Më poshtë keni informacione mbi procesin e regjistrimit pranë KQZ.
Konsultoni materialet dhe shpërndajeni linkun e kësaj faqeje drejt çdo të afërmi dhe bashkëkombasi që kërkon të votojë me postë.
Për çdo pyetje kontaktoni: diasporavoton@pd.al
1. Video Udhëzuese
Ndiqni videon më poshtë me udhëzime praktike se si të regjistroheni pranë platformës PER të KQZ-së.
2. Manuale Përdorimi
Shkarkoni në butonat më poshtë manualin e përdorimit të platformës PER të KQZ-së.
3. Pyetje/Përgjigje
Tabela e përmbajtjes
Rregulla të Përgjithshme
1. Kush ka të drejtë të votojë me postë nga jashtë Shqipërisë?
Çdo shtetas shqiptar që:
- Ka të drejtë vote.
- Ndodhet jashtë vendit në datën e zgjedhjeve.
- Regjistrohet në listën e zgjedhësve online jashtë vendit (linku këtu) sipas procedurave të KQZ.
2. A mund të regjistrohem automatikisht si votues jashtë Shqipërisë?
Jo, regjistrimi në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER) të KQZ-së është vullnetar. Regjistrimi kryhet me iniciativë të çdo shtetasi shqiptar që banon jashtë vendit i cili regjistrohet personalisht dhe kërkon për t’u regjistruar përmes Platformës Elektronike të Regjistrimit (PER).
Duke u regjistruar në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER) të KQZ-së, votuesit shqiptar në diasporë i jepet e drejta për të votuar nëpërmjet shërbimit postar sipas udhëzimeve që jep vetëm KQZ.
Pas regjistrimit në PER, ju duhet të prisni që KQZ të aprovojë kërkesën tuaj.
3. Çfarë ndodh nëse regjistrohem në listën e zgjedhësve jashtë vendit?
Duke u regjistruar në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER) të KQZ me qëllim për të votuar nëpërmjet shërbimit postar nga jashtë shtetit, ju hiqeni automatikisht nga lista e zgjedhësve që mund të votojnë fizikisht nga brenda territorit të Shqipërisë me datë 11 maj.
Ritheksojmë, që nëse regjistroheni në PER, ju nuk mund të votoni më fizikisht në Shqipëri por vetëm nëpërmjet postës nga vendbanimi juaj jashtë vendit.
Nëse jetoni jashtë vendit, por dëshironi të votoni fizikisht më datë 11 maj në Shqipëri duke udhëtuar drejt vendit tuaj, atëherë nuk keni nevojë të regjistroheni në PER.
Në çdo rast, ftoheni të verifikoni të dhënat tuaja administrative në regjistrin e E-Albania (linku këtu) si dhe vlefshmërine e dokumentave tuaja të identitetit.
4. A mund të ndryshoj vendimin për të votuar nga jashtë dhe të votoj brenda Shqipërisë?
Po, nëse jeni regjistuar në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER) me qëllim për të votuar në distancë nëpërmjet shërbimit postar, por për shkaqe të përligjura kërkoni rikthimin e mundësisë për të votuar fizikisht brenda vendit, kjo është e mundur.
Kujdes, çregjistrimi nga Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER) është i mundur vetëm brënda një afati të caktuar. Verifikoni udhëzimet e KQZ deri kur mund të çregjistroheni nga PER.
5. Kush është përgjegjës për hartimin dhe administrimin e listës së zgjedhësve jashtë vendit?
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është i vetmi organizëm që menaxhon listën e zgjedhësve. Vetëm duke u regjistruar pranë Platformës Elektronike të Regjistrimit (PER) ju jepet e drejta për të votuar në distancë nëpërmjet shërbimit postar.
Procesi i Regjistrimit
6. Kur fillon dhe përfundon afati për regjistrim?
Afati për regjistrim në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER) fillon ne date 11 janar 2025 dhe përfundon me date 4 mars 2025.
KQZ-së i duhen 5-ditë për dhënien e përgjigjes ndaj aplikuesve në PER.
7. Si mund të regjistrohem si votues jashtë vendit?
Duhet të krijoni një llogari (account) në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER) dhe të paraqisni kërkesën tuaj individuale. Kjo mund të bëhet direkt nga faqja e KQZ online https://kqz.gov.al/, rubrika “Zgjedhës nga Jashtë”, ose duke instaluar aplikacionin e KQZ në smartphonin tuaj.
