Gazment Bardhi

Gazment Bardhi ka lindur më 6 Korrik 1986 në Kavajë. Është diplomuar me rezultate të shkëlqyera si “Jurist”, në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 2008.

Nga Gushti 2008 – Shtator 2013 ka punuar në Ministrinë e Drejtësisë në pozicione të ndryshme si specialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Kodifikimit, Këshilltar i Ministrit të Drejtësisë dhe Drejtor në Drejtorinë e Përgjithshme të Kodifikimit. Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, Gazment Bardhi filloi punë si Këshilltar Ligjor në Parlamentin Shqiptar, për Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike, detyrë që e mbajti deri në Shkurt 2019.

Gjatë periudhës Maj-Shtator 2017, shërbeu si Ministër i Drejtësisë, një pozicion që iu ofrua opozitës në përgjigje të krizës politike të krijuar përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017.

Gjatë periudhës 2013-2019 ka qenë Këshilltar i Kryetarit të Partisë Demokratike për çështjet ligjore dhe gjatë periudhës 2017-2019 ka qenë Drejtues i Departamentit të Drejtësisë në Partinë Demokratike dhe ex-officio anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike.

Në 19 Janar 2019 Gazment Bardhi është zgjedhur nga Këshilli Kombëtar i Partisë si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Në 19 Maj 2023 është zgjedhur Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, pozicion që e mban deri aktualisht dhe sipas Statutit është ex-officio Nënkryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë.