Berisha: Akuzat e Trump ndaj Sorosit janë një akt historik! FBI dhe Kongresi amerikan të hetojë veprimtarinë e Sorosit në Shqipëri! Rama me ish-bashkëshorten dhe bashkëshorten janë pasuruar me milionat e tij

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një konference për mediat të mbajtur ditën e sotme, ripërsëriti qëndrimin e tij të palëkundur kundër George Sorosit dhe djalit të tij, duke rikujtuar fjalët e presidentit amerikan i cili, pak ditë më parë, i cilësoi ata si pjesë e një organizate kriminale, në bazë të ligjit RICO.

‘Që 8 vite më parë unë e kam shpallur Sorosin një monstër të njerëzimit,’ u shpreh Berisha, duke theksuar se ka kërkuar publikisht nga Senati dhe Kongresi Amerikan, si edhe nga Parlamenti Europian, shpalljen e tij non grata dhe marrjen e masave ligjore për aktivitetin e tij jashtë SHBA-ve.

Lideri i opozitës theksoi se veprimtaria e George Sorosit dhe lidhjet e tij me qeverinë shqiptare duhet të hetohen nga autoritetet amerikane, në të njëjtën mënyrë siç tashmë po bëhet në SHBA përmes ligjit RICO. Në vijim, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama, ish-bashkëshorten dhe bashkëshorten aktuale të tij si përfitues direkt të fondeve të Sorosit në Shqipëri. ‘Sot ata janë pasuruar me miliona euro nga paratë ilegale të Sorosit,’ tha kreu i PD-së Sali Berisha, duke i bërë thirrje FBI-së dhe Kongresit Amerikan që të hetojnë ndikimin e fondacionit të tij në jetën politike shqiptare dhe sidomos në reformën në drejtësi, e cila, sipas tij, ka vendosur një pushtet monist në vend.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha theksoi se George Sorosi dhe djali i tij duhet të hetohen ndërkombëtarisht për rolin destabilizues në vendet ku kanë ushtruar ndikim, përfshirë Shqipërinë. Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në SHBA dhe përdorimit të aktit RICO nga ish-presidenti Donald Trump kundër Sorosit dhe rrjetit të tij, Berisha nënvizoi: ‘Nuk ka një rrjet më flagrant se ai që u përdor për të kapur drejtësinë në Shqipëri. Le të urojmë që drejtësia e SHBA të bjerë mbi këtë monstër të njerëzimit.’

Sipas tij, ndikimi i Sorosit ka qenë vendimtar në shndërrimin e sistemit demokratik shqiptar në një monizëm të kontrolluar nga Edi Rama, me ndihmën e fondacionit të tij dhe bashkëpunëtorëve në vend.

Në fund, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e cilësoi zhvillimin e fundit në SHBA si një ‘ditë të madhe në histori’, duke theksuar se personi që kishte lobuar për shpalljen e tij non grata është sot vetë nën akuzë në bazë të ligjit RICO. ‘Kjo është një ngjarje e jashtëzakonshme jo vetëm në aspekt personal, por edhe për të ardhmen e SHBA-ve dhe partnerëve të tyre,’ – tha Berisha. Ai shtoi në fjalën e tij, se personi që firmosi vendimin ndaj tij nuk mund të hyjë më në asnjë institucion federal në SHBA, për shkak të mashtrimeve që, sipas tij, iu bënë publikut amerikan lidhur me çështjen e laptopit të Hunter Biden.

FJALA E PLOTE:

Në një akt historik, presidenti i SHBA, akuzoi dje bazuar në aktin ligjor të RICO-s, Xhorxh Sorosin dhe djalin e tij, ekstremist të majtë, Aleksis Soros si organizatë kriminale që kanë ushtruar një veprimtari intensive kundër rendit dhe sigurisë së SHBA.

Xhorxh Sorosi dhe i biri i tij janë sot mbështetja kryesore e grupeve kryesore dhe ideologjisë marksiste dhe post-marksiste në SHBA dhe në botë.

Unë vij sot edhe për të rikujtuar se 8 vite më parë e kam shpallur Sorosin një monstër të njerëzimit.

I kam kërkuar publikisht Senatit dhe Kongresit të SHBA që të ndalojnë me ligj veprimtarinë e tij kriminale, antidemokratike jashtë SHBA.

Të njëjtën kërkesë i kam paraqitur publikisht edhe Parlamentit Europian.

Për Shqipërinë, e kam konsideruar dhe e konsideroj atë një armik të egër të demokracisë shqiptare.

E vërteta është se po në këtë fjalë publike, unë kërkova shpalljen e tij non-grata.

Gjatë këtyre viteve ai përdori të gjithë fuqinë e tij politike, monetare kundër demokracisë në Shqipëri, në mbështetje të një organizate kriminale që kryesohet nga Edi Rama.

Por rikujtoj shqiptarët se Soros dhe i biri, pas Nju Jorkut, kryeqytetin e dytë më të rëndësishëm në botë kanë pasur Tiranën.

Në Tiranë, ata, me investimet e tyre të pakufishme financiare, me lobimet e tyre kriminale, ata arritën të transformojnë rendin demokratik dhe Kushtetutën e vendit.

Për të konsoliduar pushtetin e krimit të Edi Ramës, Xhorxh Soros, fondacioni i tij dhe i biri i tij, u angazhuan në të ashtuquajturat reforma që kishin vetëm një qëllim: monizmin dhe narkoshtetin në Shqipëri.

Ata ndikuan shumë në administratën e Xho Bajden, por ndikuan edhe në kancelari të tjera.

Ata u bënë mbështetje kryesore e dhunimit të zgjedhjeve dhe pranimit të zgjedhjeve të dhunuara pa u numëruar ende votat siç ishte rasti i vitit 2021.

Ata u bënë mburojë e kanabizimit të plotë të vendit dhe më vonë hapjes së karteleve të drogës, më të fuqishme në Europë.

Shtoj këtu se ai dyshim i madh që ekziston për udhëtimet me çarter të Edi Ramës, 140 udhëtime në 2 vite, për të cilat ka indicie se janë transportuar para dhe drogë me valixhe diplomatike, dyshime shumë serioze ngrihen mbi vizitat 2-3 javore të viteve të fundit në Shqipëri të Aleksandër Sorosit.

Se cili ka qenë motivi i tyre, por këto vizita me avion në dispozicion dhe fluturime, kanë pa asnjë diskutim dyshime të mëdha.

Unë jam sot këtu për të denoncuar para shqiptarëve të gjithë veprimtarinë antishqiptare, antidemokratike të Xhorxh Sorosit me veglën e tij Edi Rama në Shqipëri.

Por theksoj se Edi Rama me ish-bashkëshorten dhe bashkëshorten aktuale, janë pasuruar me miliona e miliona nga paratë ilegale të Xhorxh Sorosit në Shqipëri.

Thirrja ime për qeverinë e SHBA dhe kongresin e SHBA, thirrja ime për FBI-në, të shtrijnë hetimet e tyre për Xhorxhin dhe të birin edhe në Shqipëri gjatë 20 viteve dhe do gjejnë se si ata përdorën çdo lloj influence kundër një force politike në favor të ekstremit të majtë të Edi Ramës, bashkëshortes së tij dhe ish-bashkëshortes së tij, të gjitha drejtuese kryesore në fondacionin Soros, të ushqyera me miliona nga ky fondacion.

Të hetojnë politikën e jashtme të Xhorxh Sorosit, e cila në mënyrë absolute përputhej me Beogradin dhe binte ndesh me interesat e shqiptarëve, me politikën e ndjekur zyrtare të SHBA gjer në atë kohë, por dhe me politikën e ndjekur nga presidenti Donald Trump në mandatin e parë.

Iu bëj thirrje që duke përdorur aktin RICO, të hetojnë çdo veprim të Xhorxh Sorosit në të ashtuquajturën reformë kushtetuese dhe të drejtësisë, me të cilën kanë garantuar sot një pushtet që kontrollon mbi 95 përqind të çdo gjëje në këtë vend.

Praktikisht pothuajse një monizëm të plotë.

Ky është dekreti i presidentit, në të cilën presidenti evokon dje aktin RICO të mashtrimit, influencës mashtruese dhe korruptive me të cilën bën të mundur akuzën për organizatë kriminale të Xhorxhit, të birit dhe rrjeteve të tij.

Ndaj dhe është përdorur RICO.

Tani, nuk ka netuork më flagrant se sa netuorki që u zgjodh për të drejtuar pseudo-reformën e drejtësisë në Shqipëri. I tëri i bërë nga bashkëpunëtorët e Sorosit.

Njoftimi që presidenti bën për vendimin e tij, për të akuzuar Xhorxhin dhe të birin, miqtë me kokë të Edi Ramës, i cili në harkun kohor 5-vjeçar mori pjesë në martesën e të atit dhe të birit.

Le të urojmë që drejtësia e SHBA të bjerë mbi këtë monstër të njerëzimit, i cili në vende të caktuara ka krijuar drama të mëdha sa vetë luftërat me pasurimin e tij.

Unë mendoj se Xhorxh Sorosi meriton një gjyq ndërkombëtar për të gjithë veprimtarinë e tij në dëm të lirisë, demokracisë dhe interesave jetike të popujve në vendet në të cilat ai ka vepruar.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:

Andon Kello, AbcNews: Ju keni kërkuar që në vitin 2017 që Xhorxh Soros të shpallet ‘non grata’. Pyetja ime është, çfarë po ndodh me ‘non gratën’ tuaj në SHBA. Ka një kompani të kontraktuar për ta hequr atë dhe pse ende nuk po publikohet kontrata me ish-konsulentin tuaj, LaCivita.

Sali Berisha: Tani, ditë e madhe në histori. Personi që loboi për ‘non gratën’ time subjekt i RICO-s. Si të duket ty. Ja shife. Një.

Dy, personi që firmosi nuk hyn dot në asnjë ndërtesë federative të vendit të tij. ‘Non grata’ në çdo ndërtesë. Si një mashtrues i madh publik dhe nuk dihet se si do shkojë se ka bërë një mashtrim të tmerrshëm të kombit të tij.

Ka arritur të mbledhë firmat e 51 personaliteteve më të larta të sigurisë së SHBA-së, duke u betuar si mashtrues ordiner, se Hunter Biden nuk ka patur në jetën e tij në dorë laptop dhe laptopin e kanë hedhur rusët. E kupton.

Si të duken ty këto zhvillime, me thuaj pak. Këto për mua janë zhvillime të jashtëzakonshme, jo vetëm personale, por për mbarë SHBA-të, partnerët e tyre dhe mbarë botën.

Andon Kello, AbcNews: Komisioni Rregullator në KQZ ka certifikuar rezultatin e 11 majit. Çfarë ndodh tani dhe më pas?

Sali Berisha: Nuk i njeh zgjedhjet, kemi deklaruar. Përfaqësuesit tanë mbajtjën një qëndrim dinjitoz në komision. Shprehën mendimet, këto ishin një farsë e vërtetë elektorale.

Ky është qëndrimi ynë dhe ne e kemi shprehur këtë.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale