FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË BASHKËBISEDIMIN ME QYTETARËT NË RRJETET SOCIALE
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, zhvilloi një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale ditën e sotme, ku komentoi zhvillimet e fundit politike në vend, protestën e 10 shkurtit dhe paralajmëroi vijimin kryengritjes paqësore kundër qeverisë Rama.
Në hyrje të fjalës së tij, Berisha uroi qytetarët për Shën Valentinin, duke e quajtur dashurinë forcën më transformuese të individit. Më pas ai u ndal te protesta e 10 shkurtit, të cilën e konsideroi si kryengritjen paqësore më të fuqishme në historinë e Shqipërisë pas 20 shkurtit 1991. Sipas lideri demokrat, protesta pati jehonë të gjerë brenda dhe jashtë vendit dhe përcolli mesazhin e dinjitetit dhe shpresës së qytetarëve shqiptarë.
Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi se opozita është në “sintoni të plotë” me partnerët europianë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, por theksoi se ky proces duhet të bazohet në meritë dhe jo në mashtrim apo lobim korruptiv. Ai shtoi se Rama është përballur me presion ndërkombëtar dhe e interpretoi anulimin e pjesëmarrjes së tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih si shenjë izolimi politik.
Gjatë bashkëbisedimit, Berisha përsëriti akuzat ndaj qeverisë për manipulim zgjedhjesh, përdorim të administratës publike në fushata elektorale dhe shpërndarje përfitimesh financiare në prag zgjedhjesh. Ai deklaroi se me Edi Ramën zgjedhjet janë vetëm farsë, duke përmendur si shembuj faljen e gjobave, shpërndarjen e ndihmave financiare dhe përdorimin e burimeve shtetërore në fushata.
Në lidhje me reformën zgjedhore, lideri demokrat, Sali Berisha tha se opozita është angazhuar për një sistem me një zonë elektorale kombëtare, ku pesha e votës të jetë e barabartë për çdo qytetar, por shtoi se çdo ndryshim sistemi është i pamjaftueshëm nëse, sipas tij, nuk largohet kryeministri aktual.
Berisha foli edhe për ndalimin e disa të rinjve pas protestës së 10 shkurtit, duke akuzuar policinë për keqtrajtim dhe shkelje të procedurave ligjore. Ai përshëndeti lirimin e tyre nga gjykata dhe paralajmëroi se ligji do të veprojë ndaj atyre që kanë shkelur të drejtat e qytetarëve.
Një pjesë e diskutimit iu kushtua situatës në bujqësi. Kryedemokrati, Sali Berisha akuzoi qeverinë se ka lënë pas dore fermerët dhe se nisma e “Ballkanit të Hapur” ka krijuar konkurrencë të pabarabartë për prodhuesit vendas. Ai premtoi rikthimin e subvencioneve për njësi prodhimi, mbrojtje sezonale të produkteve bujqësore dhe politika që do ta rikthejnë Shqipërinë si “kopshti i Europës juglindore”.
Në fund të bashkëbisedimit, Berisha bëri thirrje për krijimin e një fronti të gjerë opozitar dhe për pjesëmarrje masive në protestën e paralajmëruar më 20 shkurt në Tiranë. Ai theksoi se kryengritja paqësore nuk ndalet dhe se asnjë formë proteste nuk përjashtohet, duke përfshirë edhe qëndrimin e zgjatur në shesh.
20 shkurti është një ditë për ndërgjegjen e çdo shqiptari”, u shpreh Berisha, duke shtuar se opozita synon largimin e qeverisë aktuale dhe garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në vend.

FJALA HYRËSE
Mirëdita, dhe nga zemra u uroj të gjithëve ju që ndiqni këtë bisedë në rrjetet e mia sociale, dhe të gjithë shqiptarëve, gëzuar Shën Valentinin, ditën e fuqisë magjike, ditën e dashurisë, fuqisë magjike të shpirtit, të mendjes dhe trupit të njeriut.
Ditën e forcës së përjetshme, më të fuqishme, më transformuese të individit.
Uroj të gjithë të rinjtë në veçanti, por edhe të gjithë shqiptarët këtë ditë pasi dashuria është e pashtershme, është forca e shpirtit.
Gëzuar!
Të dashur miq, java ishte java jonë.
Ishte java e qytetarëve.
Ishte java e opozitarëve.
10 shkurti, kryengritja paqësore më e fuqishme në historinë e Shqipërisë pas 20 shkurtit të vitit 1991, pati një jehonë të jashtëzakonshme në Shqipëri dhe në botë.
Ndaj dhe do të përsëris mirënjohjen time më të pakufishme për të gjithë ata që iu përgjigjën thirrjes së ndërgjegjes së tyre, që me 10 shkurt, në kryengritjen madhështore paqësore tronditën gjer në palcë narkoregjimin dhe përcollën në çdo zemër, në çdo vatër shqiptare, por edhe te gjithë miqtë e Shqipërisë dhe njerëzit liridashës në botë, mesazhin e shpresës, mesazhin e dinjitetit të qytetarëve shqiptarë përkundrejt lajmeve të zeza, përkundrejt qëndrimeve të turpshme të kreut të organizatës kriminale dhe qeveritarëve të tij këto muajt e fundit.
Unë mund të them se 10 shkurti ishte dita jo vetëm e guximit të madh, por edhe e dinjitetit të vërtetë të shqiptarëve.
