëllojta të bojkotove.
Pra, dhe unë kërkoj nga çdo demokrate e demokrat të arsyetojë për këtë çështje.
Në pamje të parë ti mendon se po e ndëshkon, por absolutisht vetëm i bën qejfin narkodiktatorit, i cili dha shembull se çfarë skenari përgatiti për të kaluar me 28 minuta programin qeveritar, nga e cila turpërohen dhe turpërohet çdo shqiptar.
Pra, urrejtja e tij ndaj opozitarizimit dhe opozitës, urrejtja e tij atërore, e trashëguar, e shtyn këtë njeri të bëjë atë akt që nuk e kam dëgjuar apo lexuar kurrë në jetën time.
Në 28 minuta, parlamentin, qeverinë, programin dhe të gjitha.
Çfarë shpreh kjo?
Kjo shpreh qëndrimin e tij ndaj parlamentit dhe opozitës.
Ndaj dhe opozita nuk duhet të lëshojë pozicionet e saj në bindjen time, në interesin e saj më të mirë.
Po, çdo opozitare dhe opozitar e ka për detyrë të shpjegojë çdo qytetari dhe qytetareje se çfarë është një diktaturë autokratike dhe ku dallon nga një diktaturë totalitare.
A është Shqipëria një e tillë, ku të gjithë pushtetet janë në duart e një njeriu?
A është Shqipëria një narkodiktaturë ku një Çopja, njeriu më i panjohur mbi tokë, figuron me 6 miliardë euro të bëra nga ngarkesat e drogës dhe që i ndan me Edi Ramën dhe ministrat e tij?
A është Shqipëria një narkoshtet, dhe kjo është shumë e rëndësishme t’u shpjegohet qytetarëve, në një vend ku rrëzimi i euros nga kamionët dhe kontejnerët e narkoeurove, shkatërroi eksportet, qindra mijëra vende pune, futi në recension industrinë. Statistika zyrtare këto, por duhen lexuar ama. Prodhimi industrial në Shqipëri është në recesion, prodhimi bujqësor në Shqipëri është në recesion. Por ekonomia nuk është në recesion sepse janë kullat e drogës dhe pallatet e drogës…
Sepse miliarda e miliarda euro lahen në parajsën e parave të krimit që është shndërruar Shqipëria sot nga Edi Rama.
Por, ndërtimi është ndërtim. Shqipëria nuk është një fjetore madhe gjigante.
Sot, vetëm Tirana numëron 56 mijë apartamente bosh. Thonë të pashitura, jo, nuk janë të pashitura, janë të blera nga çunat e krimit. Por, me anonimate, me mënyrat e tyre.
Pra, duhet të kemi një debat të hapur me çdo qytetar se para syve tanë, ashtu sikur nuk i ka ndodhur ndonjë gjenerate në historinë e Shqipërisë, që nga kohërat e Skënderbeut gjer sot, vendi të shkretohet. Popullata e Shqipërisë të shkrihet njëlloj si bora para diellit. Të reduktohet, të zvogëlohet dhe të ecë drejt zhdukjes së saj.
Kjo është e vërteta.
Ndaj dhe ne duhet të motivojmë qytetarët shqiptarë për një rezistencë dhe shpëtimin e Shqipërisë nga ky regjim.
Por një gjë u siguroj, që ky shpëtim dhe kjo rezistencë nuk vjen me bojkot.
Vjen me pozicionim në çdo pozicion dhe qëndresë në çdo pozicion.
Nuk vjen nga jashtë, vjen nga ne, nga qëndresa jonë.
Enver Hoxha vendosi propagandën më koprolalike të kohërave. Nuk i ndodhi gjë nga jashtë. Përkundrazi, vazhdonte si paranojak me fjalime, dhe pasardhësi i tij Edi Rama nuk ka një diktaturë totalitare, por autoritare, por vazhdon edhe ai betejën kundër imperializmit amerikan.
Akti i tij në samit është akti më i shëmtuar që një përfaqësues mund të bëjë.
Çfarë tregoi ai me të? Ai tregoi urrejtjen e fshehur që ka ndaj presidentit të SHBA.
E ka atë nga trashëgimia hoxhiste, e ke atë nga dosjet e hapura në SHBA, jo një por disa për krimet e tij, e ka atë të paguar nga Sorosi, ato nuk i dimë. Por faktikisht ai është i vetmi që e shfaq, që nuk ngurron ta shfaqë, pavarësisht se jashtë çdo konteksti, thjesht urrejtjes së tij.
Çfarë do të thotë ajo? Ia tha edhe Shtëpia e Bardhë, ajo paqe në Kaukaz ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme. Aty ka pasur një problem shumë thelbësor për të dy vendet dhe u gjet zgjidhja, u gjet një zgjidhje shumë e mirë, qoftë për Azerbajxhanin, qoftë për Armeninë.
Korridori që ishte bllokuar, u shndërrua në korridor të lirë.
Kush e kritikoi atë? Vetëm Irani e kritikoi haptas atë marrëveshje dhe e tall Edi Rama, i cili ka pafytyrësinë që në Bled të deklarojë se Europa nuk ka nevojë të presë për planin e paqes përtej oqeanit, se Europa vetë është paqja, është kultura e paqes, është paqja në kulturë.
Kurse parmbrëmë deklaronte në kthesë, se presidenti po kthen emrin paqe në fjalorin e harruar të Perëndimit.
Me individë si ky, me krerë të narkoshtetit, Shqipëria po shkon në greminë.
Ndaj dhe ne duhet të ndërmarrim një përpjekje të madhe e të fuqishme në radhë të parë me strukturat, anëtarësinë dhe mbështetësit tanë, me qytetarët shqiptarë, për të shpëtuar vendin nga ky kryeministër që kryeson një organizatë kriminale të bazuar në krimin, drogën, njëlloj si Enver Hoxha, që e kishte organizatën kriminale të bazuar në ideologjinë dhe luftën e klasave.
Në këtë kuadër, mendoj unë se duhet të shqyrtojmë pjesëmarrjen tona në zgjedhjet në Tiranë dhe në degët e tjera.
Tani, për Tiranën unë ngrita një delegacion për të eksploruar me jo kandidaturat, por për të eksploruar me aleatët tanë modelin ku ne mund të binim, a mund të gjenim një model në të cilin të ishim të gjithë të bashkuar si opozitë. Edhe këta me të cilët jemi në koalicion, miqtë tanë, por edhe ata me të cilët nuk kemi qenë në koalicion, por janë faktuar me një numër të pamohueshëm votash në Tiranë dhe në Shqipëri.
Disa e kanë shprehur haptas, disa jo, që do preferonin një kandidat të pavarur dhe të mbështetur nga opozita, në mënyrë që shanset në qoftë e mbështet e gjithë opozita, shanset të jenë më të mëdha.
Propaganda e PS-së për të mbuluar shkallën e lartë të inkriminimit të Ogerta Manastirliut, e cila ju e patë vetë, asaj sa vetëm nuk i ra të fikët kur Edi Rama e njoftoi se do jetë kandidate. E patë vetë. Nuk kisha parë se si mund të transformohej nga një garë ku duhej të ishin sa më fotozhenike me Lubinë dhe Elisën, kësaj i iku fytyra.
Sa nuk ka ra nga karrigia se ajo i di mëkatet që ka. Nuk ka, krimi nuk të lëshon. Ajo e di se janë 20 mijë shpirtra, shumë prej të cilëve mund të ishin gjallë sot. I mori Covidi për vjedhjet që bëri.
Ajo e di si nënë, si grua, si motër, jo që nuk bëri asgjë për shëndetin e grave, por përkundrazi ka kryer krime kundër njerëzimit duke i privuar nga ilaçet jetike për kurimin e sëmundjeve si në asnjë vend tjetër të planetit. Nuk di ndonjë vend që nuk siguron të sëmurëve ilaçet e kimioterapisë.
Nuk di ndonjë vend që nuk u siguron brakioterapinë dhe aparatura të tjera të mjekimit.
Nuk di ndonjë vend që u jep të sëmurëve ilaçe të skaduara.
