15 marsi/ Berisha: Ne do protestojmë kundër mbylljes së TikTok sepse është një akt i rëndë censure

BASHKËBISEDIMI I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME QYTETARËT NË RRJETET SOCIALE

EKSTRAKT

Në komunikimin e tij të shtunën me qytetarët, lideri i PD-së, Prof. Dr. Sali Berisha, deklaroi se protesta e 15 Marsit do të jetë kundër mbylljes së TikTok nga qeveria, duke e cilësuar këtë si një akt të rëndë censure. I pyetur nga qytetarët për reagimin e PD-së ndaj vendimit të qeverisë, Berisha theksoi se TikTok-u është një mjet tepër tërheqës dhe komod për komunikim.

‘Por, bllokimi i tij për shkak se të rinjtë po kritikonin dhe tallnin Edi Ramën në këtë platformë, është një akt brutal dhe tregon intolerancën e tij ndaj mendimeve të ndryshme. Për më tepër, Edi Rama përdori një justifikim të rremë për këtë vendim,’ tha Berisha gjatë komunikimit.

Vitin 2025, Berisha e cilësoi si ‘Vit i Diasporës Shqiptare’. Ai shtoi se procesi me diasporën po mbikëqyret në çdo detaj dhe se vota e emigrantëve do të jetë e sigurt.

Në lidhje me Edi Ramën, kreu i PD-së tha se ai do të përballet me një seri procesesh ligjore në Shqipëri, por afera McGonigal është më e rëndësishmja nga të gjitha. ‘Mos u çuditni nëse kërkohet ekstradimi i tij, dhe pa asnjë hezitim do të ekstradohet në SHBA,’ tha Berisha.

Berisha premtoi se, me ardhjen e tij në pushtet, gjatë 100 ditëve të para të qeverisjes do të zbatohet ‘paketa e dhembshurisë’. ‘Do të nxjerrim Shqipërinë nga varfëria ekstreme dhe do të krijojmë kuadrin ligjor për një klimë biznesi më miqësore se kurrë më parë,’ theksoi ai.

Gjatë komunikimit në rrjetet sociale, Berisha u shpreh se Edi Ramës i erdhi një paralajmërim i fortë nga kryetari i Komitetit Kombëtar Republikan, zoti Chris LaCivita, i cili e paralajmëroi Ramën që të mos manipulojë zgjedhjet, pasi pasojat do të bien mbi të.

‘Ky kompleks faktorësh, së bashku me klimën që po ndjeni edhe ju në diasporë, të ngjashme me vitet 1991-1992, paralajmëron përmbysjen e pashmangshme të regjimit më 11 maj,’ theksoi kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale.

BASHKËBISEDIMI I PLOTE ME QYTETARET

Dua ta nis këtë komunikim me ju, me një ndjesë pasi nuk llogarita mbetjen në trafik gjatë rrugës nga Rogner tek selia e PD.

Dhe njëherë ndjesë dhe ju ftoj të më drejtoni çdo pyetje që dëshironi.

Zef Kalci: Pse gjithë ky shqetësim për Tik Tok, a ka rrjete të tjera për komunikim. Shqiptarët vuajnë për një qeverisje të mirë, për rend, qetësi, punësim, ulje çmimesh etj.

Sali Berisha: Pyetja juaj është e drejtë dhe është e vërtetë se shqiptarët, më shumë se për cdo gjë tjetër, vuajnë për ato që ju thoni. Unë nuk e di moshën tuaj, por për ata që kanë përjetuar në diktaturë, e kanë të qartë se censura, cilado qoftë ajo, është akti më i shëmtuar i diktaturës, dhe të gjitha diktaturat nisin me censurën.

Zef, lidhur me këtë, dua të rikujtoj një fjalë të presidentit Donald Trump, që në vlerësimin tim është deklarata më e fuqishme e jetës së tij.

Ai u tha amerikanëve para se të fitonte, se rreziku më i madh për kombin tonë nuk është Kina, nuk është Rusia, ata janë, por rreziku më i madh është armiku i brendshëm.

Ai armik që lartësonte flamurin e censurës, që ngrinte në institucionet e vendit të lirisë zyrat e censurës.

Kompanitë e mëdha, që bënë revolucion në komunikimin në shoqërinë njerëzore, u rikthyen tek censorët dhe krijuan shtabet e censurës.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, në një vizitë blic në Shqipëri, të vetmen marrëveshje që firmosi ishte marrëveshja për censurën me ministrin e Jashtëm.

Pse ky reagim?

Sigurisht duhet ta pranojmë, TikToku është një mjet jashtëzakonisht tërheqës dhe komod për komunikimin.

Por akti i bllokimit të tij për faktin se me TikTok, të rinjtë po e kritikonin dhe e përqeshnin Edi Ramën, është një akt brutal, është një intolerancë e tij ndaj mendimit ndryshe.