8. Cilat dokumente kërkohen për regjistrim?
- Një dokument identifikimi biometrik të vlefshëm të lëshuar nga Shteti shqiptar (Pasaportë ose letërnjoftim ID/Kartë Identiteti).
- Një dokument që vërteton qëndrimin tuaj jashtë Shqipërisë.
- Adresa e saktë e banimit jashtë vendit.
9. Çfarë ndodh nëse nuk arrij të përfundoj regjistrimin në kohë?
Nëse nuk regjistroheni në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER) para datës 4 mars, ju nuk mund të përfshiheni në listën e zgjedhësve jashtë vendit dhe për pasojë nuk mund të votoni nëpërmjet shërbimit postar në zgjedhjet e 11 majit.
Në çdo rast, nëse keni dokumenta shqiptarë të vlefshëm, ju mund të udhëtoni drejt Shqipërisë dhe të votoni fizikisht në zgjedhjet e 11 majit në qëndrën e votimit ku jeni i regjistruar.
Funksionimi i Platformës PER
10. Çfarë është Platforma Elektronike e Regjistrimit (PER)?
PER është një platformë online e krijuar nga KQZ për regjistrimin e zgjedhësve që duan të votojnë nga jashtë nëpërmjet shërbimit postar.
11. Si krijohet një llogari në PER?
Për të krijuar llogarinë:
– Ngarkoni numrin personal të identifikimit, datëlindjen dhe vendlindjen.
– Ngarkoni një pamje të fytyrës përmes sistemit biometrik të njohjes (liveness check).
– Vendosni një numër telefoni ose adresë email.
12. Si sigurohet llogaria ime në PER?
Për hyrje në llogari përdoren tre faktorë autentifikimi:
– Një element biometrik (njohja e fytyrës).
– Një kod unik 6-shifror i dërguar në telefon ose email.
– Numri Personal i Identifikimit dhe një fjalëkalim.
13. A është Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER) e aksesueshme nga të gjitha pajisjet?
Po, platforma është falas dhe mund të përdoret në çdo pajisje, desktop ose mobile.
Shqyrtimi dhe Vendimi mbi Kërkesat
14. Sa kohë duhet që KQZ të shqyrtojë kërkesën time për regjistrim?
KQZ shqyrton kërkesën tuaj brenda 5 ditëve nga paraqitja.
15. Çfarë ndodh nëse kërkesa ime refuzohet?
Ju do të njoftoheni për shkaqet e refuzimit dhe mund të riparaqisni kërkesë të re pa kufizim deri në afatin e fundit për regjistrim.
Në çdo rast, nëse kërkesa juaj refuzohet, dhe keni dokumenta identifikimi shqiptare të vlefshëm, ju mund të votoni fizikisht duke udhëtuar drejt Shqipërisë ditën e zgjedhjeve më datë 11 maj.
16. Si njoftohem për vendimin mbi kërkesën time?
Përmes llogarisë tuaj në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER) ose përmes email-it / nr. të telefonit që keni plotësuar.
17. Nëse kërkesa pranohet, çfarë ndodh?
Adresa juaj jashtë vendit regjistrohet në një rubrikë të veçantë në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Ju hiqeni nga listat e zgjedhësve në Shqipëri dhe automatikisht shtoheni tek lista e zgjedhësve nga jashtë. Në këtë rast, ju nuk do të mund të votoni më fizikisht në Shqipëri më datë 11 maj por vetëm nëpërmjet postës direkt nga vendbanimi juaj jashtë shteti.
Pyetje të Shpeshta nga Qytetarët
18. A mund të regjistrohem përmes një personi tjetër? Ose të regjistroj familjarët e mi?
Jo, regjistrimi është vetëm individual dhe nuk lejohet të bëhet nga askush tjetër. Kjo pasi kërkohet që secili person të vendosë fytyrën e tij për njohjen nga programi me “Face Recognition”.
19. Çfarë ndodh nëse harroj të përfshij një dokument gjatë regjistrimit?
PER ju njofton për dokumentet e munguar, dhe llogaria juaj mbetet e hapur për të plotësuar dokumentacionin deri në afatin përfundimtar.
20. A mund të përdor një adresë të përkohshme jashtë vendit për regjistrim?
Po, për sa kohë adresa juaj mbështetet nga një dokument që vërteton adresën ku do t’ju vijë vota juaj jashtë shteti. Ky dokument, ka të bëjë vetëm me adresën që ju do të deklaroni dhe jo me gjëndjen tuaj administrative në shtetin e huaj ku banoni (leje qëndrimi apo dokument identifikimi nga shteti huaj).
21. Çfarë ndodh nëse has probleme teknike gjatë regjistrimit?
Ju mund të ruani draftin e kërkesës dhe të kontaktoni shërbimin e ndihmës teknike të KQZ-së, i cili është i disponueshëm gjatë gjithë periudhës së regjistrimit.
22. A mund të votoj nëse nuk kam pasaportë të vlefshme?
Po, nëse nuk keni pasaportë të vlefshme, mund të përdorni letërnjoftimin ID/Kartë Identiteti biometrike të lëshuar nga Shteti shqiptar si dokument identifikimi.
23. A ka ndonjë kufizim për numrin e zgjedhësve që regjistrohen në një adresë jashtë vendit?
Po, kufizimet përcaktohen nga KQZ për të shmangur abuzimet. Si rregull nuk lejohen më tepër se 6-persona me një adresë. Përjashtim bëjnë rastet e përligjuara (dokumentuara).
24. A është votimi nga jashtë i sigurt dhe i mbikëqyrur?
Po, procesi monitorohet dhe auditohet nga KQZ sipas parimeve teknike dhe ligjore në fuqi.
25. Çfarë ndodh nëse ndryshoj adresën pas regjistrimit në PER?
Nëse adresa juaj ndryshon pas regjistrimit, duhet ta përditësoni menjëherë në llogarinë tuaj në PER. Nëse adresa e re nuk përditësohet brenda afatit të regjistrimit, vota juaj mund të mos ju vi në destinacion.
26. A mund të votoj nëse jetoj në një vend që nuk ka marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë?
Po, ju mund të votoni përmes procesit të përcaktuar nga KQZ, për sa kohë plotësoni kriteret dhe regjistroheni në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER) brenda afatit.
27. A do të kem mundësi të kontrolloj nëse vota ime është numëruar?
Po, KQZ do të ofrojë një sistem transparence që ju lejon të verifikoni nëse vota juaj nëpërmjet shërbimit postar është dorëzuar dhe numëruar pa cenuar anonimitetin e saj.
28. Çfarë ndodh nëse nuk arrij të dorëzoj votën time brenda afatit?
Nëse fleta e votimit nëpërmjet shërbimit postar nuk mbërrin në kohë pranë KQZ-së, ajo konsiderohet e pavlefshme. KQZ do të ofrojë informacione të qarta mbi afatet e dërgimit të votës.
29. Nëse kam humbur pasaportën ose letërnjoftimin pas regjistrimit, a mund të votoj?
Jo, për të votuar nëpërmjet shërbimit postar pas regjistrimit tuaj me sukses në PER, ju duhet të keni një dokument identifikimi të vlefshëm. Nëse dokumenti me të cilin jeni regjistruar në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER) është humbur, duhet të paraqiteni pranë autoriteteve përkatëse për një dokument të ri para datës së zgjedhjeve.
30. A mund të votoj nëse kam nënshtetësi të dyfishtë?
Po, për sa kohë keni shtetësinë shqiptare dhe jeni regjistruar në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER) si zgjedhës jashtë vendit.
31. Çfarë ndodh nëse regjistrohem për të votuar nga jashtë, por kthehem në Shqipëri ditën e zgjedhjeve?
Nëse jeni regjistruar në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER) dhe kërkesa juaj është aprovuar nga KQZ, atëherë ju mund të votoni vetëm nëpërmjet shërbimit postar. Kjo do të thotë që ju nuk mund të votoni në qendrat e votimit brenda Shqipërisë, pasi do të jeni çregjistruar nga lista e zgjedhësve brenda vendit.
32. A do të mund të votoj në gjuhën time?
Po, fleta e votimit do të jetë në shqip. Informacion shtesë mund të sigurohet në anglisht ose gjuhë të tjera për udhëzim, por votimi kryhet në shqip.
33. Nëse kam vështirësi me përdorimin e teknologjisë, a mund të kërkoj ndihmë për regjistrim?
Po, KQZ do të ofrojë asistencë përmes një qendre ndihme ose konsullatave shqiptare në vendet përkatëse. Gjithashtu, mund të kontaktoni shërbimin e ndihmës teknike për udhëzime të hollësishme.
Nëse kërkoni informacione të tjera shtesë, mund të kontakoni adresën diasporavoton@pd.al
34. Si sigurohet që vota ime të mbetet anonime?
Vota juaj administrohet sipas një sistemi të sigurt dhe anonim të dërgesës dhe numërimit. KQZ garanton se asnjë palë e tretë nuk ka akses te informacioni personal ose përmbajtja e votës suaj.