BASHKËBISEDIMI ONLINE I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME QYTETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar sot bashkëbisedimin tradicional me qytetarët në rrjetet sociale. Gjatë bisedës Berisha trajtoi një sërë çështjesh madhore që lidhen me situatën politike, sociale dhe institucionale në vend, duke e fokusuar diskutimin kryesisht tek zgjedhjet e 11 majit, raporti i OSBE/ODIHR, roli i qeverisë në procesin zgjedhor, gjendja e demokracisë, drejtësia, si dhe angazhimet e ardhshme të opozitës.
Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së Sali Berisha e cilësoi procesin e fundit zgjedhor si ‘farsën më të shëmtuar elektorale’ të organizuar ndonjëherë, duke theksuar se raporti final prej 45 faqesh i OSBE/ODIHR dokumenton shkelje të rënda, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Sipas tij, qeveria ka keqpërdorur administratën publike, ka organizuar mbi 4500 aktivitete shtetërore gjatë fushatës, përfshirë Giro d’Italia ditën e votimit, dhe ka lejuar përfshirjen e krimit të organizuar në disa qarqe. Berisha u shpreh se vëzhguesit ndërkombëtarë i rezistuan presioneve të forta të qeverisë dhe pasqyruan besnikërisht realitetin e deformimit të zgjedhjeve.
I pyetur nga qytetarët në lidhje me akuzat e rënda ndaj Edi Rama për abuzim me fondet publike dhe braktisje të nevojave thelbësore të qytetarëve, kryedemokrati Sali Berisha renditi një sërë skandalesh korrupsioni që sipas tij, tregojnë papërgjegjshmëri. Miliona euro për evente dhe projekte luksi, udhëtime dhe makina qeveritare, ndërkohë që pacientë me sëmundje të rënda janë lënë pa ilaçe. Berisha e quajti këtë situatë si ‘krim kundër njerëzimit’ dhe akuzoi qeverinë për vjedhje sistematike të fondeve të shëndetësisë.
Në bashkëbisedimin me qytetarët, lideri i opozitës Sali Berisha deklaroi se Shqipëria ka hyrë në fazën e një narkoshteti të konsoliduar, duke theksuar se mbjellja masive e kanabisit në vitin 2015 dhe përfitimet e krimit të organizuar kanë kthyer drogën në faktor shkatërrimtar për ekonominë dhe demokracinë. Ai kritikoi ashpër heshtjen e disa aktorëve ndërkombëtarë dhe pretendoi se krimi i organizuar është bërë pengesa kryesore ndaj rotacionit të pushtetit në vend.
I pyetur nga qytetarët për reagimin që do të ketë PD dhe opozita, Berisha theksoi se, në kushtet e një regjimi që sipas tij nuk lejon zgjedhje të lira, opozita nuk ka tjetër mjet veç protestave të fuqishme, masive dhe të qëndrueshme. Berisha njoftoi organizimin e një ‘foltoreje parlamentare’ çdo javë para Kryeministrisë, ku do të flasin qytetarë dhe deputetë, dhe paralajmëroi nisjen e një cikli të ri protestash gjithëpërfshirëse.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha bëri të ditur se brenda Partisë Demokratike do të nisë menjëherë analiza e thelluar e procesit zgjedhor, një proces i vonuar, sipas tij, për shkak të betejës së vazhdueshme mbi farsën elektorale dhe përpjekjeve të qeverisë për të ndikuar raportet ndërkombëtare. Ai njoftoi gjithashtu nisjen e një turi të gjerë takimesh me demokratët dhe qytetarët në të gjithë Shqipërinë, me synimin për të mobilizuar energjinë shoqërore kundër qeverisë.
Gjatë bashkëbisedimit, kryedemokrati Sali Berisha u ndal edhe te kandidatët e pavarur, të cilët sipas tij, treguan vullnet për hapje, ndonëse një proces zgjedhor i deformuar ua mohoi mundësinë e suksesit. Ai sqaroi se PD merr pjesë në Komisionin e Reformës Zgjedhore për të mbrojtur parimet e zgjedhjeve të lira dhe për të mos braktisur aleatët ndërkombëtarë që dënuan shkeljet e 11 majit.
Një çështje tjetër që tërhoqi vëmendjen e ndjekësve onlinë, ishte ligji i ri për identitetet gjinore. Berisha e cilësoi këtë ligj si ‘shkonfigurimin më të rëndë të familjes shqiptare’, duke e identifikuar atë si një produkt ekstrem të axhendës së majtë ndërkombëtare. Ai pretendoi se ligji cenon rendin shoqëror, vlerat tradicionale, të drejtat e prindërve dhe lirinë e fjalës, ndërsa paralajmëroi nisjen e një beteje ligjore dhe politike kundër tij, përfshirë kërkesën për referendum.
I pyetur për dërgimin e kryebashkiakes së Roskovecit, Majlinda Bufi në gjyq, kryetari i PD-së Sali Berisha shprehu skepticizëm të thellë ndaj funksionimit të SPAK, të cilin ai e akuzoi për arrestime të pabazuara dhe për pamundësi për të goditur korrupsionin e nivelit të lartë. Sipas tij, shumica e çështjeve të hetuara janë të vogla, ndërsa rastet e abuzimeve serioze shpesh nuk çohen deri në fund.
Në fund të bashkëbisedimit online me qytetarët kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, i garantoi qytetarët se ky dialog do të vazhdojë jo vetëm online, por edhe në salla e takime në të gjithë Shqipërinë. Ai theksoi se objektivi i opozitës është të rikthejë votën e lirë, dinjitetin qytetar dhe funksionimin normal të demokracisë, duke e cilësuar këtë një mision kombëtar që kërkon guxim dhe përfshirje masive.

BASHKEBISEDIMI I PLOTE ME QYTETARËT:
Të dashur demokrate e demokratë, qytetare dhe qytetarë, që ndiqni rrjetet e mia sociale, nisim sot, duhet të pranoj me vonesë dhe ndjesë për këtë, bashkëbisedimin tradicional me ju kushtuar situatës dhe zhvillimeve në Shqipëri.
Sot ne nisim këtë bisedë pasi shqiptarët dhe bota pa se si Edi Rama apo Ramaduro apo Noriega e Europës organizoi farsën më të shëmtuar elektorale më datën 11 maj, farsë e cila u konfirmua e tëra në të gjithë shëmtinë e saj në 45 faqe të raportit të OSBE/ODIHR.
Raport që, për të gjithë ata që kanë pasur durim ta lexojnë, konstatojnë se janë paraqitur zhvillimet më të këqija të mundshme në një proces zgjedhor të kontrolluar nga qeveria.
Raport i cili konstaton se në vitin elektoral, njëlloj si në çdo diktaturë tjetër autokratike, kreu i narkoshtetit arreston, burgos apo fus në procese penale liderët e tre partive kryesore të opozitës.
Për të marrë mandatin e katërt, në kundërshtim me ligjin kombëtar dhe ndërkombëtar të zgjedhjeve, organizon 4530 aktivitete përfshi ditën e zgjedhjeve Giro D’Italia për 7 milionë euro një organizate private.
Ndërkohë që sot në mënyrën më të papërgjegjshme dhe unike në botë u deklaronte qindra e qindra të sëmurëve me sëmundje të rënda, familjeve të mijëra të tjerëve që nuk janë më, se nuk kishim ilaçe meqë ishin shumë për mjekimin e tyre.
Ky njeri i papërgjegjshëm, mund t’i vësh çdo epitet, por të shpenzosh 7 milionë euro për Giro D’Italia, të ndërtosh Kopshtin e Edenit në oborrin e qeverisë për 4.2 milionë euro, të blesh makina për vete, makina e tretë që shkon në total 1.5 milionë euro, të shpenzosh 21 milionë euro udhëtime në dy vite, të hapësh shishe 33 mijë euro Romanee Conti në zyrat e tua, të udhëtosh me çarter dhjetëra e dhjetëra herë dhe të lësh të sëmurët në kthetrat e më të pamëshirës, vdekjes, kryen një krim kundër njerëzimit. T’i lësh pa ilaçe.
Pikërisht sot pranoi se i lamë pa ilaçe se nuk kishim se ata ishin shumë.
Unë u garantoj se të gjithë ata pa përjashtim, të gjitha ilaçet e tyre që janë vërtet të kushtueshme, të marra së bashku nuk kushtonin kurrë as edhe një të pestën e shpenzimeve personale të Edi Ramës për avionë, për makina, për kopshtin e Edenit, për Giro D’italia.
As një të dhjetën.
Por natyrisht njerëzit i shumëzon me zero para interesave të verbra të pushtetit tënd.
Sot ai në shpirtkazmëri si për t’i prekur, iu rikujtoi qytetarëve eksperiencën e tij personale.
Edhe më makabër bëhesh me këtë Edi Rama, se nuk e besoj se ke lënë ndonjë person tëndin pa ilaçe dhe unë shpresoj të shërohet.
Por po të kishe ndjeshmëri ti, po t’i konsideroje qenie njerëzore, ti nuk i lije kurrë ata pa ilaçe.
Ti u bije vizë të gjitha këtyre shpenzimeve për t’u garantuar ilaçet atyre.
Tani thua se këtë vit do kenë ilaçet. Uroj që të mos ua vidhni ilaçet siç keni vepruar.
Sepse ju keni vjedhur paratë e ilaçeve.
Sepse ju keni bërë tregti me ilaçet.
Ministrja jote është pasuruar me ilaçe.
Administrata jote është pasuruar me ilaçe.
Janë këto të gjitha të evidentuara në akte të KLSH.
Unë u ndala në këtë moment se ky është një moment shumë i dhimbshëm.
Po ky është njeri i papërgjegjshëm, njeri që për pushtetin e tij është i aftë të bëjë gjithçka dhe të mashtrojë për çdo gjë.
Ju e dëgjuat dy ditë më parë, me vrasjet që ndodhën në oborrin e aeroportit, që të gjitha në patronazhin e narkoshtetit aty, ky deklaroi se na mungonin kamerat.
Po cilat kamerat mungonin?
Po shqiptarët prej atyre kamerave panë gjithçka me detaje, përveçse ti që nuk i sheh, se ti do mashtrosh.
Pra, kemi shumë probleme për të debatuar së bashku dhe unë jam i hapur për çdo pyetje.

PYETJE PERGJIGJE ME QYTETARET:
Fatos Doçi: Përshëndetje doktor. Pyetja ime është se, çfarë duhet të bëjë më kjo bandë qeverisëse që opozitës ti zgjohet nervi i revoltës dhe përse vazhdohet me protesta të kota që veç se lodhin njerëzit që i bëjnë ata skeptikë ndaj opozitës, duke filluar të besojnë se jeni bashkë.
Sali Berisha: Se çfarë duhet të bëjmë, sigurisht është një pyetje shumë e drejtë dhe kryesore. Për ti dhënë përgjigje kësaj pyetje, mendoj se çdo opozitar duhet të analizojë, realitetin ekzistues sot dhe të bindet se, çdo krahasim me realitete të mëparshme, 2006-2009-2012 e me radhë është absolutisht i paqëndrueshëm.
Do të jap 2-3 shembuj se pse unë theksoj që në analizën tonë dhe në përgjigje të kësaj pyetje kapitale që shtron ti, ne pyetjen përgjigjen duhet ta nxjerrim nga realiteti në të cilin jetojmë.
Në 2009 zgjedhjet u mbikëqyrën nga një armike e hapur ndaj Sali Berishës që quhet, Odri Glover që është shpallur nga unë ‘non grata’ në vitin 1996. Për ti rënë shkurt, raporti që misionet e përbashkëta të OSBE-ODIHR, Këshillit të Europës, Parlamentit Europian që firmosën për ato zgjedhje, thoshte; se zgjedhjet plotësuan kriteret kryesore ndërkombëtare të OSBE-ODIHR për zgjedhjet.
Së dyti; 4 muaj para atyre zgjedhjeve unë nxora një vendim qeverie me të cilin daklaroja në mënyrë të prerë në përdorimin në mënyrë kategorike të burimeve të panumërta të administratës në funksion të zgjedhjeve dhe interes të PD-së. Duke filluar nga vetja ime, në fushatë mora një makinë me qira nga PD.
Po kjo zonjë, në raportin e saj konkludoj se; kryeministri i vendit për të parandaluar përdorimin e burimeve të administratës në zgjedhje lëshoi një vendim të detajuar dhe e zbatoi pikë për pikë atë vendim.
Pse unë ua rikujtova këto. Sepse është krejtësisht tjetër situata. Në kushtet e një pluralizmi që funksion dhe që bën të mundur rotacionin. Në kushtet e një pluralizmi të shtypur, që nuk lejon rotacionin, që burgos krerët e opozitës, që përdor të gjitha burimet e gjithanshme të shtetit në emër të partisë shtet që të marrë zgjedhjet, që përdor bandat për të kontrolluar votat, përdor administratën për të kontrolluar votat.
Pra jemi në një realitet, për ta përmbledhur në një fjalë që deklaroi një nga europarlamentarët më të njohur në Bruksel, Michael Gahler; në Shqipëri tha, krimi i organizuar nuk lejon rotacionin e pushtetit.
Tani vij tek pyetja juaj, ka vetëm një përgjigje; të ngrihemi në protesta, protesta dhe vetëm protesta. Përndryshe farsa e ardhshme elektorale nuk do të jetë me 52%, Edi Rama por do të jetë me 62-68 %. Nëse bindemi për realitetin që është, atëherë ne nuk kemi një rrugë të dytë, nuk kemi rrugë tjetër, përveç se të ngrihemi me guximin, të gjithë ata që duan një votë të lirë dhe të përballemi me këtë qeveri, gjersa të rikthejmë votën e lirë ndaj shqiptarëve.
Ervis Bejleri: Si rrëzohet një narko-regjim?
Sali Berisha: Një narkoregjim rrëzohet vetëm me protesta siç u rrëzua në Nepal që nuk ishte narkoregjim, por që ishte diktaturë autoritare, që e pranonte pluralizmin, por shtypte pluralizmin.
Siç u rrëzua në Bangladesh një diktaturë autokratike që e pranonte pluralizmin, por e shtypte atë.
Siç u rrëzua në Bangladesh dhe siç u rrëzuan në një seri vendesh.
Pra, protesta, protesta dhe vetëm protesta.
Të tjerat janë absolutisht iluzione.
Kristaq Sopoti: Në një takim me banorët e njësisë 3, Rama ju ka quajtur si e keqja më e madhe. Keni një përgjigje për të?
Sali Berisha: Në fakt, më ka nderuar me këtë sepse Rama dhe altoparlantët e tij shqiptarë dhe ndërkombëtarë më konsiderojnë mua të tillë, vetëm për një fakt, se unë mbroj interesat e qytetarëve.
I nderuar zotëri, ju duhet të dini që sot ndaj Sali Berishës ka pakënaqësi të madhe sepse unë para shqiptarëve dhe botës mbroj me dokumente dhe fakte tezën se Shqipëria është një narkoshtet.
Mirëpo këtë, Edi Rama bën gjithçka që ta denoncojë këtë qëndrim timin.
Unë u them ju se ky përkufizim që unë i bëj Shqipërisë, nuk e bëj nga vetja ime, por këtë e kanë bërë me dhjetëra e dhjetëra gazetarë dhe analistë ndërkombëtarë.
Dhe së fundmi e quajtën Noriega e Europës.
Por Edi Rama paguan dhe ka mbrapa përsëri makinerinë monstruoze të Xhorxh Sorosit dhe Aleksis Sorosit që vazhdojnë betejën në mënyrën më të vendosur kundër demokracisë në Shqipëri dhe në mbështetje të narkodiktatorit Edi Rama dhe luftë kundër Sali Berishës dhe opozitës.
Ndaj dhe unë jam jo vetëm për Ramën, por për mjaft të tjerë, e keqja më e madhe sepse e mirë është droga.
I mirë është krimi.
I mirë për ta është spastrimi etnik i Shqipërisë.
A keni dëgjuar ndonjë nga këta të shprehë këtë gjë me kaq trishtim?
Po, Michael Martens, gazetari i famshëm gjerman, pikërisht për këtë e quajti Edi Ramën si kryeministri më i mirë i Serbisë.
Por të tjerë nuk i dëgjon sepse ky po shkatërron kombin shqiptar, po e shkreton.
Ndaj dhe e kam për nder atë që Edi Rama thotë, edhe miqtë e tij për mua.
Enio Kurti: A ishte gabim dalja e opozitës me kandidatë të pavarur në 9 nëntor.
Sali Berisha: Në vlerësimin tim, nuk ishte asnjë gabim. Opozita dëshmoi dhe duhet të dëshmojë vullnet për hapje. Edhe njëherë i falënderoj shumë të gjithë ata që kandiduan si të pavarur. Por çfarë faktoi kjo? Se në asnjë variant Edi Rama zgjedhje nuk bën.
Së dyti, populli e braktisi Edi Ramën. Një braktisje ekzemplare dhe kjo tregon se, ne si opozitë duhet të kapitalizojmë zemërimin dhe revoltën që ekziston në zemrat e shqiptarëve dhe ta kthejmë në një energji të fuqishme të përmbysjes së këtij regjimi të paligjshëm në Shqipëri.
Violeta Hoxha-Deda: Pse u la kjo qeveri që kapi gjithçka. A janë me vonesë protestat, apo jam gabim?
Sali Berisha: Pyetja juaj është një pyetje themelore, por kjo qeveri u mbështet në procesin e ndërtimit të narkoshtetit, siç e dini ju.
Unë u them qytetarëve shqiptarë se më toksike se çdo ideologji, më e egër se çdo pushtues për qenien shqiptare është droga, droga dhe vetëm droga.
Shqipëria në vitin 2015 u mboll me kanabis nga Pogoni gjer në thellësitë e Alpeve dhe kjo u bë në sytë e të gjithë botës dhe disa e nxitën dhe të tjerë heshtën.
Dhe nga ai vit, miliardat e drogës jo vetëm që nuk krijojnë vende pune, po shkatërrojnë me mijëra vende pune, shkatërrojnë eksportet, shkatërrojnë prodhimin industrial, prodhimin bujqësor dhe shqiptarët vetëm largohen.
Pra, ky ishte një proces në të cilin duhet ta pranojmë, opozita nuk kishte fuqi, nuk e ndaloi dot.
Por opozita direkt nuk u bë bashkëautore në këtë proces.
Jo, nuk mund të themi.
Pra, procesi themelor i transformimit të Shqipërisë ishte ndërtimi i narkoshtetit dhe pastaj Edi Rama, një pasardhës xhelatërish komunist, i vendosur të mos dorëzojë pushtetin me asnjë çmim, me asnjë kusht.
Kështu që kjo që ndodhi para syve të mbarë botës.
Dikush e ndihmoi Edi Ramën ta bëjë këtë, të ndjerë e ndihmuan me heshtje.
Edhe sot ka ambasadorë, ka zyrtarë të lartë edhe në Bruksel që janë të zemëruar me mua pse unë flas për narkoshtet.
Ndërkohë kur droga është bërë faktor shkatërrimtar për qenien tonë kombëtare, është bërë faktor shkatërrimtar për demokracinë shqiptare.
Është faktor më i fuqishëm se çdo parti politike në rezultatin e zgjedhjeve.
Ndaj dhe kjo betejë është një betejë e vështirë, por një betejë që nëse nuk e luftojmë, OKB ka parashikim të kobshëm për Shqipërinë.
Ka parashikim që Shqipëria do shkojë drejt shuarjes si komb dhe si vend.
Afrim Curri: Përshëndetje doktor. Është turp për çdo shqiptar të ndershëm që lejon këtë sekt të vjedhë prej 12 vitesh. Strategjia e protestave nuk duhet të jetë si ato të mëparshme. Duhen protesta pa kthim deri në zhdukjen e këtij sekti, është turp të rrijë në këmbë një qeveri me 100 skandale në ditë.
Sali Berisha: Nuk kam ç’të shtoj, asnjë fjalë asaj që thoni, jam 100% dakord me ju.

Abaz Memia: Vendi ndodhet në buzë të greminëz, opozita ka përgjegjësinë që të ndryshojë gjendjen e mjeruar ku jemi. Vjedhjet dhe zullumet vetëm po shumëfishohen. A mjaftojnë protestat e modelit të deritanishëm. A mund të kthehemi tek modeli i protestave të vitit 1991.
Sali Berisha: Të falënderoj shumë për pyetjen, jam dakord me ju, protestat e zakonshme nuk zgjidhin problemin. Protestat e qëndrueshme dhe masive janë e vetmja rrugë, të cilat do të arkivojnë këtë qeveri.
Por ato i ndërmarrin idealistë që vendosin të sakrifikojnë, që janë të bindur se nuk ka një rrugë të dytë, që janë të bindur se janë të thirrur në një mision historik, siç ishin të thirrur studentët në vitin ’90, për të përmbysur diktaturën komuniste, sot shqiptarët janë të thirrur në një mision historik për të përmbysur diktaturën që bazohet në shtypjen e pluralizimit, drogën, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve.
Vera Camaj: Përshëndetje dhe respekte nga zemra për ju doktor. Sa do të zgjasë protesta këtë herë, apo një xhiro dhe mbaroi.
Sali Berisha: Protesta e ditës së hënë ka këtë karakter, që të sqaroj çdo qytetar. Ne hapim aty një foltore, një parlament. Dmth, ju keni parë se në 10 seanca, opozita është lejuar të debatojë vetëm në 1 seancë, si kurrë në ndonjë vend pluralist, apo në historinë e këtij vendi.
Atëherë ne para këtij bllokimi të plotë ne hapim foltoren parlamentare qytetare para kryeministrisë. Një herë në javë ku deputetë dhe qytetarë do thonë zërin e tyre.
Pra, ky është qëllimi i kësaj proteste.
Protesta të tjera po projektohen dhe do organizohen, por ato do përgatiten dhe thirren në kohën më të përshtatshme.
Mihal Laska: Kur do nisë analiza e PD, dhe a do të bëni një tur në bazë për të motivuar demokratët siç bëtë me foltoren. Nuk është njësoj si të ju shohim nga ekrani dhe si të bashkëbisedojmë me ju.
Sali Berisha: Analiza do fillojë menjëherë dhe turi im do fillojë menjëherë.
Pres me padurim ta filloj. Të filloj takimet në të katër anët e Shqipërisë me demokratët dhe qytetarët me shpresën dhe besimin më të madh se shqiptarët me guximin, energjinë dhe kurajën e tyre do përballen dhëmb për dhëmb me këtë regjim dhe do rikthejnë votën e lirë, do rikthejnë dinjitetin e tyre.
Shaban Hoxha: Doktor, pse deputetët tanë nuk e çojnë ligjin e ‘Gjinive’ në Gjykatën Kushtetuese se për ne kjo është e rëndë, për familjen. Pse merren me Diellën dhe gjëra të tjera e jo me këtë që është hall i madh.
Sali Berisha: Ligji, më duhet t’u them shqiptarëve se është ligji i konsolidimit të një diktature të shëmtuar. Ky ligj nuk shkonfiguron vetëm familjen, që është gjëja më e rëndë që mund t’i ndodhë një personi dhe kombi.
Por ky ligj instalon censurën.
Ky ligj, njëlloj si në diktaturën komuniste, kërkon që i akuzuari të provojë se po akuzohet pa fakte dhe kot dhe jo ai që akuzon të paraqesë faktet.
Kjo është njëlloj si në kohën e Partisë së Punës që të akuzonin si armik dhe duhet të provoje që nuk ishe armik.
Ligjin do e çojmë në Gjykatë Kushtetuese, por mos prisni ndonjë gjë se Gjykata Kushtetuese ka faktuar se është në kontroll, në tërësi jo në çdo akt.
Ne do bëjmë gjithçka që ta zbërthejmë, ta qartësojmë para çdo qytetari këtë ligj dhe të kërkojmë referendum për abrogimin e tij.
Sadik Shehu: Doktor, komisioni për reformën zgjedhore, pse po bashkoheni me PS, kur zgjedhjet nuk njihen. Çfarë është ai komision kur analiza e humbjes nuk është bërë. Çfarë merite ka Gaz Bardhi që e zgjodhët kryetar grupi. Drejtuesit politikë pse nuk dorëhiqen. Kështu nuk funksionin.
Sali Berisha: Po marr pyetjen e parë; Pse shkuat në komision për reformën zgjedhore. Siç mund ta kesh të qartë, zgjedhjet janë një proces sa kombëtar dhe ndërkombëtar. Dhe ka qenë një zotim solemn i imi dhe i PD, se ne do të mbrojmë votën. Në këtë kurrë nuk është imagjinuar se do mbrojmë votën me armë, por ne do mbronim votën, për tu faktuar shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar se ajo nuk ishte votë.
Në zgjedhjet e 2009 komuniteti ndërkombëtar deklaroi se këto zgjedhje plotësuan standardet kryesore ndërkombëtare të OSBE-ODIHR për zgjedhje të lira. Ndërsa në këto zgjedhje ekzistojnë një seri përcaktimesh në të cilat standardet ndërkombëtare u dhunuan, Kodi Zgjedhor u dhunua.
Pra ne bëmë një punë të jashtëzakonshme, shumë serioze të faktonim çdo gjë para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar se çfarë ishin këto zgjedhje dhe këtu ne ja dolëm. Në meritën më të madhe të atyre që hartuan raportin që nuk ju nënshtruan presioneve primitive, të turpshme të Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Përkundrazi ata pasqyruan me ndershmëri zinxhirin e pafund të dhunimit të ligjeve shqiptare e ndërkombëtare për zgjedhjet.
Por jemi këtu. Një nga denoncimet që ata bëjnë se shumicën e rekomandimeve të mëparshme të OSBE-ODIHR kjo qeveri nuk i ka pasqyruar, konsideruar dhe janë bërë edhe një seri rekomandimesh.
Nëse ne heqim dorë ashtu siç mund të sugjeroni ju apo të tjerë, ne humbasim aleatët ndërkombëtar të zgjedhjeve të lira. Se për ne ata që bënë këtë raport, ata që i thanë qeverisë se ke organizuar 4530 aktivitete në kundërshtim me ligjin, përfshirë ‘Giro D’Italia’ ditën e zgjedhjeve, që i thanë përdore të gjitha resurset e administratës në kundërshtim me ligjin. Që i thanë se përdore patronazhistët në kundërshtim me parimet ndërkombëtare, që i shkrojtën se organizatat kriminale morën pjesë aktive në zgjedhje, në Elbasan, Fier, Lezhë, Durrës dhe qytete të tjera.
Ata qëndruan në anën e shqiptarëve, nuk u nënshtruan nga presionet primitive të Edi Ramës. Sigurisht ne jemi për zbatimin e rekomandimeve të tyre, por ne u themi shqiptarëve dhe miqve tanë se, me Ed Ramën nuk ka kurrë zgjedhje të lira.
Për ta përmbledhur këtë çështje; nëse ne do të refuzonim komisionin e reformës zgjedhore dhe adresimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR që janë kushte dhe ato për zgjedhje të lira, tregonin se ne e kishim demagogji kërkesën për zgjedhje të lira, por ne nuk e kemi demagogji. Siç kam deklaruara para zgjedhjeve, deklaroj sot me përgjegjësinë më të madhe se, me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira. Ndaj për mua, për ty e për çdo demokrate e demokrat, duhet ti bëjmë hesapet a jemi të gatshëm ne të sakrifikojmë të votojmë të lirë.
Unë mendoj se që të gjithë drejtuesit politik në qarqe, pa përjashtim kanë të metat e tyre, janë të kritikueshëm, por nga ana tjetër mendoj se, Gazment Bardhi është një avokat i guximshëm dhe i aftë i interesave të tua, të mia dhe të interesave të qytetarëve opozitar. Dhe ju besoj e keni konstatuar këtë në të gjitha qëndrimet e tij, ndaj Ramës, qeverisë dhe në të gjitha rastet.
Tina Martini: Ju vite më parë e keni thënë që Shqipëria po kthehet në narkoshtet. Tani këtë po e thotë prokurori italian Grateri. E thonë mediat gjermane, franceze, po kjo Marta Kos pse nuk i sheh këto?
Sali Berisha: Tani jo vetëm nuk i shohin këto, por përkundrazi kanë inat shumë me Sali Berishën pse përdor termin narkoshtet, në një kohë kur ai përdoret universalisht sot.
Sepse në rast se pranohet e vërteta e narkoshtetit shqiptar, Edi Rama nuk mund të ketë figurë tjetër përveçse të nxirë.
Por Edi Rama bën gjithçka me propagandën e tij për të mbuluar të vërtetën.
Merita Bogdani: Përse protesta e radhës ka për synim Belindën dhe jo Ramën, mos vallë është mbrojtje për Ramën. Ashtu si protestat tona kundër Erion vemjes, duhet të ishin adresuar kundër Ramës që organizon zgjedhje dhe jo kundër tij. Si mendon kur thua nuk i pranojmë zgjedhjet kurrë dhe bashkëpunoni me deputet të votave të vjedhura. A tregon kjo se ju keni pranuar humbjen përderisa ju vetë pranoni termin opozitë për vete dhe mazhorancë për hajnat. Pse PD nuk ka marrë analizë për humbjen.
Sali Berisha: Së pari, parlamenti i deputetëve dhe qytetarëve të opozitës nuk është thirrur para ministrisë së Lubi Ballukut, por është thirrur para kryeministrisë pikërisht për atë që ju thoni.
Nuk është një protestë e veçantë kundër Lubi Ballukut, që të garantoj që nuk ka hajdute më të madhe në tërë historinë e kombit shqiptar, përveç Edi Ramës, prandaj protesta do bëhet para kryeministrisë dhe vetëm para kryeministrisë.
Aty i kanë zyrat të dy ata, kryeministër dhe zëvendëskryeministër dhe unë kam kënaqësi që bëra këtë sqarim.
Nuk mund të ishte protesta para zyrave të Lubisë në ministri, jo, sepse ajo pakkush mund ta imagjinojë se sa shumë ka vjedhur, por Rama më shumë.
Rama shumë më tepër.
Dhe dosja e tunelit të Llogarasë që ju e shihni se çfarë dosje e turpshme në çdo aspekt është ajo, mos harroni se gjithçka ajo e ka bërë me kërkesë të Ramës, e urdhëruar nga Rama dhe e detyruar nga Rama.
Që nuk duhet ta bënte kurrë dhe ka përgjegjësi, por po aq edhe Rama.
Prandaj do jemi para kryeministrisë.
Ju pyesni për analizën. Po, analiza do fillojë.
E vonuar sepse në qoftë se e ke ndjekur zhvillimin si kurrë më parë, që nga përfundimi i zgjedhjeve dhe gjer në gusht vonë, ne çdo ditë jemi marrë me denoncimin e farsës elektorale jo me fjalë, por me fakte dhe dokumente.
Çdo ditë kemi komunikuar me partnerët, miqtë tanë kudo për realitetin e zgjedhjeve.
Çdo ditë kemi denoncuar përpjekjet e qeverisë për të ndryshuar raportin e organizatave ndërkombëtare për zgjedhjet.
Nuk mund të bënim analizë pa dalë raporti sepse Edi Rama me propagandën e tij do mashtronte çdo gjë për të lehtësuar pozicionin e tij.
Ka pasur presione të jashtëzakonshme mbi vëzhguesit, por dështoi në radhë të parë për shkak të karakterit të atyre burrave dhe grave që vëzhguan zgjedhjet.
Por edhe ne bëmë detyrën tonë që na takonte.
Kjo ishte arsye që u vonua sepse raporti u vonua shumë më tepër se sa parashikohej të dilte.
Doli raporti dhe të garantoj që fillon që javën që vjen analiza në parti.
Por përsëri kjo analizë duhet të bëhet e plotë me një kërkesë që kam ndaj çdo anëtari dhe mbështetësi.
Kjo analizë duhet të bëhet në përputhje me realitetin ekzistues sepse në qoftë se kjo bëhet duke pasur parasysh realitetet e shkuara, absolutisht nuk na shërben.
Përkundrazi.
Janë dy realitete.
Është një realitet tjetër ai kur OSBE/ODIHR deklaronte në vitin 2009 kur zgjedhjet plotësuan standardet ndërkombëtare dhe një analizë tjetër kur zgjedhjet u bënë një farsë, kur fusha ishte krejt e pabarabartë, kur krimi i organizuar ne disa qytete luajti rol shumë të rëndësishëm.
Pse na duhet kjo analizë e ndryshme?
Na duhet për të nxjerrë konkluzione të drejta se çfarë do bëjmë ne në këtë situatë.
Cila do jetë përgjigja jonë ndaj kësaj situate.
Dhe ju shtroni pyetjen. Jo, ne nuk e njohim parlamentin, por komisionin e reformës zgjedhore, ne do marrim pjesë sepse do adresojmë rekomandimet e atyre që paraqitën të vërtetën e zgjedhjeve në Shqipëri me një përgjegjësi dhe integritet të lartë.
Pyetje: A do të jeni në stadium në ndeshjen me Anglinë. Do ti sillni fat kombëtares tonë me prezencën tuaj.
Sali Berisha: Do t’i uroj shumë fat kombëtares tonë. E kam uruar dhe e uroj dhe shoh me kënaqësi majat që po arrin.
Ka qenë kënaqësia e jetës time kur e zhvlerësuan Serbinë në atë ndeshje që do shkruhet me germa të arta kapitale në analet e historisë së futbollit shqiptar.
Për mua ajo kishte vlerën e një kupe evropiane.
Kështu që i uroj sukses me Britaninë e Madhe, një skuadër shumë e fortë.
Por ekipi ynë na ka nderuar shumë.
Sidoqoftë në ndeshjen me Serbinë mendoj se e mori kupën.
Pyetje: Ishte mirë që dolën kandidatët e pavarur të zgjedhur nga vendasit. Por ju si PD përse nuk i mbështetët.
Sali Berisha: Ne i mbështetëm kandidatët e pavarur, aq sa ata kërkuan mbështetje. Por kishte një moment që të shpjegohemi; ata që dolën të pavarur, dolën vërtetë të pavarur dhe në këtë kontekst ata nuk donin që të humbisnin avantazhin e të qenit të pavarur.
Por natyrisht në një farsë zgjedhore, fiton vetëm qeveria. Por edhe qeveria mori një grusht të rëndë, u tregoi shqiptarëve se votuesit e braktisën qeverinë.

Kostandina Petro: Thuhet që po të mblidhen 50 mijë firma, ky ligji gjinor mund të shfuqizohet. Pse si opozitë nuk vendosni dy tavolina tek bulevardi që të mblidhni firmat. Ne populli i mbushim për 1 ditë, vetëm organizim duhet.
Sali Berisha: Kostandina, ne do ta bëjmë këtë që thoni ju dhe ju keni shumë të drejtë. E thashë edhe më siper, njerëzit nuk e kanë kuptuar se çfarë ligji është ky. Ky është ligj i shkonfigurimit të familjes.
Ky është një ligj i ekstremit më të majtë që ekziston sot mbi tokë.
Në qoftë se Karl Marksi, armiqësinë absolute e kishte me pronën private, post-marksistët, ekstremistët e majtë të sotëm, armiqësinë absolute e kanë me familjen.
Dhe ndaj për të shkatërruar familjen duhet të ndërhyjnë tek gjinia.
Duhet të ndërhyjnë tek fëmija.
Më vjen keq që akoma njerëzit nuk e kanë kuptuar se çfarë domethënie të tmerrshme ka ky ligj.
Fëmijëve në shkollë u bëhet gjithçka që fëmija të mohojë gjininë e tij.
Që të mos quhet Martin, por të quhet Martina apo të mos quhet Martina por të quhet Martin.
Bëhet gjithçka duke u thënë hormone dhe këto praktika ishin masive në SHBA gjersa erdhi presidenti Donald Trump dhe i sanksionoi jo vetëm me dekretin e tij, por edhe me vendimin e Gjykatës Supreme në SHBA.
Këto praktika rikthejnë Kushtetutën më armiqësore të kohërave, Kushtetutën e fundit të diktaturës komuniste.
Klerikët shqiptarë, që do predikojnë vlerat e familjes bazuar në librat e shenjtë, dënohen sepse i referohen mashkullit dhe femrës, burrit dhe gruas, Evës dhe Adamit.
Në shkolla, në qoftë se vazhdon mbrojtja e gjinisë siç kanë lindur, mësuesit dënohen.
Inkurajohet përdorimi i substancave që të ndryshojë mendjen e fëmijëve.
Pra është një ligj i përçudnimit të shoqërisë, ligj të cilin 21 vende anëtare të BE nuk e kanë kaluar, e kanë refuzuar.
Edhe ato që e kanë kaluar, nuk kanë absolutisht nenet ekstreme që ka ligji shqiptar.
Ligji shqiptar detyron që nëse një burrë akuzohet nga një grua se e diskriminon, merret e mirëfilltë akuza e gruas apo e burrit, pavarësisht se mund të mos ketë asnjë fakt apo bazë.
Është ligj i ekstremit të majtë, rikthen metodat e dikurshme të policisë sekrete shqiptare në hetim.
Isa Myzyraj: A keni një koment për marrjen të pandehur të Majlinda Bufit të Roskovecit nga SPAK?
Sali Berisha: Majlinda Bufi, shoferi i të cilës njëlloj si shoferi i këtij transportonte drogë, kishte 1 mijë probleme dhe unë dua të shoh, sepse çfarë ndodh me këta të pandehurit e Skapit.
Gjer sot nga të gjithë shifrat që japin ka vetëm dy të dënuar për korrupsion. Është i dënuar Lefter Koka dhe akoma në formë jo përfundimtare dhe Alqi Bllako.
Këta luftojnë për statistika, prandaj dhe nuk mund të kem besim pa parë rezultatin se çfarë po ndodh. Që bufi ishte një delinkuente e kanë denoncuar me dhjetëra herë qytetarët dixhital dhe unë kam publikuar statuse. Por cili do jetë përfundimi këtë mbetet për ta parë se jam i zhgjënjyer nga moria e pafundme, e akuzave boshe.
A mund të imagjinoni ju, Skapi i partisë ka lëshuar 251 mandate arresti kallp. I kanë njoftuar përpara dhe kanë ikur, të pa ekzekutuar. Po të shohësh statistikat ti, ato thonë se janë qindra e qindra. Që të gjithë janë fëmijë të rinj, qytetarë për gjëra minimale që normalisht nuk duheshin marrë fare në ndjekje penale.
Ndaj nuk duhet të ngutemi, por të ndjekim dosjen e Majlindës e cila është një delinkuente në të gjitha aspektet.
Shkëlqim Malevia: A jeni bërë pishman që protesta e 7 korrikut 2022, si asnjëherë me më shumë elementë opozitarë jashtë PD, nuk dha frytet e veta, ku shumë emra opozitarë mbetën të zhgënjyer nga besimi që ju kishin dhënë gjatë turit të takimeve tuaja. A do ti bashkoheni referundimit për ligjin e barazisë gjinore.
Sali Berisha: Ndoshta e keni të drejtë, protesta e 7 korrikut ishte e jashtëzakonshme, por ajo nuk ishte e thirrur si një protestë në një proces të vazhdueshëm.
Mbase parashikimi duhej të ishte një protestë në një proces të vazhdueshëm.
Kjo e para.
E dyta, ne pa diskutim do mbështesim fuqishëm Aleancën për Familjen, përpjekjet e qytetarëve për të rrëzuar atë ligj, të cilët duhet të bashkohen pavarësisht nga bindjet politike, por të bashkohen të gjitha në vlerat e familjes dhe të kombit.
Sepse pa familje, komb nuk ka.
Për ne shqiptarët, familja është kushti më themelor i ekzistencës tonë.
***
Ju falënderoj shumë për pyetjet.
Ju garantoj se këtë dialog me ju, do ta vazhdojmë në salla, do ta vazhdojmë në takime do ta vazhdojmë përsëri në rrjetet sociale dhe do të jetë i pandërprerë.
Një dialog i hapur, një dialog i cili synon të realizojmë qëllimet dhe misionin tonë.
Faleminderit!