Kreu i organizatës kriminale të narkoshtetit thirrej në Bruksel për t’i nxjerrë kartonin e zi, atë karton që meriton.
Për t’i dhënë ultimatumin, ose dorëzo Lubinë dhe eventualisht edhe veten tënde në prokurori dhe gjykatë, ose do përballesh me pasojat më të tmerrshme që ti nuk i imagjinon.
Por ne ishim në shesh për t’u thënë partnerëve tanë se ne jemi në shesh dhe në betejë pikërisht se organizata kriminale nuk ka asnjë legjitimitet.
Ajo i ka grabitur zgjedhjet dhe i ka shndërruar në farsë elektorale dhe ka grabitur dhe grabit miliarda euro nga taksat e shqiptarëve dhe pasuritë publike të shqiptarëve.
Pra, ne ishim në sintoni të plotë.
Dhe kjo ka një rëndësi të jashtëzakonshme sepse qëllimi ynë më madhor është integrimi i Shqipërisë në BE.
Natyrisht, ky integrim duhet të jetë i bazuar në meritë dhe jo në mashtrimin dhe falsitetin, dhe lobimet korruptive.
Por java pati edhe një zhvillim tjetër dramatik për organizatën kriminale me në krye Edi Ramën dhe vetë Edi Ramën.
U anulua shkuarja e tij në Mynih.
Mynihu është konferenca më e rëndësishme vjetore në botë që zhvillohet për sigurinë.
Në Mynih diskutohen çështjet më madhore të sigurisë në Europë dhe në botë.
Edi Rama nuk ishte i denjë për atë konferencë.
E vërteta është se delegacionin e nisi, por vetë nuk shkoi sot, i mbeti Dashi në dorë. Dash Sulën e kam fjalën.
Nuk shkoi sot.
Dhe kjo ishte një mbështetje e madhe për qytetarët shqiptarë, për Shqipërinë.
Kjo ishte, edhe njëherë dëshmi e një rrethi të kuq nga i cili Edi Rama nuk del dot kurrë.
Të dashur miq, fatet e Shqipërisë, të familjeve tona, të fëmijëve tanë, duhet dhe do të jenë në duart tona.
Ndaj dhe të vazhdojmë ne kryengritjen tonë paqësore, të sigurt se ecim drejt fitores.
Sapo mora lajmin se guximtarët e fundit u liruan nga gjykata.
Njëherë unë dua të përshëndes përzemërsisht grupin e superguximtarëve të rinjve, adoleshentëve, që u mbajtën në qelitë e zeza vetëm për shkak të moshës së tyre.
Edi Rama, për të tmerruar të rinjtë, kishte urdhëruar, donte me çdo kush të rinj që t’i torturonte në komisariate.
Të rinjtë që nuk kishin kryer absolutisht asnjë lloj akti dhune.
Të rinj, të cilët u morën, fotot që u paraqitën ishin krejtësisht tjetër për tjetër. Nuk u përkisnin atyre që ishin mbajtur.
Të rinj që u goditën në komisariat.
Të rinj tek të cilët u dërguan gjoja psikologë oficerë të maskuar policie që nuk ishin psikologë.
Të rinj që u pyetën pa avoketërit dhe pa prindërit e tyre, duke shkelur çdo ligj, duke treguar se komisariatet, ka prej këtyre oficerëve të policisë që i shndërrojnë në strofulla bandash.
Por at qëndruan të pamposhtur dhe ata dolën dje.
Garantoj se ligji do jetë shumë i rreptë me të gjithë ata që keqtrajtuan.
Me të gjithë ata që morën njerëz të pafajshëm në komisariate.
Dënoj me forcën më të madhe aktin kriminal, vrastar të Sokol Bizhgës, Ilirian Prodës, këtyre banditëve me uniformë, të cilët prej kohësh duhet të ishin në burg për krimet që kanë kryer.
Ata urdhëruan qëllimin me snajper në kokë, në ballë, pas veshi, të tre protestuesve paqësorë dhe të një zonje në krah.
Unë i them Sokol Bizhgës dhe Ilirian Prodës, do jeni përgjegjës për plumbat që lëshoni ndaj njerëzve të pafajshëm.
Nuk u ndahemi kurrë.
Ligji do veprojë mbi ju.
Banditë të turpshëm që zbatoni urdhrat e një kryetari të një organizate kriminale siç është Edi Rama.
Asgjë nuk do na ndalë ne në rrugën tonë.
Tani unë mbetem i hapur për çdo pyetje, por javën tjetër edhe më të mirë do ta kemi.
Në jemi në rrugën e drejtë.
Ne mbrojmë një kauzë të drejtë.
PYETJE-PËRGJIGJE
Rina Terolli: Doktor, përshëndetje, jetoj në Gjermani. Këtu të gjithë mediat flasin për protesta kundër korrupsionit, vetëm qeveria shqiptare flet për dhunë ndaj policisë. Si mund të ndodhë kjo?
Sali Berisha: Sepse qeveria shqiptare është një organizatë kriminale. U garantoj se është strikt një organizatë kriminale, e denoncuar me kohë kjo.
Por gradualisht edhe partnerët tanë në Gjermani dhe në vendet anëtare të BE po e kuptojnë këtë.
Kreu i organizatës kriminale ka marrë përsipër t’u japë leksione në të drejtën kushtetuese, në të drejtën penale partnerëve tanë, dhe u thotë se pezullimi është një akt i ministrit apo qoftë dhe i kryeministrit, apo qoftë edhe i presidentit, qenka një akt antikushtetues, që nuk mund të ndodhë sepse shuhet institucioni. E kuptoni ju se ç’do të thotë, që institucioni identifikohet me personin dhe personifikohet me individin?
Nuk ka koncept më banal, më diktatorial se ky.
Dhe ky që thotë këto, që thotë se shuhet institucioni, ky para tre vitesh ndërmori shkarkimin e Ilir Metës, atëherë nuk kishte institucione po të shkarkohej Ilir Meta.
Këta shkarkojnë çdo ligj dhe Kushtetutë.
Ligjet dhe Kushtetuta përcaktojnë qartë, ikën kryeministri, detyrën e merr zëvendëskryeministri. Ikën ministri, detyrën e merr zëvendësministri. Ikën presidenti, e merr detyrën kryetari i parlamentit me Kushtetutë për 6 muaj.
Po këta nuk kanë asnjë lloj norme, standardi moral përveçse o burra të mbrojmë me çdo kusht plaçkën dhe vjedhjet që bëjnë.
Megi Zoga: A mendoni se kjo protestë arriti të krijojë jehonë reale ndërkombëtare, në çfarë forme?
Sali Berisha: Mendoj se kjo protestë vërtetë krijoi në kohë reale, një përshtypje jashtëzakonisht pozitive për shqiptarët. Sepse, e nderuar Megi, ndërkohë që vende të tjera dëgjojnë se kryeministri refuzon ti heqë imunitetin zv/kryeministren të akuzuar për vjedhje të miliarda eurove.
Në një kohë kur vendet partnere dëgjojnë zyrtarët e këtyre vendeve dhe popujt dëgjojnë se Gjykata Kushtetuese e zvarrit atë muaj e muaj dhe përpjekjet e kryeministrit për ta shndërruar atë në një strehë hajdutësh.
Në një kohë kur refuzon t’i heqë në parlament imunitetin, ne faktikisht ne ngjasojmë, jo Afrikë më, por ngjasojmë me një shtet që nuk ekziston kund sot në asnjë vend.
Ne dalim më të përçudnuarit. Kështu që ngritja si vigan e qytetarëve shqiptarë çon mesazhin më të mirë, më të shkëlqyer.
Ju e patë, Edi Rama nuk shkoi dot në Mynih. Edi Rama u thirr me urgjencë në Bruksel.
Imagjinoni ju nëse ne nuk do të ndiheshim, do të kishin të drejtë të mendonin se këta shqiptarët të gjithë janë njëlloj. Por ja që, nuk jemi njëlloj.
Janë një grup hajdutësh, kriminelësh, për të cilët nuk ekziston ligji dhe Kushtetuta.
Të cilët duan të mbrojnë me çdo kusht, plaçkën e tyre të vjedhur.
Kurse janë të tjerë që duan të zbatohet ligji, Kushtetuta, të ndëshkohen ata që kanë shkelur ligjin, që kanë vjedhur, dhe kjo do të ndodhë.
Benard Hoxha: Doktor, përshëndetje. Jam Benard Hoxha, banor i 5 Majit, që i është shembur shtëpia para 4 vitesh. Jemi takuar bashkë, nuk kemi bërë asnjë marrëveshje me qeverinë pasi kontrata thotë se duhet të dhurojmë pronën. Çfarë duhet të bëjmë ne se njerëz të lidhur me pushtetin na bëjnë presione për të firmosur. Ne nuk do firmosim kurrë, sepse siç nuk pranuan gjyshërit e mi të nënshtroheshin ndaj diktaturës komuniste deri kur i vranë, as ne nuk do të nënshtrohemi. Dua të di se çfarë do bësh ti me ne?
Sali Berisha: Njëherë në radhë të parë gjej rastin t’u shpreh nderimin më të madh ju, qytetarëve guximtarë, që me aq vendosmëri, mbrojtët pronën, rendin dhe ligjin dhe u garantoj se çdo detyrim ligjor ndaj jush do të përmbushet me përparësi absolute nga qeveria e PD dhe do ndëshkohen të gjithë ata të cilët kanë shkelmuar ligjet dhe interesat tuaja ligjore.
Kjo është përgjigjja ime.
Malëshova: Janë ndërruar shefi i kabinetet dhe sekretari i Përgjithshëm në kryeministri. A mendoni se janë lëvizje administrative, apo bashkëpunëtorët po dorëzohen?
Sali Berisha: Ata kanë kryer krime të dy.
Ju duhet ta dini se Don Agaçio ‘dhuratë madhi’ është një nga koskat mafioze më të rrezikshme të Ballkanit, me veprimtari mafioze kundër Shqipërisë, shqiptarëve dhe kundër italianëve dhe shtetit italian.
Unë kam besim të madh se në të dy vendet, ky mafioz do të bëhet përgjegjës para ligjit.
Kurse për Vali Bizhgën, mund të them se, si kurrë ndonjëherë në zyrën e saj, natyrisht me autorizimi ne Ramës, por ajo nuk duhej ta pranonte kurrë, se shefja e kabinetit i ka të qartë detyrat e veta, bëheshin pazare për bajpasin e Fierit, të cilat unë i kam denoncuar me kohë.
Thirreshin kompanitë nga Vali Bizhga, sikur të ishte shefe e supervizionit të punimeve.
Pra të dy, janë minjtë që ikin kur mbytet anija për të mos u mbytur dhe vetë. Por ligji do të jetë i pamëshirë dhe ndaj tyre.
Petrit Matija: A duhet që në datën 20 shkurt të mos largohemi nga sheshi për ta rrëzuar narkoshtetin?
Sali Berisha: Të falënderoj shumë për propozimin.
Ne kryengritjen nuk e ndërpresim kurrë pa rrëzuar narkoshtetin. Dhe ideja juaj që mos largimi nga sheshi për rrëzimin e narkoshtetit, është absolutisht ideja më e drejtë.
Në momentin më të parë që qytetarët të vendosin gjerësisht në këtë drejtim, ajo do të jetë dhe faza përfundimtare e fitores sonë.
Agron Molla: Doktor, të përshëndesim, disa anëtarë të PD janë bërë pjesë e administratës së Ramës dhe e kanë emrin tek lista e anëtarësisë dhe kanë të drejtë të votojnë. Një fjalë e vjetër thotë më mirë djepi i thatë se dreqi në djep…
Sali Berisha: Agron, ke shtruar një çështje të rëndësishme. Në vlerësimin tim, ata që punojnë në administratën e Edi Ramës, të drejtën e votës nuk duhet ta kenë.
Por përcaktimet statutore janë përcaktime statutore, ndaj dhe një përgjigje arbitrare nuk mund të jap tani para jush.
Por ky është mendimi im.
Muharrem Kurti: Doktor, përshëndetje, deri kur Rama do të mbrojë Lubinë? E para. Dhe e dyta, Ramziu, a e kalon oqeanin më 19 shkurt?
Sali Berisha: E vërteta është që ky nuk mbron Lubinë, ky mbron veten e tij. Se për Lubinë ky, në mesnatë, vaj të nxehtë apo plumb të shkrirë, do ia kishte hedhur në vesh. Siç thotë populli, se unë natyrisht jam kundër tyre, por këta nuk kanë mëshirë.
Pra do e kishte eliminuar, e kam fjalën këtu.
Mos kujtoni, se i përhap lajmet, por nuk po hyj tani në gosipin popullor se çfarë thotë, pra ai nuk po mbron Lubinë, por po mbron veten e tij, sepse në çdo firmë të Lubisë është firma e Edi Ramës dhe e di fare mirë që ai e ndjek mbrapa, se edhe ajo i ka thënë të marr.
Prandaj po bën ligjin tani që kryeministri nuk mund të pezullohet. Kjo tregon se ku e ka lepurin ai.
Kështu që Edi Rama, do përpiqet të kalojë ligjin në parlament dhe do ta lëshojë Lubinë.
Tani, lidhur me udhëtimet e tij. Tani të them unë, e thashë edhe kur shkoi në Bruksel, Edi Rama kudo që të hyjë, kudo që të dalë, hyn dhe del si kryetari i një organizate kriminale.
Duhet të kuptojmë që në nismën e Bordit të Paqes është e ftuar Shqipëria, dhe Shqipëria për fatin e saj më të keq, ka në krye një njeri si ky.
A mund të shkojë Haram Begaj? Nuk e lë ky Haram Begajn të shkojë, ndaj edhe mund të shkojë në atë takim, por shkon hajdut dhe kthehet hajdut.
Shqiponjat e reja: Përshëndetje Doktor, a nuk do të ishte më e udhës të bëheshin protesta paqësore informuese në aeroport, port dhe rrugët kryesore?
Sali Berisha: Mendim i drejtë, edhe mund t’i bëjmë, janë në konsideratë. Unë të falënderoj për sugjerimin. Qëndron kjo.
Ne jemi në betejë, jemi në kryengritje paqësore dhe kjo ka shumë forma.
Ne nuk ndalemi në këtë betejë.
Sergi Qama: Meqenëse bujqësia është një fushë ku jam diplomuar dhe specializuar dhe në një kohë kur klasë politike, fermeri çdo ditë e më shumë po sulmohet dhe po përballet me vështirësi. Në kushtet kur bujqësia shqiptare po has rritje të kostove të prodhimit dhe mungesë subvencionesh konkurrese me rajonin, cili është plani i juaj konkret për të garantuar rritje të qëndrueshme të prodhimit vendas dhe për të forcuar sigurinë ushqimore kombëtare?
Sali Berisha: Ju falënderoj dhe përshëndes të gjithë atë të cilët janë shkolluar për këtë fushë dhe të githë fermerët.
Mund të them se vitet e kësaj qeverisje ishin vitet e goditjeve më të rënda të fermerëve dhe fermës në Shqipëri.
Ishin vitet në të cilët prodhimi bujqësor është në recesion. Fshati shqiptar u braktis më shumë se kurrë në histori. Çmimet e prodhimeve bujqësore u rritën për shkak të importeve më shumë se asnjëherë. Dhe ajo që quhet ‘colpo di gracia’ goditja e mëshirës ndaj bujqësisë shqiptare, është akti i tradhtisë më të madhe kombëtare që Edi Rama ka kryer ndonjëherë, Ballkani i Hapur.
I dashur mik, me Ballkanin e Hapur, Edi Rama detyroi fermerët shqiptarë të përballen me konkurrencën më të pandershme në Europë dhe ndofta në botë.
Të përballet me fermerin serb, i cili jo me akumulim, por në kohë reale ka subvencione minimumi 7 herë më shumë se fermeri shqiptar.
Po t’i marrësh, të shtrira në kohë, subvencionet e fermerëve serbë janë dhjetëra herë më të mëdha se të fermerëve shqiptarë.
Edi Rama hapi dyert pa asnjë kufizim, akt që nuk e bën askush në Europë, as në BE. Edhe në BE, në komunitetin e tregtisë së lirë, funksionojnë kuotat, funksionojnë norma.
Kurse Edi Rama hapi dyert e doganave për prodhimet serbe dhe shkaktoi asfiksinë, falimentimin e qindra mijëra fermave shqiptare.
Ka vendosur një sistem fiskal, me të cilin godet prodhimin vendas dhe favorizon importin për përpunuesit.
Nëqoftëse më parë grantet u jepeshin për sipërfaqe të mbjella për njësi prodhimi fermerëve, sot ato shpërndahen patronazhistëve për votat.
Gjithçka do të përmbyset. U garantoj se për ne, Shqipëria, bujqësia, blegtoria, pemëtaria në Shqipëri, janë jashtëzakonisht të rëndësishme.
Janë të rëndësishme sepse janë mirëqenie, janë krijim të mirash, janë përmirësim jete. Kanë ndikim të madh në jetën e gjithë shoqërisë. Jo vetëm në fshat.
Ndaj dhe ne rikthehemi subvencioneve për çdo njësi prodhimi. Ndaj dhe ne u rikthehemi politikave të Shqipërisë, kopësht i Europës juglindore siç e quajti Faik Konica për herë të parë.
Projekteve tona me ullinjtë, arrorët dhe drurët e tjerë frutorë, ndaj dhe ne u kthehemi subvencioneve për përpunimin e prodhimeve bujqësore. Mbrojtjes së prodhimeve të Shqipërisë. Mbrojtje sezonale siç e kemi bërë dhe siç e bën çdo vend.
Ju rikthehemi kontrollit të rreptë të të gjitha imputeve që përdoren në bujqësi. Pra ne do të kemi një përparësi të madhe bujqësinë, blegtorinë, pemtarinë në tërësi si një sektor shumë i rëndësishëm për vendin tonë.
Vehbi Zeneli: Doktor, sa transparent dhe konkret do të jetë kodi zgjedhor dhe reforma zgjedhore nga PD sepse deri tani ka qenë i përdhosur nga Rama dhe Kimetja. Sa serioz do të jeni Doktor që shqiptarët të zgjedhin dhe jo të votojnë thjeshtë?
Sali Berisha: Forumi i intelektualëve që mblodhi forcat politike dy ditë më parë, paraqiti një dokument, të cilin ne e firmosëm dhe të gjitha forcat politike opozitare u angazhuan për Shqipërinë një zonë elektorale, ku pesha e votës të qytetarit bëhet e barabartë në të gjithë territorin dhe për çdo qytetar.
Por, thënë kjo, ju lutem edhe njëherë, të mos harrojmë se absolutisht përsëri, me Edi Ramën zgjedhjet do jenë farsë dhe vetëm farsë.
Kërkoj mirëkuptimin tuaj pse më duhet të përsëris, vota, në rast se ti si qeveri organizon për të ndikuar tek zgjedhësit, në periudhën elektorale që nuk lejohet me ligji, 4530 aktivitete me salltanete dhe pompoze, ti ndikon në mënyrë të paligjshme mbi votën.
Në rast se ti arreston në vitin elektoral kryetarët e dy forcave kryesore opozitare dhe të forcës së tretë e çon në ndjekje penale, ti dekapiton udhëheqjen e opozitës dhe do me çdo kusht të plaçkitësh zgjedhjet.
Në rast se ti, dy ditë para zgjedhjeve, fal gjoba dhe kamata të 10 viteve të fundit, të cilat në total arrinin 2 miliardë euro dhe u interesonin 210 mijë familjeve, nga të cilat 84 mijë biznese aktive, ti faktikisht shkatërron votën dhe zgjedhjet.
Në rast se ti si kryeministër, shpërndan në mes të fushatës 100 euro për çdo pensionist, duke shkelur ligje dhe parime ndërkombëtare, ti faktikisht blen vota.
Në rast se ti organizon kartelet e drogës dhe deputetët e tyre si Arkend Balla, Sara Mila, Ami Dyrmishi, etj, dalin më të votuarit, anonimë që nuk i njeh askush, asgjë nuk i shpëton zgjedhjet pa degraduar në një farsë elektorale.
Në rast se qeveria autorizon mbjelljen e 29 mijë hektarëve kanabis nga 200 hektarë që ka ligji, zgjedhjet, vota vdes pa hyrë në kuti.
Ka edhe shumë faktorë.
Në rast se qeveria shndërron qindra mijëra punonjës të administratës në operatorë elektoralë, zgjedhje nuk ka, ka farsë elektorale.
Është jashtëzakonisht e rëndësishme që çdo qytetar ta kuptojë se zgjedhjet me Edi Ramën janë vetëm një iluzion.
Cilido që të jetë sistemi, cilido që të jetë ndryshimi, shqiptarët me Edi Ramën nuk do votojnë kurrë të lirë.
Dhe cilido që dëshiron të votojë dhe vota e tij të ketë peshën që meriton, duhet me guxim, me trimëri dhe vendosmëri, të angazhohet të largojmë Edi Ramën.
Unë nuk them se zgjedhjet kanë qenë të përsosura, por zgjedhjet që Edi Rama i kundërshtoi më shumë, ato të vitit 2009, është e shkruar në raport se plotësuan standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve.
Është e shkruar se kryeministri i Shqipërisë, tre muaj para zgjedhjeve, miratoi një vendim ku përjashtohej përdorimi i çdo burimi shtetëror për të ndikuar në zgjedhje.
Dhe thotë se kryeministri e zbatoi pikë për pikë këtë vendim.
Pra, vërtet sistemi e ka një peshë, por e ka krahasimisht shumë më të vogël se të gjithë këta faktorë.
Prandaj të bashkohemi, e kemi nisur mirë, jemi në rrugë të drejtë, të largojmë këtë kriminel të votës së lirë, këtë armik të qenies së shqiptarëve, të lirive të shqiptarëve, të votës së shqiptarëve.
Ne, kauzën e mbrojtëm me vendosmëri.
Por tani duhet t’i japim shtytjen e fundit, duhet të fitojmë.
Lorenc Hoxha: Po me demokratët e Lulzim Bashës, Ervin Salianjit, do të përjashtohen apo do të lejohen të votohen në parti?
Sali Berisha: Natyrisht, ne kaluam në proces, siç e dini ju, dhe ky proces u zhvillua me një moto: Për një PD më të hapur, më të fortë, më të bashkuar. Kjo ishte motoja jonë.
Unë nuk dua të harxhoj kohën e atyre që na ndjekin, por kjo moto ishte e domosdoshme sepse ajo që ndodhi me ne, sigurisht krijoi një përçarje dhe mendoj se ky proces u finalizua. Mendoj se demokratët u bashkuan. Por përsëri mbi bazën e kontributit që kanë unë nuk ja mohoj asnjeriu.
Nuk bëhet fjalë këtu për Bashën dhe pasaardhësin e tij Salianji. Për këta nuk mund të bëhet fjalë se, këta janë fatkëqinj. Njerëz të përdorur në shkallë ekstreme nga Edi Rama.
Mund të thuash janë deshër të errësirës. E patë se çfarë bëri Dash Sula.
Këta janë një lloj Dash Sule me petkun e demokratit. Nuk kanë asgjë të përbashkët me PD-në, as njëri as tjetri.
Besnik Ala: Pas Davosit edhe Mynihu ia plasi derën në fytyrë Ramaduros. A mendoni që tani është detyra ynë si opozitë të bashkohemi dhe t’i japim goditjen përfundimtare?
Sali Berisha: Mendimi yt është shumë i drejtë. Kjo është një thirrje për të gjithë shqiptarët. Para se të vija këtu, po lexoja një lajm, BE riktheu vizat për të gjithë punonjësit, diplomatët, zyrtarët e Gjeorgjisë si një goditje që i dha autokracisë elektorale gjeorgjiane. Unë e përshëndeta këtë vendim.
Pse? Se edhe ata kishin bërë ligje, njërin e quanin ligji i transparencës, siç do të bëjë Edi Rama ligjin e mbrojtjes së kryeministrit, presidentit, thonë se po fut edhe guvernatorin sa për maskë në mënyrë që të mos mund të pezullohet.
Çdo shqiptar duhet ta kuptojë. Koha e thërret që të bashkohemi në një front të vërtetë dhe t’i japim duart kësaj të keqe kaq të madhe, e cila nuk është kuptuar akoma nga shqiptarët se sa e madhe është dhe se çfarë dëmesh të jashtëzakonshme i ka bërë Shqipërisë.
Megjithatë, ne nuk duhet të biem në dëshpërim, por duhet të bëjmë gjithçka që ta largojmë.
Gjon Lajthia: Doktor, çfarë duhet të bëjmë me ish-deputetët, ish-kryebashkiakët, ish-kryetarët e qarqeve dhe ish-prefektët që nuk angazhohen tek PD apo në protestë? Janë njerëzit që PD i ka shpërblyer.
Sali Berisha: Ata, të cilët nuk angazhohen në protestë dhe janë shpërblyer nga PD, ata e kanë haram me shprehjen popullore qumështin e nënës së tyre.
Se nuk i lind nëna për të kryer akte të tilla ndaj demokratëve dhe ndaj PD dhe opozitës.
Kaq mund të them për ta.
Gjergji Grabocka: Për një investim publik ka një manual shtetërorë të çmimeve për llogaritjen e fondit limit. Këto çmime stratosferike rrugësh janë bërë duke shkelur manualet, apo këta hajdutë kanë ndryshuar manualet siç duan vetë me ligj?
Sali Berisha: Pyetje jashtëzakonisht e drejtë. Në qoftë se manualet do të ishin respektuar, duhej që çmimi i ndërtimit të rrugëve, në përputhje me rritjen e çmimit të të gjitha materialeve të përdorura, në përputhje rritjen e rrogave, në përputhje rritjen e çmimit të naftës dhe të gjitha këto, duhet të ishin jo më shumë se 35% më shtrenjtë se sa rrugët që u ndërtuan para vitit 2013, në një kohë kur janë absolutisht 500 gjer në 1200 përqind më shtrenjtë se sa rrugët e ndërtuara para vitit 2013.
Po marr të fundit, loti i tretë i rrugës Qukës-Qafë Plloçë, pa asnjë urë, pa asnjë tunel, 9 km rrugë kushtoi 9 milionë euro kilometrin. Kushtoi aq sa kushtuar kilometri në mesatare i Rrugës së Kombit me dhjetëra ura e tunele dhe 27 metra e gjerë, kundrejt 11 metrave që është rruga Qukës-Qafë Plloçë.
Këta janë sjellë si barbarë në trajtimin e sigurisë publike. Nuk kanë të ngopur.
Hajduti nuk ngopet kurrë sa më shumë vjedh, aq më shumë do të vjedhë. Këta janë, kështu mund ti kuptoni këta qeveritarë.
Urdhëroni, loti 9 milionë. Kush e bëri këtë? E bëri ndërtuesi i pallatit të Linda Ramës, pallatit në pajë. Sako 2T. Sako 2T që e ndërtoi pallatin nga themelet gjer në tjegulla dhe e rregjistroi me kompaninë e vet dhe ja dha në pajë bashkëshortes së Edi Ramës, ai merr rrugën Qukës-Qafë Plloçë. Dhe çmimi nga 73 milionë që ishte prokuruar me çelësa në dorë, shkoi në 330 mln dhe disa thonë edhe 400 milionë, por duhet ta vërtetoj, vetëm e vetëm se ishte Sakoja dhe ndante paratë me Edi Ramën.
Nuk kanë asnjë kriter, asnjë normë përveç të vjedhim sa më shumë.
Habere Rrogozhine. A do të ketë zgjedhje të parakohshme në Rrogozhinë?
Sali Berisha: Ligji përcakton se duhet të ketë patjetër. Por natyrisht Ramaduro me Haramin, ligjin nuk e kanë për asgjë.
Thanas Goxhi: Doktor, mendoj se duhet të jemi më të kujdesshëm në menaxhimin e situatave. Kjo qeveri çfarë nuk bën dhe jeta e njeriut është shumë e shenjtë.
Sali Berisha: I dashur Thanas, jam absolutisht i bindur dhe dakord 100%, ndaj dhe unë kam shpallur kryengritje paqësore dhe unë i besoj.
I besoj thellësisht fitores me kryengritje paqësore.
Por, fakti që Edi Rama kërkon me çdo kusht gjak, kjo nuk do të thotë se ne do ndërpresim kryengritjen paqësore.
Ilir Tusha është i filmuar, nuk po bënte asgjë tjetër, vetëm po bënte video me telefonin e tij kur snajperi i merr nishan lulen e ballit me plumb gome, të cilët, çdo shqiptar të lexojë, plumbi i gomës shpon kafkën. Jo në çdo rast, por në shumicën e rasteve.
Ky ka dashur të ekzekutojë tre protestues.
Tani më duhet t’i them se në mënyrë absolute me një snajper dhe as më 100 snajperë, me një tank dhe as më 100 tanke, nuk do të mund të mposhtë dot kryengritjen tonë paqësore.
Unë prapë u them shqiptarëve se pikërisht në këtë mënyrë do të fitojmë.
I them Edi Ramës, i them rrugaçit në krye të policisë, një banditi që e ka vendin në burg, shërbëtorit të ulët të Suel Çelës dhe të Elvis Doçit, nuk do të gjesh vend ku të futesh, ligji do të ndjekë gjer në fund ty Ilir Proda që gjuan protestuesit paqësor.
Nuk u gjet rastësisht Ilir Tusha, sepse ai është në çdo protestë i pranishëm dhe është bërë tmerr për ta.
Por kjo nuk do të thotë se ne do tërhiqemi, përkundrazi ne do të vazhdojmë gjer në fitoren tonë. Natyrisht, ne vazhdojmë kryengritjen paqësore.
Hedhin lëndë piroteknike, policia hodhi lëndë piroteknike ndaj nesh në turpin më të madh.
Policia hodhi lëndën piroteknike ndaj kameramanit të Neës24 dhe Sokol Balla, që këtej hiqet i divorcuar, politikisht rri i martuar me Belindën, merr dhe çon mediat para gjykatës për të protestuar se u gjuajt kameramani.
Kameramani vetëdeklaronte se nuk më kanë gjuajtur protestuesit, më ka ardhur nga policia lënda piroteknike.
Dhe e faktuam ne këtë.
Është bindja ime se do jetë lëndë paqësore, sepse jam i sigurt se kjo është rruga e fitores.
Leonard Mero: Kam 28 vjet në opozitë në pushtetin vendor dhe nuk kam dalë nga rreshti. Pse Dash Sula me 10 muaj del nga rreshti?
Sali Berisha: Sepse ka haram qumështin e nënës së tij.
Sepse ka zero karakter. Dhe unë të falënderoj shumë dhe të përshëndes shumë përzemërsisht ju si qëndrestarë.
Ne jemi në kushtet më të vështira. Ke qëndruar në kushtet e një diskriminimi të pashembullt, të një presioni, të një shtypje nga narkoshteti dhe organizata kriminale.
Nga terrori psikologjik i banalistëve të cilët janë një llum njerëzor që nuk kanë as moral, as dinjitet. Që përpiqen nga mëngjesi gjer në darkë të ju mashtrojnë ju.
Karikatura njerëzore të cilët mbahen, ushqehen me paratë e taksave tuaja dhe janë bërë milionëre me vila e pasuri, duke u mashtruar ju, duke shpifur, duke sulmuar opozitën.
E patë se çfarë bëri, organizonte dje protestën sikur ne paskemi goditur kameramanin.
Ti dëgjosh të tjerët se ç’po thonë tani.
Dëgjoi, se agjenturat e huaja duan të rrëzojnë Edi Ramën. Mirëpo ka një gjë të bukur kësaj here. Kësaj here nuk thonë dot Beogradi, siç thoshin paraardhësit e tyre, se ky e ka vëlla Vuçiçin dhe nuk guxon të thotë që, Vuçiçi po do të rrëzojë Ramën, por agjenturat e huaja thonë.
Apo tjetër, thonë se institucionet shuhen, ka të drejtë Rama, duhet ligji. Se po iki Lubia shuhet institucioni, se po ikur Rama shuhet institucioni.
Këta janë primitivë ekstremë dhe tregojnë se cila është mendësia e tyre e ulët për shtetin privat. Shteti sipas tyre është pronë e tyre, pronë e këtyre hajdutëve.
Por ne jemi të tjerë dhe do t’ua tregojmë se nuk është kështu, kurrë.
Agron Kolthi: A duhet që një front opozitar gjithëpërfshirës të dalë në një tryezë të përbashkët që me datën 20 shkurt në protestën e radhës të jetë më radikale dhe më qëndrestare, ndoshta edhe me qëndrimin në shesh për ditë të tëra deri në largimin e Ramaduros?
Sali Berisha: Agron, të falënderoj shumë njëherë për kontributin tënd dhe për përpjekjet që ti bën.
Jam absolutisht dakord me ty.
Çdo shqiptar duhet ta ketë të qartë se krijimi i një fronti të gjerë është thirrje kohe, është thirrje ndërgjegje dhe nuk duhet askush ta shmangë. Të largojmë këtë të keqe.
Natyrisht asnjë formë nuk përjashtohet dhe aty do arrihet.
Kryengritja paqësore nuk ndalet më.
Ka mendime nga më të ndryshme për format dhe variantet, po studiohet dhe do vendoset për to.
Por unë të falënderoj për punën dhe përpjekjen e sinqertë që ti bën.
Aleks Kapllaj: Dua t’ju falënderoj se jeni në rrugën e duhur për të mposhtur regjimin e organizatës kriminale mafioze, siç e quan Arben Ahmetaj qeverinë e Edi Ramës. Protestat e opozitës po transmentohen në të gjitha mediat ndërkombëtare. Tashmë Rama është i izoluar, moralisht Rama është një problem për të gjithë kryeministrat që e takojnë. Ju falënderoj, të gjithë të bashkuar mund ta largojmë qeverinë antikombëtare të Edi Ramës.
Sali Berisha: Ju siguroj se për çdo shqiptar, është një mision i madh. Unë mirëkuptoj hezitimet, mirëkuptoj edhe dëshpërimin, por nga ana tjetër i garantoj shqiptarët se nuk ka rrugë tjetër përveç se të marrin në dorë fatin e tyre dhe të vendit të tyre, për të shpëtuar nga kjo e keqe shumë e madhe.
Koha do të provojë dhe nuk dua të bëj profetin, por koha do të provojë se qytetarët shqiptarë, në tërësi, jo të gjithë nuk kanë qenë të vetëdijshëm për masat e mëdha të plaçkitjeve dhe krimeve të kësaj organizate kriminale.
Në qoftë se regjimi i parë, diktatura totalitare që përmbysëm, ishte më gjakësorja, më mizorja në Europë, diktatura autoritare që kemi sot është diktatura më kleptokratike në Europë dhe botë.
Janë shkaku në themel i dramës demografike më të madhe ndofta pas mortajës së zezë në vitet 1300.
Aleks, sot në Shqipëri lindin më pak fëmijë se në vitin 1930.
Sot në Shqipëri lindin 74% më pak se fëmijë se sa në vitin 1991.
Sot të rinjtë shqiptarë largohen nga vendi 5 herë më shumë se sa të rintjë e vendeve përreth.
Në qoftë se kemi qenë ndonjëherë para alternativës të jemi apo të mos jemi, jemi sot para kësaj alternative.
Ndaj dhe unë i ftoj qytetarët shqiptarë të bashkohemi, të ndahemi me këtë të keqe të madhe, shumë të madhe.
Ky është një vend i bekuar, me pasuri përrallore, vendi i njerëzve që punojnë, vendi i potencialeve të mëdha.
Këtë vend e katandisi në këtë gjendje, trajtimi i pasurive dhe qytetarëve të saj si në një regjim kolonial.
Kurrë serbët nuk arritën të shpërngulin në 10 vite nga Kosova, sa arriti Edi Rama të shpërngulë nga Shqipëria. Kurrë!
Ne mbajmë në memorie Çubrilloviçin, armikun e egër, racistin e tërbuar antishqiptar për platformën e tij. Por e vërtata është kjo, që duke përdorur pothuajse politika identike me Çubrilloviçin, Edi Rama dyfishoi largimin e shqiptarëve nga Shqipëria, në raport me atë të Çubrilloviçit nga Kosova.
Ndaj dhe 20 shkurti është një ditë për çdo qytetar shqiptar. Është një ditë për ndërgjegjen e çdo shqiptari, është një ditë për guximin e tij.
Është një ditë shprese.
Në qoftë se shohim, çfarë ishte 10 shkurti? Ishte disa e shpresës së shqiptarëve. Ishte dita që tregoi se, shqiptarët përcollën në mbarë botën revoltën e tyre, vendosmërinë e tyre për të mos u pajtuar me regjimin e tyre.
Ndaj ju ftoj në 20 shkurt, të gjithë në Tiranë në rrugët dhe sheshet e saj.
Faleminderit!


