Floriana Garo u lind në Durrës më 15.02.1987.
Në vitin 2002 ajo u shpërngul me familjen në North Dakota, SHBA ku kreu shkollën e mesme. Studimet e larta i kreu në City College of New York ku u diplomua për Marrdhënie Ndërkombëtare në vitin 2011.
Gjatë studimeve në New York, Floriana luajti volejboll me ekipin e universitetit ku u vlerësua 2 herë me titullin ‘Lojtarja e Vitit’ në 2007 dhe 2009 në konferencën CUNY AC. Njëkohësisht, ajo punoi për të financuar studimet dhe jetesën në SHBA.
Në vitin 2011 Floriana u kthye përfundimisht në Shqipëri ku krijoi dhe drejtoi per 5 vite rresht emisionin e mirënjohur me tematikë sociale dhe lifestyle, Jo vetëm modë në TV Klan.
Floriana perfaqesoi Shqipërinë në Miss World në vitin 2012 në Kinë dhe ka qenë nismëtare e disa projekteve te rëndësishme bamirëse në ndihmë të familjeve në nevojë.
Në vitin 2017 Floriana pati një shkëputje nga fusha e medias dhe televizionit për të krijuar familjen e saj pranë bashkëshortit, Enis Dacit, në Gjenevë të Zvicrës ku jetoi për 4 vite dhe u bekua me 2 fëmijë, Adia dhe Priam.
Në vitin 2021, me dëshirën për të kontribuar për vendin në fushën politike të së djathtës shqiptare, Floriana u rikthye për herë të dytë në Tiranë, tani së bashku me familjen e saj, ku u përfshi si Zëdhënëse e Fushatës së 25 Prillit 2021 të Partisë Demokratike.
Me nisjen e lëvizjes së Rithemelimit të PD nga Prof. Dr. Sali Berisha, Floriana pati rolin e Drejtores së Komunikimit dhe Zëdhënëses së Partisë Demokratike, ku këtë pozicionin e fundit, e ruan edhe sot.
Në vitin 2022 Floriana u zgjodh për herë të parë Anëtare e Këshillit Kombëtar dhe më pas, Anëtare e Kryesisë së Partisë Demokratike. Me këtë rol Floriana synon të përfaqësojë denjësisht gratë demokrate, por jo vetëm, e të sjellë një frymë të re ndryshimi dhe përfshirje në politikën shqiptare.