Dhe të gjitha janë konkluzione të KLSH, të dorëzuara në Skapin e partisë, që i mbulon Altin Troplini, që është më kriminel se kjo.
Se të mbulosh këto krime kundër njerëzimit, duhet të jesh më kriminel se ato që i kryen ato. Dhe Altin Troplini thërret Bardh Spahinë se ka shkarkuar një njeri të shkarkuar për vjedhje apo korrupsion, kurse këtë që u bëri gjëmën qindra vajzave dhe grave shqiptare, që i la në kthetrat e vdekjes, dosjen e kësaj e mbyll në sirtar.
Dhe për të mbuluar të gjitha këto, propaganda, mediat e kontrolluara, çdo orë, çdo ditë përsërisin se PD nuk ka kandidat.
A kishte shpifje më të madhe se kjo?
Si mund të thuash, si mund të pretendosh se PD nuk ka kandidatë, karshi një personi, e cila në të gjitha konventat dhe kodet e botës ka kryer krime kundër njerëzimit ndaj të sëmurëve kur ishte ministre e Shëndetësisë? Dhe u bë bashkëautore në rrokullisjen e tmerrshme në arsim.
Por jo drejtuesit, por u garantoj që çdo qytetar me integritet i Tiranës, është 5 herë, 10 herë i pakrahasueshëm më i denjë se Korba e Korrupsionit për atë kandidaturë.
Dhe ne kemi pa diskutim kandidatura shumë të mira. Kanë shfaqur dëshirën e tyre publikisht, Adriana Kalaja, Klevisi, Edi Paloka, që janë të pakrahasueshëm me kandidaturat e PS.
Kështu që përpjekja jonë për të arritur në një ujdi të gjerë me forcat e tjera opozitare nuk ka asnjë lidhje me problemin e kandidatëve tanë të shkëlqyer.
Por ka lidhje me rekordin elektoral. Tërësinë e votave si opozitë dhe kjo nuk mund të injorohet.
Ka lidhje edhe me një moment të dytë. Qindra e mijëra militantë do donin të kishin kandidat dikë prej jush, por disa të tjera do donin të kishin një kandidat jashtë nesh, jo me qëllimin negativ, por me qëllimin më të mirë që të jemi sa më afër fitores.
Janë edhe këto.
Njerëz që mendojnë se dalja jashtë modelit strikt partiak, aplikimi i modelit tjetër nga PD, është një përfillje më e madhe për elektoratin dhe ka shanse më të mëdha.
Edhe njëherë e them, nuk janë bërë diskutime për kandidatura nga përfaqësuesit tanë, janë bërë diskutime për modelin që do të bashkonte më shumë spektrin opozitar në kandidaturën e Tiranës.
Ne nuk i ndalojmë dot të shprehin mendime, por asnjë takim nuk është bërë për kandidatura, takimet janë bërë për modelin.
Unë them se kanë qenë të hapur dhe mendimet i kanë shprehur edhe në media për këtë çështje.
Ndaj dhe unë u ftoj të përqendrohemi në një përgjigje.
Koha është jashtëzakonisht e ngushtë, e shkurtër, por duke pasur parasysh se përpara nga organizata kriminale e PS është një nga eksponentët më kryesorë të krimit, që me qëndrimet e saj u garantoj se jo në Shqipëri, dhe do ta konsiderojmë këtë nëse mund të përgatitet një dosje për gjykatën ndërkombëtare, pasi janë lënë të sëmurët në mëshirën e ilaçeve të skaduara, duke ua ndërruar etiketat, ka akte makabre, janë lënë muaj të tërë aparaturat e prishura, të cilat mund të rregulloheshin brenda një jave maksimumi.
Pra, janë shumë akte që për Altin Troplinin nuk përbëjnë vepër penale, por për konventat ndërkombëtare janë akte që ngjiten në krime kundër njerëzimit.
Ndaj dhe ne do i konsiderojmë… nuk mund të them se duhet të këshillohemi me juristë me eksperiencë, por për mendimin edhe e meriton plotësisht si një qëndrim ndaj këtij regjimi.