Për më tepër, Edi Rama mori shkas për bllokimin e tij një shkak të rremë, një pretekst të rremë.

Ai tha se i ndjeri Martin Cani u vra nga shoku i tij sepse u zunë në TikTok.

Por kompania deklaroi botërisht se as Martini, as shoku i tij nuk kishin llogari në TIkTok.

Kjo është arsyeja pse ne protestojmë.

Ne protestojmë kundër censurës, pasi kurrë një kryeministër nuk ka të drejtë të privojë qytetarët e vet nga një mjet komunikimi.

Ky bënte atë që bënte Enver Hoxha me Zërin e Amerikës që i vinte zhurmues në 4 anët, apo me televizionet italiane që u vinte zhurmues në mënyrë që njerëzit të mos dëgjonin të vërtetat nga këto mjete.

Petrit Matia: Ne të diasporës e mbaruam punën tonë, sa e sigurtë do të jetë vota jonë?

Sali Berisha: Petrit, së pari, një përshëndetje më të përzemërt ju dhe të gjithë shqiptarëve jashtë vendit.

Viti 2025, edhe njëherë duhet ta përsërisim sa herë të komunikojmë, është viti i diasporës shqiptare.

Është viti në të cilin diaspora, njëlloj si në kohërat më të vështira për kombin, kur shqiptarët thoshin ‘mbaju nënë, mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë’, edhe sot shqiptarët në një narkodiktaturë përsërisin me vete: ‘mbaju nënëm, mos ke frikë se i ke djemtë në diasporë dhe të dalin zot’.

Vota juaj do jetë e sigurt, u garantoj ju.

Ne po mbikëqyrim mbi bazën e ligjit çdo element të këtij procesi, ndaj dhe me lutjen time të ndërmerrni tani, përveç aplikimit që keni bërë për votim, të ndërmerrni një dialog me të gjithë shqiptarët që janë regjistruar, që të votojnë për shpëtimin e Shqipërisë nga narkodikatura e Edi Ramës.

Të tjerë, që nuk janë regjistruar, të shfrytëzojnë çdo mundësi për të qenë të pranishëm në apelin e Shqipërisë më 11 maj.

Shqipëria thërret çdo shqiptar, kudo që ndodhet, ta ndihmojë atë.

Rimi: Përshëndetje doktor, kur ti fitosh zgjedhjet në 2025, nga e ka rrugën Edi Rama?

Sali Berisha: Edi Rama së pari po përgatitet që së pari të mos ia marrë kush PS-në, por të qëndrojë kryetari i PS. E vërteta është se Edi Ramën e presin procese ligjore, seri procesesh ligjore në Shqipëri, por njëri është më epror nga të gjithë të tjerët, është afera McGonigal.

Kështu që mos u çudit që të kërkohet për ekstradim, se unë u jap fjalën se pa asnjë hezitim do ekstradohet në SHBA.

Sahit Muja: Cilat do të jenë vendimet e qeverisë tuaj për të stimuluar ekonominë, krijimin e vendeve të punës në sektorin privat, krijimin e një klime biznesi që të kthehen investitorët nga jashtë dhe diaspora.

Sali Berisha: 100 ditët e para do të instalohet krahas paketës së dhimbshurisë, me të cilën ne nxjerrim Shqipërinë nga varfëria ekstreme, do instalohet kuadri ligjor për krijimin e klimës më miqësore për biznesin që ka ekzistuar ndonjëherë. Made in Albania do jetë krenaria jonë kombëtare.

Ju jeni nga ata biznesmenë dhe specialistë të shquar që i njihni shumë mirë potencialet e jashtëzakonshme minerare të këtij vendi. Do të jenë paketa fiskale me taksën e sheshtë. Do të jenë garancitë ligjore.

Do të jetë ulja e çmimit të energjisë nga 18-24 lekë kilovati në 6 lekë, pra pjesëtimi me 3 i çmimit të energjisë. Do të jetë nxitja e madhe e projekteve madhështore në fushën e energjisë solare, diellore, ujore. Do të jetë tërheqja e kompanive të mëdha të eksplorimit, shfrytëzimit, përpunimit të mineraleve në Shqipëri.

Do të jetë Shqipëria e dataqendrave, e inteligjencës artificiale, e internetit 3 dhe kriptomonedha.

Pra, ne tre muajt e para hedhim baza të forta ligjore për të gjitha këto projekte dhe unë kam bindjen se ju dhe kolegët tuaj amerikanë do vijnë më kënaqësi të investojnë në Shqipëri.

Milanim Nela: A do të shkohet në zgjedhje me Edvin Ramën kryeministër. A ka ndryshim qëndrimi nga PD, përsa i përket kësaj çështje kardinale.

Sali Berisha: Ndryshime të mëdha kanë ndodhur. Siç e shihni, është e vërtetë që Edi Rama bën gjithçka, por është e vërtetë se prozhektorë të fuqishëm janë drejtuar drejt Shqipërisë.

Është e vërtetë se brenda tyre ka një shkërmoqje të paparë.

Është e vërtetë se ka 2 muaj që këndojnë himnin e hajdutit, përpiqen të mbrojnë Erion Veliajn.

Nga ana tjetër, tre rezoluta ndërkombëtare, kanë denoncuar botërisht Edi Ramën si njeriun e farsës elektorale.

Nga ana tjetër, atij i erdhi një paralajmërim shumë i fortë nga kryetari i Komitetit Kombëtar Republikan, zoti Chris LaCivita, i cili e paralajmëroi që të mos luajë me zgjedhjet sepse pasojat do të bien mbi të.

Pra, është ky kompleks faktorësh.

Është edhe një klimë siç e keni ndjerë ju në diasporë, e cila është e krahasueshme me vitet 1991-1992 që paralajmëron përmbysjen e pashmangshme të diktaturës me datën 11 maj.

Benard Hoxha: Jam një banor i 5 majit, mund të më thoni ju lutem pse nuk po e trajtoni çështjen tonë, sepse na është bërë krim makabër në pronën tonë.

Sali Berisha: Absolutisht do të trajtohet me të gjithë forcën ligjore. Qëndresa juaj është regjistruar në historinë e lirisë së shqiptarëve, por jo vetëm, si qëndresa qytetare më e pamposhtur. Ju garantoj se për çdo shkelje ligjit, brutalitet dhe arbitraritet, shteti do të përgjigjet dhe përgjegjësit do të ndëshkohen.

Isa Muja: Çfarë do të bëjë PD, për të parandaluar vrasjet mafioze që po ndodhin në Shqipëri. Ju lutem konkretisht.

Sali Berisha: Konkretisht, të garantoj që klanet mafioze dhe anëtarët e tyre, njëri pas tjetrit dhe një nga një, do përfundojnë aty ku duhet ta kenë vendin, para ligjit dhe në qeli.

Të rikujtoj këtu se në vitin 2005, në një afat kohor 18 muaj, vendosmëria për të rivendosur ligjin dhe shtetin ligjor dhe zero toleranca ndaj krimit, bëri që 205 organizata dhe grupe kriminale, bosët dhe anëtarët e tyre të kapën dhe të arrestohen kudo që ishin, nga Malta në Suedi, nga SHBA deri në Ankara, të ekstradohen në Shqipëri.

Shumë prej tyre morën dënime përjetë. Të tjerë dënime të merituara.

1050 anëtarë dhe bosë të këtyre organizatave, Edi Rama i liroi ata dhe aplikoi moton ‘kokën t’i hanë njëri-tjetrit’ dhe bashkëpunoi me ta.

Ne kemi zero tolerancë ndaj tyre dhe jam i bindur se ky do jetë një nga aksionet më të para. Grupet shqiptare mafioze do të ndiqen kudo që ndodhen.

Aleks Kapllaj: A do të ketë kandidatë të diasporës në zgjedhjet e ardhshme se ju e dini se 70% e diasporës janë për PD. Takimet tuaj në Itali ishin madhështore dhe këtu doli qartë se PD i fiton zgjedhjet në 11 maj me votën e diasporës. Kjo është edhe arsyeja se pse, Edi Rama po u mohon të drejtën e votës gati 50 mijë shqiptarëve që jetojnë jashtë.

Pyetja e dytë: A do e hiqni traun me Kosovën si hapi i parë administrativ me bashkimin kombëtar.

Sali Berisha: Sigurisht që do të ketë kandidatë të diasporës dhe shqiptarëve jashtë vendit, por duhet ta pranoj Aleks se për shkak të procedurave të fiksuara më parë dhe të zhvillimeve të mëvonshme, ky proces nuk pati rregullimin që duhej të kishte. Por për të patur do ketë dhe do të rregullohet në mënyrë ligjore në interesin më të mirë të shqiptarëve jashtë vendit.

Përsa i përket traut, kam deklaruar dhe deklaroj se në rrugët e Shqipërisë trarë nuk do të ketë dhe ato do të hiqen me shpejtësi javët e para, natyrisht heqja e tyre do të bëhet në mënyrë tregtare, por tratë në rrugët e Shqipërisë ne e kemi në program elektoral dhe nuk pranojmë.

Mond Sterkaj: Unë kam marrë një leje për park fotovoltaik dhe ma ka miratuar KKT-ja. Kam paguar të gjitha detyrimet ndaj shtetit, dhe jam bllokuar nga kryebashkiaku i Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj se më ka kërkuar 20% të investimit.

Sali Berisha: Unë e kam ndjekur zoti Sterkaj problemin tuaj dhe unë u jap shumë të drejtë.

Por këtu, muri i korrupsionit është muri më i pamëshirë ndaj biznesit dhe qytetarëve shqiptarë.

U garantoj se me datën 11 maj hapet një epokë krejt tjetër në projektin tonë Shqipëria Madhështore.

Parqet solare kanë një vend qendror.

Ne jemi të zotuar të prodhojmë qindra e mijëra megavatë energji elektrike nga dielli, era, uji dhe gazi.

Shqipëria do të bëhet superfuqi energjetike rajonale.

Gerti Mingo: Çfarë politikash do ndiqni për fermerët se po i hedhin prodhimet në kanal.

Sali Berisha: Qeveria aktuale është qeveria e shkatërrimit të bizneseve të fermerëve shqiptarë.

Në qoftë se ju i hidhni një sy statistikave zyrtare, ju do gjeni një rënie dramatike nga viti 2013 gjer sot, një përgjysmim dhe më shumë se përgjysmim në blegtori dhe sera dhe një rënie të ndjeshme të prodhimit bujqësor.

PD do bëjë gjithçka për suksesin e fermerit shqiptar.

Së pari do subvencionojë për çdo prodhim, për çdo fidan të mbjellë dhe çdo kokë bagëti.

Së dyti do vendosë sistemin simetrik të taksës, jo siç është sot asimetrik që ndëshkon fermerët dhe prodhimit e vendit.

Së treti, do krijojë Bankën e Zhvillimit, një projekt ky i vitit 2012 që e kishim ne, tani e ka premtuar edhe krahu tjetër, por le të marrë projektet se i zbatojmë vetë, megjithatë i garantojmë fermerët se do vendoset sistemi i kreditimit të butë për ët githë fermerët, përveç subvencionit.

Subvencioni për çdo fidan, krerë bagëti dhe njësi prodhimi dhe ne do arrijmë në subvencione të barabarta me vendet e tjera të rajonit.

PD do të rirganizojë tërësisht konsultën dhe shërbimin ndaj fermerëve shqiptarë.

Do ketë një kontroll të rreptë ndaj inputeve bujqësore që të mos ndodhë kjo që ndodh sot, që prodhimet tona kthehen nga eksportet.

Shqipëria ka potenciale shumë të mëdha në të gjitha fushat e bujqësisë dhe blegotirsë.

Prodhimet do mbrohen.

Nuk ka vend në botë që nuk mbron prodhimet e veta bujqësore.

Edi Rama kreu një krim të shëmtuar me Ballkanin e Hapur. Hapi kufijtë ndaj prodhimeve të Serbisë dhe la në fushë prodhimet e fermerëve shqiptarë.

Kjo merr fund, Ballkani i Hapur pas datës 11 maj nuk ekziston.

Nuk jemi ne kundër tregtisë së lirë, por jemi kundër tregtisë ku njëri hap dyert dhe tjetri vërshon dhe mbyt tregun.

Kjo nuk është tregti e lirë.

Tregtia e lirë ka norma.

Në qoftë se Serbia ka investuar, po marr një shifër arbitrare, 1 mijë euro për hektar, Shqipëria nuk ka investuar as 10 euro për hektar.

Natyrisht këto nuk mund të krahasohen. Ky që ka marrë 10 euro nga shteti, kërkon mbrojtje se ndryshe nuk do ekzistojë.

Shteti së pari do rrisë subvencionin, së dyti do mbrojë shitjen e prodhimit.

Ardian Topia: Jam një invalid për shkak të ndërhyrjes në zemër dhe është e pamundur rikuperimi i kësaj sëmundje dhe po na kërkojnë të bëjmë dokumente çdo vit. Meqenëse sëmundja është e parikuperueshme, të paktën të shikojmë mundësitë që ti bëjmë të paktën 1 herë në tre vite se na sorollatin nëpër spitale, plus së mundjes që kemi.

Sali Berisha: Kërkesa është shumë e drejtë. Burokracia e narkodiktaturës është një burokraci pa sy pa veshë, pa ndjenja. Është robot në raport me qytetarët, kjo merr fund. Do të bëhet gjithçka për të lehtësuar vuajtjen, se nga një anë rrah gjoksin dhe thotë se me e-Albania ofroj kaq e aq shërbime dhe nga ana tjetër njerëzit heqin të zitë e ullirit me këtë burokraci, me kërkesa burokratike absurde ndaj dhe këto do të riformohen në të ardhmen.

Andi Samuri: Çfarë do të bëni për studentët shqiptarë?

Sali Berisha: Studentët shqiptarë, A: do të përgjysmohen tarifat. Bursa e tyre do të jetë 200 euro. Do hiqet mesatarja. Do të bëhet gjithçka për punësimin e tyre. Për Shqipërinë është jetike që studentët, të rinjtë shqiptarë, ëndrrën e tyre ta ndërtojnë në Shqipëri.

Çiftet e reja do të kenë kredi të butë në mbarë vendin, kudo që ndodhen. Studentët do kenë përparësi të mëdha në punësim. Sektori privat që do punësojë studentët do ketë lehtësi fiskale për ta, sektori publik do jetë i hapur.

Qëllimi ynë nuk është që vetëm studentët që mbarojnë në Shqipëri të qëndrojnë, por synimi ynë është dhe do të jetë rikthimi në Shqipëri i qindra e mijërave të rinjve që shkollohen e punojnë në perëndim, për të ndërtuar ëndrrën e tyre në Shqipëri.

Jovi Nikolli: Përshëndetje doktor a thua është e gabueshme ti vësh në lista për deputetë disa keqbërës të Lul Bashës dhe a mendoni se në listën e PD mund të dalin deputet për Lul Bashën.

Sali Berisha: Në procesin e bashkimit të PD, Partia Demokratike është treguar konsekuente në atë që ka shpallur. Ne shpallëm bashkimin në diversitet, sepse nuk mund të mohohet që për shkak të zhvillimeve dramatike, brenda grupit të deputetëve të PD, dhe në anëtarësi në një shkallë më të vogël, u përvijuan qëndrime të ndryshme. Bashkimi i deputetëve dhe grupit parlamentar ishte vendimtar për forcën tonë politike që të shkojë drejt 11 majit si forcë drejt fitores.

Meqenëse po më pyet me emër konkret. Përveç Taulant Ballës, të garantoj që ai njeri nuk ka njeri tjetër me vete. Nuk ka asnjë njeri. Ndaj demokratë e demokrate mbështesni kandidaturat e PD, se mbështesni fitoren.

Lindita Backa: A do të zbatohet ligji i administrimit për komunitetin se nuk po zgjidhim as problemin më elementar të pompës së ujit.

Sali Berisha: Do zbatohet plotësisht dhe do bëhet gjithçka që furnizimi me ujë, i cili nuk mungon, burimet i vjedhin kleptokratët, do bëhet gjithçka që ai furnizim të plotësojë nevojat e qytetarëve.

Do ulet çmimi i ujit për familjet shqiptare.

Ridvan Aliaj: A do bëhet një farë auditi për personat me shkollim false që punojnë në administratën publike dhe ushtrojnë veprimtari si banda të krimit të organizuar.

Sali Berisha: Që të gjithë ata të cilët ushtrojnë veprimtarinë në shkelje të ligjeve të vendit, do bëhet një audit dhe një audit shumë i fortë. Patronazhistët duhet ta kenë të qartë se krimi elektoral do jetë krimi më i ndëshkuar.

Prandaj t’i qëndrojnë ligjit, të zbatojnë ligjin, të mos bëhen pjesë e krimit të madh kushtetues me të cilin kërkojnë të shndërrojnë zgjedhjet në farsë elektorale.

Oligert Musta: Duke qenë se Shqipëria është në këtë gjendje, sepse u ndërtua një sistem drejtësi i kapur nga Soros dhe rilindja. Pyetja ime është; a mundet në programin e PD, Prokurori i Përgjithshëm dhe presidenti të zgjidhen me votë popullor.

Sali Berisha: Oligert, propozimet tuaja janë të drejta. Për sa i përket presidentit, presidenti edhe mund të zgjidhet me votë popullore, por Shqipëria është republikë parlamentare.

Një president me votë popullore, në vlerësimin tim, nuk mund të ishte një figurë ceremoniale siç është presidenti i Shqipërisë.

Tani unë e kuptoj se presidentët kur e dëgjojnë këtë fjalë, nuk e pëlqejnë, por të jesh figurë ceremoniale je figurë për të nderuar në emër të kombit, pra është privilegj i madh.

Pra, është diskutuar disa herë kjo çështje, por PD mendon të qëndrojë në republikën parlamentare.

Përsa i përket prokurorit të përgjithshëm, zgjedhja e tij nuk është një praktikë e lakmueshme.

Një vend që zgjedh prokurorët janë SHBA, por mos harro se Alex Bragg dhe Letizia Jones ishin monstra të akuzës dhe u bënë shembulli më i keq i akuzës jo vetëm në SHBA, por edhe në botë, të zgjedhura nga financimet e Sorosit.

Greta Beqiri: Sot ekonomia mbahet kryesisht nga paratë e pista. A rrezikohet një kolaps ekonomik nëse ato bllokohen?

Sali Berisha: Absolutisht jo, përkundrazi bllokimi i tyre do të jetë ringjallja e vërtetë e ekonomisë shqiptare. Ato para kanë zhvlerësuar euron me 40%. Ato para janë një nga faktorët, jo i vetëm, që në 6 semestra njëri pas tjetrit prodhimi në Shqipëri bie në mënyrë katastrofave. Nga 2023 në 2024, eksportet janë ulur me 32%. Ato mbajnë ndërtimin. Por cilin ndërtim? Ndërtimin e këtyre kullave, monument të korrupsionit dhe krimit, të cilat janë molla më e ndaluar për shqiptarët.

Një nëpunës shqiptarë për të blerë një apartament në këto kulla duhet të punojë, 80, 100 vite. Ato janë para që qarkullojnë të gjitha mes trafikantëve.

Meliha Xhaferri: Si do të arrihet frenimi i rritjes së çmimeve ushqimor bazë, sepse është bërë si rregull, sa herë rriten pagat, rriten dhe çmimet.

Sali Berisha: Frenimi i kësaj rritje ka vetëm një rrugë, por një rrugë të provuar. Unë të flas tani me fakte të Institutit Europian të Statistikës. Ata kanë gjetur se në vitin 2005-2013, megjithëse Shqipëria dyfishoi rrogat, megjithëse në Europë çmimet rriteshin, në Shqipëri u ulën. Pse? Sepse u rrit prodhimi.

Shqipëria u bë eksportuese qumështi. Vetëm Myzeqeja kishte 35 mijë lopë race. Dumreja dhe zona të tjera të tëra u mbushën me serra. U investuan në frutikulturë, u shumëfishua prodhimi dhe kjo është arsyeja pse sipas EUROSTAT, çmimet në Shqipëri nuk ndoqën çmimet në Europë, por patën drejtim të kundërt. Shqipëria ka potenciale shumë të mëdha prodhuese.

Po marrim Divjakën, Divjaka është një nga rajonet e prodhimeve më të hershme në Europë. Pra, ne do nxisim prodhimin shqiptar dhe nxitja e prodhimit shqiptar, subvencioni i prodhimit shqiptar, është rruga më e sigurt që të mos rriten çmimet, por të ulen çmimet në Shqipëri.

Hamit Izvira: Pensionet siç i keni premtuar, dhe ata që nuk plotësojnë vitet e punës, a përfitojnë?

Sali Berisha: Do të përfitojnë. Nuk do të ketë shqiptar që do të marrë pavarësisht i ka apo jo vitet e punës, që nuk do të marrë minimumin jetik 200 euro. Besoj se me këtë vendim ne i japim përgjigje të shkëlqyer 57% të të gjithë pensionistëve të Shqipërisë, të cilët janë me pension të pjesshëm, jo të plotë.

Edvar Kodheli: A ka ndonjë strategjik PD në pushtet që të mos shitet tek rilindja përsëri deputeti i PDIU që zgjidhet me votat e demokratëve. PDIU ka 16 vite që vepron kështu, merr votat e PD dhe bashkohet me rilindjen.

Sali Berisha: Jo 16 vjet. Këto partitë e vogla e kanë këtë punën e fleksibilitetit. Po ti marrim të vërtetën, ai më shumë se 2/3 ka qenë me PD. PDIU ka qenë aleate e PD. Ka patur një moment që ishte me PS, por këto janë gjëra të zakonshme në jetën politike.

Këtë herë janë besnik 100% të PD.

Albano Hënori: A duhet të ndërhyhet në treg se rënia e euros ka shkatërruar mijëra familje. Shumë shqiptarë kanë humbur miliona lekë, se tregu konsumon më shumë euro dhe ky është një krim i rëndë.

Sali Berisha: Absolutisht. Ke shumë të drejtë, është një goditje shumë e rëndë. Njerëzit nuk e kuptojnë si duhet. I shkatërroi eksportet, por gjithashtu u zhvlerësuan në masën 38% remitancat që dërgohen nga diaspora.

Çfarë do bëjë qeveria? Së pari do të ndërhyjë për eksportet. Do të kompensojë të gjithë diferencën në kursin e këmbimit, kompanive të eksportit, në mënyrë që ato të mos bien viktimë e narkoeurove. Nuk janë euro, janë narkoeuro. Do të studiojmë ndërhyrjen dhe për remitancat që vijnë nga jashtë.

Edmir Çekrezi: Cila është rruga që do të ndjekë PD për të tërhequr investitorët e huaj dhe si do të reformohet ‘Made in Albania’.

Sali Berisha: Tërheqja e investitorëve të huaj ka disa kushte. Kushti i parë është sundimi i ligjit, rivendosja e ligjit dhe garancive ligjore. Pa ligj nuk ka investime, ka vetëm largim investimesh. Kushti i dytë është klima më miqësore ndaj biznesit. Shqipëria do jetë vendi i taksave më të ulëta në Europë.

Në rast se kthehemi disa vite mbrapa, në një konventë të Forza Italia, Silvio Berluskoni ka mbajtur një fjalim në të cilin i është referuar programit të PD dhe Sali Berishës për biznesin.

Ky program synon taksën e sheshtë 10 përqind.

Ky program synon një ofertë transparente për investitorin, një garë të ndershme.

Unë u kujtoj këtu se rrugët e Shqipërisë nga Kukësi në Durrës, nga Tirana në Elbasan, nga Hani i Hotit në Kakavijë, të gjitha janë ndërtuar me kompanitë më të mëdha të ndërtimit në botë.

E them këtë sepse kishte garë transparente.

Hidrocentralet e mëdha, Fani, Kaskada e Devollit, Statkrafti është kompania më e madhe në botë e ndërtimit të hidrocentraleve.

Ne u garantojmë investitorëve të huaj një garë të ndershme dhe një mjedis biznesi miqësor ndaj tyre.

Shqipëria do jetë vend model për tërheqjen e investimeve të huaja.

Ne synojmë të bëjmë një kërcim kuantik në projektin Shqipëria Madhështore për prodhimin e energjisë.

Pse e synojmë këtë?

Ne kemi burime të pashtershme. Ne jemi me më shumë ditë me diell në rajon. Jemi vendi me burimet më të shumta në rajon. Jemi vendi me platformat e erës më të fuqishme në rajon. Tani është koha e tyre.

Pse është koha e tyre? Kanë rënë kostot e prodhimit të paneleve diellore në mënyrë dramatike, të turbinave të erës. Pra, të gjitha këto i japin një mundësi të madhe Shqipërisë të bëhet një superfuqi energjetike në rajon.

Mos harro tjetrën, Shqipëria do jetë epiqendër e shpërndarjes së gazit në rajon. Ka gazsjellësin më të madh në jugun e Europës që kalon në Shqipëri, do ndërtojë termocentrale të mëdha.

Projekti Shqipëria Madhështore ka kusht të të gjitha kushteve krijimin e një klime miqësore për zbarkimin e kompanive të mëdha dhe serioze në Shqipëri.

Avangard Motors, Durrës: Bashkia Durrës akoma sot e kësaj dite nuk ka dëmshpërblyer përsa i përket dëmtimeve gjatë demontimit me shpërthim të kontrolluar të pallatit të vipave në Durrës, i dëmtuar nga tërmeti i nëntorit 2019. Kjo sepse jemi demokratë dhe është e pastër kjo urrejtje nga ana e tyre.

Sali Berisha: Kryetarja e bashkisë që shkelmon të drejtat tuaja do të bëhet përgjegjëse para ligjit dhe qeveria do ju dëmshpërblejë ju me përparësi absolute qindarkë për qindarkë.

Besnik Kala: A do të sekuestrohen pasuritë marramendëse të rilindëse pas 11 majit, që kanë vënë nga taksat e shqiptarëve.

Sali Berisha: Nën tokë dhe mbi tokë, ofshore dhe on shore, kudo që të ndodhen. Do të ketë një audit të përgjithshëm dhe ato do tu kthehen qytetarëve shqiptarë.

Rexhe Terzia: Përshëndetje kryeministër. Për lindjet e foshnjave a keni ndonjë plan, sepse po shpopullohet Shqipëria.

Sali Berisha: Popullimi i Shqipërisë do të jetë objektivi më madhor i ‘Shqipërisë Madhështore’. Nuk ka diskutim që do të ketë një politikë demografike e cila do të synojë dy drejtime. Së pari, rikthimin, rikthimin e shqiptarëve në Shqipëri. Së dyti, nxitjen me të gjitha mënyrat të lindshmërisë dhe qëndrimit të shqiptarëve në Shqipëri.

Lidhur me lindshmërinë. Do të vendoset shtesa në pagë për çdo fëmijë, e cila e bën plotësisht të përballueshme për familjen, rritjen e fëmijës. Kurse fëmija i 3-të nga lindja gjer në moshën 23 vjeçare, do të përballohet tërësisht nga shteti.

Alfonsa Ahmataj: Më shumë se një pyetje kam një kërkesë për të gjithë ata të vrarë dhe të persekutuar të komunizmit; a ju kemi për borxh të paktën një pllakë mermeri në çdo fshat e qytet që të gdhendim emrat e tyre, ti respektojmë vuajtjet e tyre. Duke lexuar emrat bëhen më kurioz të dinë për komunizmin dhe bëhen më vigjilentë. Pra kurrë ne kurrës të mos lejojnë sisteme sado të ngjashme me sistemin komunist.

Sali Berisha: Sugjerim i drejtë dhe e garantoj se e gjej shumë të goditur propozimin tuaj. Do e shqyrtoj me seriozitetin më të madh.

Kjo që sot përjetojmë ne, këto rrënjët i ka në të shkuarën. Për ne që jetuam diktaturën e kemi të qartë. Por gjenerata që nuk e njeh diktaturën, ka patur fatin e madh të mos e njoh, por sot nuk e ka të qartë se kjo narkodiktaturë është një kopje e shëmtuar e diktaturës staliniste që jetuan shqiptarët.

Pse e them këtë? Po marr vetëm një fenomen, po marr sot debatin për prokurorinë. Sot prokuroria shqiptare bën gjahun politik të opozitarëve. Burgos, procedon, pa asnjë provë, pa asnjë fakt, pa asnjë shkelje ligjore, tre liderët e partive kryesore opozitare.

Merr mandate të zgjedhurve opozitar, burgos deputetë me dëshmitarë fals dhe gjykata bashkë. Por kjo prokurori nga ana tjetër, arreston zyrtarë të lartë, arrestoi kryetarin e bashkisë, drejtorë, ka arrestuar ish-ministra etj. Këtu në Shqipëri, ata që nuk kanë jetuar diktaturën, nuk e kanë të qarte se kjo prokurori po bën kopjen e prokurorisë në diktaturë. Diktatura kishte ligjet e veta dhe ato parashikonin se nëse personi bënte këto sulme politike, apo shkelte këto ligje, burgosej, internohej apo pushkatohej. Ama ishin të përcaktura.

Por kodi penal dhe civil i diktaturës nuk kishin vetëm veprat politike, por dhe ordinere. Ai që vriste dënohej 25 vite, ose pushkatohej. Ai që vidhte dënohej disa vite. Pra drejtësia në diktaturë ishte në krahun politik të diktaturës, dënonte kundërshtarët e diktatorit, me pamëshirë, por dënonte dhe keqbërësit ordinerë.

Kjo drejtësi në të gjitha vlerësimet, ishte një drejtësi politike. Edhe sot drejtësia është politike. Një drejtësi që arreston liderët e partive kryesore opozitare pa asnjë fakt, por vetëm që kryetari i mazhorancës të marrë mandatin e 4-të, është politike. Kjo nuk ka dyshim. Ndaj ne e vuajmë këtë trashëgimi nga diktatura.

Merr një element. Ne kemi me qindra, mijëra martirë të fjalës së lirë. Burra dhe gra që flijuan jetën për dinjitet njerëzor dhe fjalën e lirë. Njoh unë, njohim të gjithë të pavdekshëm, poetë, shkrimtarë që u ekzekutuan për vargjet e tyre, apo u varën në publik me firmën e Kristaq Ramës.

Tani i shtroj pyetjen këtyre qytetarëve që nuk realizojnë se, drejtësia politike është drejtësi diktature. A nuk është një akt i rëndë censure bllokimi pa asnjë ligj, në shkelje flagrante të kushtetutës, vetëm me vullnet politik, njëlloj si shefi i talebanëve, apo njëlloj si Ajatollahu i Teheranit, i Tik Tok nga Edi Rama. Nëse ti ke nocionin më elementar për lirinë, e di që liria jote mbaron atje ku fillon liria e tjetrit.

Ti nuk ke të drejtë kurrë, tu heqësh ti 1 mln e 400 mijë shqiptarëve, të drejtën e përdorimit të Tik Tok,pse të kritikojnë ty.

Pse Kristaq Rama firmosi të varej Havzi Nela. Pse? Kristaq Rama ishte një skulptor, ishte i shkolluar në Moskë, ishte me ofiqe, por Kristaq Rama nuk toleronte dot vargjet e Havzi Nelës kundër pushtetit të tij. Dhe ndaj për të shpëtuar nga ato vargje ai zgjodhi të firmosë me Ramiz Alinë, varjen në litar. Kështu që është e domosdoshme një proces i thellë dekomunistizimi, por një proces i thellë edhe një autopsi e narkodiktaturës që jeton Shqipëria sot.

***

Edhe njëherë ju falënderoj shumë për pyetjet që më bëtë. Kënaqësi të veçantë për të gjitha pyetjet që më adresuat. Do të përpiqem të jem dhe të jem, më shpesh në komunikim direkt me ju. Komunikimi ynë është real, i sinqertë.

Cilido që dëshiron mund të kontrollojë mesazhet, krahasuar me komunikimin e atij tjetrit, që flet me veten e tij dhe kryen një vepër penale të mashtrimit publik, kur pas check up që ju bë në 1600 komente dhe pyetje, nuk figuronte asnjë autor pyetjesh me emrat që ai njoftoi.

Pra ishin pyetje të bëra nga qytetari Edi Rama, qytetarit Edi Rama.

Sy më sy, ishte Edi Rama në pasqyrë.

Ju uroj një fundjavë të mbarë dhe ju ftoj të vazhdojmë betejën tonë, të sigurtë drejt fitores së 11 majit.

Shqiptarëve në Shqipëri dhe kudo që janë, që të gjithë jemi sot dhe jetojmë vitin e diasporës.

Rroftë diaspora shqiptare dhe shqiptarët kudo që janë.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale