FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË FOLTOREN TEK KRYEMINISTRIA
EKSTRAKT
Duke folur në ‘Foltoren‘ para kryeministrisë, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u deklaroi se, adoleshentët dhe të rinjtë në protestat e opozitës, janë bërë tmerri i narkoregjimit.
Berisha paralajmëroi edhe oficeren e policisë që është paraqitur si, psikologe në komisariatet e policisë, se ligji do të jetë i rreptë me të.
‘Unë paralajmëroj policinë se nuk do të tolerohet asnjë keqtrajtim ndaj qytetarëve në tërësi dhe të rinjve në veçanti. I them asaj oficeres që paraqitej si psikologe tek adoleshentët e arrestuar, do të gjejmë cila je dhe e zeza ti, ligji do jetë shumë i rreptë për ty’, tha Berisha.
Kryedemokrati Sali Berisha u shpreh gjatë fjalës së tij para qytetarëve të mbledhur para kryeministrisë se, ata, protestuesit me kryengritjen e tyre kanë arritur që ti thonë botës se, në Shqipëri në pushtet është një monstër.
Ai u shpreh se, zëri i shqiptarëve protestues është dhënë nga agjencitë më të mëdha të botës. ‘Ne arritëm t’i themi botës se vërtet kemi një monstër në pushtet, që përdor pushtetin për të vjedhur nga mëngjesi gjer në darkë. Që përdor pushtetin për drogën dhe krimin. Por ne jemi burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat, të vendosur me guximin tonë ta largojmë nga pushteti atë. Rrjetet televizive kanë dhënë protestën tonë më gjatë se çdo lajm tjetër.’, nënvizoi Berisha.
Gjatë fjalës së mbajtur në ‘Foltoren’ para kryeministrisë, lideri opozitës shqiptare, Sali Berisha ka qenë i ashpër me policinë, ndërsa ka paralajmëruar edhe Edi Ramën, që të mbajë mercenarët e tij dhe të mos qëllojnë mbi protestuesit, sepse protestuesit më pas do të qëllojnë mbi të.
‘Ky do jetë kryehajduti i Shqipërisë. Ndaj dhe u thuaj atyre mercenarëve të mos qëllojnë mbi protestuesit se protestuesit do qëllojnë vetëm mbi ty. Ti do jesh përgjegjësi numër një i çdo krimi të kryer.’, theksoi kryedemokrati, Sali Berisha.
Kryetari i Partisë Demokratike, u ka bërë thirrje të rinjve, që të lënë shkolla dhe çdo gjë dhe të mbushin sheshin dhe ti bashkohen revoltës kundër qeverisë.
‘20 shkurti është një thirrje për rininë shqiptare, nuk ka fat më të madh, nuk ka shans më të madh për një të ri se në rininë e tij të hidhet në betejë kundër të keqes më të madhe të kombit të tij. Ndaj dhe i lini shkollat, lini çdo gjë, mbushni sheshin, të jetë Tirana juaj, e ardhmja juaj, Shqipëria në zemër, në besimin, në shpresën tuaj.’, theksoi lideri i demokratëve, Sali Berisha.

FJALA E PLOTE
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, nderimin më të madh për ju burra dhe gra, djem dhe vajza të pamposhtur që mblidheni këtu në emër të të vërtetave më të mëdha të shqiptarëve.
Mblidheni këtu në emër të idealeve të lirisë.
Mblidheni këtu në emër të dinjitetit njerëzor, por edhe të dinjitetit kombëtar.
Një përshëndetje për të gjithë qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, për ata qindra mijëra qytetarë që mbushën sheshet, rrugët në kryengritjen tonë paqësore.
Sonte, nga kjo platformë, përshëndes me përzemërsinë më të madhe të rinjtë, adoleshentët, gjimnazistët, studentët që ishin forca, ishin fytyra, ishin energjia dhe u bënë tmerri i narkoregjimit me datën 10 shkurt.
Duke shprehur mirënjohjen më të pakufishme ndaj tyre dhe nderimin tim, dua t’u them gjithashtu se është shansi i madh i jetës tuaj të filloni jetën politike në mburojë të vendit dhe kombit tuaj.
Është shansi i madh i juaj të mbroni këtë vend nga kjo e keqe e tmerrshme që i ka rënë mbi supe.
Është misioni i jetës suaj, mision për të cilin do ndjeheni krenarë gjithmonë, jo vetëm ju, por fëmijët tuaj, fëmijët e fëmijëve tuaj, sepse u angazhuat në një moshë të tillë për të përmbysur narkodiktaturës, për të përmbysur diktaturën autoritare më të keqe që Europa ka njohur.
Unë gjithashtu dënoj me forcën më të madhe dhunën, terrorin fizik dhe psikologjik që u ushtrua në komisariatet e policisë ndaj të rinjve, ndaj adoleshentëve, histerinë në parlament të hajdutëve socialistë kundër tyre.
Unë paralajmëroj policinë se nuk do të tolerohet asnjë keqtrajtim ndaj qytetarëve në tërësi dhe të rinjve në veçanti.
I them asaj oficeres që paraqitej si psikologe tek adoleshentët e arrestuar, do të gjejmë cila je dhe e zeza ti, ligji do jetë shumë i rreptë për ty.
Para se të kryeje atë veprim, të shkoje me uniformë mashtrimi para tyre, nuk duhet të harroje se ti je motër, je nënë, se ti je bashkëshorte dhe ti nuk mund ta bëje kurrë atë para adoleshentëve dhe të rinjve shqiptarë.
U bëj thirrje forcave të rendit të qëndrojnë në detyrë, jashtë çdo ndikimi nga banditët në drejtim.
Ju jeni njerëz, jeni bijë, bija, jeni familjarë, jeni bashkëshortër, prindër, jeni qytetarë, nuk keni asgjë të përbashkët me organizatën kriminale, nuk keni asgjë të përbashkët me kriminelë si Ilirjan Proda dhe Sokol Bizhga. Nuk u lidh asgjë me ta.
Ata janë që të gjithë për të pasur vendin jo vite, por dekada në burg.
Prandaj urdhrat e tyre, asnjë të mos i zbatojë.
Miq, sa herë të mendojmë, vendimi ynë për misionin e ri të përmbysjes së diktaturës së re, është vendimi i jetës sonë.
Është vendimi më i drejtë që kemi marrë ndonjëherë.
Rezultatet janë shumë impresive.
Sonte, mund t’u jap lajmin se agjencitë më të mëdha të botës kanë dhënë zërin tuaj.
Ato kanë dhënë vendimin e Edi Ramës për të mbrojtur veten nga vjedhjet.
Ato kanë dhënë vendimin e Edi Ramës për të mbrojtur organizatën e tij kriminale nga ligji dhe drejtësia.
Por kanë dhënë zërin e opozitë shqiptare dhe unë mund t’u them se në Shqipëri, në Europë dhe në botë, njerëzit e lirë kanë folur më shumë se për këdo tjetër, për opozitarët shqiptarë.
Ata, të cilët thonë, po ja ku është Edi Rama, ja na shkon edhe në Kosovë si armik i egër i saj, po, u them, shkon, por absolutisht kurrë më ai nuk është ai që ishte.
Ai është njeriu që nuk do t’ia shohë kush bojën e surratit.
Ai është njeriu, të cilin ju e detyruat të dalë lakuriq si hajdut para shqiptarëve dhe botës.
Imagjinoni për një moment, sikur të mos ishte zëri juaj.
Imagjinoni për një moment, sikur të mos ishte kryengritja jonë paqësore se çfarë turpi do të ishte për ne shqiptarët, se çfarë turpi do të ishte për opozitën shqiptare, se çfarë do të ishte për çdo shqiptar që i thotë vetes shqiptar dhe Shqipërisë, Shqipëri.
Ja pra se çfarë arritëm ne me kryengritjen tonë.
Ne arritëm t’i themi botës se vërtet kemi një monstër në pushtet, që përdor pushtetin për të vjedhur nga mëngjesi gjer në darkë.
Që përdor pushtetin për drogën dhe krimin.
Por ne jemi burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat, të vendosur me guximin tonë ta largojmë nga pushteti atë.
Rrjetet televizive kanë dhënë protestën tonë më gjatë se çdo lajm tjetër.
Jo se ajo ishte të themi më e rëndësishmja në axhendën e tyre, por ajo ishte dëshmi e simpatisë së madhe që ne krijuam me vendimin tonë për t’i dalë zot Shqipërisë, për t’i dalë zot shqiptarëve.
Sot, Edi Rama, pasi në Bruksel i nxorën kartonin e zi, jo të kuq, të zi, pasi në Mynih ia përplasën derën tek fytyra dhe nuk shkoi dot, vendosi përsëri të ndryshojë ligjin, të votojë ligjin në parlament, me të cilin ai beson se do mund të vjedhë shqiptarët, ai dhe ministrat e tij, dhe drejtësia nuk do mund të veprojë mbi ta.
Do veprojë populli mbi ta.
Nuk ka gjë në botë të pengojë popullin shqiptar, opozitën shqiptare pa mbrojtur ligjin dhe Kushtetutën.
Edi Rama, yt atë, xhelati Kristaq Rama, daja yt, xhelati Spiro Koleka, 35 vite më parë bënin thirrje, tankeve studentëve.
Kurse ti pas 35 viteve, përdor mandatet e krimit si mburojë për të vjedhur shqiptarët.
Ata e bënin për pushtetin e tyre të krimit, ti e bën për pushtetin tënd të krimit.
Ata i përmbysëm, ty do të përmbysim.
Ata i zvarritëm, ty do të zvarrisim.
Po miq, ky mendon se mund të përvetësojë taksat tuaja, ky mendon se mund të përvetësojë pasuritë publike.
Ky mendon se do zbrazë Shqipërinë nga të rinjtë, se do të shkretojë Shqipërinë përfundimisht për parajsën e tij.
Edi Rama, i ke hesapet gabim, ke vjedhur shumë, por të garantoj ty dhe ministrat tu, se çdo pasuri që keni vënë, do t’u merret dhe për hundësh do u dalë. Në vite burgu do u kthehen.
Nuk ka më, ne jemi në shesh, ne jemi në rrugë, ne jemi në kryengritje paqësore, ne i dalim zot Shqipërisë, asnjë forcë në botë nuk na ndalon dot.
Duhet të përshëndes këtu Ilirin, të cilin snajper kriminel e gjuajti në ballë, dhe do e gjejmë atë, se po filmonte në protestë me telefonin e tij.
Përshëndes protestuesit e tjerë që morën plumba në kokë për protestën e tyre paqësore.
Unë i them Edi Ramës, kjo është kryengritje paqësore dhe kjo është zgjedhje, se në fakt ti meriton çdo variant.
Pa diskutim.
Ti nuk ke legjitimitet.
Ti je i paligjshëm, ti je një armik i egër dhe ne mund të jepnim ty çdo përgjigje.
Kryengritja paqësore është zgjidhja jonë, se atë duam ne, jo se na e imponon ti.
Por mos gabo se për çdo krim, për çdo cenim që do u bëhet protestuesve, personalisht do ketë vetëm një përgjegjës dhe ky do jetë Edvin Kristaq Rama.
Ky do jetë kryehajduti i Shqipërisë.
Ndaj dhe u thuaj atyre mercenarëve të mos qëllojnë mbi protestuesit se protestuesit do qëllojnë vetëm mbi ty.
Ti do jesh përgjegjësi numër një i çdo krimi të kryer.
Miq, 20 shkurti është dita e krenarisë tonë.
Dhe shkojmë më 20 shkurt më krenarë se asnjëherë.
Shkojmë më 20 shkurt kur ne u faktuam shqiptarëve dhe njerëzve liridashës në mbarë botën se ne nuk pajtohemi kurrë me një organizatë kriminale që kemi në krye.
Shkojmë më 20 shkurt në një kohë kur ne kemi marrë, të betuar, përsipër misionin e shpëtimit të Shqipërisë.
Ne shkojmë me 20 shkurt me një trashëgimi kur kemi kaluar mbi tanke, autoblinda dhe kemi zvarritur rrugëve të Tiranës kultin më të lig dhe më të keq, kultin e Enver Hoxhës që shqiptarët kanë njohur në histori.
Ndaj dhe ftoj çdo shqiptar më 20 shkurt në Tiranë, më 20 shkurt në ora 18:00, Tirana e tëra
derdhet në rrugët dhe bulevardet e saj.
Shqipëria në Tiranë, t’i dalim zot Shqipërisë, t’i kapim goditjet e merituara regjimit antishqiptar të Edi Ramës.
T’ia nxijmë çdo ditë gjer në largimin e tij.
Ne me asgjë nuk ndalemi.
Ne jemi njerëz të besojmë të vërtetën.
Ne jemi njerëz të idealeve të ndershme.
Ne jemi njerëz që duam këtë vend të jetë toka e bekuar e shqiptarëve.
Këta janë armiq pushtuesit më të egër që kemi njohur. Nuk na lidh asgjë me këta.
Këta kanë kryer krime të shëmtuara për të cilat duhet të shkojnë atje ku mbahen kriminelët dhe fajtorët.
20 shkurti është një thirrje për rininë shqiptare, nuk ka fat më të madh, nuk ka shans më të madh për një të ri se në rininë e tij të hidhet në betejë kundër të keqes më të madhe të kombit të tij.
Ndaj dhe i lini shkollat, lini çdo gjë, mbushni sheshin, të jetë Tirana juaj, e ardhmja juaj, Shqipëria në zemër, në besimin, në shpresën tuaj.
Edhe njëherë, mirënjohje të pakufishme për misionin që po kryeni, për sukseset që kemi arritur, dhe u garantoj se forcë në botë nuk na ndalon pa përmbysur këtë mision që kemi nisur.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.


