Deklarata e deputetit të PD, Bardh Spahia:
Të nderuar qytetarë!
Raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit për barnat tumorale shpalos situatën dramatike ku ndodhet sot shëndetësia në Shqipëri; në veçanti shërbimi Onkologjik në QSUNT.
Një shqiptar i diagnostikuar me sëmundje tumorale duhet të përballet jo vetëm me neglizhencë të institucioneve për terapinë, por mbi të gjitha me pasigurinë për barna.
Raporti paraqet situatën reale, që qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë prej vitesh mbulojnë me propagandë boshe apo fasadë godinash.
46% ose 116 barna tumoriale të autorizuara dhe jetike për jetën e qytetarëve nuk janë importuar asnjëherë në periudhën e auditimit 2021–2025.
Dëshmia e para pak javëve e znj. Hava Tafa për mungesë të trajtimit terapeutik me imunoterapinë Pembrolizumab, konfirmohet nga raporti i KLSH.
Ku shkojnë paratë nga taksat e shqiptarëve që i akordohen çdo vit sektorit të Shëndetësisë?!
Mbi 50 milion euro në vit marrin vetëm PPP-të, dy prej të cilëve janë nën hetim nga SPAK. Siç u provua nga komisioni hetimor parlamentar të gjitha të lidhura me procedura prokurimi korruptive. Vetëm për vitin aktual është shtuar me 2.5 milion euro fondi për këto koncesione.
Fondi pë 4 koncesione korruptive është sa dyfishi i të gjithë shpenzimeve për investime që Ministria disburson në vit.
Por ky nuk është i vetmi absurd!
Fondi për barna e pajisje mjekësorë të Spitalit Onkologjik përgjatë 1 viti është plot 13 herë më pak se sa fondi për koncesionet në sektorin e shëndetësisë. Madje gjatë tre viteve të fundit ky fond ka ardhur duke u ulur në gati gjysmë milioni euro, sipas një raporti të mëparshëm nga KLSH.
Spitali Onkologjik merr më pak mbështetje nga qeveria edhe në raport me vetë QSUNT.
Më pak financim, më pak para për barna dhe pajisje mjekësorë, por më shumë pacientë me sëmundje tumorale.
Të nderuar qytetarë!
Abuzimet dhe keqmenazhimi në shërbimin onkologjik vijon me sigurinë e barnave: Qindra e mijëra barna të skaduara, procedura mbetjeje jashtë çdo lloji norme, me procedura prokurimi të dyshimta.
Sot pacientët shqiptarë, sikundër e dëshmon edhe raporti i fundit i KLSH për barnat tumorale, po trajtohen me barna të skaduara!!!
Sistemet monitorimi që nuk garantojnë gjurmim të plotë të barnave dhe paraqesin receta të dublikuara e shkarkime të pasakta;
Mungesë rregulloreje standarde pune dhe kontrolle laboratorike për përgatitjet e barnave;
Mospërmbushje e marrëdhënieve kontraktuale të subjekte furnizuese për barnat;
Penalitete të pa-aplikuara ndaj subjekte që kanë shkelur afatet e furnizimit;
Mungesë e planifikimit afatmesëm (3-vjeçar) për nevojat reale të sektorit, çka ka sjellë nën financim nga viti në vit;
Mungesë kontrollesh laboratorike dhe inspektimesh.
Të nderuar qytetarë!
Kjo situatë ka përgjegjës të drejtpërdrejtë, prandaj ne inkurajojmë organet e drejtësisë të nisin pa humbur kohë një hetim gjithëpërfshirës.
Në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Shëndetësisë garantoj të gjithë qytetarët, dhe në veçanti familjarët e pacientët që marrin trajtim në shërbimin onkologjik në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë, se do të ndërmarrim çdo nismë për të vënë para përgjegjësisë institucionet dhe titullarët e tyre që e kanë përkeqësuar ndër vite këtë shërbim, si dhe do të kërkojmë që e drejta e jetës dhe për shëndet të garantohet për çdo qytetar.
Po ashtu, Partia Demokratike do të depozitojë në Kuvend një kërkesë për mocion me debat me Ministren e Shëndetësisë për situatën në shërbimin Onkologjik.
Ju faleminderit.