Berisha: Agjencia e investimeve strategjike, është agjencia e grabitjes së pronave të qytetarëve shqiptarë. Nuk do të njohim asnjë vendim të saj

FJALA PËRMBYLLËSE E KRYTARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E PROGRAMIT PËR TË PËRNDJEKURIT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ishte i pranishëm në prezantimin e programit për të përndjekurit politikë, i hartuar në bashkëpunim me ekspertë të shoqërisë civile dhe Fondacionit të CDU gjermane ‘Konrad Adenauer’.

Gjatë fjalës përmbyllëse të takimit, Berisha u shpreh se, PD-ja ka pasur në poste të larta gjatë qeverisjes së saj, personalitete që kanë ardhur nga shtresa e të përndjekurve politikë.

‘Ju siguroj se shtresa juaj, përfaqësuesit e kësaj shtrese do të jenë pjesë integrale e rëndësishme e qeverisjes së PD, në të gjitha nivelet. Tani një gjë dua të ju them, parlamenti i Shqipërisë kishte Mandelën e Shqipërisë kryetar, pastaj një zonjë e cila edhe ajo vinte nga një familje me persekutim të thellë’, theksoi kryedemokrati Sali Berisha.

Kreu i PD-së e vuri theksin e fjalës së tij, në lidhjen që ekziston mes dy shtresave, asaj të të përndjekurve politikë dhe ish-pronarëve. ‘Në një mënyrë kjo shtresë është e lidhur dhe me shtresën e pronarëve. Ju garantoj ju, se problemet e pronësisë, pasi shumë prej jush jeni të asaj shtrese, do të trajtohen me vendosmërinë më të madhe dhe do të ju jepet zgjidhja përfundimtare dhe atyre problemeve’, nënvizoi Berisha në fjalën e tij.

E pikërisht për këtë arsye, kryetari i PD-së, Sali Berisha u shpreh se, qeverisja demokrate që do të vijë pas 11 majit nuk do të njohë asnjë vendim të agjencisë së investimeve strategjike, pasi sipas tij, kjo është agjencia e grabitjes së pronave.  

‘Shumë pak njerëz e dinë se, sot prona ju garantoj, nuk ka qenë më e kërcënuar se sa në vitin 1946. Sot është po kaq e kërcënuar. Me agjencinë e famshme të investimeve strategjike, është agjencia e grabitjes së pronave të qytetarëve shqiptarë, të çdo prone që vendos qeveria. Një ligj kriminal dhe unë e gjej rastin këtu, për të paralajmëruar shqiptarë dhe të huaj, se në mënyrë absolute asnjë marrëveshje e bazuar në këtë ligj, nuk do të pranohet, nuk do të njihet’, tha ndër të tjera kryetari i PD-së në takimin ku u prezantua programi i qeverisjes 2025-2029 për të përndjekurit politikë.

FJALA E PLOTE

Dëshiroj të ju falënderoj për diskutimet, propozimet tuaj dhe ju garantoj se ato do bëhen pjesë e programit dhe janë kërkesa të drejta, të cilat do të gjenden plotësisht. Bedri Blloshmi bëri dhe propozime konkrete. Unë jam i bindur se Vilson Blloshmi dhe Genc Leka janë dy martirët ndër më mendjendriturit dhe meritojnë çdo nderim.

Përsëri ne hasemi sot, ju garantoj me atë qëllim armiqësor që mbahet ndaj PD-së dhe ndaj shtresës tuaj është edhe më i madh, më i diferencuar.

Në tërësi sot në sistemin e drejtësisë nuk gjen, ose janë tepër të rrallë, se përndjekja politike është konsideruar biografi armiqësore dhe me veting janë zgjedhur, po kështu dhe nga administrata.

Natyrisht që PD do ta përmbysë këtë situatë. Ju siguroj se shtresa juaj, përfaqësuesit e kësaj shtrese do të jenë pjesë integrale e rëndësishme e qeverisjes së PD, në të gjitha nivelet.

Tani një gjë dua të ju them, parlamenti i Shqipërisë kishte Mandelën e Shqipërisë kryetar, pastaj një zonjë e cila edhe ajo vinte nga një familje me persekutim të thellë.

Nuk e thashë për të thënë se nuk e keni të drejtë, por e kemi patur dhe do e kemi shumë parasysh, praninë e të përndjekurve, të kësaj shtrese në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe kontributin e saj.

Në një mënyrë kjo shtresë është e lidhur dhe me shtresën e pronarëve. Ju garantoj ju, se problemet e pronësisë, pasi shumë prej jush jeni të asaj shtrese, do të trajtohen me vendosmërinë më të madhe dhe do të ju jepet zgjidhja përfundimtare dhe atyre problemeve.

Shumë pak njerëz e dinë se, sot prona ju garantoj, nuk ka qenë më e kërcënuar se sa në vitin 1946. Sot është po kaq e kërcënuar. Me agjencinë e famshme të investimeve strategjike, është agjencia e grabitjes së pronave të qytetarëve shqiptarë, të çdo prone që vendos qeveria. Një ligj kriminal dhe unë e gjej rastin këtu, për të paralajmëruar shqiptarë dhe të huaj, se në mënyrë absolute asnjë marrëveshje e bazuar në këtë ligj, nuk do të pranohet, nuk do të njihet.

Këta ja zgjatën afatin ligjit, e kanë modifikuar dhe e kanë bërë, ju them unë ju, por di një gjë se statusi i pronës sot është i pasigurtë siç ishte në vitin 1946. Me këtë ligj merret çdo pronë, i jepet atij që do qeveria dhe shpërblimi bëhet sipas dëshirës së qeverisë.

Ne do ti japim një përgjigje përfundimtare të çështjes së pronës, por meqë jam këtu, paralajmëroj çdo qytetar, se ai ka bërë gati dhjetëra vendime, se në mënyrë absolute nuk do ti gëzojë dot, por do të shqyrtohen si bashkëautorë në një grabitje të madhe të pronave në Shqipëri.

Ai ligj, është ligj që për ne, nuk njohim asnjë pasojë të tij. Është ligj që bien në kundërshtim flagrant me Kushtetutën.

Ligji i ka dhënë Edi Ramës vetes, dhe një tjetri që ka punuar në zyrat e tij, të plaçkisin dhe grabisin çdo pronë që duan dhe të ja japin atë pronë kujt të duan.

Po e denoncoj këtu, do e denoncoj prap se është çështje shumë madhore, por nga ana tjetër paralajmëroj të gjithë ata që bazuar në këtë ligj, do ti dorëzojnë dhe me pasoja.

Ky është ligj antikushtetues, antidemokratik, dhe nuk mund të preket në natyre prona e tjetrit.

E thatë bukur, janë aset i vërtetë kombëtar, të përndjekurit. Asnjë komb nuk është shtypur më shumë se ne, por asnjë komb nuk ka qëndruar më shumë se ne. Ja ku janë këta, kjo është e vërteta.

Njerëz të pamposhtur, të cilët nuk u mposhtën kurrë në burgjet më të zeza, në kampet e përqendrimit më mizore, njerëz që qëndruan për dinjitetin njerëzor, vlerat dhe parimet e larta të njeriut të lirë dhe fisnik.

PD në këtë kuadër ndihet shumë e privilegjuar, pafundësisht mirënjohëse, krenare të ketë një trashëgimi kaq të fuqishme sakrificash njerëzore, një mbështetje kaq të fuqishme dhe në fakt, po ta merrni thellë, thellë, qëndron pikërisht në këtë faktor, arsyeja kryesore që mbijetoi në situatat më të vështira që mund të mbijetonte një parti.

I mbijetoi.

I mbijetoi në ’97, i mbijetoi tani, i mbijetoi të gjitha falë instiktit për liri të të përndjekurve politikë dhe mbështetjes së tyre në momentet më decizive ndaj PD, ndaj dhe Partia Demokratike është dhe do të mbetet pafundësisht mirënjohëse dhe e përkushtuar në zbatim të këtij programi dhe plotësimeve që bëhen.

Ju falënderoj shumë.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale