FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË CEREMONINË PËRKUJTIMORE TË 2 PRILLIT, SHKODËR
ESKTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të 35-vjetorit të ngjarjeve të 2 prillit 1991 në Shkodër, ku u përkujtuan katër të rinjtë e vrarë gjatë protestave kundër regjimit komunist.
Në fjalën e tij, Berisha nderoi Arben Brocin, Bujar Bishanakun, Nazmi Kryeziun dhe Besnik Cekën, si martirë të votës së lirë dhe figura kyçe në rrugën e Shqipërisë drejt pluralizmit politik. Ai theksoi se sakrifica e tyre kontribuoi në rrëzimin e diktaturës dhe në hapjen e rrugës për zgjedhje të lira dhe demokraci në vend.
Berisha rikujtoi se protestat e 2 prillit shpërthyen pas zgjedhjeve të para pluraliste, të cilat ai i cilësoi si farsë elektorale, ndërsa akuzoi regjimin e kohës për përdorimin e dhunës ndaj qytetarëve paqësorë. Lideri demokrat theksoi se ngjarja pati jehonë të gjerë ndërkombëtare dhe nxiti reagime në institucione si Kongresi amerikan dhe organizmat europiane, në mbështetje të shqiptarëve që kërkonin liri.
Në vijim, kryetari i PD e zhvendosi fokusin tek situata aktuale politike në vend, duke drejtuar akuza të forta ndaj kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij. Ai e akuzoi Ramën për korrupsion, përqendrim të pushtetit dhe deformim të procesit zgjedhor, duke pretenduar se vota e lirë mbetet e rrezikuar.
Berisha përmendi një sërë çështjesh që lidhen me abuzimin me fondet publike dhe mungesën e transparencës, ndërsa kritikoi edhe fenomenin e emigracionit, duke e cilësuar si pasojë të keqqeverisjes dhe mungesës së perspektivës për të rinjtë.
Në përfundim të fjalës së tij, Berisha bëri thirrje për mobilizim qytetar dhe reagim paqësor për rikthimin e standardeve demokratike, duke theksuar se Partia Demokratike e konsideron këtë si misionin e saj kryesor. Kryedemokrati u shpreh se kujtimi i martirëve të 2 prillit mbetet frymëzim për përpjekjet në mbrojtje të lirisë dhe votës së lirë në Shqipëri.

FJALA E PLOTË
Të dashur familjarë dhe familjare të martirëve të 2 Prillit.
Të dashur deputete e deputetë të Shkodrës, drejtues të PD.
Të dashur qytetare e qytetarë të këtij qyteti të bekuar, të pranishëm sot në këtë ceremoni dhe kudo që jeni sot.
Sot, në 35-vjetorin e martirizimit me 2 prill të vitit 1991 të katër bijve të shquar, qytetarëve shembullorë të këtij qyteti, ne përulemi me nderimin më të madh, me mirënjohjen më të pakufishme para veprës së Arben Brocit, themelues i PD dhe anëtar kryesie i kësaj partie, themelues i pluralizmit politik në Shqipëri, student shembullor, trim dhe guximtar.
Përulemi me nderimin më të madh para veprës së pavdekshme të Bujar Bishanakut, Nazmir Kryeziut, Besnik Cekës, qytetarë shembullorë, bij shembullorë të këtij qyteti, trima, guximtarë të cilët sakrifikuan jetën për vlerat më të arrira që ne besojmë.
Të dashur miq, 35 vite më parë, vetëm dy ditë pas përfundimit të farsës elektorale, gjimnazistët e Shkodrës ndërprenë mësimin dhe u ulën mbi çantat e tyre në një formë proteste ndër më të qytetëruara, ndër më paqësoret.
Ata protestuan në dëshpërim të thellë sepse diktatori i fundit komunist në Europë, partia e tij dhe zgjedhjet pluraliste pas pothuajse gjysmë shekulli, i shndërroi në një farsë zgjedhore.
Zhgënjimi i tyre ishte i jashtëzakonshëm dhe po kështu zemërimi dhe dëshpërimi.
Ndaj dhe ata dolën në një protestë, u ulën përballë pallatit të krimit, u ulën përballë selisë së partisë së krimit dhe mbi ta u shkrehën breshëri të shumta kallashnikovësh dhe mitrolozësh.
Ranë në këtë shesh për të mbetur përjetë të gjallë në zemrat tona, për t’u nderuar gjithmonë nga ata që nderojnë votën e lirë dhe lirinë.
Sot pas 35 viteve, prindërit, familjarët e tyre e kanë të hapur plagën e rëndë të humbjes së tyre 35 vite më parë dhe asgjë atë plagë nuk mund ta mbyllë.
Por, duhet të jetë një ngushëllim për ta sepse martirizimi i tyre në këtë shesh 35 vite më parë u shndërrua në dritë, hapi rrugën që shqiptarët të votojnë të lirë.
Bëri të mundur që shqiptarët me votën e tyre të përmbysin regjimin më mizor që Europa kishte njohur pas luftës së dytë botërore.
Masakra e 2 Prillit pati një jehonë të jashtëzakonshme ndërkombëtare.
Kauza që mbrojtën Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Bujar Beshanaku, Besnik Ceka, u bë një kauzë e njerëzve të lirë në mbarë botën. Në Kongresin e SHBA, në Parlamentin Europian, në Asamblenë e Këshillit të Europës, njëra pas tjetrës u miratuan rezoluta në nderim të martirëve të Shkodrës, të martirëve të 2 Prillit, në mbështetje të Shkodrës dhe të shqiptarëve që donin të çliroheshin nga diktatura komuniste.
Sot asgjë nuk mbyll plagën e hapur nga dora kriminale e diktaturës dhe vrasësve të saj 35 vite më parë.
Por sot ju siguroj se bijtë tuaj, bijtë e Shkodrës janë më të gjallë se kurrë në kujtimin tonë, në nderimin tonë.
Vepra e tyre është sot më frymëzuese se asnjëherë më parë, është kushtrim i vërtetë për të gjithë shqiptarët që të sakrifikojnë për votën e lirë.
Të dashur miq, 3 vite para se martirët e 2 Prillit të flijoheshin në këtë shesh dhe mbi 87 qytetarë të Shkodrës të plagoseshin në një masakër të vërtetë nga falangat e krimit, Ramiz Alia dhe Kristaq Rama, skulptori kriminel komunist, firmosnin varjen në litar të një poeti disident dhe varjen në publik si akt urrejtje ndaj tij sepse ai kishte shkruar vargje për Kosovën, sepse ai kishte shkruar vargje për liritë dhe të drejtat e qytetarëve, për dinjitetin e tyre. Vargjet për frymën e Helsinkit që shpresonte se do frynte në viset tona.
Sot, pas 35 vitesh në pushtet është bastardi i tij, është Edi Rama, i cili në shembullin më të zi të baballarëve të vet ka përqendruar çdo pushtet në duart e tij.
Përdor pushtetin për t’u pasuruar.
Përdor pushtetin për të legjitimuar vjedhjen, plaçkitjen e shqiptarëve, për të shndërruar votën në një farsë të shëmtuar.
Në këtë kuadër, kurrë më shumë se sot nuk është aktuale, nuk është më aktuale, më frymëzese, sakrifica e martirëve të 2 Prillit, martirëve të votës së lirë.
Ndaj dhe ne jemi të betuar, PD është e betuar se misioni i saj kryesor është rikthimi i votës së lirë tek shqiptarët.
Kam besim të madh se Shkodra do të përmbushë këtë mision më mirë, më me vendosmëri se çdo qytet tjetër i këtij vendi.
Të dashur miq, pasardhësi i bllokmenëve hoxhistë në një drejtim të ekzistencës së kombit, i ka bërëkombit shqiptar gjëmën më të madhe që nga vitet 1300, vitet e Murtajës së Zezë.
Asnjë pushtues, asnjë regjim nuk ka zbatuar në mënyrën më të egër doktrinën e Çubrilloviçit, e cil sot është tejkaluar disa herë nga Ramoviçi dhe meriton të quhet doktrina e Ramoviçit, e argatit të Beogradit.
Në 10 vite, 720 mijë të rinj shqiptarë kanë marrë me vete ëndrrën shqiptare në rrugët e botës. Janë larguar nga Shkodra, janë larguar nga Shqipëria sepse ky është një vrasës i ëndrrës së rinisë shqiptare.
Sot, në një akt cinik, kishte zgjedhur 2 prillin për të takuar studentë.
Çfarë u tha?
Studentëve Edi Rama u tha se Shqipëria nuk ka korrupsion dhe se korrupsioni është perceptim.
Unë, këtu nga Shkodra, dua t’i shtroj atij këto pyetje.
Sarajet e Surrelit o kryehajdut, me themele 720 metra të gjata, me materiale nga më të kushtueshmet që ekzistojnë, janë përceptim apo vjedhje?
Raporti i OSBE që të akuzoi se ke depozituar në vitin 2014, 200 milionë euro në bankat offshore, është perceptim apo vjedhje?
Është perceptim apo vjedhje djegësi i Tiranës me të cilin janë zhdukur 130 milionë euro dhe nuk ekziston tullë as nishan?
Është perceptim apo vjedhje 500 tendera sekretë në kundërshtim me ligjin për baxhanakun tënd nga AKSHI?
Është perceptim apo vjedhje emri i bashkëshortes tënde me qindra herë në dosjen e AKSHI-t si hajdute dhe që mbulohet nga Mirlinda tjetër?
Publikoje dosjen para shqiptarëve.
Është perceptim apo vjedhje zhdukja me një të rëndë të lapsit të 50 milionë eurove në tunelin e Llogarasë me firmën tënde dhe të Belinda Ballukut?
Është perceptim apo vjedhje mbyllja e portit të Durrësit për të ndërtuar Dubain e 1001 netëve, duke u grabitur shqiptarëve pasurinë publike më të madhe që kanë rreth 4 miliardë euro?
Është perceptim apo vjedhje Benet Beci, i cili në krahasim me ty është një hajduc me dokumente?
Qytetarët e Shkodrës kanë pasur kushedi sa kryetarë bashkie. Nuk po flas për ta. Por nuk kanë pasur asnjë të regjistruar me dokumente, me dosje, siç kanë Becin tënd.
Është perceptim apo vjedhje Tigrat, për të cilët shqiptarët kanë paguar 90 milionë euro gjer sot pa pasur asnjë kilovat energji elektrike?
Janë perceptime apo vjedhje rrugët e shembura njëra pas tjetrës si kurrë ndonjëherë?
Nuk janë perceptime, ndaj dhe ti po bën ligje për të shpallur vjedhjen e qeveritare legjitime.
Miqtë e mi, Arben Broci, Bujar Beshanaku, Nazmi Kryeziu, Besnik Ceka, të gjithë studentët e dhjetorit dhe të rinjtë e asaj gjenerate, kishin një ëndërr, ëndrrën evropiane.
Nga zemra e tyre ushtoi ato ditë më fuqishëm se kurrë, Shqpiëria si Europa.
Çfarë ndodh sot?
Edi Rama, për vjedhjet e tij, i bllokon Shqipërisë dyert e Europës dhe i tregon derën e Beogradit.
Premtoi pasaportën evropiane dhe tani ofron pasaportën e Beogradit.
Tani kërkon, për të mbajtur pushtetin dhe karrigen, të mos bëhemi anëtarë të BE, por të kemi tregti dhe lëvizje të lirë.
Edi Rama është i vetmi kryeministër në Europë që guxon të hartojë ligje mburojë për vjedhjet e tij.
Miq, beteja kundër hajdutëve të pushtetit është sot beteja më e shenjtë e shqiptarëve.
Këta bllokuan drejtësinë, por ne nuk do të na bllokojnë kurrë.
Ndaj dhe ftoj qytetarët e Shkodrës, ftoj qytetarët e mbarë Shqipërisë të vazhdojmë kryengritjen tonë paqësore gjer në rrëzimin e tyre përfundimtar.
Dhe njëherë, le të përulemi ne para veprës dhe kujtimit të heronjve të votës së lirë me zotimin më solemn se do bëjmë çdo sakrificë, do bëjmë gjithçka që ëndrra e tyre e votës së lirë, të mos vdesë kurrë në Shqipëri, të jetojë brez pas brezi.
Nderim përjetë martirëve të 2 Prillit, qytetarëve dhe qytetareve të Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë.


