35 vjetori i themelimit të PD/ Berisha nderon themeluesit dhe kontribuesit ndër vite: Në këtë përvjetor le të kurorëzojmë PD-në si forcën e vetme politike në planet që gjatë ekzistencës së saj shembi dy diktatura

FJALA E KRYETARIT SALI BERISHA NË 35 VJETORIN E THEMELIMIT TË PARTISË DEMOKRATIKE

EKSTRAKT

Si sot 35 vite më parë u themelua Partia Demokratike, forca e parë pluraliste e Shqipërisë, pas diktaturës së egër komuniste.

Ditën e sotme në 35-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, në këtë jubile historik, Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, përshëndeti themeluesit, kontributorët ndër vite të kësaj force politike dhe brezin e ri të PD-së.

 ‘PD-ja është partia e idealeve të mëdha dhe sakrificave të mëdha. Ajo jeton mbi themelin e pandryshueshëm të lirisë.’, tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali berisha nderoi figurat kyçe të viteve të para të pluralizmit, duke theksuar se ‘idealet e studentëve të dhjetorit nuk janë venitur kurrë. Ato i dhanë kombit tonë dinjitet, shpresë dhe një horizont europian’. Për Berishën, PD-ja mbart një mision që nuk mbyllet kurrë: ‘Të mbrojë lirinë, të ngrejë dinjitetin e qytetarëve dhe të vendosë në qendër interesin e Shqipërisë.’

Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës shqiptare duke denoncuar narkoqeverinë i shpreh se, ‘Shqipëria sot është nën kontrollin e një narko-diktature moderne,’ duke akuzuar Kryeministrin Edi Rama për kapjen e institucioneve, shpopullimin e vendit dhe deformimin e sistemit zgjedhor. ‘Askush më nuk e mohon se në këtë vend vota tjetërsohet. Raportet ndërkombëtare, institucionet e specializuara, të gjithë e dinë dhe e thonë të njëjtën gjë: regjimi i Ramës ka ndërtuar mekanizmat më perfidë të vjedhjes së zgjedhjeve.’

Gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë e 35-vjetorit të PD-së lideri i demokratëve Sali Berisha u shpreh se, megjithë presionet, goditjet dhe përpjekjet për ta përjashtuar opozitën nga skena publike, PD-ja ‘është më sovrane, më e bashkuar dhe më e fortë se kurrë’. Berisha theksoi se rikthimi i simboleve, mobilizimi i anëtarësisë dhe mbështetja ndërkombëtare janë prova të qarta se ‘askush nuk mund ta shkëputë këtë parti nga zemra e shqiptarëve’.

Duke iu referuar etiketimit ‘non grata’, kryetari i PD-së Sali Berisha deklaroi se ‘ata që firmosën aktet kundër meje, sot janë vetë non grata. Koha dhe drejtësia i ka marrë në shënjestër të vërtetë ata, jo mua. Asnjë shpifje nuk më ka lëkundur dhe asgjë nuk do të më lëkundë. Unë jam këtu sepse ju më keni besuar dhe sepse kauza jonë është e drejtë.’

Berisha nuk la pas edhe akuzat ndaj Edi Ramës duke iu drejtuar me fjalët se: ‘Pas Lubisë, i ka radhën ai. Nuk ka më imunitet për askënd. Sistemet e drejtësisë ndërkombëtare janë duke u lëvizur. Edi Rama e di mirë se çfarë e pret.’

Në këtë ditë simbolike, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, nuk foli vetëm për të shkuarën, por edhe për të ardhmen. Ai e mbylli fjalën me një thirrje të fuqishme mobilizuese: ‘Ne sot nuk jemi vetëm opozita e një regjimi, jemi fronti i mbrojtjes së kombit tonë nga shpopullimi, nga dhunimi i dinjitetit dhe nga krimi që ka shtrirë rrënjët në çdo cep të shtetit. Idealit tonë të demokracisë i shtohen sot dy altare të reja: familja dhe vetë mbijetesa kombëtare.’

‘Triumfi ynë është i pashmangshëm. Ne do ta çlirojmë Shqipërinë. Ne do ta rikthejmë shpresën. Ne do ta sjellim sërish ndryshimin e madh.’, tha gjatë fjalës së tij para të pranishmëve të mbledhur në oborrin e selisë së Partisë Demokratike, kryetari Sali Berisha.

FJALA E PLOTË:

Të dashur qytetarë dhe qytetare të pranishëm sonte në këtë takim, por dhe kudo që ndodheni.

Të nderuar demokratë dhe demokrate të pranishëm këtu, në Shqipëri dhe jashtë vendi.

Të nderuar drejtues, deputetë, qeveritarë vendorë, këshilltarë të Partisë Demokratike.

Të dashur kryetarë, drejtues të forcave politike aleate të Partisë Demokratike.

Të dashur drejtues të forumeve të Partisë Demokratike, forumit të gruas dhe forumit të rinisë. Përshëndetje dhe urimet më të përzemërta në 35 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, partisë më të jashtëzakonshme.

Nderimin më të madh për guximin, kontributin, lumenjtë e sakrificave të qindra e mijëra demokratëve dhe demokrateve dhe mbështetësve tanë në këto 35 vite.

Nderim dhe mirënjohje të pakufishme për veprën e pavdekshme të tribunit të lirisë, themeluesit dhe prijësit të parë të Partisë Demokratike, Azem Hajdari. Azem, ti je gjallë!

Nderim të veçantë dhe të madh për veprën dhe kontributin e themeluesit të shquar të Partisë Demokratike, intelektualit të mirënjohur, të pavdekshmit Gramoz Pashko.

Ne përkulemi me nderim të thellë para kontributit dhe veprës së pavdekshme të themeluesve dhe drejtuesve të Partisë Demokratike, Mandelës së Evropës, ish-kryetarit të parlamentit, Pjetër Arbnori.

Qëndrestarit të pamposhtur dhe intelektualit të madh, drejtuesit kryesor të Partisë Demokratike dhe grupit të mazhorancës së saj në parlament, Ali Spahia.

Personalitetit të shquar të Partisë Demokratike, burrit të shtetit që i dha aq shumë nder shtetit dhe presidencës, Bujar Nishani.

Ministrit brilant të Partisë Demokratike dhe drejtuesit të rinisë së saj, Sokol Olldashi. Udhëheqësit të talentuar të rinisë, Partisë Demokratike, Gerti Bogdani.

Dhe dhjetëra e dhjetëra drejtuesve, deputetëve, qeveritarëve qëndrorë dhe vendorë të kësaj partie që nuk janë më. Kujtimi, vepra, trashëgimia e tyre është dhe do mbetet krenaria e jona dhe e demokratëve në çdo kohë.

Të dashur miq!

Ne jemi nga ato më të paktat parti të këtij planeti që kanë ndarë epoka dhe kanë bërë histori qysh në ditën e parë të themelimit tonë.

Për shembull, ne jemi, ne jemi një parti e cila në ditën e parë të ekzistencës sonë i dhamë Shqipërisë dhuratën më të çmuar të shekullit, pas pavarësisë së vendit, pluralizmit politik. Me fjalë të tjera i dhamë lirinë.

Ne jemi partia që u themeluam si parti në vendin e lirive dhe të drejtave të njeriut të ndaluara me kushtetutë.

Si forca politike e vokacionit perëndimor të kombit shqiptar dhe njëherazi, forca e parë politike në Europën ish-komuniste, që kërkoi qysh në themelimin e saj anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Ne jemi partia e interesit kombëtar, të shqiptarëve, që shpallëm në themelimin tonë çështjen kombëtare si yllin tonë polar.

Kurrë shqiptarët, kurrë Shqipëria s’ka patur një avokate më të pamposhtur të interesave të saj dhe shqiptarët një mbrojtëse të lirive të tyre sa Partinë Demokratike dhe si Partinë Demokratike.

Ne jemi partia që në shtetin e parë ateist të botës, rikthyem besimet fetare të shqiptarëve. Ne jemi partia e cila pas më pak se një vit themelimi arritëm të shembim diktaturën e fundit komuniste, por dhe më teke të Europës.

Ne jemi një parti e cila i dha Shqipërisë ëndrrën më të bukur të rilindasve tanë, që i dha forcën shqiptarëve të kapërcenin 45 vite shtypje.

Kjo ëndërr u artikulua nga studentët liberatorë: E duam Shqipërinë si gjithë Europa. Shqipëria në Europë.

Kjo ishte epoka që hapëm me themelimin e Partisë Demokratike dhe pluralizmit politik në Shqipëri.

Por është një histori 35 vite më parë, e cila më së miri tregon se çfarë partie e jashtëzakonshme që jemi.

Dhe sot do ta ndaj me ju këtë histori. për të rikujtuar dhe njëherë vlerat dhe idealet që e kanë bërë Partinë Demokratike forcën më të suksesshme qeverisëse që ka udhëhequr ndonjëherë Shqipërinë në të gjithë historinë e saj dhe vitet e fundit, opozitën më të pamposhtur që ka parë ndonjëherë Europa gjerë sot.

Miqtë e mi, 35 vite më parë, në ditët e para pas themelimit të Partisë Demokratike, shumë të rinj, intelektualë, na bashkoheshin çdo ditë. Midis tyre ishte dhe një djalë rreth 26, 27 vjeç, pedagog i arteve.

Askush nuk mendonte në atë kohë se disa vite më vonë ai person do kthehej në fatkeqësinë më të madhe të kombit shqiptar pas Enver Hoxhës në një shekull.

Ky djalë ishte Edvin Kristaq Rama dhe siç e dini, ai nuk rezistoi dot më gjatë se disa orë në Partinë Demokratike dhe është kjo forca e madhe e kësaj partie.

Demokratët kanë një instinkt të pagabueshëm për të dalluar të mirën dhe të keqen, gënjeshtrën dhe të vërtetën, sepse ne bashkë, ish-studentët e dhjetorit, intelektualët themeltarë, themelues të Partisë Demokratike, brezat e rinj të demokratëve dhe të gjithë mbështetësit tanë, janë burra, gra, djem dhe vajza, që janë bërë bashkë rreth idealeve më të larta njerëzore, rreth interesit kombëtar.

Janë këto ideale dhe interesi kombëtar që bën të mundur që Partia Demokratike t’i dhurojë Shqipërisë anëtarësimin në Këshillin e Europës, anëtarësimin në NATO, liberalizimin e vizave, projekte monumentale si Rruga e Kombit, gazsjellësi Trans-Adriatik, bashkimi i Elbasanit me Tiranën, ndërtimi dhe rindërtimi i 11.000 km rrugë, autostrada, superstrada, ura, tunele. Shqipërinë nga humbtirë dixhitale, e sollëm në moshën dixhitale.

Shqiptarët për herë të parë në historinë e tyre dolën në një ‘kuantum lip’, nga grupi i kombeve me të ardhura ndër më të ultat në planet dhe njerëzit ndër më të varfër të kësaj toke, në grupin e kombeve me të ardhura të mesme të larta, në qytetarët më të paguar të rajonit.

Shqiptarët, nga skllevër të hiperkolektivizimit dhe pronës socialiste, në pronarë dinjitozë, zotër të pronave të tyre dhe iniciativës së tyre të lirë, në vendin e hiperkolektivizmit, tregun dinamik dhe vibrant.

Partia Demokratike, partia e interesit kombëtar të shqiptarëve dha kontribut dhe luajti rol të pazëvendësueshëm në Pavarësinë e Kosovës.

Ishim bashkë të gjithë atë ditë kur këtu në Tiranë miku i shquar i kombit shqiptar, presidenti Xhorxh Bush, shpalli për herë të parë pavarësinë e shtetit të dytë shqiptar, pavarësinë e Kosovës.

Të gjitha këto arritje epokale, të gjitha këto gëzime, këto marrëdhënie të jashtëzakonshme që ne kemi njeri me tjetrin, janë të gjitha fat dhe privilegj, që jo çdokujt i jepet në jetë.

Por, mbi të gjitha, çfarë fati për ne të jemi një parti që nuk lëshojmë kurrë të vërtetat, që besojmë interesin kombëtar, edhe sikur e gjithë bota të jetë kundër nesh.

Dhe kjo është dëshmuar, është faktuar në këto vite që lamë pas. Por gjithashtu janë këto ideale që na mundësuan mbijetesën dhe mbrojtjen e tyre, që na mundësuan mbijetesën gjatë atij sulmi që na u bë këto vite nga i cili asnjë parti në Europë dhe në botë nuk do kishte mbijetuar dot.

Dhe sigurisht janë këto ideale dhe interesi kombëtar që do sjellin triumfin, rrëzimin e narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë dhe shpëtimin e Shqipërisë.

Zonja dhe zotërinj!

35 vite pas themelimit të Partisë Demokratike, në disa aspekte ne gjendemi sot në një situatë shumë të ngjashme me ditët e para, por pak në mënyrë figurative. Koincidenca. Në ato vite ishte Aleksandër Gjoka, që na priste dhe na frymëzonte, sot kemi Renis Gjokën.

Renis, të përqafoj dhe të falënderoj shumë.

Kur u themeluam, përballë kishim një diktaturë. Sot përballë kemi një diktaturë tjetër. Jo një diktaturë komuniste, që kishte për ideologji ideologjinë marksiste-leniniste dhe indoktrinimin, por një diktaturë të bazuar në drogën, vjedhjen dhe ideologjinë post-marksiste të ekstremit të majtë.

Edi Rama, që ne e përzumë nga Partia Demokratike orët e para pas ardhjes së tij, sot ka themeluar narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë. Ai sot ka më shumë pushtet se Ramiz Alia në vitin 91.

Ai qeveris në bashkëpunim me kartelet më të rrezikshme të drogës të Shqipërisë dhe Amerikës Latine.

Sot, pas 12 vitesh në pushtet, Shqipëria është populluar nga pothuaj gjysmë e popullatës së vet. Kombi ka pësuar katastrofën demografike më të madhe në tërë ekzistencën e tij. Edi Rama ka grabitur pasuritë e shqiptarëve në sasi më të mëdha se sa ç’kanë grabitur të gjithë në të gjithë historinë të marrë së bashku, të gjitha regjimet dhe pushtimet e mëparshme.

Edi Rama, njëlloj si Enver Hoxha dhe etërit e tij biologjikë, xhelatë të shqiptarëve, ka vrarë zgjedhjet e lira, shpresën e shqiptarëve.

I ka zëvendësuar ato me forcë elektorale, siç faktoi dhe raporti i fundit i OSBE-ODIHR-it. Pra, në çdo aspekt po që ta kapësh, Shqipëria sot po vuan një diktaturë të dytë të mirëfilltë, me arrestime dhe burgosje kundërshtarësh politikë, kontrollin e mediave, varfërimin dhe dëbimin e shqiptarëve nga dheu i tyre. Por dhe diçka miqtë e mi.

Nëse ne u themeluam për disa vlera themelore, për pluralizmin politik, për lirinë dhe dinjitetin njerëzor, për familjen, integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe NATO, për interesin kombëtar dhe çështjen kombëtare, arsyet pse ne luftojmë sot janë akoma më themelore, sepse ne luftojmë sot për shpëtimin e demokracisë, sepse ne nuk kemi më zgjedhje.

Ne luftojmë sot për shpëtimin e familjes shqiptare, sepse ligji i shkonfigurimit të gjinive është votuar nga Edi Rama. Ne luftojmë sot për shpëtimin e Shqipërisë, sepse me shkallën e shpopullimit që vazhdon, rrezikojmë zhdukjen e plotë në 5 dekadat që vijnë.

Demokracia, familja dhe Shqipëria janë betejat tona të jetës dhe misionit tonë. Këto të trija janë kushtrimi i çdo demokrati sot. Kurrë në jetën tonë nuk kemi patur një mision kaq të lartë si ky. Kurrë nuk është varur fati i Shqipërisë nga një parti, ashtu siç varet sot nga ne.

Miqtë e mi, ne do fitojmë.

Në 35-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se, ata që e shpallën ‘non grata’, sot janë ‘non grata’ në vendin e tyre dhe këtë mesazh e kishte për ish-sekretarin e Shtetit, Antony Blinken.

Berisha paralajmëroi dhe Edi Ramën, duke iu drejtuar nga selia blu, se pas Lubi Ballukut, radha është e tij për tu përballur me vjedhjet dhe korrupsion që ka bërë.

Vitet e fundit kanë qenë ndër më të vështirat që ka kaluar forca jonë politike. Siç thashë dhe më parë.

Asnjë opozitë tjetër nuk do kishte mbijetuar dot sulmeve të padrejta që na u bënë. Nga këto sulme, ditëlindjet që forca jonë politike ka festuar vitet e fundit, kanë qenë në kushte të vështira.

Disa herë, e keni festuar 11 dhjetorin pa simbolet e partisë. Një herë tjetër në kushte që po arrestohej kryetari i saj. Por pas këtyre viteve të vështira, më duhet të them se para nesh, ky përvjetor i themelimit të Partisë Demokratike është më i veçanti i 4 viteve të fundit për çdo demokrat, sepse ajo që ne kemi arritur është shumë dhe nuk është pak.

Le të marrim ku jemi sot dhe ku ishim vitet e fundit. Në mënyrën më kriminale, na kishin grabitur simbolet e partisë.

Sot flamuri ynë është më sovran se kurrë. Dhe Partia Demokratike është e demokratëve.

Na kishin izoluar padrejtësisht me anë të lobingjeve korruptive të mafies ndërkombëtare.

Sot, lideri juaj është zëvendëspresident i organizatës më të madhe ndërkombëtare të partive të djathtë, të djathta dhe qendrës së djathtë.

Deri para një viti asnjë mbështetje ndaj padrejtësive që na bënë.

Sot 7 rezoluta ndërkombëtare që denoncojnë farsën elektorale të Edi Ramës, narkoshtetin e tij, lidhjet e tij me Sinaloan e Meksikës dhe mbështesin pa kushte Partinë Demokratike dhe opozitën shqiptare.

Edi Rama, George Soros dhe mafia e tij shpallën ‘non grata’ Sali Berishën dhe përdorën

prokurorinë politike për arrestimin e tij.

Por sot, ai që mori vendimin, lavdi Zotit, është shpallur ‘non grata’ në vendin e tij si një nga mashtruesit më të mëdhenj të Shteteve të Bashkuara dhe të planetit.

Na treguan barin, por sot, personat që treguan barin u pensionuan para kohe dhe hetohen për korrupsion.

Por më e rëndësishmja miq, sot narko-shteti është duke u shkërmoqur. Mbështetja që Edi Rama gëzonte nga mafia më e rrezikshme e planetit, George Soros, po bie me shpejtësi.

Asnjë urim nuk ka marrë nga Shtetet e Bashkuara Edi Rama. E gjithë Rilindja ka rënë.

Qeshte Lubia. Një vit më parë kur unë i thoja në parlament se do kesh fatin e Lali Vjedhësit, ndërsa tani nuk futet dot në parlament.

Sot e them këtu para jush, Edi Rama, pas Lubisë, e ke radhën ti!

Pra, të gjitha këto, miqtë e mi, këto arritje, këto kushte pozitive ku gjendet pas 35 viteve, në këtë 35 vjetor të Partisë Demokratike, janë rezultat i punës, qëndrimit, qëndresës dhe sakrificave tuaja.

Sepse ne jemi të pamposhtur, sepse ne nuk dorëzohemi.

Nuk dorëzohemi kurrë për dinjitetin njerëzor.

Nuk dorëzohemi kurrë për familjen dhe vlerat e saj.

Nuk dorëzohemi kurrë për pluralizmin politik.

Nuk dorëzohemi kurrë për interesin kombëtar dhe për Shqipërinë.

Sepse ne jemi një parti që ka fuqinë për të krijuar veten e saj, për t’u rithemeluar.

Ne mësojmë nga gabimet tona dhe kemi aftësinë për t’u ngritur, për t’u ringritur pasi rrëzohemi.

Zoti i bekoftë demokratet dhe demokratët, Partinë Demokratike.

Miqtë e mi, të gjitha arritjet tona ishin një proces i pashmangshëm, të cilat bëjnë të mundur dhe të pashmangshëm triumfin tonë, fitoren tonë. Shumë kush mund të jetë mërzitur, mundet dhe të jetë lodhur. Normale, opozitë e zgjatur. Por mos harroni,

Miqtë e mi, të gjitha arritjet tona ishin një proces i pashmangshëm, të cilat bëjnë të mundur dhe të pashmangshëm triumfin tonë, fitoren tonë.

Shumëkush mundet të jetë mërzitur, mundet dhe të jetë lodhur. Normale, opozitë e zgjatur. Po mos harroni se përballë ne kemi jo një parti kundërshtare, por një organizatë gjigante  kriminale, rrezik për Shqipërinë dhe sigurinë e Europës.

Përballë ne kemi një kryeministër, jo një kryeministër, por një narko-kryeministër, kumbari i Hysës dhe Sinaloas, Tropinëve, Çelëve, Bajrëve dhe bandave më të rrezikshme kriminale të Shqipërisë dhe Europës.

Përballë ne nuk kemi një qeveri, por një Lubi qeveri, që ka vjedhur, shpërdoruar 90% të 67 miliardëve të 12 viteve buxhetet të shtetit shqiptar.

Përballë ne kemi një shtet, nuk kemi një shtet, por një narko-shtet sipas përkufizimit të mirëfilltë të fjalës. Ndaj nuk ka qenë dhe nuk është e thjeshtë.

Por ja ku jemi sot.

Ju premtuam shqiptarëve se do shpëtojmë opozitën dhe e mbajtëm këtë premtim. Kurrë ndonjëherë opozitë më sovrane Shqipëria nuk ka pasur.

Ju premtuam shqiptarëve se do mbrojmë votën dhe e përmbushëm këtë premtim.

Tani është koha për premtimet më kryesore: shpëtimin e demokracisë, shpëtimin e familjes, shpëtimin e Shqipërisë, fitoren e Partisë Demokratike.

Dhe sot, në këto kushte ku gjendemi, kemi çdo mundësi për të shembur narko-shtetin, që është aq i dobët sa ç’ishte partia e punës në vitin ’90. Çdo betejë e këtyre katër viteve, çdo fitore që kemi arritur, ka qenë që të arrimë këtu.

Tani na pret përballja përfundimtare.

Të organizojmë protestat më të fuqishme, kombëtare. Të përmbysim narko-shtetin dhe të arrijmë me votën tonë fitoren e Partisë Demokratike, fitoren e opozitës shqiptare, fitoren e merituar.

Narko-shteti po shembet, por goditjen e mëshirës, goditjen përfundimtare duhet t’ia japim ne, demokratët, demokratët, opozitarët e këtij vendi.

Ndaj dhe këtë 35-vjetor le të kurorëzojmë Partinë Demokratike si forcën e vetme politike në planet që gjatë ekzistencës së saj shembi dy diktatura.

Rroftë, rrofshi ju!

Rroftë Partia Demokratike!

Rroftë Shqipëria!

Faleminderit.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale