Akil Kraja

Akil Kraja është Drejtori i Kabinetit të Kryetarit të Partisë Demokratike. Ai është diplomuar në menaxhim publik nga SciencesPo Paris, Bocconi Milano dhe nga ENA ku është vlerësuar me Magna Cum Laude.

Zoti Kraja ka qënë i zgjedhur si anëtar i Këshillit Bashkiak Tiranë në vitet 2015 – 2019, periudhë gjatë së cilës ka drejtuar Komisionin e Punëve Publike. Ai ka kontribuar në ngritjen e tematikave të ndryshme me interes për qytetin e Tiranës ku vlen të theksohen çështjet që prekin inceneratorin & landfillin e Sharrës, taksat vendore, ndërtimet pa kriter dhe çështjet mjedisore.

Në vitin 2015 ai u emërua si Drejtori i parë i fondacionit zyrtar të Partisë Demokratike, Fondacioni për Liri dhe Demokraci, ku dha një kontribut në drejtim të hartimit të programeve dhe raporteve elektorale të Partisë Demokratike, të organizimit të trajnimeve dhe konferencave të ndryshme si dhe në promovimin e praktikave të mira nga partitë simotra europiane.

Në rrafshin profesional, Z.Kraja ka mbuluar disa herë pozicione drejtuese në institucione të ndryshme private dhe publike duke u specializuar në financimin e bizneseve të vogla dhe të mesme, zhvillimin ekonomik dhe atë rural, si dhe në promovimin e eksporteve shqiptare.

Para rikthimit në Shqipëri në vitin 2012, Z. Kraja ka patur eksperienca të ndryshme në New York, Prishtinë, pranë Komisionit Europian në Bruksel apo Këshillit të Europës në Strasburg. Ai ka qënë gjithashtu bashkë-themelues i një takimi të përvitshëm të nivelit të lartë dedikuar sigurisë dhe bashkëpunimit në Ballkan mbështetur nga NATO.

Z.Kraja është i martuar dhe banues në Tiranë.