35 vite nga rënia e murit të Berlinit/ Berisha: Frymëzoi kombet e tjera të ngriheshin kundër diktaturave komuniste

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR TE ‘RRUGA E SHPRESËS’

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë fjalës së tij në protestën maratonë te ‘Rruga e Shpresës’ solli në rikujtesë 35-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, ku u përqendrua në rëndësinë historike dhe simbolike të kësaj ngjarjeje, jo vetëm për Gjermaninë por për të gjithë botën.Berisha e  përshkroi momentin e rrëzimit të murit si një akt heroizmi nga qytetarët gjermanë të Gjermanisë Lindore, të cilët nuk pranuan më shtypjen dhe diktaturën.

Në fjalimin e mbajtur nga kreu demokrat, Sali Berisha theksohet edhe roli i presidentit amerikan Xhorxh Bush, i cili pa në këtë ngjarje jo vetëm një hap për lirinë e Gjermanisë, por edhe një mundësi për bashkimin dhe forcimin e Europës dhe aleancës së NATO-s.

Sipas Berishës, rënia e murit frymëzoi kombe të tjera që të ngriheshin kundër diktaturave komuniste, duke çuar në revolucionet e vitit 1989 dhe rrëzimin e regjimeve komuniste në vende si Polonia, Çekosllovakia, Hungaria, Bullgaria dhe Rumania.

Gjithashtu, Berisha kujtoi se rënia e Murit të Berlinit frymëzoi edhe shqiptarët, sidomos të rinjtë që më 2 korrik 1990 organizuan një përpjekje të guximshme kundër regjimit komunist, duke e konsideruar atë si një “Mur të Berlinit” të Tiranës. Ai përmend rolin e rinisë studentore në revolucionin demokratik të vitit 1990, që solli fundin e diktaturës dhe rivendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri, duke kulmuar me fitoren e opozitës në zgjedhjet e marsit 1992.

Kryetari i PD, Berisha e përshkruan këtë periudhë si një kthesë epokale për Shqipërinë, e cila ndau një epokë të errët nga një e ardhme demokratike. Megjithatë, ai shprehu shqetësimin se sot, pas më shumë se tri dekadash, Shqipëria po përballet me një formë të re të diktaturës të karakterizuar nga krimi, droga dhe korrupsioni. Berisha e përshkroi këtë situatë si një mur të ri që ndalon përparimin dhe lirinë e popullit shqiptar.

Kryetari i PD, Sali Berisha bëri thirrje për mosbindje civile dhe për një përballje të vendosur kundër asaj që ai e cilëson si një narkoshtet të drejtuar nga Edi Rama dhe qeveria e tij, të cilën ai e akuzon për kriminalitet dhe korrupsion.

Një element qendror në këtë fjalim është kritika e ashpër ndaj Xhorxh Sorosit, të cilin Berisha e cilëson si “armik të egër” të kombit shqiptar dhe një kërcënim për demokracinë dhe të drejtat kombëtare. Lideri demokrat e cilëson Xhorxh Sorosin një “kryekorruptor” dhe “kryecensor” global, duke sugjeruar se ndikimi i tij është shkatërrimtar për Shqipërinë.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Berisha e përshkroi Shqipërinë si një “të sëmurë në spital urgjence”, që kërkon ndihmë dhe ndërhyrje për t’u shpëtuar nga korrupsioni dhe abuzimi që po e përzë popullin nga vendi i tyre. Lideri demokrat iu bëri thirrje qytetarëve për veprime të vendosura për të rikthyer dinjitetin, shëndetin dhe të ardhmen e Shqipërisë, duke përfshirë edhe një protestë të fuqishme.

Berisha përgëzoi qytetarët për guximin dhe qëndresën e tyre përballë qeverisë dhe bashkisë, duke thënë se kanë arritur të “kallin tmerrin” tek Veliaj dhe të paralajmërojnë një përgjegjësi të rëndë për të. Me tone të forta, Kryetari i PD, Sali Berisha tha se Veliaj do të përfundojë në shtyllën e turpit kombëtar.

FJALA E PLOTË

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta. Mirënjohjen më të pakufijshme, ju guximtareve dhe guximtarëve, misionarëve të vërtetë të kauzes së drejtë të çdo shqiptari të lirisë, dinjitetit, interesit kombëtar të shqiptarëve.

Një përshëndetje të përzemërt miqve tanë demokristianë, z.Zef Morina për fjalën e tij.

Të dashur miq, nesër kombi i madh gjerman dhe popujt që u dergjën në diktaturat komuniste kanë një ngjarje të madhe. Më 9 nëntor të vitit 1989, 35 vite më parë gjermanët u vërsulën si luanë mbi murin e Berlinit që ndante mbretërinë e lirisë nga mbretëria e tiranisë.

Që ndante diktaturat nga vendet e lira dhe rrëzuan atë.

Rrëzimi i Murit të Berlinit është një nga ngjarjet më të mëdha në historinë e lirisë të kombit gjerman, të Europës dhe botës.

Rrëzimi i Murit të Berlinit është vepër e trimërisë, e guximit, shpirtit të pamposhtur të qytetarëve gjermanë të Gjermanisë Lindore, të cilët nuk pranonin më shtypjen, persekutimin, diktaturën në vendin e tyre.

Ky akt madhor në historinë e lirisë u frymëzua nga thirrja që do bënte më parë presidenti i SHBA-ve, Ronald Reagan në Portin e Banderburgut.

Në fjalën e tij, ai do i drejtohej diktatorit sovjetik, z.Gorbaçov: hiqe këtë mur! Gjermanët të cilët muri i ndante nga kombi i lirë i tyre nisën betejën me murin dhe diktaturën.

Por rënia e Murit të Berlinit u bë e mundur nga qendrimi vizionar, guximtar i kancelarit më të madh të të gjitha kohërave, Helmut Kohl.

Ky burrë i madh i kombit gjerman frymëzoi me qendrimet e tij bashkëkombasit e vet përtej murit, dhe kur ata bënin qindra kilometra për të kaluar në Gjermaninë Perëndimore nëpërmjet Austrisë, Çekosllovakisë, Hungarisë, etj., ai u thoshte gjermanëve se bashkëatdhetarët tanë po votojnë me këmbë.

Pra, me mosbindje civile gjermanët votuan.

Rënia e murit u bë e mundur nga qendrimi vizionar i mikut të madh të kombit shqiptar, burrit të shquar të kombit amerikan, Xhorxh Bush, i cili duhet të themi të vërtetën në dallim nga udhëheqësit e tjerë perëndimorë të asaj kohe shikonte te rënia e murit dhe bashkimi i Gjermanisë një dimension madhor të lirisë në Europë dhe në botë.

Shikonte tek një Gjermani e bashkuar një lokomotivë të vërtetë të BE, por edhe një vend ndër më të fuqishmit në aleancën e Atlantikut të Veriut.

Rënia e Murit të Berlinit frymëzoi kombe të tjera në diktaturat ish-komunsite dhe ato njëra pas tjetrës u ngritën në revolucionet e vitit ’89. Përmbysën në Poloni, Çeki, Hungari, Bullgari, Rumani klikat komuniste

Padyshim që rënia e Murit të Berlinit ishte frymëzim edhe për shqiptarët, por mbi të gjitha frymëzim për të rinjtë shqiptarë, të cilët zhvilluan më 2 korrik të vitit ’90 një betejë epike me diktaturën. Shembën në Tiranë ‘Murin e Berlinit’.

Dhe më pas, do të ishte rinia studentore ajo që do të shkatërronte përfundimisht përpjekjet e dikaturës për të ngritur dhe për të mbajtur në këmbë këtë mur.

Në revolucionin e saj demokratik të vitit ’90 rivendosi pluralizmin politik në Shqipëri dhe me zgjedhje të lira do përmbysej diktatura më staliniste e Europës.

Në 22 mars të ’92 do të fitonte opozita shqiptare!

Të dashur miq, rënia e Murit të Berlinit, revolucioni demokratik i vitit 1989 në vendet e Europës ish-komuniste, revolucioni demokratik, i fundit i vitit ’90 në Tiranën staliniste ishin zhvillime epokale, zhvillime që ndanë epokat.

Por Shqipëria sot kremton këtë ngjarje në një diktaturë të re. Shqiptarët sot kanë përpara një mur krimi, vjedhjeje, droge, korrupsioni.

Ndaj edhe, kjo ngjarje le të jetë një frymëzim i madh, para së gjithash për të rinjtë shqiptarë. T’i provojnë vetes, kombit, por edhe njerëzve të lirë në Europë dhe në botë se ata nuk pajtohen kurrë me narkodiktaturat.

Se ata në një betejë epike, në regjimin pushtues më të egër që kanë njohur në histori shqiptarët do të përmbushin misionin historik, do rikthejnë Shqipërinë në rrugën e demokracisë, prosperitetit, integrimit, në rrugën e interesave kombëtare të shqiptarëve.

Miqtë e mi, kjo ngjarje fton çdo shqiptar të ngrihet para se të votojnë te kutitë e votimit, të votojnë me mosbindje civile!

Të votojnë me përballje!

Te votojnë me zemërim!

Të votojnë me revoltë kundër narkoshtetit, Edi Ramës, organizatës së tij kriminale që quhet qeveri, narkozyrtarëve të tij, organizatës kriminatë Skapit të partisë.

Është jetike, është vendimtare për shpëtuar Shqipërinë të shndërruar në kopështin e helmuar të Xhorxh Sorosit, këtij armiku të egër të qënies tonë kombëtare, të demokraxisë shqiptare.

Këtij kryekorruptori, kryecensori të planetit.

Të dashur miq, Shqipëria sot ngjet me të sëmurin të shtruar në spital urgjence. Pret ne, pret qytetarët e saj t’i rikthejnë shëndetin dhe gjallërinë, jetën dhe fuqinë.

Ta shpëtojmë nga këta hajna që e vjedhin dhe e plaçkisin çdo ditë nga mëngjesi në darkë, çdo natë, çdo javë, çdo muaj dhe përzenë shqiptarët nga dheu i tyre.

Të dashur miq, Shqipëria sot udhëhiqet nga krimi, udhëhiqet nga bandat e krimit, nga mafia ndërkombëtare.

Kurrë ndonjëherë ky vend nuk ka patur nevojën më jetike për dashurinë tonë se sot, për sakrificën tonë, për guximin tonë.

Ndaj edhe, ju ftojmë të vazhdojmë ne të pamposhtur mosbindjen civile.

I përshëndes përzemërsisht ata qytetarë dhe qytetare që vazhduan edhe sot mosbindjen civile para Bashkisë së Tiranës. I keni kall datën! I keni kall tmerrin! E keni shndërruar në hije kryehajdutin e Tiranës, Erion Veliaj.

Ju garantoj se së shpejti do ta varni në shtyllën e turpit kombëtar këtë hajdut të pafytyrë!

Ndaj edhe, ju ftoj të pamposhtur të vazhdojmë këtë betejë.

Është radha jonë! Është radha jonë! Është radha jonë!

Fitore! Fitore! Fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale