Berisha: Altin Troplini mori 5 milionë euro për të liruar Kreshnik Farrukun! Kush e heton atë për këtë çështje? Askush

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë konferencës me gazetarët të mbajtur ditën e sotme, akuzoi me tone të ashpra drejtuesin e SPAK-ut, Altin Dumani për korrupsion, shkelje të Kushtetutës dhe lidhje të drejtpërdrejta me kryeministrin Edi Rama. Berisha tha Dumani është “armik i egër i pluralizmit” dhe “avokat privat i familjes Rama”, duke u bërë mburojë e qeverisë ndaj hetimeve për krimet zgjedhore dhe korrupsionin në nivelet më të larta të pushtetit.

Lideri demokrat, Sali Berisha e akuzoi Dumanin për mosveprim ndaj abuzimeve të shumta financiare dhe për mbrojtje të individëve të përfshirë në skandale të mëdha, duke përfshirë rastin e Kreshnik Farrukut, i cili ka procedime penale në Itali për trafik kokaine. Berisha tha Dumani ka marrë 5 milionë euro ryshfet për të mos lejuar ekstradimin e tij dhe për të manipuluar dosjen hetimore, ndërkohë që paratë do të konvertohen në diamante dhe investohen nga persona të lidhur me familjen e tij. Ai akuzoi gjithashtu Dumanin për lidhje me gjykatës dhe prokurorë që nuk i lejojnë asnjë hetim të pavarur mbi veprimet e tij.

Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi edhe zv.kryeministren nën hetim nga SPAK, Belinda Balluku, duke thënë se ka shpërdoruar dhe vjedhur të paktën 10 miliardë euro nga 12 miliardët e portofolit të ministrisë, duke e cilësuar si “hajduten më të madhe të shtetit shqiptar pas Ramës” dhe duke e akuzuar se ka bashkëpunuar me kryeministrin për abuzime të mëdha financiare.

Në vijim të fjalës së tij në konferencën me gazetarët, Berisha denoncoi për shkelje të drejtpërdrejta të parimeve të pluralizmit dhe zgjedhjeve të lira, duke theksuar se Dumani nuk ka përgjegjësi ligjore dhe është mbi ligjin dhe Kushtetutën, duke i shërbyer vetëm Ramës. Ai kritikoi gjithashtu rolin e prokurorit të përgjithshëm dhe të KLP-së, duke thënë se nuk ekziston institucion që e kontrollon këtë nivel pushteti brenda drejtësisë.

Në pjesën institucionale, Berisha shprehu kundërshtimin e PD-së ndaj zvogëlimit të numrit të bashkive, duke propozuar që ato të jenë edhe më të shumta. Ai gjithashtu vuri në dukje dy kushtet e opozitës që janë pranuar nga mazhoranca: pjesëmarrjen e OSBE/ODIHR në Komisionin për Reformën Zgjedhore dhe përfshirjen e ekspertëve të Kongresit të Autoriteteve Rajonale dhe Lokale të Europës në Komisionin për Reformën Territoriale, për të siguruar ekspertizën më të mirë në ndërtimin e pushtetit vendor.

Lideri opozitar, Sali Berisha propozoi gjithashtu krijimin e një Senati si dhomë e dytë të Parlamentit, me funksion “frenues dhe jo bllokues”, duke theksuar se, nëse kjo realizohet, duhet të reduktohet numri i deputetëve për të mos rënduar buxhetin publik. Ai deklaroi se takimi me Edi Ramën mund të ndodhë vetëm për të përcaktuar themelimin e Senatit në Kushtetutë, ndërsa për reformën territoriale nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese.

FJALA E PLOTË

Dita e djeshme regjistrohet në analet e parlamentit shqiptar si dita e kapitullimit pa kushte të pseudomazhorancës së krimit dhe jo vetëm asaj, por para shqiptarëve dhe mbarë botës, mercenarit të Edi Ramës, Altin Troplini.

Të dashur qytetare dhe qytetarë, ju dje në një teatër tragjikomik patë se si pseudomazhoranca e tërë u angazhua të shkelë ligje, të shkelë Kushtetutën e vendit vetëm nën diktatin e Dumanit, i cili refuzonte të merrte pyetje me gojë direkt nga deputetët.

Akt i pashembullt!

Në të gjitha parlamentet e botës, pyetjet bëhen me shkrim dhe me gojë.

Dorëzohen me shkrim, në mënyrë që zyrtari që pyetet t’i jepet mundësia të përgatisë përgjigjet, lexohen nga autori i pyetjeve dhe ky është një standard.

Deputeti Tritan Shehu ndodhej dje me miqtë në parlamentin e Italisë dhe ai merrte në telefon, këtu kjo është gjëja më absurde.

Por, i keqpërdoruri dhe i keqshfrytëzuari në ekstrem nuk duronte dot pyetjet, i dukeshin si shigjeta.

U bë një kompromis, dhe ai kompromis u bë pas një përpjekje shumë të madhe të opozitës, e cila donte që shqiptarët të mësonin të vërtetat e këtij sistemi të falimentuar.

Kompromisi ishte që zyrtari të lexonte pyetjet dhe pas përgjigjeve të tij, autori i pyetjeve të shprehej 2 minuta për përgjigjet që ai dha. Dhe kjo funksionoi, mendoj unë, shumë mirë.

Funksionoi shumë mirë, ndonëse ju e patë vetë pozitën mjerane në të cilën u ndodhën palët tona kundërshtare.

Ai, siç do thoshte një eksperte e shquar e gjuhës së turpit, fliste si i kapur.

Për të gjithë ata që njohin gjuhën e trupit, kjo ishte e vërteta e tij, sepse ai është i kapur.

Kurse ata, të cilët shkelmuan Kushtetutën vetëm se ai kishte frikë nga pyetjet, nuk duronte dot pyetjet direkte se i dukeshin si shigjeta, e lëshuan në rënie të lirë.

E lëshuan në rënie të lirë sepse kishin frikë nga opozita do ua nxirrnim dosjet në parlament, që i fshihte Troplini.

Nuk kisha parë ndonjëherë në eksperiencën time të gjatë 32-vjeçare një ditë ku përpjekja për të vërtetat triumfoi aq bukur.

Dhe ku kompromisi i krimit midis mercenar-Dumanit dhe pengjeve të tij në narkomazhorancë prodhoi ato skena të papërsëritshme.

Dua të sqaroj pak qytetarët.

Me shumë të drejtë ju keni pritur, dhe duhet të prisni, që aty në parlament ju të jeni të parët.

Ju dhe interesat tuaja.

Por unë u them atyre sot këtu se pikërisht për këtë parim, në fjalën time nuk u mora me qëndrimet e tij antikushtetuese, antiligjore, hakmarrëse, primitive ndaj meje.

Jo! U mora me shkelmimin e tmerrshëm që u bën ai interesave të qytetarëve.

U mora me 1.4 miliard euro, një seri aferash dhe që nuk janë as një e katërta e aferave që ky person i papërgjegjshëm, mashtrues, nuk i heton sepse janë qeveritarët e tij.

Ua thashë edhe dje, flakët e djegësave dhe djegësi i Tiranës do djegin çdo njeri që ka dorën e tij të zezë në atë aferë, edhe Edi Ramën, edhe Altin Troplinin dhe secilin prej tyre.

Mbrojta 630 milionë euro që CEZ duhej t’u paguante shqiptarëve me fatura të certifikuara nga kompania ndërkombëtare, dhe që Edi Rama, në vend të arbitrazhit ku e kishim të sigurt fitoren, ndau me ta edhe 100 milionë euro të taksapaguesve shqiptare.

Ata, të quajtur, çfarë t’u them unë atyre, që dalin në media dhe thonë se nuk u fol për qytetarin, po të kujt janë ato para?

U fol për tunelin e Llogarasë, 50 milionë euro me një të rënë të lapsit, e dokumentuar.

U fol për aeroportin e Vlorës, 140 milionë euro.

U fol për vjedhjet e tmerrshme në energji.

Për udhëtimet e Edi Ramës me avion çarter.

Këta zotërinj që pretendojnë se nuk u fol për qytetarin, a nuk janë taksa të qytetarëve këto vjedhje?

Dhe prisni, thashë edhe njëherë, këto nuk janë as një e katërta apo një e pesta e parave të vjedhura.

Dhe do i merrni vesh nga kjo klikë, nga kjo dyshe Rama-Balluku dhe suita e tyre.

Vetëm Kontrolli i Lartë i Shtetit, dhe vetëm në disa agjenci të varura nga Lubi Balluku, ka konstatuar 2.2 miliard euro vjedhje dhe shpërdorime.

Vetëm në disa agjenci dhe disa afera, sepse KLSH nuk kontroll kurrë të gjitha aktet. Jo, ai ka praktikën e tij.

2.2 miliard euro! Po, absolutisht.

Kur Arben Ahmetaj thoshte se Lubia ka administruar 12 miliardë euro, të tjerët harronin vjedhjen dhe merreshin me miliardin.

Po ja pra. Prisni se do dalin të tjera.

Dhe ky merret me gjërat më të paqena.

140 milionë euro është vjedhje me checkup-in e Nushit. Ky bën sikur nuk ekziston. Atëherë a janë këto interesat e qytetarëve?

Unë them se janë interesa jetike të qytetarëve.

Ky zotëri komunikon se paska sekuestruar 63 milionë euro, po kujt ia dha ato? Kush i mori ato? Ku shkuan ato?

Po vetëm Franc Çopja ka 6 miliardë euro larje parash në Shqipëri.

Dhe ky na mburret se konfiskoi atë apartament apo atë apartament dhe që u zhdukën miliarda e miliarda, nuk thotë një fjalë.

Dhe pastaj lexonte gazeta, lexonte shkrimet e zëdhënësit të vet të porositura dhe të blera.

Prandaj dhe ishte … më kujtonte një personazh, ta shohin vetë si u bë. Se ka nxjerrë në treg veten e tij me aktet që ka kryer.

E kam thënë dhe e them është një armik i egër i pluralizmit në Shqipëri sepse u shndërrua në amnistues të krimit të njohur ndërkombëtarisht elektoral.

Njeri pa asnjë ndërgjegje, as profesionale dhe as njerëzore.

Po ti kur lexon se komuniteti ndërkombëtar thotë se rrjeti i patronazhistëve është në kundërshtim me parimet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira, kurse ky thotë jo, nuk është një krim, citon Edi Ramën, jo ligjin ndërkombëtar.

Nuk po them shkeljet seriale të kodit zgjedhor të Shqipërisë, por të parimeve ndërkombëtare të Kartës së Kopenhagenit, të gjitha të vërtetuara nga OSBE/ODIHR.

Po ky nuk ka… për të parime janë vetëm statuti i PS dhe lufta e egër ndaj opozitës dhe pluralizmit.

Sigurisht që për këto ne do qëndronim sepse ky qëndrim i tij dhe prokurorisë së tij u bë licencë për narkodiktatorin Edi Rama dhe regjimin e tij, për të shkatërruar në mënyrë përfundimtare procesin zgjedhor.

A e keni dëgjuar të shqipërojnë një fjalë të vetme për zgjedhjet?

Askush.

Përkundrazi, gosipi i qytetit thotë se edhe Lubinë po e bënte kurban pikërisht për të shuar zhurmën e raportit.

Nuk mund të them se ato që thotë gosipi, janë të gosipit. Por në media lejohet se i ndjekin vetë këto.

Së fundmi, në parlament unë lexova mesazhin e një qytetari dixhital që vinte nga prokuroria.

Do e lexoj edhe njëherë.

“Doktor, mirëmbrëma. Një burim nga prokuroria më informon sonte në lidhje me një çështje në proces hetimi. Altin Dumani ka bërë një ujdi për 5 milionë euro në lidhje me dosjen e shtetasit Kreshnik Farruku nga Manza, Durrës, mik e bashkëpunëtor me Artur Shehun dhe tani me Xhevdet Troplinin (Pojën) dhe Elvis Doçin (Visin e Pojës), ky është dhëndri.

Ky shtetas ka një procedim në shtetin italian për tre episode. Në Savona, në Gjenoa, në Ankona ku janë kapur sasi të mëdha kokaine.

Për këtë fakt ka dhe procedim penal në shtetin italian dhe gjykata e Durrësit i ka vendosur masë sigurimi për ekstradim.

Më pas, Spaku, këtu hyjnë milionat, ka filluar procedimin për të njëjtat fakte të ndodhura në shtetin italian dhe i vendos masë sigurimi.

Çfarë do të thotë? Që nuk mund të ekstradohet.

Gjykata e Durrësit i vendosi masë sigurie që të ekstradohej. Tani Troplini i vendos masë sigurie që të mos ekstradohet. E kuptoni tani? Se po e heton ky, se dolën 5 milionë.

Me datën 11.5.2025, Gjykata e Lartë, kundrejt një shume të lartë parash, ia heq masën e arrestit dhe e le me detyrim paraqitje.

E kuptoni tani se ç’ndodh?

Dumani i ka premtuar që t’i kalojë përgjegjësinë vëllait të tij, duke manipuluar telefonatat e kriptuara dhe duke ia atribuuar vëllait të tij.

Shuma e ujdisë do konvertohet në gurë të çmuar, diamante.

Imagjinoni!

Personi ku investon të ardhurat Dumani është daja i bashkëshortes së tij, Anton Pango, person me precedent penal”.

Tani, kam një pyetje për çdo shqiptar. Kush e heton Altin Dumanin? Ja urdhëro.

Dhe u ftoj ju si gazetarë, ftoj mediat të verifikojnë a ekziston shtetasi Kreshnik Farruku nga Manza. A ka qenë i arrestuar nga Gjykata e Durrësit ky shtetas?

Mediat kanë një fushë të hapur investigimi.

A e ka marrë Troplini në masë sigurie pas masës së sigurisë që ka vendosur gjykata? Këto janë gjëra konkrete.

A ka qenë në Gjykatë të Lartë rasti dhe çfarë vendimi ka marrë Gjykata e Lartë?

Pra, vërtet ky është një qytetar dixhital, por një qytetar dixhital që ka renditur këtu fakte të cilat kërkojnë hetim dhe verifikim.

Po tani kush e heton Altin Troplinin, më thoni mua ju?

Ja pra që nuk e heton asnjë njeri Altin Troplinin.

Kur e kanë pyetur kohë më parë se kush u kontrollon ju, ka thënë se kemi kontroll shumë të fortë.

Por ja urdhëro, kush e heton dot këtë?

Shikoni.

Po kjo është me shumë pasoja.

Unë kam denoncuar, dhe nuk ka kundërshtuar dot kurrë, faktin se kur thirri prokurorin për ta bërë përgjegjës për një pazar që kishte bërë me bandën e Suel Çelës, ai i tha, po ti more 1 milion nga Ymer Lala, sepse ti nga 19 pyetje që i bëre Ymer Lalës, i denoncuar nga Luftar Reçi për vrasje, ti e pyete për çdo gjë, por për vrasje nuk e pyete atë dhe e lirove.

Asnjë reagim ai për këto.

Tani del çështja tjetër.

Unë e shoh këtë një problem shumë serioz, shumë madhor.

Kush e heton këtë? Prokurori i Përgjithshëm, asnjë tagër. Prokurorit të Përgjithshëm i kanë hequr çdo kompetencë kushtetuese.

KLP-ja? Larg qoftë.

Ajo zonja e ka ndërmend si të organizojë 15 retreat-e. E lodhura shumë. 15 retreat-e në vit me paratë e taksapaguesve. Dhe pastaj thotë se atë kodin nuk kemi ekspert ta shqyrtojmë.

E kuptoni ju.

Prandaj dhe ky është recidivist.

Unë shtroj pyetjen: kush e heton këtë çështje?

Nuk është rasti i parë. Por ky është më flagranti dhe më konkreti.

Ky vjen i referohet prokurorisë, sepse vetëm prokuroria mund t’i dijë të gjitha këto.

Ja pra ku është njeriu afërmendsh, afërmendshi që do bëjë gjykatësi atë që them unë. Irena Gjoka bën atë që them unë, dhe gjykatësit e tjerë, sepse ai i vë nën kontroll mizor.

Po atë kush e kontroll? Asnjë njeri.

Ndaj dhe u ndala në këtë rast se çfarë problemesh të tmerrshme ka ky sistem sot.

Ky është bërë avokat privat i familjes së Edi Ramës dhe Edi Ramës.

Avokat privat i aferave të Edi Ramës.

Nuk po ndalem në problemet e mia me të.

I kam thënë ato dhe dje në parlament e falënderova për vetingun.

Po!

Janë 4 shtëpi që disponon, ka çuar tjetrin që mburrej dje për një garsionere të vëllait të vet, që i paguante qiranë, e ka akuzuar se është i yti parlamenti dhe ka kërkaur një vit burg për të, për gjykatësin.

Vetë ka 4.

Dhe aty ku thotë paguaj qira te vjehrri.

Jam me qira tek vjehrri…

Pra, ne besoj se e bëmë me transparencë të plotë detyrën tonë.

Natyrisht këto janë një pjesë e problemeve.

Po nuk është i vogël se janë miliarda e miliarda të cilat vërtet Troplini ka një numër shumë të kufizuar dosjesh, që sipas një statistike përbëjnë 0.3 përqind të të gjitha dosjeve të Shqipërisë, por këto dosje janë dosjet e miliardave.

Ato vërtet janë 0.3 si numër, por ato janë dosjet e miliardave të vjedhura qytetarëve shqiptarë.

Janë dosje që peshojnë sa toka dhe që ai i mbyll dhe i stis siç do vetë.

PYETJE-PËRGJIGJE

Anisa Kadesha, TVSH: Z.Berisha, pse akuzat publike ndaj Dumanit PD nuk i bën zyrtare me qëllim nisjen e hetimeve ndaj tij për shpërdorim detyre, sipas akuzave të PD?

Berisha: Ne kemi dërguar edhe ndaj tij, sa për dijeni.

Janë refuzuar.

Nuk mund të hetohet ai.

Ne kemi paraqitur akuza direkt ndaj tij, po nuk ka, ai është mbi ligjet, mbi Kushtetutën.

Ai është vetëm direkt i varur nga Edi Rama.

Por çdo njeri, po të kishte kompetencë, do të niste hetimin kryesisht se këtu janë elementë konkretë.

Ai quhet Kreshnik Farruku, ekziston apo nuk ekziston.

Është nga Manza apo nuk është nga Manza.

Është arrestuar nga Gjykata e Durrësit apo nuk është arrestuar?

Është marrë dosja e tij nga Skapi apo nuk është marrë?

Ishte në Gjykatë të Lartë apo jo?

Kjo është shumë e thjeshtë. Ky nuk është rasti më i vetëm, por është më i zbërthyeri se e kam ndjekur unë.

Ja urdhëro ku del problemi i tij.

Marsi Korreshi, Syri Tv: Z.Berisha, tashmë është zyrtare që zv.kryeministrja Belinda Balluku është nën hetim nga SPAK. Ajo refuzoi të shkonte një ditë më parë për shkak të një vizite në Bukuresht, ndërsa sot u shfaq duke prezantuar drejtorin e ri të Portit të Durrësit, në një aktivitet që duket se është censuruar nga Edi Rama që duket se nuk e ka përshfaqur në rrjetin e tij social. A mendoni se do ta lëshojë Edi Rama Belinda Ballukun njësoj si Erion Veliajn, dhe a mendoni se edhe Balluku do të ketë fatin e tij?

Berisha: Tani, kur korrupsioni i saj me Edi Ramën u bë sa mali i Dajtit, i pakrahasueshëm, dhe unë u thashë vetëm disa afera së bashku bëjnë 2 miliard, të kontrolluara nga KLSH, por ajo deri një vit më parë ka administruar në portofolin e vet 12 miliardë euro.

Unë u garantoj ju se nga këto 12 miliardë euro, të paktën 10 miliardë janë vjedhur dhe shpërdoruar.

Sepse unë kam sensin e saj sa kushton kjo dhe sa kushton ajo.

Pra, në këtë rast, Rama se ç’ka gjetur një supervizim, një milion euro, si puna e fustaneve të Velicës, dhe këtu i thotë nuk kam çfarë të bëj tani.

Rama mendon se shpëton në këtë mënyrë, por Rama është përgjegjës kryesor dhe nuk do shpëtojë kurrë nga vjedhjet e saj.

Në qoftë se ka një njeri që ka vjedhur së bashku me Ramën, të paktën prej 20 e sa vitesh me radhë, kjo është Lubi Balluku. Kjo është e njohur.

A po përpiqet Rama?

Edhe ato që thotë se i bëri presion këtij dhe atij është skema e Veliajt.

Iu kujtohet, i çoi punonjësit të gjithë, e rrethuan Skapin.

U kujtohet fjalimi, empatia që tregoi ai për djalin e Erionin, që nuk kishte kush ku ta çonte këtu e aty.

Pra, Rama sigurisht që po përpiqet të mos e zërë brenda mali që po shembet, por Rama është kryesori.

Lubia ka shumë, Lubia është hajdutja më e tmerrshme, më e papërmbajtur e 113 viteve shtet shqiptar, pas Edi Ramës.

Anesti Bajramemaj, A2CNN: Z.Berisha, ditën e djeshme ne Kuvendin e Shqipërisë u ngritën dy komisionet e posaçme për reformën zgjedhore dhe reformën territoriale. Nga artikulimi publik që është bërë nga mazhoranca ka deri tani 2 kërkesa përsa i përket këtyre 2 reformave: uljen e numrit të bashkive dhe uljen e numrit të deputetëve, nga 140 në 101. A jeni ju i gatshëm që të uleni në tryezë me Edi Ramën për ndryshimin e Kushtetutës?

Berisha: Tani, ka dhe një mendim tjetër që është i kahershëm, nëse hyn në anale. Po është 25-30 vite më parë, që vendi të bëhet me dy Dhoma. Të ketë dhomën e lartë, Senatin dhe dhomën e parlamentit.

Unë jam dakord me këtë variant, sepse sado pak, pak, por nëse e ndërton Senatin jo si një institucion bllokues, se me bllokim shteti nuk ndërtohet, por si një institucion frenues në një farë mënyre, atëherë i bën një të mirë vendit.

Senati është i dobishëm, shumë vende e kanë, ka të tjera që nuk e kanë.

Shqipëria nëse vendos të ketë senat, atëherë pa diskutim që duhet të pakësojë numrin e deputetëve.

Për bashkitë jo, nuk jemi për zvogëlimin e tyre…

Unë them të jenë më shumë, por ne kemi vënë një kusht që është pranuar. Kushti ynë është që në Komisionin për Reformën Zgjedhore i pranishëm të jetë ODIHR dhe të na ndihmojë.

Në Komisionin për Reformën Territoriale të jenë ekspertët e Kongresit të Autoriteteve Rajonale dhe Lokale të Europës, pranë Këshillit të Europës. Kanë ekspertizën më të shkëlqyer më të mirë në ndërtimin e pushtetit vendor.

Nuk ka asgjë për të prekur Kushtetutën. Por nëse është problemi për të përcaktuar Senatin e Republikës, po jam gati, nuk kemi asnjë kompleks aty, sepse besojmë se është një institucion i dobishëm dhe jo duke rënduar buxhetin e taksë paguesve, por duke zvogëluar numrin e deputetëve.

Përsa i përket reformës territoriale nuk ka nevojë për Kushtetutë, ju siguroj që nuk ka.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale