Fatbardha Kadiu

Prof. Asoc. Dr. Fatbardha Kadiu Anëtare e Kryesisë së PDSH-së.

Prof. Fatbardha Kadiu ka lindur më 1980 në Durrës. Është Profesore me një eksperiencë 15 vjeçare në auditoret universitare (publike dhe private) në Shqipëri dhe më gjerë në mësimdhënie dhe në kërkime shkencore. Ajo ka me dhjetëra publikime shkencore mbi çështjet ekonomike. Aktualisht është përgjegjëse e Departamentit “Ekonomiks” në Fakultetin “Ekonomiks, Teknologji dhe Inovacion”, pranë Western Balkans University.

Pasi u diplomua në Kolegjin “Mehmet Akif” në Tiranë, vazhdoi studimet e larta në Turqi, ku u diplomua në vitin 2002 për Shkencat Ekonomike në Universitetin “Ege”, Izmir. Vazhdoi studimet pasuniversitare në SHBA, përkatësisht në vitin 2006 në Universitetin “Georgetown”, në Washington mbi “Planifikimin Strategik”, dhe në vitin 2007 për “Menaxhim Financiar të Institucioneve Publike” në Universitetin Kentucky, Martin School of Public Administration.

Në vitin 2013 ka marrë gradën “Doktor” në Shkencat Ekonomike me tezë “Dizenjimi i Sistemeve Fiskale, Raportet Proporcionale të Taksave në një Sistem Fiskal” në UAMD, dhe në vitin 2016 fiton titullin “Profesor i Asociuar” me tezë “Raportet Financiare të Pushtetit Lokal sipas Reformës së re Territoriale” në UAMD.

Prof. Kadiu është eksperte në hartimin e politikave fiskale, buxheteve afatmesëm dhe afatgjatë të pushtetit lokal dhe atij qëndror. Ajo ka mbajtur një sërë leksionesh të hapura në Universitete të ndryshme, po ashtu edhe pozicione drejtuese si Kryetare e Këshillit të Etikës, Menaxhuese projekti ABML të financuar nga fondet e BE-së, drejtore e taksave dhe tarifave vendore, etj.

Fushat e saj të specializimit janë: Financat Publike; Politikat Fiskale, Politikat Ekonomike të BE-së, Zhvillimi i Qëndrueshëm Ekonomik etj.

Ekspozimi i saj i parë në politik ka qënë në vitin 2004 si anëtare e Forumit Rinor. Më pas ka vazhduar kontributin e saj politik në parti Dega PD Durrës në pozicione të ndryshme duke hartuar dokumenta strategjik në mbështetje të fushatave elektorale.

Në vitin 2017 u zgjodh deputete në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, anëtare e Komisionit Parlamentar për “Ekonominë dhe Financat”. Aktualisht mban pozicionin e Anëtares së Kryesisë së PDSH-së e zgjedhur në maj 2022.

Flet Anglisht, Turqisht, Italisht.
Është e martuar dhe ka tre fëmijë, Tuana, Hira dhe Akini.